Pashtriku.org, 04. 02. 2016: Jo më pak fascionuese është pikëpamja e F. Mistralit, të cilin e kanë quajtur Homerin e Provencës „… Iu uroj Zotni, që ju u keni kushtuar muzën tuaj, dashurinë tuaj dhe qenien tuaj kulteve të gjuhës suaj nënë, për lavdinë e vendit tuaj e të racës suaj … Gjuhët natyrale nxjerrin në shesh fshehtësinë e poezisë së vërtetë. Të jeni, pra, të gëzuar që keni zgjedhur për të hartuar psallmet e Shqipërisë suaj të ëmbël. Poezitë tuaja të dlirta e të urta janë monumentet e atdheut tuaj. „Panoramën“ frenge po e përthekoj me vlerësimet e studiuesit C.C. Kamet, i cili i skruan De Radës „ … Lutja e juaj drejtuar Virgjerreshës është një kantikë nga më të frymëzuarat dhe nga më prekset, që unë kam lexuar ndonjë herë… Ju thoni në librin IV se ju padisin për „mungesë“ arti për sa i takon hartimit të pjesëve të një së tërë së bashku. Por, edhe kjo e metë, për të cilën iu padisin jo vetëm që s’është mungesë arti po për mua është pika më e lartë e artit e cila qëndron në sekretin që t’i japësh krijimit ose fiksionit vulën më të dukshme të së vërtetës, gjithë duke e fshehur këtë sekret… E vetmja njësi e mundshme në këtë lloj hartimi është ajo që iu keni dhënë ju… Grupeve të ndryshme të Basorilieve tua… Dhe kush nuk e shikon që kjo qendër është atdheu i poetit, kjo Shqipëri krenare, Shqipëria e Skënderbeut! Është për të ardhur keq që Nikolla Tomazeu të mos ket thënë gjë për mbi këtë… Me një fjalë, unë do të kisha treguar këtë shpirtë, këtë gjeni poetike të vërtetë që krijon gjuhën, në të njejtën kohë me mendimin që ajo duhet të shpreh…„.
Gualtierit, të cekur më sipë,r po ia shtoi këtu bashkatdhetarin e tij Nikolla Tomazeun i apostrofuar nga studiuesi francez, bashkëkohës e mik i poetit tonë, një nga figurat më të shquara të kulturës italiane të atij shekulli,, për të parë se edhe vlerësimi i tij për poezinë e De Radës është i të njëjtave përmasa: „ … Dhe të vjetër dhe të re ka në fjalët tuaja, si të një atij që vënë re dhe ndjen të vërtetën… në psallm kemi kodrat, që gëzohen si qingjat. E, ndoshta, a nuk ngjason tjetër te Horci vallet e gracievet dhe të ninmfavet në dritën e hënës? Dhe them: më pak më pelqen në Danten… Të madhërishme janë vargjet „ Afërdita që ndritë nëpër pjergullën e rrushit aguridhës, i bën hije dritares… më i kthjelltë se në Dorotenë e lëvderuar prej Gëtes, është vasha që duke shkuar për ujë, kthehet në mes të rrugës… Dikush tjetër thotë se këngët tuaja janë tepër të copëtuara. Por ju që cekëni pëllumbeshen e pavdekshme të Anakreontit më bën të dijë se nuk mund të përçohen në fillin retorik lëvizjet e lira të fluturuesve… Urime me një përulje të dashur. (J.K. Vep e cit. f. 305-312).
A ka të tjerë nga „ekipi“ europian? Po. Disa po i kapëcej se këta që u cekën mjaftojnë; pastaj ndonjëri nga të kapërcyerit mund të na zë rrugën edhe më poshtë. Prandaj fragmenteve të cituara më sipër po u kthehem vetëm me disa rreshta. Ato dëshmojnë katërçipërisht se vepra poetike e De Radës ishte bërë jo vetëm pjesë e letërsisë europiane, po edhe një kryevepër e saj. Me të tjera aty nderohet bashkë me poetin edhe letërsia e re shqipe, hullinë e parë të së cilës e hapi ai vetë. Edhe më tej „Aty nderohej atdheu i të parëve të tij – Shqipëria „ e pa qenë“ me popullin e saj heroik, „ajo mbeturinë e historisë“ „ ajo terranulius“ për vendimmarrësit gjakatarë europianë në dekadat e atij shekulli. (A. Buda: Konferenca Kombëtare e Studimeve për LSHP – 1878-1881 I, Tiranë, 1979 f. 11).
Po i kapërcej edhe vlerësimet e asaj plejade studiuesish arbëreshë, jo për shkak se s’paskan lënë gjë për t’u cituar. Përkundrazi, puna e tyre është e admirueshme, prandaj është pasqyruar gjerësisht në monografinë e deradianit Kastrati. Po i lë anash vetëm pse janë të „shtëpisë“. Megjithatë, do t’u hynim së tepërmi në hak sikur të mos ndaleshim shkurtimisht rreth veprës së më të shquarit në mesin e tyre. Mikel Markianoi e botoi punimin me titull „ Shqipëria dhe vepra e Jeronim De Radës“ vetëm pak muaj para se poeti të shkonte në përjetësi. Monografia me rreth katërqind faqe jo vetëm që përbën kulmin e studimeve arbëreshe, por ajo mbeti vepra themelore për disa dekada të shekullit XX për të gjithë ata që i çaseshin kësaj figure mahnitëse të kulturës shqiptare. Si më sipër, po i citoj vetëm disa nga vlerësimet e atij studiuesi. Për bashkëvendasin e De Radës ndjenja njerëzore e popullit shqiptar është skalitur sikur në „diamant“. Deri sa „… Kanconieri i poetit italian (Petrarkës) është një zingjir i artë përpëlitjesh, kanconieri i poetit arbëresh (Këngët e Milosaos) është nisja e një zingjiri të artë portretesh… Skenën e takimit të parë të Milosaos me Rinën e kërkon kot në idilet e Teokritit dhe të Gesnerit“ (J. K. Vep. e cit. f. 328-31). Siç po shihet, edhe nga ky studiues i shquar vepra e poetit arbëresh vlerësohet lart duke e krahasuar madje pa ngurim me poetët e shquar europianë që u përkasin periudhave të ndryshme historiko – letrare.
Po Rilindasit e këndej Adriatikut ku janë? Emrat aty, madje në rreshtat e parë të atij regjistri. Në ballë trinomi frashëriot e pas tyre Jubani e Kristoforidi, Mitko e Spiro Dine, Vretoja me Asdrenin e Gurakuqin, për të mos i përmendur të gjithë. Rënditje e mbarë bashkë me përzgjedhjen. Tani, befasia paradoksale: studiuesi J. Kastrati s’ia ofron lexuesit asnjë rresht të asnjërit nga emrat e sapo përmendur! Kjo mangësi, që s’mund të arsyetohet nga askush dëshmon se nga njëherë edhe ata, valixhja shkencore e të cilëve është plot vlera të lakmushme, çalojne edhe aty ku nuk pritet fare.
Nëse popujt e mëdhenj krenohen me personalitet që kanë nxjerrë nga gjiri i tyre si gjermanët me Gëten e Shilerin, italianët me Dantën e Petrarkën. Francezët me Balzakun e Hygoin, rusët me Pushkinin e Tolstoin Shqiptarët duhet të ndjehen edhe më krenarë për De Radën e tyre të vlerësuar derin në pikën më të lartë. Duhet të jemi krenarë që ky vigan i kulturës sonë arriti që letërsinë tonë ta fus në rend me letërsitë më të zhvilluara të këtij qytetrimi. Do të duhej të jemi krenarë se vepra e De Radës u bë arenë diskutimesh e vlerësimesh pro dhe kontra nga mendjet më të çmuara të kulturës europiane të asaj kohe e që ne, në pika të shkurtëra, ia ofruam lexuesit si një panoramë në fund të kapitullit De Rada poet.
B) DE RADA ESTET
Si fryt i dhuntisë së jashtëzakonshme krijuese, dhe i njohjes, gjithashtu, të jashtëzakonshme të literaturës antike greko-romake, të Rilindjes Europiane dhe shkollave pasardhëse rezultuan „Parimet e estetikës“ që u botua në vitin 1861. Për mendimin e shprehur në mënyrë të prerë po e citoj që në fillim me kënaqësi studiuesin e mirënjohur të letërsisë shqipe R. Qosen rreth komponentes së dytë që u theksua më sipër: „ Parimet e esteitkës, ndërkaq, e tregojnë De Radën si një shkrimtar me kulturë filozofike dhe estetike të gjerë, madje, mund të thuhet me kulturën më të gjerë deri në ditët tona në letërsinë shqipe“. Për të vazhduar më tej „ në përspektivën e zhvillimit historik letrar, vepra „Parimet e estetikës“ bëhet një dëshmi se letërsia shqipe po hynte në rrjedhat e letërsisë dhe, në përgjithësi të mendimit europian“ (R. Q. Vep e cit f. 141 – 163). Për të mos iu kthyer më po theksoj se ky studiues, krahas vlerësimit kapital që sapo u citua, i vë në dukje edhe disa mangësi të kësaj vepre, bashkë me arsyet se përse ato janë reflektuar. Nuk është vendi të ndalem rreth tyre, por mund të thuhet se disa nga mendimet e tij janë vërtetë të mbështetura, e disa të tjera, për ndonjë dijetar të mirëfilltë të kësaj fushe mund të jenë edhe të diskutueshme.
Me traktatin Parimet e Estetikës De Rada shpalos flamurin e Prijësit edhe në këtë fushë të vështirë të studimeve shqiptare. Dhe u dasht të kapërcejë një shekull i tërë që pranë gurit të tij të vihet i dyti me veprën „ Estetika Jeta Vepra Arti“ e dijetarit të shquar Alfred Uçi, i cili me disa vepra të tjera të këtij zhanri gjatë këtyre katër dekadave, jo vetëm që e përthekoi themelin e nisur nga poeti i madh arbëresh, po i ngriti edhe katet e para të kësaj godine shkencore në literaturën shqiptare, të cilat vetëm sa mund të lakmohen.
Para se t’u kthehem vlerësimeve të Markjanoit, i cili, së paku për 70 vjet është konsideruar si studiuesi më i shquar i veprimtarisë së gjithanshme të De Radës, po e pasqyroj shkurtimisht objektin dhe strukturën „kompozicionale“ të Parimeve. Duke ecur gjurmëve të dijetarëve europianë, veprat e të cilëve, siç u tha më sipër, i njihte në shkallë të lakmueshme, kategoritë estetike De Rada i trajton në përmasa të ndryshme. E bukura, si njëra prej tyre, e ka tërhequr më së tepërmi vemendjen e poetit, duke e analizuar gati në të gjitha aspektet. E Madherishmja bashkë me Komiken janë trajtuar gjithashtu në përmasa mjaft të gjëra. Ndërkaq, e Shëmtuara është kategoria estetike që më së paku ka tërhequr vëmendjen në këtë rast të studiuesit arbëresh. Një ndër arsyet për këtë do të theksohen më poshtë.
Për t’i shprehur pikëpmjet e veta rreth çështjeve që u përkasin kësaj fushe, De Rada zgjodhi si metodë bashkëbisedimin me shkrimtarë e filozofë të shquar. Dialogu, pra, përbën strukturën kompozicionale të atij traktati. Edhe në këtë aspekt është në hullinë e hapur nga pararëndësit e shquar europianë, natyrisht të disave prej tyre. Lexuesin nëpër radhët e atyre dialogjeve vëren pa vështirësi se De Rada me disa prej tyre pajtohet pjesërisht, me disa tërësisht e me disa të tjerë që nuk janë të paktë i kundërshton për shumë çështje që përbëjnë objektin e kësaj fushe. Pra veprën e karakterizon një tis polemizues.
Po i kthehem tash qëndrimit „mospërfillës“ të De Radës ndaj të shëmtuarës. Në këtë aspekt poeti ynë i madh është në akord me parëndës europianë, të cilët, ndonëse ky segment i realitetit njerëzor ishte pasqyruar në veprat më të shquara letrare që nga periudha antike nuk e njihnin atë si kategori estetike, duke këmbëngulur se e shëmtuara s’mund të jetë njëkohësisht edhe e bukur. Këtu duhet shtuar se vëzhgimet, modeste dhe serioze, që i përkasin kësaj fushe shtrihen nëpër shekuj të tërë. Po theksojmë këtu se „termi Estetikë“ në kuptimin e plotë të kësaj fjale u përdor në mesin e shekullit XVIII nga dijetari gjerman Baumgarten. Aty, pra, fillon konsolidimi i kësaj disipline në rrafshin teorik. U dasht të kalojë edhe një shekull derisa studiuesit e braktisën pikëpmjen e theksuar më sipër (shih këto gjerësisht: A. Uçi „Estetika e Groteskut – Teoria dhe Historia libri I, Tiranë 2001, f. 8,9,10 e në vazhdim). Prandaj, De Rada, në atë kapërcyell pikëpamjesh thelbësore, nuk arriti t’u bashkangjitet dijetarëve që e hapen shtegun e ri në fushën e estetikës. Është mjaft sinjifikative e dhëna se poeti nuk iu kthye më asnjëherë kësaj vepre siç veproi me të tjerat.
Tani, t’i shohim disa nga vlerësimet e bashkëvendasit të De Radës „… Po si Tassoja dhe Shileri, që i mblodhën parimet e poezisë së tyre në një teorikë të posaçme të së bukurës, i pari duke i nxjerrë nga veprat e veta dhe i dyti nga estetika e Kantit, kështu edhe De Rada i grumbulloi në një traktat parimet eprore, mbi të cilat mbështeten poemat e tij… Vepra që mua më duket me një rëndësi jo të rendomtë…Teori e cila nuk është ajo rreze e pakapshme e esencës hyjnore që i shfaqet, sipas Platonit botës së padukshme, as ajo sferë sublime e përjetshme dhe nebulore e Lajbnicit, të cilën pasonjësit e këtij e zgjatën në infinit… Kjo në vija të përgjithshme, është teoria e tij mbi të bukurën… që e ka bazën mbi të mirën. Si Shileri edhe De Rada pasi thuri poema, deshi të ndërtoi një sistem estetik që, në mos është një zbulim ka origjinalitet (J.K. Vep e cit. f. 333-33 ).
Këta rreshta përbëjnë vetëm një pjesë të vogël që autori i monografisë i ka cituar për t’ia paraqitur lexuesit pikëpamjet e tij për parimet e estetikës. Po, Krahas këtyre vlerësimeve të favorshme, Markianoi ka bërë edhe një varg vërejtjesh rreth të cilave këtu nuk e shoh të arsyeshme të zgjatem.
C) DE RADA FOLKLORIST
Arbëreshët, kur u vendosën në viset e Italisë jugore nuk ishin duarthatë. Ata morën me vete nga atdheu i tyre lavdinë e Motit të Madh bashkë me fatkeqësinë e paharrueshme që pësoi atdheu kur ra në kthetrat e pushtuesit. Këtij binomi nëpër shekuj i shtohet vazhdimisht edhe malli për vendin e të parëve. Ky trinom përcillej nga brezi në brez sidomos përmes këngës. Dhe, erdhën dekadat për t’u kujdesur për atë pasuri të paçmueshme. Gjurmët e para të mbledhjes së këngëve popullore nga arbëreshët janë të shekujve XVII – XVIII. Ndërkaq shkenca shqiptare i njeh për të parë në këtë fushë gjyshin dhe babain e autorit të poemës „Kënga e sparsme e Balës“. Veprën e tyre e vazhduan edhe shumë arbëreshë të tjerë, në mesin e të cilëve ishte edhe De Derada që në vitet e rinisë së tij. Edhe hullinë e botimit të visarit popullor e filluan arbëreshë të tjerë para poetit të madh. Po, „Rapsoditë e një poeme shqiptare“ që u botua në Firencë më 1866, shkenca shqiptare e konsideron si të parën vepër të kësaj fushe në kulturën kombëtare. Vetë De Rada ia bën me dije lexuesit se ato këngë i mblodhën 11 veprimtarë arbëreshë, „…të cilët atdheut i kanë bërë një shërbim të madh që punuan për të mbledhur e bashkuar pjesët e ruajtura e të shpërndara të këtij monumenti të lartë“. Duke u mbështetur në tematikën e këngëve, respektivisht në subjektin e tyre, De Rada veprën e ndau në tri pjesë: Në të parën përshkruhet Shqipëria e lirë, në të dytën qëndresa heroike e shqiptarëve në luftën kundër pushtuesit turk dhe e treta ai rrëbesh i pashëmullt fatkeqësish me përmasa tragjike që e mbuloi atëdheun e të parëve të tyre pas disfatës „ … nga numri e jo nga trimëria“, bashkë me vajet po edhe shpresat për ta fituar lirinë dhe për t’u kthyer n’atdhe.
Vetë titulli i veprës dëshmon për bindjen e De Radës se të 72 këngët e saj janë pjesë e një poeme, e cila u bë thërrime nëpër shekuj. Për të qenë sa më bindës në këtë aspekt, ai bëri disa ndërhyrje në tekstet e tyre. Studiuesit e veprës përgjithësisht e konsiderojnë të pambështetur mendimin e më sipërm të poetit. (Ndër të tjerë edhe Jup Kastrati në Vep. E cit. f.183).
Me 1883 De Rada e ribotoi veprën me titull të ri: „Rapsodi Komëtare“ që dëshmon se autori nuk e mbronte më pikëpamjen e shprehur para dy dekadash. Botimi i parë qe pritur me admirim nga rilndasit, ndër të cilët po i përmendim përveç Kamardës edhe Vreton e Kristoforidhin bashkë me V. Frashëri, dhe me folkloristët e më vonshëm si Mitkoja me Spiro Dinën. Ndërkaq, Elena Gjika e frymëzuar nga vepra e shkroi studimin e njohur botërisht „Kombësija shqitare sipas këngëve popullore“, ku ndër të tjera thuhet: „Rapsodi…e quan si një epope kombëtare origjinale, si histori të atdhetarëve shqiptarë që ranë për liri, pavarësi dhe qytetërim“.
Në saje të përkthimit në gjuhën italishte „ Rapsoditë …“, tërhoqën vëmendjen edhe të qarqeve kulturore e shkencore europiane. Mund të thuhet pa as një ngurim se vepra e përforcoi edhe më tej bindjen e opinioinit përparimtarë europian për ciliësitë që e karakterizojnë popullin shqiptar si trimëria, mikpritja, besa etj., në një kohë kur qarqet anti shqiptare thurnin intriga e gënjeshtra nga më të paskurpulltat se shqiptarët janë popull primitiv, pa literaturë, prandaj edhe pa kulturë dhe si të tillë nuk dinë të bëjnë jetë kombëtare, duke përfshirë këtu edhe formimin dhe organizimin e shtetit. Ndonjëri nga studiuesit e njohur nuk nguroi ta krahasojë De Radën me Xhejms Makfersonin, i cili, këngët që i kishte shkruar vetë, siç u zbulua më vonë pas një debati të gjatë në qarqet shkencore europiane, ia blatoi Osianit – një luftetari legjendar i shek. të tretë të epokës sonë. Vepra e poetit skocez pat një jehonë të jashtëzakonshme edhe në letërsinë e popujve me tradita të mëdha kulturore e të mos flasim për ndikimin e saj në letërsinë dhe kulturën e popujve që ende rënkonin nën kthetrat e pushtuesve të ndryeshëm.
„Rapsoditë“ ishte kryevepra e folkloristkës shqiptare, kur u botua, dhe si e tillë mbeti edhe për dekada të tëra. Mund të thuhet se De Rada i arriti synimet e tij prej rilindësi si në rrafshin kombëtar, duke ndikuar edhe më tej në ngritjen e vetëdijës nacionale, ashtu edhe në atë kulturor. Tani, edhe në qarqet europiane, përveçse si poet , gjuhëtar, publicist e estet njihet edhe si folklorist që i kishte kapërcyer caqet e kulturës kombëtare.
Ç) DE RADA ILUMUNIST
Arbëreshët ishin të vetëdishëm për rëndësinë e madhe që kishte shkolla shqipe për ruajtjen e gjuhës amtare dhe për ngritjen e vetëdijës kombëtare. Prandaj, përpjekjet e tyre në këtë aspekt i filluan në shekullin XVIII, përpjekje rreth të cilave këtu nuk mund të zgjatemi, por po theksojmë se me hapjen e Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Institutit të Shën Adrianit ato rezultuan me fitore përmasash historike për kohën. Udhëheqja e saj iu besua De Radës, i cili, „ u bë mësuesi i parë i shkollës shqipe me karakter kombëtar“. Rinia arbëreshe për herë të parë filloi të arsimohej në gjuhën amtare. Në bankat e saj ajo mësoi për të kaluarën e stërgjyshërve nëpër shekuj.
Por Instituti ishte bërë dekada më parë një vatër revolucionarësh, „ një qerdhe volterianësh“, prandaj ishte vazhdimisht në shënjestër të regjimit reaksionar burbon. Nga masat represive që i ndërmori, e para pësoi katedra, e cila, pas tri vitesh veprimatrie atdhetare u mbyll. Pezmin ndaj padrejtësisë arbëreshët e shndërruan në përpjekje edhe më të organizuara për ta fituar të drejtën e tyre – shkollimin në gjuhën amtare. Më në fund ato përpjekje i dhanë frytet, kështu më 1868 hapet gjimnazi me drejtues prapë Jeonim De Radën, i cili kërkues ndaj vetvetes për të arritur sa më shumë në të gjitha segmentet e çështjes kombëtare, synonte rihpjen e Katedrës. Me 1891 e realizoi aspiratën e vet. Krajatat nuk kishin të ndalur, epilogu i të cilave u përserit si refren: De Rada largohet prapë nga auditoriumi, dyerve të të cilit iu vu dryni. Po, titani arbëresh në misionin e tij të shenjtë prej apostulli për gjuhën, shkollën shqipe dhe për çlirimin e atdheut nuk e njihte dorëzimin. Nuk e njihte dhe nuk kishte si ta njihte, sepse, përveç të tjerave, vitet e lavdishme të LSHP dëshmuan se „… Pushka dhe abetarja kanë qenë kurdoherë dy binjakë në duart e popullit shqiptar, në të njëjtat llogore të luftës së tij për liri e pavarësi…“ ; se „ …Liria nuk vinte dot vetëm nga gryka e pushkës,pa kaluar edhe nëpër majën e pendës“. Për të parën e kishte dhënë kushtrimin përmes veprës së tij poetike, ndërsa për të dytën punoi me dekada të tëra, duke u bërë një nga protagonistët më të lavdishëm para e pas kushtrimit naimian me vargun emblematik „ dhe drit’ e diturisë, përpara do na shpier“ ( citatet nga kumtesa e A. Uçit në „ Konferenca Kombëtare e Studimeve për LSHP“ f. 67 – 72).
Prandaj në saje të këmbënguljes së De Radës në vitin shkollor 1902 -3, pranë Kolegjit të Shën Mitër Koronës ngritet sërish Katedra e gjuhës shqipe e mësues kush tjetër veç deniurgut të kauzës kombëtare në muzg të jetës së tij në të gjitha aspektet, i papërkulur nga ai spektër dallgësh që u përplasën më tepër se gjashtëdhjetë vjet. Nuk mund të mos theksohet këtu se përveç Gurakuqit që përmendem më sipër në një mënyrë a në një tjetër „ nxënës“ të këtij apostulli, të këtij prometheu ishin edhe A. Xhuvani, A. Rrustemi, K. Cipo e Z. Kodra e shumë të tjerë të cilët më vonë, secili në mënyrën e vet, e sollën mësuesin e tyre në Shqipëri (Dh. S. Sh vep e cit. f. 194-5).
Me disa punime, rreth të cilave nuk mund të ndalemi, De Rada e shkroi edhe „ historinë“ e atyre vatrave arsimore; ndërkaq në përmasat e një teksti shkollor e botoi edhe „ Antologjinë shqipe“. Në Kapitujt e parë është prezantuar visari popullor për të vazhduar me fragmente veprash të autorëve arbëreshë bashkë me të tijat. Nuk mungojnë as pjesë veprash poetike të shkrimtarëve europianë. Lexuesi gjente aty edhe një varg letrash dërguar poetit arbëresh nga rilindësit e këndej adriatikut. Për kërshërinë e lexuesit po japim atë që Naimi e Samiu me Vreton ia dërguan De Radës për t’i shprehur ngushllimet me rastin e vdekjës së djalit të tij Zefit, me titull „ Vaj mbi shtëpinë e radhëniet“. Dhembja e tyre shprehet edhe përmes vjershës së Naimit që gjendet brenda saj „Vllaster i lashtë i Shqipërisë – në dhethit të Italisë – Shqipëria kujt mirë i doje – Në gjuhët tënde e shqip shkroje – gjithmonë të kujton – …Vretoja dhe Naimi – me Saminë të vëllanë – Mbrenda ndër zemërë ju kanë“ (J.K.Vep e cit. f.213).
Dihet se LSHP me veprimtarinë e saj të gjithanshme e hapi atë faqe të re e të lavdishme të Rilindjës Kombëtare duke i moblizuar të gjithë shqiptarët kudo që gjendeshin për çlirimin e vendit. Njëra nga vatrat më të zjarrta ishte dhe ajo e arbëreshëve në Itali me De Radën në krye, icili përveç të tjerave përpiqej dhe ia arriti që ta njoftojë opinionin europian për ngjarjet që zhvilloheshin në Shqipëri. Njëra prej tyre ishte edhe beteja që forcat ushtarake të Lidhjes e zhvilluan në Gjakovë kundër marëshalit turk M. A. P. Maxharit, i cili në emër të sulltanit kishte ardhur në Shqipëri për t’ia dorëzuar trojet tona Malit të Zi në bazë të Vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ngjarjen e përshkroi në të përkohshmen „Fjamuri i Arbërit“, ndërkaq në „Antologji“ e riprodhoi në cilësinë e një tregimi popullor me vertetësi historike dhe për autor kishte gjakovarin Ton Gulia, i cili ishte anëtar i delegacionit të qytetit në bisedimet e zhvillara me të dërguarin e sulltanit (shih edhe K. Frashëri LSHP 1878 – 1881, Tiranë, 1997, f 148 – 51). E veçanta e këtij tregimi është rruga e mëtejshme e këtij deshmitari: Duke e lënë gruan me katër fëmijët në vendlindje arrin në Itali dhe nga Roma në shtëpinë e De Radës e sjell i biri Rodrigoja ku qëndroi 14 muaj si mik i tij (J. K. Vep e cit f. 209).
Në këtë rast nuk munt të mos i kthehem me pak rreshta kumtesës së Zija Shkodrës me titull „Mbi rolin e qyteteve në ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit“ ku rrëfen për aktin e Ramadan Zaskocit, i cili, me urdhër të Lidhjes e vrau telegrafistin e marëshalit turk në Prizren e nuk e thoët asnjë fjalë për atë që ndodhi në Gjakovë (Konferenca Kombëtare e Studimeve… Tiranë 1979 f. 290). E sa për sqarim duhet thënë se edhe qytetarët e Gjakovës e dëshmuan në vepër atdhetarizmin e tyre: „ Thuhet se atë natë, M. A. Pasha i premtoi gjashtëmijë grosh atij që do t’i sillte një kotrovë me ujë, por asnjë nuk ia pruri nga urrejtja …“ (tekst i cituar nga J. Kastrati f. 210). Më në fund, poeti e kishte dënuar n’atë informacion „zakonin“ se edhe armikun duhet mbrojtur nga kushdo që e kërcenon, nëse të ka ardhur në shtëpi si mik. Po, deri sa marëshali turk ishte armiku i Shqipërisë ai nuk duhej të gjente strehë në asnjë vatër shiptare, e aq më pak në shtëpinë e një anëtari të Lidhjës.
VIJON…
__________________
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /1/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4943
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /2/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4944
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4945
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /4/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4946