JUSUF GERVALLA: QËLLIMI I TË GJITHË SHQIPTARËVE ËSHTË BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË
TAZ: Por cili është qëllimi i Lëvizjes çlirimtare?
Jusuf Gërvalla: Qëllimi jo vetëm i Lëvizjes çlirimtare, por edhe i të gjitha forcave përparimtare është shkëputje nga Jugosllavia dhe bashkimi me Shqipërinë amë!
***
Gazeta TAZ / Die Tageszeitung (“gazetë ditore”, botohet në Berlin), më 20 janar 1982, në gjithë faqen e saj të shtatë, botonte lajmin për vrasjen e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, si edhe një intervistë me Jusuf Gërvallën, të cilën kjo gazetë e kishte bërë dy vjet më parë, por që nuk e kishte botuar deri më këtë datë.
Në tekstin hyrës të intervistës redaktori i gazetës “Die Tages Zeitung” (gazeta ditore), ndër të, shkruan: “… Regjimi me dorë të gjatë… Jusuf Gërvalla bashkë me të vëllanë ishin anëtarë të Lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Ai erdhi në fillim të vitit 1980 në redaksinë e gazetës sonë në Shtutgart me qëllim që të na informonte për Lëvizjen Shqiptare për Pavarësi në Kosovë.
Jusuf Gërvalla ishte arratisur nga Kosova, aty nga mesi i dhjetorit të vitit 1979. Vëllai i tij, Bardhoshi, jetonte në Republikën Federale Gjermane qysh nga viti 1974. Ai punonte si punëtor social në Arbeiter Wohlfart në Ludvigsburg.
Pasi Jusuf Gërvalla nuk e dinte fare gjermanishten, përktheu vëllai i tij. Ne bëmë një intervistë prej katër orësh, ku ata me durim shpjeguan gjendjen në Kosovë. Ata e dinin se, regjimi jugosllav ka dorë të gjatë, prandaj pyetën nëse “Die Tageszeitung” është gazetë e pavarur, që nuk ia varë asaj dore të zgjatur. Pastaj Jusuf Gërvalla na foli për biografinë e tij. Ai e paraqiti veten si letrar, i cili ka qenë në marrëdhënie pune në një gazetë shqipe në Jugosllavi. Jusuf Gërvalla ka botuar tri vëllime me poezi dhe ka bërë përkthime të shumta nga gjuha serbokroate në gjuhën shqipe. Sipas të dhënave të tij, ai ka qenë i aktivizuar që prej pesë vjetësh, në Lëvizjen Çlirimtare në Kosovë. Ai qe arratisur gjatë një fushate të burgosjeve në këtë rajon. Vëllai i tij ishte arrestuar në Pejë më 15 dhjetor 1979, për shkak të “veprimtarisë armiqësore”. Banesa e Jusufit në Prishtinë në të njëjtën kohë u bastis në mungesë të tij. Ai thoshte se, shërbimi sekret jugosllav gjatë viteve të kaluara e kishte marrë disa herë në pyetje, duke provuar ta detyronte për bashkëpunim.
Jusuf Gërvalla arratiset në Gjermani dhe paraqet kërkesën për azil. Ndërkohë janë shpeshtuar arrestimet në Kosovë. Jusufi fliste për një shifër prej 2000 të burgosurish, që ne na dukej atëherë e pabesueshme e kjo ndërkohë është vërtetuar. Në këta dy vjet gjendja në Kosovë është ashpërsuar shumë. Janë bërë burgosje masive, është vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Gjatë kësaj kohe Bardhosh Gërvalla kishte shkuar në Qendrën Sociale në Shtutgart, për ta lutur atë, që të lajmërojnë, për një demonstratë solidarizuese, Entin e Rendit Publik.
Bardhosh Gërvalla e ndjente veten gjithnjë të përndjekur nga Shërbimi Sekret Jugosllav. Gjatë demonstratës, sidomos kah dritaret e konsullatës jugosllave u bënë me zell fotografi. Por edhe në rrugë janë parë shumë fotografë duke fotografuar. Kur demonstruesit provuan t’ua nxirrnin filmat nga aparatet fotografëve, ndodhën zënka dhe arrestime nga ana e policisë. Edhe Bardhosh Gërvalla ishte njëri nga të arrestuarit.
Jusuf Gërvalla dhe vëllai i tij e vlerësonin gjendjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi si gjendjen e një populli të mjeruar, i cili lufton për liri si popujt e tjerë të botës. Jusufi donte ta njoftonte opinionin në Republikën Federale Gjermane për këtë luftë.
Ai bashkë me të vëllanë dhe të njohurin e tij janë vrarë. Çdo gjë flet se këtë vrasje do ta ketë bërë Shërbimi Sekret Jugosllav…” thuhej në këtë hyrje të këtij artikulli, të emituar mbrëmë në radion “Dojçe Vele”, ku në vazhdim të tij jepet edhe një intervistë e gjatë, e botuar më 20 janar 1982, me njoftim se ishte intervistë e vitit 1980, por ende e pa publikuar.
Ky është teksti i intervistës së vitit 1980 (i publikuar më 20 janar 1982, në gazetën berlineze TAZ (Die Tageszeitung):
TAZ: Ju keni bashkëpunuar me një organizatë ilegale të minoritetit shqiptar në Jugosllavi, në Lëvizjen çlirimtare. Si paraqitet puna e kësaj organizate përgjithësisht?
Jusuf Gërvalla: Lufta ka disa faza. Fillimisht kemi të bëjmë me njohjen e historisë dhe me njohjen e së vërtetës. Hapi tjetër është që këto njohuri t’i përhapim në popull. Kjo është faza e iluminizmit përmes trakteve, gazetave, parullave e në mënyra të tjera.
Në fazën e dytë shumëçka varet nga relacionet në botë, në Evropë dhe në vend. Faza e dytë përmban luftën e armatosur. Siç duket, kalimi në të po përshpejtohet, për shkak të terrorit të sforcuar jugosllav mbi popullin shqiptar. Por në këtë moment ende nuk jemi të përgatitur për këtë.
TAZ: Çfarë mbështetje ka kjo lëvizje tek pakica shqiptare?
Jusuf Gërvalla: Është shumë vështirë të jepen shifra konkrete. Por mund të thuhet se shumica e popullit shqiptar qëndron pas qëllimeve të kësaj lëvizjeje, por askush nuk deklarohet, pasi ka frikë nga pasojat.
TAZ: Si është e ndërtuar kjo lëvizje në aspektin organizativ?
Jusuf Gërvalla: Kjo lëvizje ka bazat e veta, kudo ku jetojnë shqiptarët brenda kufijve politikë të Jugosllavisë. Ajo përbëhet nga një Komitet Qendror prej pesë vetësh. Pastaj janë komitetet e rretheve, të cilat dërgojnë përfaqësuesit në Komitetin Qendror. Baza janë celulat, që përbëhen nga tre anëtarë dhe që punojnë në mënyrë konspirative. Kosova është vend i pasur, që e eksploaton Serbia…
TAZ: Si paraqitet politika e Beogradit, përkatësisht në hapësirën e rajonit autonom të Kosovës dhe çfarë ndikimi ka ajo në politikën gjyqësore e kulturore?
Jusuf Gërvalla: Diskriminimi kombëtar bëhet në shumë aspekte. Më 1946, Jugosllavia e ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të ”internacionalizmit proletar”. Një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1947, u mor vendimi për dorëzimin e tepricës së drithërave në emër të njëfarë solidariteti. Kështuqë vetë shqiptarët u detyruan të jetojnë edhe pa bukë gjatë atij viti. Disa vjet më vonë u bë kolektivizimi bujqësor, eksperiment, që është bërë vetëm në Kosovë. Qëllimi ishte që tokat e shqiptarëve të përzihen me ato të serbëve. Në vitin 1956, derisa Rankoviqi ishte akoma në pushtet, vetëm në Kosovë u bë një aksion për mbledhjen e armëve. Me këtë rast shumë burra shqiptarë u burgosën dhe u torturuan. Kjo ka ndodhur atëherë gjatë dimrit. Thuajse gjithë natën i kanë detyruar të qëndrojnë në kanale me ujë ose të lidhur lakuriq pas trungjeve të pemëve. Përsa i përket politikës ekonomike, Kosova është një vend shumë i pasur, përsa i përket bujqësisë edhe pasurisë me xehe. Në popull flitet për një Kaliforni të dytë. Kosova përmban 64 për qind të të gjitha rezervave të nikelit e kromit, 65 për qind të rezervave të zinkut dhe plumbit, 28 për qind të rezervave të magnezit. Të gjitha këto të dhëna janë publikuar në gazetat jugosllave. Përkundër kësaj, në Kosovë nuk ekziston industria përpunuese. Të gjitha produktet nga këto përsëri i shiten Kosovës me përfitime të shumëfishta. Dy emigracione të Kosovës…
TAZ: Kjo do të thotë se Kosova është më e prapambetura në krahasim me mesataren e Jugosllavisë?
Jusuf Gërvalla: Po. Kjo mund të dëshmohet edhe me të ardhurat mesatare bruto për frymë. Të ardhurat e një banori të Kosovës në vitin 1953 kanë qenë 43 për qind më të vogla, se sa të një banori të Sllovenisë, republikës më të zhvilluar në Jugosllavi. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1977, ato ranë në 37 për qind. Edhe pse Kosova është furnizuese kryesore me energji elektrike, 250 fshatra nga 1300, që ka gjithsej Kosova, janë ende të paelektrifikuara. Që, thënë shkurtimisht, zhvillimi dhe funksionimi i Kosovës është i orientuar për furnizimin e Jugosllavisë. Ky diskriminim i madh ekonomik ka për pasojë papunësinë e madhe. Sipas të dhënave të pranuara zyrtarisht, papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind. Kjo ka për rrjedhojë emigrimin e brendshëm dhe emigrimin e jashtëm. Emigracioni i brendshëm do të thotë brenda Jugosllavisë, kurse ai i jashtëm në shtetet evropiane. Midis viteve 1968-1978, p.sh. gjysma e popullsisë fshatare u detyrua të emigrojë.
TAZ: Po në planin gjuhësor dhe kulturor si duket politika e Beogradit?
Jusuf Gërvalla: Fillimisht ka pasur diskrimin përmes injorimit të historisë kombëtare. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit. Deri në vitin 1968 shqiptarët kanë qenë të detyruar ta mësojnë historinë sllave, e kjo do të thotë historinë e dinastive të ndryshme serbe. Historinë tonë nuk guxonim ta mësonim. Pas Luftës së Dytë Botërore, aty – këtu, u formuan shkollat ku mund të mësohej gjuha shqipe. Përmes presionit të intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë numri i atyre shkollave u shtua, kështuqë u bë shkollimi masiv në gjuhën shqipe. Por, ata njerëz më vonë u dënuan me shumë vjet burg. Fillimisht u formuan vetëm shkollat fillore, më vonë edhe shkollat e mesme. Në vitin 1965, pranë Universitetit të Beogradit u hap Fakulteti i Albanologjisë. Ndërsa më 1968 në Kosovë pati trazira studentore, të cilat vërtet kanë arritur ca suksese. Kështu që atëherë gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare në Prishtinë dhe u themelua Universiteti në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare nuk ka qenë i lejuar dhe aty kanë qenë në punë kryesisht serbët. Tani rajoni zyrtarisht është dygjuhësh, serbisht dhe shqip. Madje është përcaktuar me ligj që ndokush që nuk e di gjuhën shqipe nuk mund të krijonte marrëdhënie pune fare, por në praktikë thuajse askush nuk i përmbahet këtij ligji.
TAZ: Por cili është qëllimi i Lëvizjes çlirimtare?
Jusuf Gërvalla: Qëllimi jo vetëm i Lëvizjes çlirimtare, por edhe i të gjitha forcave përparimtare është shkëputje nga Jugosllavia dhe bashkimi me Shqipërinë amë!
TAZ: A arsyetohet kjo vetëm me përkatësi nacionale apo ka edhe aspekte shoqërore e politike? A do të kërkonit ju bashkimin, pavarësisht se në Shqipëri mbretëron sistemi radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës?
Jusuf Gërvalla: Pavarësisht nga çfarëdo sistemi!
TAZ: Një bashkim i tillë i këtyre hapësirave të Shqipërisë natyrisht se mund të vlerësohet hegjemonizëm shqiptar. Të paktën në disa pjesë të kësaj hapësire, shqiptarët janë pakicë dhe, ta zëmë, në Greqinë Veriore nuk ka lëvizje nacionaliste si në Jugosllavi?!
Jusuf Gërvalla: Në këtë supozim fshihet një thelb i vërtetë. Në Greqi, p.sh., u arrit të asimilohet një shumicë e madhe e shqiptarëve. Në Maqedoninë Perëndimore popullsia e fshatrave është krejtësisht shqiptare, kurse qytetet kanë arritur t’i sllavizojnë. Edhe në Serbinë Jugore brenda 100 vjetëve serbët kanë arritur përmes terrorit dhe masakrave të dëbojnë shqiptarët drejt Jugut. Ndonëse pjesa më e madhe në ato hapësira janë shqiptarë, brenda popullsisë shqiptare një numër i vogël i shqiptarëve është asimiluar.
TAZ: Lëvizja çlirimtare po lufton për bashkim me Shqipërinë, a ka lidhje ajo me Shqipërinë?
Jusuf Gërvalla: Një përgjigje e kësaj pyetjeje do të ishte e dëmshme për interesat e Lëvizjes!
TAZ: E çfarë dallimi ka bashkimi me Shqipërinë me një statut autonomie, i cili ua mundëson lirinë e plotë në aspektin ekonomik, kulturor e gjuhësor?
Jusuf Gërvalla: Një statut autonomie për ne është në dobi vetëm përderisa të forcohemi për të imponuar bashkimin. Ndonjë alternativë, përveç bashkimit, nuk ekziston.
TAZ: Si po reagon shteti jugosllav ndaj rezistencës përbrenda pakicës shqiptare?
Jusuf Gërvalla: Nga viti 1945 janë ndaluar 47 organizata shqiptare. Pjesëtarët e tyre kanë përfunduar në burgje. Këtu nuk janë bashkënumëruar burgosjet e fundit masive. Këto burgosje të fundit tregojnë nervozizmin e Jugosllavisë ndaj një sulmi të mundshëm të Bashkimit Sovjetik. Burgosje kaq të mëdha nuk ka pasur ndonjëherë. Këto janë duke u bërë vetëm në hapësirat shqiptare dhe tregojnë gjithashtu se Jugosllavia në këtë situatë kritike po vetëdijesohet për fundin e erës së Titos dhe se problemi shqiptar akoma nuk është zgjidhur!?
TAZ: Atëherë këto burgosje masive, mesa duket, duhet të kuptohen si rrjedhojë e arsyeve të politikës së jashtme dhe jo për shkak të forcimit të lëvizjes për rezistencë të “pakicës shqiptare” kohëve të fundit?
Jusuf Gërvalla: Të dy komponentët janë të përzier. Ju përkujtoj 47 organizata të ndaluara. Një lëvizje e rezistencës çdoherë ka qenë e pranishme. Por, në situatën e tashme është e menduar se aktivitetet e saj dhe ndjeshmëria shtetërore ndaj tyre janë rritur. Por, aktivitetet gjithsesi nuk i kanë ato përmasa, që Jugosllavia do të detyrohet të ndërmarrë këto masa.
TAZ: Qysh dhe ku janë duke u bërë burgosje masive dhe sa njerëz janë të goditur nga këto?
Jusuf Gërvalla: Kur unë u arratisa në mes të dhjetorit të vitit 1979, kisha një të dhënë të saktë për 750 të burgosur, në mes të të cilëve ishin edhe 73 femra. Tani po kthehen punëtorët emigrantë dhe po na sjellin informata të reja, sipas të cilave numri i të burgosurve ka arritur në 2000 vetë!?
TAZ: Cilat shtresa të popullsisë janë më shumë të goditura dhe çfarë akuzash konkrete u bëhen atyre?
Jusuf Gërvalla: Kryesisht të rinjtë. Ndër ta studentët e intelektualët, por edhe punëtorë e fshatarë. Fajësimi përmban veprimtari politike “kundër qeverisë” dhe “veprimtari armiqësore kundër popullit”.
TAZ: A keni përshtypjen se burgosjet po bëhen sipas parimit të rastësisë, apo në bazë të të dhënave e informatave konkrete?
Jusuf Gërvalla: Pjesa më e madhe nuk ka të bëjë aspak me këto fajësime. Po bëhen përpjekje për ta zbuluar Lëvizjen. Por, kësaj nuk ia kanë arritur akoma. Përvoja nga shumë organizata të ndaluara ia mundësoi Lëvizjes çlirimtare të veprojë në mënyrë konspirative dhe me sukses. Organet jugosllave të Sigurimit po gjuajnë në errësirë dhe shpesh po kapin kuturu pjesëtarë të shqiptarëve.
(VIJION)
© Pashtriku.org
—————————————-
HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (16)
Jusuf Gërvalla
LETËR ENVER HOXHËS, 19 GUSHT 1980