I N C I D E N T E T
VIZITA IME NË SHQIPËRI
I
Në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 1971/72 drejtori i Gjimnazit, në fund të mbledhjes, na njoftoi se nga Shqipëria kishin marrë përgjigje pozitive për ta vizituar atë. Meqenëse pesë nga ata, që ishin lajmëruar kur ishte bërë kërkesa nuk punonin më në Gjimnaz, drejtori pyeti se a është ndokush i interesuar, sepse numri i lajmëruar në kërkesën tonë është vija e kuqe – as më pak e as më shumë. U lajmërova dhe dy nga të katërtit që më kujtohen ishin Nezir Hasanmetaj dhe Adem Dobraj. Por, në pranverën e atij viti, Kosovën e kaploi Variola – “Lija”, siç i thoshte populli, në ato përmasa saqë kufijtë u mbyllën.
Shqipëria e pranoi edhe kërkesën e dytë, respektivisht përsëritjen e së parës, por u përballëm me “variolën”, që e kaploi tërë Jugosllavinë – serbë e kroatë u ngritën në këmbë. Ndonëse Titoja i “qethi” të dy palët, kriza politike ishte e atyre përmasave saqë ekskursionet jashtë shtetit u pezulluan… Shqipëria i doli borxhit, për të tretën herë, gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”. Në gushtin e ’74-s mund ta kapërcenim Qafën e Morinës.
Në bjeshkë, pasi i rashë kryq e tërthor njërit nga provimet e shkallës së tretë, qysh quheshin atëherë studimet pasuniversitare, m’u mbush mendja që të zbres në rrafsh. Shpresoja se do të njoftoheshim për datën kur do të niseshim për Shqipëri. Në mëngjesin e të nesërmes shkova në Gjimnaz, ende ishim në objektin e shkollës fillore. U përshëndeta me ata tre a katër kolegë, të cilët i gjeta në sallën e arsimtarëve. Pak më vonë u duk edhe drejtori, i cili, afërsisht pas një gjysmë ore, më tha: Hasan, me keqardhje po të njoftoj se pesëshen e ka refuzuar Shqipëria. Hidhërimi dhe befasia u bënë bashkë. Drejtorit i thashë se po çuditem. I rrudhi krahët e i ngriti duart. Vendosa të vazhdoj edhe më tutje: si është e mundur që jo vetëm herën e parë, por as për të dytën nuk na keni thënë asgjë se Shqipëria ka pasur ndonjë vërejtje, si mund të zbërthehet ky farë verifikimi? Nuk mund të them asgjë, m’u përgjigj drejtori, përveçse më vjen keq. Iu urova rrugë të mbarë e pushim të këndshëm, të tjerëve…
Kur po niseni, më pyeti vëllai? Po të ndihmoj për ta vaditur arën, dhe i tregova se ç’kishte ndodhur. Duke e parë marazin tim dhe duke e ditur dëshirën time për atë vizitë u mundua të më qetësojë, duke më dhënë vullnet se do të vijë edhe ajo ditë e do ta vizitosh Shqipërinë. Afërsisht një muaj pasi u vendosëm në objektin e ri të Gjimnazit, një nxënëse, Drita Kuqi, e cila më vonë do të bëhet pjesë e Lëvizjes dhe pjesë e Komitetit të Deçanit, pyeti se pse ende nuk u kisha thënë asnjë fjalë për Shqipërinë. Kur i thashë se nuk kam qenë, ajo u befasua, por jo vetëm ajo…
***
Pesë vjet më vonë, në fillim të marsit të vitit ’79 – Zenuni, pasi i kishte kaluar dy net në Rashiq, katund të cilin rapsodi i papërsëritshëm, Dervish Shaqa, e bëri të njohur në njërën nga këngët e tij më emblematike, i kishte ndarë dy – tri orë edhe për nipat në Carrabreg. Ishte ditë e diel, pasi u përshëndet me hallën e vet e të tjerët, e shoqërova deri te stacioni i autobusëve në Deçan. Pas katër ditësh, më thotë një kolegë, që sapo hyri në sallën e arsimtarëve, dajën ta kanë “rrethuar” në holl. S’ishte e vështirë për ta kuptuar, se diçka kishte ndodhur. Duke u përshëndetur, u mundova të blej diçka dhe arrita të kuptoj se nuk kishte asgjë të padëshirueshme. Megjithatë, më shkoi mendja dhe ashtu doli se para një muaji më pat kërkuar pasaportën, më pat thënë po më duhet diçka dhe unë nuk i pata bërë ndonjë pyetje. U tha kolegëve, nuk kam kohë më shumë, duke u përshëndetur me kolegët në hollin e Gjimnazit, e unë e shoqërova për më tej. Duke zbritur shkallëve, më tha: Nesër në mbrëmje takohemi para teatrit në Prishtinë, pasnesër nisemi për në Shqipëri. Të gjitha punët e tjera janë të kryera. Lajm sa i dëshirueshëm po aq edhe i paimagjinueshëm.
Në fillim të vitit që u cek më lart, 14 studentë të Fakultetit të Mjekësisë, disa në vitin e katërt e disa në të pestin, i kishin bërë kërkesë ambasadës së Shqipërisë në Beograd që t’ua mundësojë një qëndrim dhjetëditor në Shqipëri. Në mesin e tyre ishin edhe dy vëllezërit Nuraj, të cilët i njihnim nga vitet kur ishin nxënës të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”. Ndërkaq, kur shkuan në studime, shoqërimi mes nesh mori përmasa të tjera, sidomos kur Zenuni u vendos në Prishtinë. Grupi e kishte zgjedhur Bajramin për të komunikuar me zyrtarët e ambasadës, prandaj Zenuni e kishte porositur edhe për ne. Për t’ua mbushur mendjen autoriteteve zyrtare, ia kishte dhënë dhe titujt e temave të magjistraturës si dëshmi se kishim nevojë edhe për konsultime me ndonjërin nga profesorët që na kishin mbajtur ligjërata në Prishtinë… Bajrami e kishte marrë premtimin se kur t’i sjellë dokumentet e studentëve do ta marrë përgjigjen. Dhe e kishte marrë. Prandaj, meqë Zenuni i dinte të dhënat e mia si të vetat, pra ato që i kërkonin në ambasadën e Shqipërisë, s’më kishte treguar asgjë. Pasi e realizuam atë ëndërr të kahershme, në prani të familjarëve – dajë e nipa bashkë – ia përsërisja pyetjen se pse nuk më kishte treguar asgjë, e ai më përgjigjej: mund të dilte “bosh”, prandaj nuk doja të zhgënjehesh si në gushtin e ’74-s.
Lajmin që e mora në oborrin e Gjimnazit, vëllait ia tregova në mbrëmje. Nuk është modeste, por po e them se, përveç të tjerave, mprehtësia e as guximi nuk i mungonin, prandaj për ato që i dëgjoi nga ana ime m’u përgjigj: Sa kuptova, e paskeni vendosur me ia mësy me “lejen e Bajram Currit”. Me këtë shprehje nënkuptohet edhe sot, ndërmarrja e ndonjë veprimi pa e pyetur askënd. Iu përgjigja me të qeshur – na ka lënë amanet. Pyetja- të shkoj a të mos shkoj, veç ishte e tepërt… Të nesërmen e njoftova edhe Nezir Hasanmetajn, në bibliotekë. Bisedën e përfunduam me shprehjen e njohur se ai nuk dinte asgjë.
II
Të nesërmen tjetër, nga Prishtina për në Qafëthanë, e në kryeqytet arritëm në mbrëmje vonë. Një përshkrim përgjithësues, atij itinerari të paharrueshëm, nuk mund të mos ia bëj, sepse gjurmët e tij në botën time shpirtërore nuk janë zbehur asnjëherë. Dy ditët e para i ramë “kryq e tërthor” Tiranës: pasi u kthyem nga varrezat e dëshmorëve u ndalem pranë busteve të vëllezërve Frashëri, të cilëve ua patën ngritur me rastin e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbrëmjen e kapërcyem duke shëtitur në qendrën e qytetit. Të tretën ia mësymë Dyrrahut antik e mesjetar, po edhe Durrësin e ri, siç e patëm vizituar edhe Tiranën e re… Në Elbasan, në vendlindjen e dy gjuhëtarëve, para së gjithash, atdhetarëve pa asnjë “shibel” – Konstatin Kristoforidhit e Aleksandër Xhuvanit, përveç të tjerave, ia lëshuam sytë edhe Normales së famshme, në bankat e së cilës u formuan breza te tërë arsimtarësh, disa nga të cilët e mbollën në Kosovë edhe farën e dashurisë ndaj atdheut… Ndërkaq, në Korçë, ku e kishim edhe konakun, sapo ishin njoftuar organizatorët e një koncerti për të na nderuar e vazhduan programin edhe për një orë. Në grupin e studentëve ishte edhe një nxënës imi, i cili më nxori nga salla dhe më pyeti se a dëshiroj të takohesha me Cenën – një i afërm i tij? – Ku është, Ukë? – Në sallë, i tregova se je me ne… U morëm ngryk, siç thotë populli. Emocionet përpiqeshim t’i komandojmë… Në shkollën fillore ishte dy gjenerata para meje, Qe arratisur me një bashkëvendës, të cilin e pata shok banke nga klasa e pestë. E pyeta për të, më tregoi se jeton në Fushë – Krujë, se e ka kryer fakultetin e bujqësisë, duke shtuar se vetë ishte mjek. Pyetjes sime se a ekziston ndonjë mundësi për ta takuar, më siguroi se nesër në mëngjes do t’ia dëgjoj zërin… Pas dy – tri fjalëve i tha se po ta jap dikë që do të befasohesh. As unë s’do ta njihja në zë, prandaj se me kë fliste, e njoftova dhe në cilën ditë do të jem në Tiranë, vendin dhe orën afërsisht.
Me Cenën u përshëndetëm duke hipur në autobus për në Gjirokastër. Edhe në qytetin e gurtë vizituam gjithçka ishte planifikuar, pra edhe shtëpinë e Enver Hoxhës. Me Zenunin do të dëshironim ta shihnim, së paku prej rrugës edhe atë të Eqrem Çabejt, meqë dijetarin e papërsëritshëm, e patëm fatin ta kishim profesor në studimet pasuniversitare i cili kishte mbjellë, përveç dijes edhe atdhedashuri. Shëtitëm edhe nëpër Kalanë e njohur botërisht… e me Sarandën kush nuk mund të magjepsej!
Gjatë drekës në Elbasan, se tani ktheheshim për në Kryeqytet, na njoftuan se mikpritësi na paska mundësuar që ta shohim një ndeshje futbolli, u nervozova, po s’kisha çka të bëj. Nuk kisha si ta lajmëroj shokun e bankës se do të vonoheshim dy a tri orë, sa zgjaste ndeshja…
Megjithatë, Qazimin e gjeta aty ku i pata thënë se do të takoheshim. Ishte një takim i përmallshëm. Shkëmbyem pyetje e përgjigje për valët e jetës sonë, valë me të cilat përballeshim. I tregova se ende e ruaj kartolinën përmes së cilës më uroje vitin e ri, kur isha në klasën e dytë të Gjimnazit. Ndenjëm pak më shumë se një orë. U ndamë me shpresë se do të takoheshim sërish… U takuam në Shqipëri në verën e ’94-s, kur ia kisha mësy rrugës së mërgimit, e pastaj edhe në Kosovë.
Dy studentët me mbiemrin Shatri, gjatë një bisede të lirë, na pyeten se a ka gjë të keqe, nëse e kërkojmë Salih Shatrin. E morën përgjigjen: Këto ditë nuk është në Tiranë. Ndërkaq, njërit nga udhëheqësit, ia shtrova pyetjen se a mund ta takoj një më të “vogël”- dialektologun Jorgji Gjinari, i cili e kishte shkruar një punim për të folmen e Pogradecit, por nuk e kishte botuar. E njihnim nga vitet kur jepte ligjërata në Prishtinë. Më kujtohet si sot, kur i përshkroi veçoritë e gegërishtes veriperëndimore e verilindore, i ra me shkronjës në dërrasën e zezë, siç i thoshim, kufirit nga Liqeni i Shkodrës, duke i bashkuar me Shqipërinë, përveç Ulqinit edhe Plavë e Guci, Hot e Grudë, e për t’i rënë më shkurt tërë Kosovën me Preshevë, Bujanoc dhe viset shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Meqë ishte njoftuar, pse e kërkoja, ato që më duheshin i kishte radhitur në 7 – 8 faqe të cilave ua shtoj edhe disa sqarime. E falënderova, e ai më uroi punë të mbarë.
Studentët e kaluan një ditë të tërë në Fakultetin e Mjekësisë, ishin ndarë të kënaqur në të gjitha aspektet. Ata morën literaturë profesionale, po edhe ne ua shtuam disa tituj për t’i shpëtuar, se po e përsëris, pasi e kam thënë diku më lart, gjatë njëzetekatër muajve, “Nënë Shqipëri” e të tjera qarkullonin nga biblioteka e Gjimnazit e deri te konviktet e studentëve në Prishtinë. E për “Shkodër- Loken”, siç e quante Selman Riza, i kishin rezervuar dy orë. Duke shëtitur në qendrën e qytetit nuk mund të mos na kujtohej tradhtia e Esatit e koburja e Avniut. Ndërkaq, përmendorja e “Heronjve të Vigut” ishte një nga simbolet e lavdisë. Edhe veprën në të cilën poeti Kolë Jakova i pati përjetësuar më përpara se në bronz, disa vëllime ua patëm shpërndarë studentëve. Pas atyre dy orëve që shkuan “sa çel e mbyll sytë” ia mësymë Hanit të Hotit… Në qytetin e Haxhi Zekës , pse jo edhe të Ali Pashë Gucisë, u përshëndetëm: Zenuni me studentët për në Prishtinë e unë për në Carrabreg. Kureshtjes së vëllait për mes pyetjeve që m’i bënte i përgjigjesha me kënaqësi të veçantë.
Në Gjimnaz u lajmërova në zyrën e bacës Bardh, i cili, para disa muajve ishte zgjedhur drejtor. Pasi u përshëndetëm, pas pyetjeve e përgjigjeve të rëndomta, më tha merre ditarin e vazhdo aty ku e ke lënë. Pyetjeve të shokëve që i kam përmendur, sa herë më pyesnin u përgjigjesha me kënaqësi. Pas gjashtë muajve, baca Bardh më thotë shko në zyrën time se po të kërkon dikush. Aty më prisnin dy operativistë të shërbimit të Sigurimit. Pas të rëndomtave, më porositën që brenda një apo më së largu dy javëve, të paraqitem në “rezidencën” e tyre. U premtova, po nuk shkova asnjëherë. Edhe ata nuk më trazuan më, sepse, siç thotë populli, “saberliu e zë lepurin me kerr”… Këtu po shtoj se “kapitullin” për aparatin e Sigurimit shtetëror dua ta përthekoj me titullin e romanit të Rexhep Qoses “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
TEMAT E HARTIMIT PËR MATURANTËT
Nga marsi i ’79-s më duhet të kthehem në qershorin e ’76-s. Në fund të mbledhjes së këshillit të arsimtarëve, drejtori kërkoi nga komisionet për gjuhë e letërsi shqipe dhe për matematikë që temat e hartimit dhe detyrat nga fusha e së dytës të mbyllura në zarfe t’i lënë në zyrën e tij. Zenun Gjocaj e përcillte gjeneratën, prandaj ishte kryetar i komisionit. Ndërkaq, anëtar, përveç meje, ishte edhe Sadik Berisha. Po, ky i fundit kërkoi që ta lirojmë, meqë një ditë më parë i kishte premtuar një shoku se do të takoheshin në Pejë, prandaj nuk mund të mos i dilte në fjalë. Meqë nuk ia thyem rrugën, nuk u përmbajt pa na këshilluar, sugjerimin ia mundësonte edhe mosha, si dhe përvoja në arsim – ishte në të dy aspektet një dekadë më i vjetër se ne.
Pasi i premtuam se do t’i kemi parasysh sugjerimet e tij, shkuam në bibliotekë; Zenuni e shkroi temën e parë: “Populli shqiptar e ka qarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”. Apo ta merr mendja se ia kam qëlluar, më pyeti me shpoti? Duke ia pohuar, i thashë, ke ndonjë propozim për dy të tjerat?… I zgjodhëm edhe ato të zarfit rezervë. I mbyllëm dhe i lamë në zyrën e drejtorit…
Në sallë ishin jo më pak se 80 nxënës, në prani të drejtorit dhe të disa kolegëve tanë, të cilët kishin ardhur vetëm për kureshtje; Zenuni e shkroi temën e parë, e Sadiku duke “mërmëritur”, ”ah Zenun, u vraftë zoti!”, u nis mes rreshtave të bankave, por u kthye menjëherë për të parë se cila ishte e dyta… Në sallë hynin e dilnin kolegë, disa nga të cilët ua lëshonin nga një sy edhe temave…
Isha duke u marrë me hisen time, kur Sadiku hyri në bibliotekë. Më tha “ Puna mbarë “ dhe vazhdoi duke më thënë se si po ndahesha me nxënësit e Zenunit? Mirë – iu përgjigja. Në cilat tema janë përqendruar më shumë – ishte pyetja tjetër. S’më ka shkuar mendja t’i shikoj edhe nga ky aspekt dhe, në këmbë siç ishte, i thashë se po pushoj pak e po e pimë nga një kafe. E shihja se kishte diçka të re; e nxori pakon e cigareve dhe ma zgjati e bashkë me të pyetjen e tretë – kur vjen Zenuni ? – i tregova. Pas një heshtjeje të shkurtër, vazhdoi: Erdha që të njoftoj se temat e hartimit “i kanë bërë çështje”. Nuk e pyeta për asgjë, por i thashë se ti nuk ke kurrfarë përgjegjësie, sepse nuk ke qenë i pranishëm kur ne i kemi hartuar ato. Më kundërshtoi duke këmbëngulur se pavarësisht nga ajo që po thua dhe që është e vërtetë, unë jam aty ku jeni edhe ju. Atëherë, me një tis shakaje, i thashë: Ti vazhdoje tënden e ne tonën, po me Zenunin do të ndahesh edhe më “keq”. Nëse na thërrasin, u japim përgjigjen. As mendja nuk më shkonte për ta pyetur se kush ishte ai, apo kush ishin ata që i kishin kërkuar llogari…
Nuk na trazoi askush, por në afatin e gushtit, drejtori kërkoi që ta hapim zarfin në zyrën e tij, duke u arsyetuar se po dëshirojnë të shohin paraprakisht se sa të vështira mund të jenë temat për moshën e nxënësve. I pranishëm ishte edhe zëvendësi i tij. Sadiku përpiqej për t’u dukur i qetë. S’kishim pse t’i kundërshtonim, sepse, ndonëse ato ishin të karakterit kombëtar, nuk mund ta bënin asnjë vërejtje. Dallimi midis tyre ishte se të triat ishin nën thonjëza, i patëm zgjedhur dy vargje nga “Bagëti e Bujqësia”, dy nga poezia e Fan Nolit “Hymni i Flamurit” dhe të fundit nga perlat e kopshtarit të letrave shqipe, siç e ka pagëzuar Adem Demaçi Esat Mekulin.
Kur i treguam Sadikut se ç’kishim dorëzuar në drejtori, pasi kërkoi falje për mungesën e sërishme, meqë prapë i kishte dalë një e papritur (e dinim arsyen e abstenimit), vazhdoi i qetësuar tani, meqë, sa pa, mendonte se nuk do të përballej me ndonjë “interpelancë” të dytë. Nuk u prit pa folur, po shihet se pak qenkeni përmirësuar, e Zenuni ia ktheu: Noti është një nga sportet më të preferueshme…
Aso vere temat ishin bërë çështje, siç qe shprehur Sadiku edhe në mes shokëve tanë në Prishtinë. Dikush prej tyre kishte thënë se ndoshta tekstin e kanë lënë pa thonjëza – është fjala për temën e parë në afatin e parë, si dëshmi se e kanë përpiluar vetë, përndryshe do të kenë telashe. Për këtë i kishte siguruar Demë Fetaj, ish-mësimdhënës i Gjimnazit. Këto të fundit m’i pat thënë Zenuni gjatë vitit kur filloi të punojë në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës. Zenuni, kur vinte në Dukagjin, kthehej nganjëherë edhe në Gjimnaz, s’e harronte shoqërinë e vjetër. Në bisedë e sipër, me shaka, Sadikut ia kërkonte hallallin për “audiencat” e prishtinalia e merrte përgjigjen: Jam duke menduar, ende s’e kam vendosur. Këto faqe do të mungonin, sikur të mos ishte gjallë Nezir Hasanmetaj, i cili të tretën, që do të pasojë, e ka ditur para meje.
SHËNIMI I NJË PËRVJETORI
Në majin e ’77-s, Gjimnazi e kishte 10-vjetorin e themelimit. Organet drejtuese e kishin një projekt – program për ta shënuar përvjetorin e parë jubilar, të cilin drejtori ia paraqiti Këshillit të Arsimtarëve në mbledhjen që e kishte thirrur enkas për këtë punë. Një nga propozimet që ishin radhitur në atë projekt-program ishte edhe botimi i një “bilteni”, siç e quanin, se, ndoshta, më së paku nuk e dinin se shqip quhej “buletin”, ndonëse nuk do të dilte fare si i tillë, po një fletushkë e vogël, me disa punime të shkurtra, prandaj edhe vetëm me disa faqe. Ndër të tjera, pas diskutimeve, u vendos që edhe emrit që e mbante Gjimnazi, t’i kushtoheshin 3-4 faqe. Një koleg më propozoi që ta marrë përsipër atë punë, të tjerët ia bënë “aminin”. Aq sa kisha hapësirë, me “kaçikun” tim u përpoqa që t’u dal borxhi vëllezërve Frashëri.
Pasi ishim vetë “shkronjës e vetë vulosës”, pra askush s’mund të na thoshte mos, pasi e lektoruam e i redaktuam, punimet i lamë në zyrën e drejtorit. Kolegu që ishte caktuar ia kishte mësyrë shtëpisë botuese “Rilindja”… Me Nezir Hasanmetajn mbetëm vetëm në sallën e arsimtarëve. I propozova që t’i qesim nja dy parti shah, sa për ta kaluar kohën. Duke i radhitur figurat, më tha se ne po luajmë, por do të tregoj diçka e ti mos e merr me të ngushtë. I befasuar, i thashë fol se po të dëgjoj. Gjakftohtë prej natyre, po edhe si matematikan që ishte, i ra shkurt: punimi yt nuk ka shkuar në shtypshkronjë. Kush ta tha këtë, e pyeta? – Sadik Berisha, dhe vazhdoi: në zyrën e drejtorit ia kanë qitur përpara punimin për ta vlerësuar, si duket në aspektin politik. Pasi e kishte lexuar u kishte thënë se unë nuk po shoh asgjë të diskutueshme, për çka ju po pretendoni. Çka është dashur të shkruaj sipas jush? Dhe kishte vazhduar, ata janë përpjekur për ta ngritur vetëdijen kombëtare duke i kënduar epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit, bukurive të atdheut nga Jugu në Veri e nga Lindja në Perëndim, gjuhës dhe shkollës shqipe, duke ua përkujtuar se veprat e Naimit janë në plan-programin e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe ndonjë tjetër, që po e kapërcej. Sadik Berisha kishte heshtur. Nga kjo rezulton se kolegu ynë u përball dy herë në audiencë, por kësaj radhe kishte qenë pak më i sertë se për temën e hartimit.
Kolegu që i kishte dërguar punimet e “biltenit” në Prishtinë, Njazi Ferizi, mësimdhënës i gjuhës angleze, të cilin falangat millosheviqjane, bashkë me të vëllanë, Shaqen: këngëtar i visarit folklorik, i hodhën në një pus – bunar, siç i themi në anën tonë, në fshatin Strellc i Epërm, duke menduar se unë nuk di asgjë, ende pa i kapërcyer të gjitha shkallët e Gjimnazit m’u bashkua. E mora me mend se ishte përpjekur që ta gjejë rastin për të më lajmëruar. Duke i ndrydhur gishtat e duarve e duke i rënë kryq e tërthor asaj që kishte ndodhur, e shihja se i vinte shumë keq, prandaj vendosa ta qetësoj: Njazi, i thashë, e di çka ka ndodhur. U befasua, nuk dinte ç’të më thoshte; megjithatë, pak para se të arrinim në qendër të qytezës, nuk nguroi për të më këshilluar që të mos e dramatizoj këtë çështje. Duke u përshëndetur, e pashë se u çlirua nga ankthi që e kishte brejtur gjatë atyre ditëve… Kur u shpërnda “bilteni”, dy-tre kolegë, pa kurrfarë prapavije, më pyeten a e di se çka ka ndodhur me punimin tënd? Nuk e di, si duket u është pështjelluar diku, u thashë me shpoti.
Këto që unë po i quaj incidente, dhe ndonjë tjetër që s’e kam parë të arsyeshme ta fus brenda kopertinave të këtij libri, janë dëshmi se rruga ime, që isha përgatitur në bankat e fakultetit nën idealet e vëllezërve Frashëri, për të ngritur vetëdijen arsimore dhe kombëtare të nxënësve, ishte e ndarë nga ajo që dëshironte të na impononte pushteti dhe falangat e tij.
(VIJON)
© Pashtriku.org
————————————–
HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (6)
KOMITETI I DEÇANIT – FORMIMI