HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (6) 

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (6) 

KOMITETI I DEÇANIT – FORMIMI

HYRJE

Në ndërtesën e Gjimnazit të Pejës, në vitet ’60 e zhvillonte veprimtarinë edukativo-arsimore edhe Shkolla e Mesme Ekonomike, në të cilën i vijonin mësimet edhe disa të rinj nga Gjakova. Prandaj, edhe ne të Komunës së Deçanit, që i vijonim mësimet, përveçse në Gjimnaz, edhe në Shkollën e Artit e të Bujqësisë bashkoheshim dhe shpërndaheshim në stacionin e autobusëve në Pejë. Në mëngjesin e një dite të nëntorit të vitit 1963 më rastisi që të ulem afër dy bashkëmoshatarëve, të cilët vinin nga qyteti i Sylejman Vokshit, Bajram Currit e të tjerëve pas tyre, për të zbritur në atë të Haxhi Zekës e të tjerëve pas tij. Sapo u nis autobusi, ata e vazhduan bisedën e ndërprerë. Flisnin për arrestimet që ishin bërë në vendlindjen e tyre. I përmendën, ndër të tjerë, edhe Hasim Vulën dhe Kadri Kusarin. Nuk u përmbajta pa i ndërprerë, natyrisht duke u kërkuar falje. Me brengën që m’u shkaktua në ato çaste e që nuk munda ta fshehja, u thashë se të parin e kam pasur mësues katër vjet në shkollën fillore në Deçan e për të dytin po dëgjoj nga bashkëvendësit e mi që i vijojnë mësimet në Gjimnazin e vendlindjes suaj.

Mësuesin që ma mësoi alfabetin e shqipes, respektivisht shkrim-leximin në gjuhën amtare, nuk e pashë më kurrë; ndërkaq të dytin, për vdekjen e të cilit u njoftuam në burgun e Nishit, ndonëse ishim në “repartin” e të izoluarve, e pata takuar vetëm një herë, në një familje atdhetare te një fshat afër Vokshit, 14 vjet pasi pata dëgjuar për arrestimin e tij. Ishin këta të dy nga anëtarët e Degës së Gjakovës – pjesë e organizatës LRBSH e themeluar dhe e udhëhequr nga Adem Demaçi. Ishin dy farat e para, që lëshuan rrënjë në vazon time shpirtërore të asaj bime me emrin Lëvizja Ilegale për çlirimin e vendit, gjethet e së cilës nuk u vyshkën asnjëherë, por radha për t’u bërë pjesë e saj erdhi kur erdhi…

1. Në vitin shkollor 1967/8 fillova të punoj në shkollën fillore “Drita” në Gramaçel. Përveç Maxhun Berishës, pjesëtar i familjes së Demë Ali Pozharit, me të cilin pata banuar në semestrin e parë të studimeve në Prishtinë, nuk e njihja asnjë tjetër. Përveç Ismailit, i moshës sonë ishte edhe mësuesi i muzikës Rrustem Musliaj. Meqë “cimerit” me orët e lëndës art figurativ nuk i plotësohej norma, drejtori i shkollës ia kishte dhënë edhe orët e gjuhës shqipe të klasës së pestë, prandaj më tha në ditët e para se përveçse me nxënës, do të kesh punë edhe me mua. Meqë ishte fjala për ndihmë, i thashë se me lehtë e kam me ty se me nxënësit…

Në shtatorin e ’68-s, Zenun Gjocaj e kreu shërbimin ushtarak, pas një muaji shtesë për shkak të rrethanave politike dhe ushtarake që janë trajtuar atje ku e kishin vendin. Pas përshëndetjes përtej të zakonshmes, i erdhi radha pyetjes se si e kishte kapërcyer muajin e fundit. E filloi me fjalën popullore “të shkuara të harruara” dhe e mbylli me të veten: Qëndrova në istikame në kufi me Hungarinë, pa e hequr kësulën nga koka, as këpucët nga këmbët me armën pranë vetes, të tjerat merri me mend. Po pajtohem me ato që i the në fillim të përgjigjes, por mund të vijnë rrethana, që mund të na i përkujtojnë. Këtë gjithmonë duhet ta kemi parasysh, më tha, duke vazhduar se mora vesh që do të më zëvendësosh. Po, iu përgjigja, veç jo ushtar, por kadet. U befasua… Se do të shkoja ushtar i kishte treguar dikush nga familjarët, ndërkaq akademinë s’e përmenda fare, sepse nuk ishte pjesë e synimeve të mia, prandaj befasisë ia shtoi pyetjen: Çka po të duhet? E sqarova shkurtimisht: ushtar do të vija atje ku ishe ti, në gjysmën e parë të marsit, pa më pyetur fare. Por organi përkatës kishte vendosur që të më dërgojë atje ku tash po e di edhe ti. Jetësimi i vendimit varej nga dëshira ime. E pranova, por në këtë afatin kur po shkoj. Shefi shqiptar kundërshtoi, por zëvendësi malazez, që e fliste shqipen pa pengesa, i tha eprorit që të përpiqen për t’i bindur të tjerët sipër tyre që ta pranojnë propozimin tim… Pas një jave, me thirrjen e dytë në xhep, shkova në zyrë. Shefi, tani i krekosur, më tha: Me vështirësi të mëdha i bindëm eprorët, prandaj në shtator në akademi… Pra, po i them Zenunit, e pranova kërkesën e tyre se shpresoja që provimet e vitit të tretë do t’i kryeja. Ia arrita, vitin e katërt e kam regjistruar.

Urimit për të sapotheksuarat, ua shtoi edhe atë për në akademi. Për të parat e falënderova duke i shprehur dëshirën bashkë me shpresën se kur të kthehem të katërtit do t’ia fillojmë së bashku, e të dytin mbaje në xhep, se nuk i dihet. Mos na korit, më tha, me një timbër shakaje – dhe ushtrinë e gjuajtëm pas dere. Iu kthye, janarit të Shqipërisë e të Kosovës për të vazhduar me prillin e majin e Kosovës e të Shqipërisë, pa e lënë anash as Serbinë… Rrëfimin e përjetimeve dhe për ato që kisha arritur t’i lexoj, e përfundova duke i thënë se ata numrat e gazetës “Rilindja”, që arrita t’i shtij në dorë i ke në Carrabreg. Të nesërmen më përcolli deri në Jasiq – fshat afër vendlindjes së tij ku, katër vjet më parë, ia pat hapur dyert shkollës katërvjeçare. Erdhi për të më përcjellë sikur familjarët e tjerë.  Ky ishte fillimi: Ribashkimet dhe rindarjet mes nesh nëpër vite e dekada morën përmasat e një riciklimi dhe përfunduan më 13 shkurt të vitit 2013, kur Zenuni u nda nga jeta…

Në ditët e para, nga biseda e dy kadetëve serbë kuptova se ai që i bie pishman akademisë, mund ta bëjë kërkesën para ditës së betimit. Mendova dhe kur vendosa, u tregova dy shokëve, të cilët pas dy-tri ditëve më thanë se nuk po të lëmë vetëm. Menduam se shkaku më i arsyeshëm ishte se nuk e njihnim gjuhën në atë shkallë që nevojitej për ta kuptuar literaturën që na kishin shpërndarë. Dëgjuam se kërkesa të tilla kishin bërë edhe pjesëtarë të kombeve të tjera. Këshilltari hetues u përpoq të na thyejë mendjen, secilit veç e veç, por në fund u detyruan ta respektojnë ligjin. Prandaj, në një nga ditët e nëntorit arritëm nga shkretëtira e Hercegovinës, respektivisht nga Bileçja, në kazermën e Dubrovnikut.

Vëllait, që pat ardhur të më vizitojë dy muaj para se t’i hiqja kësulë e çizme të ushtrisë jugosllave, ia pata treguar të mësipërmet, por gjatë asaj vere s’i kishte rënë ta takojë ndonjërin nga dajallarët. Në njërën nga ditët e gjysmës së dytë të shtatorit hyra në oborrin e shtëpisë; familjarët nuk u befasuan,sepse e dinin. Të nesërmen në mbrëmje ia arriti Zenun Gjocaj . Pas përshëndetjeve, pyetjeve të tij dhe përgjigjeve të mia, më “theri” pak me hosten: me ç’gradë na u ktheve? U befasova pak, por nuk u dhashë, sepse kuptova që, siç e thashë më lart, nipi me dajë s’ishin parë fare gjatë asaj vere. Iu përgjigja: shkova për t’u bërë oficer, por u ktheva ushtar… Befasi pas befasie, secila më e papritur se tjetra. Ia tregova, por nuk u ndal: paske hyrë në radhën e atyre që emrat ua shkruajnë me ngjyrë të kuqe. Është punë për ta, por as ti s’ke për të shpëtuar dhe e mbyllëm kapitullin e ushtrisë. Bisedës ia ndërrova kahun me disa pyetje rreth demonstratave, për të cilat na pat folur edhe zëvendëskomandanti i Garnizonit në Dubrovnik, e pas, gjatë dhjetorit, edhe një oficer me gradën e kapitenit të klasës se parë, që ligjëronte lëndën “Edukimi në frymën e patriotizmit socialist jugosllav”. Pasi i përtypëm edhe ato, ylberin e bisedës, që e përshkonte edhe indi i çmalljes, e mbyllëm rreth punës që na priste për t’i kryer studimet. Tani e tutje, takimet tona do të jenë gjithnjë e më të shpeshta.

1. 2. Vazhdova të punoj në të njëjtën shkollë, ndërtesa e re e së cilës kishte përfunduar. Prandaj, kushtet për punë, si për nxënës ashtu edhe për arsimtarët, ishin përmirësuar. Në atë vjeshtë, Ismailit i erdhi një bashkëvendës, Nimon Mustafaj, arsimtar për lëndët histori dhe gjeografi. Megjithatë, ai nganjëherë insistonte që t’iu bashkohesha rrugës për në vendlindjen e tyre në Gllogjan, e i dërmuar nga rruga dhe moti i keq, ndonjëherë, arrija nëpër terr në Carrabreg. Gjatë rrugës i ktheheshim shpesh vitit të përmasave historike – 1968-s, tre muajt e fundit të të cilit, siç u tha më lart, isha në shërbimin ushtarak… Nganjëherë udhëtoja edhe me Maxhun Berishën, i cili m’i tregonte disa nga pësimet që i kishte dëgjuar nga të moshuarit e familjes së tij nga e ’45-ta e deri në përfundimin e aksionit për  çarmatosjen e shqiptarëve. Për shkak të atyre rrethanave, kryefamiljari i tyre, Demë Ali Pozhari, i cili si pjesëtar i ONDSH-së bashkë me Mehmet Agë Rashkocin – daja i babait tim, pas shuarjes së formacionit të parë ilegal, që është theksuar më lart, u arratisën nga trojet shqiptare dhe u vendosën në Stamboll. Derisa i pari nuk e pat ndërruar konakun, i dyti zgjodhi SHBA-të. Ata që e kanë pasur në dorë veprën “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike”, kanë mundur të vërejnë se endesheisti Demë Ali Pozhari ishte pjesëmarrës i atij spektri manifestimesh që Shqipëria i organizoi për ta përkujtuar Kryeheroin e Kombit, me rastin e 500-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.

Meqë u bë i njohur edhe në opinionin e gjerë fakti se poeti kombëtar, Naim Frashëri, do të përkujtohet me rastin e 70- vjetorit të vdekjes nga institucione arsimore, kulturore e shkencore, anekënd Kosovës, i propozova drejtorit të shkollës “Drita” ku punoja, që ta shënojmë atë përvjetor me mundësitë tona modeste.  Si e ke menduar? Ishte pyetja e tij. Përveç një fjale të shkurtër, që të takon ty, programi do të duhej të kishte tri pjesë: një recital me vargje nga veprat e Poetit, disa këngë e valle, që do t’i përgatitnin arsimtarët e lëndëve art muzikor dhe edukatë fizike. Me fjalinë: të lajmëroj nesër, e mbyllëm bisedën. A kishte pyetur ndonjë epror të LKJ-së apo kishte vendosur vetë, nuk e di, por dritën e gjelbërt e mora… Recitali fillonte me disa nga vargjet më të bukura të poemës “Bagëti e bujqësia”: “O malet e Shqipërisë e ju lisat e gjatë … Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar… e  të tjerë ndërmjet e pas tyre, për të vazhduar me të “Luleve të Verës”, që Poeti ua kushtoi shkollës dhe gjuhës shqipe po edhe tradhtarëve dhe vazhdonte me ato të vajeve të Çajupit: “Vdiq Naimi,vdiq Naimi, o e mjera Shqipëri..”. dhe përfundonte me katrenën: “Krujë o qytet i bekuar / prite prite Skëndërbenë…” Do t’u hyja në hak, sikur të mos e theksoja se këngët edhe vallet qenë po ashtu cilësore, meqë Ismaili dhe mësuesi i muzikës punuan me përkushtim.

Një parantezë për dhjetorin e vitit 1970 dhe për majin e vitit 1971: Në gjysmën e të parit shkova për të hyrë në provimin e diplomës në Degën e Letërsisë. Njëri nga anëtarët e komisionit na lajmëroi se provimi do të mbahej të nesërmen. U befasuam, por arsyetimi i menjëhershëm na qetësoi: Profesor Dhimitër Shuteriqi ka pranuar me kënaqësi që të mbajë një ligjëratë para studentëve dhe t’u përgjigjet pyetjeve që mund t’i shtrohen. Shkoni në amfiteatër… E pritëm me duartrokitje, e shoqëronin Zija Xholi dhe kompozitori Tish Daija, ishte delegacioni i Shqipërisë, që merrte pjesë në shënimin e 70 vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit, program përmes të cilit Kosova e nderonte poetin kombëtar. Ajo ditë zuri vend të përhershëm në kujtesën time…

Në majin e vitit 1971 shkova për të hyrë në provimin e diplomës në Degën e Gjuhësisë. Pasi e dorëzova punimin, në qytet e bleva gazetën “Rilindja”, në një nga faqet e së cilës lexova lajmin: Profesor Eqrem Çabej do të mbajë një ligjëratë në amfiteatrin e Fakultetit Juridik. Rasti, mbret i botës: Si i pari, edhe i dyti krejtësisht të papritur. Amfiteatri cep më cep; pesë rreshtat e parë ishin rezervuar për profesorët e Universitetit, që sapo ishte formuar. Profesorin Çabej e prezantoi, kush tjetër, përveç profesor Idriz Ajetit, i cili me disa fjali të zgjedhura e sintetizoi veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme në shkencat albanologjike. Tema e ligjëratës ishte Gjuhët indoevropiane. Si mund ta merrja me mend atë ditë që, si e para, mbeti përgjithmonë në kujtesën time, që pas një viti, me Zenun Gjocin dhe të tjerë do t’i ndiqnim ligjëratat e tij, të Kostallarit, të Domit, të Demirajt, për të mos vazhduar më tej, se Gjinarin e kam cekur atje ku duhej…

Përveç të tjerave, ishin disa rreshta të profesor Rexhep Qoses, që më cyten për të mësipërmet: “Amfiteatri i madh i Fakultetit të Filozofisë ishte përplot të interesuar, të cilët kishin ardhur më pak për shkak timin (Atë ditë Qosja mbronte disertacionin me temën: Jeta dhe vepra e Asdrenit), e shumë më tepër për shkak të komisionit: për t’i parë dy nga pjesëmarrësit nga Shqipëria – profesor Aleks Budën dhe profesor Androkli Kostallarin ”.

1.3. Në majin e vitit ’71 i përfundova studimet dhe në shtator fillova të punoj në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Fillestarë në atë vatër arsimore, përveç ndonjë tjetri, që nuk më kujtohet, ishin edhe Nezir Hasanmetaj dhe Adem Dobraj. Me të parin njihesha sipërfaqësisht nga vitet kur i vijonim mësimet në Gjimnazin e Pejës, e me të dytin, në vendlindjen e tij, kur vinte ndonjëherë në shkollën fillore “Drita”. Meqë mua dhe Nezirit na ra shorti që të punojmë me fillestarët, gama e shoqërisë filloi të zgjerohet. Vlerësimi i suksesit të nxënësve në lëndët gjuhë shqipe e matematikë ishte përafërsisht i njëjtë. Kjo nënkuptonte se “kandari” ynë ishte përafërsisht i të njëjtës shkallë, prandaj shoqërimi ynë hyri në fazën e kalitjes. Me Zenunin u bashkuam në Gjimnaz dhe në studimet pasuniversitare – Dega e Gjuhësisë (për mbresat nga ligjëratat e dëgjuara nga profesorët e Tiranës gjatë atyre katër semestrave do të shprehem në kapitullin përkatës).

Në vitin shkollor ’73/74 u vendosëm në ndërtesën e re. Atë vit, ndër të tjerë, qe pranuar në Gjimnaz edhe Avdullah Hasanmetaj, djali i axhës së Nezirit. Si derë matematikanësh, fjalët i kishin me grat, por punët me bollëk. Afërsisht pas një muaji, drejtorit ia shpreha gatishmërinë që të punoj në bibliotekë pa kurrfarë kompensimi. Më premtoi se propozimin do t’ia paraqesë Pleqësisë në mbledhjen e parë që do ta kemi. U njoftova se interesimin tim e kishte mirëpritur. Pas dy – tri ditësh, të parit të Gjimnazit, ia ngrita çështjen e literaturës që ishte përcaktuar në plan-programet e katër vjetëve. Pa ngurrim ma dha autorizimin. Në shtëpinë botuese “Rilindja” e porosita krijimtarinë letrare të periudhës së Rilindjes, të Pavarësisë, bashkë me atë të gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Të mos e përmend asnjë emër më duket jo më pak se sakrilegj; të gjithë është e pamundur, prandaj “titullarët” e ndonjë tjetër afër tyre nuk po i kapërcej. Pas disa ditësh, në vitrinat e bibliotekës së gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” i radhita me disa nxënës De Radën e Naimin, Seremben e Darën, Mjedën e Çajupin, Asdrenin e Nolin, Lasgushin me Migjenin dhe Esat Mekulin, Spassen e Musarajn, Kadarenë e Dinë Mehmetin, Xoxen e Agollin, Azem Shkrelin e Ali Podrimen me të tjerë… Për numrin e ekzemplarëve, buxhetin e Gjimnazit nuk e kurseva. Që të mos i kthehem sërish kësaj çështje, po theksoj se dy vjet më vonë, për arsye se numri i nxënësve ishte rritur, në bazë të kërkesës sime, drejtori i Gjimnazit më autorizoi për të dytën herë që t’ia mësyj “Rilindjes”. Ajkës së letërsisë botërore ia shtova edhe disa tituj të letërsisë shqipe, ndër të cilët po e përmend romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Përtej zhanrit të letërsisë porosita edhe veprat e karakterit gjuhësor e historik, ndër të cilat po e përmend kompletin e Sami Frashërit, pra edhe manifestin politik të Rilindjes Kombëtare, bashkë me atë të Eqrem Çabejt, që i bënin nder edhe gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”.

1.4. Për pak çaste po largohem nga biblioteka e Gjimnazit për t’i trajtuar dy çështje të karakterit politik – njëra e përmasave ndërkombëtare e tjetra rajonale, por që kishin të bënin drejtpërdrejt me çështjen shqiptare. Përveç rëndësisë së tyre të padiskutueshme, po u kthehem për të vënë në dukje subjektivizmin e përmasave irracionale edhe prej atyre që nuk pritej. Pas negociatave të udhëhequra nga SHBA-të dhe Bashkimi  Sovjetik, negociata të cilat Shqipëria i injoroi që nga fillimi, madje edhe i denoncoi, më 1975 u arrit marrëveshja që njihet “Dokumenti përfundimtar i Helsinkit, me të cilin shtetet nënshkruese e garantojnë pandryshueshmërinë e kufijve të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.”  Mungesa e firmës së Shqipërisë në atë dokument dëshmon se për të ata kufij ishin të papranueshëm. Tani po i qasem pikëpamjes krejtësisht të pambështetur të Lisen Bashkurtit, të cilën, siç veproi Xhevat Lloshi me pipanin (Arshi Pipën), më duhet ta citoj, sepse lexuesi serioz mund edhe të mos e besojë se një studiues merr guximin që ta falsifikojë historinë në ato përmasa: “…  Akti final i Helsinkit përmbante mundësinë e realizimit në praktikë të parimit të vetëvendosjes, por me rrugë e mjete paqësore politike e diplomatike.”  Me keqardhje më duhet ta ritheksoj se rreshtat e sapocituar ngërthejnë një gënjeshtër të paskrupull. Se çka u vendos në Helsinki është e njohur botërisht dhe u citua më lart. Më duhet të vazhdoj prapë me Bashkurtin: “Injorimi nga ana e Enver Hoxhës i këtij momenti të ri shumë të rëndësishëm për zgjidhjet e ardhshme për problemet kufitare të trashëgimisë historike të shqiptarëve, sidomos të çështjes së Kosovës dëshmonte se çështja shqiptare në kontekstin ballkanik nuk ishte fare në perspektivën historike të doktrinës së tij…”  Mendimin e sapocituar e hedhin poshtë një mal faktesh të padiskutueshme, prandaj një verbëri e tillë nuk i bën nder asnjë studiuesi. Serbisë, në radhë të parë, në pranverën e vitit ’81, “i digjte shumë” mungesa e firmës shqiptare në “dokumentin e famshëm”. Më në fund, u pa në tri dekadat e fundit se kur Kosova do ta fitonte lirinë “me mjete paqësore e demokratike”, por injoranca nuk ka kufi.

Sa i përket çështjes së dytë, që e pagëzova rajonale, ndonëse nuk ishte krejtësisht e tillë, pra, bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën, Bashkurti, pasi vë në dukje fillimet e tij, thekson se ai bashkëpunim “e rriti së tepërmi ndikimin e Tiranës zyrtare në qarqet politike, kulturore, arsimore e shkencore të Kosovës dhe indirekt, me anë të këtyre qarqeve influenciale edhe mbi qytetarët e krahinës. Tirana po ngjallte në Kosovë ndjenjat e sentimentet e shtetit amë.”  Pra, e rriti në ato përmasa saqë Titoja në tetorin e ’79-s e pa se Kosova ishte bërë Shqipëri. Por analisti nuk ngurron të theksojë se “… edhe Kosova, politikanët, intelektualët, studiuesit, shkencëtarët dhe artistët e saj informacionet dhe botimet e tyre patën gjithashtu ndikim të madh në Shqipëri… Kosova po ngjallte në Shqipëri frymën e filozofinë liberale të Federatës Jugosllave.”  Natyrisht, rreshtat e mësipërm e meritojnë përgjigjen. Së pari, duhet thënë se vetë Enver Hoxha ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet përkatëse të Shqipërisë që gjithçka që krijohej në Kosovë, me taban kombëtar, të afirmohet me përmasa sa më të gjera edhe në Shqipëri. Se ka pasur përpjekje për ta realizuar atë ndikim të madh, siç shprehet Bashkurti, dëshmon edhe studiuesi Ukshin Hoti, njëri nga protagonistët kryesorë të atyre zhvillimeve. Si të parin, po e citoj edhe të dytin: “Ka pasur edhe atëherë vërejtje të ndryshme kritike ndaj këtij bashkëpunimi. Ato mund të reduktohen në dy grupe: e para mund të quhet qasje afirmative, por esencialisht fjala ishte për presionin që ai bashkëpunim të vihej në funksion të afirmimit të sistemit vetëqeverisës në Shqipëri. Ata që e mbështetnin këtë qasje kanë qenë tejet të padurueshëm. Atje shihnin mundësi të  pakufizuara ndikimi në drejtim të demokratizimit dhe të hapjes së shoqërisë shqiptare. Dhe nuk mund të thuhet se ai bashkëpunim mbeti pa ndonjë jehonë në këtë plan.”  Mendimi i studiuesit të sapocekur korrespondon me rrethanat politike që e karakterizonin Kosovën në vitet e 70-ta. Ai nuk kishte pse t’i identifikojë më tej të “padurueshmit”, megjithatë, nuk mund të mos e plotësoj në këtë aspekt: Ata përbënin klasën e titistëve të përbetuar, sepse librezën e LKJ-së e kishte edhe Ukshin Hoti me shumë të tjerë, të cilët edhe në saje të asaj paçavureje në xhep, pozicionoheshin në istikame prej nga i kontribuonin çështjes kombëtare në rrethanat përkatëse. 

Siç u tha edhe më lartë, sipas Lisenit, çështja kombëtare për Enver Hoxhën ishte jashtë preokupimeve të tij politike. Po ia përsëris faktet, të cilat dëshmojnë se ai mendim nuk është asgjë më shumë se një broçkull: Çka i tha Titos në Beograd më 1946, çka i shkroi edhe Stalinit më 1949, çka i tha delegacionit në Krujë më 1968, cili ishte qëndrimi i tij për demonstratat e vitit të sapocekur e sidomos për ato të vitit 1981?… Përgjigjja dihet i saktë vetëm pjesërisht, sepse ajo nuk lejoj fare që Titoja ta realizonte projektin, që e pat filluar që në vitet e luftës. E për bashkëpunimin midis Shqipërisë e Kosovës dihet… Me studiuesin po e përfundoj me konstatimin se atë ndikim të “madh” nuk arriti ta argumentojë me asnjë fakt, qoftë ai edhe i përmasave simbolike apo të një jehone, siç shprehet Ukshin Hoti. Atë që e kam theksuar edhe më parë më duhet ta përsëris, pa dëshirë, edhe në këtë rast, se Titoja mendonte që kur të gjitha shtresat e gjysmës së kombit do të dilnin përtej qafe do të mërmëritnin “kjo qenka Shqipëria kala, Shqipëria lule” dhe do t’i çonin duart prej saj. Madje, edhe militantët e përbetuar për kauzën do të stepeshin, prandaj edhe mund të mos kishte më të burgosur politikë…”  Pra, siç dihet, për të gjithë ata që mendojnë esëll, marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kosovës me vise të tjera shqiptare i kurorëzoi pranvera e vitit 1981.

I kurorëzoi, se Titoja nuk arriti ta ekzekutojë urdhrin që e dha në Karagjorgjevë, meqë u përball me “urën”, që e çoi në “përjetësi”. Prandaj, edhe kabineti presidencial merrej me rrethanat e pas katër majit kur u dha lajmi se Jugosllavia mbeti pa themeluesin e saj. Dhe mund të thuhet se nuk u korit. Përveç përcjelljes  madhështore, “e pamja” zgjati me muaj të tërë, sepse qytetarët “dëshironin” për t’u përulur para sarkofagut në “Kalamegdan”. Se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës vazhdonin të funksiononin edhe më tej, dëshmon edhe vizita e ministres së Arsimit dhe Kulturës së Shqipërisë në Kosovë. Ishte tetori i vitit 1980, Tefta Camin e pat pritur edhe Fadil Hoxha në Beograd, i cili, ndër të tjera, i kishte thënë se “marrëdhëniet po ecin mirë dhe duhet të vazhdojnë… në këtë  proces kemi nevojë të madhe për përkrahjen e Shqipërisë…”  Po vazhdoj edhe me një citat: “ Socializmi në Shqipëri ka qenë në funksion të bashkimit kombëtar…”  Atyre që janë thënë më lart ua shtova edhe të sapocituarat me shpresë që Lisen Bashkurti do të këndellet nga ajo alergji irracionale.

II

Po kthehem sërish në Gjimnaz, respektivisht në bibliotekë, e cila, siç do të shihet, u shndërrua edhe në një nga bazat e veprimtarisë ilegale. Meqë shoqërimi me Nezirin trashej gjithnjë e më tepër, vendosa t’ia jap çelësat, duke u arsyetuar se provimet e nxënësve mund t’i korrigjojë në qetësi. I erdhi mirë, sepse, përveç të tjerave, e shprehja një besim të veçantë ndaj tij. Pas një kohe më pat thënë, duke bërë shaka, se e “kisha pasur me sherr”, sepse nxënësit i kthenin apo i merrnin librat që u duheshin e Neziri i regjistronte me pedanteri. Kështu biblioteka u bë me dy “titullarë”.

1. Numri i nxënësve shtohej nga viti në vit, edhe trupa e mësimdhënësve gjithashtu. Prandaj, gjatë atyre gjashtë vjetëve (1974-1980) për ta ndërruar ndonjë fjalë në bibliotekë, përveç Zenunit, vinte edhe Demë Fetaj, bashkëvendës i matematikanëve, edhe ky mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, i cili, si njëri nga veprimtarët “e Çetës Bajo e Çerçiz Topulli” kishte kontribuar në organizimin e demonstratave të ’68-s në Prishtinë. Por, pasi e përcollën nga një gjeneratë i thanë lamtumirë Gjimnazit dhe u vendosën në Prishtinë. I pari, mund të thuhet se u përngjante nomadëve: Katërvjetëshin e parë e pat mbyllur në tetëvjeçaren e Junikut, të dytin në atë të Deçanit, të tretin në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, të katërtin në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës dhe të pestin, nga pranvera e vitit ’81/82 deri më 1986 prapa grilave nëpër burgjet e Kosovës. Na patën lënë keq, përveç të tjerave, edhe për arsye se në saje të dhuntisë së tyre sajonin edhe çaste ngashënjyese. Megjithatë, takimet i vazhduam në përmasat e mundësive që i kishim.  Vendin e tyre e zunë Hajdar Salihu dhe Emrush Lokaj, të cilët, edhe në aspektin që sapo e theksova për të dy të mësipërmit e plotësuan; ndërkaq “anglezit”, Dinë Ahmeti, iu bë krah edhe Jashari, vëllai i Hajdarit. Matematikanëve iu arriti një përforcim – Muhamet Haklaj, të cilin me Nezirin e patëm nxënës vetëm vitin e parë, sepse bashkë me vëllanë e Avdullahut, Miftarin, shkuan në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë. Pas shtatë vjetësh u kthyen aty ku na kishin lënë. Në shenjë respekti, flisnin shumë rrallë. Asnjëherë të gjithë sa i përmenda, në të njëjtën kohë – ndonjë ditë dy a tre, pas një jave të tjerë – gjithmonë takime spontane. Ndërkaq, më duhet të theksoj se kryetema e bisedave që i zhvillonim ishin ngjarjet e asaj dekade në trojet shqiptare, të cilat, siç dihet, ishin të përmasave historike. Të gjitha nga pak, por aktin e drejtpërdrejtë provokues e shprehnin dy prej tyre: arrestimi dhe dënimi i Adem Demaçit për të tretën herë me bashkëveprimtarët dhe shënimi i 100 -vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

1.2. Meqë viti shkollor për nxënësit kishte përfunduar, radhën e kishte plotësimi i dëftesave të tyre. Ne “titullarëve” të bibliotekës na pengonte ndonjë nga shokët, që sapo e hapte derën na paralajmëronte pushimin, duke thënë se kafetë ishin porositur. Kështu, gjysmën e dytë të qershorit e mbisundonte bisedimi rreth përvjetorit të lavdishëm. Pasi ia rrihnim pykat, çështjen e “rezymonim” me ndonjë proverb popullor, të cilat i përdori mjeshtërisht edhe Gjergj Fishta: por se kungulli që po thonë / ai s’po shkon mbi ujë gjithmonë. Ndërkaq, arrestimi i Demaçit për të tretën herë na testonte.

As Ismail Haradinaj nuk më harronte, një rrugë e dy punë. Vinte për të parë si i mësonin djemtë – Naimi e Nasimi dhe pasi informohej nga arsimtarët që u jepnin mësim, në fund të orarit të punës më uzurponte duke më treguar kohën kur i vinte autobusi. Duhet thënë se Ismaili ishte rast i rrallë në aspektin se si një arsimtar i edukatës fizike të jetë i përkushtuar në ato përmasa ndaj çështjes kombëtare. Kisha dëgjuar si të tjerët se për orët që i mbante në terrenet sportive, i kishte detyruar nxënësit që të pajisen me trikot e njëjta me ato të moshatarëve të tyre në Shqipëri. Njëherë e ngacmova, e dinte edhe ai, në kuptimin më të mirë, prandaj ma ktheu me të njëjtën monedhë, po e parafrazoj:  Çdokush me armët që i ka në dispozicion përpiqet t’i arrijë synimet e veta. Edhe ti, po thonë, se për tema hartimi ua jep nxënësve vargjet e Naimit, Çajupit, Fishtës e Mjedës, po edhe të Kadaresë dhe Agollit… Për të njëjtën arsye, ndonëse më rrallë, vinte në Gjimnaz edhe Shkurte -Drita Kuqi, për të parë se motra (kujdestar klase i së cilës isha) si i kishte punët me mësime. Meqë notat i shihte në ditarin e punës, nuk kisha pse të zgjatem, prandaj i thosha se nuk kam asnjë vërejtje. Megjithatë, në cilësinë e shakasë i thosha se mos të pret që mund t’i afrohet  shumë, sepse ajo kishte qenë e para e të parëve në lëndën gjuhë e letërsi shqipe ( e pata katër vjet nxënëse nga orët e para e deri në mbrojtjen e temës së  diplomës). Prandaj, rrethanat nëpër të cilat kalonte Kosova gjatë atyre viteve nuk i kapërcenim pa ndonjë shkëmbim mendimesh, sikur edhe me shokët e përmendur më lart.

1.3 Dhjetëditëshi i dytë i marsit të ’79-s ka hyrë në radhën e episodeve të paharrueshme të jetës sime, sepse zhgënjimet e disa viteve u kapërcyen: Me Zenunin dhe 12 studentë të Fakultetit të Mjekësisë i kaluam në Shqipëri. Siç u tha më lart, ai epizod e ka një histori, prandaj do të shtjellohet aty ku e ka vendin. Ndërkaq, këtu e preka për të theksuar se asaj game tematike që e shkundnim me shokët iu shtua edhe një segment që e përbënte strumbullarin e bisedimeve tona gjatë e atyre tre muajve sa kishin mbetur deri në fund të vitit shkollor… Meqë studentët i kishin mbushur valixhet me literaturë profesionale, edhe ne nuk qëndruam duarkryq. Nëpër valixhet tona i palosëm nga 4-5 ekzemplarë, por më tepër se trefishin e tyre ua shpërndamë studentëve. Në mesin e atyre titujve po e përmend vetëm një – poemën Nënë Shqipëri, e cila sapo ishte botuar. E vogël si vëllim, i morëm nga dhjetë ekzemplarë…

1.4. Në fund të pranverës së atij viti, Radio-Kukësi e pat transmetuar në disa emisione punimin e botuar në të përjavshmen “Ylli”, ku pasqyrohej shfrytëzimi i paskrupull i pasurisë së Kosovës nga Serbia dhe Federata Jugosllave. Ndonëse i veshur me kominoshe të ekonomisë, punimi ishte krejtësisht i karakterit politik, prandaj përgjigjja nga Beogradi nuk mund të mungonte. Meqë ishte punë “gazetash”, “Nini” e mori flamurin; arma me emrin fakte i mungonte, prandaj e përdorte tjetrën, pseudofakte. Polemika pat vazhduar disa javë, rezymenë e së cilës e bëri rinia e Kosovës me parullën “Nini rrenë, Ylli s’rren”, e cila u këndua dhe u shkrua në çdo cep të Kosovës. Këtu dëshiroj të theksoj se përmes Radio-Kukësit, edhe rapsodi i papërsëritshëm, Dervish Shaqa, ishte vazhdimisht në Kosovë përmes zërit dhe sharkisë së tij. Këngët e tij ndikuan në ngritjen e vetëdijes kombëtare, sidomos te brezi i ri.

 Ajo veprimtari ishte preludi i pritjes që LNÇKVSHJ ia bëri monarkut, të cilën e kemi trajtuar më lart. Megjithatë, më duhet të shtoj se arrestimi i Hysen Gërvallës dhe arratisja e Jusufit, që rezultoi me klimën e re politike, e solli në Gjimnaz serbo-boshnjakun Cvijetin Mijatoviq, anëtar i Kryesisë së LKJ-së, i cili pikërisht në sallën e bibliotekës së Gjimnazit, mu aty ku po zinin ngadalë rrënjët e Komitetit të Vendit, udhëheqjes politike të Komunës ia dha instruksionet…

III

1. Përfundimi i “semestrit” gjysmën e parë të janarit e gëlltiste me të rëndomtat. Pas pushimit 20 ditësh edhe ditët e shkurtit e kishin hisen e vet, prandaj as biblioteka nuk gumëzhinte. Ndërkaq, në fillim të marsit, Dinë Ahmetaj më propozoi që nesër në mbrëmje të jem mysafir i tij në Gllogjan, duke shtuar se do të vijë edhe Ismaili. I premtova pa hezitim, ndonëse kureshtja m’u zgjua. Megjithatë, meqë ishim shokë, nuk m’u duk e arsyeshme t’ia bëja asnjë pyetje… Me terrin erdhi edhe Ismaili, u përshëndetëm ngrohtësisht, sepse ishte hera e parë që shiheshim gjatë atij dimri, të cilit i kishin mbetur edhe pak ditë. Megjithëse në emisionin qendror të lajmeve nuk dëgjuam diçka të re për gjendjen e monarkut, ne ua kushtuam një copë kohë përpëlitjeve të tij, duke i dëshiruar “shërim” sa më të shpejtë. Duhet thënë se bisedat për epilogun që pritej ishin shndërruar në temë të përditshme edhe për njerëzit e rëndomtë, prandaj nuk mungonin as edhe opinionet e ndryshme.

Duke u ngritur në këmbë, Ismaili tha se po u kthehemi gazetave dhe e nxori nga xhepi i palltos “Rilindjen” e nga mesi i faqeve të saj edhe tjetrën dhe ma zgjati. E lexova emrin e gazetës në faqen e parë: Bashkimi – Organ i Frontit të Kuq Popullor – dhe punimin „Letër e hapur satrapit J. B. Tito…“ Ai di të mendojë. Pranë meje qe afruar edhe Dina, nuk mund të them se nuk u befasuam. Duke e thyer heshtjen tonë, Ismaili na tha: Unë e kam lexuar, por tani nisjani cili të doni me zë e unë po dëgjoj. Kur e përfunduam, vazhdoi: Ma ka dhënë një shok për pak ditë; ju jeni të gjuhës e të letërsisë, prandaj ju takon ta thuani ndonjë fjalë. Meqë Dina priste prej meje, i thashë Ismailit: Fjala e fundit, nganjëherë, është më mbresëlënëse kur thuhet në fillim, prandaj i lumtë pena dhe vazhdova – i kthjelltë si loti për çdo kënd, i zjarrtë për secilin që fatin e atdheut e ka të përzier me gjakun që i qarkullon nëpër damarët e trupit. Siç mund të mendohet, nuk po citoj, por thelbin e atyre fjalëve, që i thashë atëherë, i shpreha me rreshtat e mësipërm. Natyrisht, Dina e dinte se e kishte radhën për të vazhduar, prandaj i tha ato që mendonte për cilësinë e porosinë që e kishte ky punim. Ajo natë m’i përkujtoi disa të tjera të viteve kur isha nxënës i Gjimnazit të Pejës dhe në Carrabreg e lexuam për herë të parë Lahutën e Malësisë, të cilën Zenunit ia kishte dhënë një shok i klasës së tij.

Për ta thyer heshtjen, u thashë se dy dajallarët e mi gjatë këtyre ditëve  të pushimit na përsëritën disa herë se Gjermanisë iu ka shtua kasaveti për Jugosllavinë, sepse i pari i saj i ka ditët e numëruara. Pra, na “këshillonin” që ta kemi parasysh gjendjen. Tisin e hollë të kësaj shakaje Ismaili e bëri të vetin, duke u dhënë të drejtë axhëve të Zenunit, por duke lënë të nënkuptohej se nuk ishte krejtësisht e tillë… E mbështolli sërish “Bashkimin” me “Rilindjen” dhe më tha natën e mirë. Dina e përcolli vetëm përtej dyerve të oborrit të shtëpisë, të cilat nuk ishin larg njëra-tjetrës. Të nesërmen, rrugës për në stacionin e autobusit, Dina më thotë se ajo gazetë me artikullin që e lexuam, bashkë dhe me titujt e tjerë që i pamë, natës së mbrëmshme i dha një kuptim të veçantë. Ia pranova, duke shtuar se mbetet për t’u parë.

Tani dua të kthehem me disa rreshta pak prapa: Jusufi atdhetar nuk ishte rastësi, babai i tij Bardhosh Dina ishte pinjoll i familjes Gërvalla nga Duboviku. Ai ishte njëri nga atdhetarët që luftoi me pushkë në dorë kundër pushtuesit serb, pa u gjunjëzuar asnjëherë. Për veprimtarinë e tij nuk kam pse të zgjatem as edhe me një rresht të vetëm, sepse atë e ka trajtuar shoku i studimeve e më vonë edhe bashkëveprimtar i Jusufit – Kadri Rexha në veprën me titull “Fati i Luleve” e me nëntitull Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla, Shkup,1993.

Ndërkaq ishte rastësi që Xhemail Dina – babai i Ismailit – ishte nip i familjes Gërvalla, sepse ka mundur të jetë edhe i ndonjë familjeje tjetër. Po, pavarësisht se cilin e kishte më të afërt nga gjaku, ai dajë e përtej daje e kishte prindin e Jusufit për ato që u cekën më lart. Prandaj, marrëdhëniet e bijve të tyre nuk ishin të rastit. Ndërkaq, pas vendosjes së Naim Haradinajt në Gjermani, afërsia familjare mori përmasa të karakterit kombëtar. Ai e takonte shpesh Jusufin, sepse, përveç të tjerave, kishte çka të mësonte nga ai veprimtar i veçantë.

Më vonë, familja Gërvalla lidh miqësi të dyfishtë me familjen Mustafaj, gjithashtu nga Gllogjani: E para e marton një vajzë në të dytën e përtëritja anasjelltas. Dihet botërisht se dhëndër i kujt ishte Bardhosh Gërvalla… Siç thekson Nimon Mustafaj, i cili në strukturën tonë organizative ishte hallkë e Ismailit, në të dhënat që m’i ka dërguar se në adresë të asaj miqësie kur shkonte në Prishtinë e takonte edhe Jusufin dhe bisedonte me të për çështjen kombëtare. Po, ndonjëherë takoheshin edhe në Dubovik dhe në Gllogjan. Se një takim që u mbajt në kullën e Mustafajve ishte i organizuar dëshmojnë emrat e pjesëmarrësve: Jusuf Gërvalla, Hafiz Idriz Dermaku, nga Vitia, po që punonte në vakëfin e Gjakovës; ndërkaq nga vendësit: Nimon e Islam Mustafaj, babai i Nazmi Selmanajt – Muhamet Alia dhe Ismail Haradinaj. Kahet e bisedës së zhvilluar gjatë asaj nate të vonë, për gjendjen e vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë e vise ia jepnin mysafirët, të cilët njëkohësisht edhe respektoheshin sipas traditës. Por as vendësit nuk ishin vetëm dëgjues… Përveç të tjerave, të mësipërmet përbëjnë themelin e të mëtejshmeve.

Siç dihet, Jusufi në dhjetorin e ’79-s qe “rehatuar” në Gjermani. Me punimin “Njeriu ka një të metë…”, botuar në “Bashkimi”, ia bëri me dije rinisë në Kosovë dhe jo vetëm asaj se s’e kishte ndërmend të ndalej… Ndër të parët ishte Ismaili ai që i tha “mos të qofsha falë”. Pra, i premtoi gatishmërinë për t’ju bashkuar. E njoftonte me një letër, që ia dërgoi përmes bashkëvendësit Nazmi Selmanaj, i cili për disa ditë shkonte në Gjermani. Ndërkaq, i sapocekuri, pas një kohe qe kthyer në Kosovë dhe Ismailit ia përcjell udhëzimet që ia kishte dërguar Jusufi.M egjithatë, duhet shtuar se drugëza midis të arratisurit dhe Ismailit ishte Naimi.

Ismaili energjik e kishte ndarë mendjen… U takuam në hollin e Gjimnazit: Pas përshëndetjes, i thashë se isha duke dalë. Erdha edhe për Nasimin, por po e lë për një ditë tjetër. A ke kohë për të pirë nga një kafe – ishte pija e tij më e parapëlqyshme. Kur ramë në qendër të qytezës, pyetja tjetër: A shkojmë në Pushimoren e Fëmijëve, një rrugë e dy punë, pra edhe po shëtisim. I thashë duke qeshur, sot të gjitha po t’i pranoj.  U nisëm, ishte fillimi i pranverës. Pyetjet e njëpasnjëshme dhe mimika e tij, më dhanë të kuptoj se diçka e re do të dalë. Parashikimi i saktë: pasi kamerieri i solli kafetë ia filloi: Për çështjen kombëtare kemi biseduar gjerë e gjatë, pa e lënë të qetë as Demaçin atje ku po e vuan burgun. Me emblemën e atdhetarizmit të atyre dy dekadave Isamili, siç thotë populli, doli për fushë dhe vazhdoi rreth punës sime në Gjimnaz, me ç’rast u përpoqa ta ndërpres, por nuk u ndal duke thënë se nuk po të thuri kurrfarë lavdie, sepse, para së gjithash, ne jemi shokë, por ato duhet të shkojnë më tej nga fjalët në vepra. Sipas kandarit tim, besimin e ndërsjellë e kemi në shkallën e duhur, prandaj po të tregoj se jam pjesë e Lëvizjes Ilegale. E ndezi cigaren dhe, ndonëse e dinte se nuk e përdorja, kërkoj që t’i bëja shoqëri. Pas heshtjes së shkurtër, më tha: A po na bashkohesh? E kuptoja se gjesti kishte edhe domethënie simbolike, prandaj i thashë se propozimin po e marr me vete, përgjigjen nuk do ta vonoj. U pajtua, duke theksuar se as që e kam pritur se do ta marr me vete… Në qendër u përshëndetëm dhe u nis me autobus për në Gllogjan…

1.3. Pyetjet që ia shtroja vetes po i kapërcej, por, pas asaj morie përsiatjesh, vendosa që të bëhem pjesë e Lëvizjes Ilegale. Ismaili erdhi në ditën e caktuar duke shprehur, përveç të tjerave, edhe përpikërinë që ia pata vërejtur në ato vitet e “Dritës” së Gramaçelit. Më gjeti në bibliotekë duke i shfletuar disa shënime që m’i pat dhënë dialektologu i shquar Jorgji Gjinari në Tiranë për të folmen e Pogradecit, pikërisht para një viti, meqë për temë magjistrature e pata zgjedh temën “Gjuha dhe stili i poetit të liqenit “, siç e kanë quajtur studiuesit Lasgushin. Pasi i pimë kafetë, meqë asnjëherë nuk e lëshoja pa e nderuar, më propozoi që të dalim në natyrë. E shihja se e priste përgjigjen, prandaj sapo u nisëm rrugës sipër Gjimnazit, njëra anë e së cilës si gjithmonë fushë e tjetra me kodra të mbuluara me drunj gështenje, i thashë: Jam përcaktuar që të punojmë bashkë. Atë që ia shprehte pamja e fytyrës e tha edhe me fjalë: Nga sa të kam njohur, e kam pritur këtë përgjigje. Shihej se u çlirua nga ankthi i deriatëhershëm se ç’përgjigje do të merrte. Duke ecur në heshtje, e pashë se e mundonte edhe diçka tjetër. E theu heshtjen me vargun e famshëm të këngës popullore “Shtatë shaljanët” nuk po e lamë sodën për nesër, dhe vazhdoi. Me përgjigjen që ma dhe, ua hape rrugën hapave të tjerë, prandaj po të njoftoj për detyrën që e kam pranuar dhe që duhet ta kryejmë tani së bashku. Jam i porositur që ta formoj Komitetin e Vendit prej pesë anëtarësh, dy prej të cilëve do të jenë hoxhallarë.  Nga frika se mund të pajtohesha e tha menjëherë atë që e kishte vendosur. Propozimin e kam kundërshtuar. Ia miratova pa asnjë hezitim duke shtuar se ata, që nuk po e di se kush janë, mund të jenë atdhetarë, por për rrugën për të cilën tash po flasim e do të punojmë nuk mund të kontribuojnë në përmasat dhe cilësinë që kërkonte Lëvizja Ilegale në ato momente. Pasi e ndezi cigaren tjetër, më tha se as Dina nuk kishte pranuar që të jetë pjesë e asaj shkalle të hierarkisë duke shfrytëzuar rastin për të më njoftuar se edhe ai ishte anëtar i Lëvizjes. Me një tis shakaje, ia ktheva përgjigjen me të njëjtën monedhë – edhe unë e kam pritur. Mimika e tij tregonte se dëshpërimi që i kishte shkaktuar propozimi që s’e kishte pranuar ishte i përmasave shqetësuese, prandaj pas një heshtjeje përmes pyetjes se çka mund të bëja për tre personat që na duhen, dëshmonte se çka bluante me mend gjatë atyre 4 – 5 minutave. Megjithëse pyetja ishte e papritur, për përgjigjen nuk kisha alternativë. Prandaj, vendosa për të lënë anash zhargonin – po mendoj. Ia dhashë të ilustruar Lahutën e Malësisë (e dija se e kishte lexuar), prandaj edhe për ta qetësuar, i thashë: Oso Kuka ia kërkoi Avdi Pashës dyzet djem për të dalë në Vraninë. E kuptoi se ç’përgjigje i dhashë, prandaj ma ktheu, njëherë për tre e për të tjerë më vonë. Shihej në fytyrë se ankthi që e kishte brejtur disa ditë u shkri si bryma para diellit. Mos është shumë një muaj sepse do t’ia jap secilit nga dhjetë ditë për të menduar? Nuk është shumë, por nëse e realizon më përpara, aq më mirë. E shoqërova në autobus deri në Carrabreg.

Katër maji (1980 – shb), ndonëse i pritur, nuk mund të mos e krijonte atmosferën e re: dikush gaz e dikush vaj. Deri sa t’parët përpiqeshin të aktronin duke shprehur për monarkun dhembje burrërore, të dytët synonin që të mos koriten, ndonëse ndokush nuk ia arriti., qëndronin edhe ata. Duke u gërshetuar retë e bardha me të zezat u krijua “atmosfera” që e kërkonte ato ditë gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”.

Në krye të javës, në një mbledhje të Këshillit të arsimtarëve drejtori na njoftoi se në ndërtesën e Kuvendit të Komunës është caktuar një dhomë, në të cilën qytetarët mund të shkojnë për t’i shprehur në librin e zisë ato që i kishin përjetuar gjatë atyre ditëve. I bindur se asaj fletoreje dikush një ditë do t’ia lëshojë sytë, vendosa të shkoj. I propozova Avdullahut që të më shoqërojë, ndërkaq Jasharin nuk e trazova fare, sepse isha i sigurt se nuk do të pranojë. I shkrova ato dy fjali që i kisha tjerrë nëpër mend: Për veprat që i ke lënë, nuk do të harrojmë kurrë. E ai që e kisha pas vetes e shpenzoi vetëm një fjalë: I paharrueshëm. Duke u kthyer në Gjimnaz i thashë: Edhe sot u tregove matematikan…

Pak ditë para se të përfundonte viti shkollor, drejtori, në mbledhjen e radhës, na tregoi datën kur do të shkojmë në Beograd për t’i bërë nderimet e veçanta monarkut. Avdullahun e shpëtoi provimi në fakultet, po me Jasharin më zuri taksirati. Megjithëse nuk kisha kurrfarë shpresash se mund ta bindi, nuk mund të mos ia shtroja problemin. Dilemës “jo sot po nesër” i dhashë fund: kur zbritem në qendër i propozova që të ngjitem sipër Gjimnazit për të marrë pak ajër të pastër… Mbase i shkoi mendja se për çka e ndala, më tha fol se po të dëgjoj. Besoj – i thashë – se edhe ti e di se rasti na ka vënë para një sprove të cilës duhet t’i përgjigjemi, duke pasur parasysh rrugën që sapo e kishim filluar. Nga ky aspekt rezultonte pyetja se a duhet, e nëse duhet a mund ta kapërcejmë vetveten? Meqë as vetë nuk jam përcaktuar përfundimisht, vazhdova, po propozoj që vargun e këngës së njohur popullore “Shtatë shaljanët- “ Kurrë s’e lam sodën për nesër” ta kthejmë në të kundërtën: Pra, për nesër po e nëse na duhet ia shtojmë edhe të pasnesërmen. Meqë u pajtua, në qendër të qytezës u përshëndetëm… Në bibliotekë më tha se e kam edhe një ditë në dispozicion. Ia përkujtova se do t’i shkëmbejmë mendimet e pastaj do të vendosim. Meqë vërejta se nuk do të pajtohej, vendosa t’ia propozoj edhe një alternativë.

E dinim se në mbrëmje do të vendoseshim në një hotel e të nesërmen do ta kryenim “haxhillëkun”. Të nesërmen e dytë në shëtitoren tonë e mora përgjigjen, qysh e theksova pak më lart: – Nuk po mund ta kapërcej vetveten, më vjen keq, por kjo çështje është e mbyllur. Po të shoh që je shqetësuar – i thashë – por a po më dëgjon pak? Po, por… e ndërpreva. Meqë, përveç itinerarit, e dinim edhe orarin se kur do të rreshtoheshim aty ku do ta kryenim “haxhillëkun”. Ne do të largohemi nga hoteli kur as nuk mund të na kërkonin, as të na prisnin. Për pyetjet që mund të na bëheshin se ku humbët, përgjigjen do t’ua japim kur do ta përgatitim. U befasua me të papriturën. Më në fund, më pyeti: – e bën ti këtë?! – e kam vendosur, erdhe apo nuk erdhe. Atëherë, më tha – jemi bashkë. Por, nuk na duel ashtu qysh e menduam. Kur iu afruam Beogradit, shoferët, të cilët nuk ishin fillestarë në atë mision, e kishin njoftuar udhëheqjen e “ekskursionit” se edhe me shpejtësi normale i gjejmë të hapura “portat e Çabesë”. Atëherë, njëri nga udhëheqësit na njoftoi për të më sipërmet se të nesërmen e kishim të lirë. U pajtuan të gjithë, por jo me ngritje të dorës. Veten nuk e shihja, po Jashari, ata që e kanë njohur e dinë, ishte pak zeshkan, e në ato çaste u nxi si katran. Ma luante kokën e më shikonte nën vetulla. I fërkonte mustakët sikur i kishin faj… Në Deçan u përshëndetëm. E shkuar dhe e harruar, i thashë, si një ëndërr e keqe. Do t’i kthehemi punës aty ku e kemi lënë…

1.4. Jo vetëm për të mësipërmet, u përcaktova që në radhë të parë t’ia hapi “letrat” Avdullahut. Këtu më duhet të theksoj se Nezirin e lashë anash për arsye familjare. Babai i kishte vdekur para se ta njihja, por as vëlla nuk kishte, prandaj ishte krejtësisht absurde që t’i kërkoja për t’i hyrë asaj rruge. Ndërkaq, Avdullahu, përveçse me prindër, ishte i pesti vëlla – dy para e dy pas vetes. Pasi u nisëm rrugës sipër Gjimnazit i thashë se për çështjen kombëtare kemi biseduar në ato përmasa sa mund të thuhet se e kemi tjerrë e çtjerrë, por sot do t’i qasemi nga një kënd tjetër. Po të dëgjoj, ti më thua se je i matematikës në kuptimin që i bie shkurt e ty letërsia ta ka kodifikuar të drejtën për t’i rënë rrotull e pas bregut. E kuptova se e kaploi kureshtja që të dijë sa më shpejt se për çka ishte fjala, duke shtuar se ndonjëherë ma ke thënë se edhe gramatika i afrohet matematikës, pra, më propozonte që t’i bie sa më shkurt. Prandaj, ia ktheva – kësaj radhe do të përpiqem për të qenë matematikan dhe vazhdova, u ka ardhur radha “investimeve” pa të cilat, siç e kemi thënë shpesh, nuk do të ishim këtu ku jemi, prandaj as që mund të shkojmë më tej. Po të njoftoj se Lëvizja është duke u riorganizuar, sepse aktiviteti në vjeshtën e vitit të kaluar i kushtoi dhe nuk mund të mos i kushtonte sikur edhe pararendëseve të saj. Më është shprehur besimi, prandaj edhe propozimi që të jem pjesë e saj. E mendova me vetveten dhe vendosa para pak javësh. Po të them paraprakisht dhe mos e lexo si nxitje se nëse më bashkohesh, aty ku jam unë je edhe ti. E mbylla me të mësipërmet për Nezirin dhe me konstatimin e mbështjell me tisin e shakasë se kësaj radhe isha konciz. Pas heshtjes, pasi ma pranoi koncizitetin, vazhdoi: Që ta “bluaj në dorë” nuk e pret as ti, pasi ta cokati gurin e mullirit, shpresoj se çfarë drithi solle do ta marrësh edhe miellin. E kuptova se ç’përgjigje më dha, prandaj s’më mbeti tjetër veç se ta ngacmoj. Merru me teorinë e Pitagores e lëri rrotullat, siç quhen në studimet mbi letërsinë popullore, përndryshe po të ngujoj në labirintet e panteizmit naimian e prej andej të dërgoj te “Lugati” i Fishtës. Vazhdo, më tha duke qeshur, tjetër herë, se nuk më pret autobusi, ia dhashë dorën…

Edhe Jasharin si i “një mijë pa shtëpi” e pata shtënë në thumb, prandaj përpiqesha ta sajoj rastin. E mbylla derën e bibliotekës, se e dija që e kishte orën e fundit e ai doli në holl nga salla e arsimtarëve. Në qendër i thashë a shkojmë për gështenja? T’u ka ba lomsh kalendari, ma ktheu – jemi në gjysmën e majit e ato piqen në tetor; por nuk ke faj, se “mërzia”… Ta shijojmë aromën e gjetheve të tyre, i thashë. U nisëm rrugës sipër gjimnazit e ai vazhdoi me “zinë” që zyrtarisht kishte përfunduar para një jave,  por disa si duket do të mbanin zi me muaj. Meqë më çoi vetë aty ku doja, ia thashë me pikë e me presë ato që para pak ditësh ia pata thënë Avdullahut, prandaj nuk po i përsëris. Pasi e kreva, më vështroi pak përtej të zakonshmes duke e shoqëruar me një heshtje të shkurtër. Dukej se përpiqej për t’i gjetur fjalët e përshtatshme për ta thënë atë që mendonte. Më dukej që u befasua nga ato që i dëgjoi. Buzëqeshjen e Monalizës e interpretoi me shprehjen që populli ynë ua la brezave të njëpasnjëshëm: “As po, as jo nuk është për burrë”, prandaj ia gjejmë shtegun për të biseduar për këto që m’i the. Në qendër të qytezës së Deçanit u përshëndetëm duke e shikuar njëri – tjetrin në sy pak më ndryshe se deri atëherë.

Një nga ata që mund të mbështetesha pa hezitim ishte edhe Shkurte – Drita Kuqi, të cilën, siç e kam theksuar më lart, e pata nxënëse katër vjet. Gjatë asaj kohe, formimi i saj kombëtar shënoi ngritje të vazhdueshme, të cilën e kaliti edhe nëpër vitet e studimeve. Prandaj, meqë për nxënësit e vitit të katërt ishin ditët e fundit, shpresoja se do të vinte për të parë që të shohë se me çfarë suksesi po ia kryente motra shkollën e mesme. Nuk pata shpresuar kot… Me të arriturat e motrës nuk kishte si të mos jetë e kënaqur. Më tregoi se do të shkonte në Junik për t’i vizituar prindërit. Me pyetjen se si po i kalonin ato ditë në Prishtinë, bashkë me përgjigjen përgjithësuese, arritëm në qendër. Meqë e kisha vendosur, e bëra me dije se një çështje do të doja ta bisedoj kur të ketë kohë e mundësi. Nga kureshtja, sigurisht, për të mos e lënë për “nesër”, duke e shikuar orën më tha deri në këtë orë mund të bisedojmë se atëherë e kam autobusin.  I thashë sa për fillim kjo kohë mjafton dhe u nisëm rrugës sipër Gjimnazit, se s’kishim tjetër më të përshtatshme. Ia thashë ato që ua kisha thënë Avdullahut dhe Jasharit, duke përfunduar me pyetjen se pres edhe përgjigjen. Së pari, më tha, po ju premtoj se do të mendoj dhe gjatë kësaj jave do të kthehem sërish në Junik dhe do të takohemi në Gjimnaz…

Gjatë atyre ditëve dy “gjimnazistët” më njoftuan se ç’kishin vendosur; ndërkaq edhe Drita e mbajti fjalën sa i përket kohës. Përgjigjja e saj ishte: Jam e gatshme t’i bashkohem Lëvizjes… E enjtja, në Deçan është ditë tregu. Atë ditë, duke u kthyer në shtëpi, e takova njërin nga nipat (djalë halle). Pas përshëndetjes së zakonshme, dhe tri katër fjalëve të tjera, e porosita që të shkojë deri të Ismaili dhe t’i thotë që të vijë në gjimnaz për t’i marrë librat për djemtë. Ismaili e kishte kuptuar se për ç’libra ishte fjala dhe veç kur e pashë kur hyri në bibliotekë. Duke ua dhënë dy nxënësve veprat që i kërkonin për t’i lexuar gjatë verës, ndërhyri: Zgjidhmi edhe mua tri, dhe nga xhepi e nxori një qese të bardhë najloni. Dolëm në shëtitoren tonë. Po e shoh se e ke kuptuar se për çka të kam thirrur, prandaj po të njoftoj se treshja ka vendosur që të na bashkohet. Më pyeti menjëherë se a mund të bisedojmë për hapin tjetër? Pikërisht për këtë kam kërkuar që të takohemi, duke shtuar për t’i pasur parasysh të gjitha rrethanat. Po të dëgjoj, më tha: Po filloj me një nga ato të fushës sime, respektivisht me përkufizimin e një studiuesi francez, i cili e ka trajtuar teorikisht, klasicizmin si shkollë letrare në letërsinë franceze. Më ndërpreu, biri shkurt sa të mundesh. E qetësova duke vazhduar: njësinë e kohës, të vendit dhe të veprimit. Tani po u kthehem konkretisht, por më ndërpreu me propozimin që ta pinim nga një kafe në pushimore. E zgjodhëm një nga tavolinat në tarracën e kafenesë, që na përgjigjej për t’i biseduar çështjet tona.

Së pari, vazhdova, më duhet një javë për t’i lajmëruar, prandaj duhet ta caktojmë datën në të cilën do të formohet Komiteti. Heshtjen e theu Ismaili me pyetjen se a na përgjigjet 28 qershori? Iu përgjigja se, si duket, as kemi tjetër më të përshtatshme. Të parën e kryem, e kishte për njësinë e kohës, cila ishte e dyta? E vendit, ia ktheva, dhe për këtë e kam një propozim: Mbledhja e fundit e këshillit të arsimtarëve do të mbahet para datës së sapocaktuar, kështu që Gjimnazit, përveç administratës dhe personelit mirëmbajtës, të tjerët i thonë lamtumirë deri në gusht, prandaj treshen do ta njohë në bibliotekë. Përveç të tjerave, synoja ta sajoj edhe një befasi të dyfishtë se kur t’i takoja, përveçse me Ismailin, do të njiheshin edhe mes veti. E harxhoi një cigare duke menduar dhe pas asaj heshtjeje më tha se materialin që duhet ta përpunojmë nuk mund ta marr me vete. E çlirova nga ai ankth – Komitetit “gurthemelin” po ia vëmë në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri “ të Deçanit e “inaugurimin” në shtëpinë e Ismail Haradinajt në Gllogjan. I ngazëllyer nga kjo, i porositi dy kafe dhe ma zgjati cigaren. Ma dha mundësinë për ta ngacmuar me një tis humori: Deri kur kështu – ti porosit e unë paguaj? Ma ktheu flakë për flakë e biletat mua kush po m’i paguan… Ramë në rrafsh duke vendosur që më 28 qershor në orën e caktuar ta pres në Carrabreg, meqë edhe aty ndalej autobusi. E lajmërova treshen për datën dhe kohën se kur do ta prisja secilin në qendër të Deçanit. Pasi e lashë Ismailin në bibliotekë, u ktheva ta marr Avdullahun. Akti i parë i befasisë – aty ishin takuar disa herë, ndërkaq i dyti, kur hyra me Jasharin, edhe më sublim, as po provoj t’i përshkruaj reflekset e tyre emocionale. E i treti, kur hyra me Dritën në bibliotekë ishte gjithashtu i veçantë. Pasi “erdhëm në veti” nga të papriturat, Ismaili propozoi që ta përfundojmë “rinjohjen”, meqë ai do të kthehej në Gllogjan me autobus. Dolëm të gjithë bashkë, po, pa arritur në qendër u bëmë “pikë e pesë”: Ismaili në drejtimin e vet e Avdullahu shkoi për ta marrë automobilin që ia kishte dhënë Shaban Osmanaj – arsimtar i biologjisë me të cilin punonim në Gjimnaz. Pasi ne të katërtit u bashkuam në makinën që solli Avdullahu, u nisëm.

Pavarësisht se para dy orëve kishim ndenjur bashkë, Ismaili na priti sipas traditës sonë, në radhë të parë për arsye se treshja shkelte për herë të parë në truallin e tij. Pas aktit të mikpritjes, Ismalji i tha të shoqes sillma atë strajcë me molla. Pasi e shoqja e solli strajcën, Ismaili nga strajca i nxori – Programin dhe Statutin. Pastaj, natyrisht, fjala i takonte Ismailit, i cili edhe një herë i përgëzoi për vendimin që e kishte marrë secili, duke theksuar se sot ne po e formojmë Komitetin e Vendit, instancë kjo nga më të rëndësishmet në strukturën organizative të Lëvizjes. Përfundoi duke theksuar se nuk kam pse të zgjatem për këto që sapo i lexuam. Ndërkaq, për të mos u zgjatur as unë këtu, po theksoj se ndër çështjet që i trajtuam bashkërisht ishte organizimi i bashkëmendimtarëve të tjerë, sipas sistemit të tresheve, qysh theksohej në njërën nga pikat e Statutit. Duke qenë të gjithë mësimdhënës, nuk mund ta kapërcenim as segmentin tjetër – ngritjen e vetëdijes kombëtare të nxënësve dhe jo vetëm të atyre. E përfunduam konstituimin, pra edhe mbledhjen e Komitetit pa kurrfarë buje duke u pagëzuar me emrat e rinj (pseudonimet), qysh na i qiti shorti: Ismail Haradinaj – Ora, Hasan Ukëhaxhaj – Drini, Avdullah Hasanmetaj – Shpati, Jashar Salihu – Shigjeta, dhe Shkurte Drita Kuçi – Guri… U përshëndetëm me Ismailin në oborr, na i çeli dyert dhe Avdullahu qysh na kishte bashkuar na shpërndau…

(VIJON)

© Pashtriku.org

————————————–

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (7) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura