Fier, 20. 07. 2013 – Problematika e arsimit shqiptar është kaq e rëndë dhe shqetësuese sa duhet konceptuar seriozisht një strategji konkrete për një ndryshim progresiv shumëshkallësh. Subjekti i këtij shkrimi nuk është shterues, por hullia e një diskutimi serioz. Kudo në botën e qytetëruar arsimimi i shtetasve është një detyrim i përhershëm, i cili duhet vlerësuar si një promotor që nxit midis njerëzve e popujve mirëkuptimin, tolerancën, respektin dhe miqësinë, duke ndihmuar në krijimin e kulturës universale e të drejtave të njeriut. Pavarësisht faktit të pranuar që përmblidhet lehtë me termin “zhvillim”, duhet pranuar edhe fakti se po t’i bëjmë një analizë më të thelluar këtij procesi, krahas anëve pozitive ekzistojnë ende edhe anët negative që vijnë si pasojë e mosfunksionimit të mirë të sistemeve politiko-administrative dhe të një sëre hallkash të tjera që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punës arsimore në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.
Si rrjedhojë e kësaj, llogaritet sot se rreth një miliard njerëz nëpër botë hynë në shekullin XXI të paaftë për të lexuar qoftë edhe një libër, apo edhe më keq akoma, të mos dinë të shkruajnë të paktën qoftë edhe vetëm emrin e tyre. Sipas të dhënave nga burime të ndryshme, shifra flet këtu për 1/6-ën e popullatës botërore, dhe kjo shifër fatkeqësisht edhe sot pas 13 vitesh, vazhdon ende të rritet.
Në vendin tonë, sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, pas Censusit 2011, rezultoi se niveli i analfabetizmit për popullsinë 10 vjeç e lart është 2,8%. Kjo shifër nuk është as krejt alarmante, por as për t’u anashkaluar. Në vitet e tranzicionit varfëria ka nxjerrë në rrugë shumë fëmijë. Shumë të tjerë jetojnë në emigracion me familjet e tyre të pakonsoliduara me vendin e tyre të punës e si rrjedhojë nuk janë të lidhur me shkollën e rajonit përkatës. Shto këtu dhe shumë fëmijë të tjerë të moshës shkollore, të cilët duhet të mbyllen brenda mureve në zonat veriore të vendit, për shkak të gjakmarrjes dhe shteti deri sot është treguar i pafuqishëm për t’u ardhur në ndihmë. Duke i llogaritur të gjitha këto, llogaris se shifra e shkallës së analfabetizmit tek ne është akoma më e lartë dhe rrezikon të shënojë tregues në ngritje akoma në të ardhmen. Për të luftuar, të paktën analfabetizmin, në të ardhmen politikat arsimore duhet të jenë shumë të qarta dhe potencialisht të realizueshme, pavarësisht çmimit në financë. Vetë përqendrimi i fokusuar i vëmendjes së personave, apo institucioneve përgjigjëse për zhvillimin dhe zbatimin e politikave arsimore për zhvillimin e arsimit, në një kahje tjetër që konsiston me çështje imediate të lidhura me ekonominë, ka ndikuar deri tani si një faktor frenetik dhe degradues në mbarëvajtjen e zhvillimit të arsimit. Nga ky fenomen nuk ka shpëtuar as vendi ynë, si një vend me një demokraci të brishtë, me institucione shpesh më shumë se duhet të politizuara dhe të pafuqishme për të qenë produktive në punën e tyre.
Përgjithësisht në politikat e arsimit të deritanishëm shqiptar, për fat të keq, mungon thellimi në analiza gjithëpërfshirëse dhe të sofistikuara për gjendjen e sistemit të arsimit shqiptar në të gjitha nivelet. Do të shtoja këtu, se prioriteti më i madh në të ardhmen duhet të përqendrohet tek arsimi bazik që ka të bëjë me formimin parauniversitar të nxënësve, me dijet bazë për botën ku jetojmë dhe për jetën. Për shkak të mungesës së mendimit kritik, (për shkaqe që kanë të bëjnë me ashpërsinë e politikave konfliktuale që mund të krijohen në një rast të tillë midis institucioneve dhe individëve), paraqitja reale e gjendjes mund të konsiderohet gjithmonë e njëanshme, pra publiku është informuar dhe ka pranuar gjithnjë atë që është propaganduar nga institucionet.
Mungesa e një mediumi të tillë gjithëpërfshirës ka bërë që të gjitha ndryshimet e deritashme të jenë produkt i një analize të njëanshme, ku nuk është dëgjuar pala e interesuar për arsimimin, por gjithmonë pala e interesuar për arsimdhënien (institucioni). Përfshirja në një debat midis palëve, mbi kahjen e interesave dhe të zhvillimeve përkatëse, mendojmë se do të ishte një faktor me rol pozitiv në zhvillimet e mëvonshme. Sidoqoftë ngelet për t’u diskutuar në vazhdim si prioritet i mundshëm që forcon marrëdhëniet ndërmjet institucioneve arsimore dhe komunitetit.
Kur flasim për zhvillimin e burimeve njerëzore, duhet të nënkuptojmë rritjen dhe shtimin në maksimumin e mundshëm të përparimit të orientuar për përmirësimin e mënyrës së të menduarit të individit shqiptar dhe përmirësimin e statusit të tij të jetesës në një shoqëri evropiane të përgjegjshme. Ky konceptim madhor i qytetarisë, në radhë të parë duhet të kalojë nëpër dyert e institucioneve të arsimit dhe prej andej të edukohet tek brezi i ri. Sepse një arsim i suksesshëm është komponenti bazë për gjetjen e mundësive më të mira për rritjen dhe stabilitetin ekonomik, dhe po aq duhet vlerësuar si një aksesor strategjik për zhvillim dhe rritje të qëndrueshme e të gjithë kapitalit njerëzor.
Vetë ekonomistë të shquar, si Adam Smith, Helvecius, Robert Oven, Fillip Kums e të tjerë, duke u nisur nga përvoja e tyre e suksesshme, janë shprehur për impaktin e pazëvendësueshëm që ka arsimi në zhvillimin e ekonomisë. Mendime të tilla largpamëse janë pranuar dhe mbështetur nga politikanët e vendeve më të suksesshme të globit dhe kanë rezultuar të vërteta në shekullin ku jetojmë. Përvoja të suksesshme të zhvillimeve ekonomike mbi bazat e arsimit cilësor gjatë shekullit XX dhe këtij fillimshekulli të ri kemi në Finlandë, Irlandë, Qipro, Tajvan, në Korenë e Jugut, në Japoni, madje së fundi edhe në Indi. Duke iu referuar burimeve të përditësuara të informacionit, vetë Komisionerja e BE-së për arsimin, Androulla Vassiliou është shprehur se “progresi në rritjen e targeteve tona të arsimit është një mesazh pozitiv në kohën e pasigurive ekonomike.”
Pra, ndonëse vendi ynë është relativisht i varfër dhe i pazhvilluar, krahasuar me vendet e përmendura më sipër, duhet të inkurajohet të investojë akoma më shumë nga buxheti në të ardhmen që arsimi shqiptar të jetë e ardhmja e suksesshme për zhvillimin e Shqipërisë dhe Shqipëria të mos figurojë më në statistikat e vendeve të varfra, të pazhvilluara dhe pa stabilitet social-politik. Shikuar nga ky aspekt, investimi në arsim është pjesë e një politike të përgjithshme për zhvillimin e vendit dhe kërkon një investim strategjik specifik dhe afatgjatë.
Gabimet strategjike në politikat arsimore janë probleme madhore. Si të tilla ato shoqërohen pashmangshmërisht me pasoja negative (madje të përshpejtuara), të cilat, më së pari, janë të dallueshme në tregun e punës, ku shpërpjestohet në mënyrë të rrezikshme balancimi i ekuilibrit ndërmjet ofertës dhe kërkesave për punësim në profesione të ndryshme. Vendet e mundshme për punësim ndërkohë janë shumë të limituara, aq më tepër tani që po përjetojmë përherë e më shumë një periudhë të tkurrjes së përgjithshme të ekonomisë globale. Ky fenomen sjell probleme të mprehta sociale dhe shoqërohet më pas me fenomene të tjera korruptive, si dhe me ngecjen e përgjithshme të zhvillimit të ekonomisë.
Në tetë vitet e qeverisjes së djathtë në Shqipëri, politika e djathtë qeverisëse në pushtet e ka parë arsimin si një mënyrë të mundshme biznesi, duke mos vënë kritere për licensimin e shkollave private të ciklit parauniversitar dhe për universitetet e shumtë që pasuan menjëherë pas shtatorit të vitit 2005 në të gjithë vendin. Dhe më keq akoma kur aktiviteti i tyre ka kaluar pa u vëzhguar gjatë procesit të organizim-funksionimit, duke u kthyer në oaze përrallore për abuzues të ndryshëm, të cilët diplomën e shohin vetëm si një dokument të rëndësishëm me anën e të cilit, ca me para e ca me miq, mund të sigurojnë një vend të rehatshëm pune duke eklipsuar kështu ata që kanë studiuar me vite të tëra dhe janë profesionistë. Shumë nga të diplomuarit sipas kësaj metode sot gëzojnë privilegje të pamerituara në institucionet e shtetit shqiptar, ndërkohë që qindra të diplomuar në mënyrë të rregullt vuajnë nga papunësia dhe indiferenca e shtetit. Institucionet arsimore nuk duhen parë si vende të përfitimeve imediate.
Vlera e arsimit shfaqet ngadalë, por është vlerë që zgjat dhe bën ndryshime të mëdha në jetën e individit dhe të mbarë vendit. Nëpër institucionet arsimore kalon dhe farkëtohet i gjithë kapitali social i vendit, ndaj këto institucione duhet të jenë gjithnjë të shëndetshme për të qenë në fiçencën e duhur. Për të arritur një gjë të tillë, duhet të krijohen standarde të reja në sektorin e burimeve njerëzore, në hartimin e kurrikulës arsimore në përgjithësi, në rishikimin e teksteve në veçanti, në normalizimin e raportit të shpërpjestuar midis rezultateve të viteve të shkollës dhe të atyre në provimet e maturës tek nxënësit e arsimit të mesëm, në hartimin e politikave arsimore të arsimit bazik, për shtresat sociale të pamundura ekonomikisht, për fëmijët jetimë, për fëmijët e kërcënuar nga gjakmarrja, për komunitetet rom, egjiptian etj., të cilët paraqesin vështirësi integrimi në jetë dhe në shoqëri.
Është pikërisht shkolla vendi ku individi, i cilësdo race, kombësie, apo ngjyre ndikohet që të përvetësojë vlerat kulturore të shoqërisë përkatëse ku jeton. Përveç politikave arsimore të pamjaftueshme dhe të pathelluara, në vitet e kaluara sistemi arsimor në vendin tonë ka vuajtur edhe nga keqmenaxhimi i punës së institucioneve arsimore, duke filluar që nga qendra (MASH), e duke u thelluar drejt rajoneve të ndryshme të vendit (DAR dhe ZA). Keqmenaxhimi institucional i arsimit fillon që me mosrespektimin e standardeve bazike për funksionimin e veprimtarisë arsimore në vend. Ndër to është mosrespektimi i standardeve profesionale në emërimin e mësuesve dhe drejtuesve në zonat arsimore të vendit, mungesa e vlerësimit të diferencuar të diplomave, të cilat sipas vendit dhe kohës kur janë lëshuar nuk kanë të njëjtën vlerë “de facto”, gjë e cila duhet të jetë e konsiderueshme dhe të përcaktohet edhe “de jure”.
Nuk është konsideruar dhe marrë si bazë shkalla e kualifikimit të punëkërkuesit, madje përvoja e deritanishme ka rezultuar tërësisht shpërfillëse dhe korruptive në emërimet e mësuesve dhe të drejtuesve arsimorë. Duhet patjetër të bëhet një rishikim i teksteve dhe sidomos i metodave të hartimit të tyre, për t’i përshtatur me kohën dhe interesat e nxënësve, ngase vjetërimi i metodave dhe mungesa e novatorizmit në tekste sjell mungesë të interesit nga ana e nxënësit. Shto këtu edhe gabimet shkencore e gjuhësore shpesh herë shumë të pranishme.
Në hartimin e teksteve dhe në përcaktimin e tyre për “altertekstin”, duhet gjithashtu të ketë një konkurencë të ndershme, duke shmangur me çdo mënyrë imponimet e pandershme të cilat e deformojnë edhe vetë rregullin e barazisë për pjesëmarrje në këtë marketing. Komisionet për vlerësimin dhe përzgjedhjen e tyre duhet të jenë specialistë të aftë të disiplinave përkatëse, metodistë të spikatur dhe në këtë mes mendoj se duhet të përfshihet edhe mendimi i mësuesve të lëndëve dhe i drejtuesve të shkollave, të cilët mandej do të ngarkohen me përgjegjësinë e zbatimit të tyre në praktikën e tyre të përditshme me nxënësit. Si praktikë diçka e tillë është përmendur në vitet e shkuar, por ende nuk ka gjetur zbatim, pasi të ngarkuarit me këtë punë kanë qenë inaktivë për shkaqe të ndryshme që kanë të bëjnë pikërisht me keqmenaxhimin.
Një problem tjetër emergjent mbetet matura shtetërore, e cila deri tani është një dështim i plotë. Përvoja e deritanishme fatkeqësisht ka treguar se maturantët që këtu fillojnë të përballen, ose bëhen vetë protagonistë, me fenomenet korruptive në arsim. Ata nuk kanë një përballje të ndershme me njeri-tjetrin dhe me shtetin në këtë testim final të pjekurisë dhe vlerësimi i tyre është fals. Kohët e fundit provimet e maturës shtetërore nuk janë aspak serioze, madje janë kthyer në një teatër qesharak ku nxënësit mburren se kush kopjon më shumë. Ende pa filluar provimi, në oborret e shkollave të caktuara për provimet e maturës, flitet për tezën e provimit, pasi ajo është blerë gjatë natës, apo në mëngjes herët nga drejtuesit, pronarët e shkollave private apo nga njerëz të tjerë me pushtet. Nga ana tjetër maturantët e “armatosur” me më shumë se një celular janë përsëri një fenomen shqetësues, i cili përgjithësisht kalon pa u vënë re. Kompromentimi i administratorëve, është bërë fenomen i pashmangshëm në çdo provim, madje ndodh që shpesh ata (administratorët) marrin paratë e maturantëve të ofruara edhe në grup, në këmbim të kësaj lirie ordinere.
Ndërkohë nga jashtë shkollës prindërit në bashkëpunim me mësuesit e lëndëve përkatëse kanë filluar përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin e tezës së provimit. Ata mbajnë kontakte të vazhdueshme me fëmijët e tyre me anë të celularëve, duke i pyetur nëse po ia dalin t’i kopjojnë saktë përgjigjet e pyetjeve. Zhgënjim dhe fyerje për nxënësit me përgatitje të lartë që kanë punuar me seriozitet gjatë gjithë atyre viteve, të cilët gjunjëzohen përballë falsitetit të pandalshëm. Paradoksi më i madh lind rëndom pastaj kur nxënës të ndryshëm pas kësaj “arritjeje”, fillojnë dhe u kërkojnë llogari mësuesve të tyre se ata vetë nuk kanë qenë realist me vlerësimin e tyre të ulët gjatë kohës së shkollës, duke u treguar me nervozizëm se çfarë rezultati kanë arritur në provime. Në çdo maturë të futur në provime shtetërore sipas këtij modeli është kopjuar në maksimum, duke mos dalë në dritë niveli real i formimit të maturantëve, por një rezultat fals dhe dekurajues për maturantët me përgatitje të lartë. I parë nga çdo këndvështrim ky fenomen është një abuzim i madh, i cili e zbeh besueshmërinë e shkollës si institucion edukimi dhe e shpërfytyron figurën e mësuesit si edukator. Në saje të dobësisë së menaxhimit të situatës në provimet e maturës, nxënësit e dobët arrijnë vlerësime të larta fiktive, por puna s’mbaron me kaq pasi ata, duke pasur besim tek vetja, falë praktikave që përdorin, kërkojnë degë të rëndësishme në universitete, madje pothuaj gjithmonë ia dalin, sidomos nëse kanë edhe para.
Kështu përgatitet një brez me arsimim fals, fenomen tepër i dëmshëm, i cili për mendimin tim është më i dënueshëm, sesa vetë falsifikimi i parasë. Përveç masave shtërnguese nga komisionet në provimet e maturës, mendoj se tek vlerësimi përfundimtar në maturë, duhet të rishikohet mundësia për t’u marrë përsëri si bazë edhe vlerësimi i katër viteve të gjimnazit dhe vendosja e një note mesatare si kuotë limit për pranimin e maturantëve studentë në shkollat e larta. Duhet të bëhet gjithashtu rivlerësimi i figurës së mësuesit, në aspektin moral dhe material, sipas profilit dhe punës së tij. Mësuesit nuk duhet të mbahen nën kërcënimin e partive politike për të qenë deomos militantë të angazhuar dhe të nxirren bashkë me nxënësit në mitingje, sa herë t’iu kërkohet një gjë e tillë.
Ky fenomen sjell anormalitet dhe konfuzion në mesin e punonjësve të arsimit, të cilët me punën e tyre më së pari nuk i shërbejnë një partie të caktuar politike, por gjithë shqiptarëve. Edhe posti i drejtuesve të shkollave nuk duhet të jetë thjesht politik, por të përfaqësohet nga personalitete të shkencës, të kulturës dhe të fushës së edukimit, të cilët reflektojnë dhe përfaqësojnë modelin e individit të qytetëruar e të ndershëm në vetvete dhe në raport me komunitetin. Për t’i arritur gjithë këto, natyrisht duhen politika të qarta nga specialistët e arsimit në bashkëpunim me palët zbatuese, duhet kohë, duhen sakrifica, duhet punë e gjatë dhe investim i madh. Por është e nevojshme, sepse sfida në arsim është sfida më e paparashikueshme dhe që rikuperohet ngadalë. Madje do ta mbyllja këtë reflektim mbi gjendjen e arsimit dhe evidentimin e problematikave më frenetike të tij me një sugjerim drejtuar institucioneve dhe mbarë shoqërisë, që për ta vlerësuar rolin e arsimit në të ardhmen në vendin tonë dhe për ta vënë mbi baza bashkëkohore në përputhje me interesat tona kombëtare social-ekonomike, të planifikohet dhe organizohet një takim i gjerë specialistësh dhe prej andej të dilet me një konventë të re, për zhvillimin e arsimit shqiptar mbarëkombëtar në shekullin e XXI.
*) Haxhi Kalluci është N/kryetari i Bashkisë të qytetit të Fierit dhe skulptor i njohur.