Vjenë, 4 dhjetor 2017: Një kurorëzim afirmativ letrar, fitues i konkursit të mbështetur nga Ministria e Diasporës në Vjenë. Tregimi “I huaj” me autor Hazir Mehmeti, vendi i parë në prozë. Poezitë “Në shkon ti…” e Besim Xhelilit dhe “Serenatë” e Hazir Mehmetit fituese të vendit të parë. Mirënjohje për gjithë konkurruesit.
28 nëntor 2017, Vjenë
Në një ambient të bukur ku flet arti, në “Der Kunstraum”, në qendër të Vjenës u mbajt orë festive letrare e organizuar në Javën e Kulturës Shqiptare në Austri, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” dhe Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri. Programi u prezantua me shije nga moderatorja, Kaltrina Durmishi. Të pranishmit me një minutë heshtje nderuan të ndjerën Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani, e cila ishte pjesë e realizimit të disa aktiviteteve letrare që nga themelimi i Lidhjes. Në emër të nikoqirit, përshëndeti Hubert Thurnhoffer, pronari i ,,Der Kunstraum’’ Galeri duke falënderuar për prezencën dhe bashkëpunimin: “Ju falënderoj për prezencën tuaj në hapësirat e sallës sonë ku ofrohet ambient i mrekullueshëm për ata që adhurojnë artin”, tha mes tjerash ai. Në fjalën e tij Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, uroi të pranishmëve 28 Nëntorin-Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe falënderoi të pranishmit. “Është nder për ne të jemi pjesë e programeve të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, ku sonte do kurorëzojmë Konkursin Letrar me shpalljen e fituesve. Falënderojmë Ministrinë e Diasporës e cila e mbështeti këtë eveniment. Lidhja jonë po shënon suksese në botime ku tani kemi dy antologji nga krijuesit shqiptarë, “Illyricum I” dhe “Illyricum II”. Në gjashtë vjet jetë Lidhja jonë mbajti orë letrare të shumta në gjithë Austrinë”. Këtë mbrëmje e nderoi me pranin e tij dhe Dr. Musa Ahmeti, ligjërues në Universitetin e Budapestit i cili kishte ardhur enkas për këtë ngjarje.
Zyrtari, z. Shani Hamitaga, përfaqësues i Ministrisë së Diasporës së Kosovës i uroi të pranishmit, mes tjerash shtoi: “Ndihem i nderuar sonte të ju uroj dhe përshëndes në këtë ditë feste nga ky vend mik siç është Austria, e cila e përkrahu vazhdimisht kombin tonë në momentet vendimtare historike, andaj një falënderim i veçantë këtij vendi mik…Shumë bij e bija nga mërgata lanë rahatinë dhe me dashuri iu bashkëngjitën radhëve në luftë për liri të cilën e gëzojmë sot. Edhe tani rinia jonë po shkollohen në gjithë botën dhe po merr dije që nesër të mund të kontribuojnë në vendin e tyre. Sot shumë bij e bija mërgimtare po radhitën në Top-listen, në shkencë, sport, kulturë, art në të gjitha vendet. Mirënjohje për të gjitha ato familje që japin aq shumë për vendin, progresin, për të ardhmen tonë”. Nga Ambasada e Shqipërisë z. Idlir Kaba, sekretari i dytë i saj, ua uroi festën. “Sot është festë e veçantë për shqiptarët, shpallja e pavarësisë u bë për të gjitha trevat shqiptare, por fatkeqësisht një vit më vonë u njoh vetëm një territor i ngushtë. Fatmirësisht kjo padrejtësi historike u rregullua, ne tani kemi dy shtete, një komb dhe detyrat tona janë të shumëfishta drejtë ruajtjes së vlerave kombëtare dhe lidhjes me diasporën. Shembulli më i mirë nga diaspora është ai i rilindësve tanë, edhe pse ishin jashtë trevave shqiptare dhanë shumë për çështjen kombëtare. Dhe sot përgëzimet e mia për Lidhjen e Shkrimtarëve këtu e kudo në diasporë për afirmimin e vlerave artistike e të gjuhës sonë”. Z. Imer Lladrovci, konsull në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës uroi të pranishmit. “Që nga nëntori i kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, nëntori i Vlorës, nëntori i ditëlindjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, janë bazamenti i krenarisë sonë kombëtare. Sot Kosova e njohur nga shtetet më të fuqishme të botës do ec drejt demokracisë e zhvillimit”. Tingujt e flautës luajtur nga studentja, Fortesa Softa freskuan të pranishmit në ambientin e bukur.
Programi letrar filloi me promovimin e romanit të autorit, tani i njohur, nga Budapesti, Driton Smakaj, romani i tij i tretë i radhës “D11” të cilin shkurtas e prezantoi poeti Besim Xhelili. “Driton Smakaj jeton e punon në Hungari, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës deri në mbarimin e saj. Është veprimtar e krijues i njohur në vendin ku jeton, ky është romani i tij i tretë”. Për një analizë përmbajtësore të romanit foli Dr. Etleva Lala, ligjëruese në Universitetin e Budapestit, Katedra e Albanologjisë. Ajo në fjalën e saj e përshkroi veprën të një niveli të bukur artistik dhe përmbajtësor si nga ana gjeografike të shtrirjes së temë, po ashtu me elemente figurative të realizuara me sukses. Një roman që duhet përkthyer në gjuhët tjera”. Në fjalën e tij autori, Driton Smakaj, falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan realizimin e veprës dhe promovimin e saj.
Ora letrare vazhdoi me leximin e poezive nga disa autorë mes tyre ishte edhe Bardha Mance e cila kishte ardhur nga Athina, pastaj lexuan Gjin Morina, Vjollca Koni, Mërgim Osmani. Rreth realizimit të fituesve të konkursit nga juria në përbërje: Dr.Ina Arapi, Entela Kasi dhe Hasan Qyqalla, foli Dr. Ina Arapi. “Konkurrimi ishte tërësisht anonim dhe ne kemi vlerësuar sipas kritereve letrare artistike të krijimeve në poezi dhe prozë. Fituesve suksese të reja”, tha mes tjerash. Shpërblimi i parë në prozë i takoi Hazir Mehmetit me tregimin “I huaji”; i dyti: Edona Reshidi, me tregimin “Ajo”; të tretin: Angjelina Marku, me tregimin “Helena”. Në poezi shpërblimi i parë me pikë të njëjta u takoi dy krijuesve; Besim Xhelili me poezinë “Në shkon ti…” dhe Hazir Mehmeti me poezinë “Serenatë”; të tretin autorja Violeta Allmuça me poezinë “Miklimi i Jetës”. Për të gjithë konkuruesit u ndanë mirënjohje. Nga organizatori u dha një koktej rasti. U organizua dhe këndi i librave nga autorët e shumtë që jetojnë në Austri.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është një shembull i mirë për gjithë diasporën në rrugën e saj afirmimin e krijimeve letrare nga kombi ynë në ambientet shumëkulturore në Austri. Disa nga autorët shqiptarë janë tani më anëtarë të asociacioneve letrare më të njohura në Austri, PEN-Club-it dhe Lidhjes së Shkrimtarëve në Austri, janë pjesë e antologjive në gjermanisht krahas krijuesve të njohur vendës.