Vjenë, 28. 03. 2015 – (Suksese sportive në Vjenë të Austrisë) – I vetmi klub shahu shqiptar në botë që garon në rang Lige Shahu. Sezonin e ri “Arbëria” do garon në Ligën ‘B’ të Austrisë. Më të suksesshmit sipas rezultateve ishin: Sokol Kociu, Fatos Krasniqi e Astrit Zenuni. Arbëria” e pret ndihmën nga donatorët.
Se ambiciet për sport janë të gjithanshme dhe të realizuara kur ka përkushtim, e vërteton Shoqata e Shahut “Arbëria” e Vjenës. Grupi nismëtar bashkohet me idedhënësin z.Anton Marku, dhe i përkrahur fuqimisht nga donatori kryesor z.Mexhid Bislimi arriti të tubon shahist nga radhët e mërgimtarëve tanë moshash të ndryshme, në mesin e të cilëve kishte edhe talent të lojës së shahut. Rruga garuese e “Arbërisë” nuk ishte e lehtë nga baza fillestare ku mungonte gjithçka përpos vullnetit. Restorant “Cafe-Timi” pronë e z.Bislimi u bë selia e “Arbërisë” ku në vazhdimësinë dy vjeçare u zhvilluan garat në cilësinë e vendësit. Nga një ekip i panjohur në ligën lokale të njërës nga 23 Bashkitë e Vjenës, kaloi disa shkallë dhe tani shpallet me meritë kampione shahu në Ligën e Vjenës, e cila ka banorë më shumë se Kosova dhe cilësi të lojës së shahut të rangut ndërkombëtar.
Fitoret u radhitën në tabela brenda dhe si mysafire. Kjo i befasoi shumë njohës të shahut dhe tani me meritë kalon në rangun e Ligës B të Austrisë, e cila është e treta në gjithë vendin. Vlera e fitores së fundit ndaj klubit të shahut ‘SG Hiezing-Ottakring’ me rezultat 5:3 kishte vlerë ari sepse mundësoi sigurimin e pozitës së parë me 49 pikë, përkundër klubit Tchaturanga me 48,5 pikë, e cila zuri vendin e dytë.
Lojën e fundit “Arbëria” e luajti në këtë përbërje:
– Harald Penker,
– Kadri Berbati,
– Agron Çika,
– Fatos Krasniqi,
– Nexhat Veliu,
– Sokol Çerkini,
– Shpetim Bujupi dhe
– Astrit Zenuni.
Gjatë gjithë garave shahisti më i mirë i suksesshëm i klubit është studenti nga Shqipëria, Sokol Kociu i pasuar nga Fatos Krasniqi dhe Astrit Zenuni. Drejtuesit e klubit kishin vazhdimisht kontakte me strukturat sportive shahu, veçan me nënkryetarin e Ligës së Vjenës, z.Kaweh Kristof i cili në këtë cilësi dy herë e vizitoj “Arbërinë”.
Tifozi më i flakët i cili i ka përcjell gati të gjitha garat në dy vjet ishte Gjon Demaj. Klubi ka 18 anëtarë të rregullt që jetojnë në Vjenë dhe vijnë nga të gjitha trevat shqiptare. Në turnirin e rastit kur ishte ‘Java e Kulturës Shqiptare’, morën pjesë shahist nga kombe të ndryshme. Shembulli i “Arbërisë” tregon për mundësi të shumta që ka në gjirin e mërgimtarëve tanë dhe po pati organizim, respekt e disiplinë arrihet edhe ajo që nuk e ke ëndërruar.
Klubi i Shahut dhe sportet tjera e ndihmojnë jetën e përbashkët, e pasurojnë shumëkulturalitetin e sotëm si pjesë e përditshmërisë. Potenciali i madh i të rinjve tanë duhet menaxhuar e drejtuar prej vet nesh në hapjen e perspektivës. Tubimet sportive të të rinjve e ndihmojnë ruajtjen e gjuhës, njohjen, dashurinë për të përbashkëtën dhe njerëzoren. Në Vjenë dhe rrethinë funksionojnë dhjetëra klube sportive ku dallohen ato të futbollit dhe “Arbëria” në shah. Sportet janë të shumta, andaj veprimtarët dhe aktivistët shqiptar kanë ku të tregojnë punën e tyre.
Kjo kërkon përkrahje edhe nga Ministria e Diasporës e cila me aktivitetet për rrjetëzimin e të rinjve ka treguar se do mbështes gjithandej aktivitetet sportive e kulturore. Pa donatorët zemërgjerë zor se do kishim edhe këto aktivitete, disa mjaft të suksesshme. “Arbëria” kishte donacione modeste, por me vlerë për mbijetesë elementare. Duhej falënderuar “Cafe-Timi” dhe “Alba-Copy” me pronar Mexhid Bislimi e Xhevat Bala, përkrahësit e pareshtur që nga themelimi. Ambasadat dhe stafi i tyre dhanë përkrahje morale në qëndrimin vëllazëror me pjesëmarrjen e tyre në aktivitete shënjuese, ku pati edhe fjalime nga ata. Më aktivi ishte zëvendës ambasadori i Shqipërisë z.Artan Hnku. “Arbëria” ka ambicie serioze edhe në rangun federal me strukturën e talenteve që ka. Suksese!
………………………………………………………….
Klubi i shahut ‘Arbëria’ Vjenë
HAPE: http://futbollishqiptar.eu/klubi-i-shahut-arberia-vjene
* * *
Turniri i shahut për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë,
– Vjenë, nëntor 2012 –
Turniri i shahut për nder të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës,
– Vjenë – 23 shkurt 2013 –