DR.(Kandidat) FATON MEHMETAJ: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT, KU JEMI SOT PAS 135 VJETËSH RRUGËTIM?!

Prishtinë, 10. 06. 2013 – Më 10 qershor 1878, në Medresenë e Prizrenit, u hap kuvendi që u quajt në fillim “Lidhja shqiptare për të mbrojtë të drejtat e Kombit Shqiptar” që më pas u njoh në histori si “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Pos tjerash Kuvendi i drejtoi një memorandum Kongresit të Berlinit, që ishte mbledhë në fillim të qershorit 1878, ku ndër të tjera thuhej: “Jemi gati të luftojmë të gjithë krah për krah si Shqiptarë, pa dallim feje a besimi”. Kjo Lidhje mbetet emblemë e patriotizmit, bashkimit shpirtëror e fizik të krerëve shqiptarë. Ata ecën përpara, të frymëzuar kurdoherë nga patriotizmi dhe nga e kaluara e lavdishme që e kishin trashëguar prej kohërave në periudhat mijëvjeçare të formimit tonë si popull, i cili u çelikos në luftëra të vazhdueshme shekullore për liri e pavarësi. Udhëheqësit e Lidhjes ishin njerëz të mëdhenj e të njohur në të gjitha anët e Shqipërisë të cilët lëshuan gurët e parë për themelimin e Shqipërisë, edhe pse ideali i tyre nuk u plotësua ashtu si ata patën dëshirë dhe për çka luftuan. Disa krerë të Lidhjes kanë pasur pozita të larta në gjirin e Perandorisë Osmane, si shtetas të asaj Perandorie. Mirëpo patriotizmi i tyre dhe dashuria për Shqipërinë ishte shumë më e madhe, më e fortë e më e rëndësishme se sa pozitat e tyre personale. Ata i lanë ato pozita, i lanë privilegjet dhe përqafuan shqiptarizmin. Një gjë të tillë mund ta bënin vetëm njerëzit që vërtetë e ndjenin thellë në gjakun e tyre idenë kombëtare. Në këtë kohë vendi ynë rrethohej prej fqinjësh të cilët ishin të pamëshirshëm ndaj popullit shqiptar, ata nuk e donin një Shqipëri të lirë. Fqinjtë tanë, vërtet, ishin në luftë dhe në kundërshtim me njëri-tjetrin, por ishin të bashkuar midis tyre kundër daljes së një Shqipërie të lirë dhe më vete. Fqinjtë tanë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e akuzuan menjëherë si vegël të Perandorisë Osmane!

Por Lidhja Shqiptare e Prizrenit kishte njerëz të mëdhenj, me eksperiencë të shumëanëshme, diplomatë të hollë, organizatorë të sprovuar, luftëtarë të gjallë dhe shkrimtarë të shquar të cilët krahas luftës për liri luftonin për ta mposhtur propagandën e fqinjëve tanë që e bënin kundër popullit tonë. Në anën tjetër ndodhi një konflikt i madh midis Prizrenit dhe Stambollit (në fakt ishte një konflikt mes interesave të prijësve politikë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Stambollit), pasi prijësit e Lidhjes e shpallën programin për një Shqipëri të vetëqeverisur brenda suazave të Perandorisë osmane. Ndërsa në mbledhjen e degës së Lidhjes në Gjakovë, në gusht të vitit 1880, u shpall për herë të parë mendimi i shkëputjes së Shqipërisë nga Turqia. Ky mendim ishte shpallur edhe në degën e Lidhjes në Dibër që përmbante pesë pika. Shpallja e sipërme shkaktoi menjëherë dyshime dhe reaksione të forta të qeverisë osmane. Sidoqoftë Lidhja e Prizrenit ka qenë e para organizatë shqiptare e kohërave moderne, e cila, me vepra energjike luftarake, me botime të shumëllojshme me karakter politik, historik e letrar, me ndërhyrje të guximshme diplomatike pranë kancelarive europiane dhe, mbi të gjitha, me bujën e madhe në shtypin e huaj të asaj kohe, i siguroi kombësisë arbërore një vend të pashlyeshëm në kartën gjeopolitike të Europës.
Në atë kohë, Serbia përmes emisarëve të vet, të cilëve ua kishte siguruar ndikimin e tyre në skenën politike të kohës nëpërmjet Rusisë, Francës e vendeve të tjera mike, kishte arritur të bënte plane konkrete për aneksimin e tokave shqiptare. Këto plane u aprovuan fillimisht nga diktatet ruse të Shën Stefanit, në Kongresin e Berlinit që u mbajt në qershor të vitit 1878 dhe u drejtua nga kancelari gjerman Bismarck dhe zgjati deri në korrik të atij viti, e pastaj në konferencat tjera që pasuan më vonë. Gjatë asaj kohe 1878, Serbia e kishte garantuar prezencën e vet në Kosovë, fillimisht përmes konsullatave për disa vite rresht, e më pas e kishte përgatitur planin për okupimin dhe shkatërrimin gradual të popullit shqiptar. Fillimisht, duke e ndarë atë në disa shtete sllave, Maqedoni, Serbi, Greqi dhe Mal të Zi. Për t’i realizuar apetitet e veta, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia hartuan programet e tyre duke filluar nga projektet serbomëdha të Vuk Karaxhiqit, pastaj “Naçertanija” e Ilija Garashaninit, elaboratet në vazhdim të Vasa Çubrilloviqit, Ivo Andriçit, Stevan Moleviqit, Dobrica Qosiqit e deri tek elaboratet e fundit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, të konstruktuara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Serbia dhe Mali i Zi nëpërmjet këtyre elaborateve që nga viti 1878 e këndej, i dyfishuan territoret e veta në dëm të trojeve shqiptare, duke bërë terror e gjenocid dhe spastrim etnik ndaj popullsisë shqiptare në trevat e Sanxhakut të Nishit, Toplicës e Kosaonicës, etj. Në vazhdimësi, të njëjtit përgatitën plane për asimilimin dhe shkatërrimin gradual të shqiptarëve duke bërë projekte dhe plane konkrete. Nëpërmjet propagandës dhe diplomacisë e paraqitën popullin shqiptar të paaftë për të bërë shtet. Kjo ishte një goditje e madhe sepse ne nuk ishim të përgatitur dhe të konsoliduar politikisht për ta përballuar gjithë atë propagandë diskredituese që bëhej në mënyrë të orkestruar kundër shqiptarëve. Misioni i diplomacisë serbe nëpërmjet fushatave ushtarake, politike dhe diplomatike, duke u bazuar edhe në politikën ekspansioniste serbo-ruse, në elaboratet e tyre serbomëdha, shqiptarët tentonin t’i paraqitnin si një popull ”pa identitet dhe të sigurt se sovraniteti i të huajve u siguronte ardhmëri”. Kjo ishte një farsë e Serbisë nëpërmjet të cilës tentonte për ta forcuar ndikimin e vet në këtë pjesë. Pos kësaj, Aleanca Ballkanike në vitin 1912 (Bullgaria, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia) i dha fuqi Serbisë për ta pushtuar Kosovën dhe viset tjera shqiptare duke bërë masakra e gjenocid të paparë në sy të botës. Në këtë kohë Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit do ta okupojë Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa Vilajetin e Janinës do ta okupojë Greqia. Vlen të përmendet se dy-tri vite para se të tërhiqej Turqia nga Kosova dhe pjesët tjera, shqiptarët organizuan kryengritjet gjithëshqiptare kundër Perandorisë Osmane, të cilat filluan që nga viti 1909 dhe vazhduan deri në vitin 1912. Serbia në këtë kohë herë pas here u blinte armë kryengritësve shqiptarë për të luftuar kundër Turqisë, e cila edhe ashtu po e mbyllte misionin e saj si Perandori. Disa prej udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, Serbia u kishte lidhur paga të majme për të luftuar kundër Turqisë. E gjithë kjo bëhej për t’i përçarë e për t’i dobësuar shqiptarët ushtarakisht dhe ekonomikisht.
Siç dihet nga të dhënat historike, në dekadën e parë të shekullit XX vërehej qartë se Perandoria Osmane priste shkatërrimin e plotë të saj. Për këto shkaqe u organizua Revolucioni Xhonturk në të cilin rolin kryesor e luajti inteligjenca shqiptare, e cila ia bashkoi këtij revolucioni kuvendin shqiptar të më se 20 mijë burrave të armatosur që gjendeshin në Ferizaj. Pikërisht kërcënimi i këtij kuvendi drejtuar Portës së Lartë dhe sulltan Abdyl Hamitit ishte faktori kryesor që bëri të kthehej kushtetuta, e cila do të siguronte zhvillimin modern të Perandorisë Osmane. Kjo kushtetutë që njihej në popull si koha e Hyrrjetit (Lirisë), nuk garantoi asnjë kërkesë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare sado që shqiptarët bartën barrën kryesore të Revolucionit Xhonturk më 1908. Më 18 tetor 1912, Serbia, Bullgaria dhe Greqia i shpallin luftë Turqisë, ky ishte një pretekst që shkaktoi fillimin e Luftë së Parë Ballkanike. Në këtë vorbull të madhe ku ziheshin problemet e Ballkanit, më 28 nëntor 1912, Ismail Bej Vlora shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Mu në këtë kohë Kosova dhe Maqedonia mbetën nën okupimin serb, bazuar në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Shqiptarët e mbetur jashtë trungut amë në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe në Kosovën Lindore që nga ajo kohë e gjer më sot nuk e pranuan këtë robëri prandaj edhe vazhduan rezistencën e tyre edhe pse Konferenca e Paqes në Paris (1919) e kishte caktuar që territori i Kosovës të mbetet nën sundimin e mbretërisë të sapokrijuar Serbo-Kroato-Sllovene. Gjatë kësaj kohe vetëm nga periudha 1918-1938, janë djegur në Kosovë 320 fshatra me popullsi shqiptare. Brenda periudhës kohore 1918-1921 janë vrarë 12.346 shqiptarë, dhe janë burgosur 22.160 u shkatërruan 50.515 shtëpi dhe u dogjën 6.125 të tjera. Në tetor dhe nëntor të vitit 1912 Kosova okupohet nga forcat ushtarake serbe. Gjatë kësaj lufte forcat okupuese serbe, masakruan dhe vranë mbi 50 mijë civilë shqiptarë. Në vitin 1912 me forcë nga Kosova, Sanxhaku e Maqedonia u larguan 239. 807 shqiptarë në drejtim të Greqisë për në Turqi. Pas këtij procesi u sollën në territoret shqiptare 20 mijë familje serbe dhe 5 mijë familje malazeze. Problematika e kësaj natyre do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Në një raport zyrtar të vitit 1926 thuhet se gjatë dy vjetëve të mëparshme ishin shpërngulur në Turqi 32 mijë veta, kurse në Shqipëri 6 mijë veta.
Gjatë Krizës Lindore dhe Luftërave Ballkanike, Kosova u pushtua nga Monarkia Serbe. Në këtë kohë Konferenca e Londrës e vitit 1913 e njohu këtë pushtim territorial të Kosovës, duke e lënë kështu Kosovën jashtë kufijve politikë të Shtetit Shqiptar. Duhet cekur se në kuadër të delegacionit shqiptar që merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris kishte edhe të atillë që për të kundërshtuar kërcënimin italian propozonin marrëveshje me qeverinë jugosllave. Në këtë linjë ishte misioni i Hamit Gjylbegut në Beograd, ku u shqyrtua edhe mundësia e një marrëveshjeje me Esad Toptanin. Propozimet e kompromisit me Jugosllavinë, delegacioni i Qeverisë së Durrësit i formuloi zyrtarisht në notën e 8 nëntorit të vitit 1919 drejtuar kryetarit të Konferencës së Paqes, Klemansoit. Për të krijuar bindje në Konferencën e Paqes e jashtë saj, qeveria jugosllave ndërmori një fushatë presionesh e kërcënimesh ndaj popullsisë së zonave të pushtuara për ta detyruar që të shprehej “vullnetarisht” për bashkimin me Mbretërinë SKS. Vetë Pashiqi disa herë porosiste nga Parisi që qeveria jugosllave të grumbullonte nënshkrime nga Shqipëria Veriore, në të cilat ajo të deklarohej vullnetarisht për bashkimin me Jugosllavinë. Serbia, në qytetin e Dibrës e financoi edhe një ndërtesë me emrin “Zyra e qeverisë së Esad Pashës”, ku banonin e vepronin agjentët e tij. Në Mat, në Dibër e në zona të tjera të pushtuara, u rekrutuan xhandarë e u vendosën nënprefektë në emër të Esatit e në shërbim të forcave serbe. Në muajt e parë të vitit 1919 esadistët u bënë pararoja e ushtrisë serbe në veprimtarinë pushtuese në Shqipëri.
Në shkurt të vitit 1919 gjenerali çetnik M. Vasiq i urdhëroi njësitë ushtarake që të ruanin gjakftohtësinë, meqë “pas përfundimit të Paqes në Paris do t’i kemi duart e lira për veprim kundër shqiptarëve”. Në urdhërin e datës, më 14 prill 1919, thuhej se deri sa të punojë Konferenca e Paqes “ndaj shqiptarëve të mbahet qëndrim sa më i matur”.
Siç dihet, më 19 janar 1919, në Konferencën e Paqes në Paris u shqyrtua edhe problemi shqiptar, ku shërbeu si bazë Traktati i Fshehtë i Londrës i prillit 1915, i cili parashikonte copëtimin e Shtetit Shqiptar dhe zhdukjen e tij nga harta politike e Europës si shtet i pavarur dhe sovran. Këtu, Fuqitë e Mëdha luanin me shqiptarë symbyllur. Forcat ushtarake serbe i shfrytëzonin me dhelpëri situatat e krijuara ndërkombëtare dhe ia shtrinin zullumin popullatës shqiptare. E gjithë kjo u bë për arsye se shqiptarët nuk kishin ndërtuar strategji për t’ju kundërvënë ekspansionit serb. Po të shikohen kufijtë realë të Shqipërisë së Vjetër Natyrale, me kufijtë e sotshëm të Shqipërisë londineze shihet qartë se sa është dëmtuar populli shqiptar, më shumë se gjysma e territorit ka mbetur jashtë trungut amë. Nuk është e tepërt të thuhet se gjatë marshimit të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, oficerët serbë urdhëruan për ta masakruar pothuajse një popull të tërë, shumica gra e pleq, njerëz të paarmatosur dhe krejtësisht të pafajshëm. Oficerët serbë, të dehur me fitoren e tyre, deklaruan se qetësimi më i efektshëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve muhamedanë. Kjo thënie u adoptua shpejt nga ushtria okupatore serbe dhe u vu në përdorim menjëherë. Por tregimet e ligësive, të cilat u bënë në Shqipëri gjatë marshimit të ushtrisë serbe nuk mbaruan me kaq. Veprimet e bëra mbi popullatën shqiptare në Maqedoni, Kosovë, e mbi popullatën shqiptare në Malit të Zi dhe atë të Kosovës Lindore, thuhet se kanë tejkaluar çdo gjë që shqiptarët kishin vuajtur nën okupatorët tjerë. Gjenerali Zhivkoviq urdhëroi të vriteshin 950 njerëz të shquar shqiptarë dhe turq afër Sjenicës, sepse ata e kundërshtonin përparimin e tij.
Për t’i realizuar synimet e veta, Serbia përdori kërcënimet me jetë, kufizimin e lirisë në të gjitha fushat e aktivitetet njerëzore, ndërhynte kudo, bastiste dhe burgoste pa arsye kë donte. E ndaluan mësimin në gjuhën amtare, në këtë vit filluan t’ua ndërrojnë fenë me dhunë, i vrisnin faj e pa faj. Presionet u bëheshin shqiptarëve vazhdimisht, ata shantazhoheshin e shkatërroheshin pareshtur me theks të veçantë familjet më të spikatura të popullit shqiptar. Me qëllim të jetësimit të presioneve të lartcekura, Serbia futi në veprim organizatat terroriste sekrete e gjysme sekrete si “Crna Rukën”, “Narodna Odbranën”, “Bella Rukën” etj. Këto organizata ishin mekanizma “të fshehtë” në duart e shtetit serb. Këto organizata me lejen e shtetit serb vranë elitën e kombit shqiptar për 100 vjet me radhë. Ata vranë krerë e bajraktarë, shpërngulën me dhunë mijëra e mijëra shqiptarë nga vatrat e veta, shkatërruan ekonominë dhe arritën të fusin frikë e përçarje në gjithë rajonin. Vëllavrasjet ishin përditshmëri, vrasja dhe masakrimi i atyre që guxonin ta kundërshtonin pushtetin serb nuk ishte temë. Edhe pas gjithë kësaj, shqiptarët ditën të luftojnë për liri, t’i fitojnë betejat dhe të qëndrojnë vertikalisht. Në mbarë Kosovë u formuan grupe e çeta që e kundërshtuan pushtimin e Serbisë. Në Junik u mbajt Kuvendi që i parapriu shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912. Mirëpo për ta okupuar Kosovën në nëntor-dhjetor 1912, ushtria serbo-malazeze bënë përgatitje disavjeçare.
Për këtë çështje Serbia kishte arritur të marrë hua nga Anglia katër milionë korona, ndërsa nga Rusia i kishte arritur artileri speciale, medikamente, pajisje spitalesh ushtarake etj. Në vitin 1912 Mali i Zi për këtë qëllim kishte mobilizuar 35 mijë veta të inkuadruar në dy divizione, ku në armatim kishte edhe 60 topa. Në tetor të vitit 1912, Dukagjini ra definitivisht nën okupimin e Malit të Zi. Posa i pushtuan viset e Plavës dhe Gucisë më 1912 i masakruan hiq më pak se 700 shqiptarë, shumica të pushkatuar masovikisht në Qafë të Previsë.
Edhe përkundër gjithë këtyre mizorive shqiptarët ditën të qëndrojnë vertikalisht, t’i fitojnë luftërat, por nuk ishin të përgatitur për diplomaci. Që nga ajo kohë e deri më sot në luftën e fundit kurrën e kurrës kriminelët serbë nuk kanë dhënë llogari për krimet e bëra, përkundrazi ata janë dekoruar. Në ato kancelari ku është copëtuar Shteti Shqiptar, këtë vit u këndua himni “Marsh na Drinu”, nën tingujt e të cilit tash e njëqind vjet serbët i kanë bërë krimet më të tmerrshme në luftërat për gllabërimin e tokave shqiptare dhe në Ballkan përgjithësisht.
Kurse tek ne ka ndodhur e kundërta. Pas sa vitesh luftëra të përgjakshme, UÇK-ja bashkë me faktorin ndërkombëtar ia doli ta dëbojnë nga Kosova ushtrinë dhe policinë serbe, e cila e bëri një luftë të përgjakshme kundër pupojve joserbë që jetonin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë. Katërmbëdhjetë vite pavarësi dhe liri që kanë ardhur si rezultat i përpjekjeve qindravjeçare të popullit tonë, që u finalizuan me luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e pakursyer të NATO-s dhe SHBA-ve, elementi i vetëm që poshtërohet, burgoset, nëpërkëmbët e përbaltoset gjatë gjithë këtyre viteve janë pjesëtarët e UÇK-së. Ndaj tyre po ngjallet një dozë e urrejtjes dhe nënçmimit. Tek ne për çudi nderohet njësoj si patrioti si tradhtari, gjë që nuk ndodhë kështu tek popujt e tjerë.
Të gjithë komandantët e UÇK-së, u burgosën brenda këtyre 14 viteve, disa u dërguan në Hagë e të tjerët u dënuan nga gjykatat vendore, të cilat u monitoruan nga UNMIK-u dhe EULEX-i, të cilët ishin në koordinim me një pjesë të ish-gjyqtarëve të dikurshëm që i shërbyen sistemit të Millosheviqit. Qasja e tillë ka të bëjë me programet e fshehta të diskreditimit dhe shkatërrimit të strukturës së UÇK-së, kurse me serbët që kanë marrë pjesë në krime lufte e gjenocid, djegie, plaçkitje, shkatërrime dhe përdhunime po ndodhë një amnisti e heshtur. Krijimi i kësaj gjendje ka bërë që Serbisë t’i krijohet një terren i përshtatshëm për ta shndërruar Kosovën në një koloni moderne apo të një ripushtimi të ri. Ne po i dënojmë çlirimtarët, por të mos harrojmë se i kemi dënuar shpesh gjatë historisë, por si pasojë e kësaj historia shpesh na u ka përsëritur. Nuk duhet lejuar se edhe këtë radhë të përsëritet historia, sepse do të jetë më e dhimbshme se herave të tjera.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura