(Tiranë, 13. 11. 2012) – Deri më 28 nëntor 1912, autoriteti i domosdoshëm për sigurimin e qetësisë ndihej pak ose aspak në territoret shqiptare. Vetëm nëpër qytetet me rëndësi, aty ku kishte garnizone me ushtarë dhe fuqi xhandarmërie të konsiderueshme, siguria e jetës dhe e pasurisë ishte deri diku e përfillur. Jashtë këtyre qendrave, autoriteti qeveritar nuk ndihej dhe populli jetonte i udhëhequr prej instinktit të vetëmbrojtjes. E në qoftë se mospërfillja e autoritetit qeveritar nuk degjeneronte në anarki të plotë, kjo i detyrohet zakoneve të forta dhe traditave kalorëse të shqiptarëve, veçanërisht për sa i përket respektimit të nderit e të pasurisë.
Edhe hierarkia e organizimit shtetëror, që përshkallëzohej në vilajete (guvernatorata), në mutesariflleqe (prefektura), në kajmekamlleqe (nënprefektura) dhe në mydyrrijete (krahinari), nuk garantonte sigurinë e qetësinë në vend. Mydyrrijetet ishin të organizuara vetëm ndër qarqe ku pushteti i sunduesve kishte mundur të rrënjosej në mbështetje të fuqisë së armatosur, por duke mos pasur një organizim të përsosur, veprimi i tyre ishte i paralizuar. Duhet theksuar se kujdesia e drejtuesve të administratës para vitit 1912 përmblidhej në mbajtjen nën fre të aspiratave të popullit shqiptar dhe jo garantimi i rregullit e qetësisë. Që në momentin solemn të shpalljes së mëvetësisë, Ismail bej Qemali, bëri thirrje për qetësi dhe shënoi në dokumentin e parë të saj: “…Tani shqiptarët do të mbajnë qetësinë, ta ruajnë bashkimin me njëri-tjetrin, do të rrojnë si vëllezër me të gjithë…, pas kësaj shpallje do të jepen dënimet më të rrepta kundër guximtarëve”. Duke vlerësuar domosdoshmëri jetike qetësinë që në mbledhjen e parë, më 4 dhjetor 1912, qeveria nxori urdhër dite për masat që duhen marrë ndaj njerëzve që nuk duan ta njohin qeverinë e re (pika 5) dhe për organizimin e një shërbimi të fshehtë në viset e pushtuara të Shqipërisë (pika 6). Qeveria ngarkoi me detyra Mit’hat Frashërin, që të dërgonte një njeri në Mirditë për t’u lidhur me Bajram Currin, dhe Lef Nosin që të hynte në lidhje me Dibrën, duke synuar të vendosej autoriteti i sigurisë i qeverisë në Shqipërinë verilindore dhe lindore.
Halim bej Jakova (Gostivari)
………………………………………..
Në strukturat e sigurisë, referuar dokumenteve arkivore, qeveria përmend fillimisht vetëm xhandarmërinë. Në dokumentin e datës 8 dhjetor 1912, pika tretë (pika e parë bënte fjalë që Shqipëria të jetë monarki konstitucionale, kurse e dyta përcaktonte se duhet një mbret nga Evropa për të qeverisur shtetin e ri shqiptar), qeveria vendosi: “Për të vënë në udhë punët e shtetit dhe për të themeluar një sundim të vërtetë të qytetëruar do të merren këshilltarë prej Evrope për çdo ministri dhe më shumë, mjaft oficerë të Xhandarmërisë që të forcohet sigurimi”. Dokumenti i sipërcituar nuk përmend termin “Polici”, por “Xhandarmëri”. Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e forcave të rendit, pra jo vetëm të Policisë, i takon datës 13 janar 1913, vendim i cili evidentohet të ketë hyrë në fuqi më 14 shkurt 1913. Ndonëse u mor një vendim i tillë, dokumentet arkivore, të cilat duhen konsideruar fakte provuese, flasin për një shthurje të formacioneve ekzistuese të rendit në atë kohë. Dokumentet arkivore, kryesisht njoftime telegrafike urgjente, drejtuar kryeministrit, Ismail Qemali, njoftojnë se për shkak të kushteve të këqija janë arratisur nga detyra të gjithë xhandarët (edhe këtu nuk përmenden policë), dhe “nuk ka ngelë ndonjë fuqi për të siguruar rendin e qetësinë e vendit”.
Në përgjigje të këtyre telegrameve Ismail Qemali dërgonte porosi: “…përpiquni për mbajtjen e rendit dhe qetësisë së vendit”; “…të përpiqeni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”; “përpiquni për organizimin e fuqive të qetësisë” (pa përmendur xhandarë apo policë) dhe aktivizimin e tyre për kapjen e kriminelëve të rrezikshëm. Nga korrespondenca arkivuar evidentohet se strukturë e sigurisë në këto ditë përmendet Xhandarmëria, madje me efektiva rezervë, e organizuar vullnetarisht sipas modelit turk dhe sipas ligjeve të atij shteti. Duhet theksuar se Qeveria e përkohshme e Vlorës u bazua në ligjet e rregulloret që u trashëguan nga sundimi osman. Kjo pasqyrohet qartë edhe më vonë, në qarkoren e Ministrisë së Brendshme, të datës 12.05.1913, ku njoftohej: “Deri në vënien në zbatim të ligjeve të reja, lihen në fuqi ligjet e rregulloret e qetësisë osmane”. Shqetësimi parësor i qeverisë sapokrijuar rezulton se ka qenë problemi i sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave, detyrë të cilën qeveria ua ngarkoi xhandarëve, ndonëse përdoret për herë të parë në shqip termi policor “për të siguruar me çdo mënyrë qetësinë e qarkullimin”.
Policia duket se u krijua nën ombrellën e Xhandarmërisë, paralelisht me këtë strukturë dhe me Milicinë ushtarake. Lidhur me krijimin e Policisë, ka dokumente që provojnë se Ismail Qemali i shkroi Ministrisë së Brendshme: “Tue marrë parasysh rëndësinë e Vlorës, veçanërisht në këtë kohë që është qendra e qeverisë sonë kombëtare, është parë si një nevojë e domosdoshme organizimi i një trupi policor nën drejtimin e një Drejtorie për t’u riforcue rregulli i përgjithshëm, gjë kjo që është e pakontestueshme dhe nuk çfaqet më nevoja për shpjegim”. Kjo fakton se u krijua Policia, madje duke pasur në krye të strukturës edhe drejtorinë përkatëse. Në listën e trupit të parë të Policisë, organizuar nga qeveria e Ismail Qemalit janë shënuar: Hamza Isai-kryekomisar, pagë 1000 grosh, Omer Radhima-komisar, pagë 900 grosh; Toli Stavri (Arapi)-ndihmëskomisar, pagë 700 grosh; Avdurahman Vermiku-ndihmëskomisar, pagë 700 grosh; Ali Dauti-agjent policie, pagë 500 grosh; Halim Tërbaçi (Xhelo)-agjent policie, pagë 500 grosh, Muhamet Besho Kanina-agjent policie, pagë 500 grosh; Sadik Sinan Vranishti-agjent policie, pagë 500 grosh; Gani Kudhësi-agjent policie, pagë 500 grosh; Rait Efendi-agjent policie, pagë 500 grosh. Personeli policor që ishte caktuar për të shërbyer provizorisht pranë Kryesisë së Qeverisë së Përkohshme pati në përbërje: Yzeir Efendi, me rrogën e komisarit të mëparshëm (duhet kuptuar të Turqisë); Hamdi Efendi, me rrogën e komisarit të mëparshëm; Refat Dibra-agjent policie; Zyhdi Përmeti-agjent policie dhe Xhevat Borshi-agjent policie. Personat e sipërshënuar si drejtues të Policisë (Hamza Isai dhe Omer Radhima) nuk kishin qenë ndonjëherë punonjës të qetësisë por mësues. Ata qenë besnikë të Ismail Qemalit.
Sipas dokumenteve arkivore, (korrespondenca e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me qeverinë e Vlorës), kuptohet se Halim bej Jakova (Gostivari) ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë në periudhën janar-prill 1913. Funksionimi i Policisë në qytetin e Vlorës, aty ku ishte edhe qeveria, evidentohet e dokumentuar që në fillimin e muajit shkurt 1913, ende pa hyrë në fuqi vendimi për krijimin e forcave të rendit. Në një raport të atyre ditëve, komisari i Policisë në Vlorë, Omer Radhima, i shkruante kryetarit të Guvernës Shqiptare, më 3 shkurt 1913: “Na dje në qytetin t’onë s’kemi gjësendi. Ai që ardhi na Janina si tregtar, Myhedini, sot iku për Janinë. Pas urdhrit Zotërisë s’uaj hoteleve dhe hanxhivet dhe atyre që japin shtëpira zyrtarisht, lajmërimi i Policisë si kujdesje ju dha. Po këtë urdhër përveçmë dy hanxhive, të tjerëve as se-kush ardhi o iku as defterë nuk na dhan. Ç’urdhër na jepni që të bëjmë?”. Ky raport pasqyron përmbajtjen e disa përgjegjësive të policisë së asaj kohe. Domethënia e këtij komunikimi lidhet me detyrën e dhënë nga qeveria e Vlorës për kontrollin e lëvizjes së personave të dyshimtë, detyrimin e pronarëve të haneve e hoteleve që të regjistronin bujtësit dhe të njoftonin Policinë për çdonjërin prej tyre, zbatimin e ligjshmërisë, zbulimin e shtypjen e njerëzve që kryenin vjedhje, grabitje apo vrasje, etj. Raportet në këtë stil të shkruari, janë të përditshme deri në fund të korrikut 1913 dhe dëshmojnë se në Policinë e sapokrijuar po zbatohej rregulli bazë i komunikimit operativ të përditshëm me eprorin, gjë që më vonë u bë normë. Po kështu, sipas këtyre raporteve, evidentohet se Policia, krahas detyrave të tjera, po kryente detyra për kontrollin e gjendjes së personave që vinin apo iknin nga Vlora, përkujdesjen në hotele, si dhe kontrollin e gjendjes së qytetit.
…………………………………………………….
Detyra kryesore e Policisë, në këtë periudhë të vështirë, qe përqendruar për vëzhgimin e personave të dyshimtë, duke pasur si përgjegjësi: grumbullimi i informatave për persona të dyshimtë me qëllime të këqija kundër pavarësisë së vendit (filoturq), mbajtja e tyre në vërejtje (vëzhgim), hetimi i vazhdueshëm, kapja në flagrancë dhe dërgimi në gjyqin ushtarak (Vlorë). Kjo detyrë evidentohet edhe në urdhrin që lëshoi ministri i Brendshëm, Mufid Libohova, më datë 29 maj 1913, i cili, duke bërë të qartë se kanë ardhur në Shqipëri, nga Turqia e vende të tjera, disa shqiptarë me qëllime të këqija dhe për të bërë propagandë kundër pavarësisë së Shqipërisë, ngarkoi strukturat e rendit me detyra për të mbajtur në vëzhgim dhe hetuar vazhdimisht dhe për t’i dërguar në gjyqin ushtarak në Vlorë.
Policia deri në këtë kohë bazonte veprimtarinë e saj mbi bazën e Rregullores së Policisë Osmane, e njohur prej personelit që u rekrutua në Policinë e qeverisë së Vlorës dhe e zbatueshme nga shtetasit shqiptarë (misioni, detyrat, hierarkia e gradave, etj.) Meriton të evidentohet se Policia e qeverisë së Vlorës vuri gradat që në organizimin e saj, përkatësisht: kryekomiser, komiser, nënkomiser dhe agjent. Qeveria e kryesuar nga Ismail bej Vlora, krahas organizimit të Policisë në strukturat vendore, mori masa edhe për krijimin e Policisë për sigurimin e personaliteteve shtetërore. Sipas dokumenteve arkivore, policët që kanë qenë në trupën roje të Ismail Qemalit numërohen tetë vetë. Në krye të dokumentit janë katër policë me mbiemra të shqipëruar, shkruar me laps kopjativ përmbi shkrimin në gjuhën osmanishte të dokumentit origjinal, të cilët janë identifikuar me mbiemrat: Mazhani, Bolena, Karbunara dhe Xhezo, ndërsa katër të tjerë janë të shënuar në gjuhën osmanishte.
Në maj 1913 qeveria formoi disa komisione për organizimin e Drejtësisë, Xhandarmërisë, Policisë e zyrave të tjera, por sipas raporteve dhe korrespondencës së qeverisë me prefekturat rezulton se vëmendja e qeverisë për problemin e rendit ishte përqendruar kryesisht te Xhandarmëria. Qeveria njoftoi prefekturat se: “…rrobat e xhandarmërisë që u porositën në Evropë, do të vinë së afërmi” dhe nuk theksoi asnjë fjalë për Policinë. Mbase mund të ketë qenë ideja për të mbajtur një uniformë të përbashkët, por shtypi i kohës bënte fjalë edhe për uniforma policore, gjë për të cilën gazeta “Liri e Shqipërisë”, shkroi: “Rrobat për Xhandarmërinë dhe për Policinë janë porositur në fabrikat e Evropës dhe për së shpejti po priten”.
Në këtë periudhë situata në vend nuk ka qenë e qetë. Dokumentet arkivore kanë shkresa telegrafike me përmbajtje “qetësia e vendit tonë është prishur” dhe rezulton se Policia ishte me aktivitet të zbehtë. Në Arkivin e Shtetit janë shumë shkresa, në të cilat i raportohet edhe kryetarit të qeverisë (mbasi ministri i Brendshëm Esad Toptani qe larguar nga detyra) edhe për situatën e qetësisë në krahinat ku kishte autoritet Qeveria Përkohshme e Vlorës, sikurse ishin Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Skrapari, Mallakastra, Peqini, Elbasani, Durrësi, Tirana, etj. Raportet për gjendjen e qetësisë në vend janë interesante, ku nuk lihet pas dore informimi për të huajt, duke dëshmuar se kishte struktura të policisë kufitare. Më 25 qershor 1913, drejtori i Policisë, Fehmi Mezhgorani, njoftonte se: “mbas anglezit Neverson dje doli nga Vlora i dyshuari nga Voskopoja, Marko Kostandini”, çfarë shpreh se, edhe në vijim, një nga detyrat kryesore të Policisë në këtë kohë ishte gjurmimi i fshehtë i personave të dyshuar si kundërshtarë të qeverisë. Ky titullar i ka dërguar informacion Kryesisë së Qeverisë së Përkohshme, më 2 korrik 1913, lidhur edhe me një propagandë të keqe kundër qeverisë, duke informuar se ajo propagandë e ka cilësuar qeverinë e Ismail Qemalit “qeveri mashtruese”. Në këtë rast ai paraqet punën që bëhet nga Policia duke punuar me njerëz të saj, për të gjetur deklaratën propagandistike antiqeveritare dhe për të filluar hetimet përkatëse. Krahas masave organizative strukturore në një dokument të datës 13 korrik 1913, evidentohet se nuk kanë reshtur përpjekjet për perfeksionimin e punës së Policisë, ku shkruhet: “Shihet e nevojshme që të formohet një komision për të përgatitur projektin mbi organizimin e Policisë. Ky komision u pa i arsyeshëm që të formohet prej zotërinjve të sipërshënuar, me gjithë këtë urdhri është i shkëlqesisë s’uaj”. Në listë janë ish-drejtori i parë i Policisë në Manastir, Halim beu (Gjakova, Gostivari), Hajdar beu (Kolonja) dhe toger Tahsim beu, që ka shërbyer në Drejtorinë e Sigurimit Publik në Stamboll. Po sipas dokumenteve arkivore evidentohet se më 17 korrik, krahas komiserisë së Vlorës, rezulton të jetë e organizuar edhe komiseria e Policisë në Berat, e cila në atë kohë ka arrestuar një tregtar, mbi bazën e një informacioni kriminal, sipas të cilit personi vlerësohej “i rrezikshëm”. Po kështu, në këtë kohë, rezulton të jetë organizuar edhe komiseria e Fierit, në krye të së cilës ishte caktuar komiseri Ali Gjiriti.
Në shtator 1913 rezulton të jetë organizuar edhe komiseria e Policisë në Durrës dhe evidentohet si komisar Policie “një muhaxhir i quajtur Dilaver”, (bëhej fjalë për Dilaver Dervishin, i cili shërbeu në Durrës në periudhën 1912, nga koha e Turqisë deri më 1915), liruar nga detyra për keqsjellje ndaj shtetasve, i cilësuar me vese jo të mira dhe me moral të dobët. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, përmendi faktin se, krahas komiser Dilaverit, u shkarkua edhe drejtori i Policisë (nuk jepet emri), ndonëse ka vlerësime pozitive për aftësitë, cilësitë e sjelljen e tij. Ndonëse artikullshkruesi nuk përmend emrin e drejtorit, megjithatë ky fakt ka rëndësi sepse evidenton një tregues për organizimin e Policisë së qeverisë së Vlorës, në bazë drejtorie, edhe në Durrës, ku vepronte fshehurazi karrieristi Esad Toptani. Në dokumentet arkivore pasqyrohet dukshëm prezantimi i pastërtisë morale të policëve të Qeverisë së Vlorës, të cilët kurrë nuk u tunduan para ryshfeteve që ju ofronin personat e evidentuar me probleme për qetësinë.
Ndonëse në kushte tepër të vështira qeveria e Vlorës i dha rëndësinë parësore problemeve të qetësisë e të sigurisë në vend. Këtë fakt e ka evidentuar edhe publicisti Mihal Grameno, teksa shkroi: “Nuku mundim të mohojmë shërbimet e qeverisë gjer më sot, duke menduar e kujtuar nër sa rrezike shkojti, se gjer tani, dy muaj, vetëm Vlora me qarkun e saj ishin të lira e të pashkelura po të rrethuara nga ushtërti Turke, serbe dhe greke të cilët nuku n’a linin të marrim frymë! Me të zënë të hiqen ushtëritë Serbe dhe Greke, qeveria mori masa me nxitim për paqen dhe administratën e kështu habitet bota kur sheh që pa patur akoma fuqi të plotë qetësia mbretëron në këto vende”.
Krahas informacioneve për organizimin e Policisë gjejmë korrespondencë të mjaftueshme edhe për organizimin e Xhandarmërisë. Përmenden si drejtues të parë të këtyre strukturave: Alem Tragjasi, Hysni Toska, Sali Vranishti (qeveria e Ismail Qemalit i besoi detyrën e kryembrojtësit të rendit të kazasë së Vlorës dhe e gradoi kapiten, duke mos qenë oficer por vullnetar, shtypi i asaj kohe e cilësi “emnijeti umumi…je mydyr”, shqipëruar komandant i Përgjithshëm i Sigurimit Publik) dhe Hajredin Hekali. Këtij grupi iu bashkuan edhe 70 oficerë që kishin shërbyer në ushtrinë perandorake, ku nuk mund të anashkalohet Ali Fehmi Kosturi, babai i Drita Kosturit, ish-oficer i perandorisë turke që komandoi forcat turke në përballjen me malësorët e bregut të Matit, në verën e vitit 1912 dhe më pas iu kthye çështjes kombëtare, duke mbajtur mbi vete shumë poste, deri komandant i Përgjithshëm i Xhandarmëiris më 1922. Fillimisht u organizua Xhandarmëria e qeverisë së Vlorës, aty rreth qershorit 1913, e drejtuar prej majorit Hysen Prishtina me një batalion në Vlorë, kapitenit Ali Tetova në Berat dhe majorit Ismail Haki Tatzati në Elbasan.
Më 29 gusht 1913 Ismail Qemali njoftoi Ministrinë e Brendshme se Fuqia e Xhandarmërisë së Vlorës është organizuar në Tiranë dhe po vijon organizimi edhe në Durrës. Ndërkohë ai porositi të bëhet organizimi i Xhandarmërisë edhe në prefekturat e tjera, mbasi të caktohet sasia e xhandarëve për të siguruar mbarëvajtjen e punëve të përditshme dhe të sigurimit publik të vendit. Ai orientoi që në çdo qendër të prefekturave “duhet të ndodhet edhe një detashment rezervë për çdo eventualitet, prandaj kini mirësinë e vendosni dhe na njoftoni si sasinë e kompanive të xhandarëve që duhet të ndodhen në qendër të prefekturës, ashtu edhe ato të fuqisë rezervë”. Në vijim ai kërkoi informacion për sasinë e uniformave dhe nevojat për oficerë xhandarmërie, pa harruar edhe gradat që ata duhet të kenë. Më 18 shtator, prefekti i Elbasanit, patrioti Aqif pashë Elbasani, njoftoi Ismail Qemalin për regjistrimin e 50 xhandarëve me armët e tyre, për të plotësuar organikën e dy batalioneve, duke kërkuar emërimin e komandantëve dhe oficerëve.
Më 3 qershor 1913 u miratua rregullorja e Milicisë Ushtarake. Rregullorja “Milicia Shqiptare”, i përcaktonte asaj misionin “për mbrojtjen e vendit deri sa të formohet ushtria e rregullt”. E rëndësishme është përcaktimi në rregullore për “Detashmentet shëtitës të Milicisë”, ku theksohej se: “Art. 25, Deri sa t’arrijë në shkallën e mjaftueshme organizimi i ushtrisë së rregullt, i Policisë dhe i Xhandarmërisë, për të zënë vendin provizorisht të fuqisë s’armatosur brenda në kufi të sotshëm dhe në vende ku do të shihet nevoja, do të formohen detashmente shëtitës të Milicisë Ushtarake. Këto detashmente veç se do të jenë nën urdhrin e komandantit të batalionit të atyre zonave ku ato janë shënuar të shërbejnë, ato do të jenë kurdoherë përkrahësit e Policisë dhe të Xhandarmërisë për të siguruar qetësinë”. Kjo rregullore detyron punonjësit e Policisë të ndihmojnë në rast nevoje oficerët e Milicisë. Rregullorja përcaktonte detyrime për Policinë, teksa thekson se ajo angazhohet me detyra “për të mbledhur milicët për qëllime stërvitje ose lufte, apo shoqërimin e tyre në gjendje arresti, kur thirrja ishte për nevoja lufte”. Sipas këtij detyrimi ligjor kuptohet se qeveria, Policinë, ashtu sikurse edhe Xhandarmërinë e konsideronte në këtë kohë strukturë të besueshme e të sigurt për zbatimin e detyrave të qetësisë e rregullit dhe për më tepër për forcimin e zbatimin me imponim të akteve administrative të saj, çka do të ndikonte dukshëm në publik.
Krahas organizimit të strukturave të sigurisë, e në veçanti të Policisë në qytete, qeveria e Ismail Qemalit, punoi edhe për hartimin e akteve normative në të mirë të punëve të rendit e të sigurisë. Në mbledhjen e saj të datës 13 qershor 1913, ajo, miratoi dokumentin “Kanuni i Dëmeve”, vendim të cilin e zbardhi më datë 17 qershor. Në nenin nr. 8, të tij, shkruhej: “Çdo qytet dhe katund asht nevojë të kenë nga një a dy a më shumë ruajtës, pas nevojës për të ruajtur arat… (numërohen emërtimet e pronës private-H. L.) e për të mos shkelë kurrkush në kufi të tjetrit pa leje nga i zoti”. Dokument tjetër i rëndësishëm qe “Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipërisë”, që u shpall më 22 nëntor 1913, i cili pati disa norma për Policinë e Xhandarmërinë lidhur me statusin juridik të tyre. Sipas këtij dokumenti, Policia pati një organizim me strukturë në qendër (Zyra e Sigurimit Publik, ose, Drejtoria e Policisë) dhe zyrat (ose komiseritë) e policisë në varësi të prefekturave e nënprefekturave e komunave. Sipas Kanunit, duke u përcaktuar detyrat e përgjegjësitë e prefektit, (si autoritet vendor), tërthorazi jepej edhe misioni i Policisë, (si autoritet i qetësisë publike): “të mbajturit e qetësisë dhe të sigurisë publike në qarkun e prefekturës”. Komisari i Policisë ishte pjesëtar i administratës vendore, sikurse edhe komandanti i Xhandarmërisë. Është me interes të përmendet se në këtë periudhë, Policia verifikonte edhe sjelljet e personave që luteshin për pasaporta, leje arme apo për ndonjë aktivitet tjetër, dhënia e të cilave ishte në kompetencë të autoritetit administrativ. Policia varej nga autoriteti administrativ, dhe detyrohej t’i jepte njoftime e të zbatonte urdhrat e këtij autoriteti. Madje duhet evidentuar se polici zgjidhej prej këshillit të krahinës.
Ndër masat e tjera të sigurisë rezulton edhe ai i datës 3 dhjetor 1913, kur Qeveria e Përkohshme e Vlorës dekretoi “Formimin e një Gjindarmërie Shqiptare në krahinat e Jugut”, me mision marrjen në zotërim të territoreve në juridiksionin e saj dhe mbajtjen e rendit e të qetësisë në ato krahina.
Në kushtet që po punonte qeveria e Ismail Qemalit vështirësitë për organizimin e fuqizimin e strukturave të sigurisë ishin të panumërta. Administrata lokale ishte pothuajse ajo e kohës së Turqisë, mjetet e komunikimit ishin të mjeruara, elementë të shumtë dëshironin kthimin e sundimit osman, kundërshtitë midis krerëve të parisë shqiptare ishin të zjarrta, ndryshimet e drejtuesve të prefekturave e nënprefekturave në shumë raste u shoqëruan me konflikte të dhunshme, madje me armë, duke përfshirë edhe grupe fisnore, rreziku serbo-malazez në Veri dhe ai grek në Jug, shtoheshin nga dita në ditë, gjendja ekonomike qe katastrofike. Nga ana tjetër duhet pranuar se nuk mungonin kuadrot dhe personeli i arsimuar për shërbimin ushtarak dhe atë të sigurisë. Sundimi osman pati shkolluar shumë shqiptarë për Policinë, kryesisht në Stamboll dhe në Selanik, por ata ishin në pjesën më të madhe besnikë të Turqisë.
Ndonëse qeveria vijonte të merrte masa të shumta për sigurinë, vjeshta e vitit 1912 ndërlikoi shumë veprimtarinë normale të qeverisë së Vlorës, duke i sjellë kritika të forta për punën e sigurisë në vend. Një grup atdhetarësh, nën kryesinë e Mit’hat Frashërit, i dërgojnë një memorandum kryeministrit, Ismail Qemali, ku ndër të tjera i shkruajnë: “Që 10 muaj që filloi independenca jonë, as një çap s’është bërë për formimin e ndreqjes së Xhandarmërisë dhe të Policisë, po për kundra, duke pasur në vendin tonë kaq oficerë të mirë dhe të ndershëm. Oficerët e rinj janë bërë prej njerëzve që nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie me ushtrinë. Duhet pra të qërohen të tillë oficerë dhe të mbësohet (besohet-H. L.) puna e Xhandarmërisë dhe e Policisë në duar të ndershme dhe të stërvitura dhe të zgjidhni xhandarë e policë me kujdes të madh me një rregull të shtrënguar”.
Më herët përkrahës të Esad Toptanit, në një letër dërguar Ismail Qemalit, kërkonin transferimin e kryeqytetit nga Vlora në mesin e Shqipërisë, dhe kërkonin llogari, duke u shprehur se: “duam nga kabineja se ç’ka bërë për të lëshuarit (çlirimin-H.L.) e Korçës, Gjirokastrës, Kolonjës dhe viset e tjera t’ja dëftejë e t’ja botojë gjatë e gjerë popullit me një zadhanje të përgjithshme”. Nga ana tjetër nuk ndikoi pozitivisht largimi nga qeveria e Vlorës e shumë miqve të Ismail bej Qemalit dhe në veçanti largimi i Mehmet Pashë Dërrallës nga detyra (dorëhequr). Lidhur me këtë ngjarje, “Përlindje e Shqipniës” shkroi: “Ministri i Luftës hoqi dorë. Zoti Mehmet pashë Dërralla, i cili që ditën kur u çpall liria gjendet si ministër i luftës, e gjet me nevojë të apë lënien nga nëpunësia që kish”. Gazeta jep si shkak, të paraqitur prej ministrit, se: “Qeveria e Përtashme ka zanë një rrugë dhespotike, krejt kundër ndjenjave liberale”.
Edhe largimi misterioz i ministrit të Brendshëm të mëparshëm, Hasan Prishtinës, dhe bashkimi i tij me Esad Toptanin ishte disi çorientues për strukturat e qetësisë dhe vështirësoi kryerjen e detyrave të sigurisë. Por kjo nuk influencoi te forcat ndërkombëtare që gradualisht po shtrinin asistencën e tyre edhe në viset e tjera të Shqipërisë gati të copëtuar. Në kohën e qeverisjes së kabinetit të I. Qemalit, në Shqipëri ka qenë i ndjeshëm aktiviteti i ndërkombëtarëve. Koloneli Filips, me rezidencë në Shkodër, hartoi dokumentin “Rregulla që duhen respektuar nga ana e Trupave Ndërkombëtare dhe nga Policia Civile gjatë zbatimit të shërbimeve të Policisë”. Ky dokument solli një mendim të ri dhe kuadër më të përparuar ligjor e profesional në zbatimin e detyrave nga Policia, për çështje të tilla si: përdorimi i forcës në mbledhje të paautorizuara, përdorimi i armëve të zjarrit, hyrja në banesa për kontroll, kapja e arrestimi në flagrancë, thirrja e personave në gjykatë, ekzekutimi i gjobave për kundërvajtje, etj. Filips nxori më 6 dhjetor 1913 edhe dokumentin “Urdhëresat e Policisë”, me 20 nene, ku përcaktoheshin të drejtat e Policisë dhe detyrimet e shtetasve e të subjekteve të ndryshme ndaj ligjit (për mbledhjet publike, armë mbajtje pa leje, dhënien e lejeve për aktivitete të ndryshme, etj.)
Urdhëresa qe një shkurtim i akteve të Policisë franceze, pa konsideruar realitetin shqiptar. Sipas saj, parashikohej që në Shqipëri të zhvilloheshin grumbullime, të cilat duhej të bëheshin vetëm me leje të autoritetit të qetësisë. Urdhëresa rregullonte veprimtarinë e subjekteve private të licencuara, detyrimin e tyre për të bashkëpunuar me Policinë për zbulimin dhe kapjen e personave si të dyshuar apo të kërkuar. Për herë të parë, në këtë dokument, bëhet fjalë për shtëpitë publike, të cilat “duhet të jenë të kontrolluara” dhe po kështu “detyrohen pronarët e haneve e hoteleve që të mbajnë regjistër për personat që flenë në këto vende”. Ndonëse qe i dukshëm roli i ndërkombëtarëve në punët e sigurisë, më 7 dhjetor 1913, qeveria e I. Qemalit, duke e ndjerë veten ta pazonja për menaxhimin e situatës në vend, në marrëveshje me Këshillin Ndërkombëtar të Kontrollit shpalli shtetrrethimin (idare-yrfije) “e për këtë qëllim i jep fuqi të plotë misiës holandeze të Gjendarmërisë që të marrë të gjitha masatë që do të gjykojë të nevojshme për shiguriën e vendit”, – deklaroi kryetari i Governës, I. Qemali më 24 shëndre 1913. Më 30 dhjetor 1913, struktura të Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit (guvernatori civil i Shkodrës, koloneli Filips), organizojnë në Shkodër Policinë Civile, ndërsa xhandarmëria holandeze mori në duar mbajtjen e rendit në Shqipëri.