DR.MISIN BRAHA: MISIONI I DJALLIT (MISTERI I NJË ‘KRIRURGU’ SLLAVO-AUSTRALIAN)

Pashtriku.org, 16 janar 2018: (Prolog) – Në ditët e para të prillit 2012, një mik i mirë i Kukësit ishte takuar me disa shokë të Kosovës në Prizren ku kishin diskutuar për një libër që ishte përkthyer e botuar nga enti botues “Koha” në Prishtinë. Ai libër ishte shkruar nga Craig Juriseviç me titullin: “Duart e përgjakura, kirurgu në luftë”. Ishte shkruar nga autori bazuar në kujtimet e tij nga koha e eksodit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 dhe është botuar në shkurtin e vitit 2010. Autori thotë se ka qenë në atë kohë (28 Prill-12 Qershor ’99) në Kukës me detyrën e mjekut kirurg dhe se kishte ardhur nga Adelajde (Australi) në ndihmë të luftës së Kosovës. Që në fillim Craig Juriseviç (faqe 6) shkruan se “Rrëfimi i këtij libri është faktik” dhe se “me shumë përkujdesje janë verifikuar emrat, datat dhe detajet gjatë gjithë librit, por me që mbështetet mbi kujtesën, ndonjë gabim i paqëllimtë do të ketë ndodhur”. Më tej shkruan se “Ndonjëherë, emrat e vërtetë janë zëvendësuar me të tjerë, për t’i mbrojtur njerëzit që mund të pësojnë hakmarrje”, ndërsa më tej vazhdon se “Sjellja dhe të folurit e secilit person në këtë libër janë të sakta, pavarësisht se sa me kujdes janë kamufluar”.

E pak më poshtë fraza: “Botuesi nuk merr asnjë përgjegjësi ose barrë juridike për pasaktësitë…, megjithatë u falënderohemi të gjithë atyre që mund të plotësojnë librin me informata shtesë”. Pasi e lexuam librin nga faqja e parë deri tek ajo e fundit kemi vërejtje serioze dhe kundërshti të forta, sepse kur shkruhet se “rrëfimi i këtij libri është faktik atëherë argumentet e vetëm duhet të jenë faktet e të vërtetat, jo fantazitë, shpifjet, gënjeshtrat dhe të pavërtetat”. Ky është motivi kryesor që më shtyu të marr vendimin të hulumtoj, të dokumentoj dhe të shkruaj e gjej fakte, bazuar në të dhënat dokumentare të pakundërshtueshme të arkivit të spitalit të Kukësit, të dëshmive të punonjësve të këtij institucioni human që kanë punuar e kanë shërbyer në atë kohë tejet të vështirë sidomos në pikën kulmore prej periudhës 27 mars deri më 12 qershor 1999. Kam mbledhur dokumente dhe të dhëna nga institucione të ndryshme të Kukësit si nga pushteti vendor, nga organet e policisë dhe të prokurorisë, kam shfrytëzuar filmimet dhe fotografimet e mediave të shumta që kanë qenë në Kukës për atë periudhë dhe kam marrë shumë dëshmi nga shqiptarët e ardhur nga Kosova, nga të sëmurë e të plagosur që kanë qenë të shtruar në spital, nga familjarë dhe të afërm të tyre. Jam takuar mbas shumë vitesh me prindër fëmijësh që janë shtruar e janë mjekuar në spitalin e qytetit të Kukësit në periudhën 27 mars deri më 12 qershor 1999. Pothuajse për më shumë se një vit jam marrë me verifikimin dhe saktësimin e çdo ngjarje, çdo veprimtarie dhe të çdo fakti për të qenë i saktë dhe i vërtetë, i sigurt në kundërshtimin tonë kundrejt gënjeshtarit Juriseviç dhe ngjarjeve e trillimeve që ka shkruar në librin e tij. Sa i përket entit botues “Koha” mendojmë se ka thënë një të vërtetë që na ndihmon edhe ne, kur shkruan se “Botuesi nuk merr asnjë përgjegjësi ose barrë juridike për pasaktësitë” duke i vërejtur ato pasaktësi realisht. E për ne ato pasaktësi fillojnë që në faqen e parë deri tek faqja e fundit e librit. Mendojmë se do të ishte më e drejtë që “Koha” t’u falënderohet jo vetëm atyre që mund ta plotësojnë librin me informata shtesë, por sidomos atyre që me fakte, më të vërteta dhe vetëm të vërteta ta hedhin poshtë me neveri librin e Juriseviçit. Libër i cili është bazuar jo vetëm në pasaktësitë, por çka është më irrituese e revoltuese është mbështetur vetëm në ngjarje që kurrë nuk kanë ndodhur.

***
LEXONI LIBRIN “MISIONI I DJALLIT” NË FORMATIN PDF:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Misin-Braha-misioniidjallit.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura