HILMI GASHI: ‘JUGOSLLAVIA E RE’, NJË IDE DHE RREZIKU I SAJ

Prishtinë, 15. 11. 2013 – Nëse Ballkani Perëndimor është i interesuar të vendosë bashkëpunim konkret dhe dobiprurës, le ta bëjë atë me projekte të përbashkëta ekonomike dhe infrastrukturore. Sa për bashkime të reja politike, institucionale dhe organizative, shtetet e Ballkanit e kanë pikëmbërritjen e tyre, që është BE-ja.
Jugosllavia, një term drithërues për popujt ballkanik të cilët deri para më pak së dy dekadash ishin pjesë e kësaj konfederate artificiale të ndërtuar mbi themelet e sloganit famëkeq “vëllazërim-bashkim”. Në veçanti për shqiptarët e Kosovës, kujtimet e të cilëve që prej formimit të saj janë të errëta, atëbotë e quajtur krahinë autonome brenda republikës federale të Serbisë.
Fuçia e saj gjeopolitike, gjeostrategjike, ushtarake dhe ekonomike, në fakt ishte e pakontestueshme në kohën e një sistemi të mjegullt që atëbotë shumica e vendeve të tjera të Evropës, në veçanti të asaj Lindore ishin nën ombrellën e komunizmit marksist e leninist. Ndryshe nga këto, Jugosllavia socialiste dhe komuniste ruajti primatin e saj neutral mes lindjes dhe perëndimit duke gëzuar në vazhdimësi mbështetje të madhe, veçmas nga bota e perëndimit.

 Në ditën e gjykimit të tij për krime lufte në Hagë, ish-presidenti serb Slobodan Milosevic, drejtoj gishtin në disa prej vendeve evropiane në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fajtore për shkatërrimin e Jugosllavisë. Ai fare nuk predikonte veten si shkaktari dhe feniksi i tërë atij zjarri dhe skenari të dhimbshëm, ku me këmbëngulësi synonte ruajtjen dhe dominimin e fuqisë serbe në nivel të pushtetit qendror të konfederatës, dhe siç thonë shumë studiues gjermanë ambicien për krijimin e një Serbie të Madhe.
Rruga e saj ashtu sikurse ishte nisur, përfundoi si mos më keq. E tëra në gjak. Jo shumëkush mendonte se kjo do të ndodhte në mes të Evropës, ose thënë më ndryshe ka qenë lejuar të ndodhte, pas gati katërdhjetepesë vitesh paqe pas Luftës së II Botërore. Evropa dështoj në politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë si një aktor i rëndësishëm global, me qëndrimin e saj si spektator karshi këtyre ngjarjeve të zymta që pushtuan ndërgjegjen e gjithsecilit.
Me fundin e viteve të 80-ta dhe fillimin e viteve të 90-ta, lindi një rend i ri botëror. Ngjarje të mëdha dhe të paparashikuara u zhvilluan vrullshëm: flakja e komunizmit dhe përqafimi i një rendi të ri demokratik, shembja e murit të Berlinit dhe bashkimi i Gjermanisë, shkëputja e shteteve lindore nga ndikimi sovjetik, lufta mes Irakut dhe Kuvajtit, shpërthimi i luftës civile në Somali etj.). Me një fjalë, bota ishte e zënë.
Duke mos shkuar më tej, së fundmi, jo shumë vite pas kësaj historie të dhimbshme, fillon të qarkulloj një ide e re: krijimi i një “Unioni Ballkanikoperëndimor” (bashkim prej gjashtë shteteve të Ballkanit si Malit i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, pa Slloveninë dhe Kroacinë si pjesë tashmë të BE-së), apo thënë më ndryshe “Jugosllavia e re”. Që në fillim, e vërteta e qëllimit të saj dhe interesave serbe na bëhet përnjëherë e qartë. Statusi i Kosovës edhe në këtë ide të rrezikshme pretendohet nga pala serbe të mos referohet republikë a shtet i pavarur dhe sovran.
Me gjithë këtë, Shqipëria dhe Kosova duhet ta kundërshtojnë këtë plan në mënyrë kategorike. Të dy vendet shqiptare nuk mund të kenë asnjë interes diplomatik, politik, kombëtar dhe strategjik, të futen nën ombrellën e ndonjë Jugosllavie të re. Shqiptarët nuk kanë opsion tjetër veç BE-së, NATO-s dhe Amerikës.
Bashkimi Evropian e përkrahë çdo iniciativë drejtë integrimeve evropiane dhe kjo nismë e definuar si gjoja një iniciativë e tillë shtesë që do shërbente si lehtësim për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejtë strukturave të BE-së, në fakt janë vetëm shumëfishime të iniciativave që ekzistojnë në këtë kontekst. Aq më pak, kur qëllimi i kësaj është tërësisht jashtë këtij konteksti.
Me të drejtë, ish-presidenti kroat Stipe Mesiç, në një intervistë me agjencinë “Anadolli Azhans” në 21 shtator, për këtë nismë deklaron: “Një Jugosllavi e re është një iluzion. Ne kemi pasur dy eksperimente me Jugosllavinë, Jugosllavinë e parë dhe të dytën, dhe të dyja përfunduan në gjak. Në termat e një asociacioni politik, nisma e Luksiçit nuk ka asnjë kuptim”.
Nëse Ballkani Perëndimor është i interesuar të vendosë bashkëpunim konkret dhe dobiprurës, le ta bëjë atë me projekte të përbashkëta ekonomike dhe infrastrukturore, me gazsjellës dhe naftësjellës të përbashkët, me autostrada dhe linja interkonjeksioni të përbashkëta, me rrjete hekurudhore dhe prodhim të përbashkët energjie etj. Sa për bashkime të reja politike, institucionale dhe organizative, shtetet e Ballkanit e kanë pikëmbërritjen e tyre, që është BE-ja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

PERANDORIA SOROS!

PERANDORIA SOROS! Nga Sheradin Berisha, Facebook 7 Mars 2022 Ashtu sikurse të gjithë miliarderët globalistë edhe globalisti Xhorxh…