Thun, 13 dhjetor 2018: Edhe këtë vit shoqata “Atdheu” e Thuni-it me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit tonë kombëtar dhe 106 vjetorin të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë organizoi më 1 dhjetor 2018 tubim festiv. Salla e restorantit Morris në Thun ashtu si edhe me rastin e shënimeve të ngjarjeve tjera si dhe festave kombëtare dhe shtetërore të organizuar nga kjo shoqatë, ishte mbushur përplot me njerëz, të cilët kanë ardhur nga shumë anë të Kantonit për të festuar se bashku.
***
Manifestimi i moderuar për bukuri nga aktivistët e ri të shoqatës Kastriot dhe Drita Dulla filloi me himnit kombëtar shqiptar dhe vijoj më pas me dy valle. Fjalën përshëndetëse përpara gati 600 pjesëmarrëseve dhe pjesëmarrësve të të gjitha gjeneratave e mbajti kryetari i SHKSH “Atdheu”, Xhemshir Zenuni. “Ne shqiptarët kudo që jetojmë, të gjitha gjeneratat edhe ato që do të vijnë pas nesh, do të festojmë me krenari. Ne do t’i nderojmë të gjithë heronjtë, të cilët nuk kursyen jetën dhe gjakun e tyre, që kombi ynë të mos mbetet nën thundrën barbare”, u shpreh ai. Në fjalim z. Zenuni përmendi edhe Heroin tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe bëri thirrje që të ndiqet shembulli i tij dhe të shumë atdhetareve për të “kryer detyrën ndaj atdheut dhe se dashuria për atdheun ia kalon çdo dashurie tjetër”
Ai për këtë i falënderoi anëtarët e tij të kryesisë, anëtarët e shoqatës dhe grupin e valltareve, të cilat me vallet e tyre e zbukurojnë jo vetëm këtë Festë në Thun por marrin pjesë edhe në manifestimet tjera si në Ostermundigen BE dhe në Biel/Bienne. Me këtë rast Xhemshir Zenuni përshëndeti edhe mysafirët prej Bernës dhe falënderoi Shoqatën “Bashkimi” prej Ostermundingenit të udhëhequr nga kryetari Ajet Cërvadiku për pjesëmarrje dhe paraqitjet artistike.
Mërgata si urë lidhëse dhe përfaqësuese e vlerave tona
Në emër të Ambasadës së Shqipërisë ka folur z. Marin Meksi, zëvendës-Ambasador dhe Konsull i Republikës së Shqipërisë. Ai të pranishmëve ua uroi Festën e Flamurit dhe falënderoi shoqatën Atdheu për organizimin e Festës. Ai tha se organizimi i festës për komunitetin shqiptar në Thun tregon rëndësinë që ka ruajtja e vlerave dhe traditave kulturore. “Ju keni ftuar edhe miq zviceran. Kjo është mënyra më e mirë për të treguar vlerat tona, traditat tona. Nëpërmjet artit dhe kulturës u tregojmë miqve tanë vlerat tona kombëtare”.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Bernë z. Rrahim Morina, zëvendës Ambasador, në urimin e tij për pavarësi e përkujtoji edhe njëherë rolin dhe rëndësinë që ka mërgata për Kosovën, sidomos në fushën e kontributit të përhershëm për liri dhe mbështetje ekonomike. Si shtet i ri ende kemi punë për të bë dhe llogaritet në mbështetjen e mërgimtarëve.
Fred Hodel, Shefi i Zyrës kompetente për Integrim, mysafir i rregullt në Festë i bëri një bilanc të zhvillimeve shoqërore dhe politike në rejonin e Thun-it dhe e falënderoi Shoqatën për kontributin që jep në lëmine e bashkëjetesës.
Deputetja komunale e qytetit të Thunit, Darshikka Krishnanantham, e Partisë Social demokratike uroi Festën e Pavarësisë dhe falënderoi të pranishmit për mbështetjen që kishte marrë në zgjedhjet e nëntorit.
Lypet gjithmonë edhe angazhimi qytetarë për të korrur suksese
Hilmi Gashi, bashkëudhëheqëse i Sindikatës Unia u përqendrua në fjalimin e tij në rëndësinë që ka qytetaria aktive, për realizimin e të drejtave qytetare. Për këtë ai e morri si shembull angazhimin e njerëzve aktiv në Thun dhe rrethinë për të mundësuar shumë aktivitete dhe të arritura. Ai informoi të pranishmit, se Këshilli Federal i Zvicrës kishte pranuar Marrëveshjen Për Siguri Sociale dhe me këtë edhe për pensione me Kosovën. “Ky është një sukses i madh. Pas një angazhimi mbi 8 vjeçar të Sindikatës Unia, aktivistëve të shumtë të pranishëm edhe këtu në mesin tonë, kemi korrur sukses”. Sipas tij është dashur një angazhim i madh për të mënjanuar këtë të padrejtë. Me këtë komuniteti ynë, i mbështetur nga Unia si Sindikata më e madhe në Zvicër ka ndikuar dukshëm që kjo marrëveshje të bëhet realitet. “Baci Shaban Qorri ka mbledhur shumë nënshkrime për peticion, Blerta Neziri në fjalimin e saj më 1 Maj ia ka përkujtuar Ministrit për çështje sociale z. Alain Berset, diskriminimin që po u bëhet shtetasve të Kosovës në fushën e pensioneve, Hisni Isufi dhe Xhemshir Zenuni e kanë ngritur temën në grupin e ndërtimtarisë dhe me këtë edhe e kanë bë temë edhe të Kongresit të Unia”, shprehet kështu Hilmi Gashi. Sipas tij, janë mu këta shembuj të mirë të qytetarisë aktive dhe ndërlidhen me fjalimin e Kryetarit të Shoqatës, z. Zenuni cili përmendi “kryerjen e detyrës ndaj atdheut”.
Muzika dhe vallja shqipe entuziazmon të gjithë
Në vazhdim të programit u prezantuan me këngë dhe valle artistet dhe artistët e të gjitha moshave të Shoqatës “Atdheu” nga Thuni dhe të Shoqatës “Bashkimi”, prej Ostermundigenit. Pas pikave artistike programi u vazhdua me këndë dhe muzikë, e që rast të pranishmit u lidhën në valle dhe vazhduan festën deri në orët e vona të mbrëmjes.