HILMI GASHI: REZALLA NË KUJTIM TË 5 PRILLIT 1999!

Prishtinë, 04. 04. 2015 – Kam parë dhe përjetuar aq tmerr sa s’dua të kem më sy e as mendje. Kështu rrëfen Sevdije Zabeli, ditën e fundit të 5 prillit të vitit 1999, kur djalin e vogël Burimin i cili sa kishte mbushur plot 12 pranvera jetë, ia morën nga duart dhe e vranë bashkë me babin e tij Gjemajlin, në një vend ku edhe u ekzekutuan afro 90 njerëz të tjerë të këtij fshati, dhe të fshatrave tjera që ishin mysafir dhe të strehuar refugjatë si lufte në këtë vend, që të gjithë civil të zënë robër. Është kjo një nga masakrat e shumta e të kobshme që ndodhi në këtë pjesë të Drenicës, në fshatin Rezallë të Skenderajt.
Me 5 prill të këtij viti, mbushën plot 16 vjet kur forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe shkatërruan gjithçka në këtë vend, dogjën dhe vranë për të mos u mëkëmbur me kohë të gjatë. Se lakmia e ushtarëve të helmuar të regjimit të Millosheviçit ishte hakmarrje ndaj gjithçkaje që frymonte shqip, kjo nuk donte mend të kuptohej. Jo vetëm Burimi ishte viktima e vetme si i ri që pagoi këtë çmim të madh për lirinë që neve sot e gëzojmë, në mesin e kësaj masakre ishin edhe plot fëmijë të tjerë të lagjeve të Rezallës e deri tek pleqtë mbi moshën 90 vjeç, që u vranë pabesisht nga dora serbe. Që të gjithë u hodhën në një gropë, ndërsa arritën të shpëtojnë vetëm tre nga ta, Misin Deliu, Sadri Gashi (i vrarë më vonë nga forcat serbe) dhe Ismet Rukolli atë kohë vetëm 15 vjeç.

– Kosova – dosje e fryrë e krimit të pandëshkuar! – 

Për të fryrë edhe më shumë krimin që bënë, as një javë më vonë paramilitarët serbë u kthyen në vendin e tmerrit dhe morën eshtrat e trupave të pajetë për t’i zhdukur gjurmët e krimit të tyre përfundimisht. Sot pas 16 vitesh nga paslufta, me ecurinë jashtëzakonisht të dobët të organeve të drejtësisë çoftë vendore çoftë ndërkombëtare, gjinden në Rudnicë të Rashkës në Serbi eshtrat e vetëm 28 të vrarëve në këtë masakër, në mesin e të cilëve edhe eshtrat e Burimit dhe dy fëmijëve të tjerë Besim Rukollit, atë kohë 14 vjeç dhe Përparim Hotit nga Morina 16 vjeç. “A e kanë gjet dikon a”, e pyet ai (Mesin Deliu ish i mbijetuar) nipin, që ia bërtet emrat në vesh për shkak se ka dëgjim të dobët. I mbushen sytë me lot sa herë e kujton këtë ditë të tmerrit, kur djemtë dhe burrat ishin ndarë nga gratë për t’u pushkatuar.
Mënyra si u krye masakra në këtë fshat dhe në fshatrat tjera, ishin dëshmi sesi Beogradi realizonte planin e tij që ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës. Ende Kosova mbetet një dosje e fryrë e krimit të pandëshkuar. Prapëseprapë, eshtrat e disa prej bijve tanë po kthehen e krahas dhimbjes së pafund që do i shoqëroj nënat tona, do jetë megjithatë një lehtësim që më në fund disa do kenë mundësinë që lotët t’i derdhin mbi varret dhe eshtrat e tyre që sot janë simbol i lirisë sonë. Me 5 prill bëhet rivarrimi i eshtrave të tyre, ndaj është obligim i gjithsecilit që ka mundësinë të vijë dhe t’i nderoj viktimat e kësaj masakre dhe t’i nderoj nënat e këtij fshati që kanë dhënë aq shumë për këtë vend. Lavdia i takon dëshmorëve, heronjve, luftëtarëve, nënave, baballarëve e fëmijëve, u takon të gjithëve kur luftohet për kauzën e lirisë.

– Kontakti me autorin: [email protected].

=========================
NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

Masakra e Rezallës – 05 prill 1999 – Video Ekskluzive:
Xhirime Ekskluzive të kamermanit “Besfort Hasanaj Chibis” nga vendi ku janë vrarë e masakruar 88 civilë (42 të Rezallës dhe 46 të fshatrave përrethë në komunën e Skënderajt) nga ushria dhe paramilitarët serb, me 5 prill 1999. Xhirimet janë bërë në qershor 1999.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura