DITËT KUR NË PEJË KËNDONTE DHE MASAKRONTE NEBOJSHA MINIQI!

DITËT KUR NË PEJË KËNDONTE DHE MASAKRONTE NEBOJSHA MINIQI!

Fragment nga libri ‘Matanë maleve të të nëmurve – Lufta brenda Kosovës’ të gazetarit anglez Matthew Mcallester

Sheradin Berisha, Pashtriku, 21 Korrik 2021

Gjashtë vjet pas masakrimit të familjes Bala në Pejë (pesë fëmijë dhe dy të rritur) në Argjentinë është arrestuar Nebojsha Miniç, një kriminel serb. Në librin me titull “Matanë maleve të të nëmurve – Lufta brenda Kosovës”, gazetari britanik Matthew Mcallester përshkruan hollësisht krimin e llahtarshëm serb. Me pëlqimin e revistës “Pasqyra”, ku është botuar fillimisht ky tekst, “Shekulli” në tri vazhdime (03-04-06-2005) sjell ekskluzivisht për opinionin e gjerë kapitullin mbi vrasjen e familjes Bala dhe rolin e Miniçit dhe paramilitarëve të tjerë serbë në Pejë. Matthew McAllester, gazetari që mbuloi luftën e Kosovës për të përditshmen amerikane “Newsday”, dhe që pas përfundimit të luftës ka botuar një libër për luftën që preku në terren. Në mesin e shumë gazetarëve që mbuluan luftën në Kosovë ishte dhe britaniku Matthew McAllester, që punonte për “Newsday”, e përditshme amerikane. Por lufta në Kosovë nuk mbeti thjesht në raportet e përditshme të gazetarit. Dy vjet pas përfundimit të luftës ai botoi librin “Përtej maleve të të nëmunve – Lufta brenda Kosovës”. Atëherë kur NATO-ja sulmonte caqet serbe, UÇK-ja luftonte në tokë, paraushtarakët dhe njësitet serbe masakronin civilë. Historia që ai sjell, është historia e zakonshme e një familjeje shqiptare në Pejë që është përpjekur të mbijetojë në kohën e aparteidit, që u përpoq të mbijetonte gjatë sulmeve ajrore të NATO-s dhe që në momentin e fundit kur sulmet ajrore përfunduan dhe NATO-ja vetëm kishte mbërritur në Prishtinë, paraushtarakët e Miniqit vrasin pesë nga shtatë fëmijët e familjes Bala, njëherësh dhe Vjollcë e Musa Balën, duke lënë pas vëllain tjetër, Isa Balën, bashkëshorten e tij, Halishen, dhe dy fëmijë që mbijetuan vetëm në saje të fatit. Libri i publicistit McAllister është historia e një jete, e një familjeje që pavarësisht kushteve të vështira dhe dhunës, beson se fëmijët dhe puna i japin kuptim jetës. Natyrisht, kjo nuk mjafton për familjen Bala, historia e së cilës është historia e njeriut që kalon nga komunizmi në aparteid e më pas në luftë. McAllester nuk tregon luftën virtuale, por atë të vërtetën, ku çdo frymëmarrje më tepër është dhe shenjë fati që je gjallë apo e kundërta, shenjë se duhet ta mbash në shpinë një fat të tmerrshëm. Në vazhdim, nga ky libër sillet kapitulli “Vrasjet”, një dëshmi më shumë se tmerret e ndodhura në Kosovë nuk janë treguar ende.

DITËT KUR NEBOJSHA MINIQI KËNDONTE DHE MASAKRONTE NEBOJSHA MINIQI

Shkruan: Matthew Mcallester

Dukej sikur një betejë e armatosur kishte shpërthyer në të gjithë Pejën, ndonëse nuk mund të qe kështu. Në qytet nuk kishte më armiq ndaj të cilëve mund të luftonin serbët. Halishja ishte e trembur. Serbët ishin çmendur krejt. “Duhet të ketë një marrëveshje”, tha Isai që kishte dëgjuar lajmet në televizionin e fqinjit, derisa sateliti i tij nuk punonte më. “Mos u shqetëso. Ata janë marrosur krejt dhe do të festojnë edhe humbjet e tyre”. Është e mërkurë, 9 qershor dhe serbët kanë humbur dhe një tjetër betejë në Kosovë. Por këtë radhë, ndryshe nga 1389-a, fundi është i qartë. Është një humbje e pastër. 610 vjet më parë beteja në Fushë-Kosovë kishte shënuar rrënimin e Serbisë si një vend i pavarur, çfarë bëri që beteja e famshme të shihej si humbje. Por këtë radhë është mundur. Nuk ka keqkuptime, se marrëveshja që Millosheviçi do të nënshkruajë me NATO-n është humbje dhe në dallim nga 1389-a, shumica e serbëve të Kosovës nuk po rrinë të kundrojnë si do të ecin gjërat pas konfliktit. Ndonëse pala e tij – NATO’ja dhe guerilët e UÇK-së, kanë fituar – Isai është i trembur. Ushtarët e mundur mund t’iu kthehen civilëve për t’u hakmarrë. Dhe serbët e thjeshtë, fqinjët, që tashmë duhet të largohen nga shtëpitë e tyre pa faj, ndoshta nuk do të jenë aq të sjellshëm sa kanë qenë në këto 11 javë të bombardimeve. Gjatë natës Isai ulet në dritare, i shqetësuar se dikush do të vijë në shtëpinë e tyre. Balajt janë ndër të paktat familje të mbetura në qytet dhe të gjithë e dinë këtë. Ata janë një cak i kollajshëm për dikë që do të hakmerret. Isai shikon rrugën dhe heton me kujdes hijet që lënë dritat e makinave të mbushura me veshje, gjëra të vlefshme dhe fëmijët. Fillimisht ishin fqinjët e tij shqiptarë që ikën kështu, ndërsa tani ata serbë kanë filluar të braktisin shtëpitë dhe qytetin. Ka nga ata që po ikin me traktorë, njësoj si shqiptarët, duke u larguar nga fshatrat afër, përmes Pejës, drejt maleve që të çojnë në Mal të Zi.

Krimineli këndon

Duke ndenjur i menduar pranë dritares, një ditë pasi NATO-ja kishte ndërprerë bombardimet, Isai pa një Lada Niva të forcave policore të kamufluar në ngjyrë blu dhe të purpurt. Ai e dinte se ajo i takonte Nebojsha Miniqit. E kishte parë të kalonte gjatë këtyre javëve nëpër rrugë dhe lutej të mos i vinte re se Balajt ishin ende në qytet. Kishte dëgjuar shumë për Miniqin gjatë këtyre javëve dhe nga të gjitha ato e dinte se qe më mirë që Miniqi të mos e dinte se ata ishin ende në shtëpinë e tyre. Niva është në krye të një kolone prej 15 makinash që ecnin ngadalë, kur hynë në rrugën Dushan- Mugosha dhe kaluan para shtëpisë së Isait. Makinat e tjera janë të zeza, derisa banda e Miniqit thirret Munje apo Rrufeja. Isai i sheh dhe mendon: “Ata kanë armë të luftojnë me gjysmën e Evropës”. Rada, e dashura e Miniqit, një refugjate serbe e Bosnjës, qëndron e ulur në vendin e pasagjerit, pranë Miniqit, që mban një megafon në dorë derisa ecën ngadalë në rrugët e Pejës. “Vëllezër serbë, mos e lini Kosovën! Kosova është e jona! Mos e lëshoni Kosovën!”- thërriste Miniqi nëpër rrugë. Më pas ai fillon të këndojë këngë popullore serbe, nga ato që flasin për krenarinë serbe dhe fitoren. Më pas makinat e tjera kanë pankarta ku shkruhet “Serbia e Kosova janë tonat”. Parada e makinave kalon shtëpinë e Isait dhe drejtohet në pjesët e tjera të qytetit, derisa zëri bëhet gjithmonë e më i largët, kurse autokolona i bie qytetit dy herë radhazi. “Ai ishte i dëshpëruar dhe donte të riorganizonte njerëzit e tij dhe të bashkohej me ata që kishin mbetur nga ushtria, policia dhe grupet e tjera paraushtarake që ishin të gatshëm të qëndronin dhe të prisnin ardhjen e italianëve në qytet”, kujton një ushtar serb me pseudonimin “Gjorgje”, që e kishte njohur Miniqin gjatë luftës dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me Munje. “Ishte parashikuar që ata të qëndronin dhe të mbronin serbët e mbetur, të gatshëm për të qëndruar. Njëherësh të mbronin qytetin nga UÇK-ja, derisa nuk kishin ardhur italianët. Nuk e di sesa ishin, pasi vetë jam larguar dy ditë para fundit”, – tregon Gjorgje.

Të premten Isai shikonte civilët serbë, jo larg lagjes së tij, që kishin injoruar thirrjet e Miniqit dhe largoheshin këtë radhë me shumicë. Makinat e tyre kaluan para shtëpisë së Isait në drejtim të Malit të Zi. Vetëm pak njerëz kishin mbetur: pak ishin shqiptarët që qëndruan dhe mbijetuan, tashmë janë pak civilë serbë që janë të gatshëm të qëndrojnë, duke rrezikuar ardhjen e UÇK-së dhe NATO-s, për hir të shtëpive të tyre. Të shtunën në mbrëmje Peja ishte më e qetë, krahasuar me ditët e fundit. Rryma ishte ndërprerë që në drekë, kështu që Balajt u bënë gati për shtrat më herët se zakonisht. Musai e kaloi paraditen te Riza. Ai kishte marrë dy litra raki me vete dhe pas disa orësh, kur ishte larguar, kishte mbetur vetëm një litër. Tani ai është disi i pirë dhe qëndron i ulur duke pirë cigaret njëra pas tjetrës. Halishje po ngroh fasule në një ngrohëse të vogël gazi. Nuk ka më kuptim të qëndrohet më gjatë në errësirë derisa fëmijët po bëhen edhe më shume grindavecë. Ata po e ndiejnë se koha e çlirimit për ta është afër, pas tre muajsh që kanë qëndruar mbyllur. Dje Halishja kishte bërë petulla në oborr. Fëmijët, pasi i kishin ngrënë petullat me sheqer, i kishin puthur duart Halishes. Ishte një ndjesi feste. Edhe sonte fëmijët ndieheshin njësoj, por Isai kishte ankth. Halishja dhe Vjollca i veshën fëmijëve pizhamet që t’i çonin në shtrat menjëherë pas darkës me fasule. Isa po ndihmonte duke shtruar përdhe në dhomën e ndenjies për familjen e tij dhe në dhomën ngjitur për familjen e Musait. Nesër, kishte njoftuar televizori, trupat e NATO-s do të arrinin dhe në Kosovën perëndimore.

Kërcënime me dhunim

Miku i vjetër i Isait, Ramë Gashi, po mbante cigaren në gishtat e hollë tashmë në ngjyrë kafe dhe tymoste në errësirën e natës. Ora sapo ka kaluar tetë dhe është shumë errësirë. Rama rri uluar në karrige në oborrin e shtëpisë së tij të mbyllur me dyer të larta hekuri, që gjendet në krye të rrugës Kozmonauti. Derisa thithte cigaren, mendonte se si ia kishte dalë familja e tij të mbijetonte në Pejë. Vetëm një grusht njerëzish kanë qëndruar dhe kanë mundur të mbeten gjallë në Pejë. Familja e tij ishte në mesin e 10 mijë njerëzve që u dërguan në stadiumin e basketbollit dhe që të nesërmen i thanë të kthehen në shtëpi. Përveç kësaj ata u përpoqën dhe dy herë të tjera, por çdo herë i kthyen mbrapsht. Policia ushtarake dhe paraushtarakët serbë e dinin që familja e tij ishte në qytet. Rama madje ishte me Isanë në gjykatë ditën e gjyqit të Musait. Ai i mbante mend fjalët e Baçkoviqit. Nga jashtë dëgjohet zhurma e një makine dhe më pas ndalet. Për fat të keq, dëgjohen të trokitura në derë. Rama qëndron i heshtur pa bërë as zhurmën më të vogël. “Hapeni”, dëgjohet një zë burri që thërret në serbisht. “Hapeni!”, Rama sërish nuk lëviz. Kushdo që të jetë ndoshta troket e shkon. Brenda në shtëpi janë gruaja dhe tetë fëmijët, mes të cilëve dhe tri vajza adoleshente, Shpresa, Shqipja dhe Valbona. I kujtohet dita kur filluan bombardimet dhe kërcënimet e atij që dihet se çfarë nami ka. Ishte një serb i madh i quajtur Nebojsha Miniq. Njerëzit e tij kishin ardhur në fillim të bombardimeve dhe kishin kërkuar para, duke kërcënuar se do të dhunonin tri bijat e tij, nëse plaku nuk jepte para në dorë menjëherë. Rama është 65 vjeç dhe punët me shëndetin nuk i ka fort mirë. Ka punuar si inxhinier dhe ka dalë në pension pak vite më parë. Paratë nuk i ka me shumicë, por atë ditë i dha aq sa mundi njerëzve të Miniqit. Rama shpreson se kushdoqoftë ai që po troket në derë, nuk është Miniqi, djalli që ai e njeh se si është. Sapo kishin dëgjuar të goditurat në derë, fëmijët ishin mbledhur te dritaret, shihnin oborrin dhe kishin ngulur sytë nga porta e hekurt e shtëpisë. Ai filloi të dëgjonte njerëzit që ngjiteshin në muret e shtëpisë dhe më pas ja ku janë dorezat e zeza pa gishta, derisa një xhip kaki rrafshoi muret e derës dhe hyri në oborr. Rama e dinte se tashmë nuk mund të bënte asgjë. Më pas një fytyrë e vizatuar me viza të zeza shfaqet. “Hapeni derën ju të q… nëne”, thërriste fytyra e vizatuar.

Fytyra të vizatuara

“Oh, tungjatjeta, prit vetëm një minutë se po vij ta hap derën”, – thirri Rama me zë mikpritës. Hapi derën ku po rrinin Miniqi dhe njerëzit e tij. Ishin gjithsej rreth 30 veta, të gjithë në tesha kamuflazhi, të gjithë me fytyra të vizatuara me viza të zeza dhe pa shenja identifikuese. Kishin ardhur në gjashtë xhipa të mëdhenj. Një nga njerëzit e Miniqit i vuri armën në fyt Ramës dhe shkuan nga dhoma e ndenjies. Fëmijët filluan të bërtasin. Rreth nëntë prej njerëzve të Miniqit ishin brenda në shtëpi. “Mbylleni gojën”, iu kërcënua një nga burrat, duke ia drejtuar armën fëmijëve. Miniqi u ul në kaluçin trengjyrësh, të trëndafiltë, të zi e blu në dhomën e ndenjies, që ishte përballë me derën e hyrjes dhe fuste gishtat në flokët e zinj të prerë shkurt. Dy nga njerëzit e tij erdhën në dhomën e ndenjies derisa ai nga aty ku ishte, mund të jepte urdhra edhe atyre që ishin ende në oborr të shtëpisë. Miniqi kishte radiolidhje nga ku dëgjohej një tjetër zë burri, nga i cili dukej se Miniqi merrte urdhra. Njëherësh ai bisedonte me familjen e Ramës. Ai dukej të ishte në një gjendje të paparashikueshme, ku sa kërcënonte me vrasje, në minutën tjetër përpiqej të fitonte simpatinë e njerëzve të shtëpisë. “Këto janë kohë të vështira”, tha Miniqi, ndërsa djersiste nën uniformën e policisë. Në dhomën e ndenjies ishte ngrohtë, pasi aty qe dhe nxehësja e bardhë. “Janë kohë të vështira. E di që do të vritem, por sonte do të përpiqem të shpëtoj jetët tuaja”.

Ata e dinë pseudonimin e tij, Mrtvi (vdekja). Sonte vdekja kishte dhe dy kryqe rreth qafës, një prej ari dhe një prej druri. Njerëzit e Nebojsha Miniqit as qeshnin dhe as bënin shaka. Për një kohë të gjatë ata qëndruan në heshtje, e natyrisht prisnin urdhra nga zëri në radiolidhje. Herë pas here Miniqi thoshte ndonjë fjalë, si për të shpjeguar vetveten. Fytyra e zeshkët e Miniqit dukej e lodhur dhe frymëmarrja i vinte era raki. Rama dhe fëmijët i kishin parë tatuazhet e Miniqit më parë dhe disa prej tyre mund t’i shihnin sërish. Ja ku ishte sëpata, shkurtesa JNA e veteranëve të ushtrisë, një kobër në shpatulla që niste poshtë në shpinë, katër S-të cirilike të sloganit serb dhe një thikë. Por është dhe një thikë tjetër, por prej vërteti, që varej në brez së bashku me revolen në xhepin e bluzës së gjelbër. Ata e dinë pseudonimin e tij, Mrtvi. Sonte vdekja kishte dhe dy kryqe rreth qafës, një prej ari dhe një prej druri. Njerëzit e Miniqit as qeshnin dhe as bënin shaka. Për një kohë të gjatë ata qëndruan në heshtje, e natyrisht prisnin urdhra nga zëri në radiolidhje. Herë pas here Miniqi thoshte ndonjë fjalë si për të shpjeguar vetveten. “Ne jemi luftëtarë”, i tha ai familjes dhe shton se “asnjëri nga ne nuk do të ikë prej këtej deri sa të vdesë dhe i fundit prej nesh. NATO-ja kurrë nuk do të vijë këtu sa të jemi ne gjallë”. Më vonë ai shpjegon se “sonte më në fund po pastrojmë qendrën e qytetit”. Kaloi një orë, ndoshta dhe një orë e gjysmë derisa Miniqi dha një urdhër. “Joska, merre atë dhe le të të tregojë shtëpinë”, – i tha ai njërit prej njerëzve të tij që Rama e dinte se quhej Dalibor Banjac, por që njihej ndryshe si Joska. Banjac ka flokë të shkurtra të verdha dhe është rreth tridhjetë vjeç. “Ti e di se ç’duhet të bësh”. Rama ngrihet i tmerruar dhe drejtohet nga Joska dhe dy burra, një nga të cilët është i gjatë e me mjekër të zezë. Ata e vunë Ramën në ndenjësen e pasme të makinës së zezë që priste përjashta. Rama e ndien se aty ku u ul, pantallonat e tij u lagën. Vë dorën të shohë se çfarë është dhe kur e ngre para syve, dora është e mbuluar në gjak. Ai i drejton ata drejt shtëpisë së mikut të tij, Isa Bala, kasapit. Në shtëpinë e Isait, Joska dhe paramilitari me mjekër shkojnë në derën kryesore, ndërsa i treti qëndroi jashtë me Ramën.

Një zë në serbisht

Agoni duhet të lodhet pak para se ta zërë gjumi. Ai është në atë gjendje superaktive përpara se lodhja ta kaplojë dhe ta kthejë, si në filmat me kartona, në gjumë të pandërprerë. Kështu që Isai e merr në qafë dhe ecin së bashku përreth shtëpisë.

– “Babë, dua të shkoj në shkollë”, – thërret ai, ndërsa i grah shpatullave të gjera. “Patjetër do të shkosh”, – thotë Isai.

– A mundem me pas çantë shkolle?

– Po, kam me të ble një çantë shkolle prej ari.

“Unë do të kem çantë shkolle prej ari”, – thërriste Agoni në mes të të qeshurave.

– Pse nuk do të na blesh dhe ne çanta shkolle të arta?- pyet një nga fëmijët e Isait, që shikonte ndërsa i ati kalëronte në shpinë Agonin.

– Unë do t’u blej çanta diamanti krejtve, – hidhet Halishja dhe e gjithë familja është e lumtur.
Goditjet vijnë nga poshtë prej portës kryesore. Është nëntë e gjysmë e mbrëmjes. Njerëzit nuk vijnë për vizitë në këtë kohë, veçanërisht kur nuk ka rrymë. Dëgjohet një zë burri në serbisht. Isai ul Agonin përdhe. “Hapeni derën. Hapeni derën, o shk….. Do t’ua u shkërdhej zotin tuaj. Hapeni këtë derë”.

 Nuk kishte asnjë nevojë të liheshin jashtë, ndaj Isai nxitoi shkallëve me çelësa në dorë. Dhe ndërsa bëhej gati të fuste çelësin në portë, çelësi i bie nga dora. Mungesa e rrymës ka krijuar errësirë të plotë. Me të futur çelësin, nis ta rrotullojë. Dardania del në krye të shkallëve.

– Ç’ka do të na bëjnë? Çfarë do të bëjnë ata me ne, babë?

– Shko brenda, loçka ime. Mos u shqetëso!

Gishtat e mëdha të Isait ndiejnë çelësin dhe e hap derën. “Nuk do të na e hapësh derën?” – dëgjon ai një zë hakërrues. Përballë Isait janë shtatë a tetë burra me kamuflazh të pajisur me kallashnikovë, pistoleta, thika dhe granata. Një tjetër pret përjashta në derën e një makine. Të tjerët turren drejt shtëpisë dhe Isai nxiton të ngjisë shkallët me ngut, ndërsa burrat bërtasin pas tij. Ndonëse errësirë, Isai mund të thoshte me siguri se nuk njihte asnjë prej tyre. Isai është në krye të shkallëve, kur ndalet dhe u thotë të sapoardhurve: “Merreni orën time”, – tha Isai, thua se kjo do t’i kthente ata pas.

 – Mbaje orën dhe të gjithë të mblidhen në dhomën e ndenjies dhe qëndroni atje. Tani menjëherë!

Familja Bala i bindet urdhrit dhe të gjithë në rresht ulen në kauçin e lakuar që shtrihet në murin qendror dhe përfundon në dhomën e ndenjies. “Ju jeni Musa dhe Isa Bala?” – pyet një nga burrat. “Po. Mos na vrisni, kemi fëmijë të vegjël”, – ia ktheu Isai.

“Ku i keni paratë?”

“Ata nuk do të na vrasin, hë”, siguron Hajriu të atin. “Ata nuk do të na vrasin se ne jemi vetëm fëmijë”. Burrat kanë kapelë të zeza dhe janë të armatosur rëndë. Një nga burrat në dhomën e ndenjies është Joska, por për momentin familja nuk e di se kush është ai. Tjetri është i gjatë dhe me mjekër të zezë. Ata i vënë flakën një jastëku me shkrepëse dhe e vënë në mes të dhomës për t’u parë fytyrat anëtarëve të familjes, t’u hedhin një sy pengjeve të tyre dhe ndoshta të sigurohen se janë në familjen e duhur. “Ku i keni paratë?” – pyesin ata Isain dhe Musanë. Isai ngrihet dhe shkon drejt një dhome të pasme të shtëpisë nga ku nxjerr tri mijë marka.

“Ejani me mua!” – i thotë Joska Isait dhe Musait. “Të tjerët të rrinë ulur! Përjashta është një tjetër paraushtarak me Ramë Gashin. Një burrë qëndron të shohë shtëpinë, por të tjerët marrin makinën e zezë dhe i bien shkurt te rruga Dushan Mugosha, kalojnë përmes rrugës Ushtria Popullore Jugosllave dhe rrotullohen te qoshja, nga ku shtëpia e Ramës është e para në të djathtë. Nebojsha Miniqi po priste kur ata erdhën. Isai e njohu atë menjëherë. Miniq. Mrtvi. Vdekja. Është ai që ka blerë suxhuk në shitoren e tij, që banon jo larg prej aty, ishte po ai që ngiste një Lada Niva një ditë më parë, duke u bërë thirrje nëpër rrugë bashkëqytetarëve të tij serbë që të qëndronin. Duket qartë se ai është në krye të njerëzve që janë mbledhur te shtëpia e Ramës. Dhe duket se ai di shumëçka për Isanë dhe familjen e tij. Joska i jep Miniqit paratë.

-“Tre, mirë”,- thotë Miniqi.

-“Po”.

-“Jo. Aty ka shumë më tepër. Nxirrini jashtë, thyejini nga një këmbë dhe do të vijnë me shumë më tepër para se kaq. Do t’ua vrasim fëmijët, nëse nuk na japin paratë!” Ai i thotë këto fjalë i shkujdesur dhe njëherësh nxjerr revolen, duke ia vënë në kokë Isait.

– “Kam dhe 4 900 të tjera”, – thotë Isai.

– “Joska, merre atë dhe sill paratë”, – thotë Miniqi.

Joska dhe Isa shkojnë sërish në shtëpinë e Isait. Rama dhe Musa rrinë me Miniqin në dhomën tjetër të ndenjies të shtëpisë së Ramës, që është në të majtë të derës kryesore.

– “A doni kafe? – e pyet Rama Miniqin, siç bëhet me mysafirët e respektuar.
– “Po plak, e dua një kafe”, – thotë Miniqi.

– “Edhe unë”, – thotë Musa.

       Të tre qëndrojnë të ulur në heshtje, ndërsa një nga bijat e Ramës përgatit kafen turke, që e sjell në filxhanë të vegjël dhe i vendos nga tabakaja në tryezën e kafes prej druri. Rama, i dobët dhe i zbehtë, por i mençur, shpreson se e ka krijuar një lidhje me Miniqin gjatë kafes. Ai do që ta bëjë Miniqin të ndiehet si mik, me gjithë mirësjelljen e Ballkanit që e kërkon ky rol. Nëse ju hyni në shtëpinë e një shqiptari, padyshim ai ju mbron me jetën e vet.
– Dëgjo, a do të ma kursesh jetën, sepse kam shumë fëmijë? – pyet Rama.
– Do të jetë shumë e vështirë për ta shpëtuar jetën, por sonte do të përpiqem,- thotë Miniqi. “Por pas natës së sotme do të jetë shumë e vështirë të të shpëtoj jetën, pasi dhe unë kam urdhrat e mia”.

       Rama nuk e kupton krejt se çfarë do të thotë kjo, por nuk e shtyn më tutje, duke besuar se e ka një grimë vullneti të mirë nga Miniqi. Rama beson se Miniqi është paramilitari i dytë më i fuqishëm tani në Pejë dhe nëse ai thotë se dikush duhet të vdesë, ai do vdesë. Duket sikur familja Gashi ka dhe një ditë më shumë jetë falë mëshirës së Miniqit. Në këtë kohë në shtëpinë te rruga Dushan Mugosha, Isa merr 4 900 markat e fshehura dhe ia jep Joskës.

– Sa para të tjera ke? – pyet Joska.

– Kjo është e gjitha, 4 900 marka, – përgjigjet Isai

– A je i sigurt?

Isa mendon se Joska do të mbajë një pjesë për vete, pa i treguar Miniqit.

– Jam i sigurtë.

Joska e beson Isanë. “OK-ej, shkojmë”, – thotë ai. Në shtëpinë e Ramës Miniqi merr 4 900 markat dhe duket i bindur se nuk ka para të tjera në shtëpinë e Isait.

 – Ktheje ku e more, – thotë Miniqi, duke drejtuar dorën nga Isai.

 – Po mua? – pyet Musa.

Miniqi qesh: “Ty do të të mbajmë” – ia kthen. Joska dhe Isa kthehen në shtëpinë e Isait. Musa mbeti dhe duket se e ka mbërthyer paniku. “Merreni këtë”, i thotë Miniqi dy nga njerëzve të tij për Musanë dhe Rama dëgjon zhurmën e makinës që mori Musanë. Në rrugën Dushan Mugosha, Isa dhe Joska ngjisin shkallët e shtëpisë dhe u bashkohen anëtarëve të tjerë të familjes dhe paramilitarëve me mjekra. Isa ulet bri të preferuarit të tij, Agonit, dhe i përkëdhel qafën e hollë.

– Po të kisha një pushkë, i kisha vrarë ata, – i pëshpërit të atit në vesh Agoni. Isa e përqafon djalin e tij të vogël. Joska shikon nga Vjollca dhe me veprime i thotë asaj, duke i drejtuar pushkën, “Ngrihu”. Dhe Vjollca ngrihet.

“Mbylle gojën ose ju vramë”

Njeriu me mjekër në dhomën e ndenjies mbikëqyr me armë anëtarët e familjes, derisa Joska e çon Vjollcën në dhomën e pasme, përbri me dhomën ku gjendet e shtrirë Mahia. Plaka e paralizuar dëgjon ngashërimat e nuses së djalit, derisa e gjithë shtëpia bie në heshtje. Pas pak minutash hapet dera e dhomës ku ishte Vjollca dhe ajo del prej andej me flokë të shprishur dhe e heshtur.

– Çfarë të bëri?- e pyet Isai.

– Asgjë, – thotë ajo ndërsa dhunuesi e kthen atë sërish në kauç.

 Njeriu me mjekër rrotullohet tek Isai dhe i vë pushkën në kokë si ndëshkim për pyetjen. “Babë, Babë”, thërret një nga fëmijët e Isait. “Mbylle gojën ose ju vramë”, hakërrohet burri. Ndërsa ecin drejt kauçit, Joska kërkon nga Vjollca t’i japë krejt bizhutë, përfshi unazat, qaforen, byrzylykun. Ajo heq të gjithë arin dhe ia jep paramilitarit. Vjollca ndihet e turpëruar. Burri me mjekër sapo e kishte detyruar të bënte gjithçka me të, ndërsa pjesa tjetër e familjes gjendej në dhomën e ndenjies e kërcënuar me pushkë, kurse vjehrra e dëgjonte. Çdo anëtar i familjes që ishte në një moshë që kuptonte, e dinte se Vjollacën sapo e kishin dhunuar, ndërsa më të vegjëlit e kishin kuptuar se mamit apo teta Vjollcës, burri me mjekër i kishte bërë diçka të keqe. Është fat që burri i saj, i cili tani mund të ishte i vdekur, nuk ishte aty. Ndoshta ai kurrë nuk do ta merrte vesh.

Vjollca po vuante turpin e saj dhe për pak minuta ndërsa po ulej në kauç, kurse dy burrat bënë gati kallashnikovat dhe pyetën: “A janë të gjithë këtu?”

– Po, – tha Isai, – Të gjithë këtu jemi!

Pa asnjë fjalë shtesë ata ngrehën armët dhe i bënë gati për t’i shkrepur AK-47. Ata qëlluan së pari fëmijët. Halishja bëri atë që do të bënte çdo nënë. U hodh mbi fëmijët, duke u përpjekur që plumbat të binin mbi të. Ndërsa ajo gjendet përgjatë kauçit, ata masakrojnë fëmijët. Plumbat grijnë trupat e tyre, duke hedhur në të katër anët copa lëkure apo organesh të brendshme, ndërsa ata vazhdojnë me breshëritë e tyre. Plumbat kur dalin nga trupat lënë në kurriz vrima edhe më të mëdha se kur kanë hyrë në trup. Më pas plumbat përshkojnë kadifen e kauçit për t’u përplasur në mur. Disa rikthehen në dysheme, ndërsa të tjerë plumba shpërndahen andej-këtej.

Kur filluan breshëritë e plumbave, Vetoni vrapoi dhe brenda sekondit u gjet në dritaren tip francez që çonte drejt ballkonit. Shtyu derën, kacavirret nga ballkoni dhe më në fund hidhet në oborrin e shtëpisë. Ndonëse i vogël dhe me eshtra ende të brishta, dukej se në ato momente asgjë nuk i bën përshtypje. Madje nuk e vuri re që kishte vrarë këmbën teksa kacavirrej në hekurat e ballkonit. Pas tij vraponte Isai, që e pa djalin të largohej nga kauçi në drejtim të ballkonit. Ai mori menjëherë vendimin, se duhej ta mbronte të birin, pasi të tjerët në dhomë nuk kishin më asnjë shans të mbeteshin gjallë. Vetëm Vetoni kishte shpresë të mbijetonte. Ndonëse peshë e rëndë, ai u hodh nga ballkoni, kapi djalin për dore dhe vrapoi rrugëve nëpër natë. Një nga burrat me kallashnikovë vazhdonte të lëshonte breshëri plumbash, por ato nuk arritën të preknin as Isain e as Vetonin. Ata arritën së pari në shtëpinë e një fqinji serb, të cilët nga frika nuk i ndihmuan. Isai vrapoi dhe e la Vetonin në shtëpinë e Rizës për t’u kthyer pas pak minutash në shtëpinë e tij.

Në kaosin e krijuar nga arratija e Vetonit dhe Isait edhe një fëmijë tjetër arriti të largohej. I pa vënë re nga burrat e armatosur, Roni i vogël u hodh nga kauçi dhe vrapoi në korridorin e shtëpisë. Ai vrapoi për atje ku besonte se ishte i sigurt, tek gjyshja e paralizuar. Gjyshja Mahie qëndronte e shtrirë dhe dëgjonte tek vdisnin njerëzit e familjes. Dhe ja dëshpërimisht në krahët e saj u gjend i nipi. Ajo mendoi se ndoshta tani ishte rradha e saj. Megjithatë, mendja i shkoi se mund ta mbronte Ronin me trupin e saj. Kështu e mori djalin e vogël, -fëmija i fundit nga shtatë fëmijët – dhe e fsheh poshtë këmbëve të saj të pajeta. Ishte hera e parë që ato këmbë, pas kaq vitesh, po shërbenin për diçka, dhe këtë rradhë po shpëtonin një jetë. Kur burrat e armatosur hynë në dhomën e saj thanë se nuk ia vlente të merreshin me të, dhe nuk e panë fëmijën që rrinte i heshtur i fshehur nën mbulesa, i bërë njësh me trupin e gjyshes. Ndoshta edhe ata e kishin humbur aftësinë të numëronin se sa fëmijë mungonin. Ndoshta ua mori mendja se ai mund t’ia kishte marrë vrapit natën nëpër rrugë. Ndoshta kishin në plan të digjnin shtëpinë e bashkë me të, gjithçka ishte brenda.

 “Nuk e lë mamin”

Dhe kur mbaruan me gjithçka, kur menduan se kishin vrarë gjithë familjen, me përjashtim të plakës së paralizuar në dhomën e pasme, me të cilën nuk ia vlente të merreshin, e ndërsa i ati dhe biri ishin arratisur nga ballkoni, ata i vunë flakën disa jastëkëve dhe i lanë ata të digjeshin. “Shkërdhatat, e kërkuan vetë këtë”,- dëgjoi Halishja të thoshin teksa dy burrat largoheshin. Hapat e tyre dukeshin të rëndë tek ecnin nëpër dyshemenë që e kishte mbuluar gjaku, i cili po përphapej me shpejtësi ngado. Vendet që nuk i kishte mbuluar gjaku, dukeshin si ishuj të rrethuar nga det gjaku. “Këta qenër kërkuan NATO-n”. “I kam dhier mu në shpirtin shqiptar”, – iu përgjigj tjetri. Shiko, le të hedhim ca granata, kështu që shtëpia të digjet. Më mirë të mos lëmë shenja që t’i gjejnë të tjerët. Burrat u heqin siguresën dy granatave të dorës dhe i lënë në shkallë, të cilat duke qenë prej druri do merrnin flakë lehtësisht. Me shpejtësi ata u larguan. E shtrirë mbi trupat e fëmijëve, Halishja dëgjoi dy shpërthime, që nuk shkaktuan dot zjarr. Ndoshta mjekëroshave nuk u interesonte shumë të digjnin shtëpinë pasi nuk u kthyen më pas të kontrollonin a t’i torturonin sërish. Ndoshta ishin shumë të zënë. Trupat e NATO-s ishin në Prishtinë dhe brenda një dite ato do vinin edhe në Pejë. Ndoshta atyre u duhej të bënin bagazhet gati për t’u larguar para se të niseshin nga malet drejt Rozhajës.

Kishin kaluar 30 minuta që kur paraushtarakët erdhën në shtëpinë e Isait. Ora shënonte 10 e mbrëmjes. Pesë nga shtatë fëmijët gjendeshin në kauç me trupat e copëtuara nga plumbat. Katër prej tyre kishin vdekur. Nita kish humbur vetëdijen, por ishte ende gjallë. Nëna e saj, Vjollca, edhe ajo kish vdekur. Halishja ishte qëlluar tetë herë, në krah, në kraharor në gjoks. Burrat menduan se ishte e vdekur. Edhe Halishja besonte se shpejt do të vdiste. Halishja u tërhoq dhe pa mbi kauç trupat e fëmijëve njëri-mbi tjetrin si dhe Vjollcën. Zvarritet nëpër tërë shtëpinë duke kërkuar kush kish mbijetuar, por nuk gjeti askënd. Mahia dhe Roni ishin të heshtur në tmerrin e tyre. Kontrollon në banjë, në depo, derisa gjaku ishte ngado dhe ajo duke u mbajtur në mure i leu ato gjithë gjak.Kthehet sërish në dhomën e ndenjes, ku sheh se Nita ishte ende gjallë, por e plagosur rëndë. “Oh loçkë, tani duhet të shkojmë”, – thotë Halishja. “Duhet me shku në spital”. “Nuk e lë mamin”,- thotë Nita. “Nuk e lë, jo, ajo do zgjohet shpejt.” Halishja përpiqet ta bindë Nitën, por ajo nuk do të largohet. 10 minuta pas breshërive, Isai kthehet në shtëpi vetëm. Ishte i tmeruar nga ajo që besonte se do të gjente në shtëpi, vrasësit dhe kufomat e fëmijëve. Brenda në shtëpi ishin Halishja dhe Nita, dëmet e shkaktuara nga granatat, dhe ajo pishinë e errët gjaku në dhomën e ndenjes. Isai dhe Halishja folën nxitimthi, pa kuptim, por askush nuk e dëgjonte njëri-tjetrin. Isai përpiqej ta merrte Halishen me vete e të largoheshin nga shtëpia. Ai ishte i tmerruar se ata do ktheheshin sërish. Tani ishte rradha e Halishes të mos pranonte t’i linte kufomat vetëm. Fëmijët e saj kishin vdekur dhe ajo ishte qëlluar aq shumë herë, po humbte aq shumë gjak, saqë padyshim do të vdiste së shpejti. Ajo do të qëndronte me ta.

Breshëri plumbash

Isai u largua të shihte sërish Vetonin dhe kur kthehet nuk e gjen Halishen aty. E frikësuar për vdekje se ata do ktheheshin prapë, Halishja ish hedhur nga ballkoni dhe trokiti tek shtëpia e Rizës. Më vonë në ditarin e tij, Riza shkruan: “Ia hapa derën. Mezi qëndronte në këmbë. E ndihmova të hynte brenda dhe pashë se ishte e mbuluar në gjak. E vendosëm në qilar si vendi më i sigurt, kurse ajo na tha se ishte plagosur në gjoks. Ajo nuk pushonte së qari e së rënkuari për fëmijët, duke thënë se nuk kishte më kuptim të jetonte pa fëmjët, jeta e saj nuk vlente më asgjë. Ishte errësirë e thellë, aq sa nuk mund të shikonim as se ku ishin plagët. Edhe fëmija i saj qante. Isai nuk po dukej. Më vonë e pamë se kishte hemorragji të madhe, nga e cila dhe mund të vdiste, por si ta ndihmonim, kur nuk kishim as dhe një shkrepse të vetme. Breshëritë e plumbave dëgjoheshin pa pushim dhe nga drejtime të ndryshme. Tani as mund ta mendonim të largoheshim nga shtëpia. Si mund ta linim të plagosurën vetëm. Ta merrnim me vete ishte e pamundur, pasi ajo nuk mund të ecte. Nga ana tjetër nuk e mbanim dot, pasi ishte e rëndë, mbi 100 kile. Kështu ia lëmë veten në dorë fatit.

Ende në shtëpi, Isai gjen Ronin në dhomën e pasme dhe vendosi të mos e linte tek shtëpia e Rizës, në mënyrë që familja të kishte më shumë gjasa t’i mbijetonte sulmeve të tjera të paraushtarakëve. Isai e la nënën në dhomën e saj dhe doli në rrugë së bashku me Ronin. Nita nuk pranoi të largohej nga e ëma dhe mbeti aty e shtrirë në mesin e të vdekurve, ndërsa plagët i kullonin gjak në kauçin, ashtu të zhytur në gjak. Në cepin e një shtëpie të djegur, vetëm dy dyer larg shtëpisë së tij, Isai hyn në rrënoja dhe gjen një cep ku çatia ende mbahej. Aty ndihej era e djegies së dy muajve më parë. Kjo ishte një nga shtëpitë e para të djegura në Brezhnik. Nuk dihet se si, por flakët kishin harruar një shtrat, në të cilin Isai vë Ronin. Djalin e vogël e zuri gjumi. Isanë nuk e zinte gjumi. Roni u zgjua herë pas here natën dhe kapej pas Isait, i trembur nga ëndërrat e këqija. “Mos ki frike. Fli”, – ia kthente Isa. I ulur mbi mbulesat e shtratit, me kokën pas murit, Isai shtriu qafën. Ishte e dhimbshme, e padurueshme, i mbushur me mëri. Kjo ishte hera e parë që i duhej të mendonte. Kish parë t’i vriteshin fëmijët, ndërsa nuk dinte ku e kishte të vëllanë. I kujtohej hakërrimi i Baçkoviçit se do t’ia vriste të vëllanë me thikë, duke e prerë në copa. Riza, për atë natë, shkruan në ditarin e tij: “Halishja rrinte pa bërë zhurmë, vetëm nuk pushonte duke kërkuar ndjesë për shqetësimin që na kishte shkaktuar. Nuk ankohej për dhimbjet e veta, vetëm donte të kthehej në shtëpi, që të mos na dëmtonte ne. Shihja në të një shpirt të madh e bujar. Breshëritë dëgjoheshin ende. Halishja më tha se kishte ftohtë kur e pyeta si ndihej. E mbuluam sërish dhe e vendosëm në kauç, i kërkova të mbahej dhe e këshillova të mos lëvizte shumë që të kufizonte humbjen e gjakut. Isai ende nuk kishte ardhur. Druheshim se e kishin vrarë dhe atë”. Rreth orës 5 të mëngjesit, Isa zgjon Ronin dhe ata ecën në rrugë drejt qendrës së policisë. Riza kryqëzohet me ta dhe u ndje i lumtur që ishin gjallë. “Pas gjysmë ore vjen Isai me djalin e Musës”, – shkruan Riza. “Ai tha se kishte qenë në qendër dhe kishte kërkuar ndihmën spitalore për Halishten dhe Nitën. Ata i kishin premtur se urgjenca do të vinte”.

Isai gjeti një polic serb që e njihte, me emrin Kaplan, e që ra dakord t’i çonte Halishen dhe Nitën në spital. Isa trembej nga Kaplani. Ai e pyeti se kush e kishte bërë këtë. “Miniq dhe njerëzit e tij”, i tha Isa. “Më vjen keq. Kjo nuk është në rregull”, tha Kaplan. Ai po i çonte ata në spitalin që gjendej në pjesën perëndimore të qytetit, në rrugën që të çonte nga Patriakana dhe gryka e Rugovës. Halishja dhe Nita qëndronin afër njëra-tjetrës, e megjithëse kishin kaluar 12 orë, ende u rridhte gjak. Ato ishin tepër të këputura. “Faleminderit Zotit ti ke shpëtuar”, – i pëshpërit Nita Halishes. “Ti do kujdesesh për mua njësoj si mami, apo jo?” “Po, loçkë.” Halishja ndjeu përqafimin e butë të Nitës.

Macet lëpijnë gjakun

Kur arritën në spital Halishja dhe Nita u rrethuan nga një numër motrash medicionale shqiptare që kishin mbetur. Ato i çuan menjëherë tek kirurgjia, ku në shërbim ishte një mjek serb. Quhej Jovica Marinkoviç. Në Pejë nuk kishin mbetur mjekë shqiptarë. Marinkoviç ishte mjek ushtarak, me uniformë. Pa gruan dhe vajzën e vogël dhe iu drejtua Isait: “Duhet t’u japim gjak menjëherë”. Mjeku pyet për grupin e gjakut të Halishes dhe Nitës. “Sa anëtarë të familjes të kanë vrarë?”- pyet doktori Isën. “Pesë, kurse vëllai është zhdukur”, – thotë Isa. Marinkoviçi bëri kryq dhe pyeti: “Si mund ta bënin një gjë të tillë? Si? Shiko unë do përpiqem t’i shpëtoj. Mos ki frikë se jam serb. Do të bëj gjithçka mundem”. Isa u largua nga spitali pasi la atje gruan dhe mbesën. Kishte një energji brenda tij. Ai nuk mund ta përballonte idenë se macet mund të lëpinin gjakun dhe trupat e familjes së tij, apo se ato mund të merrnin erë në të nxehtën e qershorit. Ai nxitoi drejt shtëpisë dhe gjeti qese plastike, i vuri ata në katin nëntokë, ku ishte freksët e ku fëmijët rrinin gjatë bombardimeve. Riza ndenji me Isanë dhe e ndihmoi. Një nga një ata i morën trupat nga dhoma e ndenjes nëpër shkallë dhe i sollën poshtë, duke i shtrirë në plastikë. Riza u ndje i pafuqishëm kur pa se një pjesë e kokës së Dardanes ishte shkëputur nga breshëritë. Teksa Isa e ngre në krah kufomën e Dardanes, pjesë nga truri dhe kafka bien në dysheme. Isait iu desh të mblidhte me dorë trurin e së bijës. Edhe një pjesë e kokës së Agronit të vogël nuk ishte në vend. Kur i solli të gjithë në katin nëntokë, ai i mbylli plastikat dhe u sigurua se tani asnjë kafshë nuk do ushqehej me trupat e fëmijëve të tij. … Në spital Marinkoviçi operoi së pari Nitën, gjendja e së cilës ishte më e rëndë. Ajo vdiq gjatë operacionit. Pesë nga shtatë fëmijët, tani kishin vdekur. Më pas ai i shpëton jetën Halishes. Në dhomën e operacionit, ai i tregon asaj se ishte qëlluar tetë herë, gjashtë herë në trup dhe dy herë në krah dhe se ishte me fat të mbijetonte pas kaq orësh duke humbur gjak. Ai i thotë se ajo duhej të qëndronte në sital për dy muaj e të pushonte, duke i shprehur keqardhjen për vdekjen e fëmijëve. Ai më pas i tregon se Nita vdiq.

( … )

Beyond the Mountains of the Damned: The War inside Kosovo (Englisch)

von Matthew McAllester  https://www.amazon.com/Beyond-Mountains-Damned-inside-Kosovo/dp/0814756611

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura