IBRAHIM GANIU: ROMANTIKA E SHKRUAR ME GJAKUN E LIRISË

(Tiranë, 29. 01.2013) – Reçencë për librin “Romantika e luftës së UÇK-së”- Lufta për çlirimin e Kosova u shndërua në një vullkan heroizmi e lavdie, duke mëshiruar me përkushtim sa heroik dhe po aq madhor devizën e ndritur të Rilindjes Shqiptare: “Ja vdekje, ja liri!”. Në atë luftë u radhitën vullnetarishtë midis motrave dhe vëllezërve të tyre kosovarë edhe shumë vullnetarë nga Shqipëria amë, që me inisiativën e tyre dhanë një kontribut madhor për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.
Një nga kuadrot ushtarake vullnetare që u radhit në rreshtat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte edhe Dilaver Goxhaj (I njohur me pseudonimin Shpëtim Golemi), autori i librit për të cilin do të bëjmë fjalë. Veprimet dhe dijet e tij, në njohjen e doktrinës ushtarake, të vëna në jetë edhe në rrethana konkrete gjatë luftës në Kosovë, pasqyrohen edhe në librin “Romantika e luftës së UÇK-së”. Ato njohuri spikatin dukshëm në të gjitha faqet e këtij libri. Dhe janë ato njohuri që atë e çuan deri në postin e Zevendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Për mes një mori faktesh nga luftimet dhe betejat e UÇK-së kundër okupatorit serb në luftën për çlirimin e Kosovës, autori shpalos qartë rrugën e Ushtrisë Çliritare të popullit shqiptar në Kosovë, e cila si pikënisje pati thirrjet e para që i drejtoheshin popullit shqiptar në Kosovë nga formacionet ilegale të saj për të rrokur armët kundër okupatorit serb.
Këto thirrje më vonë u pasuan nga aksionet e Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit me shokë, të cilët më pas do të ngrinin njësitet guerile, dhe që gradualisht u kalua krijimin e çetave, batalione, brigada e zona operative.
Në librin intrevistë “Romantika e luftës së UÇK-së” vend të rëndësishëm dhe një pasqyrim thellësisht realist zë gjykimi i autorit për rrugën e pacifizmit rugovian. Ky lloj qëndrimi e gjykimi mori një “vrull të ri” sidomos mbas pritjes që iu bë ish presidentit Rugova në Shtëpinë e Bardhë, nga Presidenti Klinton, në majin e vitit 1998. Ajo pritje dhe ajo fitore e zgjedhjeve të LDK-së pas çlirimit të Kosovës, u shfrytëzuan nga pacifistët të delnin në “përfundime shkencore”. Sipas tyre u arrit ajo që “kërkonte Rugova” dhe, për rjedhojë, edhe gjaku i derdhur, thanë ata, ka qenë i kot.
Z. Dilaver Goxhaj, duke i bërë një analizë thellësisht objektive dhe të dokumentuar ripohon atë të vërtetë të madhe historike se liria e vërtetë fitohet me det sakrificash dhe me lumenj gjaku. Këtë të vërtetë jetësore autori e dokumenton me sakrificat e gakun e derdhur lumë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Për autorin, UÇK-ja në historinë e shqiptarisë vjen me karakteristikat e saj të veçanta: e para ushtri jopartiake, e para ushtri mbarëkombëtare, e para ushtri shqiptare që në pozicionet e saj dhe betejat e përgjakshme radhiten edhe vullnetarë të shteteve euroatllantike, duke i dhënë asaj edhe tiparet e një ushtrie vullnetare internacionaliste është e para ushtri revolucionare që me gjakun e saj prodhon shtet, shtetin e Kosovës. Autori, me fakte dhe argument e bind lexuesin se UÇK-ja është mishërim madhor i rebelimit kombëtar. Autori, duke analizuar një varg betejash të UÇK-së të bind se cilët ishin ata faktorë që, ndonse armiku edhe pse ishte superior në armatime e teknikë luftarake, por edhe në raportin e forcave, duke hedhur kundër UÇK-së 20 mijëshe një ushtri 95 mijëshe, nuk mundi ta realizonte objektivin e tij: shpopullimin e Kosovës.

Autori i librit Dilaver Goxhaj, gjatë luftës i njohur me pseudonimin Shpëtim Golemi.

……………………………………………

Njëkohësisht përmes faqeve të këtij libri lexuesi mëson se si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga shtabi i saj, edhe në situatat më të vështira, nuk e uli asnjëherë intensitetin e veprimeve të saj luftarake, duke e mbajtur situatën përherë në duart e veta, ku ndër të tjera ai radhit njohjen e mirë të terrenit, mashtrimin e armikut, goditjet e befasishme, shkëmbimin e informacionit midis popullsisë dhe reparteve të UÇK-së si dhe midis UÇK-së dhe NATO-s. 
Një nga shembujt më interesantë dhe që është një pasuri për artin ushtarak shqiptar është ai që autori sjell për luftimet në Zonën e Dytë Operative “Pashtriku”, gjatë dhjetëditorit të fundit të muajit mars 1999 të pandërprera mbrojtëse aktive, ditën dhe natën dhe pas dhjetë ditësh u pa e domosdoshme tërheqja, e cila u bë e organizuar, falë njohjes së shkëlqyer të terrenit. Mënyra e realizmit të asaj tërheqjeje dhe planizimi i saj pa u hedhur në letër, bënë që armiku jo vetëm të mos e diktonte atë tërheqje, por edhe të binte në grackën e UÇK-së.
Është hera e parë në historinë e artit tonë ushtarak që veprohet praktikisht në një luftë të vërtetë, ku planizimi i një tërheqjeje të 6-8 brigadave, dhe rikalimi i frontit dhe organizimi rrethimit të armikut prej tyre të bëhet pa planizim të dokumentuar, por vetëm përmes urdhërave të dhëna vetëm me gojë dhe veç e veç çdo komandanti, duke ruajtur jo vetëm sekretin ushtarak, por edhe duke realizuar befasinë e jashtëzakonshme, e cila i dha fitoren UÇK-së në një shkallë operative. Dhe kjo pasqyrohet jashtëzakonisht qartë dhe bindshëm e me fakte nga autori Dilaver Goxhaj.
Vlerësimi dhe mirënjohja për kontributin madhor që dha NATO-ja për çlirimin e Kosovës shpalosen denjësisht edhe në këtë libër. Veçanërisht autori nxjerr në pah rolin vendimtar të SHBA dhe të Presidentit Klinton, i cili, atë që tha se: “Nuk do të lejojmë që Kosova të shndërrohet në një Bosnjë të dytë”, e bëri realitet.
Bashkëveprimi i NATO-s me UÇK-në, veç të tjerave, shtjellon një të vërtetë jetësore historike. Ndërsa qiell e det në atë luftë i zotëronte NATO, UÇK-ja zotëronte terrenin, tokën, e cila ishte e vetmia forcë tokësore goditëse në Kosovë që luftnte kundër pushtuesit serb, duke u shndërruar, dashje pa dashje, në aleate e NATO-s.
Për faktet që Dilaveri sjell në librin “Romantika e luftës së UÇK-së”, me emërat e bijve pjesmarrës nga shteti amë në radhët e UÇK-së, historisë së kombit shqiptar ai i dhuron një tjetër lapidar pavdekësie, atdhedashurie e heroizmi, ku shumë prej tyre, mbi tridhjetë, dhanë jetën dhe e lanë Kosovën me gjak. Gjaku i këtyre djemve dhe burrave të shtetit amë i tregon Europës se shqiptarët e duan bashkimin dhe do ta bëjnë edhe me gjak, derisa ta bëjnë realitet.
Duke hedhur këto radhë nuk mund të lë në gjumë një takim midis autorit dhe çiftit kosovar, Naile e Ismet, që u pat rënë rasti të shkonin refugjatë në Korçë. Njësoj si ata, u pritën gati njëmilionë të tjerë, të cilët u pritën jo si të ardhur nga halli, por siç priten vëllezërit pas një ndarjeje të gjatë. Tabloja e atij takimi, është sa tronditës aq dhe përgjërues për kombin tonë. Një tabllo që kur e mbaron së “sodituri” shikon tërë Shqipërinë dhe shqiptarët. Tabllo të tilla nuk janë të stisura, ato janë dëshmi jetësore, vlera madhore të një kombi dhe të një populli të tërë që për pishtar në udhët e vështira, busull për të është ajo e shprehur nga Naimi ynë:
Tek është vëllazërija,
Atje është Perëndija.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura