IBRAHIM KELMENDI: LETËR PUBLIKE – SHEFIT TË MISIONIT EULEX, Z.BERND BORCHARDT

Pashtriku.org, 03. 06. 2013 – Parimisht, unë nuk jam hy në grevë për të protestuar kundër hetimeve e proceseve gjyqësore kundër krimeve që kanë ndodhur gjatë Lufte në Kosovë në vitet (mars 1998 – qershor 1999), por kundër përcaktimit selektiv të EULEX-it, i cili deri tani po heton e gjykon vetëm krimet e mundshme të ndonjë pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj qytetarëve serbë, shqiptarë, romë e cilido qytetar tjetër të Kosovës. Ky është opinioni i shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe prandaj Misioni EULEX i ka zhgënjyer dhe tashmë, me akuzat e arrestimet e fundit, i jemi afruar pikës kritike që zhgënjimi të shndërrohet në revoltë eksplozive.

*   *   *

– Letër publike –
Shefit të Misionit EULEX, Z. Bernd Borchardt
Prishtinë, Republika e Kosovës
Prishtinë, më 02. 06. 2013
Shumë i nderuari Z. Borchardt,

(Fillimisht ju lutëm për mirëkuptim nëse gjatë formulimit më shpëton ndonjë paqartësi, sepse tashmë janë bërë dyzetë orë dhe uria ma ka sfilit paksa koncentrimin mendor.)
Në ndërkohë mund që jeni informuar se unë kam hyrë në grevë të urisë më 31 maj 2013, në ora 23.15. Vendimmarrja për këtë grevë qe tepër spontane dhe subjektive, sepse u hidhërova e revoltova deri në palcë për vendimin e Gjykatës së Apelit.
Sapo është informuar ish-bashkëveprimtari Blerim Muriqi (Novosellë e Pejës), më është bashkangjitur, edhe pse unë dëshiroja të isha i vetëm. Edhe dy qytetarë të tjerë i lejova të më bashkëngjiten, por kur kërkesat insistuese u bënë të shumta, vendosa, në mirëkuptim me tre bashkë-grevistët, që të mos pranojmë të tjerë, meqë nuk isha të merr përmasa që mund të shkonin drejt revoltës qytetare.

– Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt –

Nuk i di arsyet përse Gjykata e komunikoi vendimin e saj pikërisht në atë kohë, akoma më shumë më hidhëroi azhuriteti i policisë për ti arrestuar të akuzuarit:
– Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, Zotëri Sylejman Selimit,
– Kryetarin e Komunës së Skënderajt, Zotëri Sami Lushtaku dhe pesë të tjerët, që prokurori special, Maorizio Salustro, qëllimisht i ka bashkuar në “grup”; tashmë ky “grup” është shndërruar në “grup të Drenicës” dhe ky duhet të ketë qenë qëllimi kryesor hileqar i Salustros.
Parimisht, unë nuk jam hy në grevë për të protestuar kundër hetimeve e proceseve gjyqësore kundër krimeve që kanë ndodhur gjatë Lufte në Kosovë në vitet (mars 1998 – qershor 1999), por kundër përcaktimit selektiv të EULEX-it, i cili deri tani po heton e gjykon vetëm krimet e mundshme të ndonjë pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj qytetarëve serbë, shqiptarë, romë e cilido qytetar tjetër të Kosovës. Ky është opinioni i shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe prandaj Misioni EULEX i ka zhgënjyer dhe tashmë, me akuzat e arrestimet e fundit, i jemi afruar pikës kritike që zhgënjimi të shndërrohet në revoltë eksplozive.
Z. Borchardt,
Ju keni ardhur rishtas në krye të EULEX-it, prandaj mund që ende nuk i keni informatat e plota për këtë përcaktim të deritanishëm selektiv të Misionit që ju drejtoni. Dje insistoi Kunata ime, Flora Krasniqi-Kelmendi ti bashkangjitet grevës, me arsyetim se edhe ajo qysh kur është revoltuar për mosangazhim të asnjë institucioni për të filluar hetimet për masakrimin e pothuajse gjithë Familjes së saj (Babai Hamiti, Nëna Vezire, Vëllezërit Dr. Med. Fatmiri dhe Arbëni, Mbesa 14-vjeçare Blerta), e cila është masakruar në Fushë-Kosovë gjatë Lufte. Nuk e lejova të hy në grevë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore që e ka për momentin. Po shpresoj se Ju tani do të interesoheni për të vërtetuar akuzën time ndaj Misionit EULEX; për sa jam i informuar, EULEX deri tani nuk ka hap ndonjë procedurë gjyqësore kundër kriminelëve serbë, për të cilët sigurisht që dini se çfarë krimesh monstruoze kanë bërë ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.
Rëndom, ka zëra edhe të personaliteteve me përgjegjësi të lartë që mundohen të arsyetojnë këto padrejtësi të Misionit EULEX se nuk janë duke hetuar e gjykuar krimet kolektive të UÇK-së. Atëherë si mund të interpretohen hetimet e gjykimet e deritanishme ndaj ish-komandantëve të katër zonave kryesore të UÇK-së dhe tashmë edhe ndaj ish-Komandantit të Përgjithshëm, Sulejman Selimi. Ndaj ish-Komandantit të Zonës Dukagjinit, Z. Ramush Haradinaj, janë bërë dy procese gjyqësore në Den Hag dhe fatmirësisht ka rezultuar i pafajshëm. Nuk i dihet, mbase ndonjë Salustro sërish mund ti ngrit padi, siç po ndodh me rastin e ish-Komandantit Famir Limaj. Ndaj ish-Komandantit Rrustem Mustafa gjithashtu janë duke u bërë procese maratonike. Ndaj ish-Komandantit Selim Krasniqi gjithashtu është duke u bërë proces maratonik. Në të gjitha rastet nuk janë proceduar si individ, por janë sajuar grupe. Tani edhe ndaj “Grupit të Drenicës” u ndërmor e njëjta praktikë.

Ibrahim Kelmendi, në Grevë Urie kundër burgosjes së Komandantëve të UҪK-së, përballë hyrjes së burgut në Prishtinë.

*   *   *

Z. Borchardt,
Do të ishit tepër i painformuar nëse do të mendonit se gjithë personelin e Misionit EULEX e keni të nivelit që u takon. Rëndom, në rastin e angazhimit të tyre janë paraqit edhe ndonjë dështak në vendin e tij, ndonjë profiter (sepse këtu paguhen shumë dhe nuk tatohen as nga Kosova dhe as nga shtetet prej nga vinë), ndonjë serbofil hakmarrës, i hidhëruar pse Kosova “serbe” tashmë është çliruar, ndonjë anti-amerikanë, bile edhe ndonjë amoral që ka pas frustrime seksuale në vendin e tij dhe ka shfrytëzuar rastin për të abuzuar me femra në Kosovë. Njëri nga ata duhet të jetë prokurori Salustro dhe prandaj kërkesë ime konkrete është që të formoni komision hetues ndaj angazhimeve të tij selektive e paragjykuese ose një procedurë përkatëse që do të rezultonte me përzënien e tij nga Kosova.
Z. Borchardt,
rëndom kritikat që po u bëhen veprimeve të padrejta të Misionit EULEX dhe instiducioneve të drejtësisë po interpretohen si presion politik, etj. Vërtet, nuk dëshiroj të besoj se edhe Ju mendoni se nuk duhet të kritikohen angazhimet, paragjykimet e padrejtësitë që po i bëjnë prokurori Salustro dhe salustrot tjerë, si dhe hetuesia e gjyqësia e Republikës së Kosovës. Unë mendoj se është obligim edhe qytetar që të diskreditohen e kritikohen veprime abuzive, të padrejta, të të gjithë hetuesve, prokurorëve e gjyqëtarëve. Si mund të mos kritikohen abuzimet e hetuesve e prokurorëve kur gjejnë individ edhe të inkriminuar dhe i përgatitin për dëshmitarë të rrejshëm. A nuk është skandaloze të mos fillojnë hetimet e procedurat gjyqësore, ta zëmë ndaj njërit nga kryehetuesit e Kosovës, për të cilin ka dëshmi të shumta se ka bërë krime të rënda gjatë e pas Lufte; në një proces gjyqësor, të kryesuar nga një gjyqtar gjerman, u konstatua se kryehetuesi Fadil Syleviqi e kishte përgatit një të inkriminuar për dëshmitarë kryesor. Quditërisht nuk u morën masa. E ai proces gjyqësor duhet ti ketë kushtuar buxhetit të Kosovës të paktën 400 mijë euro. Edhe kjo është kërkesë tjetër imja, që Misioni EULEX ti nis procedurat për raste të tilla, sepse institucionet përkatëse të Kosovës duket se janë kap, prandaj nuk janë në gjendje të pastrojnë sistemin e drejtësisë nga hetues, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar e të inkriminuar.
Unë i jam gëzuar shumë ndihmës së BE-së edhe përmes Misionit EULEX, duke shpresuar se do të angazhohet kundër krimeve të Luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa këto veprime selektive vetëm kundër ish-UÇK-së më revoltuan deri në atë nivel, sa të mos kem mundësi tjetër për të protestuar, pos përmes grevës së urisë.
Mund që nuk hynë fare në punë garancitë e mia për ish-bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët, tani të akuzuar si “Grup i Drenicës”, se nuk janë as frikacakë për ti ikur procesit gjyqësor dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim kundër dëshmitarëve të prokurorit Salustro. Po të kishte praktikë garacioni, vërtet do të pranoja të hy në burg unë për ta, sepse fyerja që u ka bërë atyre prokurori Salustro dhe salustrot e Gjykatës së Apelit janë skandaloze, kanë cenuar rëndë dinjitetin e të gjithë ish-pjesëtarëve të UÇK-së…
Uroj të keni mirëkuptim për pafuqinë time fizike për të konkretizuar raste e arsyetime të tjera.
Do të ju lutesha për një takim që të mund ti paraqes e arsyetoj edhe gojarisht shqetësimet e mia që më kanë futë në grevë.
Paraprakisht ju falënderoj për mirëkuptim.

Me respekt,
Ibrahim Kelmendi
(i lindur më 23.06.1954 në fshatin Llabjan, Komuna Pejë; aktualisht në grevë të urisë përball burgut të Prishtinës; numri personal: 1004921484, tel.:00377 44 151959, mail-adresa: [email protected])

– GREVA VAZHDON… –

=================================

MUND TË LEXONI EDHE…:

 IBRAHIM KELMENDI, HYRI NË GREVË URIE PËRBALLË BURGUT NË PRISHTINË,

PËR T’U SOLIDARIZUAR ME ISH’KOMANDANTËT E UҪK-së
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1668

*   *   *
KUR HERONJTË E GJALLË FLASIN ME GJUHËN E TRUPIT
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=1674

 …………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti: Kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura