Me rastin e përvjetorit të vdekjes
ILIROLOGU ALEKSANDËR STIPÇEVIQ
Aleksandër Stipçeviqi (Arbënesh/Arbanasi, 10 retor 1930 – Zagreb, 1 shtator 2015) është arkeolog, bibliograf, albanolog dhe historian kroat me prejardhje shqiptare, profesor ordinar i Universitetit të Zagrebit. Shquhet në lëmin e arkeologjisë, bibliotekarisë etj.
Lindi në Arbnesh/Arbanasi afër Zagrebit në një familje shqiptare. Sot është lagje e Zarës (kroatisht: Zadar), qytet në bregdetin dalmatin. Ata ndoqi shkollën fillore dhe gjimnazin. Në vitin 1954 diplomoi arkeologjinë në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. Në vitin 1977 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zarës me tezën “Simbolizmi religjioz tek ilirët”.
Pesëmbëdhjetë vjet ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime albanologjike”.
Një kohë të shkurtër punoi në Muzeun Arkeologjik të Zarës dhe në Entin e Shkencave Historike në Zarë. Në vitin 1957 kalon në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb në detyrën e shefit të Sektorit të librave të botuar. Në vitin 1974 e merr detyrën e drejtorit të Bibliotekës së Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Arteve (AJShA), ndërsa kah fundi i vitit 1983 kalon në Entin Leksikografik “Mirosllav Kërlezha” ku e merr detyrën e kryeredaktorit të Leksikonit Biografik Kroat.
Aleksandër Stipçeviqi ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në nëntor të vitit 1987, pas daljes nga shtypi të vëllimit të dytë, kalon në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, Dega për shkenca informatike: Katedra e bibliotekarisë, ku i ligjëron lëndët, si: Historia e librit dhe e bibliotekave, Bibliografia, dhe Sociologjia e librit dhe e bibliotekave. Në shkurt të vitit 1978 merr titullin e këshilltarit të bibliotekarisë, ndërsa po atë vit Akademia Jugosllave e Shkencave dhe të Arteve (AJShA) ia njeh titullin e këshilltarit shkencor në lëmin e shkencave historike. Në vitin 1990 i jepet titulli i këshilltarit shkencor në lëmin e shkencave informatike. Në vitet 1970-1973, në cilësi të ligjëruesit të lartë, në fakultetin Filozofik të Prishtinës, si bashkëpunëtor i jashtëm, ligjëron lëndën “Bazat e arkeologjisë”. Kah fundi i vitit 1971 zgjidhet si ligjërues i lëndës “Bazat e historisë së librit dhe të bibliotekave” në studimet pasuniversitare të bibliotekarisë, të dokumentacionit dhe të shkencave informatike të Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1978 zgjidhet si profesor inordinar me honorar në katedrën e sapoformuar të bibliotekarisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1987 u zgjodh profesor i rregullt në të njëjtin fakultet. U pensionua në vitin 1997.
* * *
Aleksandër Stipçeviqi është autor i shumë studimeve në fushën e ilirologjisë, si:
– “Gli Illiri”, 1967 (“Ilirët”);
– “Arte degli Illiri” 1967 (“Arti i ilirëve”);
– “Bibliographia Illyirica”, 1967 (“Bibliografi për ilirët”);
– “Simbolet e kultit te ilirët”, 1983; “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualizimi i tij politik sot” etj.
Është autor veprash edhe në fushën e albanologjisë:
– “Interpretime albanologjike”;
– “Etnogjeneza e shqiptarëve”, “Albanologjia në Kroaci” etj.
Veprat
– Arti ilir (Ilirska umjetnost; Arte degli Illiri, 1963); Bibliografia e arkeologjisë antike në Jugosllavi I-II (1977);
– Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji I–II (1977);
– Simbolet e kultit tek ilirët (Kultni simboli kod Ilira. 1981);
– Ilirët (historia, jeta, kultura) – Iliri (povijest, život, kultura) (1974);
– Historia e librit (Povijet knjige, 1985);
– Censura në biblioteka (Cenzura u knjižnicama. 1992);
– Për censorin e përsosur (O savršenom cenzoru, 1994);
– Rrëfim për leksikonin biografik kroat (Priča o hrvatskom biografskom leksikonu (1997);
– Fati i librit (Sudbina knjige, 2000);
– Historia sociale e librit te kroatët I-II (Socijalna povijest knjige u Hrvata I–II (2004-2005);
– Kultura e traditës e Arbëreshëve të Zarës (Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa) (2011).
* * *
Në vitin 2025 i është dhënë Certifikata për merita “Millan Shuflaj”.
Prej datës 12 maj 2017, dega e Bibliotekës së qytetit Zarë në lagjen Arbanasi e mban emrin Dega “Aleksandër Stipçeviq“ – Arbanasi.
* * *
Arbëneshi është lagje periferike e qytetit të Zarës në Dalmaci (Republika e Kroacisë). Dikur ka qenë fshat, i quajtur Arbanasi dhe Borgo Erico (Borgo Erizzo).U themelua në vitin 1726 nga shqiptarët të ardhur prej Briskut dhe Shestanit në perëndim të liqenit të Shkodrës. Shqiptarët ikën nga dhuna turke dhe u vendosën këtu në valë të ndryshme, në vitet 1726-1727, 1733 e më pas. Përpos nga Brisku e Shestani, ata erdhën edhe Larja që ndodhet ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit. E folmja e arbëreshëve të Zarës i përket gegërishtes dhe përfaqëson një gjendje më të hershme të këtij dialekti.
Pra, arbëreshët e Zarës e kanë prejardhjen nga rajoni i Krajës, përkatësisht nga fshatrat Brisk, Shestan, Ljare dhe Podë, sot pjesë e Komunës së Tivarit në Mal të Zi. Si pasojë e pushtimit osman të trevave shqiptare, kjo popullatë emigroi në Kroaci, në dy periudha të ndryshme: E para, në vitin 1655 për në Pullë (Pula), Istrie (Istra) dhe e dyta, në vitet 1726-27 dhe 1733, për në rajonin e Zarës. Kjo e fundit u mbështet nga kryepeshkopi i Tivarit dhe Zarës, Vicko Zmajeviq (1670-1745) dhe nga Republika e Venedikut. Prej kroatëve quhen Arbanas, Arbanasi.
Kjo e folme është studiuar nga albanologu gjerman Gustav Vajgand (Gustav Weigand, 1860-1930), nga gjuhëtari italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1982) dhe nga gjuhëtari e akademiku Idriz Ajeti (Tupallë të Medvegjes, Kosova lindore, 1917 – Prishtinë, 2019).
Nga radhët e tyre kanë dalë veprimtarë të mirënjohur në fushën e dijes dhe të kulturës, si poeti dhe tregimtari Shime Deshpali (1897-1980) dhe Josip Rela (1895-1966), autor i një numri pjesësh melodramike dhe të shkruara në gegërishten e tij arkaike. Më e njohur nga veprat e tij është tragjedia në katër akte “Nita”, Rilindja, Prishtinë, 1976, faqe 77, e cila evokon fatin tragjik të një vajze nga Brisku, të zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Tragjedia “Nita” e Josip Relës është e para dramë shqipe e shkruar dhe e botuar në Jugosllavi.
Shime Deshpali dhe Josip Rela kanë shkruar në të folmen e arbëreshëve të Zarës. Këtij mjedisi i përket edhe Bruno Kërstiqi i cili njihet edhe për një libër kushtuar historisë së formimit të këtij ngulimi dhe për një fjalor të gjuhës së arbëreshëve.
Arbëreshë të njohur kanë qenë:
– Josip Vladoviq Rela (1895-1966) – dramaturg;
– Shime Deshpali (1897-1981) – poet, kompozitor, profesor muzike;
– Aleksandër Stipçeviq (1930- 2015) – arkeolog, historian, ilirolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;
– Pavle Deshpali (1934- ) – kompozitor, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë;
– Valter Deshpali (1947- ) – violonçelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb;
– Shime (Simeone) Duka (1915-2006) – sekretar i arkivave të Vatikanit;
– Josip Gjergja (1937- ) – basketbollist i Zarës dhe i kombëtares basketbolliste të Jugosllavisë;
– Mlladen Gërdoviq (1958- ) – këngëtar;
– Bozhidar Kalmeta (1958- ) – kryetar i Zarës në vitet 1994-2003; në vitin 2013, ministër në qeverinë kroate;
– Ratimir Kalmeta (1916-2005) – gjeograf dhe gjuhëtar;
– Bruno Kërstiq (1905-1987) – leksikograf;
– Hërvoje Macanoviq (1904-1980) – gazetar sporti;
– Gjani Marshan (1944- ) – këngëtar, muzikant, diplomat, konsull kroat;
– Bepo Mateshiq – këngëtar i tenorit;
– Berto Mateshiq – këngëtar i tenorit;
– Ivica Mateshiq Jeremija (1959- ) – shkrimtar, diplomat ushtarak;
– Ivo Peroviq (1882-1958) – Ban (guvernator) dhe regjent i Jugosllavisë në vitet 1934-1941;
– Ivan Prengja (1939-2010) – kryepeshkop i Kryepeshkopatës së Zarës;
– Ennio Stipçeviq (1959- ) – muzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë.
– Josip Gjergja (Arbënesh/Arabanasi, Zarë, 11 shkurt 1911 – Beograd, 18 shkurt 1990) – Politikan dhe diplomat kroat me prejardhje shqiptare (arbëreshe). Në vitet 1945-1948 ka qenë ambasador i Jugosllavisë në Shqipëri. Pas kësaj ka qenë ambasador në Hungari, në Bullgari, në Egjipt, në Libi, në Indi dhe në Birmani. Në vitet 1970-1972 nënkryetar i Kuvendit Federativ të Jugosllavisë. Në vitin 1972, Josip Brozi i largon nga skena politike udhëheqësit “nacionalistë” kroatë. Me këtë veprim të Titos, Josip Gjergja nuk u pajtua. Dha dorëheqje nga funksionet politike.
Xhelal Zejneli