ILJASA SALIHU: EGËRSIRAT E KAPITALIZMIT TË EGËR NË MAQEDONI!

Kumanovë, 24. 02. 2015 – Kapitalizmi i egër në Maqedoni, gjithnjë e më shumë po bëhet një varrmihës i pështirë për qytetarët e saj dhe në anën tjetër një ushqyes i kujdesshëm i elitës barkmadhe politike. Një deputete (kemi edhe shumë të këtilla, madje që studiojnë jashtë shtetit dhe prej atje i përfaqësojnë denjësisht votuesit dhe popullin) që asnjëherë populli nuk pa ndonjë mirësi prej saj, vetëm për shëtitje me veturë në nivel vjetor i paskësh shpenzuar 23 mijë euro. Një drekë shumë modeste për vetëm pesë pushtetarë kushton 100 euro. Mëditjet e shumta shkojnë kot së koti nëpër komisione të ndryshme. Mirëmbajtja financiare për projektin fashist “Shkupi 2014” për çdo vit kushton 300 mijë euro. Të mos flasim për rrogat astronomike që pushtetarët i marrin, rroga këto që kurrë nuk arritën t’i arsyetojnë.
Shteti edhe pse është i vetëdijshëm që shporta konsumatore për një familje katër-pesë anëtarë është 500 euro, përkundër këtij fakti, ka vendosur që për një familje me numër të këtillë dhe pa asnjë anëtar të punësuar si ndihmë sociale t’ia jep 50 euro. Një gjysmë drekë e pesë funksionarëve! Në pamundësi të sigurimit të punës, apo të hapjes së vendeve të reja të punës, ku një familje më numër të këtillë të anëtarëve do t’i siguronte vetë të ardhurat prej punësimit, ajo ia siguroi një mjerim të trishtuar familjeve në fjalë. E keqja e kësaj dhe paradoksi i këtillë nuk përfundon këtu. Duke qenë se si shqiptar të konfesionit mysliman që jemi, ku nuk duam dhe nuk lejojmë që ndasitë financiare në familjen tonë të përshkohen prej një hendeku të thellë, ndihmat e ndryshme prej mërgatës ishin dhe janë një ndihmesë tejet e mirë, po ashtu edhe të patjetërsueshme. Këtë veprim, ata në mërgim e llogarisin si një detyrim moral, ndihmë kjo e cila në vazhdimësi i dha frytet e saja në vendlindje, ani pse këtë dert duhej ta mbartë vetë mekanizmi i shtetit. Këta janë bijtë e këtij vendi, ku nuk lejojnë sikurse të tjerët, që vetë të kënaqen në mjaftueshmëri financiare dhe ekonomike, kurse familjet e tyre të rrojnë nëpër këneta së bashku me bretkosat! Kësodore, kur u bind pushteti se kjo lloj ndihme nuk e ka ndërmend të ndalet, apo e përdori vetëm si një shkas që të kursejë mjete buxhetore për interesa të veta të ulëta, atëherë pranuesit e kësaj ndihme pushteti i pandehu për të pasur, të cilët nuk paskan nevojë të marrin ndihma sociale.

Rrjedhimisht, këto ditë merret vesh se në Dibër bëhet fjalë për mbi 50 familje me mbi 200 anëtarë, të cilët kanë anëtarë të familjeve që punojnë jashtë shtetit, kryesisht në vendet perëndimore, që kanë dërguar para në deviza për të ndihmuar familjarët me probleme sociale për të bërë ndonjë rregullim a riparim në shtëpitë të tyre. Kjo ndalesë nuk është hera e parë që ndodhë, as nuk është vetëm ky qytet i prekur prej kësaj ndërhyrje të pakuptimtë, por kështu është vepruar prej kohësh dhe kohë pas kohe. Përse në vend të këtyre mësymjeve të pakuptimta, dikush prej pushtetit nuk merr guxim për një takim me këtë shtresë të shoqërisë dhe t’ia shpjegojë se si mund të jetohet me 50 euro në muaj. Ku ta dimë, ndoshta ata e dinë ndonjë metodë ekonomike të kursimit, që këtyre të shkretëve apo dikujt tjetër nuk i ka rënë ende ndërmend!
Ky vendim praktik është një goditje e rëndë për këto familje. Është një thikë me shumë tehe të mprehta. Është një shpatë e lyer me helm vdekjeprurës. Fëmijë dhe familje të shumta u shpërngulën për shkak se ky shtet nuk qe në gjendje t’ia siguron të tanishmen dhe të ardhmen mesatare socio-ekonomike. Në pamundësi që edhe më tutja ta durojnë këtë katrahurë politike dhe ekonomike, ata u larguan me zemra të thyera prej vendlindjes, duke i lënë pas vete anëtarët e tjerë në mëshirë të murrlanit shpues, kurse së fundmi po këtyre anëtarëve të mbetur u thanë se ju duhet ta kaloni muajin me 50 euro, duke mos pranuar fare ndihma nga jashtë, mbase as mos ta shisni ndonjë litër qumësht nëpër fqinjë, përndryshe edhe këto 50 euro do t’i humbisni. Ç’të them, pos që të përpiqem ta kuptoj këtë mendësi të mbrapshtë përmes një pyetje: dëshiron ta hash ujkun e helmuar, apo ujku të të hajë ty? Tjetër zgjedhje dhe zgjidhje nuk ka. Duhet të vendosësh mes vdekjes dhe mbytjes!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura