ILJASA SALIHU: LUFTËPAQJA SIKURSE TUCTRIM!

Kumanovë, 17. 12. 2014 – Lufta e 2001-shit është argument i mjaftueshëm sa për ta ditur se lufta në Maqedoni nuk është e gatshme dhe e aftë t’i zgjidhë problemet tona. Paqja në këtë shtet kurrë nuk arriti të del prej lëvozhgës së teorisë. Madje edhe atëherë kur u shqiptua fjala “Oazë e paqes në Maqedoni” njerëzit nuk e ndienin fare paqen, aq më pak ta shijonin dhe ta dëshironin luftën. Për fat të keq, banorët e këtij shteti janë duke jetuar në zonën neutrale; ata nuk janë në luftë, por u mungon edhe paqja. Ndjenja e tyre gjendet përballë dy pellgjeve, por përgjatë udhëtimit për te ndonjëri pellg, po humb udhëtari si rrjedhojë e pështjellimit të qëllimit dhe cakut të asaj nisjeje.
Me pak fjalë dhe me shumë mend, fjala që do t’i shkonte më përshtati kësaj zone neutrale do të ishte luftëpaqja, ngjashëm si emërtimi i tuctrimit, që do të thotë se në raste të caktuara ai është trim i madh, por herë pas herësh di edhe të frikësohet. Këto fjalë për t’i pajisur jetë, më duhet ta sjell një shembull. Ushqim kemi, nuk është se nuk na japin për të ngrënë, por shumë pak na japin, saqë pamundësia për t’u ngopur ndonjëherë, po e zmadhon mundësinë e shpërthimit të durimit. Kësisoj, nëse shpërthen durimi, pastaj vështirë është të merremi me arsyen e atij shpërthimi, sepse do të humbasim në malin e ngjeshur të pasojave të atij shpërthimi.

Meqenëse lufta është vazhdimësi e politikës, por me mjete tjera, unë mendoj se zgjatimet politike duhet t’i bëjmë vetëm me mjete politike; me mençuri, diplomaci, moral të lartë, qartësi të kërkesave dhe me këmbëngulje. Aktorët e kësaj jetëdhënie do të duhet të jenë të ditur, të panjollosur moralisht, të gatshëm për flijim dhe largpamës. Paj, të mos harrojmë se në mungesë të argumenteve dhe në pamundësi për ta duruar bashkëbiseduesin, puna më e lehtë është t’ia japësh një flakaresh dhe ta mbyllësh prore muhabetin, por ky gjest i lehtë është i prirë të shoqërohet me pasoja të pambarimta të vështira. Prandaj, më mirë të vonohemi përgjatë bindjeve dhe arritjeve, sesa t’i flakim bindjet me një flakaresh për të krijuar pastaj një mori antagonizmash dhe pasojash, të cilat do të bëjnë që të harrohet shkaku i pikënisjes në fjalë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura