PROF.DR.LUFTULLA PEZA: DHJETORI 1990 DHE SHPRESA E HUMBUR!

Tiranë, 11. 01. 2016: Dhjetori i vitit 1990 është përvjetori mjaft i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve: u rrëzua rregjimi i vjetruar komunist, për tu zëvëndësuar me rregjimin demokratik të qeverisjes. Studentët e Tiranës, si pjesë e popullit shqiptar, të pa kënaqur me kushtet e jetës, me mungesën e lirisë dhe të drejtës së fjalës dhe të mbyllur brenda kufirit shtetëror, filluan revoltën me kërkesat e tyre fillimisht ekonomike, që më pas u pasuan me kërkesa për pluralizëm politik. Kjo shënoi shkërmoqjen e rregjimit komunist në Shqipëri dhe fillimin e rendit pluralist. Kjo ka rëndësi të madhe politike për vendin, që ende nuk është studiuar plotësisht nga histografia jonë.
Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 përmendet si fenomen me rëndësi kombëtare dhe arritje e saj më e rëndësishme në vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri. Kështu Lëvizja Studentore e dhjetorit 1990 hapi kapitullin e ri në historinë tonë, të ndërtimit të shoqërisë plulariste demokratike, nën shembullin e demokracive perëndimore, kryesisht ShBA. Kjo aspiratë e pastër plot ndjenja të dashurisë për vendin e shumë vuajtur dhe popullin fukara dhe të demokratizimit të jetës nën shembullin e demokracive perëndimore, shoqëruan lëvizjen studentore të dhjetorit nga fillimi në fund.
Por kjo lëvizje nuk ishte e vetme dhe e para e llojit të vet në vendin tonë. Ajo as nuk erdhi nga qielli. Disa revolta të popullit, që e lodhën, e dobësuan dhe e krisën rregjimin totalitar e paraprinë atë.
Shpejt pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985, në Shqipëri vihen re ndryshime të rëndësishme: situata ekonomike e popullit në fshat e qytet u vështirësua më tepër, rradhët e gjata për vezë, perime, mish etj. shiheshin kudo. Fshatari nuk kishte prodhime për të shitur, nuk prodhonte gjë. Me ligjet në fuqi ai nuk kishte as tokë dhe as të drejtë të mbante as pula. Mungesat ekonomike dhe politike sollën rritjen e pakënaqësisë së popullit dhe frikën e udhëheqjes komuniste. Prandaj masat e rrepta shtërnguese të rregjimit pësuan zbutje, që në jetën e vendin nuk sollën dobinë e premtuar.

E njihja mirë gjendjen në të gjithë vendin, si gjeolog punoja në malësinë e veriut, Shkodër, Kukës, Tropojë, Korçë, Malësia e Llogaras, Elbasanit, Krujës etj., ku kisha parë varfërinë e madhe dhe pakënaqësinë e thellë dhe në rritje të popullit. Ishte koha, kur nuk mund të flisje, sepse kudo kishte provokatorë dhe spiunë, por në heshtje i dënoja të gjitha dhe u jepja kurajo njerzve.
Gjatë vitit 1987 u kap një grup, që përhapte trankte anti qeveritare në Shqiprinë e veriut, që bënte thirrje për kryengritje të përgjithëshme. Në këtë kohë së bashku me shokun tim D. Shkupin përgatitëm një trakt anti qeveritar: “POPULL NGRIHU”, që me ndihmën e një inxhinjeri, shef reparti në shtypshkronjën “Mihal Duri”, do ta shtypnim dhe më pas do ta shpërndanim. Nuk mundëm ta bëjmë këtë punë nga arrestimet e bëra atë kohë dhe kontrollet e forta që u vunë në shtypshkronjë.
Shpirti revoltues i popullit ishte në ngjitje, kërkonte jetë më të mirë dhe liri më të mëdha. Gjatë vitit 1989 filluan grevat ekonomike në Kavajë. Puntorët e Fabrikës së Qelqit dhe puntorë të tjerë të Kavajës kërkonin përmirësim të kushteve ekonomike në mënyrë masive. Kërkesat e tyre vunë në lëvizje udhëheqjen e lartë të PPSh, por pa e zbutur situatën. Këto ditë në muret e pallateve në sheshin qëndror të Kavajës, aty ku sot është bashkia, u shkruajtë parulla me germa të mëdha: “O Enver-O Hitler”, që shprehnin pakënaqësinë dhe urrejtjen për rregjimin totalitar. Është fatkeqësi, që kavajasit e rinj nuk e dinë rëndësinë e veprës së baballarëve të tyre dhe as që i përkujtojnë këto data.
Pakënaqësia më e fortë për rregjimin u shpreh më 3 korrik 1990, kur rinia e Tiranës dhe më pas nga e gjithë Shqipëria, çau gardhet e policisë dhe mbushi ambasadat e huaja në Tiranë. Hapja e ambasadave qe goditja më e rëndë për rregjimin në fuqi, prandaj shpejt udhëheqja komuniste mori masat diskriminuese dhe shtërnguese. Intelektualë të njohur të Tiranës u vunë në shërbim të udhëheqjes, duke i mallkuar në televizion dhe mitingje të gjithë ata që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja, me fjalët fyese “jashtëqitje e kombit”. Plus kësaj nëpër lagje filluan mbledhjet e kolektivit, për të dënuar prindërit e të rinjve, që kishin hyrë nëpër ambasada.
Ato ditë të nxehta korriku takoj në rrugë vajzën e hallës, Sofijen, e cila sapo më pa filloi të qajë. E dija që dy djemt e saj kishin hyrë në ambasadën gjermane dhe mendova se kishte shqetësim djemt. Por ajo me lot në sy më tregoi se sapo kiste mbaruar në lagje mbledhja e frontit, ku atë e kishin demaskuar si grua që nuk ka edukuar djemt e saj, që po veprojnë kundra partisë dhe shtetit. Ajo ishte gjithë frikë nga ndonjë internim i mundshëm dhe për fatin e djemve. E mora në qafë Sofijen për ta ngushëlluar dhe i thashë “Mos ki frikë se këta tashti nuk kanë më forcë të internojnë njerëz. Edhe djemt tuaj do të shkojnë në Gjermani dhe do të jetojnë shumë më mirë se këtu dhe do të ndihmojnë ty”. Sofia fillojë të më puthë dhe të më falenderojë për fjalë të ngrohta dhe e pashë që e ngriti kokën lart.
Në gusht 1990 dy të rinj shkodranë marrin guximin të arratisen nga fshati Pentar në buzë të Bunës. U rethuan nga forcat kufitare dhe njësitë e sigurimit në gërmadhet e fshatit të vjetër. Kur e panë veten të rrethuar lajmëruan se janë dorëzuar. Megjithë këtë komandantët e forcave të sigurimit urdhëruar vrasjen e tyre dhe më pas trupat e tyre i shëtitën me komion nëpër rrugët e qytetit, për ti shtirë frikën popullit. Edhe në luftë robërit nuk vriten, por dy të rinjtë u vranë dhe më pas trupat e tyre u poshtëruan nëpër qytet. Vrasësit asnjë herë nuk u dënuan dhe sot punojnë në organet e ministrisë së brendëshme shqiptare. Por fajin e kanë prindërit e dy të rinjve, që nuk kërkojnë të vihen vrasësit para ligjit.
Në Shkodër në vjeshtë të vitit 1990 disa të rinj kishin filluar përgatitjet për rrëzimin e bustit të Stalinit, që ishte vendosur në qendër të qytetit pranë Kafes së Madhe dhe këtë e kishin bërë publike. Sigurimi i shtetit e dinte këtë aksion të planifikuar për datën 11 janar 1991 dhe kishte vënë kamera për të filmuar ngjarjen. Dhe kështu ndodhi, më 11 janar aktivistët morën litarin për të rrëzuar bustin, por në këtë kohë ndërhyjnë forcat e rendit, arrestojnë organizatorët. Të gjithë u rrahën barbarisht dhe i sollën në Tiranë, ku u dënuan me burgime të gjata. E kam ndjekur nga afër këtë aksion të rinisë shkodrane dhe pashë trimërinë e tyre, që nuk u trembën aspak nga arrestimet.
***
Këto qenë disa grimca heroike të popullit tonë, që i kam ndjekur nga afër dhe i ruaj në kujtesën time, që kanë ndodhur para dhjetorit 1990. Këto veprimtari antikomuniste kanë rëndësi të madhe politike, prandaj duhet të kujtohen me nderimet më të mëdha, sepse aktivistët që i bënë ata qenë trima të mëdhenj dhe u mbështetën nga populli. Këto vepra revolucionare e plasaritën rregjimin komunist shqiptar dhe ju dhanë zemër dhe i hapën rrugën lëvizjes studentore të dhjetorit 1990.
Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 nuk qe akt i shkputur, por vazhdim i kësaj ndjeje popullore të rëndësishme antikomuniste në Shqipëri. Gjendja mjaft e vështirë ekonomike dhe politike në vend dhe ndryshimet politike në vendet ish-socialiste i dhanë shtysë shoqërisë shqiptare të lëvizte për të dalë nga kriza e thellë. Lëvizja studentore pat si parrullën “Liri – Demokraci”, që ishte qëllimi i saj kryesor. Në sajë të kërkesave të kësaj lëvizje më në fund në Shqipëri u vendos pluralizmi dhe mundësia për tu shprehur i lirë.
Lëvizja studentore dhjetor 1990 ka rëndësi të madhe, sepse në sajë të saj dhe të gjitha lëvijeve të tjera në vend në Shqipëri u vendos pluralizmi politik dhe jeta e shoqërisë u bë më e lirë, Shqipëria ju hap botës dhe filloi lëvizja e lirë jashtë shtetit etj.
Por me vendosjen e pluralizmit politik dhe me krijimin e partive politike, jeta në vend mori drejtim tjetër dhe kërkesat e studentëve shpejt u venitën. Në partitë politike të sapo krijuara u bë luftë e ashpër për të zënë vendet drejtuese, që më pas të vinin privilegjet. Shpejt u harrua parrulla Liri-Demokraci për të gjithë popullin. Ajo u kthye në luftën për vendet drejtuese në parti dhe shtet, për të siguruar sa më shumë fitime personale.
Partitë politike shqiptare nuk u krijuan nga studentët dhe aktivistë të lëvizjeve popullore për Liri-Demokraci, as edhe nga ata që kryesuan veprimet antikomuniste para dhjetorit, por nga zyrtarë dhe në zyrat e PPSH, sepse ajo donte ende të ruante ndikimin e saj në jetën politike të vendit. Këto i kanë vërtetuar R. Alia, S. Pullumbi dhe Xh. Gjoni, ish zyrtarë të lartë të PPSh në intervistat e tyre, por dhe fakte të tjera të pamohueshme. Nga kjo në drejtimin e këtyre partive nuk erdhën studentë dhe individë të devotshëm për demokracinë, që drejtuan lëvizjes studentore me shpirtin, për ti sjellë vendit LIRINË DHE DEMOKRACINË. Në krye të partive të reja politike erdhën karieristë dhe egoistë të zgjedhur nga KQ i PPSh, për të siguruar asaj pushtetin, që më pas degjeneruan në përvetësues të pasurisë kombëtare.
Në fillim qeveria F. Nano- G. Pashko filloi zbatimin e programit “terapia së shokut në ekonomi” dhe me këtë ekonomia shqiptare, uzinat, fabrika, kombinate, minierat etj. filluan të shkatërroehn deri sa u rrafshuan. Këto vepra të rëndësishme për ekonominë e vendit shiheshin nga zyrtarët e rinj dhe politikanët egoistë si vepra komuniste me qëllim të caktuar. Janë të njohura thirrjet e A. Hajdarit për të shkatërruar çdo gjë të ndërtuar gjatë socializmit, sepse vetëm kështu, mendonte ai, mund të rrëzohet rregjimi komunist. Duke shkatërruan ekonominë u bë më i lehtë përvetësimi i saj, por u krijua papunësia e madhe, që ata me demagogji ja faturuan rregjimit që po largohej.
Zgjedhjet e para pluraliste më 1992 sollën në pushtet Partinë Demokratike. Populli i lodhur me PPSH dhe pasuesen e saj PS votoi ndryshimin e pushtetit, që i kushtoi shumë shtrenjtë. Pushtetin e morën në dorë karieristët dhe egoistët, që për interesat e veta i harruan premtimet e marra gjatë fushatës elektorale. Lufta për pushtet midis krerëve të PD dhe PS polli kolapsin 1997, që tundi themelet e shoqërisë shqiptare. Kjo qe dhurata më e madhe që i sollën vendit dy partitë PS dhe PD, që polli pluralizmi dhe kryesuesit e tyre.
Në zgjedhje pluraliste 1992 ende pata besimin në arritjen e demokracisë dhe kam qenë kandidat për deputet në Kuvendin Shqipërisë nga krahu i PD, por shpejt u binda në luftën e brendëshme për të zënë poste drejtuese jo për të ndërtuar vendin dhe mirëqenien e popullit, por për ta zhvat atë. PD dhe aleatët e saj sapo erdhën në pushtet e mbushën administratën me partizanët e tyre, filluar nga rojet e objekteve e deri në krye.

Vetëm në Shqipëri kanën ndodhur shkatërrime masive dhe të mëdha, të pa para në Europë: si shkatërrimi i vitit 1997, vjedhja e thesarit të Shqipërisë, vjedhja e flotës detare, vjedhja e flotë ushtaraka ajrore, shkatërrimi i bazës ushtarake të Pasha Limanit, vjedhja e 230 milionë euro në rrugën e Kombit, vjedhja dhe tragjedia e Gërdecit, falja Greqisë të qindra kilometra katror nga deti shqiptar, vjedhja e 730 milionëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhjet marramendëse në dogana etj. etj. dhe asnjë njeri nga përgjegjësit nuk u vu para drejtësisë.
Kështu me zgjedhje pluraliste 1992 filloi në Shqipëri venitja e shpresës për LIRI-DEMOKRACI dhe dalë nga dalë elementët e fituar të lirisë më 1990, filluan të zhduken për tja lënë vendin drejtimit neokomunist dhe kaotik. Shqipëiria i humbi shanset për tu shndruar në një vend demokratik në sajë të klasës së saj politike. Në vend të ecte paralel me shtetet e tjera, të zhvillonte politikën mbi bazat e interesave kombëta, të rriste ekonominë dhe mirëqenien e popullit, politikanët shqiptar i vunë vetes për detyrë të pasurohen sa më shumë në korriz të popullit të tyre. Si pasojë e kësaj politike në vend u rrit vjedhja e pasurisë kombëtare, papunsia, varfëria dhe korrupsioni.
Asnjë e drejtë nuk i ka ngelur popullit shqiptar për të zgjedhur. Filluar nga kryepleqtë e fshatrave, kryetarët e komunave, deputetët, gjyqtarët, prokurorët, administrata shtetërore e deri tek presidenti, zgjidhen nga partia dhe janë përfaqësues të tyre. Të gjitha vendet në kuvend dhe administratë shiten me mijëra euro dhe janë të shpeshta rastet kur këto vende i blejnë kriminelët. Në ndihmë të partive janë edhe komisionet partiake të zgjedhjeve, që mbushin kutitë dhe rregullojnë votat për partitë e tyre.
Nga këto praktika populli është ndarë më trishë. Më shumë se gjysma e tij nuk i pëlqen gjendja e krijuar ku hyjnë të papunët, të varfrit, intelektualët e pavarur, shumica e rinisë, i gjithë ky grupim i ka humbur shpresat se gjendja mund të rregullohet. Këta nuk marrin pjesë në votime dhe shumica, sidomos rinia, e sheh shpëtimin duke emigruar. Këta mendojnë se duke mos marrë pjesë në votime i bëjnë mirë vetes, por gabohen. Grupe e tjera janë partizanët e grupimeve politike: ky hyjnë biznesmenët e lidhur me politikën, që e ushqejnë atë për të përfituar dhe presin prej saj favore, deputetët, policia, prokuroria, shumica e gazetarëve dhe nënpunsve, administrata shtetërore etj.
Lufta ndërmjet grupimeve PS dhe PD për marrjen e pushtetit, ligjet e mbrapshta, e gjithë administrata shtetërore militantiste etj. sollën papunësinë dhe varfërinë e skajshme të popullit dhe renditjen e tij ndër më të varfër në botë me korupsionin më të lartë.
Reformat që ndërmerren janë vetëm politike, kanë për qëllim të forcojnë pozitat e njerit grupim. Edhe reforma në drejtësi, për të cilën flitet shumë ditët e fundit, është si të gjitha të tjerat mashtrim, sepse qëllimi është të largohen njerzit e palës së djeshme nga pushteti në drejtësi dhe të vijnë njerzit e palës së politikës së sotme.
Loja më e madhe demagogjike këto 25 vjetët e fundit është bërë me pronat e qytetarëve dhe pronarët. Rregjimi komunist i shtetëzoi të gjitha, por nuk i morën për vete drejtuesit e tij. Me gjithse në kushtetutë shkruhet se prona private është e shenjtë dhe mbrohet me ligj, në Shqipëri ajo zhvatet me ligj. Me ligjin 7501 u përligj vjedhja e parë masive e pronave private, vetëm për ti siguruar votat dhe pushtetin partive politike. Ajo më pas u vijua me legalizimet e padrejta dhe vjedhjet nga pushtetarët. Agjensia famëkeqe e kthimit të pronave shërbeu si urë për vjedhjen e pronave të qytetarëve dhe për dhënien e paligjëshme pushtetarëve të rinj. Megjithse babanë e kam dëshmorë të luftës për çlirimin nga fashizmi, dekoruan nga presidenti me urdhërin e Shqiponjës së Artë, asnjë pronë nuk më është kthyer deri tani.
Në nenin 8 pika 2 të kushtetutës sonë shkruhet “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”, por në fakt asnjë mbojtje të tillë nuk vihet re për shqiptarët jashtë Atdheut. Shqiptarët në Serbi, Lugina e Preshevës, Mal të Zi , Greqi, Maqedoni, Turqi etj. përbuzen, keqtrajtohen dhe nuk kanë të drejtat themelore në këto vende, qeveritë shqiptare nuk japin asnjë ndihmë për to. Prandaj çdo ditë nga këto territore etnike shqiptare, shqiptarët po largohen.
E keqja më e madhe në shoqërinë e sotme shqiptare është humbja e shpresët tek njerzit, që gjendja me këtë klasë politike mund të ndryshojë. Prandaj të vetmen rrugëzgjidhje kanë zgjedhur braktisjen e vendit. Vendi ynë i rrit me sakrifica të mëdha fëmijët dhe popullsia gjithmonë ka ardhë duke u rritur. Në vitin 1938 Shqipëria kishte 810 mijë banorë, më 1985 popullsia arriti 4.5 milion banorë, por në vitet e pluralizmit janë shënuar ulje drastike. Më 2014 numuri i qytetarëve të Shqipërisë u ul në 2.8 milionë banorë dhe rreth një qind mijë emigruan nga vendi. Gjatë vitit 2015 përsëritet i njejti skenar: largim masiv me kuç e me mac. Është mjaft e qartë, që edhe klasa politike shqiptare PS-PD-LSI e përkrah largimin masiv nga vendi, sepse ikin kundërshtarët e politikës dhe të pushtetit.
Shqipëria është vend i vogël, por mjaft i pasur. Nëntoka është e pasur me mjaft minerale si krom, bakër, hekur, magnez, kuarc, naftë, materiale ndërtimi, ujra etj. Klima e butë mesdhetare ofron zhvillimin e bujqësisë, pemtarisë, blektorisë, bletarisë etj. Turizmi është mundësi e madhe për vendin. Historia e lashtë dhe vendbanimet e shumta arkeologjike, folklori dhe veshjet e larmishme ofrojnë shumë për zhvillimin e turizmit. Me gjith këto përparësi, që ka vendi, populli shqiptar ka mbetur më i varfëri në kontinent e ndofta në botë.
Historia jonë gjatë 25 vjetëve të fundit karakterizohet nga shkatërrimi masiv i ekonomisë ish socialiste, vjedhja e pasurisë kombëtare, papunsia, korrupsioni i madh dhe varfëria , që janë ulur këmbëkryq në vend. Për këtë është përgjegjëse klasa politike e vendit.
Gjendja e sotme e mjerueshme e popullit shqiptar mund të tejkalohet shpejt me vullnetin e mirë të njerzve të mirë, që populli ynë i ka me shumicë dhe me mbështetjen e popullit mund të ndryshojnë gjendjen. Por duhet durim dhe mend. Nuk është emigrimi rruga e duhur, por gjetja e rrugës së drejtë. Të gjithë popujt kanë kaluar faza të errëta mjerimi në historinë e tyre, si kjo e jona, por me vullnetin dhe punë e kanë gjetur rrugën e shpëtimit. Edhe në vendet më të pasura dhe të bukura jeta e mirë është ndërtuar me sakrifica dhe luftë me të keqen dhe ju përket vendasve, të huajtë përbëjnë banorët e shkallës së dytë. Ju kujtoj Gjermaninë, që u bë shkrumb e hi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por populli gjerman me vullnet dhe disiplinë të hekurt, nën drejtimin e drejtë të kancelarit Adenauer dhe me ndihmën e 3 miliardë dollarëve nga ShBA, pastroi rrënojat e luftës dhe mbi to ndërtoi jetën e re, që është shembull në botë.
Shqipëria nuk duhet të presë, por të marrë borxh dhe të ndërtojë fabrikat dhe uzinat e shkatërruara. Greqia për të shëndoshur gjendjen e saj ekonomike mori bozxh rreth treqin milardë euro, po qeveritë shqiptare pse nuk marrin borxh 5 miliard euro të ndërtojnë vendin? Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës dy vjet pas luftës botërore, më 1947, u ndërtua hekurudha Durrës-Tiranë dhe më pas hekurrudha, kombinate, fabrika, shkolla, spitale etj. Sot qeveritë shqiptare nuk ndërmarrin asnjë veprimtari të tillë, as nuk duan ta mirmbajnë hekurudhën nga shkaku i interesave personale. Vetëm kështu do të punsojmë njerzit dhe do të zhdukim varfërinë. 5 miliardë euro borxh për 20 vjet do të përmirësohej shpejt gjendja ekonomike në vend.
Për rregullimin e gjendjes dhe kthimin e shpresës së humbur dhe jetën normale duhen guximi, përkushtimi ndaj popullit dhe vendit dhe reforma të thella. Në radhë të parë njerzit kërkojnë punë, drejtësi dhe siguri.
Për të arritur këto duhet ndryshuar ligji i zgjedhjeve, që nga partitë kryesore është formuluar që të ruajnë pushtetin e përjetshëm. Në Kuvendin e Shqipërisë duhet të vijnë njerzit që i zgjedh dhe kontrollon populli dhe jo militantët nga partitë. Kështu në kuvend do të vijnë përfaqësuesit e popullit, që do i shërbejnë atij.
Presidenti i vendit të zgjidhet direkt nga populli, që të përfaqësojë atë dhe jo një parti politike si tashti. Të lejohen emigrantët të votojnë atje ku punojnë, vota e tyre ka rëndësi të madhe. Komisioni i zgjedhjeve, që tashti mbush kutitë dhe vjedh votat tona, të shkrihet dhe në vend të tij të jetë komisioni jo partiak, si në vendet e tjera.
Partitë politike në zgjedhje të paraqiten të vetme dhe koalicionet të bëhen vetëm pas zgjedhjeve. Administrata shtetërore të përbëhet nga njerëz të përzgjedhur nga komisione profesionalë, që të marrin statusin e punonjësit civil.
Po nuk u bënë këto ndryshime në Shqipëri do të ruhet i përjetshëm monopoli i marrjes së pushtetit vetëm nga PD ose PS dhe bashkë me te edhe papunësia, varfëria dhe korupsioni nuk do të shkulen kurrë.
Shqiptarët kanë një favor të madh ndryshe nga popujt e tjerë: ata trashëgojnë nga paraardhësit e tyre historinë më të lashtë në Europë dhe Mesdhe si dhe gjuhën më të lashtë. Këto të dyja përbëjnë privilegj me rëndësi mjaft të madhe, që e kanë vetëm shqiptarët, që duhet shfrytëzuar me kujdes, për ti sjellë përfitime vendit. Gjer tashti organet drejtuese këtë nuk e dinë.
Shoqatat Atdhetare-Kulturore mund të luajnë rol të madh për të sjellë erën e re në ringjalljen e Shqipërisë së rënë në batak. Ato kanë në gjirin e tyre shumë njerëz të shquar dhe të përkushtuar për përparimin e vendit. Themelini i Aleancës së Shoqatave Atdhetar-Kulturore të vendit dhe ngritja e një partie politike mbi këtë bazë, do ti sillte dobi të madhe politikës së vendit. Alenaca Atdhetare (ose Aleanca e Shoqatave Atdhetare) do të kishte mbështetje të madhe në popull dhe do të sillte ndryshimin e spektit politik shqiptar dhe si pasojë përmirësimin e gjendjes politike dhe ekonomike në vend.
Jam i bindur se aleanca e Shoqatave Atdhetare Kulturore të vendit dhe të shoqatave të emigrantëve shqiptarë në vendet e huaja do ti sillnin dobi të madhe në qeverisjen e vendit të tyre dhe regullimin e jetës së qytetarëve, që sot vuajnë edhe për bukën e gojës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura