Kumanovë, 14. 12. 2105: Gjuha shqipe në Maqedoni gjuhë zyrtare! Projektet kombëtare në Maqedoni mbajnë vulën e BDI-së! Vullneti i partisë maqedonase në pushtet mungon për sa i përket jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit! Kësilloj gjërash para disa ditësh tha një mjek që kishte bërë Betimin e Hipokratit, mirëpo kishte dëshmuar veprat e hipokritit në politikë. Po ashtu, ky ishte ai që luante tenis me fjalën legjitim dhe legal kur ishte fjala për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Nuk mund të them se ky njeri nuk është i zgjuar, mirëpo paraqitjet e tij më thonë se ky njeri është kokërra e injorantit, mbase mund të jetë i vetëdijshëm edhe ai që është katandisur keq në detin e injorancës. Të merremi vesh, injorant nuk është njeriu që nuk di, por njeriu që gjërat i di mbrapshtë. Nuk është se ky nuk i sheh ngjyrat, mirëpo ngjyrat i sheh ashtu siç nuk janë në të vërtetë. Të bardhën e sheh si të zezë dhe të zezën si të bardhë.
Të thuash se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni është sikurse të thuash se maqedonishtja nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni. Nëpër ministri gjuha shqipe mund të flitet vetëm kur punonjësit shqiptar flasin përmes celularit me gratë a fëmijët e tyre. Dorën në zemër, sa herë kur të flasin me familjet përmes celularit flasin në gjuhën shqipe, përkundër pranisë së ndonjë maqedonasi në zyrë. Ndërsa mbledhjet, vendimet dhe dokumentat bëhen në gjuhën maqedonase. Mandej, le t’i drejtohet qytetari për ndonjë shërbim nëpunësve maqedonas në gjuhën shqipe dhe vetëm pastaj do ta sheh se sa me përçmim do të dëbohet. Kurse, po të ishte gjuha shqipe gjuhë zyrtare, shërbimet administrative do të duhej të kryheshin në gjuhën me të cilën i drejtohet qytetari dhe jo në gjuhën me të cilën dëshiron nëpunësi shtetëror. Mbase mund të jetë në kushtetutë gjuha shqipe zyrtare, edhe pse ajo nuk është gjuhë shqipe, por gjuhë e 20 përqindshit, mirëpo qytetarëve dhe nëpunësve shqiptar u intereson realiteti dhe jo mburrja në letër, mbase edhe ashtu kjo mburrje në letër është e gjymtuar dhe e paqartë mjaftueshëm.
Për sa i përket projekteve kombëtare se mbajnë vulën e BDI-së, do të ishte mirë të sqarohet se për cilat projekte bëhet fjalë, sepse përpos këtyre projekteve tjetër gjë nuk pamë: rasti i Sopotit, ndërhyrjet e padrejta policore në shtëpitë shqiptare, enciklopedia maqedonase, mosjetësimi i Marrëveshjes së Ohrit, vrasja e liridashëve të shquar, mbushja e burgjeve me shqiptarë, partizimi i arsimit, zhvillimi i zonave maqedonase, rasti monstra, projekti Shkupi 2014, rrënimi i xhamisë dhe shndërrimi i njërës në muze, mbushja e vendit me kisha dhe kryqe, rrahja e nxënësve shqiptarë, rastet e Kumanovës, humbja e çdo mundësie për t’u futur në NATO, edhe pse para do kohësh na u tha se gjuhën shqipe do ta flijojmë për hir të futjes në NATO, kurse tani mbetëm edhe pa NATO edhe pa gjuhë shqipe.
Krejt në fund, vetë na e lehtësoi punën, kur u kuptua se tha: ëndrrat e tyre të cilat duan të na shërbejnë si diçka të vërtetë, nuk mund të jetësohen për arsye se mungon vullneti i partisë maqedonase në pushtet. Kjo i bie se gjuha shqipe do të ishte gjuhë zyrtare, projektet kombëtare shqiptare do të kishin marr jetë, sikur të ekzistonte vullneti i VMRO-DPMNE-së. Problemi na qenka VMRO-ja dhe jo BDI-ja, edhe pse BDI-ja votat nuk i mori për t’u mbështetur në vullnetin e VMRO-së, mbase as që theksoi diçka të tillë. Ndërsa, nëse i thua se asgjë nuk varet prej jush, sakaq të thonë të kesh kujdes, sepse pjesë e pushtetit jemi edhe ne. Në rregull, por pse vullneti i popullit shqiptarë të varet prej vullnetit të partisë maqedonase në pushtet, kur dihet mirëfilli se shumica shqiptare votoi për BDI-në dhe jo për VMRO-n? Nëse është kështu, atëherë pse nuk na ftoni që të votojmë për këtë parti, meqë gjithçka vareshka prej saj? Apo nëse mungon vullneti i saj për ta jetësuar Marrëveshjen e Ohrit, atëherë pse gëlon vullneti i BDI-së për të qëndruar me çdo kusht në koalicion me këtë parti që është kundër vullnetit të BDI-së? Krejt në fund mbërritëm në fillim, prandaj fillimin e fushatës e filluan me fjalën FILLOJMË, edhe pse sikur harruan se populli shqiptar nuk harron se përgjatë këtyre 14 viteve dikush detyrimisht duhet të merr përgjegjësi dhe vetëm pasi të pastrohen mirë e mbarë përmes dënimit e tërë shpura e saj, atëherë pse jo, nëse ende kanë shëndet dhe jetë, le t’ia fillojnë nga e para, mbase atëherë mund të jenë më të pjekur, ngaqë pasi të jesh djegur prej qumështit do t’i frysh edhe kosit apo pasi ta thyesh kokën për shkak të ngasjes së shkujdesur së veturës, sigurisht se do ta ngasësh veturën më me mend dhe udhëtarët do të ndiheshin më të sigurt.