REXHEP KASUMAJ: TRAFIKIMI I SHPIRTËRAVE (ELOKUENCA SHPËTIMTARE)

Berlin, 06. 06. 2014 – 1. Ka kohë që shtypi gjerman është mbushur pezm i gjithi për një miqësi të çuditshme, dendësia e së cilës vete përtej privatsisë njerëzore dhe mirësjelljes politike. Kishte patur shkas një hendikep dhe do të vijonte e prushtë përballë sfidash dhe mënirjesh rrotull saj. Mbahej takimi i G8-es në verën e largët, tash 14 vjet, dhe, meqë anglishtja e ish-kancelarit Schröder që do të humbiste më pas nga një Zonjë enigmatike, çalonte, ai ndihej pak i vetmuar. Në atë çast, thuase pikaste orën e tij, do ti gjendej pranë Shefi i Kremlinit (i kësaj „ngrehe satanike“, „strehe tiranësh“, „mbeturine dinosaurësh“, e „banese qenjesh të Apokalipsës“, sipas frëngut Marquis de Custime, cituar nga libri „Kremlini“ të brites Catherine Merridale) që, si ish-spiun i Luftës së Ftohtë, fliste rrjedhshëm gjuhën e tij. E bashkëndjesia do t‘hidhte, ashtu, fillesën njohjes së gjatë. Mandej, ndër vite, ajo, e shndërruar në partneritet utilitar, do të përshkohej njëj filli të errtë përfitimesh të dyanshme: monetare për të parin dhe politike për të dytin. Për Gerdin (si e quan me politesë miku i tij) ajo do t‘bëhej vjegë e kamjes së dyshimtë, kurse për Wladimirin, ose ”demokratin e kulluar” (si e cilësonte kameradi berlinez), kje një pëlhurë mashtrimi për të përligjur despotinë dhe njëherësh mbështetje e fortë në kulme krizash përulëse të perandorisë së shthurur.

Partnerët e biznesit G.Schröder dhe V.Putin!

Të tilla ishin ato të vitit 2000, kur arka shtetërore ruse, e zbrazur krejtësisht, injektohej me 6 miliardë Mark nga tagërdhënësit gjermanë. Apo tani kur shtjella ukrajinase e ka vënë në leçitje kompromituese dhe, kur, gati si tek baladat e moçme, ç’ndërton ditën kryediplomati i vyer, e rrëmon dora e pamirë, me ndryshimin se tani kjo dorë nuk është as mistike dhe as e huaj. „Lidhja“ e paepur nuk është rastësore, nuk ka rënë si murmurimë në qiellin pa rè. Socialdemokratët tradicionalisht kishin njëlloj squllosje, afeksioni të ndonjëhershëm sllavolindor. I shkonte krejt ndesh rrjeshtimit dhe ishte disonante distanca e Helmut Schmidtit nga „antiputinizmi histerik“ që, pohon ai, rritë probabilitetin e Luftës së tretë. Vështrimi se „Kombi ukrajinas nuk ekziston“, („Bild“) mund të pretendojë të vërtetën, (sipas këtij rezoni real, as identitet e komb maqedonas nuk mund të ketë), por konteksti dukej rëndshëm i gabuar. Konformohej në plotëri me pozicionin rus dhe është ky flatrim i tij arrogant që paraqet rrezikun e Luftës së përbotshme. Akoma kujtojmë të Majtën (Gregor Gysit) të dalë nga gjiri i Partisë punëtore të Honeckerit, tek kundërshtonte hapur e plot agjitim negativ, ndëshkimin natoist të regjimit millosheviqjan. Si për të konsoliduar përshtypjen, Mathias Platzeck (Premier disavjetësh i Brandenburgut) i pyetur se a ka një mirëkuptim të heshtur në Landet e reja që i përkisnin ish-kampit sovjetik për aneksionin e Krimesë a për copëtimin e Ukrajinës dhe athua shpjegohet kjo rezervë e fshehtë me zhgënjimin e tyre pas Ribashkimit, do t‘përgjigjej shkurt – marrëzi! Ndoshta, njëmend, ngjan të jetë ashtu, por vetë pyetja ndrynë në vete një gjasë përceptimi të tillë, një vrajë të ndrydhur nostalgjie…
2.
Urtia e njohur se çdo e keqe sjell një të mirë, rrah të provojë sërish praninë e saj. Kjo miqësi tek keqermon aq padurueshëm, megjithatë ka përnxitur dhe mbërritje të mëdha. Jemi mësuar këto motet e mbramë të konsumojmë eksperienca e dije vetëm nga landet sipër Vjenës. U bëmë, si me thënë, njësh me to dhe arealin e tyre qytetnues e përjetojmë si aspiratë të ligjshme të natyrshmërisë sonë. Po kësaj radhe, në vend të dogmave e tabuve të dikurshme, një zhdërvjelltësi e mrekullueshme gjuhësore vjen nga moskovitët e harruar. Përveç dalëzotës interesash të ngushta jetike, ky shoqërim i rrallë elitar shohim të ketë ndikuar dhe begatimin elokuent të leksikut politik, sa që në Rusi është farkuar një term i ri interesant. Për të shitblerë një politikan që do të kryente punë pas perdes në hemisferën perëndimore, sugjerohet prerë e shkurt: ”Schroderisazja” (“Focus”), që i bie një si „shrëderim“ apo ta “shredërosh” dikënd, që s’është pos një ekuivalent i shprehjes për korruptimin e tij. Në fakt, rusët kanë prore për të bërë në oborrin e vet të kënetëzuar. Rendi i oligarkëve, përndjekja e opozitarëve, përsekutimi i mendimit të lirë – janë tipare shenjëzuese të këtij kapitalizmi të egër e brutal. Veçse gjetja e tyre ingjenioze i referohet, tashmë jo përplasjeve vetore, por relatave globale. E tillë, frymëzuese dhe e kursyer, ajo mund të ketë përhapje të gjerë drejt kulturash të tjera gjithandej botës. Por, ah kjo e bekuara gjuhë shqipe! Më lehtë dhe elegantisht se asnjë tjetër, identifikon mesazhin e saj. Fjalërënda „me e shredërue“ (ta shredërosh ose shredëroje), përkon asociativisht përfekt me fjalën e kategorisë morale, “me shnderue”, (pra, shnderim, ta shnderosh) një fatkeq. Po a s’është kjo e njëjta gjë? Nëse, ndaj, t’ia trafikosh dikujt shpirtin, ta çmoralizosh atë, qenkësh „shredërim“, aherë a nuk është bëma e barasvlershme me „shnderimin“, madje më keq ende, me „shnjerëzimin“ e tij? Aq më tepër kur ai, paraprakisht, është vetëpajtuar me groposjen mjerane…
3.
A do të aplikohej dhe si do të fjalëformohej, pra, ky përskajim i bekuar në Kosovë? Sigurisht, porse ka një pengore. Për dallim nga mjedisi europian, aty zvarranikët e shumtë si krimbat pas shiut, vriten e priten për vendzënje në tempullin e lavdisë korruptive. Dhe është, që këtej, vështirë të gjendet se kush do të bënte masën apo emri i cilit hierark politik do të krijonte nocionin e njësojtë, aq të nëvojshëm për të definuar dukurinë dhe, poashtu, për të racionalizuar debatet e lodhshëm! Rrjedhimisht, në vend të dhjetëra fjalëve të mërzitshme për të përshkruar nyjëtimin e fenomenit me bartësin e tij, mbase lirisht do t’mund të thoshim, „me e hashimue (ta hashimosh) dikënd, ose, më drejtë akoma, “mustafim” a ta „mustafosh“, që nënkupton ta prishësh, çorodisësh, shnderosh e shnjerëzosh atë. Por, sidomos kur vepërliga është totale, kur përveç vesit të pështirë të mitosjes, ngërthen dhe përbetimin e dhimbshëm kundër votrës, aherë përcaktori “pacollizim” ose “pacollizoje” shfytyranin, do të jepte saktësisht këtë neologjizëm shpëtimtarë. Kurse, në praktikën rutinore, mbase, do të thuhej „hysenizim“ i ndokujt, mandej, sa paq o Zot, “grabovcoje” a “bukoshizoje” të shkretin, ose poaq përkitshëm „ardiangjinoje“ e, pse jo, ta “halitosh”, madje dhe, ah, “fatmiroje” derëziun… Kjo e fundmja e sprovës, ndërkaq, më ngjan dhe njëkohësisht e bukur, sepse sikur e bën fatmirë, e pra të lumtur atë që i dorëzohet me gaz darëve të ëmbla të shpërdorimit. Natyrisht, renditja nuk mbaron kurrësesi se, thjeshtë, Galeria e tyre është e paskaj. Duke qenë i gjatë vargoi edhe konkurrenca, si pasojë, është tepër e ashpër. Mirëpo, si ndodh shpesh, pikërisht kur oferta është bujare, përzgjedhja bëhet e vështirë. Kjo punë kërkon konsultim të gjerë me njohës të tregtizës politike, me linguistë, pastaj me mjeshtër të kumbimit artistik dhe, padyshim, me stilistë të dëshmuar e analistë të rryer të sedërhollës shqiptare. Formulimi i përshtatshëm, mbase, do vonojë pak, por do të kumtohet gjithësesi. Është një përfundim që vlen pritjen, po fundja, a nuk është pritja heroike e të mirës (që si thotë Poeti, i kemi lënë takim në varrezë) virtyt dhe fat yni i rezervuar përjetshëm?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura