IN MEMORIAM, ANASTAS KONDO

In memoriam, Anastas Kondo

Nga Pirro Fotiadhi

Portret i paautorizuar për intelektualin, shkrimtarin, skenaristin, personalitetin krijues, Anastas Kondo

Në vend të prologut…

Përpos ekzistencës njerëzore, personalitetet dhe madhështia e tyre, konsiston pikërisht tek artikulimi i fjalës. Tek individualiteti dhe mjeshtëria e gjithë kumtit të fjalëve dhe shprehjeve që i vetëkarakterizojnë, që udhëheqin, që drejtojnë e përcaktojnë prioritetet. Fjalë të gjetura e përzgjedhura që sendërtojnë histori, personazhe, figura, heronj. Sepse në thelb, edhe vetë dashuria, nuk mund të jetë asgjë tjetër, përveçse ndjenja emocionale të mishërura në fjalë. Vetë liria apo drejtësia janë fjalë të ngjizura me përvoja. Madje edhe vetë respekti, një kumt ndjesor me rrezatim shpirtëror. Ashtu sikundër edhe kujtimet janë fjalë dhe gjendje emocionale të shprehura përmes kumtit të fjalës. Sepse fjalët janë ato që gdhenden e mbeten në hapësirat e përjetësisë. E njeriu që gdhend e artikulon në gjithë magjinë e bukurinë e saj, si fjalë, është shkrimtari, krijuesi.

Një shkrimtar si një fjalëthurës i vërtetë, që do të kërkojë gjithmonë frymëzim, detaje dhe historiza, si tema të subjekteve përreth të cilave ai me një mjeshtëri të lindur, ndërton, sajon dhe ndërthur, ngjarje magjepsëse si krijime me vlera e të mirëpritura.

Në këtë rrugëtim kaq të ndjeshëm letrar, spikaste dhe shquhej padyshim edhe pena krijuese e Anastas Kondos. I motivuar dhe i vetëdijshm që mbisundohej prej impresionit, se libri do të ishte udhërrëfyesi më magjepsës dhe krejt i veçantë i jetës së tij.

Por për autorin dhe shkrimtarin Anastas Kondo, gjithsesi nuk është asfare e lehtë, të mund të përshkruash jetën, rrugëtimin e tij letrar dhe veprën letrare shumëdimensionalëshe. Sepse çdo fjalë apo shprehje, do të jetë sa e mangët po aq edhe e paplotë, për të mundësuar shprehjen e portretizimit të plotë të pasionit krijues,të frymëzimit dhe përkushtimit, të cilat e mbisunduan gjatë gjithë vijimësisë së jetës së tij.

Sepse është fakt i padiskutueshëm që gjithë universi i tij krijues, ka ndriçuar epokën jetësore dhe vepra e tij letrare me vlera të jashtëzakonshme,i përket rrezatimit të sukseseve të vlerave letrare krijuese mbarëkombëtare.

Kësisoj, në nderim dhe vlerësim të këtij njeriu të shquar të letrave, të gjithë jetës dhe veprës së tij,po përpiqemi në mënyrë modeste,nëpërmjet këtyre aradhave, të shpalosim portretizimin e personalitetit dhe fizionomisë së tij shumëdimensionale në aspektet e krijimit letrar,siç ishte në realitet Anastas Kondo.

Shkrimtari dhe krijuesi Anastas Kondo, i përkiste asaj plejade të nderuar të elitës së patriarkëve të letrave shqipe. Koha e tij jetësore ishte kaq e shpenguar dhe krejt e pazakontë, po aq sa edhe e pamjaftueshme. Sepse ai kontribuoi me gjithë fuqinë e shpirtit, dhe ishte tejet i përkushtuar për të jetuar jetën e heronjve e dhe personazheve të tij.

Si një njeri i larmishëm, Anastas Kondo u përkiste atyre krijuesve potencialë por edhe vetëmohues në çdo kuptim të fjalës, saqë ushqente një dashuri e pasion krejt të papërshkrueshëm për atë çka ai bënte. Si një njeri me parime, i cili përmes shkrimit dëshmon qartë pjekurinë artistike por edhe akumulimin e përvojës së tij.Por edhe duke sakrifikuar njëherazi në angazhimin emocional, në përpjekjet por edhe në entuziazmin e domosdoshëm. Për të ofruar vepra sa të brishta po aq edhe komplekse, sa intriguese po aq edhe të pëlqyshme.

Gjithësesi duhet pranuar se bota e magjishme e letrave e Anastas Kondos,si një zë unik, ravijëzohet dhe dëshmon risitë e saj që lidhen kryekëput me vërtetësinë dhe imagjinatën, me atmosferën pozitive që mbisundon në shtjellimet e hapësirat e saj krijuese.

Rrugëtimi jetësor dhe ai letrar…

Anastas Kondo,si një prej personazheve më të njohura të letrave shqipe, me modestinë dhe qetësinë që e karakterizonte, dëshmoi dhe shpalosi performancën e një individi dhe intelektuali të rrallë. I cili ndonëse qysh në moshë të njomë fëminore, por edhe si si nxënës, edhe më vonë si student, u përball me vështirësitë e panumërta që e bashkëshoqëronin. Por ai mundi t’i përballojë ato me sukses. Duke i mposhtur sfidat e jetës, për t’u ngjitur drejt majave të dijes e të shkencës, të letërsisë dhe krijimit. Lartësi dhe maja të cilat synohen prej një sërë ambiciozësh, por që në realitet, të paktë janë ata që triumfojnë e takohen me suksesin.

Anastas Kondo erdhi në jetë, në qytetin e Kuçovës (një qytezë që me kalimin e viteve, pak a shumë u shndërrua përherë e më si mitike për të) në një ditë dimri, teksa kalendari datonte 28 Nëntor i vitit 1937. Aty ku aso kohe ishte shpërngulur dhe jetonte familja e tij. Mandej vitet e brishta të fëmijërisë, ai i kalon në kryeqytet, në Tiranë. Starton dhe ndjek mësimet fillestare pranë shkollës «11 Janari», që sapo ishte çelur. Me përfundimin e shkollës, rregjistrohet dhe starton mësimet e shkollës së mesme pranë Politeknikumit «7 Nëntori» në Tiranë, ku shquhet për rezultate të larta në procesin mësimor, me njohuritë e ngulitura dhe të mirëkultivuara gjatë viteve që ndoqi mësimet pranë kësaj shkolle.

Me dëshirën dhe vullnetin që e karakterizonte për dijen, interesat rinore të Anastas Kondos fokusohen tanimë në drejtim të shkencës së Inxhinjerisë-Paleontologjisë. Starton studimet e larta universitare, në Universitetin e Shën Petërburgut, në Rusi, pasi përfiton bursën respektive, falë përgatitjes dhe zellit që ai dëshmon në shkollën e mesme.

Edhe gjatë viteve studentore ai tregohet tepër aktiv, duke u shquar për përqëndrimin në leksione si edhe për interesimin e tij për dijet shkencore. Kësaj sfide ai ia del mbanë me sukses, duke mundësuar që falë aftësive intelektuale që manifestoi, produktiviteti dhe rezultatet në studimet e tij të ishin të niveleve të larta. Pas përfundimit të studimeve universitare ai diplomohet si Inxhinier Paleontolog.

Anastas Kondo kthehet në atdhe për të startuar karrierën e tij profesionale, ku fillimisht emërohet si specialist Inxhinier Paleontolog, pranë Institutit të Studimeve Gjeologjike të Naftës në Kuçovë, e në vijimësi në qytetin e Fierit. I vetëdijshëm për të hedhur hapat e para të suksesit në profesionin e tij, ai i përkushtohet plotësisht interesave dhe punës së tij misionare e të preferuar, duke prezantuar indiciet e reja të specialistit të Paleontologjisë.

Paralelisht me dëshirat e angazhimeve të profesionit të tij, Anastas Kondo motivohet për të shpalosur edhe performancën e botës së tij shpirtërore si një krijues modest e rishtar në hapësirat letrare shqipe. Sepse qysh në moshën e njomë dhjetëvjeçare që ai përballet me magjinë e librit, prej atij momenti nuk i ndau librat prej botës së tij ekzistenciale, duke e bashkëshoqëruar në çdo hap të jetës së tij.

Kësisoj, vijimësia e jetës së tij,konsiston që Anastas Kondo, të shndërrohet në një figurë dinjitoze. Sepse përpos fuqisë krijuese e intelektuale, ai dëshmonte se ishte një individ i pajisur me forcë fizike dhe shpirtërore. Që me pasion e mjeshtëri, mundësonte ndërthurjen e virtyteve të tij, vetë modestinë, me aftësitë e një qytetari aktiv, përherë në shërbim të kauzës së krijimit, të fateve të njeriut,të vetë jetës dhe kombit.

Personaliteti i jashtëzakonshëm i Anastas Kondos, ndikoi që ai të mos e shndërronte letërsinë dhe shkrimin në profesion. Sepse zjarrmia e pasionit të tij për letrat shqipe, kapërcente këto detaje të parëndësishme. Temperamenti i tij krijues, ishte thuajse i disiplinuar në gjithçka. Madje edhe në shkrimet e tij, ishte i dukshëm ky arketip, sepse e gjithë proza dhe rrëfimet e tij,spikatnin për skeletet të qëndrueshme e të forta. Duke u bazuar në histori të vërteta dhe reale, mund të thuhet pa mëdyshje se themeli i tyre ishte një strukturë komplekse jetësore, me prologun me zhvillimet dhe fundin e tyre përmbyllës, pak a shumë të përkryer.

Shpalosja e talentit të të shkruarit si edhe karriera e suksesshme letrare e Anastas Kondos, e cila dukshëm ngacmon imagjinatën e lexuesit në pikën e duhur, dëshmon hapësirat sa të vështira po aq edhe kërkuese krijuese. Duke ngjallur përherë kureshtjen e interesin përkushtues të lexuesve me dëshirën për të depërtuar dhe lexuar në thellësitë e brendisë së ngjarjeve dhe subjekteve, të ndërthurrura me trillimet dhe fantazinë, që plazmojnë jetën, realitetin, shoqërinë, njeriun, thjeshtësinë e moralin e lartë.

Letërsia dhe rrëfimi dinjitoz i Anastas Kondos, dëshmon se gjuha e tij, arti i fjalës, kumti përbëjnë padyshim atë anën sa të ëmbël e autoritare, po aq rrebele e plot surpriza. Të harmonizuara përherë me emocione plot butësi e mirësi.

Për hir të së vërtetës duhet pohuar se, shkrimtari në laboratorin e tij krijues, nuk qëndron i qetë, ndërsa rrëmon në thellësitë e botës së tij shpirtërore, gërmon në anuaret e kujtesës, histori si ato fosilet me vlera krejt të rralla. Sepse në thelb, tregimet, rrëfimet janë reliket e një bote të vjetër, paksa mitike e të pashpjeguara. Shkrimtari ngjason pak a shumë me arkeologët, duke kërkuar mënyra të ndryshme, për të tërhequr sa më shumë histori.

E stuhia e tregimeve apo prozës, shpalosen përmes promovimit të një botimi të ri, një libri që konturon hapësirat e një këndshikimi krejt të ri, për botën dhe universin që na rrethon. Sepse çdo libër i ri,nuk është asgjë tjetër përpos se një udhëtim. E përmasat e hapësirat e këtij udhëtimi imagjinar, ndërvaren prej dy faktorëve thelbësorë, prej mitit që përzgjedh autori të zhvillojë si edhe pritjet e lexuesit.

Prozatori misionar Anastas Kondo, kurrësesi nuk ishte vetëm një tregimtar dhe rrëfimtar shumë i aftë. Ai është shumë i larmishëm, një homo universalis, një njeri universal, një krijues brilant, modest e mbresëlënës. I spikatur për mjeshtërinë e tij në përpunimin e shprehjeve gjuhësore por edhe prurjeve autentike folklorike.

Detyrimet e tij si njeri shpirtëror me një ndjenjë përgjegjësie në mesazhet e kohës, krijuesi Anastas Kondo, me etikën e padiskutueshme, e ndjen të rëndë mbi supet e tija, barra e së cilës krijon në mënyrë të padurueshme refleksione dhe shpërthime. Kësisoj me natyrshmëri ai operon edhe duke përjetësuar tematikën e nxehtë të kohërave të trazuara me një mënyrë fantastike, estetike dhe letrare,por edhe duke përcjellë njëherazi mesazhe morale me shtrirje universale. Si dëshmi e një sfide të tillë,natyrisht që shërben edhe origjinaliteti i tij krijues, tek romani romani «Zbulimi».

Thelbi i krijimtarisë së shkrimtarit Anastas Kondo, i mbështetur tërësisht në konceptimet realiste, konsiston tek prania e drithërimave të një epoke të kaluar, me vështirësitë e saj ekzistente, e veçanërisht të vendlindjes së tij Vunoit. I nxitur dhe motivuar tek kujtesa e akumuluar e të pashlyeshme të fëmijërisë, sfidon duke hyrë me mjeshtëri në lojën e madhe të pasioneve dhe fjalëve të gërshetuara me elemente romantike rrëfimtare. Si të tilla mund të përmendim tregimet që përfshiheshin në vëllimet e botuara si: «Pse e vranë Odisenë», «Kio», «Njerëz dhe gurë» etj.

Padyshim që thelbi i krijimtarisë së tij,pak a shumë mbështetet edhe në përvojën e vetë autorit. Duke u dhënë jetë veprave përmes heronjve që ndalojnë kohën, ose e zmadhojnë në optikën e ngjarjeve me aftësinë e një vëzhguesi sqimatar me përvojë, e duke na ofruar imazhe mahnitëse jetësore.

Tregime të thjeshta, por njëherazi të pasura, të gjalla, energjike e të fuqishme. Ashtu sikundër edhe të ngarkuara emocionalisht prej kushteve dhe klimës së kohës. Ku me një model të shkëlqyer të të rrëfyerit,autori përçon kumte me vlera e veçanërisht me indicien e një të nesërme më të mirë, si edhe një jete më paqësore dhe harmonike. Kurrësesi nuk mund të jenë rastësore në kolanën e botimeve që startojnë prej dekadës së viteve 60-të e madje deri në pasvitet 90-të, që lexuesit të ndesheshin me autorësinë e Anastas Kondos, si tek vëllimet me tregime si «Ura», «Kur mbaron e vdes burri», «Portat e diellit», «Kur zbardhi një ditë», «Μirupafshim në Saigon», «Njeriu që propozohej për hero», «Ata që do të doja t’i kisha shokë gjithë jetën», «Tregime të zgjedhura».

Duke e karakterizuar pak a shumë universin e ligjërimit të tij, si një stil personal të Anastas Kondos, të thjeshtë dhe konçiz, po aq edhe tërheqës e intrigues, duke rrëfyer ngjarje veçanërisht prej vetë jetës dhe realitetit të përditshmërisë.

Αnastas Kondo si një intelektual vizionar, përherë ishte ndër më të i privilegjuarit në aspektin e vlerësimit të vlerave të vërteta të njeriut. Si një qenie e pashtershme dhe e papërsëritshme, me shpirtin e tij të shqetësuar, me ndjeshmërinë e tij, por edhe mirësinë e tij të lindur, ai kontribuoi në mënyrë të vendosur në kultivimin por edhe në përtëritjen e konceptimit të artit kinematografik. Që konsistonin në sendërtimin e veprave dhe krijimeve letrare në realizime dhe filma kinematografikë.Një risi tepër interesante që lidhej kryekëput me vizionet e këtij krijuesi mbresëlënës.

Tanimë në rolin e një skenaristi të sprovuar,me përkushtim dhe seriozitet ai angazhohet artistikisht në realizimin e subjekteve kinematografike, me parametrat bashkëkohore të një vepre kinematografike. Duke synuar përjetësimin e vetë jetës në imazhe hyjnore, Anastas Kondo spikat në realizimin me sukses të një sërë skenarëve të frymëzuar, ku shquhen filmat me jehonë për kohën si «Dimri i madh», «Korrierët», «Kur zbardhi një ditë», «Partizani Velo», Misioni përtej detit», «Shpërthimi»,«Vdekja e burrit» etj.

Anastas Kondo, një personalitet me energji shpirtërore dhe letrare të padiskutueshme, adhurues i traditave të vyera letrare, me vlera të hirshme shumëdimensionale. Pak a shumë, e gjithë filozofia e veprës së tij krijuese, është një përshkrim i idealeve të larta të autorit, si edhe qëllimeve fisnike që ai mbisundohet.

Sepse Anastas Kondo ndoqi dhe vijoi një rrugë gjithsesi të vështirë, duke tërhequr linjat dhe kufijtë e tij, në letërsinë e tij, përherë duke iu referuar bindjeve të tij. Por me krenarinë e tij karakteristike, parësor në ndershmëri dhe spontanitet, me kokën gjithmonë lartë. I ndodhur në vijën e parë pa u stepur ndonëse kushteve krejt të pafavorshme që ai kaloi dhe u përball në rrugëtimin e tij jetësor dhe letrar. I palëkundur në qëndrimet dhe bindjet e tij teksa ai i mëshonte opinionit se në letërsi «Nuk ka as të majtë, as të djathtë. Por ka vetëm autorë që shkruajnë mirë dhe me nivel e cilësi».

Αnastas Kondo, si intelektual për një periudhë të gjatë kohore ushtroi detyra të rëndësishme me një seriozitet dhe në mënyrë shembullore. Roli i tij, fillimisht si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e në vijimësi si Zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës, me funksionet zyrtare të Kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve të Republikës së Shqipërisë, duhet thënë se ai spikati si një emisar modest, korrekt, tepër miqësor dhe i afrueshëm. Angazhimet e tij zyrtare, i përkasin arketipit të një personaliteti fisnik,me etikë dhe integritet, si një model ndershmërie dhe përkushtimi. Duke fituar njëherazi respektin, vlerësimin si edhe mirënjohjen e miqve por edhe të qytetarëve të thjeshtë gjithandej. Gjithsesi, historia e distancuar prej pasioneve momentale ideologjike apo partiake, si një kritizere e rreptë dhe objektive,do të vlerësojë, do të gjykojë e ravijëzojë edhe figurën e krijuesit, shkrimtarit, publicistit, funksionarit të lartë partiak dhe shtetëror,siç ishte në thelb,jeta e Anastas Kondos.

Vlerat dhe koherenca e përmbajtes së veprave të tij krijuese, ndikuan që krijuesi shkrimtar Anastas Kondo, të vlerësohet dhe të laurohet me disa çmime të larta të Republikës në fushën e letërsisë.

Në vend të epilogut…

Anastas Kondo shkrimtari dhe krijuesi që na përket të gjithëve ne bashkëkohësve. Sepse veprat dhe kontributi i tij i spikatur, na frymëzoi, na ndezi shpirtrat, na ngrohu vizionet shpresëdhënëse e motivojnë të shohim me krenari jo vetëm të sotmen por edhe të ardhmen.

Një shkrimtar impulsiv i paharrueshëm, me një frymëzim dhe një perceptim e të menduari krijues, duke spikatur për peshën e fjalës së shkruar, me mesazhe me shumë vlera shumëdimensionale. Që me kontributdhënien e tij sa të rëndësishme, po aq edhe të larmishme e unike, ka hyrë në Panteonin e Artë të letrave shqipe,si një krijues i talentuar, si një intelektual karizmatik mbresëlënës.

Anastas Kondo, simbioza e etikës dhe dinjitetit, shkrimtari me një karrierë të gjatë letrare, si një prej njerëzve të përkushtuar, që duke mos i lënë asgjë rastësisë, besonte, dëshironte dhe promovonte sistematikisht afirmimin e vlerave shpirtërore, atyre kulturore, të bukurive por edhe të historisë së vendlindjes së tij,përmes penës së tij krijuese.

Si një përfaqësues karizmatik dhe i talentuar i letërsisë moderne shqiptare, për gjithë gamën e talentit dhe dhuntive letrare, për shpalosjen e potencialit të tij krijues, shkrimtari, intelektuali Anastas Kondo, përmes artit të tij dhe fjalës së mençur kuptimplote, është fiksuar dhe mbetet përjetësisht, një personalitet madhor i letrave shqipe si edhe kulturës shqiptare, duke na lënë si trashëgimi të vyer, një sërë botimesh dhe vepra të shumta.

Vlerësimi dhe respekti i personaliteteve dhe figurave dinjitoze që jetën e tyre ia kushtuan me përkushtim progresit misionar të letrave shqipe jo vetëm meritojnë admirimin krejt të veçantë. Por njëherazi përbëjnë një impakt dhe detyrim të imponuar e madhor, në nderim të kontributit dhe veprës së tij, si një pasuri vlerash të mirëfillta artistike.

Një ditë pranverore maji, pikërisht më 19 Maj 2006, shkrimtari Anastas Kondo u shua befasisht në një moshë fare të re, ishte vetëm 69 vjeç. Duke udhëtuar në pavdekësinë e Përjetësisë.

Arti i një krijuesi artist si Anastas Kondo, meritplotë dhe me aftësitë tij, falë krijimtarisë së tij autentike dhe me nivel të lartë, u lartësua në majat e lartësive të suksesit në fushën e letrave shqipe. Sepse gjithë rrugëtimi i tij jetësor dhe letrar, gjithë arti shpirtëror i tij, gjithë frymëzimet e tij prej jetës dhe realitetit, nuk ishin asgjë tjetër përpos kontributdhënies së tij fisnike për letërsinë, artet dhe mbarëvajtjen e atdheut.

Anastas Kondo do të jetë përherë i pranishëm në kujtesën tonë por edhe në zemrat tona, si magjistari i fjalës, si simbioza e një stili realist dhe krejt të veçantë. Si një burim frymëzimi, si një vizionar dhe një figurë e rëndësishme e urtësisë dhe mënçurisë së Bregdetit.

Sot në këtë ditë Përkujtimore të 15 vjetorit të ndarjes nga jeta, të Anastas Kondos, përulemi dhe kujtojmë shkrimtarin, krijuesin, gazetarin, misionarin, publicistin shkencëtarin, njeriun e urtë, intelektualin e mirëfilltë të nivelit të lartë. Kujtojmë shumëllojshmërinë e veprave të tij, e cila me të drejtë konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e të vyerat në historinë moderne të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Kujtojmë jetën e tij të shpenguar,e cila në thelb ishte një rrugëtim impenjues i një vizionari simbol, duke na lënë një trashëgimi, por edhe kujtime të pashlyeshme.

I përjetshëm kujtimi i gjithë veprës dhe kontributdhënies kolosale e të shenjtë, të personalitetit dhe figurës së spikatur, Anastas Kondo.

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura