ING.AGIM BREGU: ABËCË’ja E KONTRATAVE TË NAFTËS, KONÇESIONI OSE MARRËVESHJA E LIÇENSËS

Tiranë, 2 mars 2017: Qeveritë kanë tre zgjedhje për të zhvilluar burimet e tyre natyrore: 1. Ato mund të krijojnë kompani shtetërore për zbulimin, zhvillimin dhe prodhimin, si në Arabinë Saudite, Meksikë, Venezuelë, Iran dhe Oman. 2. Ato mund të ftojnë investitorë privatë për të zhvilluar burimet natyrore, si në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Rusi dhe Kanada. 3. Ose ato mund të përdorin një kombinim të këtyre dy sistemeve, si në Indonezi, Nigeri, Azerbajxhan, Norvegji dhe Kazakistan. Shqipëria, si vend me sipërfaqe të vogël, duhet të zgjedhë variantin e tretë (kompani shtetërore dhe investitorë privatë), por me një kusht: Vetëm deti mund t’u jepet investitorëve privatë. Kushtet e kontratës përcaktojnë se sa shumë fiton një komb prodhues nga burimet natyrore. Një nga vendimet e para, që qeveritë duhet të marrin, është që të zgjedhin tipin (llojin) e sistemit kontraktual, që do të përdoret për të vendosur kushtet e procesit të zhvillimit: Një konçesion ose marrëveshje license, një sipërmarrje të përbashkët (JV), apo një marrëveshje me ndarje prodhimi (PSA). Media mund të ndihmojë të informojë debatin publik mbi atë se çfarë lloje kontratash janë më të mira për vendin e tyre. Në Shqipëri nuk ka fare debat publik. Media hesht. Populli duhet të pyes zyrtarët e qeverisë: Pse kushtet (termat) e tenderit nuk janë bërë publike? Pse kushtet janë mbajtur sekret? Sa gjatë në kohë është i vlefshëm konçesioni? Sa kompani morën pjesë në ofertë? Çfarë ka rënë dakord të paguajë ofruesi i suksesshëm? Cilët ekspertë të jashtëm e këshilluan qeverinë në hartimin e licensës konçesionare? Sa i gjatë në kohë është programi i punës? Sa ka rënë dakord për të investuar ofruesi? Cilat standarde mjedisore do të respektohen dhe cila agjensi do t’a ruajë me polici pajtueshmërinë me këto standarde?
***
Në Gazeta elektronike Pashtriku.org janë botuar disa artikuj, të cilët u kushtohen kontratave të naftës. Ata titullohen si vijon: 1- ABËCË-ja e kontratave të naftës, konçesioni ose marrëveshja e licensës, 2- Marrëveshjet e naftës me ndarje prodhimi (PSA), 3- Transparenca mbi kontratat dhe liçensat e naftës dhe të minierave, në botë dhe në Shqipëri. 4. Kur bota po e shtetëzon naftën, Shqipëria po e privatizon atë.

Ftojmë publikun e interesuar që t’i lexojë këta artikuj, të cilët japin të dhëna nga bota. Autori shpreson se kjo punë do të ndihmojë, sadopak, për të kuptuar drejt kontratat e naftës, gazit dhe minierave në Shqipëri. Duke mësuar se si veprojnë shtetet e ndryshme të botës, le të krahasojmë mënyrën se si janë lidhur kontratat e naftës dhe të minierave tek ne në Shqipëri, dhe të nxjerrim mësimet e nevojshme.
Në Shqipëri nuk ka pjesëmarrje qytetare për hartimin e politikave të burimeve natyrore. Nga qeveria, populli është lënë qellimisht anash. Media e korruptuar nuk e njofton publikun mbi kushtet e marrëveshjeve të naftës dhe të minierave, gjatë negociatave për dhënien me konçesion. Pas vitit 1990, qeveritarët tanë i kanë trajtuar pasuritë e Shqipërisë si prona të tyre private, dhe jo si prona të të gjithë popullit shqiptar. Për të gjitha pyetjet e shtruara më lartë, populli ynë është krejt i paqartë. Megjithatë, ai rri dhe bënë sehir grabitjen e pasurisë së tij (pasurisë kombëtare), bënë sehir varfërinë ekstreme dhe rrokullisjen e vendit drejt falimentimit të pashmangshëm. Kontratat janë lidhur kryesisht me kompani offshore (në det), që janë me pronarë të panjohur, me bazë sekrete në ishujt e Detit të Karaibeve. Ato janë bërë për pastrim parash dhe për shmangie taksash (evazion fiskal), që janë në dëm të popullit tonë. Kontratat janë lidhur me kompani të panjohura (pa reputacion në botë). Vetëm kompania Shell, e ardhur në Shqipëri, është me reputacion në botë. Asaj gjoja i është dhënë liçensa e Bllokut 4, për të justifikuar marrëveshjet e shumta konçesionare me kompanitë misterioze offshore. Disa kompani janë jo ekzistuese (kompani fantazmë, shih kompaninë Sky Petroleum). Disa gjoja kompani janë të sajuara (shih kompaninë Albanides Energy, që ka marrë liçensën për Bllokun 8, ose kompaninë Ionian Gas, që shfrytëzon gazin e vendburimit të Delvinës). Kompanitë marrin liçensat dhe pastaj nuk kryejnë fare punime kërkimi për naftë dhe gaz. Pra, liçensat jepen formalisht, me qellim që të bllokohen kërkimet për naftë dhe gaz në Shqipëri. Kompanitë shtyjnë vitet pa mbarim, pa kryer asnjë punë, prandaj kaluan 25 vjet pa zbulime nafte dhe gazi. Dhënia e këtyre liçensave shfrytëzohen për fshehjen e korrupsionit qeveritar, sidomos për pastrim të parave të drogës, për shmangie taksash etj. Ligësitë, në sektorin e naftës shqiptare dhe të minierave, janë të pafundme. Pas leximit të këtij artikulli, lexuesi i nderuar shqiptar, naftëtar apo publik, le të kujtojë deklaratat e qeverisë “Berisha” dhe të qeverisë “Rama”, se marrëveshjet konçesionare të naftës dhe të minierave do të bëhen transparente ndaj publikut (do të publikohen). Në fakt, ato janë bërë krejt jo transparente, në errësirë të plotë, dhe kushtet e marrëveshjeve janë mbajtur shumë sekret ndaj popullit. Ato janë mbajtur shumë sekret, sepse janë bërë me vetëdije në dëm të madh të popullit shqiptar, sikurse është marrëveshja antishqiptare me Bankers Petroleum për vendburimin e Patos-Marinzën, dhe të gjitha marrëveshjet e tjera konçesionare të naftës dhe të minierave. Këto marrëveshje janë vetëm në dobi të të huajve dhe të qeveritarve tanë të korruptuar. Populli fiton vetëm “thërrimet”. Këto marrëveshje duhet të konsiderohen të papranueshme, dhe të kërkohet anulimi i tyre sa më parë. Punëtorët e vendburimeve të naftës duhet t’a ndërpresin punën. Nafta është e shqiptarve. Nuk na duhen këto investime të huaja, që na kanë sjellë vetëm grabitje dhe varfëri. Ato nuk kanë sjellë asnjë zhvillim të naftës dhe të ekonomisë në Shqipëri. Nga këto keqqeverisje dhe grabitje të pasurive kombëtare, në bashkëpunim me të huajt, është rritur shumë papunësia dhe varfëria e popullit tonë. Shqipëria po zhytet thellë e më thellë në borxhe tek bankat e huaja. Shqiptarët kanë humbur shpresën dhe po braktisin masivisht Shqipërinë. Sipas autorit të këtij shkrimi, e vetmja mundësi shpëtimi për Shqipërinë, është shpallja e naftës pasuri shtetërore (kombëtare). Norvegjia vetëm me anë të naftës e ka zhvilluar të gjithë ekonominë, dhe ka rritur mirëqënien e popullit. Të prishen të gjitha kontratat ekzistuese antishqiptare të naftës. Grabitja është kaq e madhe, saqë asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk mund t’a dënojë Shqipërinë. Kompanitë me bazë në det (offshore) shmangin taksat. Kushti në kontratë, se kur të shlyejmë investimet do të ndajmë fitimin, është skllavërues, sepse kompania deklaron çdo vit investime të fryra artificialisht, dhe del gjoja pa fitim. Pra, kemi humbje nga shmangia e taksave dhe humbje të fitimit. Kështu grabitet e gjithë nafta nga të huajt. Prandaj, naftën t’a zhvillojë vet Shqipëria, dhe për këtë i ka të gjitha mundësitë. Është mashtrim pro[paganda e qeverisë, se gjoja na mungojnë paret. Nafta, që po grabitet sot, pas shtetëzimit do të na sjellë pare për zhvillimin e naftës nga vet shqiptarët.
Vendet, që kanë burime nafte dhe gazi, por nuk kanë kapital për t’i zhvilluar ato, lidhin kontrata me kompanitë e huaja të naftës. Më poshtë do të jepen disa të dhëna nga literatura, mbi llojet e kontratave të naftës në botë, sidomos mbi kontratën e licensë-konçesionit.

Burimi: Covering Oil, USA, 2005 (Mbulimi i Naftës, SHBA, 2005)). Ky libër përmban programin mbikqyrës të të ardhurave dhe iniciativën për dialog politik, që ndihmon transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare në hartimin e politikave të burimeve natyrore. Në këtë libër, autori Jenik Radom ka shkruar kapitullin me titull: ABËCË-ja e kontratave hidrokarbure: Marrëveshjet e licensë-konçesionit, sipërmarrjet e përbashkëta (JV) dhe marrëveshjet me ndarje prodhimi (titulli original: ABCs of Petroleum Contracts: License-Concession Agreements, Joint Ventures (JV) and Production-sharing Agreements (PSA).
Më poshtë po japim tekstin e plotë të pjesës së fillimit të këtij kapitulli:
“ Është në interesin e vendeve të pasura me burime natyrore, që të përdorin burimet e tyre, për të marrë fonde për zhvillimin social dhe ekonomik. Për ta bërë këtë, shumë qeveri hyjnë në kontrata me kompanitë e huaja, për të zhvilluar dhe shitur naftën dhe gazin e tyre. Bisedimi për një kontratë të drejtë është jetik në përpjekjen e një qeverie, për të korrur përfitimet e burimeve të veta natyrore. Ky kapitull do të përqendrohet në llojet e ndryshme të kontratave, që janë standard në industri, duke adresuar edhe shqetësimet e rëndësishme të interesit publik, që shpesh janë lënë pas dore gjatë negociatave të kontratës. Duke raportuar mbi këtë çështje, media mund të ndihmojë të informojë debatin publik mbi atë se çfarë lloje kontratash janë më të mira për vendin e tyre. Qeveritë kanë tre zgjedhje për të zhvilluar burimet e tyre natyrore: 1. Ato mund të krijojnë kompani shtetërore për zbulimin, zhvillimin dhe prodhimin, si në Arabinë Saudite, Meksikë, Venezuelë, Iran dhe Oman. 2. Ato mund të ftojnë investitorë privatë për të zhvilluar burimet natyrore, si në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Rusi dhe Kanada. 3. Ose ato mund të përdorin një kombinim të këtyre dy sistemeve, si në Indonezi, Nigeri, Azerbajxhan, dhe Kazakistan. Kushtet e kontratës përcaktojnë se sa shumë fiton një komb prodhues nga burimet natyrore, dhe shpesh, nëse një qeveri do të ketë autoritetin rregullator të zbatimit të standardeve mjedisore, shëndetësore dhe standardet e tjera, që zbatohen tek kontraktorët. Një qeveri pritet të përdorë fuqinë e saj rregullatore për të mbrojtur interesat publike-për të siguruar, për shembull, se derdhjet e naftës nuk e dëmtojnë ujin e pijshëm publik. Megjithatë, një qeveri e vendit pritet gjithashtu të krijojë një klimë pozitive për investime, që ndihmon rritjen ekonomike dhe të vendeve të punës, edhe pse vendos ligje për investimet dhe gjoba për shkeljen e tyre. Qeveritë e vendeve pritëse duhet të mësojnë se si t’i balancojnë këto nevoja konkuruese. Ajo, që e ndërlikon më tej çështjen, është fakti se si një nënshkruese e ndonjë kontrate, qeveria vepron si një tregtare e zakonëshme, që kërkon të maksimizojë të ardhurat e saj. Kjo e vendos qeverinë në një situatë të vështirë për të rregulluar veten. Qeveritë e vendeve në zhvillim, të pasura me burime natyrore, përballen gjithashtu me sfidën e negocimit me kompanitë e mëdha të naftës, të cilat kanë avantazhin e qindra të punësuarve si përfaqësuesë ligjorë të kualifikuar mirë. Një tjetër arsye, për t’u fokusuar mbi kontratat, është mundësia për korrupsion, që ekziston në kostot e mëdha të investimeve dhe fitimeve të mëdha, të përfshira në shumicën e marrëveshjeve të energjisë. Zakonisht, për shkak se kaq pak informacion është bërë publik në lidhje me negociatat dhe kushtet e kontratës, ka mundësi për abuzim në të dy anët e tabelës. Kompanitë e ofertave, për marrëveshje potencialisht fitimprurëse, ndonjë herë kanë bërë pagesa të paligjëshme, shpesh të maskuara, tek zyrtarët e qeverisë, ose tek përfaqësuesit e tyre, për të fituar favore. Është e vështirë për të përcaktuar nëse një kompani e veçantë u zgjodh për ofertën e saj konkuruese apo kompetencë, ose marrëdhëniet e saj të ngushta me një zyrtar qeveritar. Nëse zyrtari i qeverisë është edhe rregullatori, mundësia për korrupsion është edhe më e madhe. Hetimet penale, që përfshijnë këtë lloj të korrupsionit, janë ndjekur në Angola, Kongo Brazaville, Kazakistan dhe gjetkë.
Kontratat e naftës
Edhe pse kontratat mund të ndryshojnë shumë në hollësitë e tyre, të gjitha duhet të vendosin dy çështje kryesore: Sa fitime (shpesh të quajtura “qiratë”) janë ndarë në mes të qeverisë dhe kompanisë pjesëmarrëse, si dhe shpenzimet që duhet të trajtohen. Ajo, që i komplikon negociatat, është niveli i lartë i pasigurisë, i shkaktuar nga informimi jo i plotë ose bile me të meta. Në mënyrë tipike, as kompania e naftës dhe as qeveria e vendit pritës nuk e di me siguri, në kohën e nënshkrimit të kontratës, se sa shumë do të jetë kostua për të zbuluar dhe zhvilluar një fushë, nëse çmimet e ardhëshme të naftës ose të gazit do ta justifikojnë atë kosto, ose sa shumë naftë ose gaz ndodhet në një fushë. Nëntë nga dhjetë përpjekje zbulimi rezultojnë në humbje. Kompanitë do të kërkojnë për të mbrojtur veten, kundër humbjeve të mundëshme, të cilat rrisin kostot e brendëshme të investitorit. Negocimi i kontratës kërkon bisedime të afta për të gjetur një balancë të arsyeshme dhe të pranueshme respektivisht ndërmjet interesave të një investitori dhe të një qeverie. Shpesh, qeveritë e vendeve pritëse u drejtohen ekspertëve ndërkombëtarë financiarë dhe ligjorë për t’i këshilluar ata gjatë këtyre negociatave. Një nga vendimet e para, që qeveritë duhet të marrin, është që të zgjedhin tipin (llojin) e sistemit kontraktual, që do të përdoret për të vendosur kushtet e proçesit të zhvillimit: Një konçesion ose marrëveshje license, një sipërmarrje e përbashkët (JV), apo një marrëveshje me ndarje prodhimi (PSA). Çdo formë e kontratës ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, sidomos e parë nga pikëpamja tregtare. Detajet e kontratës mund të ndryshojnë në masë të madhe edhe në mes të llojeve të ngjashme të kontratave. Për të shtuar në ngatërresa, pregatitja e marrëveshjeve të liçensë-konçesionit dhe të ndarjes së prodhimit (PSA) kanë ardhur edhe tek ngjashmëria e njëra tjetrës. Qeveritë dhe investitorët duhet të lehtësojnë kushtet e marrëveshjeve të tyre. Nëse ata refuzojnë t’a bëjnë këtë, duhet të ngrihen pyetje në lidhje me nevojën për mirëbesim.
Konçesioni ose marrëveshjet e liçensës
Kontratat ose marrëveshjet e liçensës kanë evoluar në mënyrë të konsiderueshme, qysh nga futja e tyre në vitet e herëshme të 1900-tës, si kontrata të njëanëshme, kur shumë nga kombet e sotshëm, të pasur me burime, ishin të varura, koloni, ose protektorate të shteteve të tjera apo perandorive. Forma moderne e marrëveshjeve të tilla shpesh i jep një kompanie të naftës të drejtat ekskluzive (përjashtimore) për të zbuluar, zhvilluar, shitur dhe eksportuar naftë ose minerale, të nxjerra nga një zonë e caktuar, për një periudhë të caktuar kohe. Kompanitë konkurojnë, duke ofruar oferta, shpesh të shoqëruara me shpërblim nënshkrimi (bonus), për liçensë (leje, autorizim) të këtyre të drejtave. Ky tip i marrëveshjes është mjaftë i zakonshëm në të gjithë botën, dhe është përdorur në vende të ndryshme si Kuvajti, Sudani, Angola dhe Ekuadori.

Avantazhet (përparësitë): Përparësitë, nga pikëpamja e një vendi në zhvillim, janë të konsiderueshme. Së pari, liçensat ose konçesionet janë më të drejtpërdrejta se llojet e tjera të marrëveshjeve, veçanërisht nëse është përdorur një sistem i ofertave publike, për të përcaktuar kushtet themelore. Shkalla e mbështetjes profesionale, dhe ekspertiza e nevojshme, shpesh është më pak komplekse se sa është e nevojshme për të negociuar sipërmarrjet e përbashkëta (joint ventures) ose marrëveshjet me ndarje të prodhimit (production-sharing agreements). Megjithatë, akoma janë të nevojshëm këshilltarët financiarë, për të strukturuar sistemin e ofertave të konçesionit. Është gjithashtu e nevojshme një infrastrukturë e pranueshme dhe e besueshme ligjore, duke përfshirë një gjyqësor të aftë për të interpretuar marrëveshjet komplekse. Me një sistem ligjor të zhvilluar mirë, si në shumicën e vendeve të industrializuara, të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Kanadaja, një liçensë ose marrëveshje konçesioni (marrëveshje për dhënie, lëshim, dorëzim) mund të përqëndrohet në kushtet tregtare (komerciale), pa barrën e hartimit të dispozitave kontraktuale, për të mbushur boshllëqet në sistemin ligjor të vendit pritës. Kushtet financiare, dhe kushtet e tjera të liçensës, janë të përcaktuara në një marrëveshje të hartuar nga qeveria e vendit pritës, e cila pastaj duhet të jetë e publikuar dhe e hapur për një proçes tenderimi (oferte) nga kompanitë konkuruese. Ofertuesi i suksesshëm paguan çmimin e ofertës-zakonisht tarifën e licensës dhe/ose shpërblim nënshkrimi (bonus) dhe këto tarifa janë mbajtur nga qeveria e vendit pritës, pavarësisht nëse nafta është gjetur dhe prodhimi komercial (tregëtar) zhvillohet. Nëse prodhimi komercial ndodh, qeveria e vendit pritës gjithashtu fiton honorare, bazuar në të ardhurat bruto dhe/ose një taksë fitimi, bazuar në të ardhurat neto, të cilat të dyja janë të bazuara në sasinë e prodhimit dhe çmimin me të cilin prodhimi është shitur. Të gjitha rreziqet financiare të zhvillimit, duke përfshirë edhe kostot e zbulimit (eksplorimit), janë thithur nga ofertuesi i suksesshëm. Me pak fjalë, ka disa të meta serioze financiare apo të tjera për qeverinë e vendit pritës, përveç humbjes së mundësisë apo humbjes së kohës, nëse sistemi i ofertës nuk ka tërhequr një ofertues të pranueshëm, financiarisht të fortë dhe teknikisht kompetent.
Disavantazhet: Disavantazhi kryesor, nga pikëpamja e një vendi në zhvillim, si dhe nga pikëpamja e perspektivës së ofertuesit, është komercial (tregtar). Zakonisht ka një mungesë njohurie të mjaftueshme dhe të saktë mbi potencialin e një zone konçesioni, për shkak se zbulimi sizmik nuk ka qenë ndërmarrë plotësisht. Rezultati është se sistemi i ofertës shpesh është thjesht një ankand. Kompanitë e naftës nuk kanë zgjedhje (rrugëdalje), por për të marrë rreziqe të llogaritur në lidhje me atë çmim, për të konkuruar për një liçensë. Një kompani do të jetë e kujdesshme në shumën që është e pregatitur për të konkuruar, pasi nuk ka asnjë garanci se konçesioni do të mbulojë kostot e kompanisë dhe do të kthejë një fitim. Ku njohuritë dhe faktet janë të pamjaftueshme, qeveria e vendit pritës nuk do të maksimizojë kthimin e tij potencial (të mundshëm) nga një sistem ankandi. Meqë dokumentat e tenderit përcaktojnë një program minimal pune- një periudhë të caktuar kohe, brenda së cilës detyrohet të bëjë investimet korresponduese, ose t’i drejtohet rrezikut të konfiskimit të liçensës- ofertuesit potencialë do të jenë natyrisht më të matur dhe konservatorë në ofertat e tyre”
Pyetjet në lidhje me Marrëveshjet e Liçensës ose të Konçesionit
Nëse qeveria juaj ka hyrë në një marrëveshje të liçensës apo të konçesionit, ka një numër pyetjesh, që ju mund të paraqitni, për të kuptuar më mirë situatën. Disa nga këto pyetje të njëjta janë të zbatueshme gjithashtu për sipërmarrjet e përbashkëta (Joint Venture) dhe për marrëveshjet e ndarjes së prodhimit (Production-share Agreement).
 Nëse kushtet e tenderit (termat) nuk janë bërë publike, pyesni zyrtarët e qeverisë për këtë informacion, si dhe pyesni pse kushtet janë mbajtur sekret.
 Sa gjatë në kohë është i vlefshëm konçesioni? Sa kompani morën pjesë në ofertë? Çfarë ka rënë dakord të paguajë ofruesi i suksesshëm? Cilët ekspertë të jashtëm e këshilluan qeverinë në hartimin e licensës konçesionare?
 Sa i gjatë në kohë është programi i punës? Sa ka rënë dakord ofruesi për të investuar? Cilat standarde mjedisore do të respektohen dhe cila agjensi do të ruajë me polici pajtueshmërinë me këto standarde? Do të zhvendosen të gjithë banorët për të hapur rrugën për zhvillimin e burimit natyror?
 Si do të ndahen të ardhurat mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal?
Pyetjet për kompanitë:
 Sa do të paguhet për konçesionin dhe tek kush? Do të bëhen publike kushtet (termat) e marrëveshjes së koçesionit? A do të vërtetojnë publikisht zyrtarët e kompanisë, se ata nuk kanë paguar për konçesionin, në para ose në natyrë, ndonjë zyrtar qeveritar ose familjes së tij ose miqve? Cilat janë kriteret për zgjedhjen e nënkontraktorve lokalë?”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura