ING.AHMET ҪOLLAKU: NAFTA NEKROLOGJI E FUNDIT

Tiranë, 12. 11. 2016: (Në kujtim të gjeologut Prof. Dr. Engjëll Prrenjasi) – Nuk ka rëndësi ku dhe si keni jetuar. E rëndësishme është çfarë keni bërë aty ku keni qenë. – Xhorxha O’kife/
1. Kjo vjeshtë fryu si gjithnjë, por këtë herë mori me vete edhe kolegun tonë, gjeologun e njohur të Institutit të Naftës, Prof. Dr. Engjëll Prrenjasin, i cili kualifikimit profesional i përkushtoi ditë të tëra, gjithë jetën. Individual në fytyrë dhe në fat, i brishtë, tepër njerzor dhe puntor, ai u familjarizua dhe u martua me punën. U vetë kualifikua. I sinqertë, ai eci deri në majën më të lartë, në “vatikanin”, Fakultetin Gjeologji-Miniera. Engjëlli ishte këmbëngulës, i qartë, autor absolut i zbulimit të vendburimit të Delvinës. Ishte ai që kundërshtoi shpimin në sinklinalin e Memaliajt… Edhe ai ecte në ato koridore të gjata, të errëta si akse simetrie të institutit, aty ku këmbeheshin gjeologë dhe spiunë, por ai nuk pëshpëriti, ai nuk torri llafe me pesht-peshte. Ai punonte, mendonte, diskutonte, dhe gjente kohë edhe të qeshte deri sa lëkundej. Ca ide i vizatoi, kurse të shumtat nuk i tha dhe as nuk i vizatoi. Pra, Ai mori me vete shumë idera, rilevime, koordinata të perspektivës. I kishte për popullin, por kishte frikë t’i ekspozonte, sepse do t’ia hanin këto qeveri të zeza, me këta qindra beniaminë gri, herë të PS-së, herë të PD-së, herë të LSI-së, por gjithnjë të horrave… Ju i dini emrat e gjithë atyre beniaminve, që kanë vite që ngrohin vezët nëpër ato zyra të ministrisë. Përse nuk i thoni? Pa dyshim keni frikë, sepse nëse ata do të shkojnë në lagjet tuaja, do t’u zhbirojnë me gjyshër, që nga koha e Tanzimatit.
Shoku im Petrit Mavrovi më shkroi: “Besoj se e ke marr vesh, se edhe Engjëll Prrenjasi na la… Ai jetonte me ëndrrën që të koregjonte Hartën Gjeologjike të Shqipërisë 1: 200 000…”
Komunikonim gjithmonë bashkë. E-maili i Tij i fundit është ai i datës 4 Mars 2014. Më vonë nuk më shkroi, sepse diçka po ndodhete… Të dy me halle. Mendoja se Engjëlli më ishte zemruar për diçka të vogël, prandaj krihesha para dhe pas pasqyrës, ku e kisha tepruar. Ai më shkruante se këto biseda janë private… Dhe unë i qendrova besnik, si gjithnjë, si me të gjithë, pa përjashtim…

Tani, që Ai u largua për gjithmonë, do të publikojë disa paragrafe, sepse janë testamente. Nëpër këto rreshta është morali Tij i brishtë, ndryshe nga ata naftëtarë, që janë hileqarë, që kanë dy a tre fytyra, që ndryshe paraqiten dhe ndryshe flasin pas krahëve, të shajnë. Pas krahëve shahet edhe mbreti. Engjëlli ishte një mbret në karakterin e tij individual. Unë kam një pjesë të pasurisë së Tij, kam mendimet e Tij, kam pikëpamjet e Tij, kam të nesërmen e naftës tonë… I ndjeri, shumë gjëra as mua nuk mi tha. Siç duket, nuk kishte besim as tek unë! Ka pasur të drejtë, sespe të gjithë jemi të poshtër, egoistë, cinikë, dinakë, maskarenjë, servilë, hajdutë, të ngjashëm me njëri-tjetrin. Po të mosë ishim kështu, nuk do të ndodhte kjo gjëmë me naftën tonë.
Në kompjuter kam dhjetra mesazhe të Tij. Ai më shkruante qartë, me një urrejtje të përmbajtur fshatari, disi i drojtur, sepse kishte një çikëz besim tek kjo dreq PS, që ai e ndiqte me vrap, kurse ajo bënte sikur e dëgjonte. Engjëlli vrapoi në Fier, në Albpetrol, në Tiranë…
2. Unë e teproava diku. E kritikova rëndë, kur Ai më tha se ishte në bordin drejtues të kompanisë Albpetrol, të cilën unë e konvertoja me qeverinë shqiptare. Ja çfarë më ka shkruar Ai: “Po mundohem të futem në ndonjë kompani të huaj, që operon këtu, por deri tani jam spostuar nga miqtë e shefave. Më ndihmo, nëse di ndonjë kompani, që do të futet në Shqipëri në formë Joint Venture, sepse blloqe kërkimi të mira dhe të lira nuk ka, ose ndonjë kompani, që ka nevojë për gjeologë. Niveli jonë i projektimit ka qenë më i mirë se i gjithë komapanive të huaja, të futura tek ne pas vitit 1991. Difekti kryesor i të huajeve është mungesa e profesionalizmit në hartografimin gjeologjik, si dhe në orientimin e kryerjes dhe interpretimin e profileve sizmike, sipas shprehjes gjeologjike të prespektevës. Unë di shumë gjëra për Hartën Gjeologjike të Shqipërisë, dhe gjithë zonat perspektive për naftë dhe gaz. Madje, kam edhe të dhëna të detajuara për rreth 20 struktura perspective, të vizatuara me dorënn time. Kontratat me kompanitë e huaja janë problem i madh, sepse janë në favor të tyre. I di të gjitha kompanitë dhe blloqet, dhe po mundohem të ingranohem diku, por s’kam mundur, në saje të korrupsionit. Niveli i të huajve është më i ulët se ai i ish Institutit të Naftës në Fier. Problemi kryesor është rikthimi në identitet i Institutit dhe Sizmikës, dhe rifutja jonë në pozicion kërkim-projektimi, gjë që kërkon rishikim total të politikës aktuale në naftë dhe gjithë pasurive të tjera natyrore. Të kam thënë se përcaktimi i objekteve, që meritojnë pregatitje të mëtejshme, kërkojnë ngritjen e një grupi pune më vete, ose në përbërje të një kompanie serioze, si ish Instituti dhe Sizmika etj., që mund të krijohet nga ne shqiptarët. Sa për objektet perspektive që më thua, ti mund të kesh të qartë ndonjë horizont sizmik. Edhe unë kam një listë me disa objekte, por do t’i tregoja po të isha i ingranuar në një kompani, ose të formojmë një kompani si ish Instituti dhe Sizmika. Kompanitë e huaja kanë vetëm puse negative”.
Ti je gjeolog konkret, i shkrova unë një herë, por edhe unë jam konkret në anën time. Lexo shkrimin tim: “Ja ku është nafta e pa zbuluar”… Unë i referohem sizmikës. Unë kam perceptimet e mia për Pekishtin, si për depozitimet e Tortonianit edhe për gëlqerorët. Unë u referohem profileve sizmike të atyre viteve, sipas ideve të mia. Objekti tjetër, paksa më në veri, është edhe më interesant. Kurse Cerriku dhe Papri janë të tjera… Kam në vëmendje dy e-male-t e tua të fundit. Derisa qënke në bordin e Albpetrolit, do të quaj Ministër i naftës shqiptare… Dhe Ai ma ktheu: “Mua nuk më dëgjon njeri, bilez kam frikë se mund të më heqin dhe nga puna. Konketisht, dikur më hoqen nga Bordi i Albpetrolit, sepse votova kundër një kompanie të huaj, ngaqë kërkova verifikim investimesh. I nxitur nga thirrja: T’ua kthejmë Shqipërinë Shqiptarve, jam munduar të trajtojë drejtimet teknike, se ku vidhen pasuritë kombëtare, nafta, gazi, etj., nëpërmjet Marreveshjeve Hidrokarbure (MH) dhe ku duhet fokusuar mbikqyrja për të kapur hajdutët. Ne duhet të kërkojmë ngritjen e grupeve të ekspertve për të gjitha degët kryesore të ekonomisë . Ekspertët duhet të jenë më shumë inxhinierë, agronomë, doktorë me CV pune me projekte konkrete, dhe jo ekonomistë, juristë, gazetarë, artistë etj. I rëndësishëm është raporti inxhinierë, ekonomistë, juristë dhe jo shok-shoqe. Ministria e Energjisë, që administron të gjitha burimet natyrore, nuk mund të drejtohet nga ekonomistë dhe juristë, por nga gjeologë dhe teknologë të konfirmuar, me projekte rezultative. Ndalim urgjent procedurave të privatizimit të Albpetrol sh.a., sepse përcaktimi i vlerës së Albpetrol, vetëm nga një kompani e huaj, duke injoruar ekspertët e tij dhe të Universitetit Politeknik të Tiranës etj., është veprim tepër i gabuar, në dëm të interesave kombëtare. Ecuria e procedurave të këtij privatizimi, dhe dështimi i tenderuesit të parë, dëshmojnë jo vetëm papërgjegjshmëri e pa-aftësi, por edhe synime grabitqare të qeverive. Duhet hetim urgjent Parlamentar, me pjesmarrje ekspertësh shqiptarë, të gjitha Marrëveshjeve Hidrokarbure, duke filluar nga pregatitja, hartimi dhe zbatimi i termave (kushteve) të tyre, si gjëndja e rezervave gjeologjike të naftës, debitet e puseve, rënia vjetore dhe kostua reale e prodhimit, raporti i ndarjes së fitimit etj. Hetimi në fjalë duhet të ishte kryer më parë. Megjithate, edhe tani do të sigurojë të dhëna për caktimin e vlerës reale të Albpetrol, dhe do të zbulojë korrupsionin në përmasa të mëdha. Rishikimin e emërimit të drejtorve në AKBN, Albpetrol, KESH etj. Kontroll të detajuar të gjitha konçesioneve dhe largimin e atyre me shkelje, te paraprirë nga kthimi i përfitimeve të paligjëshme, sikurse u premtua gjatë fushatës…
Duhet reformim i gjithanshëm i Albpetrolit, gjë që s’mund të bëhet duke zëvendësuar sekretarë apo militantë partish, por duke bashkuar Këshillin Mbikqyrës dhe Tekniko-Shkencor në një Bord të vetëm, me ekspertë të përzgjedhur nga të gjitha profesionet e nevojshme. Reforma duhet të synojë rikuperim dhe kompletim sa më efektiv të Albpetrolit, si kompani shtetërore kërkimi, nxjerrje dhe e ruajtjes së rezervave gjeologjike të naftës dhe gazit, si dhe supervizuese e gjithanëshme e Marrëveshjeve Hidrokarbure. Gjithashtu duhet hetim dhe rishikim i privatizimit të ARMOS, me synim rishtetëzimin dhe bashkimin me Albpetrolin. Duhet hartimi i kuadrit ligjor, që garanton objektivat e mësipërme të reformimit të Albpetrolit, për ta bërë atë një kompani sa më efektive edhe në biznesin ndërkombëtar. Mandej mund të mendohet për privatizim rreth 50% të tij, nga aksionerë dhe ekspertë vendas. Më pyet për pusin e Jubanit. Jubanin e projektoi Manas Petroleum, mundet bashkë me Shell Royal, që kanë një gjeolog Divjake, që s’ka punuar në rilevim dhe as në përgjithësime. Kurse sizmiku nuk e njeh gjeologjinë. Ndërhyrjet e mija, tek shefat e Shell Royal dhe në AKBN, i kanë injoruar ata të Tiranës. Situata, diku nga Cerrik-Elbasani, siç ma paraqite ti, ka interes. Interes mund të ketë edhe vazhdimi jugor i El-11, deri në veri të Valeshit të zbuluar. Po ashtu edhe vazhdimi i Marakut drejt veriut është akoma me interesant. Por duhet kujdes, se të huajtë nuk e kuptojnë gjeologjinë, rrjedhimisht nuk mund të bëjnë interpretime të sakta gjeoseizmike, prandaj duhet ndërhyrë, që të ngrihet një grup specialistësh shqiptarë, të marrë gjithë profilet e të bëjë interpertim komplet në formë oponence, si për veriun e Dumresë dhe për Shpiragun S’jam minister, sic me cileson por vetem anetar i thjeshte i keshillit teknik, që jep vetëm mendim teknik, por vendimi merret me lartë dhe mund të jetë i kundërt me mendimin tonë. Jam për largim të konçesioneve, por shefat thonë se është e vështirë. Unë kam dhënë dhe jap mendime të pavarura nga shefat, prandaj qeveria e djathtë më hoqi nga Bordi. Kam qenë në Bord dhe me hoqën, sepse kërkova verifikim investimesh të kompanive të huaja në terren. Kështu, ti nxitohesh kur më thua që unë konformohem, sepse edhe në këtë Këshill kam kërkuar kontroll të detajuar dhe s’kam votuar pro progarameve të kompanive të huaja. Tani jam vetëm në këshillin tekniko-shkencor, dhe i kemi kthyer mbrapsht gjitha programet për vitin 2014. Ne duhet të punojmë në sensin tonë edhe kur s’na ndëgjojnë, por me me kujdes”.
3. Ky ishte rrëfimi dhe amaneti i shokut dhe kolegu tonë, i gjeolog Prof. Dr. Engjëll Prrenjasit. Populli im edhe në këtë rast nuk pati fat. Engjëlli, kolegu ynë, mori me vete një pjesë të perspektivës së naftës shqiptare! Se,mos vetëm Ky! Elegant, ai nuk vuante nga kolesteroli apo obeziteti. Atë e sëmurën qeveritarët, që thoshin se do bëjmë këtë dhe atë, por që nuk bënë asgjë. Kështu, këto qeveri të thyera mbyllin përjetësisht arshivat e specialistve të naftës… Iku edhe një tjetër! Kortezhi i naftëtarëve zgjatet shumë, sikurse varfëria shqiptare. Naftetarët, kolegët dhe shokët e mi, vijnë erë nafte edhe në botën tjetër, ndryshe nga qeveritarët dhe deputetët tanë.
Nafta nuk ka nevojë për politikë. Ajo është vet bombë dhe politikë. Ne jemi shtet i horrave!.. Një fillozof thotë: Një popull, që zgjedh të koruptuar, hajdutë, tradhëtarë dhe mashtruesë, nuk është viktimë, është bashkëpunëtor i tyre.
Qeveria ime, mbi çdo varr naftëtari duhet të ngrejë një kullë nafte, dhe në majë të sajë do të shkruajë emrin e një naftëtari.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura