DR.JAKUP KRASNIQI: GJYKATA SPECIALE, KËRKESAT ‘TONA’ DHE ATO TË MIQVE TANË

Prishtinë, 02. 06. 2015 – A thua shoqëria jonë, duke mos qenë e gatshme t’i zgjidhë problemet e veta, apo një pjesë e “ndërgjegjshme” apo “kuturisëse”, gjithë shpresën për zgjidhjen e një Nyje Gordiane të Re, e ka mbështetur në krijimin e asaj që po lakohet aq shpesh gjithandej e që sa kohë: Gjykata Speciale! Duke pritur, kësisoj, që të tjerët të na i zgjidhin problemet tona (sundimin e rendit e të ligjit), a thua po tregohemi të gatshëm të heqim dorë nga një pjesë e sovranitetit?! Unë, thjesht, nuk besoj që Gjykata Speciale do të na i zgjidhë problemet tona të brendshme. A do të na e bënë Gjykata Speciale, shtetin e së drejtës, shtetin e zhvillimit ekonomik apo shtetin e mirëqenies, shtetin e dijes dhe shtetin e drejtësisë sociale? Mos po presim shumë nga të tjerët e pak nga vetja jonë?
Përse nuk do t’i zgjidhë problemet tona të brendshme?
Sepse deri më tani i kemi pasur disa hallka të drejtësisë ndërkombëtare, të cilat u dëshmua se nuk funksionuan derisa nuk ndihmuan për të ndërtuar një Sistem të Drejtësisë kredibël, të përgjegjshëm e funksional. Për t’i dënuar krimet e luftës, të kryera në hapësirat e ish-Jugosllavisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte formuar Tribunalin e Hagës, i cili kishte arritur t’i trajtojë dy raste (rastin “Limaj”dhe rastin “Haradinaj”) dhe shumica e të akuzuarve nga Kosova u shpallën të pafajshëm (sa për saktësi, vetëm një qe dënuar). Edhe kjo ishte një kërkesë politike për ti balancuar të pa balancuarat (krimin e shtetit serb me “krimet” e pretenduara të UCK-së)?! Tribunali i Hagës kishte hulumtuar edhe pretendimet për trafikimin me organe njerëzore (një gënjeshtër e madhe e politikës serbe kjo), por në mungesë të dëshmive me të drejtë kishte hequr dorë. Pastaj për 8-9 vjet UNMIK-u e kishte të rezervuar të drejtën për t’i gjykuar të gjitha pretendimet e krimeve të luftës të “kryera” nga pjesëtarët e UÇK-së(!). Gjë që ishin organizuar edhe disa procese gjyqësore. Pas Pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, kjo e drejtë do t’i besohet ekskluzivisht EULEX-it. Edhe EILEX-i do të hetojë dhe organizojë një sërë rastesh nën akuzën e krimeve të luftës. Rasti i fundit është ai i Grupit të Drenicës, i cili është në përfundim e sipër. Deri tani janë zhvilluar 27 procese të tilla (për krime të luftës) kundër shqiptarëve (në Serbi deri tani janë zhvilluar gjithsejtë 26 procese për krimet e luftës të kryera në hapësirën e ish Jugosllavisë?!) Ndërsa, gatishmëria e të gjithë të akuzuarve shqiptarë ishte për t’u përballur me drejtësinë pa asnjë hezitim! Pra, në Kosovë nuk i është bërë bisht drejtësisë në asnjë rast. Kjo gatishmëri shpeshherë nuk është hasur (as mirëpritur) në vendet tjera të rajonit e sidomos nuk është hasur e parë në Serbi, e cila ushtroi gjenocid, madje jo vetëm në Kosovë. Është e pakuptueshme sesi Serbia i shpëtoi dënimit për gjenocid?! Shumëçka mund të kuptohet nga kushdo që e lexon librin e Florence Hartmann: “Paqja dhe ndëshkimi” (botim i Kohës, Prishtinë 2011). Autorja në faqen 153 shkruan: “E dinin më mirë se kushdo tjetër se Serbia nën Millosheviqin kishte marrë pjesë në luftë dhe krime (dhe gjenocid, – nënvizimi im, J. K). Por nuk donin që shteti serb ta merrte përgjegjësinë për ketë”.

Për krijimin e Gjykatës Speciale as institucionet tona politike nuk janë pa përgjegjësi ashtu siç nuk është i papërgjegjësi edhe Sistemi ynë i Drejtësisë, i cili vazhdon të jetë joprofesional, i papërgjegjshëm dhe joefikas. Sistemi ynë i Drejtësisë është nën ndikimin e politikës, apo siç po thuhet: i kapur nga politika! Ndonëse është investuar shumë në reformimin e tij si nga vendorët e po ashtu edhe ndërkombëtarët, për të ndërtuar një gjyqësor të paanshëm, profesional dhe të pandikueshëm politikisht. Siç rezulton fare qartë, gjatë këtyre 16 viteve, vendorë e ndërkombëtarë kemi dështuar ta ndërtojmë një gjyqësor sovran e të përgjegjshëm. Duke pasur parasysh përvojën e deritashme të gjyqësorëve ndërkombëtarë e vendorë, a mund të pritet nga Gjykata Speciale të jetë jashtë ndikimeve politike, mbase edhe korruptive? Nuk ma ha mendja! Thjesht, është vështirë të besohet se me krijimin e Gjykatës Speciale, me seli jashtë Kosovës,do të kemi një zgjidhje të kënaqshme. Mbase do të ndodhë si ajo thënia e famshme: “U mbars mali e polli një mi”.
Në rastin tonë, kemi një shpërputhje të madhe në mes të kërkesës së ndërkombëtarëve dhe pritjes së një pjese të shqiptarëve të Kosovës për sa i përket Gjykatës Speciale. Të parët (ndërkombëtarët), kërkojnë që të “pastrohet” UÇK-ja nga “krimet” e pretenduara të luftës dhe trafikimi i organeve të viktimave të luftës të ngritura nga Dick Marti, ndërsa të dytët presin që Gjykata Speciale të merret me krimet e pasluftës dhe çkapjen e shtetit nga kapësit e tij!!! Fillimi i krijimit të Gjykatës Speciale edhe mund t’i gëzojë disa shqiptarë që nuk merakosen për abrogimin e Kushtetutës dhe marrjen e sovranitetit të gjyqësorit. Ata në fund do të mbesin të zhgënjyer, por atëherë dëmi politik do të jetë i pariparueshëm,duke qenë se për disa vjet rresht, bota do të flasë për krimet e “kryera” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa, në anën tjetër të medaljes (ç’paradoks!), krimi dhe gjenocidi i pushtetit serb, i ushtruar gjerësisht në Kosovë në vitet 1998/1999, do të vazhdojë të mbetet i pandëshkuar!
Pozita e deputetëve në Kuvendin e Kosovës është tepër e vështirë. Ata duhet të vendosin mes kërkesës së miqve (siç zakonisht thuhet ndër ne), për “pastrimin” e UÇK-së nga krimet e luftës dhe trafikimi i organeve të ngritura në Raportin (e gënjeshtrave) të Dick Martit, për të cilat akuza prokurori Williamson nuk ka gjetur dëshmi dhe obligimit të tyre përfaqësues e kushtetues për të forcuar sovranitetin e shtetit më të ri të Evropës. Vendimi që do të marrë në ditët e ardhshme shumica në Kuvendin e Kosovës do t’i bëjë ata të mbuluar nga turpi apo të veshur me dinjitet?! Nëse miqtë dëshirojnë të na “pastrojnë” para armiqve tanë të cilët i kanë sajuar pretendimet e tyre, a do të mjafton kjo Gjykatë Speciale që po ndërtohet pa kontributin e armiqve tanë, që ajo të jetë “pastruese” e mjaftueshme?!
Gjithsesi, zgjidhja nuk është aspak e lehtë, por vetëm në vështirësi, njerëzit mund ta tregojnë integritetin e tyre! Kjo pritet të shihet së shpejti në përballjen e kërkesave “tona” dhe “dashamirësisë” së miqve tanë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura