ISA BOLETINI, MOHIKANI I FUNDIT

ISA BOLETINI, MOHIKANI I FUNDIT

Nga Daut Dauti, Londër 1 tetor 2021

Aubrey Herberti kishte kohë që planifikonte të takohej me Isa Boletinin. Për legjendën e gjallë flitej aq shumë, që nga pallati Yildiz dhe i tërë Stambolli – e deri në cepat më të largëta të perandorisë. Personaliteti i kreshnikut shqiptar e intrigonte tej mase diplomatin, ushtarakun dhe politikanin aristokrat britanik. Ai e dinte se Isa nuk i kishte mbushur as 17 vite kur ishte treguar trim dhe mjeshtër i luftës kundër forcave otomane në betejën e Slivovës në vitin 1881. Mirëpo, armiqësia e tij me sulltanin nuk ishte e përjetshme.

Në vitin 1902, Sulltan Abdul Hamiti II e kishte emëruar Isën komandant të gardës së tij personale, e cila ishte njësia më speciale që kishte Perandoria. Natyrisht, sipas traditës, gardistët gjithmonë ishin shqiptarë të rekrutuar me kujdes. Isa Boletini i kaloi katër vite në këtë detyrë për të cilën gjë Sulltani ia dha titullin bej.

Isa Bej Boletini ishte kthyer në Kosovë, por ia kishte dhënë besën Sulltanit se nuk do të luftonte kundër tij. Në vitin 1908 nuk i përkrahu deri në fund planet e kryengritësve shqiptarë dhe programin e xhonturqve. Por, çdo gjë ka fund. Që nga mbarimi i vitit 1908, Isa Beu ishte kthyer kundër perandorisë dhe udhëhoqi kryengritjet shqiptare deri në pavarësim të Shqipërisë.

Në kërkim të Isa Boletinit

Mu në fillim të janarit të vitit 1909, Aubrey Herbert shkoi në Mitrovicë. Mendonte ta takonte Isa Beun i cili një herë kishte qenë i përkëdheluri i Yldizit nga ku merrte një rrogë të majme, por tashti ia kishte kthyer pushkën edhe Sulltanit. Në Mitrovicë njerëzit i thanë mysafirit anglez se Isa Beu, me dorë të vet, i kishte vrarë 20 veta, të gjithë të rangut të oficerëve të lartë.

Herberti kërkoi ta gjente në Mitrovicë e rrethinë.

“Ja, këtu pas këtij guri e ka vrarë njërin” ose “pas asaj kodre i pat vra dy veta vjeshtën që shkoi”, i thoshte një përcjellës i asaj ane. Herberti, gjatë tërë kohës sa qëndroi në Kosovë pa vetëm shenja ku kishte vepruar (vrarë) Isa Beu, i cili te anglezët tani më e kishte fituar epitetin e Robin Hudit shqiptar. Por, Isën nuk mundi ta takoi.

Prijepolje: E premte, 23 gusht 1912

Aubrey Herberti kishte mbërri në Prijepolje nga një udhëtim i lodhshëm nga Sarajeva. Ishte ndalur ta kalonte natën në këtë vend ku fillonin të lajmëroheshin banorët që në kokë kishin plisa. Pas mëngjesit, ende pa e kapur vapa vendin, një xhandar i quajtur Ramadan, së bashku me disa ushtarë, erdhi për ta përcjell mysafirin e lartë anglez nga Prijepolja për në Sjenicë.

Diku në mes të rrugës, kolona kaloi rrëzë një shpati ku prashitnin dhe këndonin disa vajza serbe. Pas disa minutave, kur kolona u ndal për pushim nën hije të disa lisave dhe rrëzë një përroske, edhe Ramadani ia krisi një kënge. Ai e këndoi një këngë konvencionale, e cila rrallë shndërrohet në baladë. Sipas lirikës, një nënë ankohej për shkak se djali i tij ishte martuar me një nuse e cila nuk e kishte në qejf punën. Këngën e shoqëroi një rigë e shiut dhe gurgullima e ujit të përroskës.

“Si është puna me Isa Boletinin?”, pyeti Herberti, sa për ta prishur monotoninë që krijoi pauza pas këngës së “dhembshme”. “Aaah, i ka vra 100 veta”, thanë disa ushtarë gati një zëri. Këtë e vërtetoi me lëvizje koke edhe Ramadan xhandari, i cili nuk ishte i sigurt nëse anglezit i pëlqeu kënga.

Para tri viteve ishin 20 e tashti shifra ishte ngritur në 100. Ngritje e shpejtë e numrit nuk ishte punë e mirë për paqe – mendoi Herberti. Kur kolona mori drejtimin e Sjenicës, Herbertit natyra filloi t’i dukej e bukur sikur ajo në Shqipërinë e jugut.

Mitrovicë: E hënë, 26 gusht 1912

Rrethina e Mitrovicës Herbertit i dukej e ngjashme ne atë të Italisë Veriore. Kodrat i dukeshin si ato në Toskani me dallim qe këto të Mitrovicës bënin një hije gati ngjyrë vjollce. Në mesditë Herberti shkoi në zyrën telegrafike për të dërguar një telegram në Londër. Telegrafisti u tregua tejet i pasjellshëm dhe e përzuri anglezin nga zyra, duke u arsyetuar se askush në zyrë nuk dinte frëngjisht. Me të njëjtën mënyrë ia ktheu edhe anglezi.

Pastaj, Herberti shkoi ta vizitonte kajmekamin, Halit Beun, për të cilin shkroi se ishte njeri i aftë dhe me shprehi pune të një shërbyesi civil anglez. Derisa po bënin muhabet, në zyrë hyri telegrafisti i cili kur pa se anglezi ishte mysafir shumë i nderuar i kajmekamit, e lëshuan këmbët. Duke u munduar të arsyetohej, sillej si një fëmijë i mjerë para kajmekamit.

“Nuk ia kam thënë këtij ato fjalë të këqija”, dhe bëri me dorë në drejtim të Herbertit. Pastaj, vazhdoi të thoshte se fjalët i ishin dedikuar dikujt që priste në radhë pas Herbertit.

Kur Herberti doli nga zyra e Halit Beut, në rrugë e takoi konsullin rus. Konsulli e ftoi të luante brixh. Herberti e refuzoi me arsyetim se nuk kishte luajtur asnjëherë dhe nuk i dinte rregullat.

Takimi me Isa Boletinin

Mitrovicë: E martë, 27 gusht 1912

Derisa Herberti po pinte kafe me kajmekamin, në zyre hyri telegrafisti me lajme të reja.

“Kanë ndodhur vrasje të rënda sot në Pejë”, tha telegrafisti dhe vazhdoi të raportonte për detajet para kajmekamit. Priteshin më shumë vrasje, por jo para Bajramit, se deri atëherë shqiptarët i kishin dhënë besë pushtetit otoman.

Situata po komplikohej në Pejë, i cili qytet iu kujtua Herbertit pasi që e kishte vizituar para disa viteve. Guvernatori otoman atëherë pati shtruar zijafet për Herbertin. Aty ishte edhe Sejfedin Beu, një shqiptar i rëndësishëm i qytetit, por i ri nga mosha. Kjo ishte arsyeja që Herberti e kishte pyetur nëse ai kishte pa luftë ndonjë herë.

“Natyrisht që kam pa luftë. Njëzet e katër vjeç jam unë”, ishte përgjigjur Sejfedin Beu me shpejtësi, krenari dhe me pak hidhërim. Pastaj Herberti e pyeti beun shqiptar se kur ishte hera fundit që ai kishte qenë i përfshirë në luftë? Sejfedin Beu ishte përgjigjur: “Kur e përzumë ekselencën e tij nga Peja” dhe bëri me dorë nga guvernatori.

Në ato qaste guvernatori turk, të cilit nuk i kishte pëlqyer aspak ajo që kishte thënë Sejfedin Beu, kishte ndërhyrë me hidhërim duke thënë: “Mungesa e mirësjelljes nuk është e nevojshme”.

Megjithatë, Sejfedin Beu tashti nuk i kishte punët mirë, pasi që ai nuk e kishte organizuar Pejën dhe nuk kishte marrë pjesë në kryengritjen e fundit, edhe pse populli i kishte thyer magazinat dhe i kishte rrëmbyer armët. Prijësit shqiptarë, përfshirë edhe Isa Bej Boletinin, nuk e shihnin me sy të mirë këtë gjest të Sejfedin Beut. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ai tashti, gjatë ditëve të gushtit, ose për shkak të patriotizmit ose për shkak që dëshironte t’i rregullonte punët me prijësit e kryengritjes, kishte shkuar me njerëzit e tij për të luftuar në kufi me Malin e Zi.

Në vapën e pasdites Herberti u takua me konsullin rus dhe atë austro-hungarez të cilët u sollën mirë me vizitorin anglez, por jo me njëri-tjetrin. Pasdite shkoi te punëtoria e Nexhip Bej Dragës. Vëllezërit Draga e njoftuan me situatën aktuale dhe kërkesat e reja që kishin parashtruar shqiptarët para Portës.

Herberti në darkë ishte te austriakët. Në mes të darkës i erdhi një porosi misterioze. Kasneci i tha në vesh se Isa Bej Boletini po e priste në një vend të caktuar. Ky ishte momenti për të cilin Aubrey Herberti kishte pritur me vite. Isa dhe Herberti kishin komunikuar disa herë me letra e telegrame, por nuk ishin takuar asnjëherë.

Duke e lënë darkën në gjysmë, Herberti shkoi te vendi i takimit që ishte një han jashtë qytetit ku po e priste Isa Beu. Momentin e takimit Herbert e përshkruan me sa vijon:

“Isa Boletini ishte i rrethuar nga disa malësorë shqiptarë të egër dhe të mbështjell me armë. Pamja e tyre ishte e bukur nën hijen e hënës. Prisja në oborr. Një apo dy prej tyre erdhën të bisedonin me mua. Pastaj hyra në një dhomë mesatare ku ishte Isa Boletini, një shqiptar shumë i gjatë, i ndërtuar mirë me sy gjallërues me fytyrë të bukur e të ashpër dhe i veshur në rroba gege. Njëri nga djemtë e tij, më i madhi nga nëntë të tjerët, një djalosh shumë i bukur, qëndroi në dhomë për të përkthyer në italisht, por kjo gjë u dëshmua e panevojshme. Të tjerët i nxori jashtë, përveç njërit, kurse ne u ulëm në një divan të ulët te dritarja”.

Biseda filloi me paraqitjen e qëndrimeve politike që kishin shqiptarët. Isa Boletini nuk i përkrahte xhonturqit. Për momentin, duke u bazuar në rrethanat ekzistuese, ai ende e dëshironte një Shqipëri nën Sulltanin, por të mbrojtur nga vetë shqiptarët për të cilën gjë kërkonte armatim nga Porta. Si strateg ushtarak që ishte, e kishte të qartë se serbët së bashku me malazezët do të depërtonin në trojet shqiptare nëse mungonte armatimi, organizimi dhe përkrahja e nga Porta.

Me kërkesë të Isa Beut, Herberti e shpjegoi arsyen që Londra ende ishte në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale të Perandorisë Otomane. Ai tha se anglezët më me dëshirë do ta shihnin Portën duke e sunduar Ballkanin se sa Austro-Hungarinë apo ndonjë fuqi tjetër. Me fjalë tjera, Londra nuk e dëshironte shkatërrimin e Perandorisë Otomane, pasi që një gjë e tillë shkaktonte çrregullimin e tregut së bashku me gjeostrategjinë britanike.

Në këto momente u dëgjuan krisma të pushkëve nga jashtë. Pasi që ato nuk kishin të ndalur, Isa Beu, me një qetësi të ftoftë e tërhoqi perden për të shikuar se ç’ishte duke ndodhur jashtë nën dritën e hënës. Me një shpejtësi të hatashme ushtarët e tij i kapën armët dhe dolën në oborr. Fillimisht u krijua përshtypja se shtëpia ishte rrethuar nga ushtria otomane dhe Isa Beu u bë gati të qante rrethimin.

“Po vij me ty dhe nëse turqit na kapin nuk do të mund të të vrasin nëse unë jam me ty”.

Isa nuk vonoi dhe ia ktheu: “Jo, ti je mysafiri im. Nderi im nuk e lejon këtë gjë”.

Në këto momente Aubrey Herberti e kuptoi gabimin që bëri me propozimin. Isa Beu, duke qenë i obliguar nga normat e ligjeve tradicionale shqiptare, duhej ofruar mbrojtje mysafirit e jo anasjelltas. Propozimi i Herbertit nuk mund të zbatohej pasi që vendi ku ndodheshin kërkonte zbatim të normave të veçanta juridike që përmbante kanuni vendas. Duke i ndërruar këto fjalë u ndalën krismat e pushkëve. Pa ndonjë vonesë, njerëzit e Isa Beut vërtetuan se krismat ishin shkak i një zënke të disa ushtarëve otomanë që ishin të stacionuar aty afër.

Biseda vazhdoi deri natën vonë. Të dy palët u pajtuan se për shqiptarët po vinin ditë shumë të vështira. Me kërkesë të Isa Beut, Herberti u zotua se nga Parlamenti dhe Qeveria britanike do të kërkonte mbrojtje për shqiptarët.

Isa Boletini dhe anekdotat e Londrës

Pas një viti Isa Beu do të takohej sërish me Abrey Herbertin. Kësaj here, në Londër, Isa Bej Boletini ishte mysafir personal i Herbertit, i cili në mënyrë të palodhshme ndihmonte çështjen shqiptare në shtetin e tij. Qëndrimi i Isa Bej Boletinit në Londër u shënua me momente historike. Gjenerali i kryengritësve shqiptarë, siç e quanin ndryshe Isa Boletinin britanikët, la përshtypje të papërshkruara në të gjitha qarqet që u paraqit. Britanikët u mrekulluan me pamjen dhe personalitetin e legjendës shqiptare. Kreshniku me pamjen e tij fizike, brendinë, shpirtin dhe me të gjitha karakteristikat tjera, paraqiste ekzemplarin e shqiptarit fisnik dhe tradicional që kishte kaluar pa u dëmtuar nëpër gjithë ata shekuj.

Gjatë qëndrimit mysafir në shtëpinë e Herbertëve, ndodhte që Isa Beu të mbetej vetëm me zonjën e shtëpisë, Mary Herbertin. Asnjëri nuk ia dinin gjuhën njëri tjetrit dhe kjo gjë krijonte situata të anekdotave. Përdorimi i gjesteve shpesh ishte i komunikim i kotë. Ndodhte që telefoni të cingëronte shpesh në zyrën e Herbertit në Parlamentin Britanik. Mary e thërriste burrin për përkthim, sqarime e interpretime.

“Kështu më tha Isa Beu. Çka do të thotë kjo?”, pyeste burrin znj. Herbert. Merrte përgjigje dhe shpesh plasnin të qeshurat.

Zonja Herbert i rrinte gati Isa Beut me kafe. Me dhjetëra herë në ditë ajo hynte e dilte nga salloni grandioz i mysafirëve me takëm bakri të kafes turke. Sa herë që hynte e dilte ajo, Isa Beu ngrihej në këmbë për ta nderuar dhe falënderuar zonjën për muhabetin që po ia bënte. Duke e mbajtur qelibarin e sermit në dorë të majtë, Isa Beu përkulej para zonjës duke bërë një gjysmë hark me dorën e djathtë e duke e vendosur atë ne krahun e zemrës. Në ato momente edhe zonja Herbert ia kthente respektin. Ajo e lëshonte me kujdes tabakun mbi tavolinë dhe tërhiqej dy hapa dhe pastaj përkulej duke e lëvizur dorën e djathtë gati përtokë, majtas e djathtas, dhe me dorën e majtë gjysmë të ngritur, mu ashtu siç përshëndesin anglezët mbretëreshën e tyre apo anëtarët e familjes mbretërore. Kjo ceremoni e përshëndetjes përsëritej shumë shpesh. Mary Herbert dhe Isa Boletini gati tërë ditën e kalonin duke i bërë temena njëri tjetrit.

Dhe, momenti i anekdotës së famshme të Isa Boletinit me kobure në Parlament. Kur Sir Edward Grey (Sekretari i Jashtëm britanik) po e përcillte Isa Beun nga takimi që kishin pasur, u ndalën te dera aty ku rojet ia kthyen revolen Isa Beut. Sipas Edwin Jacques, sekretari britanik duke buzëqeshur i kishte thënë Isa Beut: “Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, të cilin as Mahmut Shefqet Pasha nuk ka mundur ta ç’armatoste, u ç’armatos në Londër”. Isa Boletini e kishte shikuar Sir Edward Greyin dhe i kishte thënë: “Jo, jo, as në Londër nuk ç’armatosem unë” dhe nga shoka kishte nxjerrë pistoletën rezervë.

Isa Beu – Gjiganti që impononte me pamjen e tij

Herbert, në mënyrë mahnitëse, përshkruan në detaje çdo hap të Isa Bej Boletinit në Londër. Herbert organizoi takime të anëtarëve të delegacionit me zyrtarët më të lartë britanikë, mbajti fjalime në Parlament, shkroi artikuj në gazeta dhe bëri një varg aktivitetesh tjera të rëndësishme me qëllim që politikanët, ushtarakët, diplomatët dhe opinioni britanik të njoftoheshin me gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe kauzën e tyre nacionale.

“Figura më piktoreske e këtij delegacioni ishte Isa bej Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë”, shkruan Herbert, duke vazhduar t’i numëroj faktet tjera të cilat këtë njeri e kishin shndërruar në legjendë edhe sa ishte gjallë. Përshtypjet që kishte lënë Isa Beu në Londër ishin mahnitëse. Me trup të një gjiganti (198 centimetra i gjatë) dhe me veshje karakteristike kombëtare, impononte pamjen e tij gjithkund. Herbert shënon se edhe në vende publike, kur dilte Isa Beu, i tërë qyteti ndalej për ta shikuar këtë njeri të pazakonshëm.

Një ditë Herbert kishte organizuar një drekë në restorantin e një shqiptari (Toni Preshës) në Londër, për ta takuar Isa Boletinin me Lloyd Georgen, i cili në këtë kohë ishte ministër i Financave, por që më vonë u zgjodh kryeministër i Britanisë së Madhe. Herbert e përshkruan këtë takim në mënyrë brilante. Pasi që Lloyd George kishte shpalosur qëndrimet e qeverisë britanike për Ballkanin (të pafavorshme për Shqipërinë), Isa Beu i drejtohet Herbertit, i cili në këtë rast shërbente si përkthyes, me këto fjalë:

“Thuaj këtij”, tha Isa Beu, “se unë jam malësor, sikur ky, dhe e di që e ka zemrën e mirë për ata që vuajnë, sidomos për malësorët. Dhe, thuaj se kur të del pranvera, ne do t’i plehërojmë tokat e Kosovës me gjak dhe eshtra të serbëve pasi që shqiptarët kanë vuajtur shumë dhe nuk mund të harrojnë”.

Natyrisht, Herbert këtë fjalinë e dytë e kishte zbutur pak gjatë përkthimit. Por, ai shënon se Isa Beu i kishte lënë mbresa të fuqishme Lloyd Gergeit. “ They were a funny pair. Ll. loved him”, shkruante Herbert, e cila në shqip duhet përkthyer si: “Ata ishin një qift i çuditshëm. LLoyd Georget i pëlqeu shumë ai (Isa Beu , vrj.)”.

Një ditë, duke ecur rrugës (Regent Street), ca posterë të mëdhenj ishin ngjitur gjithandej mureve, me lajmin kryesor të ditës: “Është vrarë Nijazi Beu nga i biri i Isa Boletinit”. Anëtarët e Komitetit për Shqipërinë, pos Aubrey Herbertit, ishin tronditur nga ky lajm. Herbert, me insistim të anëtarëve të Komitetit, i tha Isa Beut: “Në këto mure është shkruar se biri yt e ka vrarë Nijaziun. A e beson ti këtë”?

Në mënyrë të ftoftë, akull, Isa Beu tha se kjo gjë tashti nuk krijonte asnjë ndryshim, duke shtuar: “Kjo gjë është shumë e mundshme. E di që biri im ka qenë i vendosur ta vriste Nijaziun, aq sa edhe Nijaziu ka qenë i vendosur ta vriste birin tim”.

Pastaj, duke u shëtitur në kopshtin zoologjik, e pyetën Isa Beun nëse po i pëlqente ajo që po shihte aty.

“Të gjithë i paskeni futur në kafaz pos dreqit. Mua më pëlqen liria”, ishte përgjigjur Isa bej Boletini.

Edhe në Parlamentin Britanik, Isa Beu la përshtypje dhe efekt të madh. Lordi Trowen (gjeneralmajor), për ta respektuar edhe zyrtarisht, e kishte pritur me uniformë ushtarake.

Herbert një ditë e kishte pyetur se si po e vlerësonte Londrën? Isa Beu ishte përgjigjur: “Me gjithë madhështinë që ka ky vend dhe me gjithë mirësinë që keni ju anglezët, unë këtë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e vendit tim”.

Vdekja sipas ligjit

Anekdota e çarmatimit në Londër shërben për të treguar se shqiptari askund dhe asnjëherë nuk i dorëzon armët për së gjalli. Ky ishte një ligj tjetër të cilin Isa Boletini, si shumë të tjerë, e respektonte deri në fund. Duhej mbrojtur fjalën e dhënë, mikun, pragun e shtëpisë, nderin dhe tërë traditën. Në ato kohëra shqiptarët obligoheshin në çdo hap nga gjithë ato ligje që kishin.

“Duhet ba dekën pa u koritun”, u kishte thënë shpesh Isa Boletini të gjithëve që kishte përreth. Dhe, mu ashtu, duke respektuar ligjet, vdiq kreshniku legjendar.

Ekziston një dyshim i bazuar në fakte se ambasada franceze në Cetinë ishte e përfshirë për të ndihmuar malazezët në organizimin e vrasjes së Isa Boletinit. Britanikët, duket se i kishin marrë erë kësaj pune të keqe dhe i propozuan mbrojtje Isa Beut. Francezët ishin të parët që i ofruan ndihmë dhe për këtë shkak Isa Beu nuk pranoi t’ua kthente shpinën atyre e të shkonte me britanikët të cilët në fakt ishin miqtë e vetëm që kishte.

Me 23 janar 1916 Isa Boletini ra heroikisht duke luftuar në urën e Podgoricës në pritën që ia organizuan malazezët. Po atë ditë kapitulloi shteti i tyre para trupave austro-hungareze. Mali i Zi, në ditën kur po e nënshkruante kapitullimin, në ditën më të turpshme që mund të imagjinohet, gjeti kohë ta vriste Isa Boletinin. Për Malin e Zi, shtet ky që po zgjerohej mbi tokat dhe gjakun e shqiptarëve, Isa Boletini ishte më i rrezikshëm se e tërë Perandoria e Austro-Hungarisë.

Vdekja e Isa Bej Boletinit simbolikisht shënoi edhe humbjen e gjysmës së territoreve që kishin shqiptarët dhe fundin e luftës që të ktheheshin ato gjatë një shekulli. Isa Boletini ishte njeriu i fundit në të cilin ishin përmbledhur të gjitha karakteristikat e të qenurit luftëtar shqiptar. Për Abrey Herbertin, anglezët dhe për të gjithë ne, Isa Boletini ishte Mohikani i Fundit.

(Ky rrëfim është i bazuar në ditarin Ben Kendim të Aubrey Herbertit)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura