Pashtriku.org, 09. 09. 2014: Aty nga ora 21 e 40 minuta të datës 02 korrik 2014, më bie zilja e telefonit. E hapa. Dëgjoj në anën tjetër: – Përshëndetje baci Isë! Jam Agimi, Agim Sylejmani. Si je? – Ooo vëlla! Mirë se ke ardhur! Ku je? Rastisi atë ditë të jem jashtë Tiranës, si i ftuar në një rast gëzimi familjar, në një fshat në rrethinat e saj, ku u mbajta edhe për të fjetur atje. Ajo telefonatë më ngacmoi shumë që të nisesha sa më parë për ta takuar villain tim të idealit, ndonëse nuk kisha makinë, por kur më tha se do të nisej shpejt për Kosovë, u shkreha. – Dëgjo, baci Isë, – u dëgjua zëri i Agimit në anën tjetër të telefonit! – Po t’i lë tri librat e mi që t’i marrësh ti, se janë për ty, tek “Artisti i Popullit” Reshat Arbana – dhe më tregoi edhe vendndodhjen e shtëpise së tij. – Mirë, mirë vëlla! Shumë faleminderit! Të uroj një udhëtim të mbarë!
Dhe, kësisoji u ndamë “së bashku”. Më dukej se ajo natë do të zgjaste më shumë se netët e tjera, pasi mezi po prisja që t’i merrja sa më parë ato libra, dhuratë nga një vëlla ideali e lufte të përbashkët për Çështjen Kombëtare. Mirëpo, në çast më lindi një ide e çuditshme: Ato libra do t’i lija aty deri në mbrëmjen e dates 5 korrik dhe, atë mbrëmje do të trokitja në derën e Artistit të madh e mikut të Agimit, Reshat Arbanës, për herë të parë në jetën time, për dy qëllime:
E para, se me datën 6 korrik unë kisha ditëlindjen time dhe, doja që një dhuratë e çmuar si kjo të vinte në jetën time në një rast të veçantë të jetës time, si për të m’i dhënë akoma më kuptim datëlindjes time.
E dyta, doja që në një derë të madhe si ajo e një artisti të madh të skenës dhe ekranit shqiptar, të trokitja pikërisht në pragun e ardhjes së ditëlindjes time.
E “frenova” veten edhe ato pak ditë dhe, prita si prita.
Kishte ardhur pikërisht momenti që kishte endur në kokën time mendja ime, “rob” i së cilës qeshë bërë pa më të voglin kundërshtim. Aty rreth orës 21 të datës 5 korrik 2014, i bie ziles së portës, në hyrje të oborrit të shtëpisë së Artistit. Kjo për mua ishte hera e parë që “trokitja” në atë portë. Ndjeva pak emocion, sepse edhe me Artistin do të ndodhesha ballë për ballë me të, për herë të parë, në këto rrethana që asnjëherë nuk i kisha menduar. Shpejt e shpejt, mendja më tha se, edhe kjo sekuencë është një copëz e vogël e skenës së madhe ku shfaqej fiziku, zëri, plasticiteti, zemra, shpirti artist e madhështia e Artistit të madh, Reshat Arbana, ashtu, ballë për ballë, si në skenën e teatrit, apo në ekranin e filmit.
– Kush është? – u dëgjua zëri i artistit, në citofonin e vendosur tek porta, zë të cilin e njoha menjëherë, pasi kush e di se sa herë e kam degjuar e adhuruar atë zë.
– Jam një mik e shok i Agim Sylejmanit, Isa Ferizaj, – i përgjigjem nga citofoni. Sapo hapa gojën për ta sqaruar se përse kisha ardhur në atë derë, ai më tha nga brenda:
– Hape derën dhe futu brenda, se nuk është e mbyllur me dry!
Dhe, vërtetë ajo derë nuk kishte se si të mbyllej me dry, pasi në atë derë të madhe kush e di se sa njerëz të tjerë dashamirë të artistit, mund të trokitnin brenda një dite?!
Sapo hapa derën dhe futa këmbën në oborrin e shtëpisë, u shfaq artisti në sheshpushimin e shkallëve që ngjisnin nga toka në katin e parë të shtëpisë. Se si m’u duk ai sheshpushim, si një skenë e madhe dhe, artisti, si në një rol të madh.
– Hajde, Isa, bujrum!
Ia dhamë dorën njëri-tjetrit, si të takoheshin dy shokë që njiheshin prej kohësh.
Si për t’u siguruar për vërtetësinë e asaj që po ndodhte aty, njohjes së parë, ai më pyet:
– Nga je ti, Isa?
– Nga Tropoja! – ia ktheva dhe shikova reagimin e tij në fytyrë, pasi më kishte ndodhur që shumë njerëz t’i “lexoja” që në momentin e parë të takimit, nga shprehja që merrnin fytyrat e tyre, në momentin e paraqitjes time para tyre. “Nuk e di” se përse emri “Tropojë” në këto kohët e “demokracisë”, nuk linte shije të mirë tek shumë nga ata qä ua thoje, në një kohë kur në kohën enverjane, sapo dikush mësonte se je nga Tropoja, i qeshte zemra më parë e, pastaj reflektohej edhe në fytyren e tij.
– Urdhëroni brenda, ose po deshe ulemi edhe këtu! (Aty në oborr kishte një tavolinë, kolltuqe e karrige) Fytyra i mori pamje sigurie e vërtetësie dhe ftesa për të hyrë brenda ishte me gjithë zemër, sepse isha miku e vellai i idealit, i mikut të vet, Agimit.
– Jo, faleminderit, por, … , – dhe s’arrita ta përfundoj “kërkesën” time dhe ai më tha se do të m’i sillte tri librat që më kishte lënë Agimi.
Doli nga dera e shtëpisë me librat në dorë dhe m’i dha. U përshendetëm me njëri-tjetrin dhe, unë bera veprimin e kundërt që kisha bërë me derën e oborrit, kur kisha hyrë brenda. Aty, pas asaj dere lashë një Artist të madh, por me vete mora një Hero shumë të madh. I shikoja librat gjatë rrugës dhe ngazëllehesha me veten time.
– Ja, sonte, në prag të ditëlindjes time, kam me vete edhe Heroin e madh të kombit tonë, luftëtarin e paepur të luftës për liri e çlirim të trojeve të atdheut, të pushtuara nga serbo-sllavët, Rexhep Malajn, simbolin e krenarisë tonë kombëtare. Ja sonte më erdhi në shtepi edhe mua, Heroi, Rexhep Malaj! Më dukej se nuk po ecja, por sikur po vrapoja e, të tjeret sikur po më shihnin me habi!
Sa të rënda më dukeshin ato libra, “Rrugëtimi i një vigani”, “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” dhe, “Më shumë se mësues”. Ecja disa metra dhe s’më besohej se ato libra shumë të çmuara, më në fund i kisha në duart e mia dhe, si për t’u siguruar ndaloja dhe shikoja dy portretet e Heroit në dy kopertinat e dy librave. Sikur flisja me Heroin! Më dukej se po udhëtoja edhe unë në ato rrugë të stërmundimshme nëpër të cilat kishte ecur Heroi. Në çdo hap që hidhja, trotuareve të Tiranës, për t’u kthyer në shtëpi, më dukej se dëgjoja edhe kërcitjen e hapave të heroit. Ato kërcitje të hapave të Heroit, ende dëgjohen me veshët e zemrës e të mendjes, sepse historia jonë kombëtare nuk mund të eci pa ata hapa. Po, po! E dëgjoja hapin historik të Rexhep Malës edhe në atë mbrëmje, në trotuaret e Tiranës.
Në këtë copë rrugëtimi, unë nuk ndjeja se ecnin me qindra e mijëra njerëz të tjerë bashkë me mua, pranë, anash e tutje meje. Isha “vetëm” unë e Heroi që po më vinte si vëllai tek vëllai në shtëpinë time. Nuk kisha guxuar që t’ia hapja asnjë faqe asnjërit nga librat që kisha në dorë sepse druhesha se mos më ikte kureshtja dhe ankthi i dëshirueshëm, për t’u njohur “rrafsh” me çdo detaj të tyre.
Ende pa i lexuar ato libra, për mua si “të shenjtë”, isha futur brenda tyre, a thua se i kisha lexuar dhe e njihja rrugëtimin e viganit Rexhep Malaj. Sapo erdha në shtëpi, drejt meje mësynë gruaja, vajzat se, djali ende nuk kisht ardhur. M’i “grabitën” librat dhe filluan t’i shfletojnë, duke krijuar një pamje, a thua se po kërkonin një të vërtetë për të mbrojtur mendimet e tyre, të sulmuara nga koha me “logjikë” të sëmurë. Shfletonin dhe shprehnin ndjesitë e tyre, herë të admirimit e, herë të dhëmbshurisë shpirtërore, sa herë ndesheshin me fotot e skicimet brenda atyre faqeve të librave.
Në këto rrethana unë isha gati të bëja një “kërkesë” me shkrim, që edhe mua të më jepej mundësia për t’u njohur momentalisht, si ata, me ato. Duke ditur se unë s’lëshoja pe, në radhen e leximit të tyre, ato gati si me një zë, më kërkuan që të bëhej një grafik për leximin si familje të atyre librave. Edhe unë, por edhe ato e dinin se para djalit tim s’kishin shans që t’i lexonin, pasi ai është një lexues i pasionuar librash dhe dashamirës i tyre.
DY FJALË PËR LIBRAT
Qysh se kur mendon dikush të shkruajë diçka për një dëshmor, për një hero, a për një ngjarje të lavdishme të historisë së kombit të vet, gjithesecili nga këta, ka trokitur fort në ndërgjegjen e vet, për të marrë prej andej “bekimin”, guximin e vendosmërinë për t’ia hyrë një rruge shumë të veshtirë, rrugë e cila do të të ngjasojë në shumë raste me rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm të heronjve, a ngjarjeve historike. E, në këto raste njeriu sikur bën kompromisin me veten, për të jetuar njëkohësisht në dy botë, në botën e sotme reale, botë e cila në jo pak raste na bën të skuqemi dhe, në botën që “jeton” brenda neshë, larg e afër neshë, njëkohësisht e shkëputshëm me kohën tonë e, që nga kjo “botë” në pothuajese të gjitha rastet ndjehemi më krenarë, ndjehemi më të plotësuar, ndjehemi më të fortë, më të paepur, si heronjtë e dëshmorët e Atdheut e të Kombit tonë; ndjehemi sikur të ishim një copë shkëmbi nga shkëmbi i heroizmit, qëndresës e lavdisë së tyre të madhe sa malet më të larta të kësaj toke.
Autori i dy librave, “Rrugëtimi i një vigani” dhe “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, vellai im i idealit kombetar dhe Enverjan, Agim Sylejmani, ishte dhe është njëri nga qëndrestarët e orëve të para të rezistencës antiserbe e, antipushtuese, luftëtari aktiv për realizimin e ëndrrës gjithëkombëtare, asaj të çlirimit e të ribashkimit të trojeve e të kombit tonë, në një shtet e, nën një flamur; njëri nga ish të burgosurit politik të regjimit fashist të ish shtetit gjenocidist jugosllav; njëri nga ish të burgosurit e bashkëvuajtësit e dënimeve çnjerëzore, me Heroin Rexhep Malaj. Herë si veprimtar i luftës guerile në Kosovë, qysh në moshë shumë të njomë, herë si organizator i veprimeve të rezistencës masive shqiptare kundër pushtuesit, herë si propagandist e, herë si luftetar me armë në dorë, deri në Luftën Çlirimtare të Kosovës, si luftëtar e komandant në formacionet e asaj lufte lavdimadhe e heroike, të mbuluar përjetësisht me flamurin e lavdisë, autori i këtyre dy librave na shfaqet në kohën e paqes së paplotësuar ende edhe, si njëri nga veprimtarët e të gjitha formave të të gjitha etapave që kërkon lufta jonë në rrethanat e reja pas çlirimit nga Serbia, të Kosovës, si një Maratonomak nolian që ende s’e ka ndaluar vrapin e vet, për të na dhënë lajmin e fortpritur: “E fituam! Atdhe e Komb, i bashkuam”! e, nuk e di se si më duket kur mendoj se si ky “Hero” i gjallë, ende nuk i ka thënë kryeheroit të UÇK-së, komandantit të tij, Adem Jashari, “BAC U KRY!”, por as bashkëluftëtarëve të tij, të rënë në altarin e lirisë, por edhe të gjallë, këtë togfjalësh të shumëpërdorur ndoshta në të shumtën e rasteve edhe me qëllime jo të mira, me qëllime mashtruese, shuarëse të shpirtit të një kombi për qëndresë e liri; si mashtrim historik që e vë në gjumë shpirtin liridashës dhe e zvetnon qëllimin dhe misionin e paplotësuar të UÇK-së, qëllim i fiksuar në Betimin Ushtarak të saj.
Shkrimi i këtyre dy librave të mëdhenj artistik e shkencor, mbushur plot me fakte, dokumente, të dhëna nga burime parësore për Heroin Rexhep Malaj, nuk ka ardhur si një frymëzim i çastit, si një muzë artistike e një shkrimtari, në një moment frymëzimi artistik, por si një ndjeshmëri e shpirtit të mbushur plot me mllef e duf kundër pushtuesit serbo-sllav e veglave çorre në sherbim të tij, fatkeqësisht me gjak shqiptar, nga njëra anë e, nga ana tjetër si një ndjeshmëri, si një detyrim moral e domosdoshmëri për ta përjetësuar jetën e veprën e plotlavdishme, jetën e veprën si të uraganit natyror, të Heroit me përmasa të madhërishme, Rexhep Malaj, jetë e vepër që sado që të shkruhet, flitet e krijohet në shumë format e artit, përsëri kushdo, do të ngelet borxhli ndaj kësaj figure emblematike kombëtare.
Romani “Rrugëtimi i një vigani” nuk mund të konceptohet si i përfunduar pa lexuar me shumë vëmendje edhe librin monografiko-shkencor, “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”. Nëse në librin e parë, e shikojmë Heroin Rexhep Malaj që nga lindja e tij, në rritjen heroike e, deri në përjetësimin e pavdekësisë së tij, me rënien heroike, në librin e dytë, marrim vesh, mesojmë, përjetojmë e mbushemi me krenari kombëtare, kur shikojmë “shkollën” nëpër të cilën u mësua, u formua, u kalit e u bë Hero, ndonëse nuk i tha kurrë vetes, as nën zë, se “duke luftuar kështu, – si frymëzuesit e tij, si të parët e trungut të vet familjar, – edhe unë, do të bëhem një hero”!
Rexhep Malaj, në të dyja librat e autorit Agim Sylejmani, është njëri nga njerëzit më njerëzor të rracës shqiptare; është njëri nga prijëtarët më të patrembur të aksionit politik e luftarak të shqiptarisë; është njëri nga qëndrestarët më të pathyeshëm të heroizmit atdhetar; është njëri nga njerëzit më të urtë të mendimit politik kombëtar; është njëri nga frymëzyesit më të mëdhenj të shpirtit të kombit nga i cili lindi; është njëri nga flamurtarët që kurrë nuk e dorëzoi flamurin dhe nuk e la të bie për toke, ose në duart e lyera me gjak shqiptarësh, të armikut çnjerëzor serb. Në të gjitha faqet e të dyja këtyre librave tepër të çmuara, sidomos për kohën në të cilën po jetojmë, si komb, autori me shumë mjeshtri artistike na i nxjerr në pah e, na i jep, si një mesues i madh, tiparet që duhet të na karakterizojnë sot si komb e, vlerat që duhet ta ushqejnë shpirtin tonë kombëtar, shpirt i cili fort është i lënduar e i lodhur në këto kohërat pseudemokratike, çorientuese e çmobilizuese. Agim Sylejmani, si njohës i mirë i Heroit e bashkëvuajtës në jo pak raste në të njëjtat burgje – ferr të ish Jugosllavisë titiste antishqiptare, na ka dhënë skena ngjarjesh aq reale e, aq heroike, sa ne që lexojmë në ato faqe të këtyre dy librave, e kemi të veshtirë ta mendojmë veten jashtë atyre skenave e, atyre përjetimeve, ku në jo pak raste urrejtja na bën që instinktivisht t’i shtrëngojmë aq fuqishëm grushtat sa bëhemi gati të qëllojmë dikë, a diçka, por nuk mund të shmangim në ndonjë rast as vërshimin e ndonjë pike loti kryeneqe tek vërshon faqeve me vërtik për t‘u shuar diku afër zemrës. Ja kjo është mjeshtria e autorit dhe ndjeshmëria e shpirtit të Agim Sylejmanit, mjeshtri e ndjeshmëri që mendon t’i ndajë me ne lexuesit e këtyre dy librave.
Këto dy libra, mendoj unë, nuk duhet t’i mungojnë asnjë biblioteke shqiptare, pasi janë balsam shpirti në kohë të vështira dhe flakë shpirti që nuk shuhet kurrë, për ta mbajtur kombin gjallë, në jetë të jetëve.
Ja, kjo është letërsia e kohës së madhe që lind edhe shkrimtarët e veprat e mëdha. E tillë duhet të jetë pjesa dërmuese e krijimtarisë së autorëve shqiptarë, pasi koha në të cilën po jetojmë është e mbarsur me vlera të mëdha historike, vlera që mund e duhet t’i thithim si oksigjenin, për të lindur “foshnjën” e shumëpritur, Bashkimin Kombëtar. E kjo jetësohet vetëm po ditëm ta kapim “orën” historike, orë e cila po troket më fort se kurrë për veshët e shurdhët të pseudopolitikanëve të sotëm shqiptarë.
Dalja e këtyre dy librave në dritë dhe paraqitja e tyre kudo nëpër botë, ku jetojnë shqiptarët, i ngjanë lindjes se dy vëllezërve binjakë, sepse Kombi ynë i ka simbolet dyshe: Shqiponjën e Flamurit Kombëtar me dy kokë, gjuhën me dy dialekte, lavdinë me dy Herojn Kombëtar.
Dalja e këtyre dy veprave merr vlera domethënëse e historike, sepse kështu, si rilindësit tanë e veprat e tyre, në ato rrethana që zgjuan shpirtin e fjetur të shqiptarëve dhe formuan Kombin tonë, edhe sot vepra të tilla rizgjojnë ndërrgjegjen e trazuar e të çorientuar të shqiptarëve dhe, e drejtojnë “timonin” e anijes gjithëshqiptare drejt brigjeve të sigurta, drejt bërjes realitet të ëndrrës gjithëkombëtare.
Tiranë, më 25. 07. 2014