Prishtinë, 12. 04. 2014 – Për të evituar një lavinë kritikash nga njerëz të cilët me qëllim do provojnë të nxjerrin nga konteksti reagimin në këtë artikull, për ta hedhur poshtë atë, dua të nënvizoj se këtu nuk mohohen vlerat patriotike të Albin Kurtit. Ky artikull është vetëm një reflektim lidhur me deklaratën e tij të fundit rreth kritikave që i janë bërë lidhur me martesën e tij me një të huaj. Deklarata e tij ishte: “Unë nuk jam njeri i kompromisve dhe me dashurinë time nuk bëjë kompromis”. Ka nga ata që kanë thënë se Albini thotë “Duaje tënden”, por është martuar me një të huaj. Por këtë e thonë ata që njeriun e shohin si mall”. Dhe pastaj ai arsyetohet me një metaforë sa të çuditshme aq edhe abstrakte: “Kombi duhet mësuar te lënda e historisë, e jo te ajo e biologjisë”.
Pikë së pari, se çfarë ai në të vërtetë donte të thoshte me këtë metaforë e di më së miri ai vet. Unë nuk do doja të spekuloja pasi që siç e thash më herët, nuk mund te nxjerrë ndonjë kuptim logjik nga ajo. Kjo pasi që asgjë pra as histori, as gjeografi dhe as biologji nuk na lidh ne me Norvegjinë.
Dhe nuk e di se në cilin libër te historisë Albini e ka mësuar se ç’është kombi, por dihet se cili është definicioni i kombit. Dhe se kombi shqiptar nuk ka asnjë lidhje specifike (historike apo biologjike) me atë norvegjez dihet poashtu.
Albini:’Ka kohë që jam i dashuruar me Ritën dhe këtë e kemi konkretizuar me martesë’.
Fakti që dikush martohet me një të huaj në vitin 2014, në një Europë thuajse të bashkuar, nuk përbën asnjë problem në botën e qytetëruar dhe të liruar nga komplekset e tepruara nacionaliste, racore, fetare etj.
Prandaj as martesa e Albin Kurtit nuk i hy në punë askujt dhe krejt çfarë ne do duhej të bënim është tu urojmë fat dhe lumturi bashkë. Por se ka njerëz që mund të kenë një tjetër mendim, sidomos në një rajon ku politika ushqen njerëzit me nacionalizëm (pjesë aktive e së cilës ështe edhe Albini), nuk është për tu habitur.
Prandaj konsideroj se reagimi i Albin Kurtit ndaj kritikave është pak sa i ngutshëm dhe jo për tu lakmuar. Nuk ëshë fjala per kritika nga kundërshtarë të tij politik. Bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, për elektoratin e tij.
Po të thoshte se ”dashuria nuk pyet për komb, racë, fe etj, por ajo ndodhë” dhe se ai është poashtu një njeri, me ndjenja si gjith të tjerët, i cili është dashuruar dhe do të kurorëzoj këtë dashuri me martesë, atëherë gjithçka do ishte në rregull. Njerëzit kanë tendenca të kuptojnë mjaft mirë ndjenjat univerzale të kësaj bote, siç është dashuria.
Por Albini ka vendosur të reagoj në stilin e tij, i cili në fakt për mendimin tim është mjaft arrogant dhe nënçmues. Me fjalët e tij ai nënçmon mendimin e atyre që vërtetë janë zënë pak të papërgatitur nga një lajm i tillë.
Dhe fundja, nuk është aspak për tu çuditur se këta njerëz janë befasuar sepse dorën në zemër, ti përkasësh lëvizjes që si moto ka “Duaje tënden” dhe të martohesh me një të huaj është paksa paradoksale.
Është e çartë se cili është qëllimi i kampanjës ”Duaje tënden” por që kjo moto nga disa mund të mirret si e aplikueshme në ”gjithçka” nuk është për tu shokuar.
Qëllimi i përdorimit të pikërisht këtyre fjalëve është ndikimi në sentimentin e gjerë nacional të njerëzve, sepse kjo moto mund të formulohej edhe brenda kufijve të ekonomisë si ”Ndihmo ekonominë Shqiptare, blej prodhimet vendore”.
Prandaj është pak për të ardhur keq që Albin Kurti me deklaratën e tij ofendon inteligjencen e këtyre njerëzve, sepse të gjithë e dimë që njeriu nuk është mall, por disa nga ne mendojnë që të kontribosh për kombin nënkupton ndër të tjera edhe shtimin e tij, pra me shqiptarë dhe me të huaj.
Dhe ja që në këtë optikë, martesa me të huaj ka shumë më shumë implikime në mbajtjen gjallë të ”Shqiptarisë” se blerja e një litër qumështi nga Serbia.
Mund të jet mendim primitiv, por gjithësesi duhet respektuar. Pra dua të përsëris që martesa me një të huaj nuk do duhej të ishte aspak temë e diskutimeve në këtë kohë që ne po jetojmë, por me një politikë që bëhet në rajon, është mëkat që për këtë mentalitet të fajsohet populli.
Ndërsa ajo që mua më shtyu te reagoj është pikërisht fjalia ”unë nuk jam njeri i kompromisve”.
Si nuk çenka kompromis të martohesh me një njeri që ka një tjetër gjuhë, kulturë, fe, etj? Ky është kompromis e shkuar kompromisi.
Në lidhje të tillë sa do marrësh aq do japësh. Do duhet kompromis se në cilën gjuhë do komunikohet në familje dhe do edukohen pasardhësit (nëse do ketë), traditat që do të ndiqen apo nuk do ndiqen më etj.
Alternativë për të mos bërë kompromis do ishte asimilimi i njerit nga të dy, gjë që me duket e pamundur.
Dhe për fund,
si politikan në një shtet demokrat duhet të bësh edhe me shpesh kompromise se në jetën private, përndryshe nuk je në vendin e duhur ose në sistemin e dëshiruar.
Prandaj të dëgjosh një politikan të shekullit XXI të thotë se ”nuk është i kompromiseve” është thjeshtë absurde.
Shpresoj që martesa e Albinit me një të huaj (në emer të dashurisë) të lehtësoj edhe paragjykimet ndaj atyre që janë të martuar me persona të vendeve jo mike.
……………………………….
/ Albin kurti martohet me norvegjezen Rita Augestad Knudsen /