REXHEP KASUMAJ: LEXIMI I LOTËVE (KULTURA NEGATIVE E VAJIT POLITIK)

(Pashtriku.org, 18. 01. 2013) – 1. Pikat e shiut, zallin e detit dhe ditët e përjetësisë – kush mund ti numërojë vallë? Urtia biblike, mjerisht, nuk e thotë se kush vallë do të numëronte dhe lotët njerëzorë? Është njësoj e pamundur. Lotnaja është e pamatë dhe, si thotë poeti spanjol, kush qajti aq shumë sa të mos mund të qajë prapë? Porse diktatorët s’njohin vlefshmërinë e hireve hyjnore, e as shtigjet e rrahura tokësore. Askurrë. Kanë poshtëvënë përherë të vërtetat apo, madje, aksiomat fundme të dijes së breznive ndër mijëvjeçarë. Vepra ingjenioze, gjetjet definitive dhe absolutja e gjithçkaje janë ata vetë e askush tjetër!.. Dhe çdonjëri syresh, thuase përplasen në një log mbrapshtie, ka trillet e tij në yshtjen për të denatyruar qenjen njerëzore. Njëri, si në makth, mëton të kontrollojë ëndrrat në stepa, tjetri varros të gjallët në rrafshultat aziatike, kurse një i tretë, i mneruar nga hija e vet, rreket të përgjojë të vdekurit në Ballkan… Të ndryshme janë shkaqet a motivet e jetëprerjes njerëzore. Vdekje vullkanesh, dhelëkundjesh e cunamesh të trandshme, thikash të kurthit mafioz a gjakmarrës, pastaj plumba qeveritarë, gropa me të vrarë nga pushtuesë të ndërkryer, delire rendesh ezoterikë – dërgojnë matanë çdo ditë të lume jetëra të pashibluara a mëkatare… Por absurdi provon sërish praninë në rropamat e këobotshme, kur sasia e lotëve dhe intensiteti i dënesjes, do të bëhen leva e ngjitjes apo pengorja e rrëzimit për njeriun e tiranisë!
2.
Do të vinte kështu, pra, në fokusin e të rrallëve, unikalëve a elokuentëve gjenialë të leximit të rrëzomës shpirtërore, dhe i fundmi nga autokratët komunist të Koresë. Dinasti i kuq Kim (Jong-Un), një risimtar i pasionuar i marrëzisë, kishte pikësynuar epshëm e titanisht të maste gurrën e bardhë të lotsisë njerëzore: kumtin e cektësisë a vrushkullit të saj! Kishte dhënë udhër që vartës të tij: byroistë, ministra, gjeneralë e sekretarë, të ndiqeshin gjatë ditëve të zisë kombëtare për babanë e lavdishëm (Jong-Il), që posa kishte lënë këtë botë. Sigurisht, jo për ti shoqëruar në orët bashkëvuajtjes, apo për tu dhënë krahun në organizimet e korteut solemn dhe të kësollit madhështor. Ata, të devotë e tepër kujdesshëm, do të vëzhgonin tabllonë e trishtimit të tyre: rrëkenë e lotëve, nurin e fytyrës, vetëgërrithjet shëmtuese, thekshmërinë e britmave, çjerrjen e zërave a ngjyresën e grykoreve të përjagura!..

E përse? Udhëheqësi duhej të kuptonte se cila ishte thellësia apo çiltëria e ngashërimës tronditëse dhe këtë, më mirë së asgjë tjetër, do ta jepnin lotët, sytë dhe pamja e tyre në celebrimin mortor.
Armata e veteranëve të përbetimit, interpretuesëve të ritualit tradicional të kujës kolektive, shpërlarësve të trurit, hetuesëve me detyrë, spiunëve vullnetarë, mentorëve të ngashnjimit – do të dilnin në gjahun e tyre: me një hov të vakët, pse përjetonin si në trans pengun e vjetër të ëmbël për dorëvënje mbi eprorët e lartë që kishin shfaqur, shpesh, përçmim e arrogancë për ta dhe, poaq, me frigën dridhmuese se mos nuk do arrinin të kapnin shenjat që kërkonte Prijësi i madh!
Por gjahu i tillë, s’shkonte kurrë bosh. Edhe sikur loti të ishte i paqtë, sovrani do të kërkonte të sajohej vezullimi i tij mashtrues. Vetëm ky cikël i ngujuar i gjakrrjedhjes së keqe, do ta shpëtonte atë, e meqë janë të nyjëtuar përjetë – aherë dhe kombin e shpresën e rrokullisë. Në rrjetin e tij të fshehtë, prandaj, për fatin e mirë të zogorisë dhe të së nesërmes së përndritur popullore bien, rëndom, i madh e i vogël. Yjë të bindur të politikës dhe fjalamanë të thjeshtë mejhanesh.
Nuk ishte, pra, ikja e atit të dashur, humbja më e madhe e as disfata më e paprime. Një tjetër greminosje cënonte paktin, vetë ledhet e shtetit dhe rendit të përsosur: sasia e paktë e lotëve dhe dëshpërimi i mangët, ose më keq akoma, mërzia e stisur, gati hajnore e tyre! Në vrojtimin deduktiv kjo mund të bëhej shkaku i zezonës madhore: zbehja, shëmtimi dhe përtrollisja e idhujtarisë! Dhe diktatori me shtab e byro, do të mblidheshin me ngut. Kjo squllosje i parathoshte atij ngjizjen e farës së rebelimit. Partia e atdheu ishin vënë në rrezik. Betonimi i themeleve të tyre kërkonte më shumë lot, rënkim e mxnxyrë! Pas një kohe, ata, ngarkuar rëndë mbi supe, e më pak në ndërgjegje, do të sillnin me vete dosjetë e llahtarisë. Do të ndaheshin e specifikoheshin listat dhe, tutje, sipas peshës së fajit, do të binte ndëshkimi i dorës së tij, fatal apo mëshirues: ekzekutime e të degraduar, leçitje e të syrgjynosur!
Përzitja e pamjaftueshme do tu merrte jetën viceministrit të Armatës dhe 14 gjeneralëve, ndërkohë që shumë dinjitarë të tjerë, shefi i shatmadhorisë, mandej guvernatori i bankës e nëpunës të përkorë administrate, do të rroposeshin përgjithmonë! Agu i ditës së re do të lagej me gjak e lot dhe do të mbushej me dhimbjen që kërkonte ardhmëria e artë e njerëzisë së betuar nën këmbët e atit, demiurgut sipëran të gëzimeve dhe hidhërimeve, të jetës dhe vdekjes së saj.
E pabesueshme? Aspak për ata q’e kanë jetuar vetë, apo kanë pasur prekje, qoftë dhe kalimtare, me tehun e diktaturave: ekuacionin, barbarinë dhe perversitetin e tyre!..
3.
Ndërsa mendoja për kobin e Koresë së largët, nuk do ti dredhoja dot një ndjesie aluzioni fatkeq. E, rrjedhimisht, pyetja diskursive: ka ikur kjo kohë ende në ish-vendet e hemisferës së kuqe? Këtu, fjala vjen, në landet shqiptare ku është ligjëruar ndalimi i mërzisë ideologjike?! Nga sa vërejmë jetën politike, zhurmat dhe maskat e saj, drojmë se përgjigja do t’ishte mohuese.
“Ai donte vdekjen, ajo jetën veç desh
Ai për të jetoi, ajo për të dha shpirt!”
Janë këto vargjet shekspiriane që nuk do të kishin kuptim pa njomështinë e lotëve. Loti, njëmend, ka shtratin e vet të vuajtjes. Pa magjinë e tij nuk vijnë udhët e tretura, e as nuk prushërojnë ritakimet në stacionet e pritjes…Dhe kjo i rri bukur natyrës njerëzore. Është vetë ekzistenca e fillimbotshme e saj. Mirëpo edhe sikur rrëshekë të rridhte lot i sinqertë e shpirtkëputës, nuk do të duhej të prodhonte, kurrsesi, status social për autorin e tij. Le të mbetet një provë revanshi e së mirës mbi të ligën në luftën e tyre të përjetshme.
Gjëma e vërtetë, ndërkaq, është loti i përdhunuar dhe, tashmë, i përpunuar në enët e stërholluara verikoreane, loti që duhet të përçojë imazhin e haresë a ngrysjes uniforme në mujshinë e grishjes pushtetare. Pronar i tij nuk është, rëndom, si do Zoti, lotderdhësi vetë. Është shkaktari dhe i destinuari i tij, që poentifikon vlerën e këtij lëngu të bekuar. Ndaj, i përsëritur, ai mund të shndërrohet ngadalë në përhershmëri okulte. Në rregull, mënyrë e kod jetese që ngrejnë, ashtu, kulturën negative të vajit politik në rrathët e ndërthurur shoqëror. Dhe, që këtej, pikërisht ky përçudnim i tij është tragjizmi më i errtë shfytyrues i pikëllimit njerëzor…
A nuk ndodh, akoma tani, të shohim lot zori, ngërdheshje, humor gazmor a të vranët, zymtësi për të shmangur hatërmbetjen, ovacione frenetike, ulje koke e vështrimi të pashpresë, ngjirje në të folmen e kursyer, përdellesë apo ngazëllim i zjarrtë – saherë këtë gjëndje shpirtërore, kur dasmojnë e lëngojnë, kanë dhe prijatarë të partisë, guvernës a shtetit të dorëzuar!? E pra, kurorën e mimikrisë: hipokrizinë e lotnajës dhe të ansamblit të saj joshës, shfajsues e katapultiv!..
Kisha parë ndër vite shfaqje të tilla në sheshin e dëlirë e dhimbsurak të “Nënë Terezës” në Prishtinë, në bulevardet e Tiranës dhe Shkupit, në foltoret elegante e në udhët groposura… Dhe, po të gjendeshin aty rastësisht symprehtët a veshtarët e Jong Uni-it vigjëlues, do të kishin evidencuar lehtësisht atë lotninë e shtirur që ata e njohin aq mirë. Por, ndryshe nga hirerarkët e Kim-it të fantaksur që dhe mund të kenë shestuar shkëndijimin e sfidës – në vokacionin politik shqiptar nuk do të gjenin fort kurajon e tillë. Gazi fluturak ose gulçima, me shpeshtinë e lotit dhe ofshamës, do të trathtonte pasionin, këtë teatër të stërvitur të të përloturve për të ruajtur a hipur shkallare pushteti. Jo me punë e dedikim për ligjin dhe interesin publik – por me shërbesën e ultë dhe dramën e përlotjes së paravluar! Megjithatë, instinkti i tejkëqyrësve të lotsisë, gatit prore pararojën. Ndonëse ka një dallimësi realitetesh, miljeu shqiptar ka amzën e vet të revoltës. Atyre, epigonëve të vonë të ftomave bolshevike, mbase, do t’ua ketë pëshpëritur dikush në besë mendimin e vyer të Tukididit, se kryengritjet nuk plasin askurrë kur shtypja është egërsisht rrafshuese, por aherë kur ka një frymëmarrje më të çlirtë që pajis njeriun me besimin se – mund të rrnojë më mirë. Mandej kushedi, mallkimi mbikalon breznitë dhe dergja e këtij soji, si një murtajë, transmigron nëpër kohë e hapsira të botës! Ndjekësit e llojit të lotit, mbrothsisë a ligsisë së tij, me gjasë, ende bredhin, heshtur e padukshëm, në tregtizat politike shqiptare…
Përse dhe deri kur vallë?
Është reminishencë e pafrenuar e moteve apo djegurinë reale e shpirtit të pandreqshëm politik?
Tashmë përtej lotit të fismë a lojcak, diktaturat e afishuara klasike, së paku, përpiqen ta justifikojnë veprën kriminale, ndërkohë që demokracitë defekte, si këto të tranzicionit të pambarimtë, nuk marrin mundimin ti përligjin ato fare. I bëjnë tinëzisht natën dhe i mohojnë pabesisht ditën.
Përfundimisht, demokracia e zotuar institutivisht nuk do të mbetet veçse një projeksion qiellor, përsakohë kjo lotnajë e mistifikuar dhe sosja dhe dalldia e saj përcaktojnë, gjithnjë, fate në politikën dhe jetën shqiptare!
Berlin, dhjetor 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura