ISMAIL ARSLLANI: ANËTARET E ‘BESËS’ PËRCILLNIN ‘SHTABIN’ BULLGAR NGA KAFENEJA “KOSOVA” (1941)

Tetovë, 13 nëntor 2018: Javën e parë të prillit të vitit 1941, kur trupat e motorizuara gjermane hynë me shpejtësi të madhe në qytetin e Tetovës, edhe në këtë distancë kohore, Shefqet Sulejmani, një mësues me ide përparimtare, përshkruan në “Ditarin” e tij me emocione të thella ditën e okupimit: “Një ditë para se të hynin gjermanët, vërenim se si me telashe të mëdha iknin serbët dhe xhandarët e tyre nga qyteti, duke e braktisur tërësisht. Një grup i organizatës ilegale “Besa”, që ishte mirë i organizuar, planifikonte t’u bënte pritje gjermanëve në hyrje të qytetit. Nuk kishte kaluar shumë kohë dhe kishin arritur trupat e motorizuara me ushtarë gjermanë, të armatosur me mitraloza. Kryetari i organizatës “Besa”, Idris Cërcëri, kishte dalë para ushtarëve gjermanë dhe u kishte thënë se qyteti është i “dorëzuar”, se serbët dhe pushtetarët e tyre kishin ikur, ndërsa në qytet kishin mbetur vetëm shqiptarët.
Pas ardhjes së gjermanëve, njëri nga anëtarët e organizatës kishte ngritur në Xhaminë e Pashës flamurin kombëtar shqiptar. Gjermanët, të cilët sapo kishin hyrë në Tetovë, ishin zemëruar me këtë gjest të shqiptarëve. Kryetari i organizatës, Idris Cërcëri, i cili e fliste gjuhën gjermane, shkoi në komandën e tyre dhe u kishte sqaruar se “ky është flamuri kombëtar shqiptar dhe flamur i Shqipërisë”. Ai i kishte bindur gjermanët me fjalët se “në Shqipëri janë italianët dhe atje përdoret ky flamur, ndaj dhe përdorimi i tij nuk duhet të paraqesë ndonjë rrezik as këtu. Idris Cërcëri u kishte thënë gjermanëve se shqiptarët presin që në këto troje të vijnë italianët, që Shqipëria të bashkohet me pjesët e veta, sepse shqiptarët në qytetet Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar dhe Tetovë përbëjnë më shumë se 80 për qind të popullatës. Gjermanët i kishin thënë se nuk do të ndërmarrin masa për këtë veprim, por do të duhej që shqiptarët të presin edhe pak, derisa kjo punë të bëhet zyrtare. Këto detaje i kishte dëgjuar Shefqet Sulejmani nga goja e Idris Cërcërit, kur ai ishte takuar edhe me anëtarët e tjerë të organizatës, si me Naxhi Sulejmanin, Hysein Xhaferin e disa të tjerë.

Hotel “Jadrani” në Tetovë nga viti 1941, ku ishte vendosur “shtabi” bullgar
Pas ardhjes së gjermanëve në Tetovë, nuk zgjidhen shqetësimet e tetovarëve. Armata bullgare okupon territoret shqiptare deri në fshatin Grupçin, 15 kilometra në lindje të Tetovës, ndërsa italianët vijnë deri në Zhirovnicë të Gostivarit. Kjo situatë bëri që bullgar-folësit e Tetovës të ndërmarrin disa veprime, me qëllim që armata bullgare të hyjë në Tetovë dhe Gostivar.
Në anën tjetër, anëtarët e organizatës “Besa” mbajnë takime me komandantin e forcave gjermane në Tetovë, ndërkohë që shkojnë edhe në komandën italiane, e cila ishte e stacionuar në Zhirovnicë të Gostivarit, për të kërkuar hyrjen e tyre në Gostivar dhe Tetovë. Me ardhjen e gjermanëve, Selim ef. Shehapi, njëri nga intelektualët e rrallë tetovarë, kthehet nga Shqipëria bashkë me Hysen Derallën, duke kaluar nëpër Prizren dhe malësinë e Sharrit, për të arritur në Tetovë. Ardhja e tyre i dha moral të veçantë popullit, të cilët besonin se këto vende do t’i takojnë Shqipërisë. Bullgarët e Tetovës po ashtu propagandonin që armata bullgare duhet të marshojë në drejtim të Tetovës dhe Gostivarit.
Ishte krijuar një gjendje kaotike dhe e pasigurisë së plotë. Për këtë shkak, “qendra” e organizatës kishte vendosur që t’i angazhojë Hysein Xhaferin dhe Shaip Kamberin, ky i fundit jurist i vetëm tetovar, i cili nuk ishte anëtar i kësaj organizate, që të shkojnë dhe të takohen me përfaqësuesit bullgarë të Tetovës, të cilët mblidheshin për çdo ditë në hotelin “Jadran”, në sheshin e qytetit, hotel ky që pas luftës u quajt “Maqedonia”. (Shaip Kamberi ka qenë sekretar i organizatës ”Besa” nga viti 1935 në Beograd v.j.)
Me qëllim që t’i pengonte takimet e përfaqësuesve bullgarë në këtë hotel, si dhe ta ndiqte për së afërmi aktivitetet e tyre, organizata “Besa” hapi përballë tij një kafene, në të cilën ngjiti mbishkrimin “Kosova”, që ishte therë në sy të bullgarëve. Të deleguarit e organizatës “Besa”, të cilët ishin caktuar për bisedime me përfaqësuesit bullgarë në hotelin “Jadran”, vetëm 15 minuta pas takimit kishin dalë jashtë, shumë të mllefosur. Hysein Xhaferi i kishte informuar anëtarët e tjerë se “bullgarët nuk pranojnë asnjë marrëveshje, sepse janë të bindur që ushtria bullgare shumë shpejt do të marshojë në Tetovë”, i rrëfente autorit të këtij shkrimi, për këto momente dramatike, mësuesi Shefqet Sulejmani.
Hysein Xhaferi menjëherë kishte udhëtuar për në Prizren, ku do të takohej me komandantin e Ushtrisë së Regjimentit Italian, ku atij i kishin thënë se për këtë situatë do ta lajmërojnë qendrën e tyre në Tiranë, e cila më tej do ta njoftonte shtabin në Romë. Vizita e Xheferit në komandën ushtarake të regjimentit italian në Prizren rezultoi me sukses, sepse shumë shpejt në Tetovë dhe Gostivar marshuan trupat italianë, të cilët u pritën si “çlirimtarë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura