Tetovë, 26 prill 2019: “Na kanë ftuar shpesh në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku kemi dhënë shumë raporte të hollësishme për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi”, kishte thënë gjatë një bisede, veprimtari tetovar në SHBA, Jusuf Azemi.
***
Në vitin 1993 ishte mbajtur Kongresi i Ballit Kombëtar në Tiranë, ku Hafëz Jusuf Azemi ishte nderuar që ta hap tubimin. Ky ishte rast, për herë të parë pas pesë dekadash të kthehej edhe në vendlindjen e tij në Dobrosht të Tetovës, duke kaluar kufirin e Qafë Thënës pa asnjë problem. Në fshatin e lindjes, atij i ishte organizuar një pritje madhështore. Më vonë do të vijë edhe disa herë, si në vitin 2002, në cilësinë e të deleguarit të Ballit Kombëtar, për t’i përcjellë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por edhe dy herë të tjera gjatë vitit 2005.
Ai, me gjithë shokët e tij, si veprimtarë e patriotë shqiptarë në mërgim, gjithnjë kanë qenë në shënjestër të shërbimeve sekrete jugosllave, të cilat edhe kanë ndërmarrë masa ekzekutimi. “Kanë bërë disa atentate kundër veprimtarëve tanë, që ende nuk mund t’i zbardhim haptazi”, thotë ai, duke shtuar se UDB-a e Shkupit kishte dërguar një person për ekzekutime, por shpejt ishte zbuluar nga organet amerikane, të cilat e kishin depërtuar për në Beograd. “Sa herë që vinim në Evropë, kishim mbikëqyrjen e policëve të shteteve ku qëndronim, siç ishte rasti gjatë një qëndrimi në Austri, ku mbahej një konferencë ndërkombëtare”, kujton ato ditë ky atdhetar, i cili bashkë me shokë kishte marrë pjesë në mbi 50 konferenca të ndryshme ndërkombëtare, ku kishin raportuar për situatën e rëndë të shqiptarëve në këto troje.
Në të kaluarën, Hafëz Jusuf Azemi nga Dobroshti i Tetovës, me një bagazh jete të rëndë, por aktive edhe në moshën 85 vjeçe (më 2005, kur kemi zhvilluar bisedën), nga të cilët 60 i ka kaluar si mërgimtar në Amerikë, ishte njëri nga veprimtarët më të shquar të Lëvizjes së Ballit Kombëtar, duke qenë patriot dhe atdhetar, ka ushtruar një veprimtari të devotshme për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në mërgim, për t’u kthyer në vendlindje pas pesë dekadash. Ai kishte ndalesë kthimi në vendlindje nga regjimi komunist, për t’i parë prindërit, familjen dhe farefisin. Megjithatë, atdhetari dhe ballisti i njohur do të vijë në Dobrosht, për herë të parë në vitin 1993, në fshatin e tij që kishte pësuar mjaft nga sistemi monist në të kaluarën, vetëm pse ky veprimtar patriot kishte prejardhjen nga kjo anë. Kur erdhi e gjeti të gjallë babanë plak 100 vjeç, por me shëndet të brishtë dhe të verbër. Ky i fundit u çmallë vetëm me zërin e të birit, të cilin s’e kishte parë pesëdhjetë vjet.
Pas ardhjes së parë, Jusuf Azemi kishte rastisur edhe disa herë të tjera në Maqedoni, pasi që më nuk e ndiqnin shërbimet sekrete të sigurisë, si njeri që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën antikomuniste dhe anti-jugosllave dhe që ishte njëri nga të kyçurit e parë në lëvizjen e Ballit Kombëtar. Ai vazhdimisht ishte nën kërcënimet e UDB-së jugosllave, e cila kishte tentuar ta izolojë dhe eliminojë fizikisht, ndërsa në njërin nga këto tentime kishte pësuar vëllai i tij Dauti, sepse vrasësit kishin sulmuar gabimisht, shfleton kujtimet për këto ngjarje dramatike, Jusuf Azemi, gjatë vizitës së fundit të tij në vitin 2005.
Vuajtjet e tij fillojnë që nga ditët e Monopolit famëkeq të Tetovës, ku në nëntor të vitit 1944 u grumbulluan nga njësitë partizane disa mijë shqiptarë, për të cilët përgatitej një skenar i tmerrshëm. “Ato ditë nëntori na kanë marrë nga fshati Dobrosht, bashkë me 650 fshatarë të tjerë, për të na mbyllur në këtë kamp përqendrimi të Tetovës, ku bënin roje partizanë maqedonas të Brigadës së 12-të”, thotë Azemi, duke shtuar se aty kishin qëndruar 15 ditë të vështira, me keqtrajtime, rrahje dhe ekzekutime.
Nën përcjelljen e forcave të armatosura, një grup shqiptarësh nga Monopoli dërgohet në Shkup, duke përjetuar të gjitha tmerret e një rruge të vështirë, për të vazhduar për në Katllanovë, Veles, deri në Vallandovë, ku gjatë rrugës popullata sllave u ishte kërcënuar me ofendime “Ballistë!”, “Xhemovistë!” etj., vetëm pse kishin në trup veshje kombëtare shqiptare. Destinimi ishte për në Greqi, por në qytetin Kirkis, afër kufirit me Bullgarinë, ishin dorëzuar dhe kishin mbetur aty 3 muaj. Më pastaj, do të vazhdojnë për në Selanik dhe Athinë, prej nga bashkë me disa të tjerë transportohen në Itali, për të qëndruar në kampin “Santa Marija de Lauka”. Në fillim të vitit 1948 transferohen për në Siri, ku kanë mbetur deri më 1952. Këtu kishte pasur përpjekje që shqiptarët të përfshihen në luftën civile mes palestinezëve dhe çifutëve, por Mithat Frashëri nuk kishte lejuar një gjë të tillë. Jusuf Azemi aty do të regjistrohet në Medresenë e Lartë të Shamit, ndërsa më vonë me ndërmjetësimin e ambasadave angleze e amerikane, në gusht të vitit 1952, i mundësohet që të shkojë në Amerikë. Në Nju-Jork e pritnin shokët, që kishin mbërritur më parë nga kampet e Italisë. Më vonë, bashkë me vëllanë Dautin ishin vendosur në Çikago, ku kishin hapur një gjellëtore.
Në vendlindje, qysh si i ri, Jusuf Azemi kishte dhënë betimin për Ballin Kombëtar
në lokalet e shkollës së fshatit. Në atë kohë ka pasur dy çeta të Ballit Kombëtar, të cilave u ka prirë Xhemë Gostivari. Një çetë i ka takuar Aqif Mustafës nga Dobroshti, i cili vritet në luftë bashkë me disa të tjerë. Në Tetovë ka vepruar Komiteti i Ballit Kombëtar, në krye me Hafëz Xhemil Efendiun. “Aktivitetin e Ballit Kombëtar e kemi vazhduar edhe në Amerikë, pas vitit 1959, kur kemi fituar të drejtën për udhëtime jashtë shtetit”, kujton Azemi.
Ky aktivitet kishte filluar edhe më herët, që nga viti 1953, me një ligj të veçantë të Senatit dhe Kongresit amerikan. Veprimi në organizatë ishte zgjeruar mjaft, sidomos në kohën e kryetarit Nikson, kur kishte filluar bashkëpunimi me presidentin, me senatorët dhe kongresistët amerikanë. “Na kanë ftuar shpesh në Shtëpinë e Bardhë, ku kemi dhënë shumë raporte konstruktive për gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi”, nënvizon në fund, Jusuf Azemi.
Hafëz Jusuf Azemi – Veprimtarë të Ballit Kombëtar në Amerikë (Jusuf Azemi, i dyti nga e majta).