PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE (XI – Fund)

Pashtriku, 15 qershor 2020: Adem Demaçi, si gjithë heronjtë tanë, ishte shpirt sakrifikues në jetë. Karakteri i tij luftarak, guximi, përkushtimi deri në vetëmohim për lirinë e kombit të vet dhe burgimi i gjatë u bënë shëmbëlltyrë e shumë brezave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. (…) Adem Jashari dhe familja e tij me qëndresën dhe sakrificën epike dhanë kushtrimin e bashkimit rreth flamurit të lirisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi Komandantin e saj Legjendar, por e fitoi Luftën.
Me Kosovën shtet, drejt bashkimit kombëtar
Pas vitit 1990, kapitali kombëtar i Demaçit nuk u shfrytëzua
Pashtriku: Disa nga Ju, dhe shokë, bashkëpunëtorë u anëtarësuat në LDK, për të dalë pastaj nga ai Kuvendi i njohur i ndarjes… Cilat ishin mospajtimet thelbësore, parimet, metodat veprimit politik, që determinuan daljen nga LDK, të disa personaliteteve të shquara të Lëvizjes Atdhetare?
Hajrizi: Shumë
prej nesh, ish të dënuarve politikë, kur dolëm nga burgu, gjetëm alternativën shqiptare të organizuar në disa subjekte, por pjesa dërmuese e qytetarëve ishte në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Në një mënyrë, populli me të cilin duhej të punonim ishte homogjenizuar në LDK. Do të flas për veten, se nuk jam përfaqësues i askujt. Unë kam hyrë aty, jo për karrierizëm, por me qëllimin dhe vullnetin e fortë që të veproj ndër qytetarë, sepse më ishte ndërprerë kjo kënaqësi me burgosjen, më 1981. Askush si LDK nuk ma ofronte këtë mundësi. Kam qenë anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe sekretar për informim, por nuk kam qëndruar kurrë në zyrë. Kam dalë, pothuajse çdo ditë në “terren”, duke vepruar qytet më qytet, e fshat më fshat anembanë Kosovës, madje edhe në Maqedoni, Mal të Zi e në Luginë të Preshevës, duke takuar veprimtarë e qytetarë të zakonshëm dhe duke shprehur gjithë çfarë më thoshte mendja, pavarësisht, programit të LDK-së. Asnjëherë LDK nuk më ka kufizuar në pikëpamjet e mia politike dhe kombëtare.

Nga fillimi i vitit 1992 isha kryetar i Këshillit Qendror të Financimit (KQFK), një dikaster arterie i mbijetesës së arsimit, shkencës, kulturës, shëndetësisë, sportit, informimit, asistencës sociale etj., në kohën kur Serbia kishte ndërprerë financimin e të gjitha veprimtarive shoqërore në Kosovë dhe kishte larguar arbitrarisht e me dhunë nga puna shqiptarët. Qarkullimi mujor i mjeteve të KQFK ishte mbi tre milionë marka gjermane. Mbi 60% e këtyre mjeteve siguroheshin nga kontributet brenda Kosovës dhe të tjerat vinin nga Qeveria në ekzil, e cila e administronte Fondin e tre përqindëshit. Nga qindra veprimtarë të KQFK që vepronin në gjysmëfshehtësi, rreth 80 prej tyre u torturuan nga policia, ose u dënuan me vite burgim, kurse dyzet të tjerë u vranë, ose ranë dëshmorë me armë në dorë, si Zahir Pajaziti e Isa Kastrati.
Jam shumë i lumtur për atë veprimtari të gjatë dhe shumë produktive, nëpërmjet të LDK dhe KQFK, në shërbim të popullit tim dhe të sistemit paralel të institucioneve të pavarësisë së ardhshme.
Shumë ish të dënuar, por edhe veprimtarë të tjerë, dolëm nga LDK, pasi nuk arritëm që rezistencën e saj ta bënim më aktive dhe përkrahëse të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, e cila tashmë kishte filluar me disa aksione guerile. Kishte edhe arsye të tjera, normative, procedurale etj., por më pak të rëndësishme.
Siç dihet, formuam subjektin e ri “Lëvizja Demokratike Shqiptare” (LDSH), me të cilin pastaj u bashkuan edhe disa subjekte të tjerë politikë e kombëtarë, për t’u riemërtuar “Lëvizja e Bashkuar Demokratike” (LBD), e cila u bë krah mbështetës i Luftës Çlirimtare dhe kontribuuese e rëndësishme në Konferencën e Rambujesë.
Pashtriku: Në gjithë këtë ballafaqim me historinë, natyrshëm, më duhet t’ju pyes, për rolin e Adem Demaçit, krye ideologun shpirtëror të rezistencës sonë kombëtare. Pra, cilat ishin përmasat e fuqisë dhe ndikimit të tij atdhetar te Lëvizja e re Kombëtare, përkatësisht, si ndodhi që, në vitet kthesë për Kosovën, 1990 – 1999, 2000 – 2008, Demaçi nuk kishte ndonjë detyrë të lartë institucionale. E kujtojmë, fjala vjen, rolin e Mendellës, pas daljes nga burgu…?
Hajrizi:
Adem Demaçi, si gjithë heronjtë tanë, ishte shpirt sakrifikues në jetë. Karakteri i tij luftarak, guximi, përkushtimi deri në vetëmohim për lirinë e kombit të vet dhe burgimi i gjatë u bënë shëmbëlltyrë e shumë brezave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Roli i tij historik ishte para së gjithash në frymëzimin atdhetar të atyre brezave. Jeta e mbyllur në burg për 28 vjet e privoi Adem Demaçin nga veprimtaria aktive brenda Lëvizjes, por edhe pas daljes nga burgu, për fatin e keq të Kosovës, kapitali i madh kombëtar, politik e moral i tij nuk u shfrytëzua.
Adem Jashari e dha kushtrimin e bashkimit për liri
Pashtriku: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesë e të cilës ishit, në historinë moderne kombëtare, është krijesa më emblematike, e cila doli nga gjiri i popullit, ajo, me kryekomandantin Adem Jashari, u bë djepi i çlirimit…?
Hajrizi
: E kam konsideruar veten pjesë politike të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga mbrojtja dhe afirmimi i saj, te kontributi negociues dhe veçanërisht në cilësinë e zëvendëskryetarit të Qeverisë së Përkohshme, i ndodhur fizikisht bashkë me luftëtarët e lirisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me epërsinë morale bëri pagëzimin e zjarrit me forcat ushtarake e policore serbe me epërsi armatimi. E vendosur të fitonte, ajo u ndesh me këtë makineri, si Davidi me Goliatin, por i duhej Mic Sokoli i kohës moderne për të bërë vetëflijimin mobilizues, si kurban në themelet e fitores. I ndërgjegjshëm për transfuzionin që kërkonte kthesa vendimtare, Komandanti Adem Jashari, me gjakun e tij dhe të mbarë familjes së madhe, u kthye në strategun e optimizmit dhe moralit popullor. Adem Jashari dhe familja e tij me qëndresën dhe sakrificën epike dhanë kushtrimin e bashkimit rreth flamurit të lirisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi Komandantin e saj Legjendar, por e fitoi Luftën. Jehona e këtij kushtrimi vjen deri në ditët tona për forcën e bashkuar politike e atdhetare në mbrojtje të fitoreve të arritura me gjak dhe për ta çuar në vend amanetin e Adem Jasharit e të gjithë dëshmorëve të tjerë.
Pashtriku: Si e shihni Kosovën, shtet i pavarur, jemi më afër apo më larg bashkimit kombëtar?
Hajrizi:
Tashmë po bëhet një dyzinë vitesh të shpalljes shtet i pavarur dhe demokratik i Kosovës. Ky fakt përbën një nga fitoret e mëdha historike, jo vetëm të Kosovës, por të mbarë kombit shqiptar. Kosova shtet është një hap para drejt bashkimit kombëtar. Nuk duhet harruar ky ideal, por as duhet ngutur për realizimin e tij.
Në fokus dhe prioritete të institucioneve të Kosovës në këtë fazë historike duhej të ishin konsolidimi i plotë i procesit shtetformues dhe demokratik, zhvillimi ekonomik, zbutja e varfërisë nëpërmjet të investimeve nga jashtë e nga brenda dhe punësimi, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit, korrupsionit dhe çdo ligësie, përparimi i shpejtë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian e në NATO, fuqizimi i sigurisë e i mbrojtjes dhe i subjektivitetit ndërkombëtar, duke vepruar efektivisht në fushën e diplomacisë e të marrëdhënieve me shtetet tjera, ruajtja dhe forcimi i mëtejshëm i miqësisë me partnerët tanë strategjikë, si SHBA, BE, NATO etj., anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, fqinjësia e mirë dhe integrimet shqiptare. Kosova duhet të promovohet çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje në rajon dhe më gjerë. Integrimet shqiptare në këtë listë prioritetesh figurojnë në fund, por jo nga rëndësia. Rrethanat historike aktuale nuk e favorizojnë bashkimin kombëtar, derisa nuk i kemi kryer detyrat që u përmendën. Djegia e etapave edhe sikur të ishte e suksesshme, bashkimi kombëtar sot mund ta dëmtonte integritetin territorial të Kosovës. Mendoj se gjysma e kushteve për bashkimin kombëtar tashmë janë përmbushur, por mbetet ende shumë punë për të arritur në atë çast historik. Do të krijohen edhe rrethana të reja ndërkombëtare dhe favorizuese për këtë proces, i cili do të vijë natyrshëm dhe pa tronditje.
Ne duhet të sigurohemi se në krye të institucioneve kemi zgjedhur njerëzit e duhur, të ndershëm, idealistë, të përkushtuar, me integritet moral, të aftë për punën që bëjnë e vizionarë, të vendosur e të guximshëm. Duhen më pak fjalë e mburrje dhe më shumë punë në heshtje. Kur të tjerët bëjnë një hap, ne duhet të bëjmë dy, për të kompensuar kohën e humbur.
E rëndësishme është gjithashtu të sigurohet vazhdimi i mbështetjes ndërkombëtare dhe betonimi i të arriturave deri në këtë stad, duke u mbështetur fuqishëm mbi këtë bazë për fitore të reja.
Aspirata historike e ribashkimit do të realizohet, jo vetëm për idealin shekullor të këtij procesi e vënies në vend të një të drejte të mohuar gjatë, por edhe nga pragmatizmi ekonomik, i zgjerimit të tregut kombëtar dhe investimeve, fuqizimit të mbrojtjes së kombit dhe territorit të tij, faktorizimit ndërkombëtar të kombit tonë dhe ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon me trekëndëshin ekuilibrues, Shqipëri, Greqi, Serbi.
Qershor 2019 / Maj 2020
– FUND –
***
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (X)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10168

________

PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (I)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10027

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura