ISMAIL ARSLLANI: SI SHPËRTHYEN DEMONSTRATAT E 1968’ës NË TETOVË

Tetovë, 19 dhjetor 2018: Demonstratat e 22-23 dhjetorit të vitit 1968 në Tetovë, që shënojnë sivjet 50-vjetorin, jo vetëm që ishin rrjedhojë e disa ngjarjeve dhe zhvillimeve paraprake në Kosovë, por edhe të një shpërthim i mllefit të akumuluar shumëvjeçar të shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë, për shkak të shtypjes dhe tiranisë së pushtetit jugosllav, që proklamonte “barazi për të gjithë qytetarët”, por në praktikë ushtrohej një terror i paparë ndaj tyre nga një aparaturë e egër administrative-ndëshkuese të UDB-së famëkeqe, e cila kishte ekspoziturat e veta edhe në Maqedoni.
Kjo gjendje e rëndë e shqiptarëve që jetonin në territorin e Maqedonisë, brenda shtetit të përbashkët të Jugosllavisë, ishte pjekur për shpërthim. Aq më shumë se në Kosovë vëreheshin lëvizje të tilla të pakënaqësisë. Demonstratat në Kosovë kishin filluar në ditët e para të tetorit të vitit 1968, edhe atë në Prizren, ndërsa më vonë, në nëntor dhe dhjetor, edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Ky ishte një sinjal i fuqishëm për shqiptarët në Maqedoni që të ndërmarrin diçka, që të organizohen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre në disa qytete të banuara me shqiptarë të Maqedonisë, për të kërkuar të drejtat që u takojnë, sidomos për përdorimin e simboleve të tyre kombëtare, si dhe për ngritjen e nivelit të arsimimit nëpërmjet hapjes së shkollave të reja të mesme në gjuhën shqipe.

Kush ishin nismëtarët e demonstratave
Nismëtarë për organizimin e demonstratave në Tetovë u bënë studentët shqiptarë nga Tetova, Gostivari, Kumanova e disa qytete të tjera, ata të cilët studionin në Universitetin e Beogradit, Zagrebit dhe të disa fakulteteve të Prishtinës. Në krye të këtyre aktiviteteve atdhetare përgatitore u vunë mësuesit: Mehmetriza Murtezani – Gega nga Tetova, i cili në vitin 1955 ishte dënuar me 10 vjet burg, për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së familjeve shqiptare për në Turqi, si dhe studentët nga Tetova: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hyseinxhevat Kalishta, Abdylmenaf Rrustemi, Arbën Xhaferi, Xhemil Mustafa, Fehmi Rufati etj.
Para se të shpërthenin demonstratat në Tetovë, përkundër ndalesave shtetërore, rinia përparimtare, megjithatë, kremtonte në njëfarë mënyre festat kombëtare. Kështu, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, më 27 nëntor 1967, në shtëpinë e Mehmet Gegës në Tetovë ishte mbledhur një grup të rinjsh për të festuar këtë ditë të madhe kombëtare. Në atë mbrëmje festive kanë qenë të pranishëm: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hyseinxhevat Kalishta, Miftar Zyberi, Fehmi Rufati, Abylselam Selami, Xhemil Mustafa, Arbën Xhaferi, Abdylmenaf Rustemi etj.
Një vit më vonë, më 18 tetor 1968, në Tetovë ishte bërë bojkotimi njëditësh i mësimit nga ana e nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e më shumë paraleleve shqipe, propozim ky që ishte dhënë një vit më parë. Ndonëse qarqet pushtetmbajtëse maqedonase e pengonin realizimin e këtij synimi, pas shqyrtimit të situatës, ishte vendosur më 20 tetor që të hapet edhe një paralele në gjuhën shqipe.
Një muaj më vonë, më 27 nëntor, grupi i Mehmet Gegës, me rastin e ditës së Flamurit, ishte mbledhur në shtëpinë e Faik Mustafës në Çarshinë e Epërme të Tetovës, pikërisht në kohën kur në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës ishin mbajtur disa demonstrata të mëdha, për të diskutuar organizimin e një demonstrate edhe në Tetovë.
Gjatë gjysmës së parë të muajit dhjetor 1968, u zhvillua një aktivitet i dendur organizativ. Anëtari i grupit, Faik Mustafa, vuri kontakte me dy studentë nga Gjakova, Agim Jaka dhe Ibrahim Rudi, me të cilët u konsultua rreth kërkesave që duhej shtruar në demonstratë. Ndërkohë u shkruan dhe u shumëzuan qindra ftesa për demonstratë, të cilat u shpërndanë në qytet dhe nëpër fshatrat përreth Tetovës, si dhe u shkruan pankarta me kërkesa konkrete.
Flamujt kombëtarë në minare dhe dyqane
Sipas disa dëshmive të paraqitura në vitet e 90-ta, gjatë një përvjetori të mbajtjes së demonstratave të Tetovës, në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1968, në vigjilje të kremtes së Bajramit, me rekomandimin e Mehmet Gegës, në disa minare të xhamive të Tetovës u vendosën flamujt kombëtarë shqiptarë. Flamuri vendoset në Xhaminë e Sahatit, shumë afër sheshit të qytetit, të cilin e vendos Murtezan Murtezani, vëllai i Mehmet Gegës, në Xhaminë Eski atë e vendos Abdullah Jusufi, ndërsa në Xhaminë e Pashës, Aqif Ferati.
Flamuri u ngrit edhe në disa shtëpi private dhe dyqane zejtarie, si dhe në fshatrat Radiovcë, Reçicë, Shipkovicë, Gajre etj. Derisa ngritja e flamurit kombëtar për shqiptarët e Tetovës ishte një fitore e madhe, qarqet komuniste maqedonase këtë veprim nuk e shikuan me sy të mirë, prandaj dhe organizuan një skenar provokues. Në orët e pasdites të 22 dhjetorit të vitit 1968, që ishte ditë e diel, fotografi bullgarofil Sreçko Janevski nga Tetova grisi flamurin shqiptar, të ngritur përpara dyqanit të rrobaqepësisë të Ismail Spahiut, që gjendej në rrugën kryesore të Tetovës, përballë Pazarit të vjetër, vetëm disa dhjetëra metra afër sheshit të qytetit. Shovinisti Sreçko e kishte shtëpinë e vet shumë afër këtij dyqani dhe aty e kishte rrugën që kalonte për çdo ditë, ndaj dhe nuk e duronte që ta shohë para syve flamurin shqiptar.
Të rinjtë tetovarë, që ishin të revoltuar nga ky akt shovinist, shumë shpejt u grumbulluan te vendi i ngjarjes, por deri në orët e mbrëmjes masa popullore vazhdimisht po rritej në sheshin e Tetovës, në mesin e të cilëve kishte nxënës të shkollave të mesme dhe intelektualë shqiptarë, të cilët diskutonin me zjarr nëpër grupe për gjestin provokues që ishte bërë nga shovinisti Janevski, i cili e kishte dyqanin e fotografimit pranë një barnatoreje jo larg sheshit të qytetit.
Ngjarja dramatike para dyqanit të provokuesit Sreçko
Meqë disa të rinj e kishin vërejtur se provokuesi ende ishte në dyqan, masa me padurim priste që të dalë prej aty. Nga ora 17, meqenëse ishte dimër, veç më ishte errësuar, Sreçko Janevski, një burrë shtatlartë, me kapelë në kokë, më në fund del nga dyqani dhe me sjellje provokuese kalon përmes turmës së mbledhur. Kur masa e revoltuar i vërsulet provokatorit, ai me vrap kalon hapësirën e vendit të parkimit në shesh, duke futur dorën në xhepin e brendshëm të palltos, për ta nxjerr revolen. Më pastaj, me revole në dorë, derisa masa vraponte pas tij, ai në panik të madh futet në hotelin “Maqedonia”, prej ku nëpër një derë tjetër anësore del në shtëpinë e tij, që gjendej pas hotelit.
Protestuesit shqiptarë, shumë të mllefosur që nuk arritën ta kapin provokatorin, shfryjnë mllefin e tyre duke thyer me gurë xhamat e vitrinave të hotelit, derisa nuk kishte arritur policia maqedonase për të intervenuar. Masa e revoltuar shqiptare, në krye të së cilës ishin mjekët Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, si dhe arsimtarët Salajdin Hyseini dhe Abdullah Kalishta, vazhduan protestën duke marshuar rrugëve të qytetit dhe duke hedhur parulla kundër pushtetit maqedonas, diku deri në orën 21 të asaj mbrëmjeje.
Atë natë, grupi i Mehmet Gegës mori qëndrim për vazhdimin e protestave. Të nesërmen, më 23 dhjetor, ditë e hënë, protesta u shndërrua në demonstratë. Rreth orës 11, organizatorët Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Ismail Emini, Hysniqemal Merxhani e disa të tjerë, ishin tubuar përpara dyqanit të provokatorit Sreçko Janevski. Ndërkohë, në përfundim të orëve të paradites, shumë nxënës të Gjimnazit të Tetovës dhe të disa shkollave të tjera të mesme, si dhe shumë qytetarë të tjerë e banorë nga disa fshatra përreth, me të dëgjuar se në Tetovë kishin shpërthyer demonstrata, iu bashkëngjitën masës së tubuar në sheshin e qytetit, ku kishte disa mijëra pjesëmarrës.
Valëvitja e flamurit nga zyra e Komitetit
Nga ora 13 e të së hënës, një masë e madhe e demonstruesve, në mesin e të cilëve më së shumti ka pasur nxënës të shkollave të mesme, që kishin nisur nga Gjimnazi i Tetovës, iu drejtua ndërtesës së Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve, që ishte shumë afër sheshit, pranë hotelit “Maqedonia”, ndërkohë që një numër i tyre u fut brenda dhe shumë shpejt nxori nga dritarja e katit të tretë flamurin kombëtar shqiptar, duke e valëvitur mbi masën e ngazëllyer të demonstruesve që pritnin poshtë. Mësohet se në grupin e nxënësve që ishte futur në ndërtesë, flamurin e kishte valëvitur nxënësi i gjimnazit, Hamit Salihu.
Një pjesë e masës së demonstruesve, kur dëgjuan se policia kishte burgosur disa intelektualë shqiptarë, si mjekët Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, por edhe disa nxënës, u nis në drejtim të ndërtesës së Sekretariatit për Punë të Brendshme të Tetovës, që gjendej në pjesën e epërme të qytetit, pranë lumit Shkumbin. Masa e revoltuar kërkonte lirimin e të burgosurve dhe të drejta për shqiptarët. Demonstruesit gjatë kthimit të tyre nga sheshi i qytetit, takohen me punëtorët shqiptarë që dilnin nga ndërrimi i parë i punës në fabrikën e tekstilit “Teteks”, por takohen edhe me punëtorë të tjerë dhe fshatarë.
Përpara zyrave të “Elektro-Pollogut” të atëhershëm, në sheshin e qytetit, do të dalë para demonstruesve Servet Saliu, një funksionar i lartë i Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë, duke premtuar të drejta për shqiptarët, me qëllim që ta qetësonte dhe ta shpërndante turmën e revoltuar. Gjatë gjithë kohës, numri i demonstruesve në sheshin e qytetit dhe nëpër rrugët kryesore vazhdimisht po shtohej. Në ndërkohë, para masës së tubuar në sheshin e qytetit, djaloshi 20 vjeç, Shefajet Fetahu i ngjitet njërës nga shtyllat e hekurta, që ishin destinuar për flamuj, duke vendosur flamurin shqiptar të valojë aty. Ky akt i vendosjes së flamurit shqiptar në sheshin e qytetit shkaktoi një erupsion ndjenjash dhe brohoritjesh të pjesëmarrësve të entuziazmuar, të cilët konsideronin këtë si një fitore më të madhe të këtyre demonstratave.
Në ato momente, sa vinte e po shtohej numri i demonstruesve në Tetovë, që arrinte në mbi 5 mijë sish, kështu që një pjesë e tyre ishte jashtë kontrollit të organizatorëve, të cilët synonin që ato të jenë të qeta dhe pa dëme materiale në pasurinë shoqërore dhe atë private, në mënyrë që të mos akuzoheshin për vandalizëm. Megjithatë, nga ora 17, një grup i demonstruesve nga sheshi i qytetit shkoi në drejtim të dyqanit të fotografit, Sreçko Janevski, i cili ishte fajtori kryesor për provokimin e popullatës shqiptare me grisjen e flamurit shqiptar, duke e demoluar lokalin e tij me hedhjen e gurëve dhe pjesëve të betonit që shkulej nga trotuaret. Në atë tollovi, Janevski kishte dalë nga punëtoria e vet me aparat në dorë dhe kishte filluar të fotografonte turmën e mbledhur para dyqanit të tij dhe në sheshin e qytetit, që pastaj ato t’i dorëzonte policisë për identifikim.
Pikërisht në orën 18 të asaj dite, në vend-parkimin qendror të qytetit, zbarkuan disa autobusë me policë specialë, të cilët ishin siguruar edhe nga Serbia. Ata ishin shtatmëdhenj, të armatosur deri në dhëmbë dhe të pamëshirshëm. Sapo zbritën nga autobusët, ata iu vërsulën turmës me shkopinj gome, duke mos zgjedhur kënd e goditnin, pleq apo fëmijë. Autorit të këtij shkrimi i ka mbetur në kujtesë një skenë që kishte ndodhur në sheshin e qytetit, kur një plak me plis të bardhë, në atë rrëmujë mbështillte një cigare dhe pa kujtuar fare ishte goditur në kokë dhe shpinë prej policëve të shfrenuar, duke e shtrirë plakun për toke që të mbetej në pamëshirë, sepse asnjë person nuk guxonte t’i afrohej.
Ishte ky një intervenim hakmarrës i policisë maqedonase, edhe me policë të zgjedhur serbë për raste të këtilla. Deri në ato momente, edhe policia lokale kishte intervenuar në disa momente dhe në vende ku ishin demonstruesit. Ky kontingjent i policëve serbë në Tetovë do të zbatonte prej atij momenti orën policore, që po aplikohej për herë të parë deri atëherë në Jugosllavinë e Titos dhe që zgjati më shumë se dy javë. Çdo qytetar që nuk e respektonte këtë regjim të daljes apo të ndalimit për çdo ditë prej orës 18 deri në orën 6 të mëngjesit, pësonte mjaft keq. Përflitej në mesin e demonstruesve se Tetova ishte nën shtetrrethim prej disa mijëra ushtarësh të armatosur, që pritnin urdhrin për të intervenuar, edhe pse kjo me Kushtetutën e Jugosllavisë nuk ishte e lejuar.
Pas intervenimit të policisë speciale, demonstruesit u shpërndanë nëpër rrugët anësore të qytetit, drejt shtëpive të tyre. Në ato momente, dëgjoheshin të shtëna armësh nga policët, por nuk kishte të dhëna nëse dikush ishte plagosur. Kishte demonstrues të lënduar rëndë nga rrahjet e policëve gjakpirës.
Gjysmë ore pas vendosjes së orës policore në Tetovë (18:30), dalin të rinjtë nga të dyja kinematë e qytetit, të cilët nuk dinin se kishte filluar aplikimi i orës policore. Disa qindra sish, që sapo dolën nga kinemaja “19 Nëntori”, afër Xhamisë së Sahatit dhe nga ajo “Bratstvo”, përballë Shkollës së Muzikës, në rrugën për në fshatin Poroj, u pritën nga policia speciale me shufra gome, me kondakë të pushkëve automatike dhe revoleve të policëve gjakpirës, duke plagosur dhjetëra të rinj shqiptarë, të cilët nuk dinin pse po hanin dajak, prej të cilëve shumë sish u arrestuan, një numër i të cilëve kaluan atë natë në polici, derisa disa të tjerë u lëshuan. Këto demonstrata të shqiptarëve u shuan me dhunë në mbrëmjen e asaj dite, nga ora 20, kur rrugët e qytetit tërësisht ishin zbrazur, ndërsa qytetarët shqiptarë i hynë natës pa ditur se si do të gdhijë dita e nesërme.

Përleshja e demonstruesve me policinë
Gjatë përleshjes së të rinjve shqiptarë me policët specialë, atë natë ishte dëmtuar një veturë e policisë, një kamion dhe shumë vetura zyrtare e private, ishin shkatërruar lokalet e Komitetit Komunal të LK të Tetovës, të Lidhjes Socialiste dhe të Sindikatës.
Strukturat komuniste të Tetovës pa u vonuar ndërmorën një fushatë hakmarrëse ndaj shqiptarëve, duke urdhëruar vendosjen e postblloqeve kontrollimi në rrugë rajonale të fshatrave për në qytet, duke marrë në pyetje intelektualë, arsimtarë dhe nxënës të shkollave dhe duke akuzuar jo vetëm për pjesëmarrje në demonstrata, që i quanin “armiqësore”, por edhe për veprime të tjera të konstruktuara nga periudha të ndryshme kohore, si pretekst për gjykime, dënime, burgosje, largim nga shkolla dhe nga puna.
Për pjesëmarrje në demonstrata, të cilat aktualizuan fuqishëm çështjen e përdorimit të flamurit shqiptar në trevat shqiptare të Maqedonisë, si dhe për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, si dhe për të drejta të tjera të shqiptarëve që u takojnë me ligje dhe kushtetutë, u dënuan 170 shqiptarë, prej të cilëve 54 sish u dënuan me mbi 1 vit burg jo vetëm nga Tetova, por edhe nga Shkupi, Gostivari, Struga dhe Kërçova.
Vetëm në Gjykatën e Tetovës dhe atë të Shkupit u dënuan “për vepër penale kundër shtetit” këta shqiptarë: Mehmet Murtezani-Gega, mësues, me 7 vjet burg; Faik Mustafa, student, me 5 vjet burg; Abdylselam Selami, mësues, me 1 vit e 6 muaj burg; Ramadan Sinani, student me 2 vjet; Fehmi Rufati, student, me 2 vjet burg; Abdylmenaf Rrustemi, student, me 2 vjet; Hysniqemal Sherifi, arsimtar, me 1 vit e 6 muaj; Refki Murati, murator, me 2 vjet; Nexhmedin Neziri, mësues, me 1 vit e 6 muaj; Ibrahim Rudi, student, me 3 vjet; Agim Jaka, student, me 2 vjet e 6 muaj; Hyseinxhevat Kalishta, arsimtar, me 5 muaj burg; Xhemil Mustafa, student, me 5 muaj; Arbën Xhaferi, student, me 3 muaj; Agim Xhaferi, student, me 3 muaj burg e shumë të tjerë. Nga intelektualët e tjerë shqiptarë, u dënuan me disa vite burg edhe mjekët Harun Jakupi, Mahmut Bajraktari, si dhe arsimtarët Abdullah Kalishta, Salajdin Hyseini, si dhe shumë të tjerë nga të gjitha shtresat e popullit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura