ISMAIL ARSLLANI: ZARIE TELHA, NGA KATRAHURA E VENDLINDJES, NË BALLË TË DEMONSTRATAVE!

Tetovë, 14 korrik 2018: Aeroplani tejoqeanik gllabëronte mijëra kilometra për të zbritur në Aeroportin e Shkupit, ku do të përfundonte destinacioni i zonjës Zarie Telha, një veprimtare dhe atdhetare e pashoqe, tashmë në moshë të thyer, me jetesë në Çikago të Amerikës, e larguar më se 60 vjet më parë nga vendlindja – Tetova, të cilën e braktisi bashkë me familjen, pas një presioni të madh të pushtetit komunist, për t’u shpërngulur në Turqi, prej nga më vonë do të shkojë në kontinentin e premtimeve të mëdha. Ajo mban në zemër kujtime të hidhura nga vendlindja, ku komunistët partizanë gjatë ditëve të arrestimeve të mëdha të shqiptarëve që u mbyllën në Monopolin e Tetovës, nga fundi i nëntorit të vitit 1944, rrahën brutalisht të parët e saj dhe ia vranë babanë, Servetin, në burgun e Tetovës. Kujtimet radhiten në shiritin e memories, për katrahurën që kishte përjetuar si fëmijë në vendlindje, të cilën e donte aq shumë. Veten e krahason me bilbilin që doli nga “kafazi i artë”, për t’u kthyer për pak çaste në ferrat dhe shkurret e vendlindjes.
Vendlindja, një plagë e pashëruar
-Sa herë që vij në Tetovë nga Amerika e largët, më përtëriten plagët e së kaluarës, kur pushteti i ri komunist pas Luftës së Dytë Botërore, ma mbyti pa kurrfarë faji dhe pa gjykim babanë tim, Servetin, në burgun e Tetovës. Ishte kohë e vështirë. Sapo kishin hyrë partizanët në qytet, kishin filluar me arrestime të mëdha të burrave shqiptarë, të cilët i mbyllën në Monopolin e Tetovës, për hakmarrje. Gjatë kohës së Shqipërisë, në Tetovë kishte ndodhur një vrasje të një qytetari maqedonas, ndërsa për këtë dyshonin te xhaxhai im, Refeti. Meqë ai ishte arratisur më herët, zunë babanë tim që ta marrin nën hetime. Ishin pikërisht maqedonasit nga Llaca, të cilët në kohën e Shqipërisë (1941-1944) i ruante babai nga hajdutët, e zunë dhe të lidhur ua dorëzuan ushtarëve partizanë, kujtohet sot znj. Zarie, për ato ditë dramatike në familjen e saj, e cila, asokohe, në moshë minore, nuk mund të kuptonte se ç’po ndodh.

Shtëpia e zonjës Zarie ishte përballë Policisë së Tetovës. Menjëherë pas ardhjes së partizanëve, ishin sulur ish-pronarët e shtëpisë ku jetonte familja e Zaries, me kërcënime e shantazhe që të dalin nga shtëpia, sepse ajo qenkësh e atyre dhe se gjoja këta s’e kishin paguar. Nga frika për të mos ndodh më e keqja, familja e Zaries braktis shtëpinë dhe përkohësisht strehohet te halla, në lagjen e Klikovës.
-Jo vetëm që humbëm babanë, por shumë shpejt mbetëm edhe pa kulm mbi kokë. Na nxorën me forcë nga shtëpia dhe mbetëm nën qiell të hapur. U dyndëm andej-këndej, derisa nuk gjetëm një zgjidhje. Si ndodhi kjo? Një muaj pas vdekjes së babait, erdhi maqedonasi nga i cili e kishim blerë shtëpinë. Ai i kishte thënë gjyshes se djali i saj, Serveti, nuk e kishte paguar shtëpinë, ndaj dhe pas kërcënimeve, nga frika braktisëm atë, ku jetonim bashkë me gjyshen, nënën dhe vëllanë. Ne shkuam te halla, ku mbetëm nja dy vjet, pastaj dolëm në një objekt tjetër banimi afër xhamisë së Gamgamit, i cili kishte qenë një medrese. Aty kemi ndenjur disa vite, derisa shkuam në Turqi, në vitet e 50-ta, kur u hap rruga për shpërngulje. Ndërsa xhaxhallarët, të cilët u arratisën në mal, më vonë u paraqitën nga Greqia, ndërkohë që njëri prej tyre, Refeti, iku për në Turqi, ndërsa Nuhiu u vra në kufi për në Shqipëri, shpjegon me dhembje në shpirt, znj. Zarie, këtë episod të jetës së saj.
Si ndodhi tragjedia?
-Pas Luftës së Dytë Botërore, thanë që erdhi liria dhe barazia. Njerëzit besuan. Por nuk ishte kështu. Vetëm tri ditë pas ardhjes së pushtetit të ri komunist, erdhën disa ushtarë në shtëpinë tonë, ku ishin strehuar xhaxhai im, Nuhiu dhe kushëriri Raufi, të cilët i rrahën keq, derisa u lodhën. Rrahën edhe gjyshen time dhe pastaj u larguan. Ata asgjë nuk kërkonin prej nesh, por vetëm rrihnin. Kushëririt Raufit ia bënë fytyrën me gjak, dhe në atë gjendje e dërguan në burg, përshkruan znj. Zarie tragjedinë që ndodhi në familje.
Pas tri ditësh, derisa Zarija e vogël luante në rrugë, kishte parë disa ushtarë e civilë që e sillnin babanë e saj të lidhur dhe në gjendje të rraskapitur. E kishin futur në shtëpi dhe ia kishin zgjidhur duart. Kishin ofruar një cigare, gjoja për qetësim. Por, në moment ishin kërcënuar ndaj gjyshes së saj, duke e goditur me grushte dhe duke e përplasur në skaj të dhomës. Atëherë kishte reaguar babai i saj, Serveti, duke u thënë ushtarëve se ishte dorëzuar që ta mbrojë familjen nga dhuna dhe jo ta rrihnin para syve nënën e tij. Ata përsëri ia lidhën duart Servetit dhe i kishin thënë që t’i përqafonte njerëzit e shtëpisë, sepse nuk do t’i shihte më. Babai i Zarijes i kishte përqafuar fëmijët dhe nënën e vet, kurse ata i kishin thënë që ta përqafonte edhe gruan. Ai u kishte thënë që shqiptarët nuk e kanë këtë zakon. Por ata e kishin detyruar dhe ky i kishte thënë në vesh gruas, që mos t’i lëshonte nga dora fëmijët.
-Babanë e dërguan në burg. Pas tri ditësh ishte festa e Bajramit të Vogël. Vjen në shtëpi një ushtar me pushkë dhe i thotë gjyshes, që të shkonte ta marrë djalin prej burgu, se kishte vdekur, gjoja se kishte bërë vetëvrasje. Të gjithë burrat e farefisit ishin të mbyllur në Monopol. Nuk kishte kush të shkonte që ta marrë babanë nga burgu. Në shtëpinë tonë ishte për fat vetëm një kushëri prej Dobroshti, prej nga e kemi prejardhjen, kështu bashkë me gjyshen shkuan në burg dhe e sollën babanë të vdekur, duke mbajtur me një lesë. S’kishim njerëz për ta varrosur babanë. Gjyshja shkoi shtëpi më shtëpi të gjejë ndonjë burrë. Kështu e gjeti Ibrahim Tërshanën, i cili erdhi me djemtë e tij. Përgatitën kufomën dhe e çuan ta varrosin, por ne nuk e dinim se ku e kanë varrosur, as atëherë e as sot. Sa herë që kam ardhur në Tetovë, e kam vizituar Teqenë e Tetovës, me shpresë se aty do ta gjeja varrin, kujton ato ditë të hidhura, znj. Zarie.
Shpëtimi në Turqi
-Kur shkuam në Turqi, u gëzuam shumë, sepse ikëm nga rreziku që na kanosej nga shteti. Në Turqi mbetëm 5 vjet. Shqiptarët që ishin shpërngulur në Amerikë, vinin në Turqi dhe aty martoheshin me shqiptare. Kështu u martova edhe unë, me burrin që erdhi nga Amerika në Turqi, në vitin 1961. Në Amerikë mora edhe nënën, vëllezërit, ndërsa xhaxhai kishte vdekur. Pas shumë vitesh prapë mbeta vetë, sepse më vdiq vëllai dhe vajza. Në Amerikë e kam bartur gjithë atë mllef që kisha akumuluar në vendlindje nga pushteti i egër dhe anti-shqiptar, ndaj dhe kam pasur shtytje dhe motivim të vazhdueshëm për të punuar për çështjen shqiptare dhe për të drejtat e tyre legjitime në viset shqiptare, përshkruan znj. Zarie momentet e shkuarjes dhe veprimtarisë së vet në Amerikë
Ajo flet me shumë emocione për jetën dhe veprimtarinë e saj patriotike në Amerikën e largët. Tregon disa foto nga një protestë në Ditën e Kombeve të Robëruara, ku ajo është me veshje kombëtare.
-Flamurin shqiptar e kam parë për herë të parë në Amerikë. Dhjetë vjet me radhë kam dalë në demonstratat shqiptaro-amerikane, bashkë me dy vajzat e mia, me pankarta që kishin përmbajtje për liri e demokraci, për të drejta dhe barazi të shqiptarëve në trojet e ish-Jugosllavisë. Në fillim, kur hyra në Amerikë, nuk kishte shumë familje shqiptare, ndaj dhe në demonstrata nuk kishte mjaft femra. Isha unë dhe një zonjë prej Kosove, rrëfen më tej znj. Zarie, për përjetimet e saj në Amerikë.
Festat e flamurit i organizonin në mënyrë madhështore, sepse ishin njerëz të vrarë në shpirt. Kishin program të posaçëm, ku znj. Zarie i angazhonte edhe vajzat e saj që ishin lindur në Amerikë, por flisnin bukur në gjuhën amtare. Gjatë festave, ato recitonin në shqip. Një vit, ajo kishte vendosur që të dhurojë një flamur kombëtar, me shqiponjën dykrenore, të qëndisur nga dora e saj. Punoi me zell e durim për gjashtë muaj dhe atë e dhuroi gjatë një feste kombëtare. Gjatë veprimtarisë së saj atdhetare në Amerikë, çdo herë ishte pranë patriotit të shquar Jusuf Azemi, kryetarin e Ballit Kombëtar në Amerikë (që më vonë u bashkua me Lidhjen Kosovare), të cilin e kishte djalë tezeje. Çdo gjë organizohej në koordinim me të. Në demonstratat shqiptaro-amerikane merrnin pjesë edhe zyrtarë amerikanë, por edhe personalitete të tjera të rëndësishme, si Agim Syla nga Shqipëria, babai i të cilit ka qenë një zyrtar i lartë në Tetovë, gjatë kohës së Shqipërisë, Ismail Kashtanjeva e të tjerë.

-Derisa isha në Turqi, takohesha me Qazim Prodanin, i cili botonte gazetën “Besa” në gjuhën shqipe. Pastaj, në kongresin që patëm në Amerikë ishin të pranishëm edhe Vasil Andoni, Abaz Ermeni etj. Ata qëndruan në shtëpinë time. Me atë rast patëm organizuar një program të pasur, me recitime vjershash patriotike. Vajza ime e madhe drejtonte programin. Recitali që titullohej: “Oj hënë, pse nuk dole?”, ishte përgatitur enkas për këtë manifestim nga bashkëshortja e veprimtarit tonë të njohur në Amerikë, Abdylsami Xhaferi. Organizuam edhe një “skeç” simbolik për hedhjen e prangave të robërisë. Vajzës sime të vogël ia lidhëm duart me zinxhirë e me dry dhe ashtu të “robëruar” e çuam te Abaz Ermeni, që t’ia zgjidhte, me simbolikën që të zgjidheshin nga prangat e më hershme Shqipëria dhe Kosova, përderisa ajo nxori nga gjoksi një flamur të vogël kuqezi, për t’ia dorëzuar atij. Mësuam më vonë se ai e mbajti atë flamur deri në fund të jetës së tij.
Zonja Zarie flet me admirim për fshatin Dobrosht, nga i ka rrënjët familja e saj, si për një vendbanim të transformuar në “Paris të vogël” dhe për Tetovën e saj, ku e kaloi moshën më të brishtë e të përvuajtur.
-Kur erdha në Tetovë me burrin, për herë të parë pas 17 vjetësh, nuk pashë ndryshime të mëdha, por më vonë kur qëndrova me vajzën, sidomos gjatë ardhjes së fundit, në qershor të këtij viti, pashë një qytet me ndryshime të mëdha bashkëkohore dhe zemra m’u bë mal. Me këtë rast vizitova Universitetin e Tetovës dhe mbeta e mahnitur nga përparimi që kishin arritur bashkëvendësit e mi. Vizitova edhe shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovë dhe kam mbetur pa fjalë kur kam dëgjuar nga nxënësit se sa bukur e flisnin anglishten, përfundon rrëfimin e saj znj. Zarie, përplot me mallëngjim për vendlindjen.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura