(Lypjan, 19. 04. 2012 – Fakte dhe dëshmi nga treva e Lypjanit) – Në kujtim të 21 dëshmorëve e 164 martirëve të lirisë nga treva e Lypjanit- Si çdo vjet në gjithë hapësirën kosovare edhe në trevën e Lypjanit, kujtojmë jetën e veprën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, kur gjatë luftës me okupuesit serbë në verën e 1998 dhe prillin e tokës së përgjakur të 1999, ranë 21 dëshmorët e Kombit e 164 martirët e kësaj treve komunale. Nga kjo hapësirë kosovare, gjatë dy ofanzivave serbe u plagosën edhe 71 qytetarë shqiptarë e 23 ushtarë të UÇK-së. Nga dhuna serbe u ç’vendosen tërësisht banorët shqiptarë të 42 fshatrave, e pjesërisht nga 21 fshatra tjerë. Flaka e kalljeve serbe i përfshiu 46 vendbanime shqiptare të kësaj treve komunale, nën kërcënime të dhunës u dëbuan jashtë Kosovës mbi gjysma e popullsisë shqiptare.
Shkatërrimet, kalljet, vjedhjet dhe plaçkitjet e vlerave materiale e shpirtërore të kësaj hapësire shqiptare kapin shumën e dhjetëra milion eurove. Sistemi okupues serb, në fundshekullin 20-të me dhunën gjenocidale e pastrimin etnik ndaj shqiptarëve, dëshmoi mësimet e moralit të keq të historisë sllave, që nga “Naçertania” e Garashaninit e deri te Memorandumi i ASSHA. Serbët me vrasje, tortura e masakra mesjetare ato 78 ditët e tmerrit në shqiptarët e kësaj hapësire komunale kreu shumë vrasje masive të popullatës civile. Në trevën komunale të Lypjanit, për vrasje masive barbaria serbe u përqendrua në tri nga vendbanimet shqiptare. Në Sllovijë më 15 e 16 prill 1999, ranë 4 dëshmorë e 41 martirë të lirisë e 11 qytetarë të tjerë u plagosën rënd e lehtë. Më 15 prill pas sulmit serbë në fshatin Akllap, kallën mbi 80% të shtëpive dhe vranë një qytetar. Hordhia serbe në mesditë sulmoi Sllovinë aty vrau e masakroi 24 shqiptarë dhe dëboi me dhunë nga fshati gjithë popullatën shqiptare. Kurse më 16 prill 1999, shqiptarët sllovias të strehuar në Lugun e Demës përjetuan Natën e Bartolomeut, vrastarët pasi vranë 4 qytetarë të zhegocit në “Livadhe të Gjana”, vranë edhe dëshmoren Zylfije Gashi në Tërboc, këtu në Lugun e Demës masakruan e ekzekutuan dhe 17 civilë shqiptarë. Nga gjithë të rënit sllovias 6 ishin pleqë deri në moshën 90 vjeçare, 4 nga të cilët ishin të palëvizshëm. Nga 17 të vrarit në Lugun e Demës, kufomat e të cilëve ushtria vrastare, me qëllim të zhdukje së krimit, i dërgoi në varret masive në Batajnicë, nga deri më 15 prill 2006 u sollën 15 nga 17 kufomat e zhdukura nga hordhia barbare serb.
_______________________________________
SHQIPTARËT E MASAKRUAR NGA BARBARËT E FUNDSHEKULLIT XX!
____________________________________________
Mbetjet mortore e dy të zhdukurve tjerë dy vjet, deri më 2008, kur u sollë nga Batajnica në varret që gjatë priten të hapura në Varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Sllovijë. Nga dhuna serbe në Sllovijë, 33 familje pësuan humbje në njerëz nga të cilat më së tepërmi pësoi, Familja Gashi me pesë të vrarë, Familja Gërbeshi më 3 të vrarë, dy Familjet Sopa njëra me tre, e tjetra me dy të vrarë e të masakruar, familja Bytyçi, Kryeziu dhe Berisha me nga dy të vrarë. Ndërsa 26 familje të tjera kanë të vrarë e të masakruar nga një anëtarë. Me 17 prill në Jetën e Re, u vra dhe u dogj plaku Xhevat 68 vjeçar. Spiralja e dhunës serbe, posi lubia, më 18 prill 1999 që në orët e mëngjesit sulmoi Ribarin e Vogël. Kjo makineri e pajisur me informacione nga serbët vendor filloi “lojën vrastare”, ekzekutoi 25 qytetarë shqiptarë, 7 të tjerë i gjymtoi e i shëmtoi me plagë të rënda, mosha e të cilëve ishte nga 10 deri 90 vjeçare nga të rënit 10 ishin nga familja Vishesellla, 6 të familjes Vuniqi nga Blinaja, ato ditë tmerri të strehuar në Ribar, 4 të vrarë ishin të familjes Gërxhaliu, ndërsa 5 të tjerë ishin nga 2 të familjes Ismaili e Jashanica dhe një nga familja Kelmendi. Nga të vrarit 7 ishin pleq, madje Rizah Jashanica /1902/ kishte 92 vjet dhe ishte i palëvizshëm. Nga të vrarit në Ribar 8 ishin femra e 17 meshkuj. Nga këta 18 ishin qytetarë vendor, 7 ishin të strehuar. Në Hallaq të Vogël, rrugën e sakrifikimit të jetës e qeli dëshmori Ismet Asllani, më 24 mars 1999, për tu martirizuar edhe të tjerët nga familja dhe të afërmit. Më 19 prill 1999 në Hallaq të Vogël vazhdoi vala e vrasjeve masive, ku vrasësit serbë vranë e masakruan 20 qytetarë shqiptarë nga të cilët 4 ishin të strehuar nga vendbanimet tjera.
Forcat serbe urdhëruan daljen e gjithë shqiptarëve në lendinë të fshatit, pjesa që nuk arriti të dal, u vranë në oborre e shtëpi, madje dy nga ata u dogjën. Ndërsa nga 40 të tubuarit në mes të fshatit 13 i ndanë për pushkatim, nga të cilët 11 u ekzekutuan para syve të familjarëve, dy shpëtuan e dy të tjerët pas torturës dhe masakrës çnjerëzore shpëtuan të gjallë, nga vrasjet serbe vetëm familjes Gashi ju vranë 4 anëtarë, 4 anëtarë ju vranë edhe familjes Buzuku, kurse familjes Asllani 3, ndërsa nga familja Zekiqi u vranë 3 vëllezër, ndërsa nga një anëtarë humbën familja Jashari-Mordoqi,. Mulaku, Bajrami, Fazliu dhe Selimi. Kufomat e Minush dhe Abdullah Gashit kanë qenë të karbonizuara, dyshohet se për të gjallë apo pas vrasjes ishin djegur me benzinë.
Në Sllovijë, Ribar të Vogël e Hallaq të Vogël, si kudo në Kosovë, çdo vjet përkujtohen martirët e rënë. Por, vrasjeve në kohë e rrethana të tjera, nuk ju shpëtuan as vendbanimet të tjera si: Kroishta me 9 qytetarë civilë te vrarë shqiptarë, Ribar të Madh u vranë e u masakruan 6 të tjerë, në Blinajë 8 e Mirenë 7 civilë shqiptarë, Hanroc 5 qytetarë të vrarë shqiptar. Vrasje si në ofanziven e parë ashtu edhe në atë të dytën pati edhe në Kleçkë, Shalë, Krojmir, Baicë, Mirenë, Resinoc, Zllakuqan, Magurë, Bregu i Zi, Leletiq, Rufc i Ri, Dobrajë, Qylagë, Poturoc, Jeta e Re, Janjevë, Brus, Akllap, Terbuc, Gadime, Babush të Muhaxhirëve dhe Plitkoviq. Këto ditë tmerri e dhune, na kujtojnë të kaluarën, na kujtojnë vrasjet e masakrat barbare serbe, na kujtojnë dëbimin me dhunë nga trojet etnike, kur nga kjo tokë u ndoqën gjyshërit e baballarët tanë, pse kërkonin të jenë të lirë, pse e donin lirinë si edhe të tjerët, dhe për të tjerët luftonin si për lirinë e vet. Andaj, në fundshekullin 20 luftuam dhe ngadhënjyen mbi robërinë shekullore.
Është e veçanta e dëshmorëve dhe martirëve tanë që triumfalisht bijën në altarin e lirisë, e tri herë varrosen, siç ndodhi në gjeografinë e varrezave të lirisë për jetën e veprat e tyre përherë shprehim kujtimin e dhembjen tonë. Prillin e përgjakur të 1999, vrasjet, torturat dhe masakrat e barbarisë serbe, gjithmonë dhe në vazhdimësi i kujtojmë, jo për të krijuar urrejtje, por për ta mbajtur kujtesën historike në ndërgjegjen e arsyeshme të të gjallëve. Të rënit do ti kujtojmë për të krijuar fisnikrinë e të tashmes dhe të ardhmes sonë, dhe për të ndërtuar vlera pozitive ndaj jetës dhe lirisë së popullit tonë. Në drejtësi krimi është i dënueshëm, por ndaj kriminelëve dhe në ndarjen e të drejtës nuk guxon të matet me dy kute. Andaj, kërkojmë të ndalet kriminalizimi i atyre që kurrë nuk shkelën në troje të huaja, atyre që kurrë nuk vranë qytetarë të pafajshëm, atyre që luftuan barbarinë, atyre që pasluftës, krijun shtetin demokratike, atyre qe janë kreatorë të politikës demokratike, lirisë së fjalës dhe sigurisë së levizjes së lirë. Sot, ne jemi dhe punojmë në përmbushjen e kërkesave të natyrshme të së drejtës njerëzore, që në rwepublikën e Kosovës Kosovën së pavarur të pas luftës, me shtetësi të plotë e sovrane, të gjithë të jetojnë, punojnë dhe ndërtojnë të lirë, Por, këto kritere duhet kërkuar me përgjegjësi adekuate edhe ndaj kryesve të krimeve. Për krimet serbe në trevën e Lypjanit, jo se nuk u ndëmorr asgjë në Hagë, por kryesit krimeve po lirohen e nuk po ndëshkohen as këtu në gjykata vendore.
Çdo verë e pranverë, do të kujtojmë 1998 e 1999. Ne do ti kujtojmë dhembjet e përjetuara, do të kujtojmë humbjen e dhjetëra mija bijve e bijave të kësaj hapësire. Kjo katrahurë antinjerëzore e hartuar nga ASSHA, e udhëhequr nga njeriu dinozaur, që synonte të përbijë një popull, ta vras lirinë, pse fletë ndryshe, pse beson në zot ndryshe, pse nuk janë serbë dhe pse janë popull liridashës. Në Kosovë këto vlera dhe të drejta kombëtare e njerëzore zgjedhjen e çështjes së Kosovës, i kërkuam me vite e dekada në mënyrë paqësore e njerëzore, me dialog, e pa mjete dhune, në vazhdim i kërkuam edhe me shprehjen e pakënaqësisë me protestave e demonstratave të studentëve dhe popullit. Me veprime politik përveç ndërkombëtarizimit të çështjes sonë, arritëm në shkallën e mosdurimit të dhunës dilemën hamletiane “të rrosh, o të mos rrosh”. Atëherë hyjmë veprimit ushtarak për realizimin e kërkesave tona kombëtare e njerëzore. Dhe mu për këtë ranë 21 dëshmorët tanë dhe 164 martirët e lirisë nga gjithë hapësira komunale e Lypjanit. Ranë ashtu siç ranë në Qirez e në Likoshan, në Prekazin legjendar e në Reçak, në Koshare e Gllogjan, e qindra vendbanime të tjera shqiptare në Kosovë. Nga ky mot i madh për shqiptarët ndryshoi matja e kohës dhe historisë. Nga këtu bota filloi të mendon, të flet e të vepron shqip.
Nga këto mote e këto ngjarje për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht, nis një epokë e re, një jetë dhe një filozofi e moral tjetër i veprimit politik. Intervenimi ushtarak i forcës më të madhe ushtarake NATO-së, aleate e ushtri tokësore e të cilës ishte UÇK-ja, për 78 ditësh dëboi nga këto troje vrastarët serb, ndali dhunën, dhe ne thyem traditën negative historike, kësaj here ndodhi kthimi i madh monumental i shqiptarëve në trojet e veta. Martirizimi i 164 nga kjo trevë komunale, si edhe i 12 mijë shqiptarëve në tërë Kosovën e mija të pagjeturve, kthimi provokativ i eshtrave të tyre nga Serbia, tash sa vite na torturon. Me gjitha kompromiset, Kosovën e tërësishme me enklavizimin e zyrtarizuar në emër të një decentralizimit administrativ e shteteror. Gjitha këto përjetime të rënda, nga ky moral i stërkequr sllav, na bënë të mos ndalemi në rrugëtim për ndërtimin e shtetit tonë kombëtar Kosovën shtet demokratik i pavarur e sovran, i integruar dhe i njohur nga institucionet ndërkombëtare. Sot është domosdo historike e klasës politike të qëndrojë unike në kërkesën e arsyese së natyrshme deri në realizimin e synimeve tona kombëtare.
Familjet e dëshmorëve dhe martirëve lipjanas në vazhdimësi bëjnë kërkesë njerëzor, për një angazhim më serioz të subjekteve ndërkombëtare e vendore në gjetjen e të pagjeturëve, të cilët u zhdukën po nga ato uniforma që edhe sot levizin të lirë para nesh, po nga ata njerëz, po nga ajo dhunë serbe. Do të përulemi gjithmonë me respekt para, varrezave të dëshmorëvee martirëve të kombit. Ata në vazhdimësi të kohrave, do të jenë krenaria historike e të ardhmes së kësaj toke të djegur e këtij populli të ndjekur.
Rënia për liri është madhështore, sa fjalët tona, sado të zgjedhura qofshin, dalin të zbehta, për të mos thënë krrokama. Rënia për liri është si lindja e diellit e hapja e qiellit. Amaneti i dëshmorëve e martirëve, puna, mundi, gjaku dhe jeta e tyre e dhënë për këtë tokë dhe për këtë popull, obligon për ndërtimin e shtetit të pandarë të Kosovës demokratike, të pavarur e sovrane. Vetëm kështu të rënëve tanë, shpirti ju pushon i qet në Kosovën e tyre. Të rënit për liri kanë dhënë më madhoren, Jetën e tyre, për të cilët ne të gjallë, nuk mjafton vetëm të ngrehim përmendore e të vejmë kurora mbi varret e tyre. Me respektimin e veprës dhe amaneteve, në kujtim të përjetësisë së tyre për liri, marrin uratën e madhe të popullit. Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjithmonë do të jetë kujtesë lavdie në traditën pozitive të historisë sonë kombëtare.
______________________________________
FILMIME ARKIVORE NGA MASAKRA E REÇAKUT
________________________________
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, 19. 04. 2012)