DR.QAZIM NAMANI: GJENOCIDI SERB I KRYER NË PRAPASHTICË SIPAS BURIMEVE HISTORIKE DHE RRËFIMEVE NGA FAMILJARËT E MI (II)

Prishtinë, 17 mars 2021: Xhandarmëria serbe, kështu vepronte në të gjitha lagjet e banuara me shqiptarë në këto anë. Maltretimet e shqiptarëve të Prapashticës ishin të përditshme. Synimi i xhandarmërisë serbe ishte që territorin e këtij fshati strategjikë, ta pastrojë nga shqiptarët dhe këtë fshat, dhe ta kolonizoj me popullatë sllave. Për ta realizuar këtë qëllim, ushtria e Mbretërisë Serbo-Kraato-Sllovene, e kishte hartuar projektin për një masakër ndaj popullatës shqiptare në disa fshatra, duke filluar që nga fshati Karaqë afër Vushtrrisë e deri në fshatin Prapashticë. Planet serbe ishin, që gjatë kohës së përcaktimit të kufijve me shtetin e ri shqiptar, ta shfrytëzoj rastin që të bëjë masakra ndaj popullatës civile, në disa fshatra në brezin e sotëm kufitar me Shqipërinë, si dhe në disa fshatra në brezin veri-lindor të Kosovës së sotme, duke filluar në Shalë, Llap e Gallap. Ushtria serbe këto masakra donte që ti arsyetonte para faktorit ndërkombëtar, se është duke i luftuar pjesëtarët e lëvizjes kaçake shqiptare, e cila ishte zgjeruar dukshëm në Kosovën e sotme, por në fakt planifikonte që të vriste popullatën shqiptare, dhe të digjte çdo gjë nga ekonomia familjare e shqiptarëve, me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve nga ajo zonë.
Batalioni i Armatës së III serbe, që e komandonte Radovan Radovici, dhe xhandarmëria e komanduar nga Bozhidar Paunovici, më 06 janar 2021, i filluan vrasjet e popullatës shqiptare në fshatin Karaqë, Zagorje, të Vushtrrisë, pastaj vazhduan masakrat në Segashë, Popovë, Majacë, Bellopoje, Gërdocë, Tërnavë, Sharban, Koliqë, Keqekollë dhe Prapashticë. Vrasje të shqiptarëve gjatë kësaj ekspedite, janë bërë edhe në disa fshatrat tjera. Gjatë marshimit të kësaj ekspedite ushtarake, shqiptar u vranë edhe në Ballaban, Nishec, Orllan, Kalaticë etj. Në të gjitha këto fshatra u vranë shumë fëmijë dhe të moshuar, por masakra më e madhe gjatë atij viti, është bërë në fshatrat Keqekollë e Prapashticë.
Me 10 janar të vitit 1921, arriti në Keqekllë dhe Prapashticë. Me të arritur në Keqekollë e masakruan familjen e Mulla Ademit. Në Prapashticë ushtria serbe i fton të gjithë meshkujt e moshës mbi 15 vite që të shkojnë në një takim te xhamia e fshatit. Ata urdhërohen që secili fshatarë të sjellë më vete ndonjë bagëti të imët për të ju afruar ushqim ushtrisë serbe.
Kërkojë ndjesë, unë në këtë shkrim, po i përshkruaj në pika të shkurta, rrëfimet e familjarëve të mijë të ngushtë , duke e ditur se çdo familje e këtyre fshatrave ruan në kujtesë, përjetimet e familjarëve të tyre, e që shumë prej tyre, e tejkalojnë dukshëm tragjedinë e familjarëve në familjen time. Sipas rrëfimeve të gjyshit tim Brahim Namani i lindur më (1909), baba i tij Namani, së bashku me Rexhepin, Ramën e Hazirit dhe Dibranin, kishin marrë pjesë në takimin e datës 10 janar me ushtrinë serbe. Në takim ushtria serbe i kishte porositur që ata të cilët i kanë shtëpitë larg, të flenë te bashkëfshatarët e tyre, që i kanë shtëpitë më afër xhamisë, në mënyrë që të nesërmen me datën 11janar, të paraqitën me të filluar agu para ushtrisë serbe. Me që shtëpitë tona ishin larg nga xhamia e fshatit, ata prapë kishin vendosur që të kthehen te shtëpia, për të shkuar të nesërmen në mëngjes. Të nesërmen në mëngjes vendosin që të shkojnë Namani me kushërinjtë e tij Rexhepin dhe Ramën, Dibrani nuk shkon. Që të tretë e marrin nga një qengjë me veti, për të shkuar te xhamia. Para se të shkojnë te xhamia, ishin takuar edhe me disa burra tjerë të lagjes së Balajve. Ushtria serbe gjatë mëngjesit të hershëm, i kishte kryer disa vrasje dhe masakra në shtëpitë afër xhamisë. Por sa fshatarët mblidhen te xhamia, urdhërohet që sipas lagjeve, ti ndajë fshatarët në katër grupe. Komandanti i ushtrisë serbe i kishte porositur ushtarët e tij, që posa të kërcet topi, të fillojnë menjëherë vrasjet e shqiptarëve. Pas kërcitjes së topit, fillon vrasja e burrave të fshatit, si dhe djegia e shtëpive dhe familjarëve të tyre. Ishin shumë të pakët ata të cilët kishin pasur mundësi që të shpëtojnë të gjallë nga kjo ekspeditë. Lagjja e Balajve, ishte tubuar te lokaliteti i quajtur Baçaviat, dhe aty kishte filluar ekzekutimi i tyre. Në këtë lokalitet ishte vrarë baba i gjyshit tim Namani dhe Rexhepi, ndërsa Rama kishte arritur ti shpëtoj vrasjes. Atë ditë kishte pasur shumë borë, por Rama duke ecur nëpër ujin e një përroi, për të mos lënë gjurmë në borë, futet në disa rakita të dendura (lloj shkurre), duke qëndruar me këmbë në ujë. Disa herë ushtarët serbë, ju kishin afruar afër, por ky nuk kishte lëvizur. Siç kishte treguar më vonë nga të ftohtët, britmat dhe trishtimi disa herë i kishte shkuar mendja që të dal prej uji. Pas pak kur ndërpriten britmat e bashkëfshatarëve të tij, Rama me kujdes, fillon të lëvizë përroit të poshtë, dhe me vështirësi të mëdha, arrin deri të shtëpitë tona. Porsa arrin, ai tregon ngjarjen dhe vrasjen e Namanit, të cilin e kishte parë, kur e qëllon me armë dhe bajonetë ushtari serbë. Pas dy orëve kur qetësohet situata, dhe ushtria serbe fillon të tërhiqet, Musa me 4 apo 5 burra tjerë të lagjes së Balajve, arrijnë të dalin në vendin e ngjarjes, ku ishin vrarë burrat e kësaj lagjeje. Pasi i tubojnë të vrarët i bartin ngadalë, dhe i sjellin te lokaliteti i quajtur Rusolia. Në lagje i gjejnë disa vegla pune, dhe fillojnë që ti varrosin burrat e lagjes. Në mesin e të vrarëve nuk kishte qenë Rexhepi. Në fillim kishin menduar, se mos vallë ka arritur ti shpëtoj kësaj tragjedia, dhe do të kthehet në shtëpi, por kjo nuk kishte ndodhur. Të nesërmen, dolën në kërkim të Rexhepit, por nuk arritën dot ta gjejnë kufomën e tij. Pas dy dite duke e vëzhguar terrenin duke ecur prej Baçaviasë, kodrës përpjetë, arrijnë lartë në kodër dhe e gjejnë Rexhepin të masakruar dhe të ngrirë ulur në borë. Sipas rrëfimeve Rexhepin e kishin gjetur ulur me dorën të ngritur lartë dhe të ngrirë, ndërsa ballin dhe kreshtën e kokës e kishte pasur të çarë, nga bajonetat e ushtarit serbë. Ashtu të ngrirë e kishin varrosur të Rusoliat. Rexhepi i ndjerë gjatë Luftës së Parë Botërore, fal një lire që ja kishin dhënë më veti familja, i kishte shporuar pushkatimit në Kërçovë, atje ku ushtria bullgare vrau shumë shqiptar nga Kosova. Varri i tij sot nuk dihet ashtu si shumë familjarë të lagjes, që nuk dinë ti identifikojnë saktë varret e baballarëve të tyre. Gjyshi im Brahimi në atë kohë ishte 11 vjeçare, porsa ishte shkrirë bora në pranverën e atij viti, e kishte lutur axhën e tij Musën, që ta dërgojë te varret, për tu njoftuar se ku e ka të varrosur babën e tij. Prej asaj kohe, disa herë në vit shkonte dhe e vizitonte varrin e babës së tij Namanit, aty ai bënte lutje, e hiqte barin dhe varrin e rrethonte me gur të zgjedhur që i gjente. Vizitat e tij te varrezat e kësaj tragjedie vazhduan deri kah mesi i viteve 70-ta të shekullit XX. Dëshira e madhe e gjyshit ishte, që ta zhvarrosë babën e tij, dhe ta sjellë në varrezat e familjes së ngushtë të lagjes. Këtë ja kishte shprehur disa herë babës tim Ilazit. Pa e ditur gjyshi im, një ditë baba im Ilazi e kishte porositur nga guri nga mermeri i bardhe me emrin dhe vitin e vrasjes së gjyshit të tij. Kur baba e sjellë gurin në shtëpi, gjyshi ishte gëzuar shumë, dhe kishte shkuar te Humdia i Sejdisë, fqinjë afër nga lagjja Canolli në Marec, që ta shoqëronte për nxjerrjen e eshtrave të babës së tij. Hamdiu e kishte shoqëruar dhe së bashku, e kishin sjellë skeletin e Namanit në varreza te reja.

Pllakë përkujtimore për të masakruarit e familjes Çarkani, në fshatin Prapashticë, Fotografuar nga Ali Ramadan Latifi.

Në fshatin Prapashticë ishin vrarë, djegur dhe masakruar më shumë se 1000 banorë, shumë familje të tëra ishin djegur, shumë të tjerë ishin zhdukur pa gjurmë dhe disa shpëtuan të plagosur. Për një kohë të gjatë duke mos lënë familjarë dhe duke mos pasur kush të përkujdeset për varrezat e të vrarëve, shumë pakë i dinë varrezat e familjarëve. Nga disa familje shpëtuan, vetëm ata të cilët nuk kishin qene në familje natën kritike, pra ata që atë natë kishin qene për vizita të rastësishme të familjarët e tyre në fshatrat tjera. Vlen të ceket se ndër familjet që pësuan tragjedi të madhe në këtë rast është edhe familja Çarkani. Latif Çarkani i cili kishte pasur fatin ti shpëtojë kësaj masakre, kur ishte kthyer në shtëpi i kishte gjetur familjarët e tij të masakruar. Ai kishte arritur që familjarët e tij ti varrosë te Xhehemët, dhe pasardhësit e kësaj familje vazhdimisht janë përkujdesur për varrezat e të parëve të tyre. Po ashtu disa dekada më parë me vet kontribut familjarë të familjes Çarkani, janë rregulluar varret e tyre, duke i shënuar me emër dhe mbiemër të gjitha anëtarët e familjes së tyre që u masakruan në Prapashticë.
Për masakrën e ushtrisë serbe në familjen Çarkani, shpesh herë i kam dëgjuar gjyshin dhe gjyshen time duke treguar. Gjyshi dhe gjyshja ime e kishin pas një vajzë, e cila në moshën 16 vjeçare, ju kishte vdekur nga sëmundja e tuberkulozit në vitet 50-ta, të shekullit XX. Për këtë vajzë që të dytë ishin mërzitur shumë. Për vdekjen e kësaj vajze kishte dëgjuar edhe Latif Çarkani, dhe kishte ardhur për ti parë gjyshërit e mi. Në bisedë e sipër Latifi i thotë gjyshit tim Brahim po e shoh se shumë qenke mërzitur, por duhet ti përballoni dhimbjet. Latifi e kishte vazhduar rrëfimin për masakrën e Prapashticës, duke treguar se si i kishte gjetur anëtarët e familjes së tij, të masakruar nga ushtria serbe. Ai i kishte treguar, për një vajzë të po kësaj moshe, se kur ishte afruar pranë kufomave të masakruara, në oborrin e shtëpisë së tij, e kishte parë me sytë e tij, macen duke i ngrënë zorrët e saj, dhe prej asaj ngjarje e kam shumë mërzi që ti shohë macat me sy kishte thënë Latifi. Rrëfimi kishte qenë aq prekës dhe shumë i dhimbshëm, sa që gjyshërit e mi shumë më lehtë e kishin përballuar vdekjen e vajzës së tyre nga tuberkulozi.
Ndër rastet prekëse për mbijetesë e banorëve të Prapashticës, pa dyshim se është foshnja e vogël Selim Salihu, i cili kishte mbetur gjallë në mes të borës dhe acarit të atij dimri. Sipas rrëfimeve, kur fillon masakra ndaj popullatës civile, e ëma e Selmit, me foshnjën e vogël në djep, dhe dy gra tjera të familjës së Veli Salihut nga lagjja e Govorve, dalin prej shtëpisë së tyre dhe tentojnë të largohen praj fshatit. Pa u larguar as 200m nga shtëpitë e tyre, ushtria serbe fillon që ti gjuaj me armë. Du gratë tjera vriten në vend ndërsa e ëma e Selimit, mbetet rëndë e plagosur. Ashtu e plagosur bie për toke pranë një shkëmbi gati të mbuluar me borë. Me dorën e saj e largon sa mundet borën nga shkëmbi, duke e rrotulluar djepin, me foshnjën e vogël, duke e vendosur “Kaptjellin” (Gjysmë rrethin, që përdorej për të përkundur foshnjat) e djepit në shkëmb, në mënyrë që fytyra e foshnjës të mos ketë kontakt me borën. Pas pak çastesh edhe e ëma e selamit ndërron jetë. Selimi mbetet i vetëm në mes të borës. Një ditë më vonë, disa serbë ë malazezë nga rajoni i Medvegjës e kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në Prapashticë me qëllim që të plaçkitin dhe rrëmbejnë çdo gjë të vlefshme që mundë të gjënin. Serbët i kishin marrë me vete edhe disa gra. Bazuar në rrëfimet që kanë dalë më vonë nga vetë serbët pjesëmarrës në këtë ekspeditë për të plaçkitur thuhet se por sa janë ofruar afër atyre kufomave e kanë dëgjuar vajin dhe klithmën e Selimit të vogël. Serbët e urdhërojnë njërin prej tyre dhe një grua serbe, që të ofrohet te foshnja dhe të shikojë se a është vajzë apo djalë. Serbin që shkojë te foshnja e kishin porositur që nëse është vajzë ta marrin foshnjën me vete, ndërsa nëse është djalë ta vrasin me një plumb. Gruaja serbe kur ofrohet dhe e shikon foshnjën në atë gjendje dhe tri gratë shqiptare të vrara pranë djepit, thotë se djalë qenka, Serbi e kthen pushkën dhe e shkrep një plumb jashtë djepit, por nuk e vranë Selimin sepse e sheh që edhe ashtu ai do të vdiste.
Pasi që kalon kjo ekspeditë e serbëve, pranë këtyre kufomave kalojnë disa kaçak shqiptar. Kaçakët hasin në kufoma dhe në djepin e mbështetur në gurë. Kaçakët e marrin djepin dhe zbresin në një shtëpi të braktisur në fshatin Keqekollë. Porsa hyjnë në atë shtëpi, në mesin e shtëpisë e ndezin një zjarr. Kur e ndezin zjarrin e qesin një xhezve me ujë e sheqer që të ngrohet. Njëri nga kaçakët e merr xhezven dhe përmes gishtit të tij, fillon që ti lagë buzët e njoma të Selimit. Pas pak çastesh Selimi fillon të lëvizë gjuhën dhe buzët e tij, për të thithur sherbetin përmes gishtit të kaçakut, Selimi pasi ngrohet dhe e pinë sherbetin fillon të këndellet. Kaçakët fillojnë që ta zhveshin Selimin, por sipas rrëfimeve lëkura e njomë e tij në disa pjesë të trupit, mbetej në veshjet e Selimit. Selimin pasi e ngrohin, e mbështjellin prapë me veshjen e tij, dhe e lënë të vetëm, pranë zjarrit në atë shtëpi.
Kaçakët pasi ë lënë foshnjën në atë gjendje dalin në fshatin Koliq, dhe tregojnë rastin. Në Koliq kishte qenë axha i Selamit, Veliu i cili niset me vrap për ta gjetur Selimin. Veliu e merr Selimin dhe e dërgon në fshatin Koliq. Në Koliq, Selimi qëndron rreth 3 muaj.
Nëna e Selimit dhe nëna e gjyshit tim Kada, kishin qenë motra nga familja Sijarine, Sahiti nga Dabisheci. Kur në këtë masakër e vrasin babën e gjyshit tim Namanin, Kada kishte qenë me barrë, dhe pas 3 muajve lind djalë. Djalin e vogël që lindë e pagëzojnë me emrin Naman. Një javë pas lindjes Kada, kërkon që të ja sjellin edhe Selimin e vogël, që ti rritë se bashku me Namanin. Selimin e vogël e sjellin në shtëpinë tonë, dhe Kada i ushqen të dy foshnjat e vogla, deri sa Selimi fillon të ecë, ai prapë kthehet te axha i tij Veliu.
Nazim Gafurri, një personalitet i njohur shqiptar që jetonte në Prishtinë, në ato vite ishte zgjedhur përfaqësues i shqiptarëve të rrethit të Prishtinës, në parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Nazimi mbledhë informata nga terreni, shet një pjesë të pasurisë së tij, dhe shkon në Shkup, që përmes telegramit të njoftojë mjetet e informimit dhe institucionet qeveritare në Beograd, dhe Ligën e Kombeve. Për këtë tragjedi Nazimi e njoftojë edhe Komitetin për çlirimin e Kosovës. Të dhënat e grumbulluara nga terreni, për masakrat në fshatrat shqiptare, së pari u publikuan në gazetën “Hak”, të cilën e nxirrte Xhemjeti. Për këtë rast kanë shkruar edhe disa gazeta serbe dhe të huaja. Këto krime serbe ndaj shqiptarëve u përmenden edhe në disa parlamente të shteteve evropiane. Pas angazhimit të Nazim Gafurrit për ta ndërkombëtarizuar krimet serbe ndaj popullatës shqiptare, shërbimet serbe organizojnë shërbëtoret e tyre që Nazimi të ofendohet, të izolohet, anashkalohet. Shërbimet serbe i shtynin fëmijët që ta ofendojnë Nazimin edhe kur ecte rrugë, fëmijët e gjuanin me domate, vezë, gurë me të vetmin qëllim që Nazimi të reagoj ndaj tyre, në mënyrë që pushteti të merr masa ndaj tij. Serbët duke e parë Nazimin si njëri të rrezikshëm për pushtetin e tyre, si zakonisht e paguajnë një shqiptar që ta vrajë Nazim Gafurrin.
Siç shihet masakra e Prapashticës, është njëra ndër masakrat më të mëdha të planifikuara nga ushtria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ndaj një popullate të pa mbrojtur, ku vetëm për një ditë arriti të masakroje fëmije, gra e pleq vetëm se ishin shqiptarë.
Pas shfarosjes së popullatës shqiptare, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, i kolonizojë tokat e shqiptarëve me serbë e malazezë.
Kjo tragjedi i kishte përfshirë të gjitha fshatrat e Shalës, Llapi e Gallapi, edhe shume fshatra tjera nëpër të cilat nuk kalojë kjo ekspeditë ushtarake, humbën, humbën gjyshet, hallat, motrat e tyre, që më parë kishin qene të martuara në fshatrat e masakruar. Tërë këto fshatra i kaplojë një dhimbje, dhe në shenjë respekti për këto viktima, për disa vite nuk u organizuan as dasma me muzikë në këto anë. Bazuar në rrëfimet e gjyshit tim, pas kësaj masakre dasma e parë me tupan është bërë në vitin 1927, në fshatin Krilevë. Në vitin 1927, në fshatin Krilevë martohej Zenelit i Halili. Për ta filluar dasmën, krerët e fshatit Krilevë, ishin tubuar dhe kishin vendosur, që para se ta fillojnë dasmën me tupan, të marrin lejen e banorëve të fshatit Prapashticë. Disa burra të fshatit Krilevë, kishin ardhur në odën e Musën së Shushnicëve në fshatin Prapashticë, për ta biseduar këtë rast. Aty ishte zhvilluar një bisedë e këndshme miqësore, dhe Musa ju kishte dhënë premtimin, dhe kurajë, që ta bëjnë atë dasmë me tupan. Musa kishte thene se, këtë çështje do ta diskutojë edhe me Musë Govorin, dhe fshatarë tjerë të Prapashticës, dhe me bindje të plotë asnjëri prej neve nuk do të kundërshtojë këtë dasmë. Si zakonisht kjo çështje ishte diskutuar në Prapashticë, dhe të gjithë ishin pajtuar. Para se të fillojë dasma, prapë disa përfaqësues nga fshati Krilevë kishin dalë deri te Musa, për ti thënë se ju Prapashtica, jeni të thirrur të gjithë që të na vini në dasmë. Ditën e dasmës, burrat nga Prapashtica, shkojnë në dasmën që e kishin organizuar te lokaliteti “Bara” në Krilevë. Krileva i nderojnë Prapashticën duke i ulur në rendin e parë. Kur mblidhen dasmorët dhe ulen, njëri nga e thirr Musën e Shushnicëve që si më i moshuari i kishte rënë që të ulet në krye të dasmorëve duke i thënë. O Musë, sot je i nderuar që ta hapësh dasmën tonë, se kemi nderin që ju Prapashtica po na nderoni në këtë dasmë. Musa e merr fjalën dhe e bënë për hair dasmën dhe e thirr Azizin e Misimit. O Aziz nise një këngë që ta fillojmë këtë dasmë. Azizi që kishte kënduar bukur, e këndon këngën e vrasjes së konsullit rusë në Mitrovicë. Me të mbaruar këngën Azizi, fillojnë të bien tupanët. Azizi i Misimit ishte një djal i ri nga Prapashtica, i cili kishte arritur ti shpëtoj masakrës, por i lënduar shumë rëndë. Si i plagosur ishte shëruar te Musa i Shushnicve, dhe e kishte respektuar shumë Musën. Pas gjitha atyre vuajtjeve, dhe mos perspektives për jetë, në fillim te viteve 30-ta ishte shpërngulur të jetoj në Turqi.
Deri në Luftën e Dytë Botërore, popullata e Prapashticës jetoi si është më së keqi. Fshati përgjatë rrugës që qonte për në Prishtinë, ishte mbushur me kolonë. Tokat e shqiptarëve i morën kolonët. Disa shqiptarë që kishin mbetur gjallë ishin kthyer në tokat e tyre, dhe nuk hiqnin dorë nga pronësia, por filluan ta punojnë tokën e tyre. Në këto rrethana filluan konfliktet, në mes të kolonëve dhe fshatarëve të Prapashticës. Sidomos kundër kolonëve ishte shquar Veli Govori, i cili shpesh e kishte vënë jetën në rrezik, për ti mbrojtur tokat e të parëve të tij. Armiqësia me serbë nuk kishte të ndalur deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
Pas kapitullimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në Luftën e Dytë Botërore pa shkrepur as një plumb kundër forcave gjermane. Forcat e ushtrisë gjermane me 10 prill të vitit 1941, hyjnë në Prishtinë. Në këto rrethana popullata shqiptare ishte mobilizuar për tu mbrojtur nga ndonjë sulm i pa pritur, i grupeve të armatosura serbe. Po sa arrijnë njësitet e ushtrisë gjermane në Medvegjë, Radovan Shakici zhvillojë një bisedë me komandantin e njësitit ushtarak gjerman. Serbët e nxisin një njësit të ushtrisë gjermane që të hyjë në Prapashticë, duke ju thënë se atje është çerdhja e komunistëve, të cilët i kanë larguar edhe serbët, prej tokave të tyre në Prapashticë. Gjermanët të shoqëruar nga grupet e kolonëve serbë që e kishin lëshuar Prapashticën dhe ishin grumbulluar në Medvegjë e rrethinë, dalin te kufiri. Serbët për ta nxitur konfliktin e shqiptarëve me gjermanët, gjuajnë nga prapavija një shqiptar i cili kishte qenë duke lëvruar arën e tij në fshatin Dabishec. Me të dëgjuar krismat fshatarët e Prapashticës të cilët atë ditë të Premte kishin qëlluar te xhamia e fshatit, duke menduar se u sulmuan nga serbët, i marrin armët dhe i zënë pozicionet për mbrojtje të fshatit atje afër kufirit. Për ta mbrojtur kufirin shpejtë u mobilizuan edhe shqiptarë tjerë nga fshatrat për rreth Prapashticës. Luftimet u zhvilluan me datën 24 prill 1941 dhe zgjatën disa orë. Për herë të parë gjermanët pësuan humbje të mëdha duke i lënë rreth 20 ushtarak në këtë betejë, dhe disa tjerë që u tërhoqën të plagosur. Banorët e Prapashticës arritën që ti zënë rob dy ushtarë gjerman, dhe kur e kuptuan se luftën e kanë bërë me gjerman, të dy ushtarët i dorëzuan në komandën e ushtrisë gjermane në Prishtinë. Nga pala shqiptare kishte mbetur një i vrarë dhe dy të plagosur.
Për ta sqaruar rastin para ushtrisë gjermane, kishte rrëfyer Xhafer Deva, duke e shpjeguar qarte skenarin serbë. Edhe pse ushtria gjermane e kishte kuptuar rastin dhe mashtrimin nga pala serbe, ishte dhënë urdhri që të digjet i tërë fshati Prapashticë. Me 3 maj të vitit 194, ushtria gjermane e ndërmori një fushatë ushtarake për ta sulmuar Prapashticën, dhe fshatrat për rreth. Në këtë aksion mbeten disa shqiptarë të vrarë dhe disa tjerë të zënë robër, por pjesa dërmuese e banorëve kishin arritur më parë që ta braktisin fshatin. Ushtria gjermane përdori arsenalin më modernë ushtarak e rrethojë Prapashticën dhe e dogji tërësisht, duke mos lënë asnjë lagje pa e djegur. Me bombardimin e Prapashticës, kjo ngjarje ishte hera e katërtë, që të digjet Prapashtica.
Pas kapitullimit të Bullgarisë, në shtator të vitit 1944, ushtria bullgare ishte detyruar nga ushtria ruse, që të hyjë në luftë kundër ushtrisë gjermane. Duke e parë fundin e luftës dhe humbjen, ushtria gjermane fillojë të tërhiqet prej Selanikut, dhe qyteteve tjera jugore të gadishullit. Për ti goditur gjermanët ushtria ruse e kishte urdhëruar ushtrinë bullgare, që të bllokojë rrugët për tërheqjen e ushtrisë gjermane në territorin e Kosovës së sotme. Ushtria shqiptare që komandohej edhe me disa ushtarak nga Shqipëria, ishin mobilizuar për ta mbrojtur kufirin. Në kufi ishte mobilizuar e tërë popullata shqiptare e Kosovës, e aftë për të gjuajt me armë. Tani në kufi ishte mobilizuar ushtria nacionale kombëtare shqiptare. Për herë të parë, shqiptarët në këtë betejë ishin furnizuar me armë dhe ndihmuar nga personeli ushtarak gjerman, për ta mbrojtur kufirin. Ushtria bullgare që në prapavijë e kishte ushtrinë ruse synonte, qe duke e sulmuar vijën kufitare në Prapashticë, të depërtojë sa më shpejtë në Prishtinë, për tu koncentruar në Fushën e Kosovës. Komanda e ushtrisë shqiptare në mbrojtje të kufirit, ishte vendosur në odën e Shabanit të Musës së Shushnicëve, ndërsa mbi shtëpitë e kësaj lagjeje në “Rrafshin e Kodrës”, ishte koncentruar pjesa më e madhe ushtrisë. Në odën e Shabanit qëndronte Kapiten Petri, Shyqeria dhe Demiri nga Shqipëria, ndërsa ushtarakët tjerë më të njohur të asaj periudhe nga Kosova, frekuentoni shpesh në Prapashticë. Përveç Prapashticës mobilizimi i shqiptarëve ishte bërë edhe në pikat tjera strategjike, përgjatë kufirit veri-lindor të Kosovës. Që nga mesi i muajit tetor të vitit 1944, ushtria bullgare, dhe njësitet e ushtrisë serbe, i filluan sulmet ndaj ushtrisë shqiptare. Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në Prapashticë. Më datën 18 tetor, dy njësite të ushtrisë bullgare, u kthyen prapa pasi lanë shumë të vrarë në Prapashticë, nga forcat e mbrojtjes kombëtare shqiptare. Bullgarët pësuan humbje të mëdha në Prapashticë edhe me datën 23 dhe 25 tetor kur tentuan që të hyjnë në Kosovë. Ushtria bullgare tani pas humbjeve të mëdha e kishte humbur moralin për luftë. Me datën 29 tetor 1944, ushtria bullgare, prapë pësojë humbje të mëdha në njerëz dhe arsenal ushtarak në Prapashticë. Në këtë betejë gjyshi im i ndjerë tregonte si kishte arritur që ta kap një kali të ushtrisë bullgare, që kishte qenë i ngarkuar me municion. Sipas rrëfimeve të tij, në këtë betejë, gjyshi im dhe një shqiptar nga Bajgora, i kishin zënë pozicionet te muri i shtëpisë së Nedelkut (kolon që ishte vendosur më parë në qendër të fshatit Prapashticë). Aty rreth nesh zhvilloheshin luftime të ashpra, mes ushtrisë bullgare dhe asaj shqiptare. Pushkët tona ishin ngrohur aq shumë, sa që edhe nuk gjuanin si duhet. Pa pritë mas pranë nesh vinte një kali i ngarkuar. Me shpejtësi dhe kujdes të madh, kam arritur që ta kapi atë kali për kërpeshi, dhe ta shti në shtëpinë e Nedelkut tregonte gjyshi. Kali kishte qene i ngarkuar me armë dhe municion. Ne i siguruam armët tjera, për të vazhduar luftën, dhe për pak qaste mbetëm vetëm ne të dytë. Pas pak kohe u dëgjuan duke thirrur fshatarët tanë, ne dolëm dhe u bashkuam me ta. Kur dolëm te Xhehemi, hymë në shtëpinë e Bulit të Brahimit. Atij i kujtohej se aty kishin qenë tre ushtarë shqiptarë të vrarë, që ishin bartur pas vrasjes në front. Gjyshi im atë kali e kishte marrë dhe dërguar në shtëpi. Pas disa viteve, gjyshi këtë kali e kishte shti në lamë për fshirjen e drithërave, dhe kur ishte afruar pranë këtij kali që të ja ndërrojë kahen e ecjes në lamë, kali pa pritë mas ja kishte këputur gjysmën e veshit. Gjushi ishte zemëruar në këtë kali, dhe pasi kishte dëgjuar se italianët janë duke i blerë kuajt në Leskocë, ky me një shqiptar tjetër, për dy ditë rrugë i kishin dërguar kuajt, dhe i kishin shitur në Leskoc.
Pas një rezistence disa javësh, ushtria bullgare e ndihmuar edhe nga njësitet e ushtrisë serb dhe oficer rusë arritën që ta thyejnë kufirin dhe të depërtojnë në drejtim të Prishtinës. Gjatë kësaj lufte, ushtria bullgare i dogji shumë shtëpi në fshatin Prapashticë dhe fshatrat tjera, po ashtu bëri krime edhe në popullatën civile duke vrarë të moshuar, fëmijë dhe dhunuar gra. Bazuar në rrëfimet e gjyshes time që për të shpëtuar nga ushtria bullgare ishin strehuar te familjarët e saj në Viti të fshatit Marec, ajo tregonte se kur u kthyem prapë në shtëpitë tona, ushtarët bullgar e kishin djegur, demoluar dhe plaçkitur shtëpinë. Sipas rrëfimeve të saj të gjitha kacat (tinarët) e djathit i kishin ndotur, madje edhe duke e kryer nevojën mbi djathë. Kjo ishte djegia e pestë e Prapashticës brenda pesë dekadave. Me 19 nëntor ushtria bullgare dhe serbe hynë në Prishtinë, dhe u hakmorën ndaj popullatës shqiptare, duke i pushkatuar afër 100 figurat më eminente të qytetit të Prishtinës.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë botërore e deri në vitin 1999, Prapashtica dhe banorët e këtij fshati, kishin kaluar nëpër vuajtje, burgosje, rrahje në aksionin e armëve, pak ri këndellje në vitet shtatëdhjeta, më pas diferencime, burgosje, vrasje dhe prapë djegie në luftën e fundit të shekullit XX.
Kontributi i banorëve të Prapashticës, për çlirimin e Kosovës ishte mjaftë i madh. Në fillim të viteve 90-ta, takimi i parë për formën e organizimit të rezistencës kombëtare ishte mbajtur në mullirin e Bajram Fanës në Prapashticë. Në këtë takim kishin marrë pjesë mjaftë figura të skenës politike shqiptare të ditëve të sotme. Po ashtu pas fillimit të Luftës së UÇK-së, 1998/99, në muajin mars të vitit 1998, axha im Kajtaz Namani e ofron për shërbime ushtarake shtëpinë e tij në lagjen e Vreshtave në Prishtinë. Kontributin më të madh në këtë luftë e jep dëshmori i kombit Ismet Asllani, Komandant i Logjistikës së Brigadës 153 të UÇK-së. Kërkoj ndjesë për mos përmendjen e kontribuuesve tjerë në këtë luftë, e që pa dyshim janë të shumtë. Me 18 prill ushtria serbe, me arsenalin më të rëndë ushtarak e fillon ofensivën kundër njësiteve të UÇK-së dhe popullatës civile në fshatin Prapashticë. Ushtria serbe e dogji fshatin dhe la të vrarë rreth 30 burra dhe gra të Prapashticës.
Kjo datë shënon edhe djegien e gjashtë të Prapashticës nga ushtria serbe e bullgare gjatë shekullit XX.
Siç shihet Prapashtica, gjatë shekullit XX, është djegur gjashtë herë nga ushtria serbe, duke humbë me mijëra banorë, andaj konsiderohet të jetë vendbanimi më i dëmtuar gjatë shekullit XX.

– FUND –

__________________
DR.QAZIM NAMANI: GJENOCIDI SERB I KRYER NË PRAPASHTICË SIPAS BURIMEVE HISTORIKE DHE RRËFIMEVE NGA FAMILJARËT E MI (I)
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=11015
***
DR.QAZIM NAMANI: GJENOCIDI SERB I KRYER NË PRAPASHTICË SIPAS BURIMEVE HISTORIKE DHE RRËFIMEVE NGA FAMILJARËT E MI (II)
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=11017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura