Prishtinë, 09. 03. 2014 – Për dallim nga popujt e tjerë në ish-Jugosllavi, shqiptarëve të Kosovës iu desh të organizonin një qëndresë kundër pushtimit serbo-jugosllav shumë më të gjatë në kohë. Luftën e tyre për çlirim e udhëhoqi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, (UÇK), çka përbën, dhe faktorin kryesor për sigurimin e pavarësisë së Kosovës. Ndaj misioni dhe vepra kombëtare e UÇK’ës mbetet një obligim prioritar për studimet tona albanologjike.
Platforma, që dominoi për një kohë të gjatë jetën politike në Kosovë, ishte ajo që formuloi lidershipi politik i LDK, me në krye I.Rugovën. LDK’ja e artikulonte kërkesën për pavarësi, si zgjidhja e vetme politike. Herë-herë ajo e parashtronte edhe si zgjidhja më e mirë, çka nënkuptonte se nuk ishte zgjidhje e vetme. Në këto kushte, kur LDK’ja ishte futur në një rrugë pa krye, opcioni për çlirimin e Kosovës, kërkonte domosdoshmërisht një alternativë të re. Në këtë frymë, e vetmia rrugë që kish mbetur për të bërë zgjidhje përfundimtare ishte përdorimi i forcës, përmes organizimit të lëvizjes së armatosur. Një gjë të tillë, duket se e kishin konstatuar më parë edhe ekspertët e NATO’s. Duke iu referuar një studimi të tyre, shtypi i huaj vërente se, problemi i Kosovës i kishte rrënjët në ndarjen me dhunë të popullit shqiptar më 1913.(1) Indirekt ata aludonin se zgjidhja e tij me luftë qëndronte në rendin e ditës.
Ibrahim Rugova: “Në Kosovë nuk është e mundshme që një guerilë të fitojë luftën. Nëse bëhet luftë nuk do të mbetet popull shqiptar”!!!!
Në këtë situatë, në mendimin politik shqiptar po kristalizohej gjithmonë e më shumë ideja se çlirimi i Kosovës dhe krijimi i shtetit të pavarur nuk mund të arriheshin pa luftë. Serbia, ashtu si në të kaluarën, nuk lëshonte pe. Ai qëndrim i saj lindi nevojën e rezistencës aktive, luftën e armatosur. Rezistenca paqësore dhe përdorimi në ekstrem i saj, e adoptuar kryesisht nga udhëheqja e lartë politike e LDK’së dhe e koalicionit të saj, përbënte një shkak tjetër kryesor, që i dha shtysë lëvizjes së armatosur të UÇK’së. Predikimi pa kufi i një rezistence të tillë bëhej pa kuptim për sa kohë që dhuna e pushtetit serb vinte duke u përshkallëzuar. Madje mospërdorimin e forcës edhe në kushtet e mbrojtjes legjitime, shtypi i huaj e konsideron si faktor plus, që Kosova të shndërrohej në një kamp përqendrimi.(2)
Kjo politikë, bëri që Ibrahim Rugova ta humbiste gradualisht monopolin (më vonë edhe kontrollin) e lëvizjes politike për çlirimin e Kosovës. Për rrjedhojë, duke filluar nga viti 1997, një pjesë e popullsisë filloi të anonte gjithmonë e më shumë nga kërkesa për veprime dhe aksione militante (3).
Mbi këtë bazë, udhëheqja e lartë e UÇK’së arriti në përfundimin se në strategjinë e luftës për çlirimin e Kosovës, për momentin duheshin bërë dy ndërhyrje të rëndësishme taktike: e para lidhej me taktikën e luftës guerile, nëpërmjet organizimit të aksioneve luftarake zinxhir dhe e dyta lidhej me nevojën e prezantimit dhe të daljes publike të luftëtarëve të UÇK’së.
Nisur nga këto qëndrime, më 28 nëntor 1997, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK’së shpalli për herë të parë publikisht ekzistencën e UÇK’së dhe misionin e saj si një organizatë e dalë nga populli për përmbushjen e vullnetit të tij për çlirim dhe për vetëvendosje. Kësaj ngjarjeje madhore historike, i paraprinë protestat masive të studentëve të Universitetit të Prishtinës, me 1 tetor 1997. Protesta e studentëve pati ndikim të rëndësishëm për riformatimin e rrugëve për zgjidhjen e çështjes Kosovës. U thye “miti” i rrugës paqësore, bashkë me të edhe plani i tryezës së bisedimeve Prishtinë – Beograd. Në mënyrë të veçantë, protesta i zbuloi të metat në hartimin dhe në zbatimin e platformës politike të LDK’së. Ajo i dha një grusht të rëndë mendësisë politike, që e cilësonte Millosheviqin partner të besueshëm në bisedime. Protesta e vuri presidentin Ibrahim Rugova përballë kritikës publike për dobësi në ushtrimin e detyrës së vet funksionale. Shtypi i Kosovës (“Bujku” dhe “Koha Ditore”) pas një investigimi të kujdesshëm arriti t’i zbulonte marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Unionit të Pavarur të Studentëve dhe presidentit. Konflikti ndërmjet tyre lindi pas një deklarate të Ibrahim Rugovës, sipas së cilës, studentët duhej të mbanin një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e rëndë të krijuar në Kosovë.(4)
Lideri i saj, Rugova, duke shfaqur mospajtimet e tij lidhur me protestat, paraprakisht, citohet t’ia ketë tërhequr vëmendjen Unionit të Pavarur të Studentëve të Prishtinës (UPSP), “…që të jetë i kujdesshëm, sepse është pjesë e shoqërisë së Kosovës dhe ka përgjegjësi për këtë.”(5) Udhëheqja studentore ia drejtoi një letër presidentit Ibrahim Rugova, në të cilën i kërkohej t’i rikonsideronte thëniet e veta të pamatura. Letra tërhiqte vëmendjen se përgjegjësia për situatën në Kosovë dhe për dhunën e ushtruar mbi protestuesit binte mbi organet e pushtetit serb. Ndërkohë vinte në dukje “… studentët, si pjesa më potenciale e kombit, nuk mund të identifikohen e aq më pak ta mbajnë barrën, siç thoni Ju (Rugova), së bashku me organizmat e tjerë politikë dhe institucionet shtetërore”.(6) Më 1 tetor të vitit 1997 në Kosovë njëherë e përgjithmonë ishte prishur “baraspesha e frikës” e vendosur midis shtetit paralel të shqiptarëve dhe pushtuesve serb”.(7)
Këtë realitet të ri të krijuar pas protestave të studentëve dhe sidomos pas daljes në skenë të UÇK’së, qarqet politike dhe diplomatike brenda dhe jashtë Kosovës e përjetuan në mënyra të ndryshme. Liderët e politikës legale të Kosovës ende vazhdonin ta mbronin me kokëfortësi tezën e tyre të vjetër. Kështu, Fehmi Agani, nënkryetar i LDK’së, paraqitjen publike të UÇK’së e komentoi me formulën e njohur, sipas së cilës prezantimi publik i pjesëtarëve të UÇK’së nuk presupozonte aspak ekzistencën e një organizate të tillë.(8) Krejt ndryshe reagoi për ngjarjen Partia Parlamentare e Kosovës, posaçërisht lideri i saj Adem Demaçi. Ai përshëndeti daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenën politike, ekzistenca e të cilës, sipas tij, nuk ishte më një dilemë, as dhe një rastësi, por një domosdoshmëri objektive. “Ne nuk kemi dilemë, theksonte Demaçi, sa i takon së drejtës së çdo populli të robëruar që t’i përdorë të gjitha mjetet për ta fituar lirinë e vet”.
Nga fundi i vitit 1997, në procesin e masave për forcimin dhe për konsolidimin organizativ, Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi një përmasë të rëndësishme politike. Me qëllim që të shndërrohej në faktor negocimi, ajo integroi në gjirin e saj Adem Demaçin. Me këtë lëvizje mori goditje të rëndë opinioni negativ në radhë të parë në Serbi, Rusi, aleatët e tyre historikë sllavë, dhe jo vetëm ndër ta. Adem Demaçi, i quajtur Mandela shqiptar dhe i nderuar me Çmimin Saharov, për botën shqiptare, por edhe për opinionin demokratik, politik, akademik euro-perëndimor, paraqiste figurë të çmuar dhe të respektuar. Shkrimtari i madh Ismail Kadare theksonte: “Është një mrekulli që shefi i saj (UÇK)-I.H. shpallet një shkrimtar, e aq më tepër, një shkrimtar martir.”(9)
Me shndërrimin i UÇK’së në organizatë me karakter ushtarako-politik, jeta civile në Kosovë mori tipare të theksuar militariste. Aksionet luftarake të UÇK’së filluan të bëheshin pjesë e ndërgjegjes qytetare. Shtypi i kohës, me analiza kritike të përsëritura ndalej të Marrëveshja e Dejtonit, e cila jo vetëm e nënvleftësoi, por e nëpërkëmbi problemin e Kosovës. Në këtë kuptim e nxirrte në pah edhe përgjegjësinë ndërkombëtare, që populli i Kosovës të anonte gradualisht nga zgjidhja e krizës me mjete ushtarake. Animin nga zgjidhja me mjete ushtarake e arsyeton edhe më shumë përgjigjja e shefit të misionit diplomatik të SHBA’ve në Beograd dhe pjesëmarrës në Konferencën paqësore për Bosnjën dhe Hercegovinën në Dejton, Rudolf Perrina, i cili pas një takimi me dr.Ibrahim Rugovën, pati deklaruar se Kosova nuk u përfshi në Konferencën e Dejtonit, sepse në “Dejton janë ftuar vetëm ata që kanë luftuar.”(10)
Gjithsesi, faktori politik shqiptar, ende nuk po ndërgjegjësohej plotësisht për rolin e faktorit të UÇK’së për zgjidhjen e krizës dhe në përgjithësi të çështjes kombëtare. Kjo rrugë, përveç sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar, për të parandaluar shtrirjen e konfliktit në Ballkan, i përshpejtonte ritmet e zgjidhjes, dhe ç’është më kryesorja, e ngrinte në shkallë të lartë fitoren e shqiptarëve. Mbi të gjitha faktori i vjetër politik nuk po e kuptonte se kjo organizatë (UÇK’ja), për herë të parë, pas afro një shekulli luftë e sakrifica, arriti ta shndërronte çështjen e Kosovës në një kauzë të madhe gjithëshqiptare. Ismail Kadare do të konstatonte se ishte UÇK’ja ajo që i ra kambanës së alarmit për të zgjuar gjithë planetin. “Ishte ajo që u vra e u copëtua për t’i bërë të qartë botës se ç’po ndodhte në Kosovë…”.(11)
Edhe pse UÇK’ja përbënte një fakt në realitetin kosovar, disa personalitete politike dhe intelektuale në Kosovë, shpreheshin me skepticizëm për misionin e saj fisnik çlirimtar. Më e keqja ishte se ata hidhnin dyshime për mundësinë e keqpërdorimit të saj politik nga regjimi serb. Ndër ta, mjaft aktiv, paraqiteshin figurat politike që aderonin në LDK, të cilat në daljet publike preferonin ta mohonin ekzistencën e saj. Në krye të tyre qëndronte vet lideri kryesor Ibrahim Rugova, që e promovonte më shumë një rrugë të tillë. Rugova kishte deklaruar, se “në Kosovë nuk është e mundshme që një guerilë të fitojë luftën. Nëse bëhet luftë nuk do të mbetet popull shqiptar”.(12) Në këto kushte UÇK’ja ishte në konflikt edhe me politikën e vjetër kosovare, e cila “me një ‘gandizëm’ jashtë vendi e jashtë kohe, po vriste dita-ditës nervin e qëndresës së popullit të Kosovës; e në fund, këto forca të reja u gjenden shpesh herë në konflikt edhe me Tiranën zyrtare dhe atë jo-zyrtare; e para, sepse ishte tepër e dobët, e pra tepër e kujdesshme për të rënë ndesh me qëndrimet e fuqive të mëdha, e dyta ishte tepër egoiste e idhnake për të vënë interesat kombëtare mbi ato vetjake të ardhjes me çdo kusht në pushtet”.(13) Nga distanca historike, nga fitorja e madhe që UÇK’ja e arriti së bashku me popullin ndaj ushtrisë serbe, nga aleanca e madhe historike, ushtarake dhe diplomatike e UÇK’së me NATO’n, del se, kualifikimet e bartësve të politikës pacifiste, të cituara më lart, ishin kundërhistorike, ishin të paqëndrueshme, për më shumë ishin edhe mllef ndaj forcës kombëtare, UÇK’së.
Si përfundim, me daljen e UÇK’së, filloi një etapë re në historinë bashkëkohore të shqiptarëve. UÇK’ja hyri në jetën politike, si një faktor i ri, që do të thotë se zgjidhja e çështjes së Kosovës kërkonte përdorimin e mjeteve ushtarake. Lufta e armatosur e UÇK-së, përbënte një segment të rëndësishëm, të historisë së vendit tonë dhe se ishte e vetmja forcë kombëtare, ushtarake dhe politike e cila siguronte çlirimin e Kosovës nga sundimi serb.
———————–
Fusnotat:
1. Qendra Informative e Kosovës (QIK), Prishtinë, 16 qershor 1997.
2. Kosova një kamp përqendrimi, “Rilindja Demokratike”, Tiranë, 24 dhjetor 1997.
3. “ Rilindja Demokratike“, /ATSH/, Tiranë, 9 korrik 1997
4. Studentët paralajmërojnë Rugovën, “Rilindja Demokratike“, Tiranë, 29 tetor 1997.
5. “Bujku”, Prishtinë, 26 shtator 1997.
6. Po aty.
7. Jusuf Buxhovi, Kosova, 2012, f. 729.
8. Po aty, f. 208, QIK, Prishtinë, 3 dhjetor 1997.
9. Ismail Kadare, Ra ky mort e u pamë.
10. Blerim Shala, Vitet e Kosovës 1998 -1999, “Zëri”, Prishtinë, 2003. f. 21-22.
11. Ismail Kadare, Shqiptarët në kërkim të një fati të ri, f. 32.
12. L. Dogan Tiliç, Kosova, Ankara,1999,f. 115.
13. Pëllumb Xhufi, Lufta e Fundshekullit XX për Kosvën të autorit Ismet Hajrullahu, 2012, f.9.
(Një version i kumtesës të mbajtur në forumin e 6’të publik të organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, me rastin e 6’vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Tiranë, 14 shkurt 2014)
============================
(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)