PËRPARIM DEMI: NJERIU NUMËR NË SHOQËRINË GLOBALE!

Bukuresht, 3 Dhjetor 2018: Deri më sot shoqëria njerëzore është si fusha e “piramidave” të dimensioneve te ndryshme, ku elementi bazë është individi. Familja, kjo “Piramidë”, bërthamë e shoqërisë, bashkësia e të cilave formon grupet fisnore, klanet, të cilat kanë lidhje gjaku, gjuhë dhe tradita të përbashkëta. Bashkësitë fisnore ndajnë teritore, formojnë qëndra banimi të ndryshme, mëhalla, katunde, fshatra dhe këto së bashku formojnë krahina me karakteristika të veçanta gjuhësore, kulturale, etnografike etj. Kështu u formua kombi shqipetar si tërësi krahinash të ndara dhe të lidhura me njëra tjetrën.
Kjo strukturë e trashëguar, dikur tribale, në kohët moderne u ristrukturua administrativisht, për motive ekonomike dhe politike. Koncentrimi i popullsisë formoi qytete dikur dhe sot shumë njerëz jetojnë në metropole gjigande të dimensioneve të një shteti, ku traditat individuale përzihen, shkrihen dialektet dhe gjuhët, kultura, formojnë bashkësi njerëzish të unifikuar me një histori të re, me probleme dhe interesa të reja, të cilat evolojnë me kohën, duke u orientuar drejt njëriut të standartizuar.
Shëmben “piramidat”, tereni rafshohet, bëhet pllajë e sheshtë e betonuar, e asfaltuar, ku ecin individët sipas rregullave të qarkullimit të vendosura paraprakisht. Në këtë fazë, çdo individ paiset me një numër përcaktues të identifikimit personal. Regjistrat civile, këto arkiva tashmë elektronike të popullatës, ku njëriu s’ka identitet dhe kthehet në numër. Individët banojnë njëri mbi tjetrin në pallate, të cilët sa vijnë dhe lartësohen, ku sejcili ka një adresë si e kutisë postale.

Njëriu tribal jetonte i lirë në natyrë, por sot njëriu standart, i transformuar në numër, jeton në hapësira të vogla betoni me ajër të kondicionuar, lëviz brënda një perimetri, nga i cili rrall del. Jeta e tij është e lidhur pazgjidhmërisht me adresën, me paranë, faturat dhe qiranë. Sot, kur njerëzit lëvizin nëpër hipermagazina duken si milingonat që shpien ngarkesën e rëndë në fole, e lëshojnë atë dhe nisen të ngarkohen përsëri. Përsëri, përsëri, çdo ditë, çdo javë, sa rruga u bëhet monotone, si në një marshim pafund të detyruar, pa ditur pse dhe jeta nuk jetohet më, por konsumohet. Në turmën e metropolit vlerat konfundohen, përmbysen, zëvëndësohen, disa dhe zhduken fare. Kur sasia bëhet vlerë, cilësia injorohet, s’dallohet më, anashkalohet si gjë pa vlerë. Kështu i pasuri sot vetdeklarohet i shkathët dhe i mënçur, pasi ka para, pa çka se si i mblodhi. Ndërkohë i varfëri përbuzet, konsiderohet i paaftë, injorant, dembel dhe i pa fat. Disa thonë “kështu e ka jeta, su bëmë si këmbët e dhisë”, vallë ashtu të jetë me të vërtetë? Ja pra si ndroi morali.
Njeriu numër në shoqërinë globale. Ai është konsumator dhe prodhues, prosumator siç ka filluar të quhet. Ka shumë të drejta me ligj dhe në letër, të cilat nuk i gëzon dot asnjëherë. Është numër, pjesë e turmës tashmë të nënshtruar, të cilit i tregohet si duhet të jetojë, ku të jetojë, ku të punojë, çfarë të konsumojë dhe si duhet të flasë që të mos zgjojë shejtanët, pasi zëmërimi i tyre bie mbi të. Ky numër në rritje, si furtuna e rërës në atmosferën globale do mbulojë gjithshka dhe “perënditë” akoma nuk ja kanë gjetur zgjidhjen si ta mbajnë në fre. Të gjitha eksperimentet e industrisë farma, apo armatimit, me gjithë llogaritë e holla të bankave dhe shumëkombësheve të suksesshme, nuk dhanë rezultatin e dëshiruar, kontrollin e plot. Për pasojë njëriu numër shtohet dhe varfërohet, e ardhmja bëhet edhe më pak e sigurt, më shumë e paqartë. Politika ndron robat sipas sezonit dhe askush s’e di çfarë mban nën fustan.
Kur high-tech (teknollogjia digitale) mbriti tek njeriu i rradhës, gjithnjë e me shpesh flitet për teorinë e konspiracionit, e cila u perfeksionua dhe u përhap paralelisht me teorinë e globalizmit nga konspiruesit e padukshëm mbi pushtet. Sa filma SF kemi parë, ku mësuam forma të ndryshme njerëzish numër të mikrocipuar, turma të kontrolluara, e deri tek gjysëm robotët, syborg që ecin dhe veprojnë sipas një softi të instaluar dhe të kontrolluar nga qëndra, diku në distancë. Këto filma na parapregatisin dhe na mësojnë si të sillemi dhe si të veprojmë në shoqërinë globale, na thonë se ky do jetë modeli, destinacion i pashmangshëm për njerëzimin, një e ardhme e kontrolluar, e detyruar.
Pra kemi të bëjmë me një strategji, me një plan të detajuar dhe të vënë në zbatim tashmë. Një program i shkruar diku nga dikush me një kolektiv autorësh, të cilët e korigjojnë sa herë vjen rasti dhe kur u duhet. Çdo kundërvënie, çdo lloj rezistence, thonë ata do ketë pasoja fatale të shuarjes së këtij civilizimi. Pra jemi të kërcënuar vazhdimisht dhe si gjithmonë frika zgjidhet si një instrument në realizimin e qëllimit. Skenari më i avansuar ishte ai i seris së filmit MATRIX, ku njerëzit nuk ishin gjë tjetër veç një program i ndërtuar nga “Arkitekti”. Në fund doli se dhe ai në fakt ishte veç një program. Shumë e komplikuar.
Njerëzit e mësuar vetndërgjegjësohen, prandaj që kjo të mos ndodhi, ka hyrë në modë të kryhen reforma pas reformash në arsim, për të mos arritur dija deri tek ndërgjegjia. Njeriut numër i duhet një volum i kufizuar informacioni, aq sa të kryej punën e një roboti të specializuar. Informimi i tepruar e streson – thonë ata. Sidomos në fushat shoqërore, tekstet dalin me shumë variante dhe kur zgjedh njërën prej tyre hyn në konflikt me pjesën tjetër opozitare, së cilës iu ofrua të mësojë me variante të tjera tekstesh. E drejta copëzohet, thërmohet, deri sa humbet pamja dhe forma e së tërës, e drejtësisë që dinim dikur, ose që na ofronte memorja kolektive. Sllogani i ditës – historia fillon dhe mbaron sot, e kaluara është e konsumuar, në emër të së ardhmes duhet ta harojmë. Sa helm ka brenda ky sllogan!
Ajri, kjo perzjerje molekulash të gazeve të ndryshme është pa ngjyrë, ai merr ngjyrë kur ngopet me avuj të ndryshëm. Molekulat apo grimcat e ndryshme të pluhurit thyejnë dritën dhe qielli merr ngjyra të ndryshme, të kaltër, gri… Po natën ama, kur drita mungon, ne shohim yjet, pasi ato ekzistojnë jashtë kësaj atmosfere të ndotur.
Në fakt çfarë shohim ne kur jemi zgjuar?
Bukuresht, 03. 12. 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura