Mynih, 8 prill 2018: Entela Binjaku – Bashkëbisedim me Isuf Bytyçin
Entela Binjaku: Kush është Isuf Bytyçi dhe cila është veprimtaria e juaj?
Isuf Bytyçi: Që nga viti1981, unë e kam filluar veprimtarinë time kombëtare! Por, intenziteti dhe dinamika i janë shtuar prej vitit1988, kur i vuri masat e dhunshme Sllobodan Millosheviqi, mbi Kosovën! Por haptas, që nga viti 1990 jam kyçur në organizim legal, që në fillim i kemi organizuar organet paralele shtetërore, i kemi mbledhur të hollat për arsimtarë, ndihma për familjet e varfëra, jemi marrë me shtrimin e rrugëve, kemi formuar mbrojtjen teritoriale dhe, pothuaj se të gjitha punët shtetërore i kemi bërë, në fshat e komunë, dhe deri në muajin korrik `93 kam qenë kryetar i fshatit, atëherë kur filluan të vijnë ftesat “Për një bisedë informative”, nga policia serbe! Si shumë shqiptarë nga Kosova, edhe unë ika për Gjermani, që të kthehem brenda një kohe të shkurtër! Por, nuk u ktheva kurrë, përveçse për pushime, mbas luftës së fundit! Kam qenë anëtar i kryesisë në shoqatën QKSH “ RILINDJA”, në Munih rreth tetë vite, anëtar i kryesisë në shoqatën „SHQIPONJA“, që në kuadër të kësaj shoqate e kam përkthyer në gjuhën shqipe „Sistemi Shkollor në Bavari“, „ Me edukatë të mirë rrisim fëmijë të shëndoshë“ ( kundër drogës) e disa projekte tjera, të cilat i kemi punuar si broshurë dhe në internet i kemi shpërndarë dhe, kam mbajtur seminare në lidhje me këto tema, për shqiptarë e joshqiptarë. Kam dhënë kontributin tim në shoqatën “BAVAREZE – KOSOVARE” dhe “UNIONIN PANEURPOIAN“, në Bavari. Aktiviteti im i lirë është se merrem me gazetari si gazetar i lirë, që zbrazëtinë, të cilën e kam që nuk punoj me nxënës si arsimtar i gjuhës shqipe në shkolla të mesme, merrem me shkrime nga fusha të ndryshme dhe së shpejti do ta botoj një libër publicistik. Përveç gjithë këtyre, prej vitit 2011 jemi përpjekur dy herë ta hapim mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe dhe na dështoi, por tani në herën e tretë kemi arritur ta themelojmë dhe për çdo ditë jemi duke u konsoliduar.
Isuf Bytyçi
Entela Binjaku: z. Bytyçi, le të zhvillojmë një intervistë me ju, ku të paraqitet puna juaj lidhur me mësimin plotësues të gjuhës shqipe nëBavari. Mund të na tregoni, ju lutem rreth nismës suaj të ditëve të fundit. Si erdhët deri te ky çast dhe na tregoni se cilat janë arritjet?
Isuf Bytyçi: Zonjë e nderuar, ju falënderoj për kohën, të cilën e keni gjetur për të biseduar, në lidhje me Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari.
Sa i përket organizimit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, mund të them lirisht se është një punë e gjatë dhe e mundimshme! Derisa popujt tjerë e kanë kaherë këtë çështje zgjidhur, në Bavari, ne shqiptarët, e kishim Mësimin Plotësues në kohën e Ish-Jugosllavisë, por, nën mbikëqyrjen e shtetit Jugosllav! Ndërsa, tani prej vitit 2011 është hera e tretë, që jemi duke upërpjekur ta organizojmë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, gjë që nëtë dy herat e para kemi dështuar që në hapat e parë e, në herën e tretë, më duket se me gjithë vështirësitë që i kemi, e kemi arritur qëllimin!
Kur them se e kemi arritur qëllimin, mbështetem në disa të arritura dhe fakte. Faktet janë këto: Prej viti 2016 e kemi formuar një grup pune, që kemi punuar intenzivisht dhe mbas një viti kemi arritur ta mbledhim Kuvendin, në Prill të vitit 2017, e kemi zgjedhur kryesinë dhe kryetarin për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari. Pastaj, na kanë shkuar edhe disa muaj që ta themelojmë shoqatën, statutin dhe rregulloren për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe! Pas gjithë këtyre përpjekjeve, e kemi regjistruar shoqatën në qytet dhe e kemi marrë nga Financa e Bavarisë numrin tatimor, që punëtorët e arsimit për Mësimin Plotësues të paguhenlegalisht dhe pa ndalesa tatimore, me honorarnga kjo shoqatë humanitare! E kemi zgjedhur këshillin e arsimtarëve dhe këshillat e prindërve shqiptarë në Landin e Bavarisë. Ndërsa tani, para sa ditësh e kemi zgjedhur një komision monitorues, i cili do të merret me punën e arsimtarëve dhe të prindërve, që vlen të përmendet se përveç kësaj, e kemi zgjedhur edhe një këshill, i cili do të merr kontakt me organet gjermane për pranimin e notës së gjuhës shqipe në dëftesat e nxënësve dhe kemi biseduar me organet shtetërore, që edhe kemi arritur të marrim ndihma financiare, por në mënyrë simbolike, nga qyteti i Munihut. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Diasporë, të Kosovës, me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Punëve të jashtme të Kosovës. Por, jemi duke u përpjekur që edhe ministritë e tilla të shtetit shqiptar t’i kontaktojmë, në mënyrëqë ta shtrijmë bashkëpunimin sa më gjerë.
Gjithë këto punë, të cilat i kemi bërë, unë,në emrin tim dhe në emrin e shoqatës e falënderoj: Mustafë Krasniqin – kryetar i shoqatës dhe ideator e themelues i LAPSH-it në Bavari, i cili ka bërë shumë punë, që të vijmë deri këtu. I falënderoj gjithë aktivistët dhe prindërit shqiptarë, që shumë mund kanë bërë, që të jemi, këtu ku jemi! Po ashtu i falënderoj mësueset, të cilat prej ditës së parë na kanë qëndruar pranë. Po ashtu i falënderoj shoqatat dhe ndërmarrjet shqiptare, që jetojnë e veprojnë në Bavari e, sidomos Fondacionin BESA, që edhe materialisht na ka ndihmuat, z. Isak Neziri pronar i ndërmarrjes “EFA”,e falënderojmëpër ndihmën materiale edhe z. Fatmir Drenica pronar i një restorani në Munih, e falënderojmë, i cili po ashtu na ka ndihmuar me ushqime falas, nërastin e mbajtjes së seminarit, i cili u mbajt në Munih. Përveç këtyre, i falenderojmë edhe përfaqësuesit e konsullatës Shqiptare – Kosovare: z. Hamdi Reçica, z. Faket Kajtazi, z. Arten Hanku edhe z. Dashnor Ibraj. I falënderojmë znj. Valbona Rroçi, z. Dr. Edmond Skenderi, por jo vetëm këta! Ministrinë e Diasporës nga Kosova dhe z. Avdyl Lipoveci – drejtor në këtë ministri, atë të MASHT-itdhe të Punëve të jashtme nga Kosova dhe Shqipëria.
Në fillim dukej si e pamundur kjo punë, disa njerëz na thanë se i parealizueshëm është ky qëllim, saqë edhe unë e kisha një dozë frike dhe skeptik isha, që nuk do të bëjmë gjë në këtë drejtim!
Këshilli punues i LAPSH-it dhe konsulli shqiptar, z. Dashnor Ibraj
Entela Binjaku: Cilat janë nevojat dhe sfidat që keni, sipas jush?
Isuf Bytyçi: Për ta realizuar me sukses, Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, nevojat janë të shumta! Por, unë do të përpiqem t’i përmend ato më kryesoret: 1) prezenca dhe aktivizimi i arsimtarëve kompetentë shqiptarë, 2) Angazhimi i prindërve shqiptarë, 3) lejimi i objekteve shkollore, 4) koha e lejimit të objekteve nga organet shkollore, 5) sjellja e teksteve shkollore nga atdheu, 6) shumë me rëndësi është mosbyrokracia në shpërndarjen e teksteve dhe7) paga e arsimtarëve.
Ndërsa, sfidat nuk janë të pakta, por edhe të pakalueshme nuk janë! Për të hapur klasë për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, na duhet një ushtri njerëzish me një mori përpjekjesh!
Sistemi organizativ
Mënyra e Organizimittë Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, bëhet sikur puna e një koreografi me një ansambël të tërë! Hapi i parë është ky: arsimtar-i/ja, duhet të dalë në teren dhe të takojë prindër shqiptarë dhe krejt në mënyrë private të komunikojë me ta, në lidhje me Mësimin Plotësues! Të kontaktojnë edhe prindër tjerë, në mënyrë që ta kenë një numër nxënësish për një klasë, prej 12 deri në 25 nxënës, në mënyrë që t’i lejohet hapja e klasës. Pra, një klasë e hapur, guxon ta ketë numrin minimal 12 nxënës e jo më pak edhe 25 nxënës duhet të jetë numri maksimal. Shkollat, s‘kanë të drejtë të japin informata për nxënës! Kur të formohet lista me emrat e mbiemrat e nxënësve,shoqata jonë për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, i bën një kërkesë shkollës, me emrin dhe vulën e shoqatës. Ne, në bashkëpunim me prindërit, arsimtarin dhe shkollën e caktojmë, një ditë në javë me dy orë mësim. Shkolla na kthen përgjegje dhe, disa herë mund të ndodhë se edhe na ndryshojnë kohën e mbajtjes së mësimit, apo edhe mund ta refuzojnë kërkesën! Pas refuzimit të kërkesës, ne i drejtohemi përsëri, ministrisë së arsimit bavarez dhe shkollës, që zakonisht në herën e dytë, marrim përgjegje pozitive.
Problem tjetër është bindja e fëmijëve, që të shkojnë në Mësimin Plotësues, por disa herë edhe prindërit nuk janë të mendimit se fëmija i tyre mund të përfitojë gjë nga mësimi i gjuhës amtare! Tjetër pengesëështë mundësia e sjelljes së fëmijëve në shkollat, ku mbahet Mësimi Plotësues, për shkak të jetës dinamike që bëhet në Bavari. Shumica e prindërve, përveçse e kanë nga një punë të rregullt, ata e kane edhe nga një honorar, që nuk e bëjnë për luks, por jeta është tejet e shtrenjtë dhe pagat, zakonisht janë të ulta. Tjetër problem, janë disa aktivistë shqiptarë të shoqatave tjera shqiptare dhe, dikush nga xhelozia e dikush nga mosdija e pengojnë me propagandë, Mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari! „ Për inat të rejës, më vdektë djali“, thotë populli! Janë, pra disa intrigantë e sharlatanë, që nuk pushojnë duke bërë propagandë kundër Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe!
Metoda e punës në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe
Puna në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe bëhet në grupe të përziera! Prej klasës së parë deri në klasën e dhjetë, zakonisht i ndajmë në tri grupe nxënësish brenda një klase. Niveli i parë nga klasa e parë deri të tretën, niveli i dytë prej klasës së katërt deri të gjashtën dhe niveli i tretë prej klasë së shtatë deri të dhjetën.
Forma e pagesë së arsimtarëve
Problem tjetër është pagesa e arsimtarëve, që momentalisht prindërit i paguajnë për një fëmijë 10 euro, për dy fëmijë 15 euro dhe për tre fëmijë 20 euro, që kjo është një pagesë solide!Ndërsa, rastet sociale, përjashtohen nga pagesa! Kjo formë e pagesës për MësiminPlotësues në Gjuhën Shqipe, do të bëhet derisa të merret qëndrim dhe vendim nga organet shtetërore, pa marrë parasysh, ato shqiptare apo gjermane!
Për gjithë këto,besoj, që shteti shqiptar dhe ai kosovar, do tandërmarrin një vendim, në favor të fëmijëve tanë, sepse shqiptarët janë duke u asimiluar me shpejtësi!
Mbajtja e seminarit në Munih
Entela Binjaku: Si mendoni se do të mund të ndihmojë shteti amë në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë e Bavari?
Isuf Bytyçi: Unë mendoj se nuk është edhe aq e lehtë ndihma, që do të duhej t’i bëhet diasporës sonë, për organizimin e ruajtjes së gjuhës e kulturës shqiptare! Por, kjo është një domosdoshmëri, e cila duhet të realizohet! Pse, e them këtë? E them, sepse diaspora shqiptare është tejet e rëndësishme për atdheun, si në aspektin ekonomik, politik edhe kulturor! E, përveç këtyre, ne jemi pjesë e atdheut, që nevoja është e dyanëshme.
Shteti shqiptar edhe ai kosovar, do të duhej ta gjejnë një model dhe ta imponojnë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, kudo, në diasporë! Por, jo vetëm kaq, ato duhet ta gjejnë një model se si ta investojnë materialisht një përqindje, për Mësimin Plotësues. Pastaj, të bëjnë presion në shtetet ku ka shqiptarë, që ta pranojnë edhe gjuhën shqipe në shkollat e tyre, sikur gjuhën spanjolle, italiane, turke, kroate etj. Dhe, pastaj ta monitorojnë dhe ta kontrollojnë, atë.
Entela Binjaku: Cilët kanë qenë mbështetësit apo përkrahësit tuaj kryesorë?
Isuf Bytyçi: Mbështetësit, apo përkrahësit tanë, janë të paktë, në krahasim me nevojën, që ka Mësimi Plotësues! Thash më parë se neve na duhet një armatë njerëzish, që ta realizojmë këtë synim, kaq madhor! I përmenda më lart, se kryesisht janë aktivistët, arsimtarët, prindërit, disa shoqata e biznese dhe disa përfaqësues tëkonsullatës së përbashkët shqiptare – kosovare. I vogël është numri i atyre, që po na ndihmojnë, në krahasim me atë që duhet të jetë, por për ditë janë duke u vetëdijesuar, shqiptarët.
Entela Binjaku: Në dijeninë tuaj, në sa shkolla mësojnë fëmijët shqiptarë, gjuhën shqipe?
Isuf Bytyçi: Edhe pse unë mbaj detyrën e sekretarit në shoqatë, numrin e saktë nuk e di, sepse Bavaria është e gjerë dhe në çdo muaj hapen klasa të reja, por sipas mendimit tim,më herët ishin diku rreth 6 klasa e, tani i kemi mbi 20 klasa në Bavari, po ashtu dhe mbi 8 klasa tjera janë në pritje që të hapen! Presim nga organet përkatëse, dhe drejtoritë e shkollave, që të na lejojnë mbajtjen e mësimit nëpër shkollat e tyre. Numri mund të shkojë deri në 400 nxënës, që e mësojnë gjuhën shqipe në Bavari.
Entela Binjaku: Cili është synimi dhe mesazhi i juaj për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari?
Isuf Bytyçi: Synim i yni është që sa më shumë t’i vetëdijësojmë prindërit dhe fëmijët shqiptarë e, të shkojnë masivisht në mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, kudo që janë, sepse kështu mësohet e ruhet gjuha e nënës, kultura dhe identiteti kombëtar! Të jenë të aftë fëmijët tanë, lirshëm të komunikojnë me njerëzit e tyre, kur të shkojnë për pushime në atdhe, ta dinë e ta duan gjuhën e kulturën e tyre. Të komunikojmë me institucionet gjermane, që ta pranojnë edhe gjuhën shqipe, sikur qe pranohen notat, në dëftesat e shkollave bavareze: në gjuhën spaniolle, italiane, turke, kroate e tj.
Ndërsa mesazhi ynë është ky: që le t’i dërgojnë shqiptarët, fëmijët e tyre në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari e kudo që janë në diasporë, sepse interesi është i yni – i shqiptarëve!Ku është interesi, vjen pyetja? Interesi është, se pse fëmijët tanë kur të flasin rrjedhshëm, ndihen më mirë në familjet e tyre, në atdhe! Se pse kur fëmijtë tanë e mësojnë gjuhën e nënës , historinë e kulturën, më tepër e duan flamurin dhe atdheun e tyre! Se pse, kur e mësojnë fëmijtë gjuhën e tyre, edhe gjuhën e shtetit, në të cilin jetojnë e mësojnë më mirë dhe në atë vend nuk asimilohen, por integrohen! Sepse, fëmijtë tanë kur e mësojnë gjuhën e tyre, iu shkon mendja të investojnë dhe ta ndihmojnë atdheun e tyre dhe çka është më e rëndësishme se fëmija, i cili e mëson gjuhën e tij, e mëson edhe identitetin e tij dhe nuk mashtrohet aq lehtë për t’u martuar me këdo, por kërkon fatin brenda kombit të tij/saj. Ky, pra është qëllimi dhe arsyet, se pse duhet ta mësojnë gjuhën, historinë, gjeografinë dhe kulturën e tyre, fëmijtë tanë.
Entela Binjaku: Kujt do t‘ia drejtonit këtë mesazh?
Isuf Bytyçi: Me këtë mesazh i drejtohem gjithë shqiptarëve, që t’i çojnë fëmijtë e tyre në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe! Por, edhe atij numri të vogël shqipfolësish, që të mos e pengojnë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, sepse jo vetëm që është punë e pandershme, por edhe antikombëtare është propaganda kundër Mësimit të Gjuhës Shqipe në Bavari! Dhe se, nëse vazhdojnëpër ta penguar këtë punë, këta sharlatanë, ne herën tjetër do t’ua përmendim emrat e mbiemrat në mjetet e informimit, kudo që janë!
Ndërsa juve, zonjë e nderuar, ju falënderoj për interesin dhe kohën që keni gjetur, për të komunikuar rreth kësaj teme kaq madhore, Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari.