Tiranë, 02. 03. 2016: (Parathënia e librit “Përgjuesi serb i Ismail Qemalit”) Libri “Përgjuesi serb i Ismail Qemalit” përmban tre relacione të Zhivojin Ballugxhiqit, i cili në muajt shkurt, mars e prill të vitit 1913 u përpoq të vendoste një mardhënie me kreun e Qeverisë së parë Shqiptare që, pas shekujve të rëndë të pushtimit osman, ishte në muajt e parë të funksionimit të saj.
Po kush ishte Zhivojin Ballugxhiq? Ai ishte një politikan i ri, por që kishte provuar pasojat e luftës politike. Për shkak të qëndrimeve të tij, pushtetarët e dinastisë së Obrenoviqëve arrijnë ta ndjekin e ta persekutojnë, po riardhja në pushtet e Karagjorgjeviqëve e nxori nga kjo gjendje. Ballugxhiqi, diplomat i Mbretërisë Serbe dhe Mbretërisë Jugosllave, ka lindur në vitin 1868 në Beograd ku filloi edhe shkollimin lartë për drejtësi, të cilin e përfundoi në Gjenevë. Nga Serbia emigroi në vitin 1894 dhe u kthye në vitin 1903, kur edhe u punësua si sekretar i Peter Karagjorgjeviqit. Tre vjet më vonë u emërua si sekretar në legatën serbe të Stambollit. Duke filluar nga viti 1907 ai ishte konsull në Shkup dhe për një vit tjetër konsull në Manastir. Në vitet 1909-1912 ishte konsull në Selanik. Me këtë status qëndroi në tre muajt e vitit 1913 edhe në Shqipëri. Ai ka shërbyer si ambasador në Athinë, Romë, Berlin, kur dhe doli në pension në vitin 1935. Zhivojin Ballugxhiq ka vdekur në vitin 1941. Materialet arkivore të ruajtura në Arkivin Diplomatik të Beogradit, përkatësisht tre relacionet e tij dërguar Kryeministrit të Mbretërisë Serbe “u zbuluan” nga historiani Zekeria Cana dhe u përgatitën prej tij për botim në vitin 1979. Por ata e panë dritën e botimit tre vjet më vonë në vitin 1982 si pjesë e librit të tij “Shpalime historike”.
***
Materiale arkivore të tilla gjithnjë kanë nevojë të kthjellohen nga një dorë mjeshtri, që duhet të depërtojë në frymën dhe germën e tyre, të ndriçojë rrethanat historike dhe aq sa mundet të futet në shpirtin e personazheve, që përfshihen në ngjarjet e përshkruara. Sado që të maskohet, çdo dokument, pasqyron përveç frymës së përgjithshme të kohës edhe interesin vetjak të hartuesit të tij. Nga ana tjetër duhet marrë parasysh edhe interesi i atij të cilit i adresohet së pari ky dokument. Çdo relacionshkrues e di se për çfarë dëshiron të informohet eprori i tij dhe në ç’mënyrë e do të formuluar informacionin.
Lupa e studjuesit, pa u tronditur e befasuar nga pamjet e reja, por shpesh edhe të mjegulluara e të shtrembëruara, shqyrton deri në palcë shpirtin e kohës, gjen këndvështrimin e “relatorit” a të “përgjuesit” duke mos u ndikuar prej tij dhe shfleton shtresat e nënshtresat kuptimore të dokumenteve. Shenjat shpirtërore të shkruesit qëndrojnë të ngrira germë pas germe e fjalë pas fjale. Në rastin që po shqyrtojmë, është stampuar përfundimisht e ngrirë, sjellja e përulur e nëpunësit servil, përfshirë këtu përshkrimet hiperbolike të mundimeve dhe përpjekjeve të tij në dobi të kauzës shtetërore serbe. Në raportet e tij “diplomatike” mbetet gjithashtu i paretushuar edhe qëndrimi përbuzës ndaj bashkë punëtorëve të tij shqiptarë, që për hir të interesave vetjake, ishin të gatshëm të bëheshin shërbëtor të zellshëm e të përulur të çdo zotërie të radhës. Ndërsa ironia, karakterizimet negative dhe ngërdheshjet sarkastike për kundërshtarët e pabindur, të përfshira në relacione, duhen vlerësuar vetëm si zbukurime stilistike.
Vështirësitë për studjuesin nga Prishtrina nuk ishin të vogla. Rreziku i qëndronte mbi krye si shpatë Damokleu. Sepse, së pari, ndonëse kishte ndërruar emër, në thelb për shqiptarët, regjimi i Beogradit edhe 70 vjet më vonë, kishte mbetur sërish një regjim pushtimi. Edhe sjellja e politikës serbe ndaj pushtetarëve të Shqipërisë nuk kishte ndryshuar aq shumë. Ishte synuar dhe synohej që shteti shqiptar të mos fuqizohej, të mos shndërrohej kurrë si faktor i fuqishëm në arenën ndërkombëtare, që interesat shtetërore jugosllave, përkatësisht serbe të mos cënoheshin asnjëherë. Dhe mbi të gjitha, të ruhej dhe të përjetësohej statusi i pushtuar i trevave shqiptare të grabitura para dhe pas luftrave ballkanike.
Gjykuar në këtë aspekt, duhet vlerësuar edhe sot guximi intelektual i Zekeria Canës, i cili pavarësisht prej rreziqeve, deshi tu zbulojë shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, një fragment të errët, por kuptimplotë të përpjekjeve serbe që synonin mbytjen e shtetit shqiptar që në fillimet e ngritjes së tij. Madje, duke shfrytëzuar distancën që regjimi i ri i ashtuquajtur pushtet i popullit kishte marrë ndaj regjimit të vjetër, studjuesi do të përpiqej të zbulonte edhe një pjesë të vogël të veprimtarisë agjenturore. Që të rrafshohej pylli nuk mjafton kurrë vetëm tehu i mprehtë i sëpatës, por duhet që edhe bishti i sëpatës të nxirret prej drurëve të pyllit që do të pritej. Në varësi të njohjes, në periudha të ndryshme historike, heronj dhe tradhëtarë shpesh kanë këmbyer vendet me njëri-tjetrin. Zekeria Cana e dinte se libri i tij përmes marrëveshjeve zyrtare të kohës për shkëmbimin e botimeve të ndërsjella, do të mbërrinte në Tiranë, ku së paku do të binte në dorë të kolegëve të tij studjues. Ai shpresonte që, kësisoj, ndërhyrjes shoviniste serbe të pasqyruar gjerësisht në dokumente, do t’i shtohej edhe një nuancë e re.
A kishte staf të vetin Zhivojin Ballugxhiqi?
Edhe pse relacionet heshtin, konsullata serbe që drejtonte aso kohe diplomati në fjalë e kishte stafin e vet, një pjesë e të cilit në plotësim të detyrave të reja natyrisht që bashkë me eprorin, nga Selaniku ishte zhvendosur në Shqipërinë e mesme (në qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, etj. pranë shtabeve e trupave të ushtrisë serbe, mbrojtjen e së cilës e kishin të domosdoshme. Madje pranë kësaj fuqie aspak miqësore për shqiptarët edhe këshillat “miqësore” dhe kërcënimet diplomatike ndaj tyre do ta rrisnin efektin..
Në përputhje me synimet që donin të arrinin, relacionet zbardhin një galeri personazhesh me të cilët ka bashkëpunuar Ballugxhiqi. Janë përfaqësues të një klase të lindur nga regjimi i perënduar osman, që kanë përfituar prej tij, krahas pasurive të tundshme edhe sipërfaqe të mëdha tokash, ara të punueshme, pyje dhe kullota. Në relacione dalin emra të shumtë me të njejtin mbiemër: “Beu”. Gjykimi i diplomatit për ta mbështetet kryekëput vetëm në dobinë e tyre në favorin imediat të pushtuesit serb, por sugjerimi mbetet për një bashkëpunim afatgjatë e strategjik. Që në relacionin e parë ai qartëson gjendjen e njerëzve dhe të familjeve me influencë, të cilat duhet të ndikoheshin e të bëheshin për vete.
“Qendër e kësaj ane është Tirana, ku e gjithë fuqia është e mbledhur rreth familjes Toptani, së cilës i përkasin: Esad Pasha, mbrojtësi i Shkodrës, Avdi Beu, ministër në Vlorë, Hamid Beu, tani në Durrës, Fuat Beu në Vlorë, dhe Masar Beu, tani në Napoli. Pas Tiranës vjen Kavaja, ku është familja e njohur historike e Ibrahim Beut. Nga nipat e tij jetojnë dhe nderohen shumë Shesuar Beu dhe Masar Beu. Në Peqin është selia e familjes së Demir Pashës, në Mat është më e njohur familja e Xhemal Pashës, të bijtë e të cilit janë Xhelal Beu dhe Ahmed Beu, që çmohen shumë. Në Elbasan… në Dibër… në Berat… në Tepelenë …në Korçë… në Kolonjë … familjet (e bejlerëve) ndajnë midis tyre pasurinë dhe autoritetin e të gjitha atyre viseve. S’ka dyshim se pos këtyre bejlerëve ka edhe të tjerë që luajnë rol, por ata nuk kanë mbështetje familjare. Me familjet e përmendura mund të punohet dhe doemos duhet të punohet.” Si pjella të pushtuesve osman familjet e bejlerëve duhej të kishin fatin e pushtuesve, pra të largoheshin nga jeta politike, por aso kohe kjo çeshtje nuk ishte aspak në rendin e ditës. Ardhjen e pushtuesit të ri, sipas Ballugxhiqit, bejlerët e pritën me krahë hapur. U paraqitën te Ballugxhiqi si njerëz të persekutuar prej “turkoshakëve”, që madje kishin luftuar me polemika të zjarrta deri në sallonet e pashallarëve të Manastirit apo të qendrave të tjera të vilajeteve shqiptare. Një pjesë e tillë patriotësh këtë linjë martirizimi do të përpiqej ta çimentonte përmes botimit të dëshmive dhe kujtimeve në shtypin e Mbretërisë shqiptare, kur kërkonin të merrnin statusin e veteranit të përndjekur nga osmanët.
***
Ky botim përforcon idenë e nevojës për një vlerësim koherent lidhur me qëndrimin ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesit. Çdo i huaj, i ardhur pa ftuar në vendin tonë nuk mund të jetë as mik, as vëlla. I huaji mund të qëndrojë për disa ditë, javë, muaj, për disa vite a për disa shekuj si në rastin e pushtimit osman. Kohëzgjatja e pushtimit nuk e ndërron natyrën e bashkëpuntorëve. Nuk i bën ato më të mirë a më të këqinj. Ata vlerësohen si bashkëpunëtorë në opozicion të natyrshëm me kundërshtarët e pushtuesve që quhen luftëtarë të lirisë apo edhe në rastin më fatlum si çlirimtarë.
Historiografia jonë nuk i është përgjigjur sa duhet e si duhet pyetjes thelbësore: Pse shqiptarët dolën të fundit nga dominimi osman, pse u bënë pre kaq e lehtë e fqinjve, të cilët në marrëveshje me njëri-tjetrin dhe aq sa mundën plotësuan orekset e tyre duke zaptuar trojet shqiptare? Pse nuk arritën të bëhen bashkë shqiptarët, të organizohen në momentin vendimtar dhe pse u zhvlerësuan aq shpejt traditat e tyre luftarake? Ideologu i Rilindjes shqiptare, Sami Frashëri, në vitin 1899, në veprën e tij programatike “Shqipëria çka qënë, ç’është dhe çdo të bëhetë” u bie kambanave të alarmit nga droja se mos Shqipërinë do ta zënë nën vete gërmadhat e kalbura të perandorisë që po shembej. Dhe këto gërmadha nuk vonuan të përfshijnë nën vete mijra km2. Nga katër qendra vilajetesh shqiptare: Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë, vetëm Shkodra mbeti brenda kufijve të shtetit shqiptar. Dhe vetëm 28 mijë km2, nga 80 mijë km të katërçipta, siç shkruante rilindasi ynë i madh.
Po a mos u ra pak me vonesë këmbanave të alarmit Shemsedin Sami Beu? Jo vetëm ai, por edhe patriotë të tjerë shqiptarë i dinin përpjekjet serbe dhe greke, që përmes programesh të veçanta kombëtare, që në mes të shekullit XIX, po luftonin të zgjeroheshin në kurriz të trojeve shqiptare. Prej asaj kohe qarqet greko-serbe që vëzhgonin nga afër gjendjen e popullsisë, u qederosën për shkallën e atdhedashurisë shqiptare dhe që të shuhej ajo sa më shumë, nuk lanë dy gurë bashkë që të mos hapeshin shkolla shqipe, madje t’i linin pa kurrfarë shkollimi shqiptarët. E dinin se edhe në gjuhën turke, po të ishte arsimi, do të sillte fryte në dobi të zgjimit kombëtar të arnautëve. Për të zgjatur errësirën e thellë, fqinjët agresiv kërcënuan, burgosën, helmuan dhe vranë patriotët më të devotshëm brenda trojeve shqiptare. Me një vizion të qartë për synimet e tyre, rekrutuan mercenarë duke e zgjidhur qesen për bashkëpunëtorët që do tu duheshin në momentin e duhur.
Momenti erdhi, kur ushtritë fqinje serbe dhe pak më vonë edhe greke vërshuan duke mbytur me lehtësi rezistencën spontane të popullsisë. Vallë pse ndodhi kjo hata, pse nuk e shkrepën pushkën për mbrojtjen e vendit dhe të jetës së tyre shqiptarët, të cilët europianët i vlerësonin deri aso kohe si raca më luftarake e Ballkanit? Kur e pushtuan Shkupin, pse turmat e armatosura kryengritëse lanë frontin duke u tërhequr për hunde nga agallarët e tyre? Ku i patën sytë dhe veshët të mos shihnin dhe dëgjonin aleancën e haptë që u lidh midis Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Bisedimet dypalëshe e shumpalëshe midis tyre në rang kryeministrash rreth ndarjes së presë shqiptare kishin zgjatur intensivisht për një vit rresht.
A e tundën si duhet këmbanën e alarmit rilindësit e shquar? Vepra e tyre është e plotë, e pa qortueshme, ku, së paku në veprën e Samiut, koha historike vështrohet në tre aspekte: e djeshmja, e sotmja, e nesërmja. Një vizion i qartë që do të ndriçonte mendjet më të fjetura. Po sa u lexua aso kohe kjo vepër-këmbanë? A mos ishte e pa mjaftueshme tundja e saj, apo aq pak sa tringëlloi ajo për miletin analfabet, nuk mund të dëgjohej nga veshë e mendje të shurdhuara prej pushtimit të gjatë shekullor? A mos u rrudh dhe u ligështua dora e Rilindasit të shquar për shkak të dënimit fatal të vëllait të tij, Abdyl Frashërit, njërit prej organizatorëve më mendje hollë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?
Si njohës i jashtëzakonshëm i historisë në përgjithësi dhe historisë së shtetit osman në veçanti, Samiu e dinte se shpata e përgjakur e sulltanëve kishte prerë papushim krena shqiptarësh të pabindur. A mos liria kombiare kërkonte therorira më të shumta prej secilit, a mos ndarja me të keqen mund të bëhej më e prerë duke hequr dorë me kohë nga privilegjet që vinin prej kontributeve në zyrat e perandorisë së kalbur? Ashtu siç ia këshillonte çdo shqiptari, a duhej të largonte me kohë edhe shpatullat e veta nga muret e kalbura të shtetit që po rrëzohej?
A mund të ishe njëkohësisht guvernator në Liban, pra robërues i një populli tjetër dhe liberator për popullin tënd si në rastin e Pashko Vasës, të cilit shumë shqiptarë vazhdojnë t’i thonë edhe Vaso Pasha?!
Përgjigja e pyetjeve nuk duhet të synojë zhvlerësimin e figurave tona, por rivlerësimin e tyre. Që të kuptojmë se në krahasim me fqinjtë, pavarësisht se kishim ngritur kaq herë krye ndaj perandorisë, nuk ishim përpjekur sa duhet për tu distancuar prerë prej pushtuesit. Edhe heronjtë e mbrojtjes së autonomisë së tyre territoriale dhe fetare, mirditorët ishin të detyruar kundrejt pagesës, të merrnin pjesë atje ku e kërkonin fushëbetejat e interesave ku përfshiheshin sulltanët. Mercenarizmi shqiptar në shërbimin osman shpesh herë u kishte rënë në qafë edhe fqinjve, siç edhe fqinjët, sa ishin të pushtuar, janë mobilizuar po kaq shpesh prej pushtuesve për të shuar kryengritjet shqiptare. Pushtimi shekullor solli një trullosje masive që shkoi deri në errësimin e vetëdijes kombëtare. Ky errësim qe më i shprehur pikërisht në ato shtresa që morën pushtet e pasuri prej strukturave perandorake. Dhe kur erdhi ora e ndarjes me “të sëmurin e Bosforit”, siç quhej Turqia, krerët e korruptuar filluan të sillen si pula pa krye, të kërkojnë mbështetje edhe atje ku nuk mund të kërkohej. Dikush mbante sytë nga Athina, dikush tjetër nga Beogradi, dikujt tjetër nuk i besohej se Dovleti kishte vdekur dhe se i vdekuri duhej kallur sa më shpejt në dhe.
Qartësimi i pyetjeve do të sjellë edhe një koherencë më të drejtë ndaj bashkëpuntorëve të pushtuesit osman: kadilerë, bejlerë, kajmekamë dhe pashallarë të shumtë, të cilët sipas një tendence synohet që të përfshihen në fisnikërinë shqiptare.
Nën ndikimin e autorëve sllavë (rusë dhe serbë) u evidentuan edhe bashkëpunëtorët e austro-hungarezëve, të cilët vazhduan të stigmatizohen për gjysmë shekulli. Koha e Mbretërisë së Zogut, për turpin e analizës historike u konsiderua si pushtim. Pas vendosjes së regjimit komunist do të kaloheshin në filtër secili individ që kishte lidhjen më të vogël me administratën e shtetit të parë modern shqiptar. Dashuria ndaj këtij shteti jetëshkurtër (1924-1939) u konsiderua kriminale. A mos ruhej nostalgjia sulltanore në subkoshiencën e çlironjësve komunistë që në 45 vjet u lëkundën në vartësinë e tyre sa nga Beogradi, Moska dhe Pekini i largët, për të përfunduar në dimrin e vetmisë, që do t’i zbonte nga pushteti me turp?
Në të vërtetë mund të gjenden paralele të shumta midis sulltanatit osman dhe sistemit diktatorial të Enver Hoxhës, madje adhurimi i përgjithshëm ndaj këtij të fundit që kërkohej të vlerësohej më lart se çdo profet e perëndi, jo vetëm nga njerëzit pranë tij, po prej të gjithë popullit, ia kalonte adhurimit të çdo sulltani. Ai sulmoi sa mundi fashistët dhe nazistët, por mori prej tyre propogandën dhe vijën e sjelljes ndaj kundërshtarëve, duke krijuar e mbajtur deri në fund kampet e shfarosjes. Një pjesë të vendit e vuri në karantinë të përhershme duke i hequr të drejtën e lëvizjes dhe të vendosjen në qytete. Tirana sidomos u bë qyteti ku do të banonin të ardhur nga viset që kontribuan për vendosjen dhe forcimin e pushtetit të tij. Vendi u zhyt në një anarki mbikqyrjesh e urrejtjesh, analiza e së cilës vetëm sa ka filluar. Ende edhe sot figura e prijësit paranojak arrin të sjellë turbullira jo vetëm sociale.
Dënohet me të drejtë pushtimi italian më 7 prill 1939, por është lënë disi në hije 14 prilli i atij viti, kur deputetë dhe ansambleistë të zgjedhur shqiptarë, pikërisht ata që e patën shpallur Zogun Mbret të Shqiptarëve, në një akt të pashembullt tradhëtie, i dhurojnë kurorën e sovranitetit të Shqipërisë mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit. 14 prilli duhet të përjetësohet në një shtyllë turpi, por ende nuk janë publikuar emrat e tradhëtarëve të 14 prillit. Ndërsa Ansambeja, që nën pushtimin gjerman i “riktheu” Shqipërisë sovranitetin e grabitur, u qëllua me top. Jo keq, por së paku i njejti qëndrim duhej të mbahej edhe ndaj atyre që e shitën pavarësinë e Shqipërisë, duke u sjellë si majmunë rrugëve të Romës.
Një pjesë antizogistësh u konvertuan në këmishzinj të thekur dhe me kushtrimin stalinian për vëllezërit sllavë të pushtuar, e ndërruan petkun nga fashistë në komunistë. Ndërsa poetë lajkatarë, siç i kënduan Viktor Emanuelit gjatë pushtimit, i kënduan Enverit sapo mori në dorëzim fronin e vendit. Por bashkëpunimi me të huajin dikujt iu përmend gjithë jetën, bile edhe pas vdekjes dhe dikujt tjetër nuk iu zu në gojë asnjëherë.
***
Ky botim përforcon gjithashtu idenë e nevojës për hapjen e të gjitha arkivave, jo vetëm në vendin tonë. Kudo në botë ekzistenca e arkivave dëshmon nevojën shtetërore për të fshehur për një kohë të caktuar një pjesë të veprimtarisë së vet, sidomos në lidhje me interesa jo fort të pastra morale dhe politike. Në vitet e sundimit komunist sfera e shfrytëzimit të burimeve arkivore ishte mjaft e vogël. Vetëm një numër i vogël punonjësish të besuar mund të kishin të drejtë t’i shihnin me sy dokumentet e ruajtura. Ato nuk mund të fotografoheshin e kopjoheshin. Edhe historianët profesionistë i kishin caqet e kufizuara. Sidomos i ashtuquajturi Fond i Partisë mbikqyrej me rreptësi. Ruajtja e burimeve të seleksionuara arkivore që na kanë mbërritur si mbijetesë e përzgjedhjeve periodike, mbase duhet spjeguar me nevojën e regjimit për tu rikthyer në mënyrë të vazhdueshme te “Kutia e Pandorës”, sa herë i lindte nevoja udhëheqjes më të lartë, kupto Enver Hoxhës apo Pasardhësit të tij, për të ndërmarrë dënime, ndëshkime e spastrime të radhës.
Megjithatë koha thyen barrierat e çdo arkivi. Thyhen normalisht kufizimet arkivore, kur plotësohet afati i ruajtjes së dokumentave në fjalë, kur edhe bëhet “deklasifikimi” i tyre, pra sekretet e zhvlerësuara dalin në dritë të diellit.
Bota mbase do të ishte më e mirë pa ndjerë nevojën e shumë sekreteve. Jo më kot fjala e parë sot është transparenca për veprimtarinë qeveritare. Përsëritja e kërkesës për transparencë dëshmon mungesën uluritëse të saj. Me sa duket, në vendet e lira transparenca është në krah të lirisë, në krah të zgjerimit të lirive dhe të drejtave njerëzore. Në dritë të diellit është më vështirë të bëhen padrejtësira, vjedhje, grabitje, përdhunime, vrasje e banditizëm.
Kufizimet për një numër dokumentesh me karakter sekret kanë një afat ruajtje 25 vjeçar, kur ata që preken nga zbulimi i tyre do të jenë me një këmbë në varr ose kanë humbur tashmë aftësinë për tu skuqur nga veprimtaria e tyre e turpshme. Një pjesë tjetër dokumentesh ruhen për 50 vjet, kur autorët dhe ata që preken prej tyre i ka ngrënë dheri.
E rëndësishme është se, ashtu si uji që rrjedh nën ura dhe gjeneratat ndërrohen. Secili brez kërkon të mësojë nga kujtesa historike e brezave para ardhës. Kjo është edhe domethënia e domosdoshmërisë së botimeve arkivore. Në fund të fundit nuk ka sekrete të përjetshme. Do të ketë gjithnjë përpjekje njerëzore për t’i zbuluar ato. Edhe në këto 25 vjetët e fundit, në raport me ndryshimet politike, lënia në hije dhe krejt pas dore e arkivave duket, më së paku, e papranueshme. Dokumentet ende janë në gjendje të mjeruar ruajtjeje. Fletët e mbyllura në dosje kërcënohen të zhduken nga përdorimi i tyre. Sistemimi i dosjeve, klasifikimi i tyre shkencor ka mbetur ashtu siç e lanë arkivuesit e regjimit të vjetër. Edhe skedarët e kërkimit i përkasin të njejtës periudhë.
Kërkuesit e sotëm edhe sikur tu hapen dyert në rrëmujën e stisur do të gjenden para një pirgu të panjohurash. Ndërsa për dixhitalizim të arkivave dhe falë teknologjisë së sotme për krijimin e mundësirave që materialet arkivore të shfrytëzohen edhe jashtë mjediseve të arkivave, nuk bëhet fjalë. Deri vonë kishte vetëm një aparat fotokopjeje dhe dokumentet nuk mund t’i marrësh asnjëherë brenda ditës, ndoshta vetëm pas disa javësh, madje për çdo fletë të fotokopjuar me një cmim sa 10 a 20 fishin e çmimeve që gjenden pak metra jashtë mureve të institucionit publik. E gjithë praktika që ndiqet përpiqet të shkurajojë sa të mundet zellin e hulumtuesve. Ndërsa për dokumentet e ish- Armës së Sigurimit të Shtetit ruhet me xhelozi monopoli shtetëror. Sipas një ligji të sapomiratuar, mbi dokumentet e ish-bashkëpunëtorëve ose atyre që kanë vuajtur ndjekjen dhe persekutimin do të kenë akses të kontrolluar vetëm të interesuarit. Të tjerët duhet të konsiderohen kureshtarë të sëmurë.
Sepse edhe privacia duhet të ruhet, bërtet avokati i ligjit. Sigurisht duhet të mbrohen të dhënat personale të secilit, sepse nuk është në interesin publik të marrim vesh sëmundjet e askujt, as prirjet pervese me trupin e tij, as marëdhëniet që trondisin cipën kolektive kombëtare, si bie fjala përdhunimin e të miturve, të bijave a qoftë edhe të prindërve. Për sëmundje të tilla mbase le të shtrëngohen përgjithmonë morsat e sekretit arkivor.
Por për çudinë tonë krime të tilla perverse mbushin faqet e shtypit tonë demokratik. Me to hapen edicionet televizive të lajmeve në orët më të ndjekura. Për të përfituar shikuesin, media kështu shndërrohet në përdhunuesin publik të të drejtave njerëzore duke zbuluar pa mëshirë krahas kriminelëve edhe identitetin e plotë të viktimave, përfshirë këtu edhe fotografitë e fëmijëve a plakave të përdhunuara. Bile pas këtij përdhunimi është përpjekur t’i marrë në mbrojtje duke kërkuar për ta lehtësira ligjore.
Për mbrojtjen e të dhënave personale ka edhe një institucion qendror publik që nuk është ndjerë gjithë këto vite të veprimtarisë së tij. Në këto kushte merret me mend se shkelësit e ligjit janë shumë më të fuqishëm se institucioni, ngritja e të cilit mesa duket nuk është bërë si një nevojë e brendshme e vendit, por më shumë për të plotësuar një detyrim të familjes europiane ku synojmë të bashkohemi.
***
Koha kur u botuan së pari në Prishtinë raportet diplomatike të Ballugxhiqit, viti 1982 përfshihet në një periudhë të vështirë për Kosovën. Pas ngritjes së statusit të saj në Krahinë Autonome dhe si pjesë konstituive e ish-Republikës Federative Jugosllave në vitin 1974, makineria shtetërore serbe u hodh në sulm për të rimarrë pozitat dominuese në Kosovë. Në qendër të ciklonit u vunë të ashtuquajturat “kështjella të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”: Universiteti, Radiotelevizioni, Instituti Albanologjik dhe në përgjithësi entet botuese të Prishtinës duke synuar paralizën e kujtesës kombëtare. U intensifikua gjithshtu puna agjenturore në prapaskenë për të përgatitur mësymjen që do të vinte pas vdekjes së Titos dhe që do të shpërthente me fillimin e demostratave shqiptare më 26 mars dhe 1-2 prill 1981, kur mbi shqiptarët paqësorë u vërsul çeliku i tankeve dhe zjarri i plumbave. Filloi një epokë e errët diferencimi. Mbledhje e procese gjyqësore pa fund në të gjithë Kosovën. Madje në krejt hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi u bë e dukshme edhe prej bulçijve të propogandës, histeria serbe. Akuza të përbindshme, shpifje, sharje, trillime. Sikur shqiptarët ishin shkaktarët që po i vinin flakën paqes dhe “bashkim-vëllazërimit” të popujve nën ish-Jugosllavi. Dolën në skenë etiketimet e hershme shoviniste rreth “primitivizmit të pandreqshëm shqiptar”. Gati sa nuk e përsëritën bishtin e majmunit që ua kishte parë në fillim të shekullit XX ish-kryeministri Vladan Gjorgjeviq. U gjallëruan sërish tezat e gjeoantropologut racist Jovan Cvijiq për karakterin agresiv dhe ekspansionist të shqiptarit që paskësh pushtuar Kosovën, “djepin” e Serbisë.
Në këtë valë që përfshiu gjithë vitet ’80, kur edhe Kosovës iu grabit autonomia e saj, falë qëndresës shqiptare, bota demokratike arriti të shohë më mirë mënxyrën që fshihej pas parajsës jugosllave. U kuptuan më mirë edhe kërcënimet serbe për t’i përzënë ata pas “Bjeshkëve të Nemuna”. Ishte parathënia që do të përmbyllte shekuj të zi përgatitjesh serbe për shfarosjen e shqiptarëve dhe, që do të finalizohej me shkatërrimin e Jugosllavisë dhe me dështimin e ekspansionit serb. Është e kuptueshme se në një klimë të tillë terrori nuk mund të zbërtheheshin në qetësi të gjitha kumtet e fshehta që përmbanin relacionet e diplomatit serb, që flisnin për vitin e largët 1913, koha kur u coptua hapësira jetike shqiptare. Në vitet ’80 bashkëpunëtorët e hapur të regjimit serb kishin lënë në hije hafijet e fshehta. Kasapë me emra shqiptarësh, titullarë institucionesh kukulla, lehnin shqip dëshirat serbe, etiketonin, poshtëronin, rrihnin, thernin e vrisnin shqiptarë bashkë me punëdhënësit serbë. Por edhe në këtë kohë u dëshmua rezistenca kulturore shqiptare. Botimi i dokumenteve të përfshira në “Shpalimet historike” duhet kuptuar e vlerësuar edhe në shenjë nderimi të kësaj rezistence.
***
Në shkurt të vitit 1913, pas trupave të pushtimit në Shqipëri, Mbretëria Serbe filloi edhe ofensivën diplomatike për ta kërcënuar, e vënë nën këmbët e saj Qeverinë e Ismail Qemalit, e cila aso kohe ndjente mbi vete presionin e trupave greke që kishin mbërritur në detin përballë Vlorës, hakërrimën e trupave të shpartalluara turke në pamundësi tërheqjeje për në Turqi dhe ulurimën e armatës serbe, që nuk po i besohej se sa me lehtësi e kishte shkelur e përmbytur hapësirën shqiptare duke kapërcyer Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit dhe Bjeshkët e Nemuna për të dalë në brigjet e Adriatikut, në Lezhë, Durrës e Tiranë. Një llavë tjetër e kësaj armate, pas betejës së përgjakshme të Kumanovës dhe masakrave mbi shqiptarët e Shkupit, qe derdhur luginës së Vardarit e Shkumbinit për të dalë në Elbasan dhe zbritur poshtë Myzeqesë deri në breg të lumit Seman. Megjithatë ngritja dhe funksionimi i qeverisë së Ismail Qemalit edhe pse në kushte e rrethana tepër të vështira për t’i bërë ballë gjendjes së krijuar, ishin një brengë për autoritetet e Beogradit. Fuqitë e Mëdha të kohës, ndërkohë ishin të mbledhura në Londër në nivel ambasadorësh. Po diskutoheshin ndër të tjera, kufijtë e shtetit më të ri të Europës. Krah lakmive serbe, gjendej si gjithnjë aleatja e përhershme, Rusia cariste.
Në këto kushte çeshtja shqiptare mund të dëmtohej, të rrudhej e zvogëlohej, por nuk mund të zhdukej plotësisht, siç do të donin serbët. Feja vetë do të ishte që vetë autoritetet e reja shqiptare, duke përfshirë këtu Ismail Qemalin, tu shkonin për hosh dëshirave serbe, të pranonin diktatin e tyre duke nënshkruar në mos kapitullimin e plotë, pra robërinë vullnetare, së paku të pranonin symbyllur variantin serb të një Shqipërie “muhamedane”, siç e quante Vlladan Gjorgjeviq në librin e tij “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha”, një copë të vogël territori midis lumejve Mat e Vjosë duke përjashtuar plotësisht brigjet detare bashkë me portet e Lezhës e Durrësit.
Për ta kryer këtë mision kryeministri serb Nikolla Pashiq emëroi konsullin e vendit të tij në Selanik, Zhivojin Ballugxhiqin. Diplomati i ri që do të shërbente më vonë deri sa u pensionua si kryediplomat i Mbretërisë Jugosllave në qendrat më të rëndësishme të Europës edhe në Romë e Berlin, ishte më 1913 një njeri i etur për karierë. Mezi priste të shfaqte zellin e tij për t’ia shpërblyer dinastisë mbretërore të Karagjorgjëve, që e pati nxjerrë nga thonjtë e dhunës së Obrenoviqëve. Ai shfaqej i entuziazmuar si çdo serb i devotshëm për fitoret e vendit të tij, bile qe i bindur se gjendeshin kaq pranë ringjalljes së mbretërisë mesjetare të Stefan Dushanit. U duhej vetëm edhe fare pak punë, sa t’ia merrnin frymën përfundimisht ëndrrës shqiptare për liri e pavarësi kombëtare e shtetërore.
Kishte filluar të vihej në jetë programi përfundimtar i “Naçertarnias”. Krenar se sukseset ushtarake qenë mbështetur në një punë të hapur e të fshehtë më se gjysmëshekullore nëpër Shqipëri, ku ishte ngritur një rrjet i dendur agjenturor, Ballugxhiqi filloj me etje punën e tij të përpunimit dhe shtrirjes së mëtejshme të këtij rrjeti me bashkëpunëtorë të zellshëm që do të ishin të gatshëm, sipas tij, të punonin pothuajse haptas në kundërshtim me interesat e Shqipërisë së sapongritur.
Veçse kur bëhet fjalë për personazhet reale që përgojohen, nxitimi në gjykim do të ishte i dëmshëm dhe jo në dobi të së vërtetës. Nuk do të mjaftonin vetëm disa relacione për të damkosur përfundimisht me vulën e fajtorit askënd. Aq më tepër që për asnjë nga personazhet e përmendur nuk u bë kurrfarë gjyqi lidhur me veprimtarinë e tyre. Dhe sot me mungesën e tyre, ata e kanë të pamundur të mbrohen prej akuzave serbe.
Natyrisht kërkohet një reflektim gjakftohtë dhe të hetohen më me thellësi faktet. Në kohëra të rënda pushtimi, kur jetët shqiptare ishin vënë pa kursim nën zjarrin e armëve, nuk mund tu besohet plotësisht as fjalëve të diplomatit, i cili sigurisht kërkonte të vlerësohej nga Kryeministri i tij për “sukseset” e tij në Shqipëri. Ky botim do të gjej lexuesin e përgatitur që do të dijë të zbulojë shtresat e nënshtresat kuptimore të këtyre relacioneve. Dhe padyshim secili prej nesh e ndjen kënaqësinë e zbulimit sadopak të të fshehtave arkivore. Rreth këtij fakti nuk është vonë për të vlerësuar si duhet kontributin e studjuedit të ndjerë Zekeria Cana. Ndërkohë dihet se arkivat serbe fshehin mistere të pafundme edhe të krimeve komplotuese. (Pas kërkesave të përsëritura për rishikimin e teksteve të historisë, fqinjve të bezdishëm, që u rëndon e kaluara, u duhet shtruar kërkesa për hapjen e arkivave të tyre.)
Edhe sipas raporteve të Zhivojin Ballugxhiqit të paraqitura kryeministrit Nikolla Pashiq, Plaku i Vlorës, Ismail Qemali nuk ra në kurthin e diplomatit serb. Ai kundërshtoi i vendosur planet serbe për rrudhjen e mëtejshme të territoreve shqiptare, madje i premtoi diplomatit serb se do të kërkonte në qendrat europiane, çlirimin e krejt hapësirave shqiptare të pushtura nga trupat serbe.
Në ballafaqimin me diplomatin serb, gjithashtu e ruan krenarinë e tij rebele edhe heroi nga Mitrovica, Isa Boletini. Rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme tregoi se të dy heronjtë e Pavarësisë mbase edhe për qëndrimet e tyre të paepura ndaj diplomatit të pa akredituar Ballugxhiq “u dënuan” me vdekje nga qarqet antishqiptare, realizimi mizor i së cilës nuk u vonua të dëshmohej.
Botimi i këtij libri është edhe një homazh nderimi për veprën e tyre të pavdekshme.