KADRI ZEKA NË DOKUMENTE SEKRETE SHQIPTARE (1)

KADRI ZEKA NË DOKUMENTE SEKRETE SHQIPTARE (1)

Nga Sylë Ukshini

Në raportin tepër sekret, të datës 23 korrik 1981, dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, thuhet se Kadri Zeka në një takim i kishte thënë Engjëllit, diplomat shqiptar: “Në muajin nëntor parashikohet të zhvillohen në Kosovë demonstrata të fuqishme. Kërkesa kryesore e demonstruesve do të jetë ‘Kosova republikë’. Nga shtatori, me hapjen e shkollave dhe universitetit do të ketë demonstrata të tjera, por kulmi i tyre do të jetë në nëntor…”

Gazetari i Radio Prishtinës dhe veprimtari i njohur i Kosovës, Kadri Zeka, i cili jetonte në Zvicër, ku kishte marrë strehim politik pas përndjekjes nga regjimi komunist jugosllav, i njohur si bashkëveprimtar politik i vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, me të cilët u angazhua deri në fund për krijimin e një fronti të përbashkët mes organizatave shqiptare në mërgim, u ekzekutua më 17 janar 1982, në afërsi të Heilbronnit, një qytet në veri të Baden-Württemberg, Gjermani.

Kjo është vrasja më e bujshme politike në Perëndim, e cila edhe sot ka mbetur enigmë, pasi autoritetet gjermane deri më sot nuk kanë dhënë një version përfundimtar për autorët e vrasjes.

Dyshimi i përgjithshëm ka qenë se prapa vrasjes qëndronin agjentët e shërbimit sekret jugosllav, i cili prej shumë vjetësh po ndiqte dhe vriste shqiptarët në mërgim, ngjashëm siç bënte edhe me veprimtarët politikë kroatë. Beogradi gjithmonë ka ndjekur metoda të tilla dhe nuk është befasi nëse shumë vrasje politike të pandriçuara në Kosovë, të cilat mbeten akoma të pasqaruara, të kenë autorësinë në Beograd, pasi kjo është forma tradicionale që përdorin regjimet hegjemone për të përçarë palët kundërshtare.

Përmbysja e idesë së jugosllavizmit

Fati i veprimtarit të njohur politik të lëvizjes shqiptare për republikën e Kosovës, Kadri Zeka është një dëshmi dhe një panoramë e ngjarjeve dramatike dhe tragjike nëpër të cilat kaloi Kosova dhe shqiptarët në vitet e komunizmit jugosllav, i cili në aleancë me eksponentët e vet në Kosovë, në emër të sloganit “vëllazërim bashkim”, ishte i vendosur ta mbyste çdo shpresë për avancimin dhe çlirimin e Kosovës. Fati i Kadri Zekës dhe i shumë veprimtarëve të heshtur të Kosovës, që bënë aq shumë sakrifica për kauzën e Kosovës, na kujtojnë se liria e pavarësinë ishte një rrugë e gjatë dhe me shumë përpjekje.

Në fillim të viteve ‘80, me shpërthimin e demonstratave studentore, të cilat pas Prishtinës u përhapën në gjithë Kosovën dhe në emigracion, në Kosovë u instalua pushteti ushtarako-policor jugosllav i dominuar nga serbët. Ky moment përmbysi përgjithmonë idenë e jugosllavizmit në Kosovë dhe mundësinë e ndërtimit të shqiptarit më ndryshe.

Kadri Zeka u përkiste radhëve të patundshme të shqiptarëve të përndjekur politikisht. I ndodhur në këtë rrethanë, si shumë të rinj shqiptarë në Kosovë dhe gjetiu, ai emigroi në Perëndim, jo për të shtuar radhët e gasterbajterëve shqiptarë, por për ta mobilizuar lëvizjen politike në Perëndim, e cila duhej të pranuar se për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve jugosllave, ishte e përçarë ekstremisht dhe pa ndonjë ndikim dhe e pranueshme në Perëndim.

Shumë njerëz zgjodhën rrugën e mirëqenies personale në botën perëndimore, Kadri Zeka vendosi të vazhdonte aksionin e tij politik për Kosovën – si shumë pjesëtarë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. Gazetar me profesion, ai, po të donte do të mund të bënte një karrierë profesionale në shtetin zviceran, i cili ofronte mundësi të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet.

Në mision për riorganizimin e demonstratave

Nga Zvicra, Kadri Zeka do të shkonte gjithandej nëpër Evropë, do të shkonte edhe në Vjenë për të zhvilluar kontakte me shtetin shqiptar, për t’u njoftuar nga afër me atë çfarë po ndodhte në Kosovë dhe sigurisht edhe për të parë mundësinë se çfarë do të ofronte shteti shqiptar në rast se situata në Kosovë mund të shkonte drejt një rebelimi të armatosur kundër pranisë serbe dhe jugosllave në Kosovës. Duket qartë edhe nga kabllogramet e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë se Kadri Zeka angazhohej me ngulm për riorganizimin e demonstratave në Kosovë dhe për krijimin e një fronti unik të organizatave politike shqiptare në emigracion. Për këtë qëllim, në fillim të viteve ’80, Kadri Zekën e shohim duke komunikuar me mërgimtarë shqiptarë nëpër qytetet e Zvicrës dhe shtetet e tjera për t’i mobilizuar ata në lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe vetëvendosjen e shqiptarëve nën Jugosllavinë e atëhershme. Në verën e vitit 1981, ai shpresonte dhe punonte me këmbëngulje që pas hapjes së shkollave dhe të Universitetit të Prishtinës në vjeshtën e atij viti, të niste aksioni politik antijugosllav në Kosovë dhe gjetiu në Perëndim. Zjarri i lirisë tashmë ishte ndezur dhe nuk mund ta shuante më askush.

Njerëzit e misionit diplomatik dhe shërbimit sekret jugosllav në Perëndim, të cilët Kadriun dhe bashkëpunëtorët e tij i ndiqnin në çdo aktivitet dhe lëvizje, dëshironin që përmes eliminimit politik të parandalonin mobilizimin politik dhe mbështetjen e aktiviteteve politike antijugosllave në Kosovë dhe Perëndim. Vrasjet dhe ekzekutimet politike të emigrantëve politikë shqiptarë nga shërbimi jugosllav ishin të njohura edhe nga shtetet e Perëndimit, duke përfshirë këtu edhe RF të Gjermanisë, e cila, si shumë vende perëndimore, për motive gjeopolitike dhe për synimin për ta mbajtur Jugosllavinë sa më larg Moskës në kontekstin e atëhershëm të Luftës së Ftohtë, e siç po ndodhë edhe tani me Serbinë, kishte një kooperim dhe bashkëpunim të ngushtë. Një metodologji e tillë e likuidimit dhe e vrasjeve enigmatike politike nga shërbimi sekret serb ndodhi edhe përgjatë gjithë viteve të mëvonshme si në emigracion, ashtu edhe në Kosovë dhe në shumicën e rasteve ato mbetën të pandriçuara.

Ndjekja dhe eliminimi i kosovarëve në mërgim

Është fakt i njohur se shteti jugosllav dhe agjencitë e tij informative në mënyrë permanente i ndiqnin dhe i eliminonin kosovarët në mërgim që vepronin aktivisht kundër RSFJ-së në planin politik. Sipas autorit maqedonas, Ivan Babanovski, i cili deri me shpërbërjen e shtetit jugosllav kishte qenë edhe vetë pjesëtar i shërbimit sekret, Beogradi kishte informacione të detajuara për secilin grup politik që operonte në emigrim. Emigracioni politik shqiptar në Perëndim, në krahasim me grupacionet e tjera nacionaliste të emigracionit nga Jugosllavia ishte më specifik, sepse e përbënin emigrantë nga emigracioni shqiptar nga Kosova dhe emigrantë nga Shqipëria. Këto grupacione në thelb dallonin ideologjikisht, por megjithatë, në platformën e tyre të përbashkët e kishin idenë për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb dhe krijimin e Shqipërisë etnike, e cila do të përfshinte Kosovën dhe pjesën perëndimore të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Emigracioni politik shqiptar ishte krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, me arratisjen e nacionalistëve shqiptarë të cilët nuk ishin pajtuar me linjën e komunistëve jugosllav për përfshirjen e Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë.

Faksimil i raportit tepër sekret, të datës 23 korrik 1981, dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë

Shkatërrimi i nismës së parë për organizimin ushtarak të shqiptarëve

Në vitet 1970 dhe 1980, fillon të organizohet emigracioni i ri politik nga të rinj shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera etnike nën Jugosllavi, të cilët për dallim nga emigracioni i vjetër, sa për motive pragmatike aq edhe ideologjike, në vend të konfrontimit me shtetin komunist shqiptar zgjodhi rrugën e bashkëpunimit politik. Për më tepër, lidhja me Shqipërinë e grupeve politike në emigracion ishte e rëndësishme për ato, pasi konsideronin se në një luftë të mundshme ushtarake ishte e domosdoshme përkrahje politike dhe ushtarake e qeverisë shqiptare në Tiranë pa marrë parasysh orientimin e saj ideologjik. Vendet euro-perëndimore me sistemet e tyre demokratike dhe me strehimin e emigrantëve politik përbënin një territor për operimin e tyre, ndërsa Tirana vazhdonte të ishte një lloj projektori i shumicës së këtyre grupacioneve politike. Kështu, për të rinjtë shqiptarë nga Kosova, derisa Perëndimi u bë një hapësirë politike që siguronte një bazë të mirë financiare për nevojat e operimit politik, Shqipëria ofronte një mbështetje politike përmes shtypit, radios, televizionit dhe misioneve diplomatike nëpër botë. Por, për shkak të reputacionit të mirë të Jugosllavisë së Titos në Perëndim, nuk ishin të rralla kur shërbimet sekrete perëndimore në bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav mbanin nën vëzhgim aktivitetin e emigrantëve politikë shqiptarë.

Ishte e qartë se Perëndimi asokohe ishte kundër hapjes së çështjes së Kosovës dhe aq më pak të një kryengritje të armatosur shqiptare për realizimin e kërkesës për Republikën e Kosovës. Në sajë të këtij bashkëpunimi midis shërbimeve gjermano-jugosllave, siç pohon James Pettifer, ishte shkatërruar nisma e parë praktike e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës në fillim të viteve 1980 për organizimin ushtarak dhe unifikimin e grupacioneve të majta dhe të djathta shqiptare në emigracion. Kadriu me bashkëveprimtarë kishin vënë një pikë nga e cila nuk kishte më kthim prapa. Ajo pikë duhej të arrihej me mjete politike ose luftë të armatosur.

Pranvera e vitit 1981 si moment kthese

Moment kthese i mobilizimit të shqiptarëve në Kosovë dhe diasporë ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1981, të cilat në formë publike dhe të demonstratave u shtrua kërkesa për statusin e Republikës së Kosovës, që nënkuptonte njohjen e së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë. Në lidhje me këto ngjarje, Elez Biberaj, gazetari dhe ish-Drejtori i Zërit të Amerikës, në punimin “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës”, të botuar në revistën East European Quarterly” në janar të vitit 1983 (fq. 485-510) dhe më pas edhe në kuadër të librit “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes”, pohon se lëvizjen për krijimin e republikës e udhëhiqte një elitë e re, e klasës së mesme dhe e arsimuar, e lindur e rritur në Jugosllavinë Socialiste. Kjo elitë gjithnjë e në rritje dhe përfaqësuesit e saj paraqisnin një rrezik serioz për udhëheqësit kosovarë të mbështetur nga Beogradi, të cilët perceptohen gjerësisht si të korruptuar, tradhtarë dhe aspak të interesuar të çojnë përpara interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.

“Shqiptarët në RSFJ përfaqësonin një grup etnik të indinjuar dhe të pakënaqur me sistemin ekzistuese, të cilin e perceptonin si të strukturuar për të dështuar. Shqiptarët përballeshin me shumë pabarazi: mungesë energjie elektrike, mundësish karriere, lëvizshmërie politike dhe sociale, si edhe diskriminim etnik. Gjatë viteve të fundit, Kosova është karakterizuar nga një politizim etnik në rritje. Megjithëse Kosova ka përjetuar shndërrime të mëdha ekonomike e sociale, shqiptarët vazhdojnë të perceptojnë veten si të nënshtruar ndaj Jugosllavisë”, thekson Biberaj.

Përplasja midis Tiranës dhe Beogradit

Ngjarjet e vitit 1981 dhe ngjarjet e tjera që pasuan për çështjen e Kosovës, u bënë mollë sherri mes Tiranës dhe Beogradit. Për më tepër, autoritetet e Beogradit ishin të shqetësuara se posaçërisht për aktivitetin e fuqishëm të emigracionit me origjinë shqiptare. Organizatat dhe grupet politike zhvillonin propaganda të llojllojshme dhe të gjera solidarizimi me demonstrata dhe lloje të tjera të veprimtarive kombëtare në Kosovë. Këtij aktiviteti iu përgjigjën të gjitha grupacionet dhe organizatat emigrante shqiptare me origjinë shqiptare, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova. Qëllimi themelor i këtyre demonstratave ishte përkrahja e ngjarjeve të Kosovës, përhapja e informacioneve alternative nëpërmjet botimit të gazetave, broshurave dhe botimeve të tjera speciale. Autoriteteve jugosllave në këtë kohë në radhët e emigracionit shqiptar shihnin një veprim unik kundër shtetit jugosllav.

“Megjithëse me orientim properëndimor, vjen në shprehje ajo që është karakteristika themelore e këtij emigracioni – nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptaro madh dhe formimi i Shqipërisë së madhe. Prej shumë llojeve të regjimeve, lloji më masiv konsideroheshin demonstratat që ishin organizuar në Frankfurt dhe Washington, bashkë me emigracionin kroat, në Bruksel dhe disa qytete të tjera të RF të Gjermanisë dhe në Zvicër.

Paralelisht me këtë synohej që demonstrata e vitit 1981 të përsëriteshin në Kosovë, në mënyrë që të mos venitej rezistenca kundër regjimit jugosllav dhe nomenklaturës kosovare komuniste, për të cilën status quo-ja politike ishte e vetëmjaftueshme për mirëmbajtjen politike dhe të mirëqenies së saj në kohën kur praktikat më represive të sundimit jugosllav mbi Kosovën provonin imponimin e të drejtave të kufizuara kombëtare dhe federale. Në të njëjtën kohë, duke llogaritur në mbështetjen e kundërshtarëve të idesë së jugsllavizmit, Kadriu dhe bashkëveprimtarë të tjerë gjithashtu synuan të mobilizojnë popullsinë në mbështetjen e kauzës së Kosovës për vetëvendosje, me sa duket duke shpresuar të zgjerojnë bashkëpunimin dhe mbështetjen e Tiranës zyrtare. Njëkohësisht, përmes një aksioni të tillë synohej të sensibilizohet opinioni ndërkombëtar për dhunën shtetërore që u përdor nga agjencitë jugosllave të sigurimit të shtetit kundër inteligjencës kundër popullsisë civile në Kosovë.

Nga ana tjetër, elita komuniste kosovare provoi të mobilizonte popullsinë në mbështetjen e tyre, duke zgjeruar bazën e tyre të pushtetit dhe duke e amnistuar vetveten moralisht për krimet politike të së kaluarës, të cilat ose i heshtnin ose ua zhvendosnin bartëses të politikes qendrore në Beograd. Në vend të kësaj, elita kosovare dhe federale “u përqendrua pothuajse ekskluzivisht në orientimet ideologjike dhe motivet nacionaliste dhe neglizhoi shkaqet komplekse të konfliktit. Kriza e rëndë ekonomike që mbërtheu vendin kontribuoi më tej në përçarje. Kriza e Kosovës ekspozoi kufijtë dhe kufizimet e modernizimit socialist dhe nxori në dritë kuptime divergjente të interesave republikane dhe federale” (Robert Pichler, Hannes Grandits dhe Ruža Fotiadis).

Direktivat për ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë në lidhje me Kosovën

Kadri Zeka, sigurisht i koordinuar edhe me vëllezërit Gërvalla, kishte vendosur që për këto aktivitete të komunikonte dhe konsultohej edhe me diplomatët e Shqipërisë, me qëllim që të njihej nga afër me pozicionin e tyre dhe kryesisht të shkëmbeheshin informacione për aktivitetin e emigracionit politik në Gjermani dhe vende të tjera. Synimi ishte i qartë: në Kosovë të forcohej fryma e rezistencës politike antijugosllave si hap drejt një aksioni të organizuar ushtarak, për të cilin shqiptarët e Kosovës kishin pritje të madhe, mbase edhe jo realiste. Ndonëse në planin ushtarak Shqipëria kishte pak për të ofruar, në planin politik përfaqësitë e saj diplomatike kishin në qendër të vëmendjes ngjarjet e vitit 1981 dhe kjo temë shtrihej në të gjitha takimet me diplomatë, gazetarë, e personalitete të vendeve pritëse, shoqata dhe pjesëmarrës të emigracionit politik. Natyrisht, komunikimi në përfaqësitë diplomatike shqiptare ishte i kujdesshëm dhe tregohej kujdes maksimal që të shmangeshin kontaktet me personat e panjohur apo të tillë që dërgohen nga shërbimi jugosllav.

Që nga 4 prilli i vitit 1981, ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë morën udhëzime se si duhej të silleshin lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe çfarë kërkesa duhej të shtronin në takimet e tyre. Për më tepër, Shqipëria tregohej e kujdesshme në të gjitha takimet dhe në të gjitha nivelet duke potencuar me insistim se Republika e Shqipërisë “as ka ndërhyrë, as ka pasur dhe as ka asnjë lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë.” Në përputhje me këtë orientim, diplomatët shqiptarë në të gjitha takimet edhe me përfaqësues të emigracionit politik shqiptar tregoheshin të kujdesshëm, pasi dëshironin t’u shmangeshin akuzave të Beogradit, se Tirana zyrtare po ndërhynte në punët e brendshme të shtetit jugosllav, por “gjykonte se kërkesat e drejta, që rrjedhin nga Kushtetuta e RSF-së të Jugosllavisë, është e ligjshme t’u njihen shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi.” (Ministri Nesti Nase, AMPJ, vitit 1981). Në përgjithësi udhëheqja shqiptare mbronte qëndrimin se shkaqet e protestës së studentëve duhej kërkuar më tepër te prapambetja ekonomike e Kosovës dhe te mungesa e të drejtave politike. Mbi këtë këndvështrim, Tirana mbante qëndrim më të moderuar se vetë emigracioni shqiptar, duke riktheksuar se ajo angazhohej për një Republikë të Kosovës brenda kuadrit të federatës jugosllave.

Dy kabllograme sekrete të Ambasadës Shqiptare në Vjenë

Në përputhje me këtë orientim politik, Ambasada e Shqipërisë në Vjenë ishte bërë jo vetëm qendër e bisedimeve shqiptaro-gjermane për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por edhe e vizitave të shumta të pjesëtarëve të emigracionit politik edhe nga Republika Federale e Gjermanisë, me të cilën Shqipëria komuniste nuk kishte marrëdhënie diplomatike për shkak të dogmatizmit doktrinar shqiptar dhe politikës izolacioniste të udhëheqjes komuniste shqiptare.

Sipas dy raporteve tepër sekrete të Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, të cilat i ishin dërguar në formë të koduar në Ministrinë e Jashtme në Tiranë dhe pasi ishin deshifruar dhe arkivuar, ato si kopje i ishin nisur për t’iu dërguar edhe udhëheqjes më të lartë shqiptare, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë. Mësojmë se Kadri Zeka ishte në dijeni ose po punonte që në shtator të vitit 1981 të rinisnin demonstratat në Kosovë, kohë që përkonte me rihapjen e shkollave dhe të Universitetit në Kosovë. Në kokën e dy raporteve është vendosur shënim dore “për sh. Enver, Mehmet dhe Ramiz”, dëshmi kjo se udhëheqja e lartë ndiqte nga afër organizmin dhe veprimtarinë politike antijugosllave të grupeve dhe veprimtarëve politikë shqiptarë në vendet evropiane-perëndimore.

Çfarë thuhej në raportin tepër sekret, të datës 23 korrik 1981, dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë? Sipas këtij raporti, Ambasadori shqiptar Musin Kroi, thuhet se Kadri Zeka në një takim i kishte thënë Engjëllit, diplomat shqiptar:

1) Në muajin nëntor parashikohet të zhvillohen në Kosovë demonstrata të fuqishme. Kërkesa kryesore e demonstruesve do të jetë “Kosova republikë”. Nga shtatori, me hapjen e shkollave dhe universitetit do të ketë demonstrata të tjera, por kulmi i tyre do të jetë në nëntor.

2) Beogradi po shton shtypjen, dhunën e terrorin. Deri tani, janë arrestuar 2 mijë veta. Krahas kësaj po përdorin edhe metodat e mashtrimit e komprometimit. Në shumë komuna të Kosovës, që nga koha që janë mbyllur shkollat, janë ngritur të ashtuquajturat klube të rinisë, ku kanë për qëllim të tërheqin rininë, por askush nuk po shkon atje.

3) Në drejtim të emigracionit janë dërguar shumë agjentë e provokatorë nga Beogradi, ndërmjet tyre qindra femra ku grumbullohen shqiptarë. Edhe me këto forma nuk po kanë sukses. Gjendja e emigracionit është në përgjithësi e mirë. Është rritur ndjenja patriotike, ka përpjekje dhe rritje të aktivitetit politik. Dy klube në RFGJ (Dyseldorf dhe Bilefeld) janë kryesisht në dorë të elementeve të shëndosha. Nga emigrantët në Gjermani e Zvicër janë ngritur grupe folklorike. Ka interesim për materiale, sidomos literaturë nga Shqipëria. Dëgjohen rregullisht emisionet e Radio Tiranës”.

VIJON …

_____________________

KADRI ZEKA NË DOKUMENTE SEKRETE SHQIPTARE (2)

Nga Sylë Ukshini

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura