TAHIR GECAJ: FILLET E POLITIKES PLURALISTE NË KOSOVË

Pashtriku.org, 15. 11. 2013 – (Nga Ditari në Vitet 1990-1996) – 1. Pas startit të suksesshëm pasoi tkurrja e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës Sinjalet e para për mundësinë e organizimit të formave të reja të veprimit politik, të cilësuara si forma plurale, të shfaqura në gjysmën e dytë të vitit 1990, u pritën me tumirim edhe në Kosovën e okupuar, ku shumica absolute shqiptare, ndodhej në gjendje të rëndë okupimi dhe nën peshën e ligjeve diskriminuese serbe. Rrënimi i sistemit politik, i filluar me shpërbërjen e Lidhjes së Komunistëve – partisë në pushtet, krijoi mundësinë për shfaqjen e konturave të para të veprimit plural, por, edhe të një udhëheqjeje të re shqiptare, e cila me të dalë në skenën politike ndonëse u gjend paksa e befasuar, në nismën e veprimit të saj, si me shpalljen e Deklaratës kushtetuese dhe me aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut, ashtu edhe me organizimin e Referendumit për Kosovën shtet të pavarur, qe mjaft të sukseshme.
Në rrethana të tilla, në pranverën e vitit 1990’të, u takova me Lazër Krasniqin, nga i cili u informova për iniciativën e një grupi intelektualësh shqiptarë, sipas traditës të dy besimeve fetare, për themelimin Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Pas disa takimeve dhe bisedave, si me Lazrin ashtu edhe me kuadrat tjera, që i takonin grupit të nismëtarëve, vendosa të angazhohem në kuadër të atij grupi për ta dhënë kontributin tim, në radhë të parë, në regjionin e vendlindjes sime– në Deçan dhe rrethinë. Thënë realisht, në kohën kur iu bashkova atij grupi aktivistësh, akoma nuk e kisha të qartë se si do të veprojs më tutje, nga se rreth gjashtë muaj më parë më kishin liruar me kusht nga vuajtja e dënimit dhjetëvjeçar, i dënuar në një gjykim politik, në aktgjykimin e të cilit theksohej qartazi se pas vuajtjes së dënimit nuk kisha të drejtë ta ushtroja profesionin e mësimdhënësit, e, as të gazetarit, që do të thoshte se nuk më lejohej që të punësohesha në profesionin tim për ta siguruar ekzistencën. Po ashtu, nuk e gëzoja as të drejtën e posedimit të pasaportës, kështu që, kisha qenë i detyruar të shpërngulesha formalisht në Kroaci, për ta fituar të drejtën e posedimit të pasaportit kroat, ashtu siç kishin vepruar thuaja shumica e ish – të dënuarëve politikë, sapo ishin liruar nga vuajtja e dënimit. Por, edhe përkundër atyre rrethanave, e vazhdova aktivitetin për themelimin e degëve e nëndegëve të PSHDK- së në të gjitha mjediset e Kosovës, e në veçanti në reonin e Dukagjinit. Dhe, pa vonesë, aktiviteti i atij grupi nismëtarësh, në të cilin bënin pjesë, pos Lazër Krasniqit, edhe Gjergj e Pjetër Rrapi, Engjell Sedaj, Abdullah Karjagdiu, Umberto Bytyçi,Ymer Jaka, Ramush Tahiri, Nikë Gjeloshi etj., u shpërblye me Kuvendin themelues të Partisë Shqiptare Demokristiane, të mbajtur në Gjakovë, më 4 nëntor të vitit 1990, në të cilin u zgjodhën organet udhëheqëse të asaj partie, u aprovua Programi politik i saj, ndërkaq kryetar i Kryesisë u zgjodh Lazër Krasniqi.

Duke qenë se epiqëndra e veprimit tim për themelimin e degëve të PSHDK- së, ishte Deçani me rrethinë, e shoh të udhës të theksoj se në atë mjedis u mirëprit themelimi i asaj partie nga të gjitha strukturat, e, në veçanti nga të rinjtë e atij regjioni, ndërkaq ajo gatishmëri për t‘u anëtarësuar në PSHDK, ma pat rikthye në kujtesë të dhënën se në fëmijërinë time kisha dëgjuar të flitej për familje të caktuara brenda bashkësive familiare të të cilave gjysma e anëtarëve i kishin takuar njërit, e gjysma tjetrit besim fetar, dhe se ato familje kishin jetuar në harmoni të plotë në një bashkësi, prandaj isha i bindur se një harmoni e tillë do të mbizotëronte edhe brenda degëve e nëndegëve, që i themelonim, ashtu sikundër që ndodhi. Prandaj, ndonëse ka “hyrë shumë ujë nën urë”, që nga themelimi e deri në shpërbërjen e degëve të PSHDK- së nga Kyesia e mëvonshme e udhëhequr nga akademik Mark Krasniqi, e shoh të udhës t‘ua shpreh mirënjohjen time të të gjithë atyre aktivistëve që u angazhuan, si për themelimin ashtu edhe për veprimtarinë politike, edhe përkundër presioneve të vazhdueshme, që iu nënshtruan thuaja që nga themelimi, fillimisht nga policia serbe, por edhe më vonë, nga individë të dirigjuar nga fraksioni “nën plaf”, i riaktivizuar pa vonesë në kuadër apo në prapaskenë të Kryesisë, fraksion ai, të cilit, kohë më pas, kishte të ngjarë se Programi i aprovuar në Kuvendin themelues të PSHDK-së, ia kishte cenuar interesat e ngushta grupore apo klanore, e qoftë edhe për shkak të luftës për të parin në krye të PSHDK- së, edhe pse kryetari i saj ishte zgjedhur me shumicë votash dhe në mënyrë demokratike. Mbase mund të ketë pasur edhe shkaqe të tjera, që nuk janë sqaruar publikisht deri me tani, ndërkaq, në këtë shkrim do të vihen në pah vetëm disa prej aspekteve, që ndikuan drejtpërdrejt në shpërbërjen e shumë degëve dhe nëndegëve të kësaj partie në Rrafshin e Dukagjinit, anëtarësia e të cilave ishte e përbërë kryesisht nga përfaqësues, që nuk i përkisnin besimit të krishterë, por që i përmbaheshin parimit themelor se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e pra ky shkrim ka të bëjë me periudhën mes viteve 1991 – 1996, e, jo asesi me PSHDK-en e tashme e as me simotrat e saj.
Është fakt i pamohueshëm se ideja për themelimin e PSHDK-së në shumicën e regjioneve, e në veçanti në Rrafshin e Dukagjinit, ishte pritur mirë dhe, si rezultat i asaj pritjeje ishte numri mjaft i madh i anëtarëve, që e pranuan programin e asaj partie, prandaj, tashmë, shumë vite pas shpërbërjes së një numri të madh të degëve të saj, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, herë pas herë, disa nga anëtarët saj të viteve të hershme, të cilët, që nga themelimi kontribuan shumë për funksionimin e PSHDK-së, po i rikthehen asaj periudhe përmes shkrimeve dhe analizave, duke vënë theks në fillimin e suksesshëm të asaj partie, por edhe duke shprehur pezmin për shkatërruesit e saj, të cilët nuk lanë “gurë pa lëkundur” për ta shpërbërë atë parti në Rrafshin e Dukagjinit, e në veçanti në Deçan me rrethinë, e pse jo, edhe për ta shprehur edhe një lloj dhembjeje për atë periudhë angazhimi për t‘i vënë bazat e shëndosha të atij subjekti politik. Dhe, një prej shkrimeve të tilla, ishte edhe ai i Dedë Hajdarit, një ish-aktivist i devotshëm i PSHDK-së, i cili, në reagimin e quajtur “Fletërrufe”, të botuar në Gazetën “Bota Sot”, të datës 16.05.2012, ndër të tjera, shruante: “Më habiti fakti për të mirë sepse në PSHDK- në tonë po vazhdon avazi i të vjetërve, që Partia jonë gjithëmonë të jetë me masat e rrepta të shkarkimeve dhe përjashtimeve, duke shkuar nga logjika se vetëm kështu e meritojnë themeltarët dhe veprimtarët e pa bindur të kësaj Partie”, për të vazhduar: “ (…) në kohën kur 16 vite më parë, një pjesë e strukturave të asaj kohe të PSHDK-së, pa përkrahjen e anëtarsisë së gjërë, i përjashtuan të pa bindurit, që s‘u pajtuan me cenimin e Programit të PSHDK-së, që në fakt ishte sinteze e Programit të Lidhjes së Prizrenit-Bashkimin e trojeve etnike, dhe , po ashtu, këta të pa bindur dolën në mbrojtje të Unionit Gjithëshqiptar Demokristian”.
Në Vazhdim, reaguesi Dedë Hajdari, i pat dhënë listatat e të përjashtuarve dhe shkarkuarve, që nga viti 1992, pra listat e anëtarëve themelues të PSHDK-së. Ndërkaq, Zef Doda, po ashtu një aktivist i rradhëve të para, shkruante: “Kishim një herë një PSHDK të fortë. Kur u fillua dhe udheheqej nga Lazer Krasniqi.Vetem në atë kohë merreshin edhe opcione tjera për Kosovën tonë. Na ishim të parët që kërkonim bashkimin e trojeve tona. Na u regjistruem edhe si partija e parë e Kosovës. Na kishim shumë intelektualë të e mëdhëaj. Ishte për Zvicër Tahir Geci. Ishte Zejnullah Gruda. Avdullah Karjagdiu, ishte Engjell Sedaj e sa sa tjerë që nuk po i permendi. Në atë kohëe duhej të ishim me krahun e djathtë sepse sapo kishim dalë nga komunizmi apo dëshironim me dalë?. Ne anëtarësinë tonë i kishim ma shumë se gjysmën e vëllazërve të fesë muslimane. Ma vonë kjo parti pat vetëm probleme në mes veti dhe fare pak mirreshin me çeshtje kombëtare. As me ardhjen e Akdemikut M. Krasniqi nuk ndryshoi asgja. Ndarjet dhe përçarjet i kishim opcionet tona. Askush nuk na ka faj pse jemi këtu ku jemi.Vetëm karrika është opcioni i tyre. Nuk ka faj as PDK-ja, as LDK-ja As AAK-ja. Kur nuk i merr votat nuk të ka faj askush. Pa bashkim nuk ka ma parti të PSHDK-së. U baft mirë!”
Në rrethanat e fillimit të veprimtarisë politike në kuader të PSHDK-së, më 13. shkurt 1991, si përfaqësues i asaj partie, mora pjesë në bisedën me një delegacion gazetarësh të huaj, që kishin ardhur në Kosovë për t‘u informuar rreth “Shkeljes së të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Kosovës dhe represionit shtetëror serb”, me ç‘rast mbështetur në frymën e Programit të Partisë Shqiptare Demokristiane, të cilën e përfaqësoja, ndër të tjera, theksova se ne shqiptarët e Kosovës, i jemi përgjigjur kërkesës për një Evropë të integruar të popujve të barabartë, prandaj zgjidhjen e çështjes sonë e shohim në kuadër të proceseve demokratike dhe me mjete paqësore; se pikërisht ajo ishte arsyeja që dhunës se policisë serbe jemi duke iu përgjigjur me durim mbinjerëzor; se shqiptarët e Kosovës i kanë shprehur qëndrimet e tyre në Deklaratën kushtetuese dhe në Kushtetutën e Kaçanikut, prandaj, insistojmë që ju dhe qeveritë tuaja, e posaçërisht Parlamenti evropian ta përkrahni vullnetin e pupullit shqiptar të Kosovës. Në vazhdim, shtova se shqiptarët se Kosovës, në rast të ekzistimit të Jugosllavisë, si federale apo konfederale, e shohin vetën në kuadër të saj, por vetëm si popull i barabartë me popujt tjerë shtetformues, ndërkaq në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, ne i japim veti të drejtë të vendosim për fatin tonë dhe për territoret tona, për kufinjtë tonë etnikë, duke i përdorur të njëjtat mënyra dhe të njëjtat mjete që do t‘i përdorin popujt tjerë të Jugosllavisë, duke mos iu shmangur bashkimit të shqiptarëve në një shtet, nëse popujt tjerë i qasen krijimit të shteteve në baza etnike.
2. Demonstrata dhe Tryeza e rrumbullakët, e mbajtur në Hamburg
Në pranverën e vitit 1991, në Kryesinë e PSHDK- së arriti një ftesë nga Dega e Klubit Demokratik Shqiptar në Hamburg dhe në Schleswig – Holstein, për të marrë pjesë në një Tryezë të rrumbullakët në Hamburg. Ndërkaq, pak ditë më pas, Lazër Krasniqi, në funksion të kryetarit, më propozoi që ta përfaqësoja PSHDK-në në atë tubim. Kështu që, në gjysmën e dytë të muajit maj iu bashkova ekipit të përfaqësuesve të partive dhe asociacioneve të tjera shqiptare nga Kosova për të marrë pjesë, më 25 maj 1991, në Tryezën që organizohej në Hamburg. Pos delegaconit nga Kosova, morën pjesë edhe përfaqësuesit e partive shqiptare nga Mali i Zi dhe nga Presheva.
Delegacioni relativisht i madh i përbërë nga përfaqësuesit e tri regjioneve shqiptare, u prit me perzëmërsi dhe me respekt të madh, jo vetëm nga organizatorët e Tryezës, por edhe nga një numër i madh bashkëkombasish, që gjendeshin të punësuar në Hamburg dhe në rrethinën e tij. Dhe, duke qenë se ishim të ftuar në cilësi të mysafirëve, të të gjitha shpenzimet, si të udhëtimit ashtu edhe të fjetjes dhe qëndrimit, i morën mbi vete organizatorët, ndërkaq edhe ne, po ashtu, u përpoqem ta japim kontributin tonë duke i shprehur pikëpamjet tona në pajtueshmëri me programet e partive apo asociacioneve që u përkisnim qoftë lidhur me rrethanat e rënda në të cilat gjendeshin shqiptarët në kuadër të Shtetit të atëhershëm jugosllav, e qoftë edhe përkitazi me mundësitë e organizimit për të dalë nga ajo gjendje robërie.
Organizuesit e Tryezës në bashkëpunim me Degët e Partisë Shqiptare Demokristiane, të Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës, të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Shoqata Humanitare Bëmirëse “Nëna Tërezë”, Shoqata Shqiptare “Ibe Palikuqi” dhe Shoqata Shqiptare “2 Korriku” , ditën e shtunë, më 25 maj 1991, e organizuan një demonstratë të madhe, në të cilën morën pjesë shumë mërgimtarë nga Hamburgu dhe rrethina e tij, e po ashtu edhe ne anëtarët e delegacioneve.
Gjatë atij marshimi nëpër rrugët e Hamburgut demonstruesit pos shprehjes së kërkesave për domosdonë e krijimit të unitetit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi, i dënuan energjikisht veprimet e terrorit dhe të gjenocidit, që ushtrohej ndaj popullit shqiptar në shtetin e atëhershëm jugosllav. Ajo demonstratë e madhe, edhe për neve anëtarëve të delegacionit ishte një ngjarje e pa përjetuar sepse për disa nga ne, ishte hera e parë që shihnim se për mirëvajtjen e një demonstrate kujdeseshin edhe ruajtësit e rëndit publik, ndërkaq neve në kujtesën tonë, dashtë e pa dashtë, na reflektoheshin skena të tjera të para një decenieje, kur policia sebo-jugosllave i torturonte e masakronte demonstruesit shqiptarë, si në Prishtinë, ashtu edhe kudo tjetër në Kosovë e më gjërë.
Pas përfundimit të suksesshëm të demonstratës, morëm pjesë në Tryezën e organizuar, gjatë të cilës u analizuan rrethanat në të cilat bëheshin përpjekjet e para për aplikimin e formave të veprimit pluralist, si në Kosovë ashtu edhe në viset tjera shqiptare në kuadër të Shtetit jugosllav, si dhe u shqyrtuan problemet me të cilat ballafaqohej populli shqiptar në Jugosllavi. Po ashtu, u bënë përpjekje edhe për t‘i shqyrtuar edhe mënyrat e veprimit politik, të cilat do të mund të aplikoheshin në kushtet e okupimit. Pos tjerash, ne Tryezë qe shprehur pakënaqësi e hapur për vonesën e formimit të një Trupi mbipartiak kombëtar, në të cilin do të duhej të merrnin pjesë të gjitha subjektet relevante politike shqiptare në Jugosllavi. Në atë kuptim qe shprehur domosdoja që subjektet politike në Kosovë dhe në viset tjera të banura me shqiptarë në Jugosllavi të gjënin mënyra adekuate për ta intensifikuar bashkëveprimin e tërë komunitetit shqiptar në botën e jashtme.
Në përfundim, në Tryezë qe aprovuar një Deklaratë, në të cilën, ndër të tjera thuhej: Dënohet politika diskriminuese e asimiluese e Serbisë dhe vazalëve të saj ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi; duhet të krijohen kushtet normale për funksionimin e organeve legjitime të Kosovës; nuk pranohet asnjë vendim për të ardhmen e rregullimit juridiko-shtetëror të popujve në Jugosllavi, pa pjesëmarrjen e popullit shqiptar si subjekt i barabartë; dënohen vrasjet kriminale nga ana e regjimit serbomadh të ushtarëve e civilëve shqiptarë dhe dënohet armatosja e popullatës serbe e malazeze në Kosovë, që kanë për qëllim zhdukjen masovike të shqiptarëvs; dënohet deklarata (me shkrim) e të ashtuquajturës Parti Republikane (shqiptare) në SHBA që thërret per luftë vëllavrasëse; dënohet plani i Kuvendit të Serbisë për copëtimin administrativ të Kosovës.

3. Lista e pjesëmarrësve të Tryezës:

4.Nga Hamburgu në Londër
Që nga dita e parë e qëndrimit tim në Hamburg në kuadër të Delegacionit nga Kosova, pa pritë e kujtuar, siç thuhet, e takova Brahim H. Gecajn, një kushëri timin, të cilin, kishin kaluar shumë vite që s‘e kisha parë dhe, natyrisht, gjatë atyre ditëve sa qëndrova, pas aktiviteteve të parapara me program, një pjesë të kohës së lirë e kalova me të dhe rrethin e tij të ngushtë. Ndërkaq duke qenë se i kisha treguar se nga Hamburgu do të shkoja në Londër, qoftë për ta vizituar tim bir Arbenin, i cili, muaj më parë kishte shkuar në Londër, e qoftë për ta bërë një vizitë në Amnesty International, institucion ai që më kishte marrë në mbrojtje gjatë qëndrimit në burg, në cilësi të të burgosurit politik, Brahimi, një ditë para se të nisesha për në Londër më befasoi sepse pikërisht në çastin kur desha të shkoj në agjension për ta marrë biletën e fluturimit, ai pas një buzëqeshjeje, e nxori nga xhepi dhe ma afroi biletën për të nësërmën, më 31 maj 1991. E pata falenderuar kushëririn tim me shprehijen “ Ta kthefsha për të mirë!” . Ndërkaq, të nësërmen së bashkut me një grup aktivistësh, më pat përcjellë në aeroportin e Hamburgut.

Në foto: Nga e majta në këmbë: Brahim Gecaj, Tahir Gecaj, Gjergj Gjokaj, Lekë Lulgjuraj, Gjon Berisha.
Të ulur: Avni Dikaj dhe Gjon Markaj. ( Më 31 maj 1991)

Për të përshkruar atë fluturim drejt Londrës, si edhe qëndrimin rreth një javor aty, do t‘i referohem një reportazhi me titull: “ Mbresa nga Londra”, të botuar pas kthimit në Kosovë, e, në të cilin, ndër të tjera, në atë kohë i kisha shprehur pikëpamjet e mia rrerth kontaktit të parë me Londrën.
“(…) Deri sa avioni e mori drejtimin e pistës së aeroportit, kisha përshtypjen se pasagjerët shihnin çdo gjë ashtu sikundër që e kishin përceptuar në mendjen e tyre: i shihnin monumentet historike, galeritë e shumta, biznesin, dashurinë, realizimin e andrrave dhe shpresën për ardhmëri të sigurtë…?! Mbase ashtu e shihin Londrën, ata që synonin për ta gjetur aty të mundshmen e të pamundshmen, ndërkaq shqiptari paksa i informuar me proceset e historisë së vet, që në kontaktin e parë okular, Londrën e përjeton pak më ndryshe: në konturat e atij qyteti të përjetshëm, në monumentet historike dhe në gjithë madhështinë e tij, të tashme dhe të përparme, në radhë të parë, vetëdijen e tij e preokupon historia, për t‘ia sjellë jehonën e vendimeve të Konferencës se Ambasadorëve (1912-1913), e cila i përgjysmoi trojet shqiptare; sheh e dëgjon gjithçka që ndodhi me popullin e tij, që nga ajo ngjarje tragjike e deri me atë ditë (… ).
Pa dyshim, po ta kuptonin bashkudhëtarët e mi se për çfarë meditoja në ato çaste, para aterimit në Hithroun e famshëm, do të më pyesnin pse kërshëria ime nuk përkonte me të tyren, pse nuk më sillte ndjenjen e lumturisë panorama magjepse e metropoles se amshueshme, pse nuk ngazëllohesha para se bukurës…! Të shumta do të ishin psetë dhe edhe më të nduarnduarta përgjigjet në atë dialog të imagjinuar?
5. Në Londër: Tri gjenerata shqiptarësh…
Pas kontrollit, sapo hyra në pjesën e hapur të aeroprotit, pashë dy duar të ngritura dhe një fytyrë të dashur. Merremi ngryk me mall. Ishtë nipi im Bajrami. Për herë të mbramë ishim parë në rrethana të tjera, me grila në mes, para pesë vitesh. Ma mori valigjen dhe u nisëm në drejtim të metrosë. Në lagjen e qetë të Hendonit na pritën djelmoshat tjerë: Agroni, Burimi, Toni, Fatoni dhe, im bir, Arbeni. Pa vonësë, sa po dëgjojnë, vijnë edhe shumë të tjerë: Remi, Iliri, Dauti, Caka, Enveri, Xhaviti, Naimi dhe ia shtrojmë muhabetit, si në odat kosovare. Djelmoshat mërgimtarë derdhin dashurinë e mallin e grumbulluar në qeniet e tyre të reja larg Kosovës, larg vatrave familiare dhe, me kërshëri presin që i porsaardhuri t’u flasë për Kosovën dhe qëndresën shqiptare, për sjelljet mizore të okupuesve dhe për mosgjunjëzimin e bashkëvendasve të tyre, presin t’ u flitet, e pyesin për çdo gjë që ka të bëjë në Kosovën e raskapitur, por të paperulur, në qëndresën e së cilës edhe ata kanë dorë.
Supozohet se në Londër dhe në qytetet tjera përreth gjenden diç me shumë se pesëqind të rinj dhe të reja shqiptare, kryesisht nga Prishtina dhe qytetet tjera të Kosovës. Shumica ish studentë të Universitetit të Kosovës, kurse pjesën tjetër e përbënin kuadrot me arsimim superior: juristë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë etj. Që të gjithë, pa dallim, kryejnë punë të rënda apo punë me të cilat anglezët nuk duan të merren.
Nëse bëhet njëfarë katëgorizimi i mërgimtarëve tanë në Angli, mund të thuhet se aty i ndeshim tri gjenërala: e para, nga e cila tashmë kishin ngelë edhe dy-tre individë, u përket të ikurve nga Shqipëria në kuadër të suitës së Ahmet Zogut, si dhe të ikurve gjatë dhe pas vitit 1945, me orientime politike kryesisht zogiste. E dyta, që është po ashtu fare e vogël, përbëhej prej ish studentëve të anglishtës, të cilët shkuan në Londër për të përkryer gjuhën dhe ngelën përgjithmonë, si dhe, e treta, që përbëhet prej të rinjve nga Kosova, që sa vie e shtohet (…).
Në saje të përpjekjeve të Bajramit, kryetar i Degës se LDK- së, Remit, Tonit, Agronit, Ilirit, Fatonit, e sidomos dy “pleqëve”, siç i quanin Agron Loxhën dhe Elmaz Idrizin, ndonëse asnjëri ende s’i kishtë mbushur të pesëdhjetat, Dega e LDK ishtë në ekspansion për shpërndarjen e të vërtëtës mbi Kosovën. Prania e djelmoshave dhe vajzave nga Kosova në Angli, e sidomos në Londër, duket se e kishte ndezur shkëndijën për të shëndritur edhe ndërgjegjen e fjetur edhe të atyre bijëve e bijave të emigrantëve të hershëm, që në vete bartin gjenet e etnitetit shqiptar, që ta kenë për nder dhe të mburren që janë shqiptar (…).
Më 4 qeshor së bashkut me Bajramin e vizitova Zyrën e Amnesty International-it në Londër. Duke qenë se nga ai Institucion dhe nga degët e tij në disa vende të Evropës, gjatë viteve të shkuara, që nga gjykimi në një proces politik dhe dënimi me 10 vite burg, në tetor të vitit 1983, e, edhe gjatë vuajtjes së dënimit, ishte bërë presion i vazhdueshëm ndaj organeve të shtetit jugosllav dhe, nën ndikimin e të cilit më patën liruar me kusht, në fillim të tetorit të vitit 1989, sapo hymë aty dhe u prezentuam, na pritën mirë. Përfaqësuesja e atij institucioni, pasi ma dorëzoi Dosjen e kompletuar, në mënyrë indirekte shprehu kërshërinë për të ditur si kisha arritur deri aty, më që kishin informata se ish-të dënuarit politikë nga Kosova, pas vuajtjes së dënimit nuk e gëzonin të drejtën e posedimit të pasaportit.
E pata informuar se posedoja pasaportin e Republikës së Kroacisë, ndërkaq si kusht për ta fituar atë të drejtë ishte shpërngulja nga Kosova dhe vendosja në Kroaci, ndërkaq e informova se qëllimi i vizitës sime në AI, ishte për t‘u shprehur falenderimin tim për veprimimet që kishin ndërmarrë për ta demaskuar një gjykim të montuar politik. Në vazhdim, përfaqësuesen e AI-së e pata inf ormuar për rrethanat e rënda që mbretëronin në atë kohë në Kosovë. Në përfundim të asaj bisede përfaqësuesja e AI-së që shprehur se nëse e ndjehesha i rrezikuar për t‘u kthyer në Kosovë nga mundësia e riburgosjes, sugjerimi i saj do të ishte që mos të kthehesha në Kosovë, por të qëndroja aty, ndërkaq AI- do të merrte përsipër tërheqjen e bashkësortës sime me fëmijë nga Kosova. E falenderova njerëzisht, ndërkaq të nesërmen flutrova drejt Kroacisë për të arrtiur në Kosovë, dy- tri ditë më vonë, por pa më shkuar ndërmend së pas pak ditësh, desha a jo, do të detyrosha të largohem nga Kosova.
6. Largimi nga Kosova dhe qëndrimi në Zvicër
Gjatë gjysmës së dytë të qershorit e deri në fund të korrikut të vitit 1991, në kuadër të ekipeve të Kryesisë, mora pjesë në aktivitetet e degëve dhe të nëndegëve të PSHDK-së në tërë territorin e Kosovës, të cilat tashmë i kishin përfunduar punët e karakterit organizativ, ndërkaq, ndodhi që, në të kthyer nga Gjilani, mua, Engjell Sedajn dhe Xhemail Xhemajlin, kryetar i Degës së Gjilanit, na ndaloi policia serbe e Graçanicës dhe na mbajti para tytave të automatikëve rreth tri orë. Pas atij maltretimi publik para syve të banorëve serb të Graçanicës, shikimet e të cilëve ndaj nesh ishin me përplot urrejtje, na patën futur në zyrë një nga një për t‘na marrë në pyetje, kështu që duket se për ta, pos informacioneve dhe të dhënave të tjera, që posedonin për mua si ish i burgosur politik, ishte miklues fakti se posedoja letërnjoftimin kroat, prandaj pas konsultimeve që bënë përmes telefonit, më dhanë afat 24 orësh që ta lëshoja territorin e Rebublikës së Serbisë, së pakut ashtu thanë, duke mos e zënë fare ngojet emrin Kosovë. Krahas asaj ndalese, ditë më parë po ashtu kisha marrë një ftesë për t‘u paraqitur në polici gjoja për ta dorëzuar një armë. Në rrethana të tilla, mbështetur në përvojën e përjetuar gjatë viteve të shkuara, por edhe në saje të faktit se isha i liruar me kusht, në fillim të gushtit të vitit 1991, me bashkëshortën dhe me dy vajzat tona, u nisëm drejt Ulqinit, me fiatin tim polak, që kishte “mrizuar” gjatë shtatë viteve të shkura, për të kaluar në Kroaci përmes Malit të Zi dhe për të arritur pas tri ditësh në Opati.
Gjatë dy muajve të shkuar shpërbërja e shtetit jugosllav ishte bërë realitet. Në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1999, pretendimet e udhëheqjes serbe në krye me Millosheviçin për të dominuar mbi popujt tjerë të atij shteti, rezultuan me shpalljen e pavarësisë së Kroacisë dhe të Sllovenisë, ndërkaq, më 26 qershor, Armata popullore e Jugosllavisë e konvertuar në Armatë serbe, me aeroplanet ushtarakë e sulmoi aeroportin e Lubjanës, kështu që nga ajo ditë, fillon lufta dhjetëditëshe mes armatës serbe dhe forcave sllovene, luftë e cila ndërprehet në sajë të ndërhyrjes politike të Bashkësisë europiane me ç‘rast arrihet e ashtuquajtura Marrëveshja e Brioneve.
Në fillim të korrikut po ashtu fillojnë luftimet edhe në mes APJ-së apo armatës serbe dhe Kroacisë, si rezultat i të cilave në shtator të atij viti forcat serbe e pushtojnë një të tretën e Kroacisë. Pra, thënë realisht, ai udhëtim nepër regjionet në të cilat zhvilloheshin luftimet nuk ishte i lehtë. Në veçanti, sa po iu afruam kufirit të Kroacisë, vërejtëm se ai mbrohej nga njësite të uniformuara të pozicionuara nga të dy anët e linjës kufitare dhe, sa po u gjendem në pikën e kufirit njëri prej policëve më dha shënjë përmes lëvizjes së dorës se mund ta vazhdoja rrugën. Nga aty vazhduam drejt Dubrovnikut për të arritur në Opati, pas dy ditësh. Aty u takova me Ton Markun, me të cilin kisha qëndruar për një kohë në të njëjtën dhomë në burgun hetues të Prizrenit. Aty qëndruam tri-katër ditë, por nuk ishte ajo ndalesë pushimi, përkundrazi ishte ajo ndalesë e përmbushur me mëdyshje dhe luftë me vetveten: të kthesha serish nga kisha ardhur apo ta merrja botën në sy, dhe pas shumë hamendjesh, vazhdova për ku isha nisur, pra kalova Italinë dhe arrita në Zvicër, vendin në të cilin jetoj edhe sot e gjithë ditën.

7. Në strehimoren e përkohshme në Fryhbyl të Zugerbergut
Kontaktet e para të rregullta me përfaqësuesit e degëve dhe të nëndegëve të PSHDK-së fillimish në Zvicër e më vonë edhe në Gjermani, nëse s‘do t‘i përmendja vizitat që m‘i bënë disa syresh gjatë qëndrimit në strehimore, i fillova në nëntor të vitit 1991, kontakte ato të realizuara falë angazhimit të aktivistëve të asaj partie në përgjithësi, por edhe të familjeve të caktuara, si bie fjala të Palokajve të Gurakocit, familjes së Dedë Hajdarit, me prejardhje nga Rakoci, si dhe shumë të tjerëve, me të cilët thuaja çdo fund jave mora pjesë në aktivitetet e të gjitha degëve e nëndegëve të PSHDK-së në Zvicër.
Duke qenë se pas qëndrimit disa mujor në strehimore, organet perkatëse zvicrane më larguan nga qëndra e strehimit dhe më vendosen në një banësë në qytetin e Zugut, pjesëmarrja ime aktive në punën e degëve dhe nëndegëve të PSHDK-së u bë më e lehtë, ndërkaq me fillimin e vitit 1992, mbështetur në informacionet, që i merrja nga baza ime partiake m‘u bë e qartë se brenda radhëve të PSHDK-së zhvillohej një propagandë “nën plaf“, e orientuar kryesisht kundër Lazrit në funksion të kryetarit, por edhe ndaj tre-katër anëtarëve të tjerë të Kryesisë ndër të cilët bëja pjesë edhe unë.
Në fillim të vitit 1992, në një emision të Radio Zagrebit në gjuhën shqipe, ndër të tjera, qenë shpërndarë shpifje të drejtuara kundër Lazer Krasniqit me emër e mbiemër, por edhe në adresë të anëtarëve të tjerë të Kryesisë, siç thuhej në citatin e një kumtese të interpretuar:”(…) Delegatët e ngrehin zërin kundër disa individëve, të cilët nuk e kanë mbështetjen e popullit e as të kësaj partie. Këta individë përpiqen të dalin me vlerësime kuturu e të pamatura për t’i realizuar interesat e tyre parciale. Të tillë janë Lazer Krasniqi me një grup përreth, që në mënyrë puçiste dëshirojnë të krijonë huti e konfuzion në opinion“. Ndër të tjëra në atë kumtesë thuhej se disa nga anëtarët e Kryesisë së PSHDK-së nuk e kanë mbështetjen e anëtarësisë; se bëjnë vlerësime politike të gabueshme, në fakt i shtrëmbërojnë gjërat për qellime parciale, si dhe bëjnë veprime puçiste dhe krijojnë huti në opinion etj.
Nisur nga atmosfera e krijuar ne Kryesinë e partisë, më 25 shkurt 1992, i pata shkruar një letër Kuvendit zgjedhor të PSHDK-së, për mbajtjen e të cilin i bëheshin përgatitjet në degët dhe nëndegët e saj, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, letër në të cilën, pata theksuar se unë, si anëtar i saj në funksion të anëtarit të Kryesisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj gjatë muajve të fundit, u angazhova si për zbatimin e Programit dhe për ruajtjen e karakterit të anëtarit të kësaj partie ashtu edhe për realizimin e çështjes sonë kombëtare, në raport me mundësitë dhe me aftësitë e mia intelektuale. Në vazhdim e pata përmendur fjalëne urtë: “U fol keq për atë që s‘është këtu” për të shtuar se unë nuk e konsideroj “të folur keq”, nëse dikush nga ju interesohet ta dijë arsyen pse u largova nga Kosova, por të gjitha të tjerat i konsideroj si shpifje ndër më të rëndat, si shpifje e ofendime, madje gati identike me ato që më bëheshin nga disa përfaqesues të mjeteve të informimit në gjuhën serbe, por jo vetëm atyre, edhe në përiudhën, kur UDB-a serbo – shqiptare, e pregatiste procesin politik dhe gjykimin tim, në tetorin e vitit 1983.
Në vazhdim pata theksuar se “gjatë ushtrimit të detyrës së anëtarit të Kryesisë, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, nga degët dhe nëndegët e PSHDK-së nuk është bërë asnjë vërejtje me gojë as me shkrim për punën time e as të anëtarëve të tjerë të Kryesise, për të cilët aludohet në kumtësë por, edhe përkundër këtij fakti, e shoh të arsyeshme t‘ua bëj me dije se unë jetoj në Zvicër me ndihmat që i marr nga shteti i Zvicrës, ndihma ato të dedikuara për personat, të cilët sipas ligjeve të këtij shteti, e gëzojnë të drejtën e strehimit politik dhe, nuk kam kurrfarë nevoje për kurrfarë ndihmash, as kurrfarë interesash as personale e as parciale për të këkuar mbështetje nga dikush. Prandaj, pavarësisht nga fakti se nuk jam i pranishëm në Kuvend, i thërras të gjithë ata që posedojnë argumente, le të flasin lirisht, ndërkaq sa u përket lanësuesve të koluareve, që as para e as pas vitit 1981, nuk u ka rënë siç thuhet „asnjë fije floku“, së pakut jo nga represioni serb, e, të cilët, kanë qenë realizues të platformës politike serbo-madhe, apo, thënë hapur, edhe ndonjë prej të cilëve ka arritur të infiltrohet edhe brenda Partisë sonë, le të mbetët çështje e juaja, të cilën besoj se do ta zgjidhni me sukses. (…) ndërkaq po droj se janë duke u zgjuar lugetërit e pas vitit 1981 në përgjithësi, por edhe në radhët e Partisë sonë, prandaj mendoj se të tillët do të duhej neutralizuar”.
Duket se letra i kishte shqetësuar vepruesit “nën plaf”, që kishin arritur të depërtojnë në Kryesinë e PSHDK-së, e të cilët përmes gazetës “Bujku”, të datës 12 mars 1992, në komentin me titull: “Qëllimet e larta arrihen me punë konkrete”, të botuar në faqën e dytë, të nënshkruar nga Bajram Kabashi, duke marrë si shkas Kuvendin zgjedhor të PSHDK-së dhe zgjedhjen time të sërishme për anëtar të Kryesisë, bënë shpifje të rënda kundër meje.
Redaksia e “Bujkut” e konsideronte njollosjen dhe cenimin e dinjitetit të njeriut si shprehje të mendimit të lirë dhe si mënyrë demokratike për formimin e opinionit publik në raport me të gjykuarin për njollosje, prandaj edhe i mbështeste konstruktimet e gazetarit të vet, duke i dhënë vend të theksuar vështrimit njollosës kundër meje.
Autori i atij shkrimi, duke bërë fjalë për letrën time dërguar Kuvendit zgjedhor, ndër të tjera theksonte se autori i letrës“ (…) me aktin e vet ka bërë tradhëti me braktisjen e Kosovës në momentin më të rëndë”, si dhe e shtronte pyetjen: (…) me ç’kriter ai zgjedhet anëtar i Kryesisë së PSHDK-së, duke qenë se e ka statusin e azilantit, të ikurit”. Ndërkaq, në përgjigjen time kunder shpifjeve të tilla, ndër të tjera, pata theksuar: “Metoda e “Bujkut” dhe e gazetarit të saj për të më njollosur nuk është as e re dhe as e panjohur nga se me sulme të tilla është ballafaquar secili që ka pasur punë me UDB-ën jugosllave që nga viti 1981 e më vonë”. Në fakt sulmet kundër meje të asaj kohe në gazetën “Bujku” nuk ishin kurrfarë rastësie nga se pikërisht atyre ditëve kishin filluar edhe aksionet e koordinuara të milicisë serbe për ta burgosur vellaun tim Elezin, i cili në rethana të tilla qe detyrar të kalonte në Shqipëri dhe, i cili, gjatë luftës së UÇK-së ra dëshmor gjatë luftimeve ballaballë në betejën e Pozharit, më 28 mars 1999-të.
8. Luftë e ashpër nga prapaskena
Problemet brenda PSHDK-së filluan relativisht herët për të dalë në shesh në vjeshtën e vitit 1992. Ato ishin dhe mbetën probleme të luftës për vendin e parë në Parti, ndërkaq që të gjitha çështjet tjera e kanë përcjellë inercionin e individëve pjësëmarrës të fushatës përçarëse. Në rrethana të tilla të një lufte në prapaskenë të pretendentëve për vendin e kryetarit që nuk ishte bosh, në marrëveshje me bazën time partiake pata pranuar të mbetëm anëtar i Kryesisë edhe për ca kohë edhe pse gjendesha jashtë Kosove. Ndërkaq, më 19. dhjetor 1992, më arriti një kërkesë nga Kryesia e PSHDK-së, sipas të cilës do të duhej të jipja një deklaratë për Kryesinë, anëtar i së cilës isha që nga Kuvendi i parë zgjedhor, pra kërkohej t‘i shprehja pikëpamjet e mia se a do të duhej të vazhdoja të isha anëtar i Kryesisë apo do të duhej të ofroja dorëheqje nga pozita e zënë ngojet.
Në përgjigjen time, pata theksuar: “(…) se isha anëtar dhe veprimtar i asaj partie që nga themelimi i saj; se meqë kisha qenë i rrezikuar nga riburgosja nga oraganet e sigurimit , në gusht të vitit 1991, u detyrova të largohem nga Kosova dhe të vendosem në Zvicër; se pas largimit tim nga Kosova, e pata inormuar me shkrim Kryesinë dhe Kuvendin përkitazi me arsyen e largimit tim nga Kosova etj.”
Në përfundim pata shtuar se nuk e kisha ndërmend të jipja dorëheqje as nga Kryesia, as nga anëtarësia, sepse me aktin e largimit tim nga Kosova, nuk kisha bërë shkelje të Statutit e as të Programit, por, as nuk e kondërshtoja shkarkimin tim eventual nëse një vendim të tillë e merr Kuvendi i PSHDK-së, me shumicë votash dhe në mënyrë demokratike.
Përkundër anagzhimit tim që nga themelimi i asaj partie, si në Kosovë e pastaj edhe në Diasporë, fakti se nuk mund të merrja pjesë aktive në punën e Kryesisë – në procesin e të vendosurit politik, ndonëse si anëtar i asaj udhëheqjeje dhe isha i obliguar ta merrja përgjegjësinë politike për qëndrimet dhe vendimet për të cilat nuk kisha qenë i konsultuar, e vështirësonte punën time, sepse Kryesia, jo vetëm që nuk më informonte, por madje edhe merrte vendime të natyrës politiko-organizative të degëve e nëndegëve në Diasporë, si dhe bënte kompromise të palejueshme , të cilat jo vetëm që nuk e zgjidhnin çështjen në të mirë të unitetit, por përkundrazi e vështirësonin edhe më shumë.
Udhëheqjen e PSHDK-së në vazhdimësi, pas vitit 1992, e përcollën problemet e vetëshkaktuara nga një pjesë e anëtarëve të Kryesisë, probleme ato, të cilat, pa vonesë u reflektuan si në shtrirjen ashtu edhe zgjërimin e saj. PSHDK-ja pat deshtuar në “zgjedhjet” për Parlamentin e Kosovës, sepse kandidatët e saj pësojnë humbje në njësitë zgjedhore ku ishin kandiduar, ndërkaq Degët e PSHDK-së në diasporë për një kohë ngelën të “bllokuara” për shkak se Kryesia nuk e kishte bërë me kohë vlerësimin politik mbi përkrahjen apo mospërkrahjen e Aksionit për mbledhjen e mjeteve financiare të ashtuquajtura “Tre përqindëshi”.
Polemikat mes kuadrave udhëheqëse të të gjitha niveleve për një kohë dominuan në faqet e shtypit në gjuhën shqipe. Krahas këtyre, Kryesia e PSHDK- së në Prishtinë, me vendim të caktuar e shpalli vetën si „profesioniste“ dhe i obligoi degët e diasporës për t‘i bartë shpenzimet e “Punës profesionale të Kryesisë”. Pra, mbështetur në aspekin e përfitimit prej tyre, ato vihen në qendër të vëmendjes së Kryesisë, prandaj pa kaluar shumë kohë filluan përçarjet edhe brenda radhëve të degëve e nëndegëve në diasporë. Kështu që në rrethanat kur Kryesia e PSHDK-së e kishte bërë kooptimin e akademik Mark Krasniqit dhe të ish gjykatësit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Tadej Rodiqit, në opinion paraqitën tezat përkitazi me “të vjetrit” dhe “të rinjtë” në Kryesinë e PSHDK-së, jo në aspektin e moshës, por në aspektin e themeluesve dhe të kooptuarve – „të ardhurve“ të rinj, për të vënë theks në fitoren e të “rinjve” etj.
Për mua, si ish i burgosur politik, me aktin e kooptimit të një gjykatësi në Kryesi, qenë mbyllur dyert e atij organi partiak, mbështetur në faktin parimor se nuk mund të qëndronim në të njëjtën kryesi, unë si ish i gjykuar politik dhe ai si ish gjykatës i një institucioni, që i kishte aprovuar konstrukcionet e UDB-ës në dëm të shqiptarëve të dënuar në procese politike. Prandaj, pata deklaruar hapur së unë personalisht nuk mund të qëndroj në të njëtën Kryesi me individin e zënë ngojet.
Kryesia e PSHDK-së, në rrethanat e “përforcimit” të saj si me akademikun Mark Krasniqin dhe me ish gjykatësin Tadej. Rodiq, kishte plane e qëllime të tjera, kështu që si veprim të parë, më 27 janar 1994, e bëri shkarkimin e tre anëtarëve të Kryesisë: të Lazër Krasniqit, Umberto Bytyçit dhe shkarkimin tim dhe, natyrisht, pa vonesë ndërmori aksion të gjerë për shpërbërjen e degëve dhe nëndegëve të PSHDK-së në Deçan e rrethinë.
Thënë realisht, as në kohën e atyre veprimeve skandaloze të akademikut me rrethin e tij të ngushtë, kur patën marrë turr jo vetëm për t`i shpërbërë degët e nëndegët e Deçanit me rrethinë, por edhe për ta shndërruar PSHDK-ën në të kundërtën e qëllimit të themeluesve të saj, nuk e pata kuptuar prapavinë së ç`fshihej pas qëllimeve të tilla.
Pas përjashtimit te tre anetarëve të Kyesisë, si dhe pas shpërbërjes së një numri të madh të degëve e nëndegëve në Deçan e rrethinë, PSHDK-ja e mban Kuvendin zgjedhor, në të cilin, e ndryshojnë esencën e Programit të PSHDK-së dhe e minojnë , që në start formimin dhe ekzistencën e Unionit Demokristian Shqiptar, pikërisht në momentin kur bëheshin përgatitjet për mbajtjen e Kongresit të Unionit Demokristian Shqiptar.
Në rrethanat kur Kryesia e PSHDK-së ndërmori aksionin frontal për t‘i shpërbërë degët dhe nëndegët e PSHDK-së në reonin e Dukagjinit, publicisti Faton B. Mehmetaj (Koha jonë » Nr. 15/16 , 1996), shkruante: ( …) Ardhja e akad. Mark Krasniqit në fshatin Lumbardh, kinse për te formuar degën e Partisë Demokristiane në komunën e Deçanit (kur ajo ekziston që katër vite me një anëtarësi te bollshme dhe me 34 nëndegë), (…) është një hap i pa qëlluar dhe tendencioz që e mohon legjimitetin e Partisë Demokristiane ne komunën e Deçanit. Për çudi pjesa dërmuese e pjesëmarrësve ne këtë “Kuvend” ishin anëtarë te LDK-së, të cilët me të drejtë “e bënë madhështor” këtë tubim(…). Sidoqoftë ishte ai një hap malicioz që solli vetëm përçarje e ngatrresa, kurse në skenën politike një problem me shumë. Të nesërmen, pas mbajtjes se këtij “Kuvendi” QIK-u përmes të përditshmes “Bujku” jep një informacion për mbajtjen e këtij “kuvendi” dhe thekson se PSHDK-ja në Deçan ka 32 nëndegë – të formuara brenda nate, si në përrallat e “Njëmijë e një netëve! Probleme të po kësaj natyre e përfshinë edhe komunën e Klinës (…). Autori i përmendur, në vazhdim theksonte: Mjaft analogjike me këto veprime janë edhe qëndrimet e mediokracisë politike të PSHDK-së, te cilët me privacione, fraza e sllogane poshtëruese injoruen edhe Unionin Demokristian Shqiptar (…). Unioni i thërret te gjithë veprimtarët për t‘u bashkuar ne një përballje të re, kurse Kryesia e PSHDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese të botuar në të përditshëm „Bujku“, thekson se „ky Union nuk është legjitim dhe se vendimet e këtij unioni nuk obligojnë askënd“. (…) për ç‚arsye Kryesia e PSHDK-së në Prishtinë është kundër Unionit Demokristian, kur vet, po kjo Kryesi, ishte për mbajtjen e këtij Unioni?!
Në rrethanat e tilla kur gjendja nën okupimin serbe bëhet gjithnjë e më e rëndë , ndërkaq udhëheqja e PSHDK- së e vazhdon avazin e përjashtimeve dhe shkarkimeve, me një reagim të qartë del edhe Bashkësie edegëve të PShDK-së në Zvicër.
Në kumtesën e dhënë më 13 prill 1996, Kryesia e Bashkësisë së Degëve të PSHK-së në Zvicër, ndër të tjera, kërkon:
1. Të mblidhet urgjentalisht Kuvendi i Jashtëzakonshëm i PSHDK-së në Kosovë (me pjesëmarrjen e përfaqesuesve nga tëgjitha degët e saj) për të shqyrtuar situatën e nderë që keni krijuar me këto gabime të rënda të një pjese të Kryesisë, gabime të cilat i kanë cenuar rëndë raportet Kryesi – Bazë partiake ; Mergatë – Kryesi e PSHDK-së, Kryesi e PSHDK-së në Kosovë – Union, raporte të cilat për hir të situatave tepër delikate që po kalon kombi ynë, duhet të vendosen urgjentisht në binarë të shëndoshë kombëtar.
2. Akademik Mark Krasniqi si një figurë e shquar dhe e nderuar në fushën e letrave shqipe, por që po e prish imazhin e figurës se tij si një politikan i keq, për hir të mbarëvajtjes së punëve në radhet e demokristianëve dhe organizmave politikë, të krijuara prej tyre, duhet të lirojë postin e kryetarit të PSHDK-së.
3. Të largohen nga Kryesia e PSHDK-se në Kosovë të gjithe ata individë që, jo vetëm janë bërë pengesë në mbarëvajtjen e punëve tona si formacione politike demokristiane shqipare, por edhe i kanë demtuar rënde këto formacione, deri edhe në ndryshimin e shtyllës bazë të programit të PSHDK-së, gjë që e çngjyros këtë program nga çdo gjë kombëtare duke qenë në kundërshtim flagrant me verdiktin e zgjidhjes se çeshtjes sonë kombëtare të zgjedhur prej popullit. Dhe, për këtë nuk është pyetur fare baza dhe delegatët e Kuvendit,të cilët nuk dinin asgjë. Kumtesë të ngjashme në atë periudhë kohe pata dhënë edhe dega e dytë PSHDK-së në Prishtinë, por ato kumtesa dhe kërkesa të anëtarësisë as u dëgjuan e as u përfillën.
Prandaj, në përfundim të kësaj përpjekjeje për t`u rikthyr në kohën, rrethanat dhe angazhimet deri në viktimizim të shumë individëve, kryesisht të moshës së re, të cilët nuk kursyen asgjë, madje as vetjen e tyre për ta zbatuar programin e asaj partie – të PSHDK-ës, me shpresë se në kuadër të asaj forme të veprimit plural do të mund të kontribuojnë ashtu sikundër edhe të tjerët në kuadër të partive dhe asociacioneve të të tjera, që vepronin në ato rrethana në Kosovën e okupuar, duke pasur qëllim themelor çlirimin nga Serbia, e shoh të udhës t`i falenderoj për përkushtimin e tyre, për sjelljen njerëzore, por edhe të shpreh dhembjen time për ata që nuk e përjetuan ta shohin Kosovën e çliruar nga UÇK- ja, një numër prej të cilëve ishin ushtar të saj, e jo nga partitë politike, pra as nga PSHDK-ja.
FUND

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura