Pashtriku.org, 03. 05. 2016: Gjakova ishte një nga qendrat më të rëndësishme të rezistencës shqiptare kundër pushtimit turk. Ky konstatim mund të argumentohet me dëshmi dhe dokumente të shumta. Në këtë shkrim do ta trajtojmë këtë çështje, duke u bazuar në tre artikuj të botuar në gazetën “DRITA”, e cila ishte njëra nga gazetat e njohura të Rilindjes sonë kombëtare dhe botohej në Sofje të Bullgarisë nga Shahin Kolonja, përndryshe dhëndërr i Naim Frashërit.
Artikulli i parë titullohet “ANDEJ – KËTEJ”, i dyti “PUN’E SHQIPTARËVE NË KOSOVË” dhe i treti “TURQI”. Artikulli i parë është botuar në numrin 38 të kësaj gazete, më 18 shkurt 1904, artikulli i dytë është botuar në numrin 39, më 21 shkurt 1904 dhe artikulli i tretë në numrin 40, më 23 shkurt 1904. Të tre artikujt janë të redaksisë së gazetës e kjo sipas të gjitha gjasave na shpie te emri i redaktorit Shahin Kolonja si autor i tyre.
Në artikullin e parë trajtohen përpjekjet e Turqisë për t’u arsyetuar para shteteve tjera se gjëja është, duke bërë reforma ndërsa në realitet ndërmerrte ekspedita ushtarake ndaj popullsisë shqiptare për të imponuar taksa edhe më të mëdha.Treva që u shqua në kundërshtimin e këtyre masave shtërnguese ishte Gjakova me Malësinë e saj, Peja etj.
Në vazhdim po citojmë dy fragmente autentike të artikullit pa bërë asnjë përshtatje me standardin e shqipes së sotme:
1.”Pas tejshkrimevet të djeshme e të sotme, në Kosovë po vriten shqiptarët me ushtërinë tyrke. Brënda në Gjakovë kanë vajtur disa tabore ( njësite ushtarake K.R.) nga t’Anadollit. Rreth Gjakovës, nëpër male e nëpër katunde, kanë dërguar ushtëri shumë me topa. Guverna (qeveria K.R.) turke kërkon të numërojë bagëtinë, t’u marrë pagesa të rënda nga çdo gjë”.
2. “Rusia e ka shtrënguar Turqinë që t’u marrë armët shqiptarëvet, që kur t’u venë serbët e malazestë, t’i therin si shqerat kasapi. Po guverna turke tashti ka vënë këmbë që t’u marrë të holla pastaj armët; nga ky shkak u goditnë me ushtrinë dhe nga të dy anët kanë rënë mjaftë të vrarë”.
Në artikullin e dytë tregohet për rezistencën e shqiptarëve në të gjitha anët, por e shquan rezistencën e Gjakovës në krye me Sulejman Agë Batushën me gjashtëqind shokë dhe ekspedita e ushtrisë turke kundër tyre kur ata u tërhoqën në Malësi. Artikulli fillon pikërisht me këtë fakt: “Pun’e shqiptarëve në Gjakovë s’ka marrë pushim e funt. Valiu i Shkupit, Shaqir Pasha, u dha fjalë nga an’e Sulltanit që guverna (qeveria K.R.) nuke do t’u mare pagesa të rënda edhe ata që janë bërë syrgjyn (internuar K.R.) n’Anadoll e n’Arabistan, do të falen e do të kthehen prapë. Po shqipëtarët e atjeshme nukë do t’u zënë besë këtyre fjalëve, se Sulejman aga Batusha me nja gjashtë qint shokë u hoq nëpër malësi dhe guverna paske dhënë urdhër që ta ndjekin e ta zënë”.
Në artikullin e tretë, i cili është më i gjatë, tregohen veprimet e ushtrisë turke të udhëhequr nga Shemsi Pasha, i cili i kishte premtuar qeverisë turke se me dhjetë mijë ushtarë dhe tetë topa do t’i nënshtronte shqiptarët. Në artikull gjithashtu tregohet për propagandën e Serbisë kundër shqiptarëve dhe përkrahjen e kësaj propagande edhe nga disa gazeta franceze. Sipas këtij artikulli ekspedita e ushtrisë turke në Kosovë e sidomos në Gjakovë zgjati pothuajse dy vjet dhe shqiptarët u përballën heroikisht me të. Ja si e dëshmon këtë konstatim autori në artikull: “Turqia ka nja dy vjet që po përpiqet me mish e me shpirt që t’i futnjë nënë xgjedhë e t’i shtypnjë mire shqipëtarët në vilajet të Kosovës; se Stambolli ka frikë shumë nga shqipëtarët e Gjakovës e t’Ipekut (Pejës) se e di që këta janë mjaft të guximçim”.
Më tutje në artikull tregohet për ekspeditën e Shemsi Pashës me pesë tabore për të mbledhur taksa të rënda nga popullsia në katundet e Gjakovës, por banorët e pritën me armë. Përpjekja më e forte ndodhi në katundin Batushë. Këtë betejë e bënë 300 kryengritës shqiptarë të udhëhequr nga Islam Agë Batusha. Rezultati i betejës ishte si vijon: 35 shqiptarë u vranë dhe u plagosën dhe mbi 80 ushtarë turq. Pastaj shqiptarët e rrethuan ushtrinë turke, por ishin shumë pak në raport me numrin e ushtarëve të Shemsi Pashës. Pas kësaj qëndrese heroike krerët e fiseve të Malësisë së Gjakovës arritën t’i mbledhnin dy mijë kryengritës shqiptarë. Sipas këtij artikulli qeveria turke dërgoi në Gjakovë dhe Malësinë e saj 18 taborë (njësite ushtarake turke K.R.) të paisur me topa. Bashkë me ta shkoi në Gjakovë edhe valiu i Shkupit Shaqir Pasha. Pas luftimesh të rrepta bilanci i viktimave, sipas artikullit, ishte: 900 ushtarë të vrarë dhe 12 oficerë turq, kurse shqiptarë vetëm 160. Si përfundim autori i artikullit përfundon:”Turqia u trëmp shumë i dha urdhër Shaqir pashës që të heqin dorë duke marrë me të mire shqiptarët”.
Si përfundim, sipas këtyre tre artikujve të gazetës “DRITA” ndriçohet rezistenca e Gjakovës dhe rrethinës së saj kundër sundimit otoman në vitin 1904 dhe mendojmë se ngjarjet dhe shkaqet e tyre janë të besueshme, ndërsa numri i të vrarëve nga ushtria otomane edhe mund të jetë një çikë i ekzagjeruar, por u mbetet historianëve në të ardhmen ta verifikojnë saktësisht në bazë të dokumenteve valide. Ne nuk shkruam historinë në këtë shkrim, por interpretuam vetëm tre artikuj të gazetës “DRITA” të Sofies, të botuar në vitin 1904.