RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (II)

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (II)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Pjesa e Dytë

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin për rininë e tij.]

Hydajet Hyseni: Unë kam lindur n’vitin ’54. Kam shkuar një vit para kohe në shkollë, sepse falë edhe atmosferës që e kishim në shtëpinë tonë… nëna ime gjithë kohën rrinte me librin e saj t’shenjtë n’dorë, po që kërkonte prej nesh, që po ashtu ne t’i mbanim n’dorëlibrat tanë që kishim. Dhe, kishim mësuar shkronjat… i kisha mësuar shkronjat edhe para se ta bëja moshën shkollore, prandaj dhe kam shkuar një vit para kohe në shkollë. Dhe kam pasë fatin që të kem mësues intelektualë të fshatit, që ishin dhe janë të njohur në gjithë rrethinën, jo vetëm për modelin e mësuesit e edukatorit, siç ishte mësuesi Reshat, Reshat Emini, që është një nga figurat më të njohura të asaj ane, por edhe mësues të tjerë, që ishin elita e fshatit. Unë kam pasë rastin n’fëmiri time t’ballafaqohem edhe me frymën, edhe ankthin, e mbylljes t’shkollave… por isha fare i vogël. Flitej se shkolla n’fshat mund t’mbyllej. Megjithate, kjo nuk ndodhi, sepse ndodhën edhe ndryshimet që priteshin. Ra klika e Rankoviqit, grupi i Rankoviqit e tjerë, dhe erdhi një periudhë e njëfarë shtendosjeje, njëfarë çlirimi. Depërtoi pastaj literatura, filloi t’mësohej gradualisht edhe historia kombëtare, dhe isha brez me fat, që po rritesha këto rrethana, bashkë me moshatarët e moshataret e mija.

Kam vazhduar pastaj shkollën e mesme në Gjilan. Gjilani i binte shtatë, tetë kilometra prej fshatit, dhe duhet t’udhëtonim bashkarisht, po siç e thashë në fillim, ishte një rast i mirë që gjatë udhëtimit, ne të shoqëroheshin, të mishëroheshim njëri me tjetrin, të bënim biseda të lira, t’këndonim këngë t’ndaluara, të shkëmbenim edhe libra. Edhe legale që kishin përmbajtje atdhetare pozitive, por edhe aty këtu filluam edhe të bimë në kontakt me litetaturën e ndaluar, ilegale, që depërtonte. Dhe ajo sidomos përbihej me… si t’thushë, pasion të jashtëzakonshëm.Jo vetëm pse ishte e ndaluar, po pse ishte ëndrra e ndrydhur e brezave, edhe e prindërve tanë, edhe e brezave t’mavonshëm, po edhe brezave që po vinin.

Në gjimnazin e atëhershëm të Gjilanit, edhe n’shkolla tjera, kishte një traditë veprimi. Gjilani ka qenë vatër e rezistencës atdhetare gjatë gjithë periudhës. Figura t’shquara të Lëvizjes sonë atdhetare janë me origjinë nga ajo anë. Edhe atë t’gjitha periudhave, e përsëris. Edhe të plejadës së rezistencës së Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Pastaj, organizimi me figura t’shquara që kanë qenë, si: Halim Orana, Haki Efendia, Hamdi Berisha, e të tjerë. Pastaj me periudhën e mëvonshme të figurave atdhetare, si Metush Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Mark Gashi, e të tjerë. Me gjeneratën e Kadri Halimit e Ramadan Halimit, e të tjerëve, që ishin edhe bijë të familjes të Ramiz Cërrnicës, i cili ishte një nga figurat më respektuara gjatë luftës, dhe menjëherë pas luftës. Po që për shkak t’asaj përgjegjes historike që e kishte thënë në Kuvendin e Prizrenit, “Jo me Serbinë, po me Shqipërinë!” kishte pasur persekutime gjithë familja, edhe ai personalisht. Kishin kaluar decenie të tëra në burg, kurse i biri i tij ishte dënuar edhe me pushkatim. Dhe megjithate, kishte mbetur vatër e frymëzimit dhe e rezistencës, n’ato anë.

Unë kam pasë fatin që birin e tij ta kem një kohë arsimtar, dhe shumë prej figurave që ishin të angazhuar në Lëvizjen e atëhershme atdhetare, ose kishin lidhje familjare të tërthorta, ose t’drejtpërdrejta, ose kishin me figura që ishin arsimtarë tanë, dhe kjo krijonte një atmosferë vlimi. Po kishte edhe veprimtarë që ishin pak ma t’moshuar se unë, për shembull: Rexhep Mala, Isa Kastrati, Zija Shemsiu, e tjerë, që ishin të angazhuar në forma të ndryshme, dhe u bënë pastaj protagonistët e vjeshtës pranverore, nëntorit pranveror të ‘68-tës. Unë atë vit kam qenë nxënës i vitit t’parë t’shkollës t’mesme, sapo kishim shkuar. Dhe, demonstratën e ‘68-tës e kam përjetuar si një çlirim shpirtëror, t’veçantë. Por ishim tepër t’ri, dhe ne na bllokuan, dhe kur dolëm për dritare, si mundëm, në t’vërtetë ishte në shpërndarje e sipër. Kaluam njifarë mënyre, vetëm nifarë përcëllimi, nifarë… si t’thushë, në mesin e t’rinjëve që po shpërndaheshin, e tjera.

Po mjaftonte kjo për t’u mishëruar me atë frymë rebelimi, ngritje… si t’thushë, që ishte një mini- kryengritje e llojit t’vet, por që te brezat e ri linte gjurmë të thella, dhe krijonte nji dëshirë t’papërmbajtur që të rriteshin sa ma shpejtë, t’forcoheshin sa ma shpejt, të trimëroheshin sa ma shpejt, që edhe ata pastaj të bëheshin pjesë e një Lëvizje t’tillë. E bënte këtë edhe ma t’fuqishme literatura që lexonim dhe e shpërndanim dorë më dorë. Kangët që ndëgjonim nga Radio Tirana, dhe i shkruanin e i shpërndanim po ashtu dorë më dorë. Emisione më vonë që jepeshin nga Radio Tirana, Radio Kuksi, t’cilat kur krijuam pak bazë teknike – se atëherë ende s’kishte sa duhet kasetofonë, e tjerë – por edhe i inçizonim, edhe i shpërndanim. Kështu vepronin edhe shumë arsimtarë nëpër shkolla të ndryshme, dhe kështu është ringjallur ajo fryma patriotike që pushteti jugosllav kishte bërë përpjekje për decenie të tëra ta ndrydhte, ta shtypte, ta dërrmonte, dhe ta varroste thellë nën dhe.

Unë kam pasur fatin pastaj të jem në kontakt me Rexhep Malën, Ilmi Ramadanin, e shokë të tjerë, dhe n’atë mënyrë edhe t’fillojmë atëhere nji lloj organizimi dhe veprimtarie të rregullt dhe t’organizuar politike. Me Rexhep Malën, Kadri Zekën, Ilmi Ramadanin, e kemi bërë edhe qçerthullin e parë… për ne e kam fjalën. Do të thotë, ne jemi organizuar… unë jam organizuar s’pari herë në këtë qerthull me Kadri Zekën, t’cilin e kisha shok të klasës, t’bankës, t’familjes, t’shpisë ishim, dhe me shokë t’tjerë, dhe kjo ishte mënyra si veprohej atëherë, kryesisht në treshe. Po për shkak të faktit se n’këtë rast ishim… si t’thushë, t’njohur, t’lidhur me njëri tjetrin, ndonjëherë edhe bëhej që të ishim katër, kështu me radhë. Kjo pastaj erdhi edhe u shndërrua në një… pas zgjerimit të rrathëve, edhe në celula tjera, sepse çdo celulë bënte edhe një celulë tjetër, ose secili veprimtar bënte një celulë, dy celula, dhe ato zgjeroheshin, dhe n’këtë mënyrë zgjerohej Lëvizja jonë.

Aty këtu, takonim edhe shokë që vinin prej celulave tjera, që ishin formuar më herët, ose po formoheshin, dhe u kthye në një Lëvizje që quhej me emra të ndryshëm, po ne e quanim kryesisht Lëvizje, Lëvizja Çlirimtare e Kosovës. Prandaj edhe veprimet që bëheshin, bëheshin kryesisht n’këtë emër. Prandaj edhe traktet e para që kishim shpërndarë ne në këtë cilësi, kishin titull “Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës” dhe poshtë, pos thirrjeve tjera, kishin edhe thirrjen “Rroftë Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës!” Me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare tëKosovës, ne nënkuptonim jo vetëm pjesën ku ne bënim pjesë, po ishim t’vetëdijshëm se kishte edhe pjesë të tjera të organizuara në Kosovë, me t’cilat nuk ishim në kontakt, nuk njiheshim, por e dinim se ata veprojnë, dhe besonim se në ecje e sipër, një ditë do të takoheshim, do t’njiheshim, do t’lidheshim, do t’bashkoheshim, dhe atëherë Lëvizja do të ishte edhe ma e fuqishme, edhe ma efektive. Në njifarë mënyre, kështu edhe ndodhi.

Më vonë, gjatë studimeve… unë kam pasë regjisturuar fillimisht Fakultetin Teknik, Ndërtimtarinë, por meqë kisha një dëshirë që të regjistroja Gazetarinë… po atëherë s’kishte Gazetari në Kosovë, kishte vetëm jashtë Kosove, dhe s’i kishim mundësitë materiale për t’shkuar jashtë. Dhe u hap Gazetaria… kam pasë kaluar në Gazetari dhe kam studiuar Gazetari Diplomaci. Dhe siç ka qenë atëherë në modë, edhe nji fakultet të dytë, nji gjuhë të huaj, gjuhën frenge. Gjuhën Frenge e kishim mësuar edhe në shkollë fillore, nga mësues tanë shumë të mirë, edhe për mua ishte lehtësim kjo.

Si studentë, ne vazhdonim veprimtarinë atdhetare, që përqendrohej… si të thushë, në lexim të literaturës të ndryshme, diskutim rreth saj, ngritje lartësim teorik, profesional e, veprues, e tjerë… organizues. Zgjerim të rrathëve… do të thotë me veprimtarë e veprimtare tjera. Veprime të ndryshme, siç ishin shpërndarja e literaturës, ose aksione të ndryshme që bëheshin kryesisht t’karakterit propagandistik. Shkruheshin parulla, prisheshin parullat e pushtetit, shqyheshin fotografitë e figurave t’tyre t’respekruara, vendoseshin e shpërndaheshin fotografi t’figurave që ne admironim e i idealizonim. Dhe, me kalimin e kohës, shkruanim shkrime t’ndryshme, artikuj… I botonim ato në nji fletushkë që atëherë filluam ta botonim, “Zëri i Kosovës.” Dhe me kalimin e kohës edhe shpërndarjen e trakteve, që kishte pasë edhe nji periudhë ma t’hershme… si të thushë, raste të shpërndarjes së trakteve, po n’ato vitet ‘70, erdhi dhe u shëndrrua edhe në aksione që përfshinin gjithë Kosovën, për shembull t’gjitha konviktet e studentëve.

Dhomë më dhomë, shkruheshin parulla në gjitha koridoret, dhe nuk arrihej të zbulohej asnjë nga autorët. Mund t’them se për herë t’parë po ndodhte një fenomen i tillë, që i detyrohet edhe faktit që Lëvizja jonë, shëndrruar në Organizatë tani, po fuqizohej edhe organizativisht. Edhe kjo i detyrohet kujdesit të drejtuesve t’saj më me përvojë se ne, të cilët edhe duke nxjerrë mësime nga përvoja e organizatave të tjera, edhe kishin përgatitur instruksione dhe praktika, sipas t’cilave edhe dëshmojnë se edhe pse UDB-ja ishte vërtetë e fuqishme, e përhapur gjithandej, me shumë bashkëpunëtorë, me shumë piptha t’saj dhe me shumë mikrofona t’vendosur në gojët e njerëzve… si t’thushë, që përgjonin dhe tregonin gjithçka dëgjonin, dhe me nji aparat t’fuqishëmedhe teknologjik që kishin, edhe me mbështetje financiare t’pallogaritshme nga shteti, kishin krijuar bindjen se Lëvizja atdhetare nuk mund t’i qëndrojë presionit të UDB-ës, dhe po të bahen ma shumë se tre katër vetë, përnjiherë zbulohen, bien, burgosen, dhe mbaron gjithçka.

Në të vërtetë, në përvojën tonë po dëshmohej se kjo ndodhte, përveç tjerash, edhe për shkak të dobësive që kishim në organizim. Po kur puna bëhej me kujdesin, me fshehtësinë e duhur, me diciplinën e duhur, me… atë që ne e quanim, konspiracionin e duhur, do të thotë respektimin e rregullave të veprimit të fshehtë, sipas t’cilit edhe njerëzit që ishin ndonjëherë vëllezër… vëllau vëllaut nuk i tregonte ç’bënte, ç’lidhje ka me tjetrin, nuk i tregonte askujt prej familjes. Familja ime nuk ka ditur gjë për lidhjet e mia, dhe kështu ka ndodhë edhe me shokët e mi. Me shokët më të mirë ne takoheshin vetëm fshehur, natën, në vende t’caktuara, po ditën bëheshin se nuk njiheshim. Dhe në këtë mënyrë edhe ndodhi që edhe pas burgosjeve të njëpasnjëshme… megjithatë burgosej një hallkë, po vazhdonin të tjerat.

Kësaj i shkonte përshtat edhe kriza që po thellohej në Jugosllavinë e atëhershme. Krizë ekonomike e gjithanshme. Një politikë represive që vazhdonte të ndiqej, me nji ritëm ma t’zvogëluar pas rënies t’Rankoviqit. Po pastaj në periudha të ndryshme edhe me… si t’thushë, manifestim përsëri t’atij zellit represiv antishqiptar. Po i shkonte përshtati edhe ndikimi i fortë që kishte Republika e Shqipërisë, mjetet e saja t’informimit, Radio Tirana, shtypi i saj, depërtonin megjithate n’kanale të ndryshme, dhe kjo sidomos në saje t’mërgimtarëve tanë.

Jugosllavia n’ato vite kishte investuar shumë që t’u çilte dyert shumë njerëzve tanë, kryesisht atyre të paarsimuar, pa ndonjë formim intelektual e tjera, që bënin një kurs profesional dhe pastaj dërgoheshin në Gjermani, Zvicër, e gjetiu. U jepeshin pasaporta me lehtësi atyre, po nuk u jepeshin, ta zamë, intelektualëve me aq lehtësi. Dhe dihej qartë, se qëllimi ishte të zbrazej Kosova me elegancë, dhe në këtë mënyrë të realizohej plani i Çubrilloviqit për ndërrimin e strukturës etnike të Kosovës dhe territoreve shqiptare, dhe sërbizimin e saj.

Ndoshta edhe do t’ndodhte kështu, sikur t’mos ishte fakti që atje pastaj – siç ka ndodhë në historinë tonë me kolonitë shqiptare, që kanë lujtë rol t’jashtëzakonshëm në ngritjen e Rilindjes… zhvillimin e frymës të Rilindjes Kombëtare. Po përsëritej kjo frymë, edhe falë kujdesit të Tiranës t’atëhershme, që n’mënyra t’ndryshme i furnizonte punëtorët tanë me literaturë, me shtypin, me filma, emisione dokumentare, sllajde e tjera. Dhe gradualisht ato klubet që Jugosllavia i kishte ngritur gjithandej, si klube jugosllave, për jugosllavizimin dhe instumentalizimin e tyre, në t’vërtetë, filluan të ktheheshin dhe të bëheshin klube atdhetare, që ishte praktikisht çlirim i mërgatës. Atje ishte më e lehtë, sepse sado që UDB-ja ishte e pranishme dhe i kërcënonte… mjaftone t’ua merrnim pasaportën dhe i prenin… do të thotë burimin e jetës, i prenin mundësinë që të kontaktonin familjet, i rrezikonin familjet.

Por megjithate, ata që jetonin në perëndim, sado kudo, kishin një hapësirë më t’madhe dhe mund të… si të thushë, të çliroheshin shpirtërisht, duke parë edhe shokët e tyre punëtorë, që kishin edhe ata pakënaqësitë e tyre, po i manifestonin në një frymë ma të lirë, ma të hapur. Dhe kështu, mërgata luajti një rol të jashtëzakonshëm në pamundësimin e planeve të serbizimit të Kosovës dhe deshqiptarizimit të saj. Lëvizjes sonë atdhetare, kjo i jepte një fuqi të jashtëzakonshme. Lëvizja jonë vendosi lidhje t’forta me mërgatën dhe atje u formuan organizata të ndryshme, shpesh pa ndonjë lidhje mes vete, po që kishin një kauzë t’përbashkët, dhe shpesh takoheshin në përpjekje e sipër, në punë e sipër, në rezistencë e sipër.

Unë në ato kohë, edhe veproja ilegalisht, edhe studioja, dhe meqë kishim dhe nevoja ekonomike, fillova të punoj si gazetar i ri, atëherë në të vetmen të përditshme të Kosovës, gazetën “Rilindja.” Dhe për mua ishte një rast po ashtu i jashtëzakonshëm që t’i njihja figura të shquara të inteligjencës sonë: shkrimtarë, gazetarë me nam, të gjeneratave t’ndryshme, të orientimeve t’ndryshme, t’shkollave të ndryshme, po që si tërësi ishte një shkollë po ashtu shumë e rëndësishme për mua, pos jetës universitare dhe studentore. Kështu ishte edhe me moshatarët e mi.

Po ndërkohë, kishin ndodhur burgosje të shumta, dhe kishte ndodhur ajo që përpara nuk ndodhte. Shokët si Rexhep Mala, Ilmi Ramadani, e të tjerë, ishin burgosur, ishin torturuar çnjerëzisht. Ishin burgosurnë arrestime kuturu që bëheshin, pas aksioneve që ishin kryer… Autoritetet e atëhershme edhe maçina hetuese e UDB-së, nuk mërziteshin shumë kush është autori i vërtetë, po sipas stilit që kanë praktikuar edhe gjeneralë të ndryshëm në vendet kolonialiste, që thoshin, “Nëse s’mund t’kapësh peshkun, rrëmbeje ujin…” do të thotë popullin, “dhe brenda do t’gjesh edhe peshkun.”

UDB-ja atëhere, organizonte arrestime n’masë, kuturu, të figurave të njohura atdhetare, që sapo kishin dalë nga burgu, ose aty këtu t’afërmëve të tyre, me shpresë se brenda tyre do t’gjejnë edhe vepruesit, dhe pastaj ata do të flisnin dhe do të zbuloheshin. Në të vërtetë, për herë t’parë po ndodhte që edhe pas burgosjes të tyre, të dënoheshin të tjerë, po veprimtaria të vazhdonte.Ne që kishim mbetur falë qëndresës të tyre, pastaj organizonim aksione tjera për t’dëshmuar se nuk janë ata aktorët e atyre veprimeve të inkriminuara, të dënuara, që eventualisht të liroheshin. Po pushteti atëhere represiv, nuk mërzitej fare, vazhdonte t’i ndiqte të tjerët dhe t’i burgoste aty këtu, po ata i mbante në burg. Edhe pse  konstatohej se ata kanë qenë fare pa faj. Kështu është arrestuar edhe herën e fundit edhe Adem Demaçi me shokë, e tjerë.

Jeta Rexha: Në çfarë viti saktë?

Hydajet Hyseni: ‘75. Ne që kishim mbetur – dhe ndonjëherë mbeteshim pak pas arrestimeve të shumta… n’atë kohë edhe nuk ishim shumë që vepronim, në linjën tonë, kishte linja tjera që vepronin, po edhe si tërësi nuk ishin edhe aq shumë- e konsideronim si detyrë edhe më të rëndësishme, dhe më t’shenjtë që t’përkushtoheshim edhe më shumë, sepse tash përveç kauzës t’parëve tanë, amanetit t’parëve – mund ta zamë rastin tim, t’gjeneratës t’dajës tim, që po bënte burgun e tretë, n’Maqedoni tani i dënuar – unë kisha edhe… ose kishim edhe borxhin e shokëve tanë, që ishin atje. Kështu që kauza e lirisë ishte për ne gjithçka. Kishim dhe një moto atëherë, “Gjithçka për çështjen, asgjë mbi çështjen, kurgjë pos çështjes!” Duket e tepruar sot, por vërtetë kështu ishte! Dhe, kjo i kushtonte edhe familjeve, i kushtonte edhe individit, edhe karrierës tij, e tjera.

Do të thotë, unë jam tek jeta ime studentore, dhe n’ato kohë kishte një pakënaqësi n’mesin e studentëve edhe me gjendjen në t’cilën ndodhej Kosova, gjendjen politike t’saj, edhe pas një përmirësimi që kishte Kosova, pas rënies t’Rankoviqit dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit ‘74, që pritej se do ta barazonin Kosovën dhe do ta bënin Republikë. Edhe po të ndodhte kjo, për shqiptarët nuk konsiderohej si zgjidhja më e drejtë. Kosova dhe viset e tjera shqiptare ishin ndarë padrejtësisht nga trungu kombëtar, nga Shqipëria, dhe konsiderohej gjithandej se e vetmja zgjidhje e drejtë, e qëndrueshme, është bashkimi i tyre, respektimi i vullnetit të tyre. Kjo zatën edhe ishte premtuar nga udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, para Luftës të Dytë Botërore, dhe gjatë Luftës të Dytë Botërore.

Dhe fakti pastaj, që ma vonë kjo ishte mbytur me gjak, duke burgosur bijtë ma t’mirë të Lëvizjes të atëhershme, edhe të krahut antifashist, po edhe të atij tjetrit, që ishte ndonjiherë edhe i atashuar pak a shumë me fashizmin, ose nuk ishte i atashuar me fashizmin por ishte i orientimit pro perëmdimor, pro anglez e, pro amerikan, ta them ashtu. Megjithatë, për pushtetit e atëhershëm jugosllav, ata që kërkonin zgjidhje t’drejtë e t’qëndrueshme, ishin një. Prandaj t’njejtën kohë, edhe ekzekutohej Gjon Serreçi e Marie Shllaku, dhe Xheladin Hana që ishte drejtor… kryeredaktor i parë i “Rilindjes.” Edhe Bedri Pejani, që ishte një protagonist edhe i Lëvizjes Nacional-Revolucionare të viteve ‘30, e i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, dhe një nga protagonistët e Lidhjes së tretë të Prizrenit. Dhe, burgosej, ta zamë… likuidohej Omer Qerkezi e Nexhat Agolli, që ishin figura të orientimit antifashist, por që në sytë e pushtuesve, këta të rinj ishin e njejta gjë.

Për pushtuesit e Kosovës, sidomos ata serbo-mëdhenjë, kurrë nuk ka qenë kryesore ideologjia. Ideologjia është përdorur ndonjëherë për hesape politike, por kriter vlerësimi ka qenë nëse dikush është vërtetë për lirinë e vendit të vet, e të popullit të vet, apo jo. Nëse është i gatshëm të jetë shërbëtor e kolaboracionist, apo jo. Prandaj ajo që ka ndodhur, edhe midis dy luftërave botërore, kur krajlitë e atëhershme të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, përkrahnin edhe kundërshtarët e Fan Nolit, që ishte peshkop, ortodoks, dhe në praktikën e politikës serbomadhe, në të cilën kisha ortodokse luante një rol të jashtëzakonshëm të rëndësishëm, është vështirë ta kuptosh këtë.Rrënonin me të gjitha mjetet një peshkop ortodoks, për t’siguruar një udhëheqje që i dukej më orientale, dhe n’pamje t’parë dukej shumë më larg prej Beogradit, por arsyeja ishte se Fan Noli, me frymën që e karakterizonte, atdhetarizimin e pastër, dhe frymën progresiste, lidhjet që kishte me botën progresiste atëherë, n’gjitha anët, përbënte rrezik të vërtetë për planet e përbindëshme të Beogradit. Prandaj ata, edhe e pamundësonin me çdo mënyrë.

Këtë logjikë ka ndjekur edhe pas Luftës së Dytë Botërore pushtuesi i ri me petk tjetër, por që në t’vërtëtë vazhdonte t’njejtën politikë ndaj shqiptarëve. Ndonjëherë është vështirë t’kuptohet kjo, sidomos prej t’huajve. Por ndoshta, fakti që në qeverinë e re të Titos ishin ndërruar pothuajse që t’gjithë kuadrot, edhe ishin ekzekutuar shumë nga intelektualët e vërtetë, edhe serbë, edhe kroatë e, sllovenë, e tjerë, t’regjimeve t’mëparshme. Por megjithate, një nga ministritë… i vetmi që kishte ruajtur postin e tij ishte Vasa Çubrilloviq, autor i projektit për dëbimin e shqiptarëve dhe spastrimin… qysh e quanin ata etnik të Kosovës, do të thotë deshqiptarizimin e Kosovës dhe serbizimin e saj. Ky ishte një nga pjesëmarrësit në atentatin kundër Princit Ferdinand, përfaqësues i Crna Rukës, Dora e Zezë serbe – do të thotë një organizatë ekstreme, radikale, terroriste – i cili vjen e bëhet pastaj ministër i… për demografi i pushtetit të ri jugosllav, që u vendos me Titon në krye, e tjera. Dhe n’këtë cilësi, si ministër i qeverisë t’re, ai bën projektin e dytë për dëbimin e shqiptarëve, me të njejtat motive.

Ata që kanë pasur iluzione se pushteti i Titos, që hiqej si ma liberal, si ma pro-perëndimor, edhe ishte më i mirë… mund edhe t’gjejnë aty këtu ndonji argument për ilustrim. Çdo kohë ka edhe pluset e minuset e vet. E imponojnë edhe rrethanat. Punojnë ndonjëherë edhe rrethanat me palën tjetër. Ishte Shqipëria në anën tjetër që bënte një trysni, dhe diçka duhej t’lëshuar pe. Por askush nuk duhet t’harrojë faktin që shpesh harrohet, që vetëm në periudhën e përfundimit të Luftës të Dytë Botërore, dhe menjëherë pas saj… do të thotë ato vitet ‘44-‘45, sipas evidencës që tani botojnë historianët tanë, numri i shqiptarëve të ekzekutuar e t’masakruar sillet dikund rreth 70 mijë vetë. Imagjinoni! Në një popullatë me pothuajse gjysmë milioni, një numër aq i madh, që vështirë mund t’krahasohet me cilindo nga vendet përreth. Dhe shumica prej tyre ishin civilë, gra, fëmijë, pleq… krejtësisht t’pafajshëm. Ose, intelektualë të shquar, e përsëris, të t’gjitha orientimeve, edhe të një orientimi djathtist pro perëndimor, edhe të atij tjetrit, që e quanin atëhere informbyroist, e tjera. Mjaftonte që të ishte atdhetar, dhe për pushtetin e atëhershëm ishte… ishe armik.

Kjo frymë është… ka evoluar në periudha të ndryshme, por në thelbin e saj nuk ka ndryshuar. Pas rënies t’Rankoviqit, qe krijuar një situatë më e shtendosur, nji rënie e represionit, nji bartje e disa të drejtave dhe lirive edhe udhëheqësve shqiptarë në Kosovë, dhe kjo ka krijuar… krijoi një atmosferë të përshtatshme edhe për zhvillimin kulturo-arsimor, gjë që u mundësua edhe me ndihmën e pakursyer t’Republikës t’Shqipërisë, e cila ato kohë edhe pse kishte vështirësi të shumta vet,edhe për shkak të pozitës ndërkombëtare që kishte e jeta, megjithate për Kosovën, siç thuhej edhe nga kreu më i lartë i saj, “Nuk kursehej, dhe nuk duhej t’kursehej asgjë!” Prandaj, shumica e kuadrove që mbanin edhe universitetin këtu, sidomos n’Mitrovicë e tjera, siç është thënë pastaj nga drejtuesit kosovarë t’saj, në t’vërtetë vinin nga Tirana, dhe bënin punë falas për gjithçka, dhe ofronin edhe bursa, specializime, e për aq sa do t’kishte nevojë Kosova.

Falë edhe angazhimit të inteligjencës sonë, një pjese të burokracisë shqiptare që po rritej dhe po institucionalizohej, kjo solli vërtetë një ndryshim impresiv deri n’vitet ‘74, që pritej t’ishte viti i kthesës edhe i barazimit të plotë të Kosovës me Republikat e tjera, gjë që ishte edhe shprehje e kërkesës të demonstrateve t’vitit ‘68, që kishte kërkesën për vetëvendosje, dhe synimin që t’bëhej barazimi, si njëfarë modus vivendi i saj. Gjë që ishte kërkuar edhe nga udhëheqja e atëhershme… nga një pjesë e udhëheqjes institucionale të Kosovës, sidomos nga intelektualë të respektuar të Kosovës e tjera, dhe ishte një kërkesë e përgjithshme. Këtu bashkoheshin t’gjithë, që është apo s’është ma e mira, barazimi me Republikat e tjera është një status… si t’thuash, modus vivendi është njifarë zgjidhje, është njifarë satisfaksioni, dhe mund t’jetë një bazë e mirë për zhvillim t’matejshëm, e tjera. Ndoshta edhe do t’ishte këtu, po t’ishte lejuar ajo. Por viti ‘74 dhe kushtetuta e saj, sado që kishin… ishin një hap i rëndësishëm përpara, në të vërtetë zhgënjeu pritjet e pjesës ma atdhetare, ma të përkushtuar të Lëvizjës Kombëtare në Kosovë.

Kosova mbeti në nji gjendje hibride: ishte element i Federatës, por në përbërje të Serbisë. Kishte një avancim, kishte edhe kushtetutën e saj që ishte kërkuar edhe në demonstratat e ‘68-tës, kishte edhe disa t’drejta, në disa aspekte edhe ekuivalente pothuajse me Republikat e tjera, por në fakt, në aspektet kryesore mbetej e diskriminuar. Mbetej e diskriminuar edhe politikisht, po sidomos ishte e diskriminuar ekonomikisht. Niveli i Kosovës jo vetëm që ishte shumë herë nën nivelin e mesatares jugosllave, të mos flasim me Republikat e zhvilluara, por pas një ngritje relative që pati, filloi pastaj ngecja e mëtejshme.

Plaçkitja e pasurive të Kosovës po vazhdonte me intensitet të pazvogëluar. Kosova shfrytëzohej si burim lëndësh të para, por jo edhe si vend ku do të bëhej fabrikimi dhe shfrytëzimi nga kosovarët i pasurive të jashtëzakonshme të Kosovës. Besoj është e njohur, Kosova përbënte rezerva veçanërisht të rëndësishme të mineraleve, prodhonte mbi 70 përqind të gjithë prodhimit të zinkut, njiqind përqind të kromit, të magneziumit, nji përqindje të lartë të argjendit prodhohej në Kosovë. Të mos flasim për thëngjillin e tjera, që po të shfrytëzoheshin nga kosovarët, Kosova shpejt do të zinte hapin me Republikat e tjera, dhe ndoshta do të bëhej si Ruri e Sari i Gjermanisë.

Por kjo nuk lejohej. Për pasojë, popullata e Kosovës n’njifarë mënyre detyrohej ta braktiste vendin, dhe të shkonte për punë… Përpiqej për shkollim po me privacione t’shumta, dhe shumë e diskriminuar n’raport me moshatarët e tyre. Niveli i papunësië në Kosovë ishte shumë ma i lartë, niveli i t’ardhurave shumë më i ulët. Kosova kishte dendësinë më t’madhe t’popullsisë, ma s’paku tokë t’punueshme për familje, për kokë banori. Kështu që, përveç pakënaqësisë politike, ishte edhe një pakënaqësi sociale, që sa vinte e rritej, e thellohej.

Në vitet ‘70, kjo edhe më shumë, për shkak edhe të krizës ekonomike që mbërtheu Jugosllavinë, pas borxheve që kishte marrë Jugosllavia, me dhjetra miliarda kredi nga jashtë, një pjesë e t’cilave ishin shfrytëzuar edhe nga ajo farë borgjezia e kuqe e Kosovës që thuhej, sikur nga gjithë elita e atëhershme e Jugosllavisë. Po në Kosovë ishte proporcionalisht shumë më pak se n’viset e tjera të Jugosllavisë, po këtu kishte krijuar, si dhe gjetiu, për një kohë iluzionen se, “Ja, jemi mirë!” Natyrisht, kur merr borxhe një familje, një kohë edhe ka një mirëqenie, një rahati. Por kur vjen puna pastaj t’paguhen borxhet, kamatat, dhe shto kësaj korrupcionin, keqpërdorimet e shumta e tjera, që atëhere kanë qenë poashtu në përmasa vërtetë… për kohën të pazakonshme, krahasuar me vendet e tjera. Ndoshta krahashuar me sot mund t’jenë edhe ma pak! Po kjo shkaktoi një pakënaqësi të përgjithshme, që çoi pastaj edhe në Lëvizjen e atyre viteve, ‘70-ave dhe vitit ‘81.

Jeta Rexha: E tash me ju pytë zoti Hydajet, ku ishit ju n’vitet e ‘70-ta…?

Hydajet Hyseni: E këtu pikërisht… Unë n’atë kohë, siç thashë, isha student, punoja në “Rilindje”dhe veproja në Lëvizjen Ilegale. Por, në vitin ‘78, në prill të vitit ‘78, po ndiqja një mbledhje të Odës të Kooperativave të Kosovës, isha i akredituar në… atëhere Sindikatat e Kosovës edhe e ndiqja… organizata e Sindikatës atëherë ka qenë organizatë me ndikim, e fuqishme e tjera, edhe organizata të ngjajshme. Dhe konstatova se një nga hetuesit e atëhershëm, inspektorët e Sigurimit të Shtetit, po më vëzhgonte. Unë isha i informuar disa javë më parë, se në t’vërtetë isha nën vëzhgim të organeve të Sigurimit. Dhe, prandaj dhe i kisha marrë masat qëtë ndërroja banesën dhe të jetoja në Prishtinë, edhe pse familja ishin në vendlindje, dhe kisha kujdes për gjithça se prisja që do t’më arrestonin.

Më vonë, kisha marrë vesh se përveç dyshimeve tjera, ata kishin zënë edhe një letër që më ishte dërguar nga burgu, nga shokët atëherë, Xhafer Shatri, Rexhep Mala, dhe kishte rënë n’dorë t’tyre. Ka ndodhur që Rexhep Malës t’i zihet ndonjë letër edhe aty për aty, n’dorë, dhe ai ta gëlltiste atë. Por ka ndodhur që edhe ndonjë letër e dërguar në format që kishim atëherë, ndonjëherë nëpërmjet të burgosurve që dilnin nga burgu dhe i konsideronin t’besueshëm, ose t’i zihet dikujt letra, ose ndoshta edhe aty këtu të binte në duar të pasigurta. Por që ata pastaj të vijnë deri tek konstatimi se edhe ndonjë shkrim, siç më kanë thënë gjatë hetimeve, ndonji punum i përgatitur për botim në vitin ‘74, do të thotë tri, katër, vite më herët, në gazetën “Zëri i Kosovës” që ishte zënë tek shokët e atëhershëm t’burgosur, Xhafer Shatri, Kadri Osmani, Binak Ulaj, Jashar Aliaj, e tjerë, e që nuk ishte zbuluar që ishte dorëshkrim i imi, në të vërtetë të konstatohet nga grafologu se është tekst i imi.

Prandaj, në atë mbledhjen thashë që isha, konstatova se po ndiqesha nga… po vëzhgohesha hap më hap… bahesha sikur s’po e shikoj, dhe për ta konstatuar se si është puna, nëse ka ndryshuar apo është përcjelle rutinore, siç i bënin ata kohëzgjatje, dola në pauzë nga mbledhja dhe shkova në tregun e qytetit, që s’ishte larg atje. Duke menduar që aty blej diçka, bëhem sikur po blej, dhe shikoj nëse po m’ndjek ky tipi, apo jo. Por ata nuk pritën, dhe ndodhi në hyrje të tregut. M’rrethuan një numër i madh i hetuesve, dhe n’mënyrë spektakulare më paralizuan, m’kapën për krah, por duke m’thanë, “Mos lëviz, se e ke të pamundshme t’bësh çkado qoftë! Je në duar të Sigurimit edhe çdo lëvizje është e kotë! Vetëm shkon poshtë!”

Natyrisht s’kishte as gjasa të lëvizja. Bëhesha sikur s’di ç’është kjo. Më nxjerrin prej asaj, më fusin n’makinë dhe më dërgojnë… mendoja se po m’dërgojnë në burgun e qytetit. Ata kaluan Prishtinën, kaluan Lipjanin. Mendoja që po m’dërgojnë në burgun e Lipjanit… edhe vazhduan tutje dhe më dërguan në nifarë ndërtese që kishin pasur ata, se kisha ditur përpara, në Blinajë, Lipovicë i kanë thënë përpara. Do të thotë që është njifarë rezervati që është mbajtur si park nacional, ku Sigurimi Shtetëror kishte pasur një ndërtesë të veten, speciale për këso rastesh. Ne kishim ditur se këta kishin përdorur edhe metoda t’tilla për rrëmbimin dhe trajtimin e njerëzve që i kanë konsideruar të dyshimtë, ose kundërshtarë të regjimit.

Aty mora vesh se megjithate ka rrjedhur diçka. Nxorrën edhe përpara fletoren me punimin tim që kisha shkruar, një punim të gjatë, “Kosova nën regjimin titist”. Mund t’ua tregoj më vonë. Një shkrim i gjatë për gjendjen e Kosovës në atë kohë. Gjendjen politike, ekonomike, e tjera, aq sa mund ta shkruante një i ri n’moshën n’cilën isha unë, ishte pak më shumë se 20 vjeç. Dhe, kërkohej me ngulm që t’pranohej se është e imja. Më nxorrën përpara konstatimin e grafologut, eksperitit, se shkrimi është i njejtë. Dhe për ta krahasuar, kishin marrë formularin me të cilin kisha mbushur… për të marrë letërnjoftimin.

Duhej një formular t’mbushej, dhe shkronjat pastaj secilën… gjë që vërtetë dukeshin edhe me sy të lehtë që është i njejti. Ishte një dëshmi se s’kishim qenë sa duhet të kujdesshëm atëherë, për të ndryshuar eventualisht edhe shkrimin. Ne kishin ndonjë makinë shkrimi atëherë, edhe e përdornim, por n’atë kohë edhe makina e shkrimit ishte punë e madhe. Dhe ka pasë periudha kur për t’marrë nji makinë shkrimi… megjithatë është mbajtë evidencë kush ka makinë shkrimi. Për kushtet e sotme është e vështirë t’pranohet… të kuptohet kjo.

Më mbajnë gjithë ditën, gjithë natën, dhe kah mëngjesi, meqenëse s’ma dinin banesën, kërkonin ta dinin ku e kam banesën. Dëshironin të shkonin të kontrollonin si duket. Unë e kisha ndërruar banesën, dhe kisha shkuar me kujdes gjithmonë, do të thotë jo drejtëpërdrejtë prej punës në banesë, dhe si duket nuk e dinin. Prandaj dhe kah mëngjesi, më thanë, “Mirë, mund të shkosh, po ti nuk na shpëton. Nuk ikë më! Ose duhet t’vish vetë, ose ne t’kemi në dorë! Dhe, veç mund ta rëndosh gjendjen tënde.” Kërcënimet ishin se do t’dënohesha rëndë, do t’shkatërrojnë gjithçka, do t’shkatërrosh familjen. Unë isha i martuar, kisha fëmi. Isha i vetmi djalë i familjes, në nji mënyrë mbajtës i familjes. Dhe ata i përdornin t’gjitha këto për të bërë trysni.

Megjithate, më liruan dhe shkova në shtëpi. Bëra sikur po flija, po më shoqëronte gjithmonë nji i policisë dhe kur po i them, “Po tash unë shkoj vet”, nuk më ndahej, nuk më shqitej nga ajo që, “Jo po t’shoqëroj se është kohë e keqe, para mëngjesit. S’duam të ndodhë diçka.” Po në t’vërtetë kur erdhi afër për ta provuar, unë dija rrugën që shkonte drejt te shpia, po i rashë më shkurt, e që ishte një rrugicë e ngushtë, me errësirë, pa drita. Dhe ai u zbraps pak, se si duket s’ishte i sigurtë çka po ndodhte, pse po hy, edhe kur po i thosha, “Po mund t’kthehesh këtu, se tash këtu është afër shtëpia dhe s’ka rrugë tjetër, kjo është.” Megjithate tha, “Po m’vjen keq, po unë e kam detyrë ta mësoj shpinë ku e ke, ku je.” Edhe më tregoi hapur se në t’vërtetë, ai s’ishte ardhë për t’më shoqëruar mua, po donte ta dijë shtëpinë ku e kam. Edhe u ba pastaj, kur shkuam te banesa ku isha se sikur mbaroi, edhe po kthehet, se tha, “Jam pa gjumë, kam mbetë pa gjumë,” e tjera. Unë u bëra sikur fika dritën në banesë e po flija. Në t’vërtetë, qëndrova zgjuar përsëri dhe shikoja për dritare. Gjatë gjithë kohës ata silleshin rreth banesës, dhe e kuptova se isha praktikisht n’burg, isha i burgosur. Po në burg tani në banesën time, për t’pritur kur do t’më merrnin dhe t’vazhdonin.

Prandaj shfrytëzova rastin edhe dola sikur po blej bukë n’mëngjes, kur filloi të zbardhej, dhe takova pastaj një veturë me policë që rrinin edhe prisnin. Jo policë, civil ishin, po policë civilë. Dhe kur kalova unë, lëvizën, u zgjuan, u mobilizuan, u ndez makina. Bëja sikur s’po e shoh, s’po dëgjoj, hyra n’rrugën tjetër, u ndez një makinë tjetër, po vinte. Dhe e kuptova se u vunë n’lëvizje. Po meqë unë e njihja atë pjesë mirë, e kisha kaluar n’kambë gjithandej, dhe kisha një përparësi n’raport me ta. Rrugë pas rrugice, u hodha në nji oborr, n’oborrin tjetër, dhe dija një shtëpi t’braktisur ku hyra brenda dhe u mbylla. Lëvizën makina me… si t’thushë, dinamikë të pazakonshme për kohën e tjera, por megjithate nuk më gjetën. Dhe, kam pritur pastaj gjithë ditën, edhe deri n’mbrëmje vonë, dhe me kujdes t’jashtëzakonshëm kam dalë, ku kishim lidhjet pastaj me shokë t’organizatës. Edhe prej atëherë kam kaluar në ilegalitet. Kjo ka qenë me 15 prill ‘78, dhe kam qëndruar në ilegalitet deri në dhjetor të vitit ‘81. Atëherë ka qenë e pazakonshme të qëndrohet kaq gjatë në ilegalitet, po falë organizimit që kishim, kujdesit të shokëve e tjera, kjo ka qenë e mundshme.

______________

Hydajet Hyseni / Pjesa e Dytë, Intervistë

VIJON …

_________________________

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (III)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura