Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005
Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së
KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TE FLAS TË VËRTETËN (1)
Aty ku dështon politika, flet pushka Lufta ka mbaruar. Ndaj, edhe rrëfimi i Kamajl Shaqirit duhet kuptuar vetëm si një përpjekje e një ish-luftëtari për të hedhur një çik dritë mbi të vërtetën, të ndryshme nga ajo që disa e lakojnë nëpër rasa e kohë sipas qejfeve. Sa më shumë ta zbardhim të vërtetën e luftës që bëmë dje, e cila ia solli këtë liri Kosovës, aq më shumë do të jemi të lirë të shikohemi në sy, mbase edhe t’i flakim mëritë, të vendosim qoftë dhe një gur të vogël në themelet e kalasë së madhe të quajtur Kosovë, të ndërtojmë shtetin dhe të krijojmë botën ashtu siç e kemi aspiruar tash e 500 vjet. E vërteta është vetëm një. Ajo mund të jetë e ëmbël, por njëkohësisht edhe e hidhur për ndokënd. Megjithatë, është çfarë është, dhe si të tillë do duhej ta pranojmë. Sepse, nuk thuhet kot: mos kërko më shumë nga e vërteta gjersa nuk mund t’i japësh asgjë asaj. Ndaj, edhe protagonisti i këtij rrëfimi, z.Kemajl Shaqiri, më yshti ta bëj bisedën vetëm atëherë kur më tha: Dua të flas të vërtetën!
Intervistën e zhvilloi: Feim TAHIRSYLAJ
Në vend të hyrjes
Rishikimi i mëpastajmë i çdo lufte, të bëhet disi sikur u ngjan atyre gjurmimeve në thellësitë e pafundme të detit. Sa më thellë që zhytesh, aq më shumë tretesh nëpër cektinat e labirinteve të errëta që ruajnë në vete përplot fshehtësi… Deti dhe lufta kanë të përbashkët shumëçka nga të panjohurat, të pazbërthyerat. Të gjithë e duan detin kur ia kanë nevojën, por ai, si det që është, asnjëherë nuk nxjerrë në sipërfaqe të gjitha fshehtësitë dhe të vërtetat që mban përbrenda. Ndërsa, të gjithë të robëruarit e duan luftën sa herë që ia kanë nevojën lirisë. Veçse, për dallim nga deti, kur ajo përfundon secili mundohet të ketë një të vërtetë të tijen për të. Por, as deti e as lufta nuk janë vetëm ato që i shohim mbi sipërfaqe, as ato që i vrojtojmë nga sipërfaqja, as ato për të cilat na flasin herë-herë disa nga njerëzit, të cilët prej margjinave përpiqen të ndërtojnë detaje kozmetike, të mbledhin copëza rrëfimesh të imagjinuara, apo të heroizojnë emra të lakuar nëpër rasa e kohë sipas qejfeve, dhe nga të gjitha këto pretendojnë të krijojnë atë që quhet histori…
Në Kosovë lufta ka mbaruar. Çdo rikthim në peizazhet e vrara, çdo shprushje e kujtimeve dhe e atyre plagëve të hidhura, ringjall vetëm dhembje, dhembje, dhembje. Por, qëllimi i këtij rrëfimi të një ish-luftëtari nuk është ky, as përvetësimi i meritave, e aq më pak ndezja e mërive ndaj kujtdoqoftë. Rrëfimi i tij duhet kuptuar vetëm si një përpjekje për të hedhur një çik dritë mbi të vërtetën, ndryshe nga ajo që disa e lakojnë nëpër rasa e kohë sipas qejfeve. Sa më shumë ta zbardhim të vërtetën e luftës që bëmë dje, e cila ia solli këtë liri Kosovës, aq më shumë do të jemi të lirë të shikohemi në sy, mbase edhe t’i flakim mëritë, të vendosim qoftë dhe një gur të vogël në themelet e kalasë së madhe të quajtur Kosovë, të ndërtojmë shtetin dhe të krijojmë botën ashtu siç kemi aspiruar tanimë e 500 vjet. E vërteta është vetëm një. Ajo mund të jetë e ëmbël, por njëkohësisht edhe e hidhur për ndokënd. Megjithatë, është çfarë është dhe si të tillë do duhej ta pranojmë. Sepse, nuk thuhet kot: Mos kërko më shumë nga e vërteta gjersa nuk mundi t’i japësh asgjë asaj. Ndaj, edhe protagonisti i këtij rrëfimi, z.Kemajl Shaqiri, më yshti ta bëj bisedën vetëm atëherë kur më tha: Dua ta flas të vërtetën!
KUSH ËSHTË KEMAJL SHAQIRI?
Me prejardhje nga Drenica, Kemajl Shaqiri ka lindur më 10 maj 1955 në Tushilë të Skënderajt. Ka kryer akademinë ushtarake të ish-“RSFJ”-së, tre vjet në Beograd dhe një vit në Sarajevë. Ka shërbyer në Zagreb të Kroacisë deri në vitin 1991, kur edhe e ka braktisur ish-armatën jugosllave. Pastaj, nga kjo kohë me një grup oficerësh shqiptarë kanë filluar përgatitjet, sepse, siç thotë, “që atëherë kemi parandjerë nevojën se duhet të përgatitemi për një luftë të cilën e kemi paraparë se do të ndodhë në Kosovë, ashtu që jemi përgatitur deri në vitin 1998”. Kemajli me një grup oficerësh iu përgjigjen zërit të adheut. Si e qysh, ju do të mësoni nga goja e tij. Tash është epror i TMK-së, ka gradën ushtarake nënkolonel, kryen detyrën e shefit të Qendrës Operative në Shtabin e Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Pagën e ka 170 euro!
“24 orë”: Viti `91 është koha kur Serbia po përgatiste invazionin në Kroaci?
Shaqiri: Kishin filluar disa lëvizje dhe dihej se do të fillonte diçka në Kroaci. Ne, pasi e braktisëm ish-armatën jugosllave, dhe duke e analizuar me një grup eprorësh shqiptarë nga Kroacia, Sllovenia, pastaj Gjermania, si dhe duke parë se në Kosovë gjendja ishte alarmante si pasojë e dhunës sistematike që ushtronte Serbia në Kosovë, e kemi parë të arsyeshme që të tubohemi dhe të përgatitemi për një luftë të armatosur në Kosovë, e cila de fakto edhe ndodhi.
“24 orë”: Domethënë, si ushtarak ju keni vlerësuar qysh atëherë se do të ndodhte edhe në Kosovë domosdo lufta?
Shaqiri: Po. Në fillim t’ju them se në luftën kroate, sa kam qëndruar në Kroaci, më është ofruar oferta që t’i bashkëngjitem asaj lufte, por edhe pas luftës të jem një ligjërues në Akademinë Ushtarake të Zagrebit. Mirëpo, atë e kam refuzuar, ngase vlerësoja se një ditë me siguri do të ndodhte një luftë edhe në Kosovë. Më pastaj, ne eprorët shqiptarë nuk kemi pasur probleme nga pushteti kroat, dhe në njëfarë mënyre na kanë lejuar përgatitjet intensive, ku janë inkuadruar eprorë të lartë, të cilët edhe sot janë në TMK. Një pjesë e eprorëve shqiptarë fatkeqësisht nuk u përgjigjen. Pse nuk u përgjigjen, ata i dinë vetë shkaqet e arsyet e tyre, për të cilat unë nuk dëshiroj të diskutoj. Mirëpo, një grup eprorësh u gjendëm në Tiranë në muajin maj 1998. Dhe, pas përgatitjeve dyjavore atje, kemi hyrë në Rrafshin e Dukagjinit.
“24 orë”: Të kthehemi edhe një herë atje në Kroaci, ku thatë se kishit filluar përgatitjet tuaja për luftën që do të ndodhte në Kosovë. Konkretisht, a mund të përmendni emrat e grupit të eprorëve shqiptarë me të cilët filluat përgatitjet në Kroaci?
Shaqiri: Ka qenë një grup prej afër njëqind eprorësh, ndër ta edhe komandanti i TMK-së, gjeneral Agim Çeku, i cili ka marrë pjesë në takime. Por, ne kemi vlerësuar se gjeneral Çeku atë kohë ishte shumë i zënë me luftën në Kroaci dhe më të vetëm kemi qenë në lidhje me të. Mirëpo, një grup eprorësh tjerë kemi qenë të organizuar mirë dhe është bërë ndërlidhja e eprorëve edhe në Kroaci, edhe në Slloveni. Ka emra të shumtë, po them shumë, i kam listat me ata emra. Dhe, pas një vendimi të ne eprorëve, jemi gjendur në Tiranë me formimin e ministrisë së mbrojtjes së ish-qeverisë së Bukoshit në ekzil. Pastaj kemi bërë disa përgatitje intensive, po them edhe një herë në Tiranë, dhe jemi gjendur në Rrafshin e Dukagjinit dikund më 23 qershor 1998. Unë kam qenë si epror i dedikuar për në Drenicë, sepse vetë kam shprehur vullnetin të ndihmoj atje në vendlindje.
“24 orë”: A e keni njohur Nazif Ramabajën dhe a keni pasur kontakte më të atje në Kroaci?
Shaqiri: Jo. T’u them të drejtën Nazif Ramabajën nuk e kam njohur kurrë përpara. Ai ka qenë dikund larg në shtetet e Perëndimit, në Suedi a s’e di ku, dhe me Nazifin jemi njoftuar për herë të parë në Tiranë. Kemi hyrë së bashku në Kosovë. Ai është rreshtuar në një brigadë në Lugun e Baranit, komandant i së cilës është dashur të jetë Rrustem Berisha, por Rrustemi u ndal në Jasiq e Junik bashkë me Agim Ramadanin për t`u kujdesur rreth furnizimit me armatim, kurse unë kam qëndruar për ca kohë në Prapaqan. Me mua ka qenë edhe eprori Musë Gjakova, me të cilin dy ditë kemi stërvitur ushtarët e rinj të UÇK-së në Shqiponjë (ish-Jabllanicë). Pastaj jam kthyer sërish në Prapaqan edhe disa ditë, dhe me vendimin tim kam kaluar në Drenicë. Se çka ka ndodhur në Dukagjin, unë më tutje nuk kam qenë në dijeni. Dhe, s’di përveç atyre që në ndërkohë kam dëgjuar nga njerëzit, shtypi e kështu.
“24 orë”: Thatë se më 1991 e keni braktisur ish- “APJ”-në, ndërkohë që keni vazhduar të jetoni në Kroaci apo?
Shaqiri: Më 14 shtator ’91 e kam braktisur ish- armatën jugosllave dhe kam qëndruar në Kroaci. Shkaku i banesës që të mos e humbas (Kroacia shpronësonte dhe ua konfiskonte patundshmëritë të gjithë atyre qytetarëve të saj që ato kohë e braktisnin vendin! v.j.), kam qëndruar aty dhe kam punuar punë të ndryshme fizike për të mbijetuar. Por, në të njëjtën kohë kemi qenë të inkuadruar, siç e thashë, me një grup eprorësh shqiptarë të Kroacisë e të Sllovenisë, dhe kemi hartuar plane, kemi diskutuar, analizuar e vlerësuar situatën se çka do të ndodhë me Kosovën. Në muajin mars të ‘98-së, konkretisht më 5 mars, kemi shkuar në një takim me një grup eprorësh nga Kroacia e Sllovenia në Bon të Gjermanisë, ku jemi takuar me gjeneral Sali Veselin dhe shumë eprorë të tjerë. Pra, kjo është koha kur e kam lëshuar Kroacinë definitivisht dhe jam inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Vërtet, nga Kroacia luftën e kam parë krejt ndryshe, nga Shqipëria edhe më ndryshe, por realitetin e luftës e kam gjetur ndryshe në Kosovë kur jam futur në Rrafshin e Dukagjinit. Ndaj, vetes i kam dhënë detyrë dhe i kam thënë: Këtij populli e kësaj ushtrie duhet t’i ndihmohet me mish e me shpirt. Kështu edhe jam inkuadruar në radhët e UÇK-së aty, e pastaj kam kaluar në Drenicë, ku jam takuar dhe jam njoftuar me stafin komandues të ZO të Drenicës, komandant i së cilës ka qenë gjeneral Sylejman Selimi-Sulltani.
Unë jam emëruar si zëvendëskomandant, përkatësisht shef i Shtabit për Operacione në Zonën e Drenicës, dhe këtë detyrë e kam kryer deri më 12 tetor ’98, kur për disa ditë shkova të shoh fëmijët në Kroaci, të cilët kishte pesë muaj që nuk i kisha parë. Dhe, pas një qendrimi 12 ditësh tek fëmijët, ditën e 14-të kam qenë në operacionet luftarake në Koshare, e mëpastaj dhe në operacionin e Pashtrikut “Shigjeta”.
“24 orë”: E përmendët takimin në Bon. Me nismën e kujt u bë dhe a të kujtohen hollësi nga ai takim?
Shaqiri: Kemi pasur shumë takime me eprorët shqiptarë nga Kroacia, Sllovenia, Zvicra, Austria, dhe shtetet tjera të Perëndimit, por si qendër e takimeve ka qenë Gjermania. Ne jemi ftuar nga z.Sali Veseli atje. Ka qenë edhe një koordinator shqiptar i Prizrenit. Ai ka qenë një kolonel i shërbimit amerikan, i cili ka udhëhequr disa punë dhe i cili fort mirë i njihte eprorët shqiptarë. Pra, më 5 mars, sipas vendimit, ne kemi shkuar në Bon. Kemi qenë aty nja 10 eprorë nga Kroacia, nga Sllovenia tre a katër, pastaj Bislim Zyrapi, Sali Veseli e shumë eprorë të tjerë. Në një moment kur jemi takuar në mbrëmje, ka qenë edhe Mujë Rugova aty, për të cilin unë kam pasur njohuri se ishte emëruar ministër i Mbrojtjes. Dhe, na ka gëzuar ai fakt, sepse Muja i ka njohur gjërat. Ka qenë edhe një epror, i cili më vonë është vrarë në luftë, Agim Çelaj. Me të kemi shkuar së bashku në Bon.
Ditën e 5 marsit jemi tubuar dikund rreth 30 oficerë në Bon. Mirëpo, takimi i Bonit nuk na doli ashtu. Premtimi i Bukoshit se do të bëhen disa gjëra nuk doli ashtu siç na u prezentua. Ai vetëm ka hy dhe ka dalë nga zyrat e qeverisë së tij në Bon ku kanë qenë. Në ndërkohë ishte emëruar, ne po na tregojnë, ministër i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, tashmë i ndjerë. Duke menduar që është Mujë Rugova, na doli krejt diçka tjetër. Ishte emëruar Ahmet Krasniqi. Për këtë jemi kthyer pa kurrfarë rezultati në Singen te Agim Çelaj. Të nesërmen kemi tentuar të dalim në Zvicër për të parë se çka kishte ndodh atje, ku ka qenë Agim Mehmeti, Ilmi Nebiu e shumë eprorë të tjerë, i njoh të gjithë me emra dhe mëe njohin. Në Zvicër kishte ndodhur diçka tjetër. Ne morëm vesh më vonë se atje ishte falsifikuar dokumenti për emërimin e ministrit të Mbrojtjes së qeverisë së Bukoshit. Faktikisht mbi atë dokument ishte falsifikuar nënshkrimi i Sali Veselit. Në atë dokument thuhej se si unanimisht ministër i Mbrojtjes është emëruar kolonel Ahmet Krasniqi. Dhe ne pa ditur këtë me nënshkrimin e tij dhe të eprorëve tjerë, Ahmet Krasniqi është emëruar zyrtarisht ministër i Mbrojtjes. Meqë nuk mundëm të hyjmë në Zvicër, një epror, Shaban Shkreli, tash është në Zvicër, na solli aty në kufi atë letër nga Zvicra. Aty kemi qenë një grup eprorësh, unë, Ismet Ibishi, Agim Çelaj etj., dhe ne e pamë atë dokument me nënshkrime, sipas të cilit Ahmet Krasniqi figuronte si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, apo siç e quanin atëherë i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK). Duke menduar se dokumenti është qëndrueshëm e nënshkrova edhe unë në emër të grupit të oficerëve shqiptarë nga Kroacia, Ismet Maliqi e nënshkroi në emër të grupit të oficerëve shqiptarë nga Sllovenia.
“24 orë”: Pastaj nga aty ku shkuat?
Shaqiri: Pas Bonit u kthyem prapë në Kroaci. Dhe, pastaj ka filluar ajo periudha e presioneve. Bënim presione shumë të mëdha, personalisht edhe unë, me letra, me telefonata. Sepse, ne e dinim se çfarë është duke ndodhur në Kosovë, ndaj kërkonim kudo që ishin nga 720 oficerët e shkolluar shqiptarë, sa i kishte Kosova, të tubohemi në Tiranë dhe sa më parë nga aty të futemi në front në mënyrë të organizuar. Por, ajo nuk ndodhi. Një pjesë e eprorëve pranoi që të futej në Kosovë, një pjesë jo, një pjesë mbeti gjithë kohën duke u sorollatur nëpër Tiranë. Aty ka pasur shumë mosmarrëveshje.
“24 orë”: Në çka konsistonin ato mosmarrëveshje?
Shaqiri: Në dy vija. Ne insistonim për atë se duhet të futemi në luftë në Kosovë, dhe kjo na ishte premtur. Ministri që ishte emëruar atje në Zvicër, Ahmet Krasniqi, thoshte se unë do të futem i pari e ju pas meje. Por, ajo nuk ndodhi kurrë. Pse nuk ndodhi, ato janë probleme të tyre. Aty në Tiranë e kam njohur për herë të parë edhe Tahir Zemën. Deri atëherë nuk kisha dëgjuar kurrë për të.
“24 Orë”: Kur arritët saktësisht në Tiranë?
Shaqiri: Në Tiranë kemi mbërri më 3 qershor të viti 1998. Por, grupe të tjera kishin arritur edhe para nesh, duke bërë përgatitjet, ministri e shtab të përgjithshëm atje. T’ju them të drejtën, nga ish- Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Bukoshit më është ofruar madje oferta që unë të jem shef i atij shtabi të përgjithshëm, por me kusht që të rrij në Tiranë. Atë post komandues e refuzova. Thashë:” Unë nuk kam ardhur me ndejtë në Tiranë, por kam ardhur që të futem n’luftë në Kosovë”. Ashtu edhe ndodhi.
“24 Orë”: Pastaj?
Shaqiri: Pas përgatitjeve dyjavore në Tropojë, ku ishte edhe Rrustem Berisha dhe shumë eprorë të tjerë, jemi futur brenda kufirit dhe jemi gjendur në fshatrat Gjocaj e Jasiq. Pastaj, pas bisedimeve në Junik me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, zbritëm në Prapaçan. Komandant Ramushi vinte aty në takime me ne, po ashtu edhe ne mbanim takime me të. Unë kam qenë prezent në ato takime për atë kohë sa isha atje në Dukagjin. T’ju them të drejtën, s’dua tash të arsyetoj as veten e as askënd, por kam qenë për atë që eprorët të shpërndahen nëpër njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat i gjetëm të formuara, e që mua, para së të vija aty, s’ma kishte marrë mendja që janë formuar. Bile, ato edhe ishin të organizuara mirë. Ndaj, mendoja se ne si oficerë duhet të inkuadrohemi nëpër njësitë ekzistuese për ta ndihmuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirëpo, flas për ato rreth 20 ditë, sa isha në Prapaçan, ka pasur mosmarrëveshje në stilin: jo ne jemi të qeverisë, jo dëgjojmë vetëm urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes. Komandanti i ZOD, Ramush Haradinaj, i thoshte Tahirit se ekziston Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. E, Tahiri ia kthente: cili, ku është ai shtab. Vërtet, komandanti i ZOD, z.Haradini, ishte shumë i sinqertë, ngase edhe realiteti të cilin e gjetëm aty ishte ashtu siç thoshte ai. Unë nuk thashë kot se luftën në Kosovë krejt ndryshe e kam gjetur nga ajo çka e kam parë prej Kroacisë e Tiranës.
Pas gjithë këtyre, vendosa të kaloja në vendlindjen time, në Drenicë. Për këtë me inkurajoi edhe Naim Maloku, i cili më tha: Kemajl, për ty po flitet në Drenicë dhe ti duhet të jesh atje. Unë i thashë: z.Naim, u nisa për në Drenicë.
“24 Orë”: Domethënë u larguat nga Prapaçani?
Shaqiri: Po. Mua edhe sot më vjen shumë keq që nuk pata mundësi t’i lajmërohesha komandant Ramushit për t`i thënë se unë po shkoj në Drenicë. Mirëpo, ai ka qenë i njoftuar menjëherë se jam paraqitur në Shtab. Aty në Shtab më kanë bërë një pritje aq madhështore, që s’mund t’ua kthej, e të mos flasim për popullatën se si e kanë pritur me gëzim ardhjen time, ngase deri atëherë në Drenicë nuk kishte patur asnjë oficer, po mendoj me akademi. Unë i vetmi dhe i pari jam inkuadruar aty, ku ishin edhe të gjithë komandantët e Zonës Operative të Drenicës. Unë u pata thënë: Nuk kam ardhur as për komandant, as për grada – unë jam vetëm argat i juaji. Pas paraqitjes aty, kam pushuar nja tri ditë në shtëpi, ku nuk kisha qenë dhjetë vjet. Pas tri ditësh që e pranova detyrën, kam mbikëqyr të gjitha operacionet. Nuk dua të flas tani për vetveten, por dua të them se aty brenda tri ditësh kam përpiluar një plan të strukturave të UÇK-së nga skuadra deri në brigadë. Këtë strukturë e ka marrë z.Bislim Zyrapi dhe e ka shpërnda nëpër zona, dhe kështu është bërë strukturimi e rreshtimi i UÇK-së. Punët ecnin shumë mirë, dhe kemi luftuar me potencialin që kemi patur. Për mua ishte çështje kruciale organizimi i njësive ushtarake.
Meqë ra fjala për z.Naim Maloku, m’u kujtua një detaj. Naimi më të vërtetë ka dashur të na afronte. Ai erdhi në një takim në Junik për të biseduar me ne eprorët për sistematizimin tonë nëpër njësi ushtarake. Tahiri, i cili kishte rolin kryesor nga ne, nuk pranoi dhe i tha se ne do të veprojmë kështu siç jemi. Naimi, duke mos qenë i kënaqur me refuzimin e Tahirit, në një moment nxori nga brezi revolën e tij TT dhe ia hodhi përpara, e i tha:” Qe Tahir Zema më vraj mua, qenke komandant dhe edukator i dobët”. Tahiri mbeti pa tekst. Aty kam qenë unë, Agim Ramadani, Fadil Hadërgjonaj, Sefedin Kuçi, Shaban Draga, Lumni Surdulli, tanimë dëshmor, e të tjerë.
VIJON …
Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005
Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së
KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (2)