PUNA ORGANIZATIVE E NUHI BERISHES SHTRIU NDIKIMIN E LRSSHJ-së NË KOSOVË DHE NË VISET TJERA SHQIPTARE

Në 40 vjetorin e rënies

PUNA ORGANIZATIVE E NUHI BERISHES SHTRIU NDIKIMIN E LRSSHJ-së NË KOSOVË DHE NË VISET TJERA SHQIPTARE

Nga Gafurr Elshani

Nga fundi i vitit 1981, u njoha me Nuhi Berishën në Prishtinë, në Qendrën e Studenteve, ku banonim atëherë.

Nga ajo kohë, unë dhe shokët e mi kemi qenë në kontakt me të dhe vazhdimisht jemi konsultuar për veprimet e përbashkëta në organizimin e protestave dhe demonstratave, që pasuan gjatë viteve 1982 dhe 1983.

Pas demonstratës së 14 shkurtit, 1982, në konvikte të studentëve, u përkushtuam për organizimin e përvjetorit të parë të demonstratave të 11 marsit. Ne kishim në dorë një trakt, i cili bënte thirrje për vazhdimin e protestave dhe organizimin e demonstratave në Kosovë.

Paraprakisht u konsultuam me Nuhi Berishën dhe e shpërndamë të njëjtin trakt në Prishtinë dhe qendra tjera të Kosovës, aty ku kishte mundësi.

Në atë kohë, ne shpërndanim materiale edhe të organizatave pa qenë anëtarë të tyre, mjaftonte që përmbajtja të ishte e duhur kundër Jugosllavisë. Nga ana tjetër, nuk kishte informacion të saktë dhe të mjaftueshëm për bashkimin e organizatave atdhetare ekzistuese në atë kohë.

Një mbrëmje në muajin mars, një shok më ftoi të shkoja në dhomën e tij, e cila kishte pamjen nga oborri i konvikteve. “Shiko” më tha – “duket se polica po kërkon dikë”. Ne vëzhguam një kohë policinë, dhe pastaj u ktheva në dhomën time, në katin e 5-të të Konviktit nr. I.

Kur hyra në dhomë, pashë Nuhi Berishën ulur mbi krevatin tim, i cili për tu maskuar si më i vjetër, kishte veshur një mantel që i binte më i madh dhe në kokë kishte vendosur një kapele. Kishte ndezur një cigare, edhe pse nuk e pinte duhanin.

– “Çka u bë, Nuhi?”, e pyeta me habi, kur e pash të veshur në atë mënyrë dhe dukej se ishte i shqetësuar.

–  “Po më kërkojnë”, m’u përgjigj. “Kur hyra në konvikt, pash që UDB-ashet ishin në korridor, dhe unë nuk u ndala në dhomën time, por vazhdova drejt shkallëve përpjetë.”

– Po sikur të kishin parë, çfarë do të bëje – e pyeta përsëri.

– “Nuk e kam ndërmend të dorëzohem. Do të kisha ikur lart shkallëve”. Kam edhe një revole dhe do t’i qëlloja”. – më tha – “Gafurr, jam në gjendje të kërcejë nga kati i 5-të, e i gjallë nuk ju bie në dorë. Unë di shumë gjëra”.

Nga mënyra se si m’i thoshte këto fjalë, e kuptoja se ky djalë e kishte me gjithë mend. Nuhiu, qëndroni deri vonë dhe dikur natën, pasi kontrollova korridorin dhe oborrin e konviktit për të parë nëse ka ndonjë polic apo person të dyshimtë, ai u largua nga dhoma ime dhe kurrë nuk u kthye më në konvikte.

Për të ruajtur lidhjet, nuk vonoi shumë dhe Ahmet Isufi u lajmërua, i cili na organizonte takimet në raste kur ato çrregulloheshin.

Nuhiu studionte juridikun në vitin e tretë, por po ashtu studionte edhe në fakultetin e edukatës fizike, me qëllim që t’i shërbejë për përgatitje dhe rritjen e aftësive fizike, për jetën e vështirë ilegale dhe luftën guerile, që e kishte si opsion të mundshëm.

Në muajin prill të vitit 1982, Nuhiu vendosi të largohet përkohësisht nga Kosova, derisa të përfundojnë arrestimet e grupit, për të parë se deri ku do të shkojë kjo punë, dhe njëkohësisht për të kontaktuar udhëheqësit e Lëvizjes jashtë vendit.

Pas sigurimit të mjeteve financiare, ne e përcollëm bashkë me Ilaz Kadollin për në Prizren, dhe pastaj, nga aty, të vazhdojë rrugën drejt Zvicër përmes Turqisë.

Në shtator të vitit 1982, Nuhiu u kthye nga Zvicra. Atje kishte rënë në kontakt me udhëheqësit e Lëvizjes, – LRSSHJ-së, të cilët e kishin ngarkuar me detyrën për të bërë riorganizimin e radhëve të Lëvizjes në Kosovë. Me vete, kishte sjell një Trakt, në të cilin njoftohej se me 17 shkurt të vitit 1982 ishte bërë bashkimi i disa grupeve ilegale dhe ishte themeluar LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi). Ishte dhënë lista me emrat e personave që duhej të kontaktoheshin me qëllim bashkimit të strukturës organizative të Lëvizjes në Kosovë.

Në këtë mënyrë, Nuhiu, pa ndalur, vinte në kontakt me veprimtarët që kishin humbur lidhjet me organizatën pas shumë arrestimeve që kishin ndodhur në Kosovë.

Gjatë vitit 1982, si rezultat i punës organizative në rend të parë të Nuhi Berishës, LRSSHJ shkoi duke rritur ndikimin e vetë në Kosovë dhe viset shqiptare nën Maqedoni, Kosovën Lindore dhe Mal të Zi. Lidhjet me LRSSHJ-në, përfshinin lidhjet në një front të përbashkët të të gjithë llojeve të organizimeve që ishin në Kosovë dhe që e pranonin si një front të gjërë LRSSHJ-në.

Në periudhën nga, shtator – dhjetor të vitit 82, bashkë me Gafurr Elshanin, Ahmet Isufin, Ilaz Kadollin, Shukrie Gashin, Nuhiu i kapë lidhjet e dhëna më herët, me Shaban Shalën, Enver Topallin, Bajrush Xhemajlin, Bajrm Ajetin, Taip Zekën, Hamzë Jasharin, Ilmi Zekën e shumë veprimtarëve tjerë.

Nuhi Berisha tani ishte bërë figura qendrore e organizimit ilegal në Kosovë.

Në fillim të vitit 1983, radhët e Lëvizjes ishin zgjeruar dhe ne punonim për organizimin e demonstratave, ose, më mirë të thuhet, për të shënuar dyvjetorin e demonstratave më 11 mars të vitit 1983.

Trakti me emrin “Thirrje” ishte përgatitur për shpërndarje.

Në këtë kohë, ra grup i quajtur Albanikos, me të cilët u burgos edhe Ahmet Isufi, si dhe shumë shok të tjerë të Nuhiut.

Pas këtyre arrestimeve, vështirësohet qëndrimi i Nuhisë në ilegalitet, pasi një pjesë e veprimtarëve që ishin kujdesur për të, ishin burgosur. Kjo situatë krijonte rrezik për Nuhiun, prandaj u detyrua të linte Kosovën dhe të strehohet përkohësisht në Zvicër.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Zvicër, në maj, Nuhi Berisha kishte kaluar kufirin e Jugosllavisë nga Italia, këmbë i ngarkuar me një qante të madhe në shpinë, në të cilën bartte disa mijëra kopje të “Traktit Kundër Tradhtisë“, “Zëra të Kosovës”,  librin “Pushka top Bajram Curri”, “Titistët” dhe shumë libra tjerë.

Sapo u kthye në Prishtinë, ai më takoi dhe ne duhet të shkonim t’i marrim disa kopje të librave dhe gazetave në vendin ku i kishte strehuar. E shpaluam nga grumbujt e dheut dhe filluam të ndajmë materialin që ai e kishte sjellë.

Materialin e mora me vete në banesë dhe e ndava me shokë, ndërsa Traktin sipas udhëzimeve të Nuhis, vendosëm që ta shpërndanim, në dy mënyra.

Prandaj, unë dhe Ilazi e shpërndamë “Traktin” në Suharekë duke e futur në oborre të shtëpive, ndërsa Haki Gashi morri përsipër të bënte shpërndarjen e trakteve përmes postes me grupin e studentëve.

Ata, kishin mbledhur adresat të funksionarëve të Lidhjes Komuniste, bashkëpunëtorëve të pushtetit, dhe zarfet me trakte i kishin shpërndarë nga qytetet e ndryshme të Kosovës, si dhe një pjesë edhe nga qyteti i Shkupit.

“Trakt kundër Tradhtisë”, i lëshuar në emër të LRSSHJ-ës dhe i shpërndarë në qytete dhe vendbanime, bëri bujë të madhe në Kosovë. Në të paralajmëroheshin spiunët jugosllav dhe shërbëtorët e tyre se do të përgjigjen për veprat e shëmtuara të tradhtisë. Trakti fillon me vargjet e Hilë Mosit të poezisë “Tradhëtori” dhe përcillet me vargjet e këngëtarit popullor kushtuar veprimtarisë së Azem Bejtës kundër “hafijeve” (spiujve).

Në qershor të vitin 1983, në Kosovë kishte arritur një sasi e madhe e gazetën “Zëri i Kosovës”, e cila botohej në Zvicër. Ajo ishte transportuar përmes autobusëve dhe në Prishtinë, ishte sjellë nga Taip Zaka, vëllai i dëshmorit Kadri Zeka. Me një kamion i maskuar, sikurse po transportonte zall, sepse çantat me gazetat ishin futur në zall.

Çantat i fshehëm në një vend të sigurt dhe morëm disa numra të “Zërit të Kosovës” për t’i shpërndarë studentëve.

Duke udhëtuar rrugicave në lagjet periferike të Prishtinës, dhe duke biseduar për mënyrat sa më efikase të veprimit kundër pushtuesve, në një moment Nuhiu mu drejtua: “Gafurr armiku duhet luftuar për çdo ditë. Unë, nëse nuk mund të bëj më shumë në një ditë, së paku një tjegull nuk e lë pa ja thye“. Dhe pastaj vazhdoi: “Unë, jam betuar që kurrë në jetën time mos me u ndalë, pa ja nxjerr hakun dhe pa e qua amanetin e Kadri Zekës në vend”.

Vrasja e Kadri Zekës kishe ngjallë indinjate te thellë, jo vetëm për faktin se ai ishte djalë i hallës, por edhe për faktin se ai për vite të tëra kishte qenë frymëzues për veprimtarinë e Nuhiut deri në vdekje.

Gjatë kohës që qëndroi Nuhiu në Zvicër, mbajti takime të vazhdueshme me Xhafer Shatrin dhe shokë tjerë të Lëvizjes. Ndërkaq, gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, Nuhiu shkroi kujtimet për demonstratat e vitit 1981, të cilat dy vite më vonë u botuan me titullin “Pranverë e Luleve të Kuqe” dhe një shkrim ku shpreh pikëpamjet e tij mbi organizimin e radhëve në Kosovë, të titulluar Mendime mbi Organizimin. Nuhi Berisha ishte ngarkuar me detyrë nga qendra, Xhafer Shatri, udhëheqësi kryesor në atë kohë i LRSSHJ, anëtarë i Komitetit Qendror të Lëvizjes dhe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Kosovës”, që të bënte organizimin e Lëvizjes në Kosovës. Në radhë të parë, kishte detyrën për kapjen e të gjitha fijeve të shpërndara të radhëve të mbetura ilegale në Kosovë dhe centralizimin e tyre me qëllim që të veprohet si një organizatë e vetme. Këtë detyrë, Nuhi Berisha e përmbushi me përgjegjësi të lartë.

Ndërkohë, në vitin 1983 organizatës i bashkëngjiten të sapodalurit nga burgu: Rexhep Mala, Kadri Osmani, Emrush Xhemajli dhe Xhabir Morina. Pastaj Ali Ahmeti, Musa Xhaferi Fadil Bajrami (Maqedoni), u bashkuan edhe veprimtarë tjerë si Ilmi Reqica, Agron Morina, Shahadie Shabani (Ferizaj). Ramë Buja, (Lipjan), Haki Gashi, Isuf Hoxha, Raif Gashi (Therand), Fehmi Lladrovci Shaban Shala, Idriz Hyseni, Ilmi Zeka, (Drenas), Xhavit Haziri, Nuhi Ahmeti dhe Abdullah Dërguti (Prishtinë). Gjithashtu u bashkuan edhe Sejdi Veseli, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia, Ramadan Avdiu (Prishtinë). Kamer Elezi, Sahit Berisha, Zymer Gashi, Feriz Hoti, Isa Krasniqi, Haki Morina (Klinë). Sherif Konjufca, Mustafë Xhemajli (Ferizaj), Bajram Ajeti Ismet Begolli, Abdullah Rrustolli (Besjanë) e të tjerë.

Grupi më i ngushtë i veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë, të mbledhur rreth Rexhep Malës, Kadri Osmanit e Nuhi Berishës, kishin krijuar bindjen se koha për një kryengritje të armatosur kishte ardhur. Ata planifikuan dhe filluan të jetojnë një organizim të ri pararojë, në organizatën politike e ushtarake. Kjo organizatë në formim e sipër, do të shpallej në Kongresin e bashkimit të forcave çlirimtare gjatë vitit 1984, me emrin “Partia e Luftës e Kosovës”, e cila kishte bazë mbështetje, logjistike dhe ndërlidhjeje LRSHJ-në. – Projekt që do të realizohej vetëm, 10 vjetë më vonë me formimin e të lavdishmes: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga Lëvizja Popullore e Kosovës në nëntor të vitit 1994.

Natën e 11 dhe 12 janarit të vitit 1984 në Prishtinë, në përballje me forcat e njësisë special të Jugosllavisë, veprimtarët e LRSSHJ, drejtues të Partisë së Luftës, në formim, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ranë duke luftuar me armë dhe kënduar këngët e lirisë deri në fishekun e fundit. Edhe pse të vetëdijshëm për natyrën e pabarabartë të betejës, ata ishin të bindur për luftën që do të fitohej.

Rënia e Nuhi Berishës dhe Rexhep Males ishte humbje e pakompenzueshme. Por, shembulli i papërshkrueshëm i qëndresës, heroike të tyre, kishte porosi të qarta se populli i Kosovës nuk do të dorëzohej kurrë, se do t’i shkonte deri në fund luftës, pavarësisht sakrificave.

Prandaj, Nuhiu e Rexhepi u bënë simbole, referenca dhe shembuj për luftëtarët e lirisë, të ndjekur deri në çlirim, dhe të tillë kanë mbetur përgjithmonë.

Ilustrimet nga Arkivi © Pashtriku.org

_______________

DY HERONJ TË GJALLË – REXHEP MALA DHE NUHI BERISHA

Fjalë në dyzet-vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës – Prishtinë, më 11 janar 2024

Nga Mehmet Hajrizi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura