KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (4)

Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005

Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së

KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (4)

U kam thënë: lufta nuk bëhet në Tiranë, lufta bëhet në Kosovë

Nuk jam pajtuar me kreun e Ministrisë, as me ministrin e ardhshëm Halil Bicaj që u zgjodh, dhe haptazi kam rënë në konflikt dhe u kam thënë: lufta nuk bëhet në Tiranë, lufta bëhet në Kosovë. Ejani në kufi të ngrisim tendat, të vëzhgojmë situatën dhe të futemi të gjithë në luftë. Këto kanë hyrë në një vesh dhe kanë dalë nga tjetri.

“24 Orë”: Gjatë qëndrimit në Dukagjin, çfarë kanë qenë raportet tuaja me eprorët dhe komandantin e Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, z.Haradinaj?

Shaqiri: Unë nuk kam qenë diçka i veçantë ndaj oficerëve të tjerë me të cilët ishim ato ditë bashkë në Rrafshin e Dukagjinit. Por, unë kam pasur raporte të mira me të gjithë, duke filluar nga komandanti i ZOD, Ramush Haradinaj, me Sali Veselin, me eprorin Driton Zeneli, tashmë dëshmor, i cili ka udhëhequr njësitë në Dushkajë, por edhe me eprorë të tjerë, të cilët kanë vepruar në Rrafshin e Dukagjinit, e që emrat e tyre për momentin nuk po më kujtohen. Lirisht mund të them se kemi pasur respekt dhe raporte shumë të mira reciproke. Në një rast më kujtohet, kur në bazë të një marrëveshjeje që u bë ndërmjet komandantit të ZOD, Ramush Haradinaj dhe Tahir Zemës, edhe pse unë nuk varesha nga Tahir Zema, së bashku me eprorin Musë Gjakova kemi shkuar në Shqiponjë (ish-Jabllanicë). Atje unë kam pasur për detyrë stërvitjen e ushtarëve të rinj për veprimet elementare taktike si parapërgatitje për operacion, ndërsa Musë Gjakova ka pasurë obligim që t’i inspektojë pozicionet e zjarrit në Shqiponjë. Këto i kemi bërë brenda ditës dhe në mbrëmje jemi kthyer prapë në bazën tonë, përkatësisht në Prapaqan.

“24 Orë”: Sa ka qenë e zhvilluar struktura ushtarake e UÇK-së dhe vetë Komanda e ZO të Dukagjinit, a mund të na jepni një vlerësim si ushtarak?

Shaqiri: Organizimi dhe planifikimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit, përkatësisht në zonën e atyshme operative, ka qenë i përpiluar dhe i hartuar me përpikëri. Kanë ekzistuar njësitë, duke filluar nga skuadra, togu, kompania, batalioni dhe deri në brigadë. Njësi më të larta nuk ka pasur kushte të formohen, por edhe nuk ka qenë e nevojshme të formohen njësi më të larta sesa brigadat. Unë ato i kam parë atje të organizuara mirë, me të gjitha elementet përcjellëse, me logjistikë dhe me stafin komandues apo drejtues të operacioneve luftarake.

“24 Orë”: Sa keni pasur njohuri për komandantin e ZOD dhe për familjen Haradinaj para se të hyni në Dukagjin?

Shaqiri: Në Rrafshin e Dukagjinit jam njoftuar se kush është komandant Ramushi dhe familja Haradinaj, të cilët kanë bërë shumë për çlirimin e Kosovës, duke filluar nga Luani, Shkëlzeni, që të dy dëshmorë, Enveri e Frashëri 15-vjeçar. Ata familjarisht janë inkuadruar me rrethin e ngushtë dhe të gjerë në luftë për çlirimin e Kosovës dhe nuk janë zbrapsur asnjëherë.

“24 Orë”: Më herët thatë se me eprorin Tahir Zema je takuar në Tiranë, a keni pasë rast të dëgjoni më parë për të?

Shaqiri: Përpara nuk kam dëgjuar kurrë për të. Në një rast kur ishim vendosur në Rrafshin e Dukagjinit, Tahir Zema bëri një rrëfim për jetën dhe veprën e tij. Thoshte se ka qenë i burgosur nga forcat serbe, ka qenë në Dubravë të Istogut, ka patur sukses që të ikë nga burgu i atyshëm dhe të kalojë në Slloveni. Në Slloveni thoshte se ka pasur disa pengesa, por, megjithatë, ka arritur të dalë në Gjermani. Më tutje nuk ka hy në aspektin e shpjegimit se kush është, çka është dhe çfarë ka bërë.

“24 Orë”: Çfarë kanë qenë raportet tuaja gjatë luftës me Sylejman Selimin, Rexhep Selimin, Sahit e Musë Jasharin, Sami Lushtakun, Shaban Shalën, Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën, e të tjerë ish-eprorë të UÇK-së,si të kanë pritur dhe a të kanë përkrahur?

Shaqiri: Është e vërtetë se pas shkuarjes sime atje (në Drenicë), me të gjithë këta që i përmende kam pasur kontakte, duke filluar nga Sylejman Selimi, komandant i Zonës Operative të Drenicës, dhe me të gjithë të tjerët. Mund të them se kam qenë shumë i mirëpritur nga ata, kam kaluar me ta momente shumë të mira, i kanë mirëpritur udhëzimet e mia dhe bashkërisht kemi dhënë kontributin në përgatitjen e zhvillimin e operacioneve në ZO të Drenicës.

“24 Orë”: A e keni njohur Abedin Rexhën- Sandokanin?

Shaqiri: Po, e kam njohur. Sandokani më ka lënë përshtypje shumë të mira si një luftëtar trim dhe si komandant strateg, i cili me të vërtetë e ka njohur strategjinë e zhvillimit të operacioneve luftarake. E kemi kaluar fort mirë më të. Mirëpo, ishte një kohë shumë e shkurtër. Të them dy apo tri herë jemi parë gjatë operacioneve që janë zhvilluar në rajonin e Drenicës. I kemi shkuar në ndihmë, e edhe komandanti i ndjerë Sandokani u ka ardhur në ndihmë njësive tona pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe në vijat tjera ku zhvilloheshin operacionet luftarake kundër forcave serbe.

“24 Orë”: Në shtator të 98-së, ushtarët dhe eprorët e FARK-ut braktisën pa rezistencë bazën e tyre në Prapaqan, që gjendej nën komandën e Tahir Zemës. A je takuar më me ta, kur dhe ku?

Shaqiri: Po, jam ritakuar me disa nga eprorët dikund më 12 apo 13 tetor në Shqipëri. Me Tahirin jo. Konkretisht me Tahir Zemën nuk jam takuar prej Dukagjinit, as nuk jemi dëgjuar më, as s’jemi parë. Jam takuar me Rrustem Berishën, Fadil Hadërgjonajn, Musa Gjakovën dhe me disa eprorë të tjerë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen. Ishte kjo koha kur unë pas vizitës te familja ime në Zagreb u ktheva në Shqipëri. Ata kishin bërë në regjionin e Tropojës dhe të Kosharës përgatitje intensive 7-8 mujore për të hyrë sërish në front. Aty disa eprorë janë kthyer për ta ruajtur imazhin e Brigadës 134, brigadë e dikurshme kjo e Tahir Zemës, sepse Rrustemi (Berisha) e ka pasë brigadën e vet. Unë nuk kam pasë brigadë, kam pasë 6 ushtarë të Drenicës, të cilët nga Juniku i kam dërguar te gjenerali Ilaz Dërguti dhe te Sylejman Selimi dhe u kam thënë: Qe armatimi, qe uniformat, qe të gjitha dhe ecni për Drenicë. Të fala i bëni Sylejmanit edhe Ilaz Dërgutit se Kemajli brenda një kohe të shkurtër do të gjendet në Drenicë, i porosita ata. Pastaj derisa unë kam ardhur në Koshare, kur është thyer kufiri, kam qëndruar në Tiranë një muaj e gjysmë, mirëpo nuk jam pajtuar me kreun e Ministrisë, as me ministrin e ardhshëm Halil Bicaj që u zgjodh, dhe haptazi kam rënë në konflikt dhe u kam thënë: lufta nuk bëhet në Tiranë, lufta bëhet në Kosovë. Ejani në kufi të ngrisim tendat, të vëzhgojmë situatën dhe të futemi të gjithë në luftë. Këto kanë hyrë në një vesh dhe kanë dalë nga tjetri. Jam takuar në Koshare me disa eprorë, si Agim Haziri, Fadil Demiri. Unë kisha shkuar para tyre atje, dhe jemi futur drejpërdrejt në front në Koshare jo për të komanduar, por për ta ndihmuar operacionin e Koshares.

***

Kosova digjej, serbi vriste e masakronte popullin – ata “të institucionit” bënin sehir në Tiranë

S’kam qëndruar më tepër se dy-tri ditë në Tiranë, sepse aty mora lajmin se më ishte vrarë babai, dhe lëre që u mërzita shumë, por edhe u nevrikosa tej mase. Thashë: po ç’bëjmë ne këtu, e atje na vriten baballarët. Jo që u vra babai im, por po vriten të gjithë, po vriten familjet, po digjet e tërë Kosova, e ne rrimë këtu. U kam marrë me zor një xhip në Ministrinë e Mbrojtjes, domethënë me zor, dhe më të jam nisur për në Koshare

“24 Orë”: Dhe, aty në Koshare keni qëndruar deri në fund, apo?

Shaqiri: Pas tetëmbëdhjetë ditë qëndrimi, jam kthyer sërish në Tiranë, ku jam takuar në Shtabin e Përgjithshëm me ministrin Azem Syla, me Bislim Zyrapin. Kemi biseduar, kam propozuar variantin e thyerjes së kufirit në Pashtrik, i cili është miratuar. Pastaj kam shkuar në Burrel, kam shpërndarë rreth 300 ushtarë në Koshare, jam takuar me Naim Malokun, jam kthyer në Pashtrik, dhe kemi filluar operacionin “Shigjeta” në Kukës, pastaj kemi kaluar në Cahan, ku është përgatitur thyerja e kufirit. Aty ka qenë Fatmir Limaj, komandant Çeliku. Është thyer kufiri, dhe deri në fund kemi qëndruar në vijën e parë të frontit në Pashtrik.

“24 Orë”: A të kujtohen eprorët me të cilët u futët në frontin e Koshares?

Shaqiri: Po, ishin të gjithë këta eprorët që unë i përmenda edhe më pare, si Rrustem Berisha, Musa Gjakova, Sefadin Kuçi, Fadil Hadërgjonaj etj., pra oficerë të ish-armatës jugosllave.

“24 Orë”: Domethënë keni hyrë së bashku me ata në Koshare?

Shaqiri: Me përjashtim të Nazifit (Ramabajës v.j.), me këta të tjerët kam qenë në Koshare. Aty ka qenë edhe Anton Çuni, komandant i njësive vëzhguese diversante, pastaj disa eprorë të Shqipërisë, si Adem Dahri e të tjerë.

“24 Orë: Z. Shaqiri, Nazif Ramabaja publikisht i ka deklaruar një gazete se edhe ai kishte luftuar në Koshare. E keni takuar ju atë njeri atypari atë kohë?

Shaqiri: Për herë të fundit Nazif Ramabajën, eprorin, e kam parë në Dukagjin, kur kam qenë në fillim, në muajin qershor ’98. Kur jam kthyer në Tiranë, më kujtohet, e kam parë edhe një herë në një korridor aty në Ministrinë e Mbrojtjes duke bërë disa përgatitje. Mirëpo, nuk kam biseduar me të, sepse nuk e kam pasur të qartë rolin e tij. Unë nuk e di që ai ka qenë në Koshare me ushtarë, dhe as që kam njohuri për këtë gjë. Gjatë thyerjes së kufirit, Nazifi as që është parë atje. Ndoshta ekziston mundësia që ai dikund të ketë organizuar diçka, por unë atë nuk e kam parë aty në front. Ne kemi pasur një kurs edhe në Kolsh, Kalimash me gjeneral Kudusin (Lame v.j.). Kemi qenë afër 20 eprorë, dhe aty dy javë na ka mbajtur ligjërata mbi luftën Shtabi i Divizionit të Kukësit. E pastaj unë kam shkuar në Tiranë, e nga Tirana në Koshare. S’kam qëndruar më tepër se dy-tri ditë në Tiranë, sepse aty mora lajmin se më ishte vrarë babai, dhe lëre që u mërzita shumë, por edhe u nevrikosa tej mase. Thashë: po ç’bëjmë ne këtu, e atje na vriten baballarët. Jo që u vra babai im, por po vriten të gjithë, po vriten familje të tëra, po digjet krejt Kosova, e ne po rrimë këtu. U kam marrë me zor një xhip në Ministrinë e Mbrojtjes, domethënë me zor, dhe më të jam nisur për në Koshare.

“24 Orë”: A mund të na e përshkruash momentin e hyrjes në front?

Shaqiri: Është interesant se unë kam mbërritur në momentin kur është thyer kufiri, më 10 prill 1999, në orën tre të mëngjesit. Kam mbërritur në orën një pasmesnate në Tropojë, dhe jam bllokuar te vendi i quajtur Lloçi i Kuq. Aty me është fikur makina. Isha me pesë ushtarë që kishin ardhur vullnetarisht me mua nga Zagrebi. Aty e kam takuar Nasim Haradinajn dhe i kam thënë se kemi mbetur me makinë në lloç. Diku kah mënegjesi mezi kemi dalë nga aty. Pastaj kam kontaktuar me Rrustem Berishën e me eprorë të tjerë, të cilëve u thashë: Unë kam ardhur që të ndihmoj. Ndërkohë, kanë ardhur aty edhe dy eprorë, Sylejman Kollqaku dhe Ahmet Alishani, kinse për ta kontrolluar Rrustem Berishën dhe njësinë e tij. Mirëpo, Rrustemi ishte kategorik dhe u tha: ”Nëse keni ardhur për të ndihmuar, urdhëroni njëzet ushtarë ti, njëzet ti dhe përpara në front”! Ata nuk pranuan dhe u kthyen për në Tiranë. Unë mbeta aty. Rrustem Berisha, i thashë, unë kam ardhur për të të ndihmuar. Dhe, e kam ndihmuar aq sa kam mundur. Në vijën e parë kam qenë dy ditë me Fadil Hadërgjonajn, Abaz Thaçin dhe me eprorë të tjerë që kanë qenë aty.

“24 Orë”: Nën komandën e kujt ishit, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të ish-Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë në ekzil?

Shaqiri: Jo, unë me Ministrinë e Mbrojtjes të qeverisë së Bukoshit, si të them, jam ç’kumaruar në momentin kur kam këmbëngulë në atë se duhet të kalojmë të gjithë në front, duhet të përgjakemi aty, sepse liria nuk vjen ndryshe, dhe ajo nuk është larg. Atëherë unë kam kaluar, bile edhe më herët, shumë më herët në anën e UÇK-së. Pra, ka qenë kohë e hershme ajo kur kam pasur takime me Bislimin (Zyrapin) dhe me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por pa ndikim të ministrisë së Bukoshit, sepse kam qenë epror i pavarur dhe unë kam pasur si qëllim të ndihmoj aty ku mundem. Për atë edhe kam ardhur indipendent (i pavarur) në Koshare. E pastaj, me urdhër të SHP-së të UÇK-së kam kaluar në Pashtrik.

***

Lufta lind gjeneralë

Shumë gjeneralë, në luftërat që janë zhvilluar në botë, në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore etj., kanë dalë nga lufta. Unë kam pasur rastin gjatë shkollimit tim, që edhe në akademi, në vitet e 70-ta, të më ligjërojnë oficerë të dalë nga lufta, pa akademi. Dhe, unë kam qenë prodhim i tyre. Eksperienca e luftës e bën të veten. Lufta lind gjeneralë, lind eprorë madhorë, lind trima dhe njerëz të mëdhenj për të mirën e popullit e të lirisë.

“24 Orë”: Z.Shaqiri, sa është e qëndrueshme bindja se ushtarakët më parë zgjedhin luftën si mjet për zgjidhjen e kontesteve. Nga ky prizëm dua të di mendimin tuaj për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Thjesht, a keni menduar ndonjëherë se Kosova do të ishte këtu ku është sot, sikur të mos fliste pushka?

Shaqiri: Ai që e filloi luftën i pari, Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe të tjerët bashkë më të që e themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe shpërthimi i luftës, kanë qenë momenti më i duhur ashtu siç e ka kërkuar edhe koha. Unë mendoj, në momentin e caktuar dhe të volitshëm, ai që ka pasur vizionin mbi luftën dhe çlirimin e Kosovës, e ka bërë këtë në momentin kur është dashur.

Rreth kësaj po e jap një arsyetim. Nuk është kjo politikë. Sllovenia bëri luftë 7-8 ditë, dhe më s’pati luftë. Kroacia hyri në luftë dhe u ndihmua sa u ndihmua nga shtetet tjera, s’po hymë më në detaje. Ndodhi edhe Bosnja, dhe u bë çfarë u bë. Organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me qëllim të flakjes së dhunës qidravjeçare serbe dhe etja për liri, e bënë të veten, ndaj momenti më i duhur ka qenë mu atëherë edhe kur shpërtheu lufta në Kosovë. Faktori ndërkombëtar e pa që jemi të etshëm për liri, jemi të gatshëm për sakrifica, për gjakderdhje, vetëm e vetëm që të fitojmë lirinë. Dhe, të intervenonte në Kroaci, s’ishte nevoja. Në Bosnjë bëri një intervenim të vogël, por, sidoqoftë, mbeti si mbeti çështja atje ende e pazgjidhur.

Me luftën që e zhvilloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Kosova jo vetëm që e fitoi lirinë, por e përzuri okupatorin nga trojet tona shekullore. E fitoi lirinë, e eliminoi sistemin e dhunës. Ishte kohë e paqëndrueshme për popullin e Kosovës, andaj bijtë dhe bijat që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e filluan luftën në momentim më të volitshëm, kanë meritat më të mëdha për këtë liri që e gëzojmë sot. Dhe, unë atë e përkrahu.

“24 Orë”: Domethënë, njerëzit që e themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe zgjodhën rezistencën e armatosur, ishin shumë më vizionarë për të fituar lirinë, sesa politika e konferencave të shtypit, e nënshtrimit dhe e durimit deri në pakufi. Këtë doni të thoni apo?

Shaqiri: Po. Absolutisht kjo është e vërteta, dhe për mua kjo qëndron.

“24 Orë”: Përveç me përgatitje shkollore, a fitohen titujt dhe gradat ushtarake edhe në luftë?

Shaqiri: Po, po. Shumë gjeneralë në luftërat që janë zhvilluar në botë, në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore etj., kanë dalë nga lufta. Unë kam pasur rastin gjatë shkollimit tim, që edhe në akademi, në vitet e 70-ta, të më ligjërojnë oficerë të dalë nga lufta, pa akademi. Dhe, unë kam qenë prodhim i tyre. Eksperienca e luftës e bën të veten. Lufta lind gjeneralë, lind eprorë madhorë, lind trima dhe njerëz të mëdhenj për të mirën e popullit e të lirisë.

Mbi të gjitha, lufta, mbase, lind heronj. Në përmbyllje të rrëfimit tim dua të shtoj dhe këtë: Lavdi u qoftë të gjithë atyre që kanë rënë në altarin e lirisë. Ne, mbase, jemi ata që duhet ta çojmë amanetin e tyre deri në fund. Këtë nuk po e them si një lloj fraze, e cila ka zënë të përdoret çdokund, por po e them me serizoitetin dhe sinqeritetin më të madh. Asnjëherë nuk duhet harruar se meritat i kanë ata, ne jemi vetëm vazhdues të amanetit të tyre. Sot në TMK kemi 3050 eprorë. Të gjithë janë profesionistë. Por, profesionalizmi arrihet gjatë tërë jetën, gjatë tërë karrierës. Dhashtë zoti e të rritet numri, të rritet efektivi i TMK-së me djem të rinj. TMK-ja ka potencial të mjaftueshëm, me të cilin mund t’i kundërvihet çdo rreziku, pa marrë parasysh se çfarë është ai dhe i çfarë natyre. Na mbetet si detyrë obligative që sa më shumë të ngritemi, të profesionalizohemi, në mënyrë që TMK-në ta bëjmë një institucion që ne synojmë. Dhe, me siguri se do ta bëjmë me punë të vazhdueshme si deri tani, të sinqertë dhe serioze. Kjo është dëshira ime më e madhe. Sepse, një Kemajl do të punojë 5-10 vjet dhe do të shkojë në pension,por duhet të shkollojmë kuadro të reja. Kemi institucionet brenda TMK-së, njësitë, komandat, Akademinë, të cilat janë të gatshme të japin kontributin e tyre dhe të arrihet qellimi përfundimtar jo vetëm i TMK-së, por i mbarë popullit të Kosovës. E, caku ynë është:pavarësia.

“24 Orë”: Është mirë që e hape këtë temë, sepse doja të të pyesja edhe për TMK-në. Z.nënkolonel Shaqiri, a e shihni ju TMK-në si forcë të ardhshme ushtarake të Kosovës?

Shaqiri: Tash për tash, Trupat e Mbrojtjes të Kosovës janë duke u aftësuar dhe duke u profesionalizuar si një ushtri e ardhshme e Kosovës. Shumë gjëra kanë ndërruar pas luftës. Ne tani veprojmë sipas parimeve të ushtrive të Perëndimit, përkatësisht të NATO-s dhe të ushtrisë amerikane,andaj TMK-ja ka potencial për të nisur ndërtimin e një ushtrie të ardhshme të Kosovës.TMK-në do ta bëjmë ushtri sa më profesionale.

“24 Orë”: Tahir Zema dhe Nazif Ramabaja në disa deklarime të tyre janë ankuar se oficerët e ish-armatës janë lënë anash. Çfarë mendon ti, a ka qenë i drejtë transformimi i UÇK-së në TMK, a janë inkuadruar në TMK të gjithë ata oficerë që luftuan,apo është dashur ndoshta të bëhet një transformim edhe i FARK-ut, që ishte në Tiranë, në ndonjë TMK 2 ose 3?

Shaqiri: Nuk është i vërtetë pohimi së oficerët janë lënë anash, sepse për mosinkuadrimin e oficerëve shqiptarë që kanë jetuar jashtë Kosovës, fajin e ka dikush tjetër, e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë e them me plot përgjegjësi. Oficerët, të cilët e kanë pasur, po e them ashtu, hakikat të japin kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës, ata edhe kanë qenë pjesëmarrës të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Askush askënd nuk ka mundur ta pengojë për t’iu bashkangjitur luftës për çlirimin definitiv të Kosovës. Prandaj nuk mund të thuhet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk i ka pritur oficerët ashtu siç duhet. Oficerët kanë qenë shumë të nevojshëm, dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka parë të arsyeshme që të inkuadrohen oficerët. Por, pse ata nuk janë inkuadruar, unë më herët gjatë bisedës e theksova se ato janë çështje personale të tyre. Arsyet vetëm ata mund t’i shpjegojnë. Por, me një fjalë dua të them se asnjë oficer nuk ka qenë i penguar që t’u bashkangjitet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e trojeve tona.

***

Kosovës, UÇK-së dhe popullit nuk mund t`ua kthejmë borxhin kurrë

Libra për luftën shkruhen shumëherë, por historia shkruhet vetëm një herë. Historia e luftës së UÇK-së ende nuk është shkruar, ajo duhet të shkruhet. Ne jemi ata pjesëmarrës të UÇK-së në operacionet luftarake dhe jemi ata që duhet t`i ofrojmë materialet për luftën, ndërsa historianët, profesorët, publicistët një ditë jo të largët duhet t`i rreken kësaj pune- shkruarjes së historisë më të re të popullit tonë të stërvuajtur. Dhe, këtë duhet ta bëjnë për hir të gjakut të derdhur dhe për hir të brezave që vijnë për ta mësuar këtë HISTORI në mënyrë të argumentuar 

“24 Orë”: Dihet se TMK-ja ka numrin e limituar të trupave dhe sigurisht që, pas transformimit dhe reduktimeve të mëpastajme, kanë mbetur jashtë radhëve të saj edhe shumë eprorë dhe ish-ushtarë të UÇK-së. Por, desha të di se sa janë inkuadruar në radhët e TMK-së oficerët e ish-armatës që kanë qenë aktivë gjatë luftës?

Shaqiri: Pjesa dërrmuese e oficerëve, të cilët kanë marrë pjesë në luftë, janë të inkuadruar në TMK. Ka edhe disa që pas luftës nuk janë inkuadruar. Unë nuk i di cilat kanë qenë shkaqet e tyre, por ndoshta mund të kenë ndikuar edhe arsyet ekonomike që disa të mos tregojnë interesim për t’u inkuadruar në TMK. Sidoqofotë, e di se dyert e TMK-së janë të hapura për të gjithë ata që mund të kontribuojnë në përsosjen dhe profesionalizimin e saj.

“24 Orë”: Z.nënkolonel konkretisht a mund të bëhet fjalë për pengesa?

Shaqiri: Pasi që është bërë transformi i UÇK-së në TMK, na është zvogëluar numri nga 5000 në 3000 trupa. Dhe, kjo është ajo pengesa, nëse bëhet fjalë për ndonjë pengesë. Mirëpo, as kjo nuk është arsyeja dhe shkaku pse ata nuk janë sot në TMK. Thjesht, disa nuk kanë treguar interesim për t’u inkuadruar në TMK. Ata është dashur vetë të interesohen dhe t’i shikojnë mundësitë e përfshirjes së tyre në TMK, me gjithë numrin e limituar, që vërtet është shumë i vogël. Por, po e përsëris se për oficerët çdoherë ka vend dhe ata janë çdoherë të mirëseardhur, nëse ata janë të vendosur që të kontribuojnë në TMK- ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

“24 Orë”: Z.Shaqiri, më keni premtuar se do ta vazhdojmë këtë bisedë me një rast tjetër dhe se ky nuk do të ishte fundi i rrëfimit tënd. Sidoqoftë, për fund të pjesës së parë të këtij fejtoni a keni edhe diçka për të shtuar, që unë nuk ju kam pyetur e që ndoshta ndokujt do t’i mbetemi borxh?

Shaqiri: Unë dua në fund të nënvizoj edhe njëherë se pritja që na është bërë në Rrafshin e Dukagjinit nga popullata dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe pritja që më është bërë mua personalisht në Drenicë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe populli, është një borxh që ndoshta nuk mund t’ua kthejmë kurrë. Por, një është më kryesorja: kemi qenë të mirëpritur dhe kurrë në pengesa nuk kemi hasur. Me plot përgjegjësi e them: askush gjatë luftës mua, si oficer, nuk më ka penguar për ta dhënë kontributin në luftë për çlirimin e Kosovës dhe as që ka pasur tentime të tilla. Përkundrazi, më është ofruar ndihmë, duke filluar nga Rexhep Selimi, pastaj komandanti i atëhershëm Sylejman Selimi- Sulltani, si dhe eprorë të tjerë.

“24 Orë”: Unë i bëra një si parathënie këtij fejtoni, a pajtoheni që ju vetë ta përmbyllni pjesën e parë të rrëfimit?

Shaqiri: Me kënaqësi.

Në vend të përfundimit

Të nderuar lexues, ju lexuat në gazetën “24 Orë” intervistën ekskluzive në disa vazhdime dhe në përfundim të saj dua që, në mënyrën më të sinqertë, t’i them edhe disa fjalë:

Kjo intervistë nuk ka pasur për qëllim ta fyejë dinjitetin e askujt, ta shfuqizojë autoritetin e askujt, ta mohojë kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës nga cilido skaj i botës, e më së paku ta denigrojë dhe ta minimizojë kontributin e çdo oficeri shqiptar që është përpjekur të japë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimin e atdheut. Po ashtu, e them se s`ka qenë qëllimi im për të përfituar ose ngritur vetveten mbi të tjerët. Nuk kam pasur për qëllim që ta injoroj ndonjë personalitet ushtarak e as politik të asaj kohe.

Qëllimi i vetëm ka qenë të thuhet e vërteta përkitazi me përgatitjet për luftë në Kosovë, të tërë potencialit njerëzor, teknik, që lufta dhe operacionet luftarake të organizohen dhe të zhvillohen sa më mire, sepse të gjithë i takojmë një toke që quhet Kosovë, një populli që quhet shqiptar, një kombi që quhet shqiptarizëm kudoqoftë.

Kjo intervistë është dhënë me prekje të shumta të situatave dhe të ndodhive që nga viti `91. Dhe, përfaqëson vetëm një përqindje të vogël shpjegimesh, por në mënyrë të argumentuar për veprimet që i kemi bërë dhe për të cilat kemi vepruar së bashku ne, të gjithë oficerët e tjerë, që dhamë çdo gjë për të ecur punët si duhen.

Mund të ketë lëshime në këtë intervistë në kuptimin e momenteve të harresës ndaj shumë kolegëve të mi, të cilëve nuk ua kam cekur emrat e të cilët kanë dhënë kontributin e tyre njësoj për të mirën e Kosovës.

Historia e luftës së UÇK-së ende nuk është shkruar, ajo duhet të shkruhet. Ne jemi ata pjesëmarrës të UÇK-së në operacionet luftarake dhe jemi ata që duhet t`i ofrojmë materialet për luftën, ndërsa historianët, profesorët, publicistët duhen një ditë jo të largët t`i rreken kësaj pune – shkruarjes së historisë më të re të popullit tonë të stërvuajtur. Dhe, këtë duhet ta bëjnë për hir të gjakut të derdhur dhe për hir të brezave që vijnë, për ta mësuar këtë HISTORI në mënyrë të argumentuar.

Libra për luftën shkruhen shumëherë, por historia shkruhet vetëm një herë. Populli i Kosovës ka nevojë për unitet më tepër se kurdoherë. Duke respektuar njëri-tjetrin, t’i mënjanojmë mëritë, përçarjet ndërmjet vete dhe duke vlerësuar e çmuar edhe mendimet e tjetrit, si në çdo vend demokratik. Me unitet të sinqertë, me punë të palodhshme, me përkushtim e vigjilencë të lartë arrihet synimi ynë tashmë i njohur për të gjithë: PAVARËSIA E KOSOVËS.

Të nderuar lexues, besoj se duke e lexuar intervistën keni pasur edhe opinionin tuaj, komentet tuaja çka edhe është e drejta juaja. Për këtë edhe ju është dhënë mundësia që ta shprehni mendimin tuaj dhe t`i kontribuoni të vërtetës për luftën dhe për luftën heroike të UÇK-së, ushtrisë së parë në historinë e Kosovës në formë të strukturuar, të organizuar për të zhvilluar operacione luftarake, qoftë në beteja ose forma të tjera të nivelit taktik, opreativ dhe strategjik.

Prandaj, opinioni juaj është i mirëpritur, në veçanti kur ai është sa më i argumentuar.

Nënkolonel Kemajl Shaqiri, shef i Qendrës Operative të SHP të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës.

FUND (fundi i pjesës së parë)

……………………………………….

Kthehu në fillim të intervistës

KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (1)

https://pashtriku.org/kemajl-shaqiri-ushtatraku-qe-e-tradhtoi-fark-un-dua-te-flas-te-verteten-1/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura