KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (2)

KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (2)

Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 24. 04. 2023

8. Ai ka një propozim konkret

Jusuf Gërvalla: “Lidhur me këtë, ai (Kadri Zeka – shën i Xh. D.) ka një propozim konkret, të cilin ia kam aprovuar edhe unë, nëse pranon ti: të vijmë së bashku ai e unë te ti dhe ta ndriçojmë po qe e mundur këtë çështje. Fitimi, besoj, do të kish qenë i madh. Ai është një shok i mirë dhe mjaft i pjekur. Por, në qoftë se ti ngul këmbë që nuk duhet t’i hymë fare kësaj pune, atëherë ashtu edhe do të bëhet.” (Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 271)

9. Sugjerime nga instanca të rëndësishme

Jusuf Gërvalla: “Edhe një çështje tjetër me shumë rëndësi. Po ky shoku (Kadri Zeka – shën i Xh. D.) i “Lirisë”, i cili lidhjet me shokët në Kosovë i mban rregullisht, tash së fundi na njofton sesi nga Kosova i paska ardhur porosia që tash e tutje të mos ngulim më këmbë në kërkesën për përfshirjen e tokave shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi brenda republikës së Kosovës, por të kufizohemi vetëm me statusin e republikës për territorin e sotëm të Krahinës Autonome të Kosovës, sepse gjoja, po të paraqitet kështu çështja, paska njëfarë mangësie për realizimin e kësaj kërkese. Ai (Kadri Zeka – shën i Xh. D.) shton se gjoja sugjerime të tilla u paskan arritur nga instanca të rëndësishme të atdheut. Unë paraqita kundërshtimin tim kategorik. Në mos qentë tradhti e hapët, një lëshim i tillë, thashë unë, atëherë është një politikë e ligë konjukturale, të cilën vështirë se do të na e falte populli i pezmatuar, sidomos shqiptarët e viseve jashtë Krahinës, që janë në rrezik edhe nga asimilimi i madh.” (Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 271)

 Plani i Partisë Komuniste (PKMLSHJ): “Jusufi na sqaroi më në detaje termin e „Viseve shqiptare në Jugosllavi“. Na tha se ky term gjenezën e kishte te „Zëri i popullit“, i 12 shtatorit 1981, dhe te Kongresi i 8-të i PPSH-së, dhe se tani ne po i përmbaheshim kësaj terminologjie.(Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 64)

 Pse Abdullah Prapashtica është aq shumë i angazhuar në punët e brendshme të LNÇKVSHJ-së, dhe mundohet ta sqaroj në detaje (në të cilat therret aq keq) me pocërkën e vet, gjenezën e mbaresës ‘Viseve shqiptare në Jugosllavi’.

Abdullahu është i interesuar në këtë pikë sepse po të ishte si thotë ai, rrjedhimi do të ishte: OMLK-ja është marrë vetëm me çështjen e shqiptarëve për atë territor që është quajtur Krahina Socialiste Autonome e Kosovës. Jusuf Gërvalla dhe Lëvizja e tij e kanë bërë të njëjtën gjë. Ushtruesi i profesionit të udbashit, Abdullah Prapashtica është i vetmi që me partinë e tij “komuniste” është brengos e ka luftuar për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi.

10. Titulli duhet ndërruar

Jusuf Gërvalla: “Tani  prej teje pres përgjigje të prerë për sa vijon:

1)  A e aprovon ardhjen time bashkë me atë shokun, lidhur me sqarimin e çështjes së përmendur, apo se lejon.

2) Pas “pështjellimeve” rreth titullit të organit “Zëri i Kosovës”, a të duket e udhës që organit tonë të ardhshëm t’i vëmë një titull tjetër? Unë mendoj se titulli duhet ndërruar.

3) A duhet të pranojmë edhe ne, sikundër ata të “Lirisë”, solucionin e republikës vetëm për territorin e sotëm të Krahinës së Kosovës?

4) A mendon se duhet edhe më tutje, pas këtyre njoftimeve, ta vazhdoj bashkëpunimin me shokun (Kadri Zekën – shën. i Xh. D.) në fjalë, apo të punoj vetëm, duke iu kushtuar kryekëput punëve të LNÇKVSH dhe të organit të saj të ardhshëm?Të lutem t’i analizoni hollësisht këto çështje me shokë dhe të më përgjigjeni sa më parë që të jetë e mundshme.” (Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, f. 271)

11. Ka një keqkuptim mes meje dhe teje

Jusuf Gërvalla: “Nga përmbajtja dhe toni i letrave të tua, kuptova që ende s’e ke marrë letrën time të fundit, në të cilën të kam njoftuar për punën konkrete që është duke u bërë rreth nxjerrjes së numrit të ardhshëm të „Zërit të Kosovës“.  

Ka një keqkuptim mes meje dhe teje. Kur është fjala për titullin „Zëri i Kosovës“, te unë s’ka pasur as nuk ka „hutesë“ as „trullosje“. E kam në dorë Statutin e LNÇKVSH, ku shkruan qartë se ai është organ i Lëvizjes sonë. Por, kam pasur në dorë edhe disa trakte të të ashtuquajturit Grupi komunist „Zëri i Kosovës“ dhe më kanë dalë kokëçarje pikërisht me udhëheqësin e këtij grupi dhe pikërisht lidhur me këtë titull. Prandaj kam supozuar se mund të ketë hutesë te lexuesi. Vetëm kaq.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981) 

12. ambasada turke nuk më jep kurrsesi vizë

Jusuf Gërvalla: “Më lejo tani të informoj për disa çështje tash për tash të rëndësishme. Lidhur me takimin tonë doli një pengesë tash për tash e pakapërcyeshme: ambasada turke nuk më jep kurrsesi vizë hyrjeje në Turqi. Me gjasë nuk i japin as atij shokut tjetër, se edhe ai e ka punën si unë. Ne do të provojmë ndonjë lloj intervenimi, por sa duket është e kotë. Prandaj, nga ju andej presim ndonjë propozim se si dhe përmes kujt të organizohet ndonjë kontakt, që do të shpiente kah bashkimi.” (Letër Sabri Novosellës, 21 korrik 1981)

13. Të falem nderit për autorizimet që më jep në shumë drejtime

Jusuf Gërvalla: “Të falem nderit për autorizimet që më jep në shumë drejtime. Kjo më detyron të rritem e të piqem dita me ditë përtej aftësive dhe mundësive të mia. Mendoj se autorizime më të mëdha (por edhe ato me kufij të theksuar) mund të me jepen vetëm sa i përket nxjerrjes së gazetës. Për të tjerat, sidomos për punë organizative, kujtoj se më mungon përvoja, e sidomos takti. Prandaj është e nevojshme të më jepen këshilla të vazhdueshme, fare mos nguro që këshillat të përmbajnë edhe hollësira.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

14. AUTORIZIMI QË MË KE DHËNË LIDHUR ME BASHKIMIN E DY ORGANIZATAVE TONA

Jusuf Gërvalla: “Kësaj radhe e kam fjalën konkretisht te autorizimi që më ke dhënë për punë me shokun e „Lirisë“, e veçanërisht të bisedohet me të lidhur me bashkimin e dy organizatave tona. Siç e di, përvoja ime në punë të organizuar ishte e shkurtër dhe unë nuk i di ato hollësi për organizatën tonë, lidhur me të cilat kërkon të informohet shoku i „Lirisë“. (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

15. UNË SHOH NJË DISPONIM TË KADRI ZEKËS DHE SHOKËVE TË TIJ QË KJO PUNË TË MOS BËHET PËRMES MEJE

Jusuf Gërvalla: “Me një fjalë unë shoh një disponim të tij (besoj edhe të shokëve të tij) që kjo punë të mos bëhet përmes meje. Dhe u jap të drejtë.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

16. nuk i kanë shtruar hollësisht e me shkrim ato që duan të dinë e që kërkojnë

Jusuf Gërvalla: “Nga ana tjetër, ata ende nuk i kanë shtruar hollësisht e me shkrim ato që duan të dinë e që kërkojnë. Mendimi i tyre, për sa e shoh unë, është se do të duhej të takoheshe ti, ose ndonjë shok tjetër nga më të rëndësishmit e Lëvizjes në atdhe, me ndonjë shok të njëjtit nivel, po në atdhe, nga ata të „Lirisë“. Kjo më duket edhe mua e drejtë. Dhe ndoshta vetëm në këtë drejtim do të mund të kontribuonim në këtë moment unë dhe ai shoku i „Lirisë“. (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

17. njeri i përshtatshëm, bie fjala Shpendi a Bardhi

Jusuf Gërvalla: “Sa për udhëtim deri te ti (se kështu me korrespondencë është e rrezikshme të thuhen hollësitë) do të gjendej ndonjë njeri i përshtatshëm, bie fjala Shpendi (Xhafer Durmishi – shënimi im) apo Bardhi (Bardhosh Gërvalla – shënimi im).” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

18. S’DUHET TË KEMI TË BËJMË FARE ME TË HUAJTË

Jusuf Gërvalla: “Formimi i një komiteti për Kosovën ishte ide jona dhe e disa miqve gjerman, si kryetari i Shoqatës Gjermani-Shqipëri dhe anëtar i KQ të PK të Gjermanisë, Peter Platzman, pastaj shoku Hans Röm etj. (Për ta duhet të ketë informata të hollësishme Profesori. Sipas mendimit të tyre, në komitet do të bënin pjesë disa personalitete të shquara të jetës politike, shoqërore e artistike në Gjermani (kështu praktikoheshka këtu në raste të tilla), kurse nga pala e shqiptarëve të Kosovës ata ishin të mendimit që në komitet të hyja unë, për dy arsye konkrete: si njeri që do të siguroja materiale për punën e komitetit dhe si person publik në vendin tonë – gazetar dhe poet. Këto bisedime qenë zhvilluar së bashku edhe me shokun e „Lirisë“ dhe ashtu qe vendosur. Por, më vonë atij i erdhi nga shokët porosia se s’duhet të kemi të bëjmë fare me të huajt. Dhe, që atëherë, si punë e përbashkët çështja e këtij komiteti ra poshtë dhe në këtë drejtim s’u ndërmor gjë tjetër.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

19. NË TAKIMIN E MBRËMSHËM, TË 30 KORRIKUT 1981

Jusuf Gërvalla: “Në takimin e mbrëmshëm konkluduam se, po të jeni ju andaj të mendimit se kjo punë duhet të vazhdojë, atëherë ne do ta vazhdojmë. Mundësitë janë ato që kanë qenë.

Edhe çështja e letrave protestuese drejtuar qeverive të ndryshme dhe kombeve të bashkuara ka qenë e planifikuar të bëhej në bashkëpunim me shokët e „Lirisë“. Por, edhe ajo s’dha rezultat deri më tash. Ne do ta bënim edhe vetë, por ngurronim për një arsye – se, me punë të pavarur, prishnim punë në drejtimin e bashkimit të nevojshëm të organizatave tona. Edhe kjo punë mund të vazhdojë, po e patë ju të arsyeshme, por mendoj se, kur të merrni vendime për çështje të tilla, duhet ta mbani parasysh edhe rrethanën e nevojës së madhe të bashkimit, duke u prirë nga mendimi leninist se me bashkim nënkuptohet bashkimi i mendimeve, i pikëpamjeve dhe i punëve të përafërta a identike të dy a më shumë organizatave. Atje ku duket se ka pasur pasivitet ose harresë te unë, atje kryesisht ka qenë vendimtar ky parim dhe më pak harresa ose pasivizimi.” (Letër Sabri Novosellës, 31 korrik 1981)

20. Detyra që Jusuf Gërvalla ia ngarkon Haxhi Berishës

Jusufi përgatiti teknikisht numrin 4-5 të “Lirisë”, që doli në fillim të gushtit 1981. Në këtë kohë jam vetë në Shtutgart dhe ngjarjet i di si pjesëmarrës i drejtpërdrejt. Për këtë numër prej shkrimeve të Jusufit Kadri Zeka zgjodhi artikullin

3. Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj, dhe poezinë

4. Shqipja bënë edhe pa gjëmë, i mjafton lavdia.

Edhe në këtë rast ai i dha detyrë Haxhi Berishës nga fshati Prapaqan i komunës së Deçanit, ta marrë përsipër futjen e këtij numri të dyfishtë në Kosovë. Kësaj radhe, prej anës së Kadri Zekës, ndihmës e shok i tij i rrugës u caktua Hasan Mala. Për ndryshim nga Qamil Isufi, Hasan Mala nuk i ndahet Haxhi Berishës gjatë tërë rrugës. Çështja e bashkimit u aktualizua pas pushimit të demonstratave në mërgim, aty kah fillimi i gushtit, kur numri 4-5 i “Lirisë” doli nga shtypi.

Në faqen e fundit të numrit 4-5 të “Lirisë” për herë të parë përmendet dhe botohet xhirollogaria e OMLK-së dhe vetëm e OMLK-së, me këto shënime: Hilfe für Kosova, Katharina Asal – Biel-Biene, Konto 25-45475Biel-Biene Schweiz”

Por në fund të korrikut e gjatë gushtit e shtatorit 1981, çështja e bashkimit të OMLK-së dhe LNÇKVSHJ dukej aq afër, sa Jusufi pa fijen e dilemave pajtohet me shtyp fletëpagesa të shumta të përshtatura për bankat gjermane për të dërguar të holla në këtë xhirollogari në Zvicër. Shumica e këtyre fletëpagesave shpërndahen nga Jusufi në Stuttgart dhe qytete tjera. Po në Stuttgart, shkruhet nga Jusufi një trakt në emër të “Lirisë” për të ndihmuar luftën ekonomikisht dhe për këtë trakt Jusufi e mori një citat të Sami Frashërit, në të cilin thuhej: “Kush nuk derdh një pikë gjaku për tok të vet, kush nuk jep asnjë qindar për të, ai s’ka të drejtë as të varroset në te.”

Ndihma për Kosovën nga pjesa e rrethit të Shtutgartit – Sindelfingenit për vitin 1981 në xhirollogarinë: Hilfe für Kosova – Katharina Asal, 25-45475 Biel/Bienne, SCHWEIZ

Në formë anonime apo që Faridin Tafallari

             nuk ka mund t’i siguroj emrat —    580 DM

             Abdurrahman Sadiku Dumnicë      100 DM

             Avdullah Bobaj  Korishë   50 DM

             Azem Berisha     Korbliq 100 DM

             Halil Rexha        Korishë 100 DM

             Halit Osmani             Dumnicë      50 DM

             Islam Rafuna             Gjilan    50 DM

Mejdi Rexha Korishë 200 DM

Muharrem Rexha Korishë 100 DM

Nuhi Ibishi   Dërvar   120 DM

             Nuhi Kabashi      Polac     500 DM

             Nuhi Sylejmani   Llojan   120 DM

             Qazim Ramadani Smirë    100 DM

             Rasim Toska       Gjilan    200 DM

             Sali Hasani         Dumnicë      50 DM

             Sejdullah Osmani      Qirez     100 DM

             Shoqërija e Sindelfingenit       400 DM

(Shënim:  Kjo listë m’u bë e njohur në janar 2012)

Për një nevojë të bashkimit flitej e bëhej shumë fjalë. Në pritje të një bashkimi u vendos që të mos dilet me “Zërin e Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së.

Tek pas dështimit të plotë të bisedimeve në Stamboll, në mesin e tetorit 1981, këto fletëpagesa, nga Jusufi trajtohen pak më ndryshe.

21. Kur lindi Partia

Ekziston një faktor që ka luajtur rëndësi shumë të madhe në ngritjen e temperaturës së bisedimeve apo të paktën zhurmës shurdhuese e çjerrjeve për bashkim e unitet e që nuk e kam lexua se dikush e ka përmend deri më sot. Në verë 1981 në vitin e 40 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, doli libri me kujtime i Enver Hoxhës me titull “Kur lindi Partia”. Ky libër na erdhi në Shtutgart në gusht dhe Jusufi, unë e shokë të afërm e lexuam me vëmendje për të shikuar se çka mund të mësonim e nxirrnim prej tij lidhur me situatat organizative nëpër të cilat vet kalonim.

Krahasonim grupet, dëmin e liderëve të vjetër të infektuar me frymën e vjetër të grupeve, kush mund të jetë Koço Tashkoja, Enveri, Qemal Stafa, Vasili – Vasil Shantoja, Miladin Popoviqi e Dushan Mugosha ynë. Kush rrezikon të bëhet Anastas Lula e Sadik Premtja ynë.

Pavarësisht diskutimit të detaleve e personazheve, ky libër e përqendroi vëmendjen tonë në diskutimin për formimin e Partisë Komuniste nga organizatat e asaj kohe, pra në mes LNÇKVSHJ dhe OMLK-së. Thelbi i këtyre ideve ishte shtruar nga Jusufi qysh në dhjetor 1980, në programin e tij të shprehur në artikullin “Bashkimi bënë fuqinë”.

Në ndërkohë, përkundër ndërprerjes së Lajmëtarit të lirisë, e gjesteve të shumta konkrete të Jusufit në favor të bashkimit me OMLK-në, nga Kadri Zeka dhe OMLK-ja nuk kishte pasur asnjë lëvizje të vetme në këtë drejtim. Në këtë situatë Sabri Novosella i kërkon Jusufit që të filloj me përgatitjen e botimit të “Zërit të Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ. Jusufi ia fillon punës dhe pothuajse i ka të gjithë artikujt të gatshëm për numrin e parë, qysh në ditët e para të gushtit 1981. Ja se çka i shkruan ai Sabri Novosellës më 20 gusht 1981:

Ibrahim Kelmendi: ”Të le pa tekst kjo frymë e komunikimit. Poeti, gazetari, publicisti, këngëtari JG me rrobaqepësin gjysmanalfabet SN dhe dëgjueshmëria poshtërue­se prej skllavi që, vetëm në bashkëveprimtarit të vullnetshme midis të të barabartëve nuk mund të ngjante! Kush duhet t’ia ketë shkruar letrat SN që të fascinohej Jusufi deri në atë shkallë vetëmohuese e vetëpëruljeje!? Kjo është çështja!?” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërnarë përmes internetit në shtator 2016)

Jusuf Gërvalla: “Materialet e numrit të ardhshëm të “Z.K.” janë pothuaj të gjitha të gatshme. Për pjesën e tyre më të madhe, unë, Shpendi (Xhafer Durmishi-shën im) e Besniku (Bardhosh Gërvalla -shën i Xh. D.) jemi të kënaqur. Morëm zemër edhe nga fakti se ju kishin pëlqyer edhe juve ato punime që ua dërguam edhe juve për t’i shikuar. Përveç kësaj, unë personalisht tani jam në pozitë shumë më të lehtë, për shkak të mendimeve, porosive e sugjerimeve nga ana juaj dhe për shkak të një ndihme, sado të vogël në fillim, nga ana e Shpendit, e Besnikut dhe e shokut të “Lirisë”, që këta më dhanë me disa artikuj të mirë. Edhe Shpendi edhe Besniku, për sa duket kanë afinitet për shkrim, i cili do të rritet bashkë me punën tonë e me ne. Tani pas hartimit të dy artikujve që kanë mbetur pa u kryer, menjëherë po i hyjmë shtypjes së revistës. (Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451)

Pa u larguar nga tema, dua të shtoj se nga mesi i korrikut 1981 unë gjendem në Untergruppenbach e Ludwigsburg. Prania ime frymon e regjistrohet menjëherë në të gjitha letrat ku Jusufi diskuton çështje të Lëvizjes së tij Nacionalçlirimtare. Për praninë time në rrethin e Jusufit të shohim si nënshkruhet Nuhi Sylejmani, në vitin 2010, kur fletë për 21 janarin 1982, rreth orës 14.00.

 Plani i Partisë Komuniste (PKMLSHJ): “Me Skënder Skënderin (Xhafer Durmishin-shën im) isha takuar vetëm njëherë në familjen Gërvalla, në shtator të vitit 1981, në prezencën e Islam Rafunës. Pastaj, as nuk e kam parë, por as nuk kam dëgjuar më për të. Nuk e mora vesh se nga erdhi, nga Kosova apo nga ndonjë vend tjetër, ndodhej ilegal në Gjermani, apo kishte ndonjë leje qëndrimi. Në fillim mendova se qëllimi i vizitës së tij ishte ngushëllimi, por pak kohë më vonë, për befasinë time, Suzana ma prezantoi si „zëvendës“ të Jusufit!” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, f. 88)

Kjo do të thotë se për numrin e parë të Zërit të Kosovës, të nëntorit 1981, përveç meje e Bardhit, edhe Kadri Zeka ia ka dhënë Jusufit një artikull të OMLK-së, sa për t’ia kthyer një pjesë të borxhit sidomos për artikullin e Jusufit “Tradhtarët e rinj dhe tradhtarët e vjetër” të botuar në numrin 4-5 të Lirisë. Artikulli që Kadri Zeka ia jep Jusufit në fund të korrikut është “Planet e revizionistëve titistë për degjenerimin e rinisë sonë kanë dështuar me turp” (Zëri i Kosovës, nëntor 1981, f.7-8).

22. Do t’ia bëjmë edhe ne si Lech Walesa

Të vazhdojmë leximin e letrës së Jusufit të 20 gushtit 1981.

Jusuf Gërvalla: “Maqinë për të blerë nuk kemi gjetur ende, por shpresojmë se do të na bjerë në dorë diçka e mirë. Tani për tani duhet të marrim, për këtë numër, një maqinë të tillë me qira. Këtu praktikohet kjo gjë.” (Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 451-452)

Ismet Rashiti: ”Në shtator të vitit 1981, me vendim të Kadri Zekës, Hasan Mala ishte nisur për në Kosovë, ilegalisht, për ta dërguar gazetën ”Liria”, përmbledhjen e njohur ”Këngët e lirisë” dhe literaturë tjetër të ndaluar. Paraprakisht me Kadri Zekën kishin për t’u takuar me Jusuf e Bardhosh Gërvallën, të cilët si bashkudhëtar ia caktojnë veprimtarin Haxhi Berisha. ”Deri në kufirin ish-jugosllav na kanë përcjellë Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Pastaj unë dhe Haxhiu kemi vazhduar rrugën me tren nga Lubjana, nëpër Mal të Zi dhe kemi dalë te Kulla e Zhlebit. Me vete kishim 1400 copë të gazetës ”Liria”, ”Këngët e lirisë” dhe shumë libra. Aty na kanë dalë shokët me veturë, e kanë marrë materialin dhe ne e kemi vazhduar rrugën, ashtu siç kemi mundur e ditur. Më vonë kam mësuar se ata tre shokë, që kishin dalë për të na pritur, ishin: Nezir Myrtaj, Naim Salihu dhe Selim Hyseni. Pas këtij aksioni, që u krye me sukses, më thirri Hydajet Hyseni, i cili ma kishte përgatitur një valixhe, ku i kishte futur Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Po këtë ditë kisha vendosur ta vizitoja vëllanë, Rexhepin, në Burgun e Zenicës, e pastaj ta vazhdoja rrugën për mërgim. U bë si u bë, u nisa dhe shkova te Rexha për vizitë në burg. Ky ishte takimi i fundit me të. E shikova në sy dhe zemra ma ndjeu se nuk do ta shihja më. U ndamë me zemër të pikëlluar. Shkova, e mora valixhen ku e kisha lënë dhe u ktheva në Zvicër bashkë me ”Tezat e Frontit Popullor”. Kur shkova te Kadriu, në St. Gallen, aty kishte qenë edhe Jusuf Gërvalla” – tregon për herë të parë Hasani.” (Rrëfanë lirie, Prishtinë 2010, faqe 71-72)

Në mesin e shtatorit Jusufit i bjenë në dorë diçka e mirë. Ai e blen një maqinë për përgatitjen e “Zërit të Kosovës, të markës IBM, e quajtur me emrin e plotë “IBM Electronic Selectric Composer”. Tani jemi në kohën kur Jusufit, përveç maqinës së IBM-it, i bjenë në dorë diçka edhe më e mirë se maqina, e kjo e mirë nuk është as më pak e as më shumë se sa dokumenti i OMLK-së me titull “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Këto Teza të majit janë përpiluar në maj 1981. Por ajo çka është më kryesorja në këtë rast është se këto teza Jusufit i kanë ardhur në gjysmën e dytë të shtatorit 1981. Jusufi posa i ka marrë i ka rishkruar dhe radhitur mirë në maqinën e porsa blerë të IBM-it. Rishkrimi e radhitja e këtyre Tezave është e vetmja punë që është bërë për llogari të OMLK-së me maqinën e Jusufit me emrin komplet IBM Electronic Selectric Composer. Ky është vetëm aspekti teknik i kësaj çështje.

Në këtë kohë shumicën e ditëve të javës i kaloja në Ludwigsburg, ku banoja me Haxhi Berishën dhe Naim Haradinajn, ndërsa me Jusufin takoheshim çdo të shtune-diele. Të shtunën e parë pas ardhjes së Tezave, si kam shkue te Jusufi, në mes nesh biseda filloi në këtë mënyrë:

   Jusufi: – Kam lajme shumë të mira.

   Unë (Xh. D):    – Pse çka ka ndodh?

   Jusufi: – Do t’i bëjmë edhe ne si Lech Walesa!

   Unë (Xh. D.)    – E qysh si Lech Walesa?

   Jusufi:- Shikoi e lexoj këto Teza që na kanë ardhur!

 Jusufi m’i dha Tezat e rishkruara e radhitura nga ai, në të cilat shkruante me sa vijon:

“TEZA RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E  KOSOVË 

I

Kriza e rëndë që ka mbërthyer Jugosllavinë revizioniste, i ka sjellë masat punonjëse kudo në Jugosllavi në një gjendje shumë të vështirë. Por, veçanërisht e rëndë dhe e padurueshme është kjo gjendje në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, ku mbi masat punonjëse po ushtrohet një shtypje e shfrytëzim i egër e i shumëfishtë kolonial e kapitalist.

Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ka luftuar në shekuj për lirinë, të cilën nuk e fitoi kurrë. Megjithë gjakun e shumtë që derdhi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai nuk fitoi të drejtën e tij të ligjshme dhe të premtuar që të vendosë vetë për fatin e tij. Këtë të drejtë, që më parë e kishin proklamuar vetë shovinistët e rinj jugosllavë, pas përfundimit të luftës, e mbytën me gjak. Me anë të forcës e të tradhtisë, ata bënë që Kosova dhe tokat e tjera shqiptare, që fuqitë e mëdha i kishin shkëputur padrejtësisht nga shteti shqiptar, të pushtohen përsëri dhe të copëtohen në mes të Serbisë, Maqedonisë dhe Mali të ZI. Populli i robëruar shqiptar u bë objekt i një politike të egër shoviniste të shtypjes e shfrytëzimit të pamëshirshëm, objekt i dhunës dhe terrorit, shkombëtarizimit dhe gjenocidit të paparë. Çështja kombëtare e popullit tonë mbeti një problem i pazgjidhur, një plagë që kërkon shërim. Popullit shqiptar në Jugosllavi dhe sidomos atij në Maqedoni e Mal të Zi i janë mohuar e shkelur të drejtat më elementare kombëtare.

Përveç marrëdhënieve kapitaliste në prodhim, gjendjen e masave punonjëse dhe të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi e rëndon edhe shfrytëzimi i egër kolonial që ushtrohet mbi të. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi janë shndërruar në koloni të vërteta të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në burim të tyre, thjesht të lëndëve të para dhe të krahut të lirë të punës. Mbi supet e klasës sonë punëtore dhe masave të tjera punonjëse po hidhen jo vetëm pasojat e krizës që ka mbërthyer ekonominë kosovare, por edhe ato të krizës së ekonomisë të të gjithë Jugosllavisë. Kjo ka bërë, që megjithë pasuritë e shumta që kanë Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi jo vetëm të jenë pjesa më e pazhvilluar në Jugosllavi, por që edhe prapambetja e tyre në krahasim me viset e tjera të Jugosllavisë të shtohet vazhdimisht. Kjo ka bërë që Kosova jonë e begatshme të mbetet “ shtëpia e varfër e Evropës “, vendi i prapambetjes, papunësisë, kurbetit, analfabetizmit, errësirës, sëmundjeve, skamjes dhe mjerimit

I I

Populli ynë heroik ka luftuar në shekuj për lirinë dhe të drejtat e tij. Ashtu si dhe më parë, ai nuk u pajtua kurrë me zgjedhën e re të robërisë revizioniste. Luftën e pandërprerë të popullit tonë kundër zaptuesve të rinj shovinistë nuk kanë mundur ta shuajnë as gjenocidi, dhuna e terrori i egër fashist dhe as premtimet, demagogjia, feja, shthurja e degjenerimi. Krahas ngritjes së vazhdueshme të ndërgjegjes kombëtare e klasore të popullit tonë të robëruar, u rrit dhe u intensifikua edhe lufta e tij për të drejta e liri.

Lëvizja revolucionare e pranverës së këtij vitit është vazhdim i drejtpërdrejtë i luftës së pandërprerë të popullit tonë për liri, dëshmi e ngritjes së saj në një shkallë akoma më të lartë.

Grevat dhe demonstratat e mëdha të pranverës nuk kishin aspak karakter shovinist, irredentist, reaksionar e kundërrevolucionar, siç po për piqet t’i paraqesë ato propaganda jugosllave. Ato ishin pasojë e gjendjes së padurueshme, në të cilën ndodhet populli ynë, e shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial e kapitalist që ushtrohet mbi masat tona punonjëse. Me  anë të këtyre demonstratave dhe grevave, populli ynë kërkoi kushte më të mira jetese, kërkoi lirinë dhe të drejtat e mohuara kombëtare e demokratike; dhe në mënyrë të veçantë kërkoi që Krahinës Autonome të Kosovës t’i jepet statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave. Këto kërkesa qenë paqësore; të përgjakshme ato i bënë shovinistët serbomëdhenj dhe tradhtarët shqiptarë, që urdhëruan shuarjen e tyre me armë dhe me gjak, me milici speciale, tanke dhe ushtri. Ata janë përgjegjës për gjakun që u derdh në këto demonstrata popullore dhe për të gjitha dëmet që u shkaktuan.

Suksesi i demonstratave dhe grevave të këtij viti është i jashtëzakonshëm.

*   U arrit një politizim, mobilizim dhe bashkim i paparë i popullit tonë.

*   U ngrit në një shkallë akoma më të lartë fryma e tij, luftarake, patriotike e klasore, u shtua edhe më shumë besimi i tij në forcat e veta të pashtershme.

*   Politika antipopullore e udhëheqjes shoviniste të Jugosllavisë u demaskua e u diskreditua edhe më shumë jo vetëm në sytë e popullit tonë, por edhe në sytë e popujve jugosllavë dhe të atyre të botës. Doli në shesh jo vetëm politika e shovinistëve serbomëdhenj për fashistizimin dhe rankoviçizimin e mëtejshëm të Jugosllavisë, por edhe plani i rrezikshëm që ata po kurdisin në bashkëpunim me socialimperialistët sovjetikë – kundër popujve të Jugosllavisë dhe të Ballkanit.                                             

*   Çështja e Kosovës u popullarizua edhe më shumë në të gjithë botën. Lufta jonë e drejtë fitoi simpatinë dhe përkrahjen e të gjitha forcave përparimtare në të gjithë botën…

I I I

Të tmerruar nga goditjet dërmuese që morën nga grushti i ngritur i popullit, shovinistët serbomëdhenj kanë shpërthyer tani një fushatë të tërbuar antishqiptare. Ata po përdorin të gjitha mjetet dhe metodat, me qëllim që të shkatërrojnë lëvizjen komuniste e patriotike, që po rritet e forcohet vazhdimisht, ta nënshtrojnë popullin tonë të pamposhtur, ta mbysin luftën e tij çlirimtare, e madje edhe të na i rrëmbejnë ato pak liri e të drejta që i kemi fituar me gjak e sakrifica. Por, siç ka treguar historia jonë e lavdishme dhe siç po e tregon edhe lufta e gjithnjë në rritje që po bën populli ynë edhe në këto kushte, nuk ka forcë në botë që mund ta mposhtë popullin tonë të paepur, që të ndalë marshimin e tij të pandalshëm drejt lirisë e socializmit.

*   Në këto kushte, para gjithë lëvizjes komuniste, patriotike e revolucionare në Kosovë del detyrë e ngutshme bashkimi dhe organizimi më i mirë i gjithë popullit tonë dhe luftës së tij të drejtë.

*   Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës mendon se në kushtet e tanishme kjo mund të arrihet më së miri duke  organizuar FRONTIN POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS.

I V

*   Qëllimi i Frontit për Republikën e Kosovës është që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e republikës brenda federatës jugosllave

*   Kërkesa për Republikën e Kosovës është e drejtë dhe përkrahet nga i gjithë populli shqiptar

*   Populli i Kosovës kurrë nuk ka vendosur për fatin e vet. Tokat e tij janë pushtuar me forcë, janë copëtuar dhe në kundërshtim me vullnetin e tij, i janë aneksuar Serbisë. Në mbledhjen e AVNOJ –it ku u vunë themelet e pushtetit të sotëm jugosllav, nuk u fol fare për çështjen e popullit shqiptar në Jugosllavi dhe më të nuk morri pjesë asnjë delegat shqiptar.

*   Populli shqiptar jeton në tokën e tij, ku ka jetuar brez pas brezi.

*   Populli shqiptar në Kosovë i ka të gjitha karakteristikat që përbëjnë një popull dhe një komb. Ai nuk është” pakicë kombëtare”, nuk është” kombësi” dhe as “popullsi” (“ narodnost”), siç e kanë cilësuar shovinistët jugosllavë. Ai përbën mbi 80 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

*   Për nga numri i banorëve, Krahina e Kosovës është rreth tri herë më e madhe se Mali i Zi, që ka republikën e vet.

*   Republika e Kosovës do ta bëjë të mundshëm zhvillimin sa më të shpejtë ekonomik dhe kulturor të Kosovës si dhe afirmimin e mëtejshëm kombëtar të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi.

*   Republika e Kosovës do të jetë fitore e madhe edhe për popullin shqiptar në Maqedoni, në “Serbinë e ngushtë” dhe në Mal të Zi, prandaj edhe përkrahet prej tij.

*   Republika e Kosovës nuk u sjell asnjë të keqe popujve jugosllavë dhe federatës së tyre; përkundrazi ajo është dhe në interes të tyre dhe e forcon Federatën jugosllave.

*   Kërkesa për Republikën e Kosovës është një e drejtë që buron edhe nga Kushtetuta e Jugosllavisë, një e drejtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë në Jugosllavi. Dënimet që u jepen përkrahësve të kërkesës për Republikën janë të paligjshme.

*   Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk është kërkesë për ndryshimin e kufijve në Jugosllavi e Ballkan. Ajo nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara as me vendimin e Helsinkit dhe nuk sjell kurrfarë rreziku për paqen në Ballkan.

V

*  Për t’ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftë për Republikën të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, rininë, gratë, inteligjencën revolucionare dhe elementë përparimtarë nga radhët e borgjezisë; të gjithë komunistët, patriotët dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet politike e nga dallimet klasore, fetare e krahinore.

*  Fronti Popullor për Republikën duhet të jetë jo një koalicion i paqëndrueshëm i krerëve të forcave të ndryshme politike, por një bashkim luftarak i pathyeshëm i të gjitha masave tona popullore; jo marrëveshje me fjalë në letër, por një bashkim në luftë e sipër; jo qëllim në vete, por një levë e rëndësishme për edukimin, mobilizimin dhe organizimin e masave popullore në luftë për të drejta e liri

* Bazë e Frontit duhet të jetë aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe të pararojës marksiste leniniste të vërtetë, që do të dalë nga lëvizja komuniste në Kosovë, e cila po rritet, bashkohet e forcohet çdo ditë.

*   Në Frontin për Republikën do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale komuniste, patriotike e revolucionare, pavarësisht nëse janë ose jo për socializmin e vërtetë. Republika e Kosovës është në interes të të gjithë popullit të Kosovës, në interes të të sotmes dhe të së ardhmes së tij, prandaj në Front duhet të bëjnë pjesë të gjithë ata që janë për lirinë e Kosovës, për Republikën e saj.

*   Në Frontin për Republikën mund të bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës, në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, në viset e tjera të Jugosllavisë apo kudo në botë. Fronti do të luftojë për lirinë dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi.

* Republika e Kosovës është në interes edhe të popujve joshqiptarë në Kosovë, prandaj edhe ata duhet ta përkrahin kërkesën për Republikë dhe të përfshihen në radhët e Frontit.

* Fronti Popullor për Republikën e Kosovës nuk do të ketë asgjë të përbashkët, por do të jetë kundër LKJ-së dhe organizatave tradhtare të masave si LSPP, LRS, LS, KKASHG etj., që janë vegla të shovinizmit serbomadh. Fronti do të luftojë për demaskimin dhe izolimin e udhëheqjeve të tyre tradhtare dhe për tërheqjen në anën e tij të masave të mashtruara e të manipuluara prej tyre.

* Në Frontin për Republikën nuk mund të bëjnë pjesë gjithashtu as grupet e organizatat fashiste e terroriste dhe agjenturat e ndryshme, që organizon reaksioni i jashtëm apo i brendshëm.

V I

*   Krahas luftës për Republikën, Fronti do të punojë edhe për organizimin e luftës në çdo ndërmarrje, fshat, shkollë e fakultet, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore të klasës punëtore, fshatarësisë, rinisë, gruas, inteligjencës etj., për organizimin e rezistencës kundër plaçkitjes së pasurive të Kosovës, të luftës për mbrojtjen e kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë etj.

*   Për realizimin e qëllimeve të tij, Fronti do të përdorë të gjitha format e luftës dhe organizimit, do t’i kombinojë e zëvendësojë ato në përputhje me kërkesat e situatës dhe të strategjisë së tij.

*   Në veprimtarinë e tij, Fronti do t’i japë përparësi organizimit dhe luftës ilegale, por krahas kësaj ai do t’i shfrytëzojë gjerësisht edhe të gjitha format e mundshme legale.

*   Fronti është kundër reformizmit dhe legalizmit borgjez dhe, nga ana tjetër, lufton kundër pikëpamjeve dhe metodave anarkiste e terroriste të luftës, të cilat e dëmtojnë rëndë dhe e komprometojnë luftën tonë të drejtë.

*   Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për përçarjen e popullit tonë me anë të fesë, hakmarrjes, vëllavrasjes etj.

 *   Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për armiqësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë socialiste. Ai do t’i popullarizojë sukseset madhështore që po arrin në të gjitha fushat Shqipëria socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës dhe të shokut Enver Hoxha. Fronti do të përpiqet për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të ngushta e të gjithanshme mes popullit shqiptar në Jugosllavi dhe atij në Shqipëri.

*   Fronti Popullor për Republikën e Kosovës do të luftojë gjithashtu edhe kundër përpjekjeve të shovinistëve serbomëdhenj për ta armiqësuar popullin shqiptar me popujt jugosllavë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Fronti nuk i ngatërron popujt jugosllavë me krerët e tyre shovinistë. Luftën e tij ai jo vetëm që nuk e drejton kundër proletariatit dhe popujve jugosllavë, por përkundrazi, ai i konsideron ata si aleatë të tij në luftën për të drejta e liri.

*   Duke ndjekur një politikë konsekuente internacionaliste, Fronti do ta lidhë luftën e tij me luftën që bëjnë popujt dhe proletariati i të gjithë botës për liri e socializëm dhe do të luftojë kundër imperializmit me atë amerikan në krye, kundër socialimperializmit sovjetik, kundër fashizmit dhe reaksionit të të gjitha ngjyrave.

* * *

Këto janë tezat kryesore që Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës i propozon si bazë për organizimin e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Gjatë diskutimit ato me siguri që do të plotësohen, të përsosen e kristalizohen më tej dhe mbi këtë bazë do të përcaktohet vija politike, ideologjike e organizative e Frontit.

Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës u bën thirrje të gjithë komunistëve, patriotëve e revolucionarëve të organizuar e të paorganizuar që t’i përgjigjen ashtu si duhet thirrjes së Atdheut për bashkimin e Frontit të përbashkët të luftës për të drejtat dhe lirinë tonë – për Republikën tonë.

Forca jonë qëndron në unitetin tonë. Sa herë që populli ynë ka bashkuar armët dhe zemrat në një front të vetëm, ai ka arritur të mposhtë dhe të mbulojë me turp armiq shumë më të mëdhenj e më të armatosur. Këtë e dëshmojnë luftërat legjendare të Skënderbeut, e dëshmon lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e dëshmon epopeja e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e dëshmojnë edhe grevat e demonstratat tona heroike.

Në luftë për të drejtat tona, ne, gjatë kësaj pranvere, pavarësisht se cilës organizate i takonim, u lidhëm sup më sup dhe, si shokë e vëllezër të vërtetë, luftuam, u përleshëm e u gjakosëm me armiqtë dhe tradhtarët e urryer të popullit tonë. Tani para nesh shtrohen detyra që këtë bashkim të paparë që arritëm në luftën tonë, ta ruajmë e forcojmë më te, ta bëjmë të organizuar, të qëndrueshëm, të pathyeshëm, të përjetshëm. Bashkimi bën fuqinë. Bashkimi është imperativ i kohës. Të bashkuar e të lidhur si vëllau me vëllanë, ne jemi më të fuqishëm se të gjithë armiqtë tanë, të bashkuar ne jemi të pamposhtur. Vetëm të bashkuar si grusht i vetëm në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës, ne do të arrijmë fitoren tonë, lirinë tonë.

 Rroftë Fronti Popullor për Republikën e Kosovës

Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës” (Teksti i Tezave, është marrë nga libri i Faridin Tafallarit, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 208-213)

***

Pas radhitjes, Jusufi i shumëzoj këto teza, i dërgoi një numër ekzemplarësh Kadri Zekës në Zvicër dhe vet i shpërndau në krejt rrethin e Shtutgartit. Bashkimi shikohej si një çështje dite, bisedat dukej se do të ishin vetëm formalitet me një procedurë shumë të shkurtë. Jusufi kurrë nuk do të përshkruante (radhiste) ato teza e t’i shpërndante sikur të mos pajtohej pikë për pikë me pikëpamjet e tyre.

Ibrahim Kelmendi nuk ishte i involvuar në këtë punë sa i përket pjesës së Jusufit, siç e dëshmon letra e 20 gushtit. Se në çfarë mase ka qenë i involvuar nga ana e Kadri Zekës do ta shohim më vonë.

VIJON …

_____________

KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON (1)

Nga Xhafer Durmishi-Skenderi, Suedi 23. 04. 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura