KRESHNIK AHMETI: PËRDITSHMËRIA KULTURORE E FESTIVALEVE

(Prishtinë, 01. 07. 2012) – Muzika në vendin tonë ka kohë që është shndërruar në një riprodhues të sistemit aktual. E tëra që mund të dëgjohet në mediat tona është muzika me temat banale, të cilat shikuar nga një pikëvështrim jashtë realitetit tonë, krijon përshtypjen se preokupimet e vetme të qytetarëve të Kosovës janë zënia e dashuriçkave, dehjet me alkool dhe stilit sa më të bukur të luksit. Kjo po i ndihmon sistemit duke ua krijuar qytetarëve një derë për ikje nga ballafaqimi me problemet reale të vendit.
Por, ajo që shihet jo domosdoshmërisht e tregon realitetin. Ky realitet virtual po krijohet nga hegjemonia e mediave në vendin tonë, të cilat e kontrollojnë dhe drejtojnë shijen e dëgjusve dhe shikuesve. Tjetër gjë ndodhë në të vërtetë, por kjo “tjetra” nuk kapet nga mediat dhe mbetet “ekskluzive”. “Tjetra” mund të shihet e dëgjohet vetëm në festivalet “ekskluzive” të cilat më së shumti organizohen në stinën e verës. I quaj “ekskluzive” jo sepse janë luksoze dhe përjashtuese, por për vetë faktin se janë e kundërta e saj. Ato nuk prodhojnë iluzione, nuk japin mesazhe tëhujasimi e shmangjeje, nuk ndërtojnë modele prej konsumeristi masiv, ato janë në rrugë, në margjinat e shoqërisë, të patjetërsuar dhe me gjithë potencialin për krijimtarinë e vërtetë artistike.

Nga festivali i fundit “NGOMFest 2012”, që u organizua në Prizren.

______________________________

VideoFesti Muzikor, sado që përçon ekskluzivitet, nuk është aspak ekskluziv. VideoFesti Muzikor është përditshmëria e artit aktual dhe përmbledhja banale e videove muzikore, pjesa dërrmuese e të cilave e riprodhojnë dhe e mirëmbajnë hegjemoninë e sistemit të vendit. Ata nuk janë aspak unik e as origjinalë, janë pikërisht sikurse i gjithë sistemi. Të përjashtuarit, ata janë “ekskluzivë”. E ata nuk mund t’i shohësh në media, por mund t’i shohësh në rrugë. Ata janë nga rruga, janë zhvilluar në rrugë dhe kanë mbetur aty.
Mbetja e tyre në rrugë nuk tregon asgjë tjetër, veçse rezistencën e tyre ndaj sistemit aktual politiko-kulturor në vendin tonë. Në tekstet e kënduara nga këta artistë, dëgjohen akuza kundër sistemit dhe thirrje për mobilizim të të varfërve, dëgjohen përvoja të komuniteteve të diskriminuara dhe thirrje për barazi shoqërore, dëgjohen vlera të kombit tonë dhe thirrje për mobilizim kombëtar. Aty nuk këndohet për humbjen e të dashurës apo fitimin e luksit.
Kjo shtresë kulturore, po arrinë ta mbajë veten e vërtetë dhe t’i bëjë ballë hegjemonisë së kulturës reaksionare, duke shfrytëzuar këto festivale si në kuptimin e përçimit të mesazhit, poashtu edhe në kuptimin financiar. Dhe mbijetesa e tyre duhet shikuar si përpjekje barazitare që përbrenda ka universalitetin. Në festivalin e fundit që u organizua në Prizren, në NGOMFest 2012, artistët ishin mbledhur rreth krijimtarisë së tyre. Ata ishin nga vende dhe kombësi të ndryshme, por të gjithë kishin harmoni me njëri-tjetrin, sepse ata i bashkonte krijimtaria e tyre e cila bënë thirrje për drejtësi dhe barazi. Kjo është e kundërta e sistemit aktual të imponuar nga Pakoja e Ahtisaarit dhe të implementuar për mrekulli nga PDK, LDK, AAK dhe AKR, të cilët flasin për barazi mes komuniteteve, dhe në hapin e parë i ndajnë ato në baza kombëtare. Ata nuk shohin mjekë, ata shohin shqiptarë dhe turq, ata nuk shohin mësues, ata shohin serbë dhe RAE, ndërsa artistët e përjashtuar, në këto festivale e shohin njëri tjetrin në bazë të krijimtarisë dhe prodhimit të tyre, e jo në bazë të dallimeve. Kjo është edhe një mënyrë e rezistencës dhe luftimit ndaj këtij sistemi.

____________________________

DËGJONI NJË MESAZH TË BIM BIMMA’S , NË KËNGËN – ÇU!!!

_____________________________

Një anë tjetër e mirë e festivaleve të viteve të fundit është edhe bashkëngjitja e një kauze gjatë organizimit. Por, kjo me të vërtetë mbetet vetëm NJË kauzë në të gjitha festivalet dhe një kauzë që nuk përkon aq shumë me shqetësimin e qytetarëve të vendit. Është mirë që të tentohet emancipimi i dëgjuesve /shikuesve në këto festivale, sepse fundja, arti do të duhej të ishte mjet komunikimi drejt këtij emancipimi. Por, në një vend ku kemi afër gjysmën e popullit pa punë, ku kemi rreth 300.000 njerëz të uritur dhe 18% të varfër, nuk mendoj se kauza kryesore dhe e vetme nëpër festivalet tona do të duhej të ishte ambientalizmi. Kjo nuk përputhet as me profilin dhe karakterin e shumicës së artistëve dhe grupeve që paraqiten. Mendoj se në këtë aspekt, festivalet duhet ta ndjekin hapin e artistëve dhe të mirren me kauza thelbësore, siç do të ishte barazia ekonomike dhe shoqërore. Raste të suksesve për ngritjen e kauzave të tilla me anë të muzikës, kemi që nga lëvizjet politike e kulturore në Ballkan e deri tek Occupy Wall Street në New York.
Por, në anën tjetër, edhe artistët duhet ta ngrisin aktivitetin e tyre shoqëror në nivel të teksteve që shkruhen nga vetë ata. Nuk ka kuptim që spoti i një grupi të shfaqë se si sistemi me injeksion në media, po ia shpërlanë trurin popullit, e në anën tjetër, i njejti grup të valvit flamurin e imponuar dhunshëm të Ahtisaarit në koncertin e tyre. Përveç kontradiktës mes teksteve dhe aktiviteteve, artistët duhet ta mposhtin edhe frikën e tyre ndaj sistemit. Për ato të cilat këndohet, për ato duhet edhe të veprohet. Veprimi mund të fillojë nga një koncert protestues, e deri tek pjesëmarrja në protesta e aksione. Për këtë gjë, mund të merrni shembuj që nga artisti Bim Bimma nga Prishtina, e deri tek Rage Against the Machine nga Los Angeles.
Kur këto festivale ta arrijnë nivelin politik të teksteve të artistëve që marrin pjesë në to, e kur artistët t’i kthejnë në vepra tekstet e tyre, atëherë ne do të kemi një kulturë dinamike dhe të emancipuar. Vendi ynë ka nevojë për ndryshime radikale ekonomike dhe shoqërore dhe nga këto ndryshime nuk mund të menjanohen artistët. Ata do të duhej të jenë ligjëruesit e këtij ndryshimi nëpërmjet veprave të tyre artistike. Vetëm në këtë mënyrë, kultura e festivaleve “ekskluzive” do të bëhej kulturë e përditshmërisë. Vetëm një përditshmëri e tillë kulturore do të mund të bëhej pararojë e ndryshimeve radikale ekonomike e shoqërore në vendin tonë. Vetëm në këtë mënyrë, artistët do të bëheshin ata që duhet të jenë, reflektuesit e realitetit i cili do të duhej mposhtur, drejt një shoqërie të drejtë e të barabartë për të gjithë.
– Autori është Basist i grupit “The Freelancers” dhe aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

___________________________________

Shikoni një prezentim të grupit “The Freelancers”:

.

……………………….

————————————————

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura